![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/480225222_1048636593971529_2210711304842890118_n.jpg)
𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/
Democracy in Action – Demokracia në Veprim nuk funksionon pa Njerëz në Veprim. Nuk ekziston asnjë sistem që garanton demokracinë e vërtetë, por ka njerëz e shoqëri aktive që e mbajnë të gjallë dhe efektive qeverisjen dhe drejtimin demokratik. Asnjë fryt nuk vjen nga sistemet, sado i emancipuar të jetë, por nga veprimi i njerëzve. Asnjë titull shtetarie apo ofiq nuk sjell të mira të përbashkëta nëse nuk ka njerëz që veprojnë.
Përmes veprimit arrihet edhe lumturia – pra, si lumi që rrjedh. Jo lum ai që rri por lum ai që rrjedh, si lumi, si vetë jeta.
Ka shumë vurrata fizike e shoqëroe e nevoja bazike në ditët e sotme. Ka njerëz të paushqyer, të sëmurë, analfabetizëm (sipas ETF, në 2025-ën 47% e shqiptarëve mbi 15 vjec nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë), korrupsion, krim, mungesë meritokracie, etj. Kështu ka qenë në mijëvjeçarë e kështu do mbetet pasi është pasojë e vanitetit njerëzor, por është e do mbetet gjithmonë një thirrje për veprim.
Është përgjegjësi individuale që gjithësecili, teksa e vendos kokën mbi nënkresë, përpara se të flejë, të shqyrtojë veten: A veprova unë sot? A ndikova unë sot në jetën e tjetrit, në të mirën e qytetit, vendit, botës, apo çfarëdoqoftë?
Gjëja më e keqe që mund të bëjë njeriu në jetë është të bëjë asgjë. Nuk ka sakrilegj më tragjik se një njeri që e ngrys ditën e vet pa bërë gjë, pa vepruar, pa kontribuar. Çdo individ duhet të veprojë, të lëvizë, të rrjedhë, jo këmbadorasi, jo duke u zvarritur e ngjethur si zvarranikët, por në këmbë, me integritet e me krenarinë e një qenieje njerëzore.
Kur sot flasim për Demokracinë mendojmë për lindjen e saj në Athinën e lashtë përpara dymijë e pesëqind vitesh. Por Demokracia e sotme nuk ka asnjë lidhje me atë athinase. Demokracia e Athinës së lashtë përbëhej nga një formë qeverisjeje me mbledhje masive qytetarësh. Demokracia athinase u bë e njohur vetëm prej nivelit të lartë të veprimtarisë politike të qytetarëve të saj. Ata jo vetëm që merrnin pjesë në mbledhjet e rregullta të Kuvendit, por ishin të përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë e funksioneve publike dhe vendimmarrjes.
Vendimet kryesore merreshin nga Kuvendi, ose Bashkësia, të cilës i përkisnin të gjithë qytetarët. Kjo mblidhej të paktën 40 herë në vit në një formë qeverisjeje me mbledhje masive. Kuvendit i nevojiteshin zyrtarë publikë, ata zgjidheshin me short ose me rotacion për t’u siguruar që ata përbënin një mikrokozmos të qytetarëve më gjerë dhe mandatet ishin zakonisht të shkurtra për të arritur pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme.
Këshilli i përbërë nga 500 qytetarë vepronte si komitet ekzekutiv ose drejtues i Kuvendit, dhe një komision prej 50 anëtarësh i bënte propozime Këshillit. Kryetari i Kuvendit mbante detyrën vetëm për një ditë të vetme dhe asnjë athinas nuk mund ta kishte këtë nder më shumë se një herë në jetën e tij.
Pra thelbi i demokracisë së vërtetë është Njerëz në Veprim, Njerëz të Angazhuar, Njerëz që Kontribuojnë.
Çdo njeri është i aftë të veprojë. Jo të gjithë kanë talente e dhunti të dalluara por që të gjithë lindin me aftësinë për të vepruar. Kushdo që mbledh krahët rreth vetes, mbyll sytë ndaj padrejtësisë, kafshon gjuhën kur i duhet të flasë, mbyll sytë kur duhet të shohë, vjedh e zhvat kur duhet të japë, përqesh kur duhet të pikëllohet, fle kur duhet të zgjohet, shkatërron kur duhet të ndërtojë, zgjedh me vetëdije të mos jetë qytetar i përgjegjshëm për një shoqëri demokratike. Zgjedh të jetë asgjë.
Unë, në jetën time, modestisht zgjedh të veproj, e veproj, e veproj, në çdo frymëmarrje.