
Dr. Bledar Kurti/
Një nga portretet më të rralla dhe të bukura të Leonardo da Vinçit, “Gruaja me bukël” është më shumë se thjesht një pikturë – është një dëshmi e gjeniut, pasionit dhe dramës historike që ka kaluar Evropa.
Pikturuar rreth vitit 1489–1490, kjo vepër përshkruan Cecilia Gallerani, një grua e re dhe e ditur, e dashura e Ludovico Sforza, Duka i Milanos – një nga patronët më të rëndësishëm të Leonardo da Vinçit. Bukla në duart e saj simbolizon pastërtinë, por edhe vetë Dukën, i cili kishte si pseudonim “Bukla e Bardhë”. Bukla është kafshë dredharake dhe e pakapshme, por Cecilia e mban butë por vendosshmërisht me dorën e saj, mesazh përkushtimi dashuror ndaj Dukës.
Eleganca dhe realizmi i portretit, teknika e rrallë e sfumaturës, shikimi i saj i kthyer, drita që përkëdhel fytyrën, kompozimi perfekt– të gjitha janë dëshmi e mjeshtërisë së rrallë të Leonardos.
Por historia e kësaj vepre nuk ndalet te krijimtaria e artë e Rilindjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia u pushtua nga nazistët, kjo vepër, sikurse edhe një peizazh i Rembrandtit e një portret i Rafaelit, u vodh nga nazistët dhe u dërgua në Gjermani. Ajo qëndroi për një kohë në koleksionin personal të Hans Frank, guvernatori nazist i Polonisë së pushtuar.
Pas përfundimit të luftës, pas shumë përpjekjesh diplomatike dhe hetimesh nga Aleatët, piktura u kthye në Poloni – një nga veprat e pakta që shpëtuan nga pluhuri dhe flakët e luftës.
Sot, “Gruaja me bukël” ruhet në Muzeun Kombëtar në Krakov, si një nga thesarët më të çmuar të artit botëror dhe simbol i trashëgimisë kulturore që mbijeton edhe në kohërat më të errëta.
Bashkë me të edhe Rembrandti u kthye, por portreti i Rafaelit mbetet i zhdukur prej 80 vitesh, dhe gjurma e vetme e veprës është vetëm një fotografi e saj bardhë e zi.