Kolltuku i kryeministrit, pavarësisht përkatësisë partiake (politike) apo vendlindjes të personit që ulet në të, ka një rol gjithëpërfshirës dhe në një pozicion të tillë nuk është e këshillueshme që të bëhen dallime mes popullsisë (jug/veri apo lindje/perëndim), sepse mund të krijohen përçarje të panevojshme në shoqëri.
Nëpër mediat shqiptare u tha që kryeministri, qëllimisht ose jo, përdori tone anti-veriore gjatë një mbledhje në qytetin bregdetar të Sarandës. Nga gjuha, fjalori apo tonet që përdoren, populli ose ajo pjesë e popullit që preket, në mënyrë llogjike reagon.
Duke qenë se jam nga veriu dhe pavarësisht faktit se nuk jetoj në vendlindje, e ndiej për detyrë të reagoj (si person i shoqërisë civile), ashtu si edhe të tjerë reaguan ndaj kryetarit të qeverisë, ndaj një zyrtari të lartë, që të paktën në teori në mos gabohem përfaqëson gjithë popullin e Republikës së Shqipërisë.
Po të kishte qenë në rolin e piktorit (aktivitet të cilin e ka mediatizuar goxha kohët e fundit), nuk do kisha reagur, sepse fundja fundit si individ dhe pjesë e shoqërisë civile, ç’do njeri ka të drejtë të mendojë apo të thotë çfarë të dojë për Veriun apo për zonat e tjera shqiptare.
Përkundrazi, në këtë rast, ndryshon situata në detyrën aktuale që kryetari i « përjetshëm » i PS-së ushtron, sepse gjuha e përdorur është provokuese dhe sidomos tregon shenja mosmirnjohje ndaj Veriut. Sulmoj nga Saranda (qytet bregdetar i mrekullueshëm) ish-kryeministrin dhe ata që ai paska importuar, por se kush janë « ATA », ne nuk e dimë. Dhe kështu i bie që i gjithë Veriu të krahasohet me « ATA », dhe bashkë me « ATA » edhe unë.
Pra, unë, katunar (fshatar) prej rrethit Mat, malok prej Qarkut të Dibrës, dëshiroj ti rifreskoj memorjen zotit Kryeministër, se andej nga malet apo alpet tona, në zgjedhjet e fundit vendore të qershor 2015, mbi 36 mijë individë kanë votuar për ASE-n. Në qarkun e Lezhës 36 mijë, në atë të Shkodrës mbi 53 mijë dhe në atë të Kukësit mbi 21 mijë. Po ashtu, kam besimin e plotë se një pjesë e atyre të « importuarëve të Alpeve » kanë votuar për koalicionin e Kryeministrit edhe në qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit.
Dhe në këtë rast, Zoti Kryeministër, po lëmë mënjanë veriorët që nuk ju kanë votuar, që me padiskutim i keni zemëruar me fjalimin tuaj, dhe po bazohemi vetëm tek mbështetësit veriorë të koalicionit ASE. Si mund të jenë ndjerë ata/ato pas gjuhës tuaj anti-veriore ?
Kur erdhët në pushtet në 2013, përdornit shpesh termin një milion shuplaka, një pjesë e të cilave ishin veriore. Në këtë rast, nevojitet pak kujdes dhe mbi të gjitha respekt, se votat e veriorëve që keni marrë në 2013 dhe ato që morët në 2015 mund të kthehen në një « uragan » kundra jush në zgjedhjet parlamentare të 2017, dhe andej nga alpet tona do ju këndojnë : Viu viu fryn Veriu !
butrinti says
I nderuar Z. Bebja ! Do te kishit shume te drejte ne qofte se Kryeministri do ta kishte fjalen per familjet veriore qe jane vendosur nga Vlora deri ne Konispol sikurse eshte fshati Shendelli ne afersi te Butrintit . Jo Zotri , Kryeministri e kishte fjalen per mafiozet qe rrethonin e kane perfituar nepermjet ish KM/ Berishame nga dhjetra hektar troje . Keto troje nepermjet manipulimeve ligjore u jane mohuar pronareve vendes. Ju kujtoj me kete rast se pervec Sali Berishes Historia e shqiperise nuk njeh asnje shqiptar tjeter qe ti kete fryre eres se kesaj dasije . Ju kujtoj se edhe Bushatllijt dhe Ali Pash Tepelena ketu e 200 vjet te shkuara manipuluan sikur do luftonin njeri tjetrin per interesin e turqise. Me vjen keq qe po keqpolitizohesh .