
Dr. Bledar Kurti/
…. Një shembull i shkëlqyer i frymës së harmonisë njerëzore gjendet në Shqipëri, një vend i vogël me një trashëgimi të jashtëzakonshme tolerance fetare. Në një botë shpesh të ndarë përgjatë vijave fetare, të cilat kanë shkaktuar përçarje, Shqipëria ka qenë prej kohësh shtëpia e njerëzve që jetojnë krah për krah në respekt të ndërsjellë. Kjo bashkëjetesë nuk është thjesht institucionale; është e ndërthurur në jetën e përditshme dhe identiteti fetar nuk është përdorur si armë për përfitime politike.
Kjo harmoni nuk lindi rastësisht. Ajo është e rrënjosur në një etos kulturor që vendos dinjitetin njerëzor mbi ndarjen, shpesh e shprehur përmes konceptit tradicional të besës, një angazhim ndaj nderit, besimit dhe mbrojtjes së tjetrit.
Gjatë disa prej momenteve më të errëta të Evropës, kjo frymë i udhëhoqi shqiptarët të mbronin njerëzit e persekutuar, pavarësisht besimit. Sot, shembulli i Shqipërisë i ofron botës një mësim të fuqishëm: se pluralizmi mund të jetohet, e jo vetëm të shpallet.
Përvoja shqiptare tregon se luftimi i radikalizimit dhe ekstremizmit nuk arrihet vetëm përmes masave të sigurisë, por përmes kohezionit shoqëror dhe qartësisë morale. Kur njerëzit ndihen të respektuar në identitetin e tyre dhe të lidhur me të tjerët, ideologjitë ekstremiste humbasin forcën e tyre.
Bota ka nevojë urgjente për diplomatë të sentimentit ndër kombe: mendimtarë që refuzojnë cinizmin, qytetarë që zgjedhin dialogun mbi heshtjen, kultura që shtrijnë dorën në vend të grushtit. Duke lidhur zemrat, si dhe politikat, dhe duke mësuar nga shembuj si tradita e gjallë e tolerancës në Shqipëri, mund të imagjinojmë një të ardhme ku kombet jo vetëm bashkëjetojnë, por bashkëpunojnë në harmoni dhe prosperitet të përbashkët. Kështu ne zgjedhim një paqe që mund të zgjasë për dekada me rradhë ….