4 shekuj në mbrojtje të identitetit kombëtar-shembulli i duhur për ne/
100 vjetrori i shpalljes së Pavarësisë sonë kombëtare është eventi më i madh i historisë moderne shqiptare, prandaj në qendër duhet të jetë bashkimi dhe jo ndarja,evidentimi i përpjekjeve të patriotëve të vërtetë dhe jo i tradhëtarëve, i mendjeve të ndritura dhe jo i mendjeve të shkrurtëra. Por i gjithë viti jubilar u shënua nga shumë incidente mes vetë shqiptarëve nga paaftësia e klasës poltike shqiptare që po tregohet e papërmbajtur dhe e nervozuar që në këtë përvjetor vetë ata të mos mungojnë. Cili është kontributi i tyre real? Nuk kanë asnjë gjurmë që të mund të krenohen. Vula e gjurmëve është 100 vjet më parë me disa prej kolosëve që e ideuan. Të duash të shmangësh Vlorën nga festimet me pretekstin se edhe Amerika kështu veproi dikur, është një naivitet kryekëput. E përse duhet ndjekur shembulli amerikan edhe në festën tonë kombëtare? Një prej momenteve për të cilën duhet të krenohemi për historinë tonë është rikthimi i Mesharit të Gjon Buzukut në Atdhe, pasi është dëshmia e parë e identitetit tonë kombëtar e shprehur në gjuhë. I takonte Akademisë sonë që të organizonte një simpozium të madh për këtë gjurmë të gjuhës sonë, por ajo heshti para akademizmit diletant të një kryeministri të kudondodhur dhe në dukje poliedrik. Në Itali u festua 400 vjetori i gjurmëve të para të shkruara të identitetit, i Fjalorit të Akademisë Crusca 1612, por nuk pamë ndonjë politikan që ta rrëmbente mikrofonin dhe të mbante ligjëratë për gjuhën italiane. Tek ne orientime të njerëzve jokompetentë dhe mediokër e futën në sherr edhe gjuhësinë shqiptare me ëndrrat për ta ndryshuar atë letrare, sepse janë bërë padrejtësi ndaj dialekteve. O tempora o moris!
Një përvjetor nuk synon vetëm një datë, por vazhdimësinë e kontributeve për ta pasuruar gjuhën dhe leksikun e saj, ashtu siç bëri në të vërtetë Akademia italiane. Ishte fjalori i parë, pasi nuk e kishte asnjë prej gjuhëve moderne europiane dhe ky event e vendos Italinë në një prej vendeve që gjenialitetin e vet e kanë të shumëfishtë. U desh shumë punë deri në ditët e sotme që të inventarizohej fjalë pas fjale kjo gjuhë dhe shumë akademikë punoin gratis, nga dashuria për gjuhën. Nuk ishin vetëm filologë, por shkencëtarë dhe artistë që u shëndërruan në leksikografë të mirëfilltë për ta evidentuar këtë pasuri. A nuk e bënë këtë gjë edhe studiuesit shqiptarë në vitet e shekullit të kaluar? E kryen me devotshmëri detyrën për ta mbrojtur gjuhën tonë kombëtare, bile vendosën edhe disa standarte që sot disa pseudostudiues po përpiqen që ta përmbysin. Më datën 16 nëntor do të mbahet në Korçë një Akademi me rastin e përvjetorit të 40 të Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe do të dëshiroja që nga soleminiteti i saj të dilnin me një përgjigje të qartë se gjuha jonë letrare nuk është
një mall që ta shkëmbejmë në treg apo ta sakatosim sa herë që të ndryshojnë mendjet e politikanëve. Në gjuhë ka një natyrë dialektike të zhvillimit dhe nuk mund të veprohet sipas tekave të një grupi shoqëror që as vetë ata nuk dinë ta flasin atë korrekt atë. Çdo gjuhë ka një të shkuar që hedh bazat e saj, një të tashme dhe një të ardhme. A mund ta pranonin italianët një histori të identitetit të tyre pa veprën e Dantes, Petrarkës apo Bokaços? Jo, asnjëherë. Po të gjitha përpjekjet e shumë studiuesve të tjerë deri në ditën e shndërrimti të gjuhës italiane në letrare kombëtare? Përsëri jo, sepse nuk është kompetencë e politikanëve, por e studiuesve dhe vetëm ata e kanë ekskluzivitetin e mendimit final. Nëse një fjalor shfaqet si një regjistër i thesareve gjuhësore, përdoruesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm që shumë prej tyre do të dalin nga përdorimi, do të zëvendësohen me të rinj, në një ripërtëritje të vazhdueshme.
Pak ditë më parë në një konferencë për gjuhët e Europës dhe mbrojtjen e tyre ku mora pjesë theksova dy gjëra që duhet t’i kemi parasysh : e para se gjuha është mjeti me të cilin ne shprehim filozofinë tonë kombëtare, pra ai nga i cili ne dallohemi në Europë dhe së dyti se gjuha shqipe si një gjuhë e Bashkimit Europian duhet mbrojtur dhe shpëtuar prej ideve të mbrapshta të kodoshëve politikë. Në konferencë doli edhe një ide tjetër shumë interesante që e ilustroi bukur edhe rektori i UPT, z. Kaçani, lidhur me kalimin nga departament të gjuhëve në një qendër tepër funksionale të tyre, ku të përmirësohet kurrikula, infrastruktura dhe t’i jepet përparësi edhe trajnimeve të stafeve dhe të studentëve. Por në këtë ide, mendoj se nuk duhet lënë jashtë gjuha jonë shqipe dhe do të ishte e udhës që një sasi orësh për ta studiuar do të ishte vendimtare. Shpresoj që kjo ide, duhet provuar nëse është efikase më parë, të implementohet edhe në universitetet e tjera shtetërore shqiptare. Ministria jonë e Arsimit duhet të jetë promotorja e universiteteve tona, pasi është tradita e gjatë e Universitetit të Tiranës, por edhe sepse mbahen nga taksapaguesit shqiptarë. Më tej duhen urgjentisht të rishikohen investimet për to, të paktën tek Korpusi qendror, kanë vite që mungojnë. Universiteti i Tiranës është pasaporta jonë kombëtare, pra nuk duhet ta humbim atë, por ta ngrejmë në standartet e Europës.
Arjan Th. Kallço
Pedagog i Gjuhës italiane
Universiteti Fan S. Noli, Korçë