
Dr. Bledar Kurti/
Fjala “kulturë”, e cila përdoret rëndomë pa dijen e peshës dhe rëndësisë së madhe që ka, nuk rrjedh nga fushat krijuese siç mund të hamendësohet por nga bujqësia dhe agronomia.
Fjala “kulturë” e ka zanafillën nga “cultura animi” (kultivim i shpirtit). Një metaforë kjo e përdorur nga oratori i Romës së lashtë, Ciceroni, në veprën e tij Tusculanae Disputationes. Ashtu siç kultivohet bimësia ashtu kultivohet edhe shpirti. Ashtu siç ushqehet bimësia ashtu duhet ushqyer edhe shpirti për të arritur stadin frutor, nivelin më të lartë të zhvillimit njerëzor.
Jo vetëm romakët, por edhe grekët e lashtë, sikurse edhe popujt e lindjes së mesme e të largët e kishin kuptuar prej mijëvjeçarësh kulturën, pra kultivimin e shpirtit.
Në lindjen e mesme, përmbledhjet e librave quheshin kopshte. Njësoj si kopshtet e vërteta, me lule, barishte e pemë, ato libra kërkonin kohë që të rriteshin sepse idetë më të mira duheshin kultivuar me kohën, ndërsa bimët invazive dhe bimët e dobëta duheshin shkulur. Një proces vetë-pastrimi e vetë-përmirësimi të cilin ne sot e quajmë “integritet.”
Kultivimi i shpirtit, kultura, siç i referohemi sot, kërkon jo vetëm dëshirën për dijen, besimin, leximin, artin, muzikën, njohjen e historisë dhe kuptimin e natyrës njerëzore por është e ndërlidhur edhe me paqen, me harmoninë midis traditave dhe pasurive shoqërore shumëngjyrëshe midis kombeve. Kultura është paqe dhe paqja e harmonia janë kulturë.
Mbi të gjitha kultura, kultivimi i shpirtit, integriteti, apo sido që quhet në gjuhë të ndryshme, për të dhënë fryt kërkon që të shërbesh. T’i shërbesh komunitetit, vendit e mbarë njerëzimit.
Ky është kuptimi i kulturës. Të kultivosh shpirtin tënd për të dhënë fryte te të tjerët. Të kujdesesh për kopshtin tënd që të ushqesh të tjerët.
Të jesh njeri me kulturë do të thotë të përgatisësh veten me cilësitë më të mira njerëzore për dobi të të tjerëve.
Ndaj edhe kultura është fisnikëri.