𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/
𝘊̧𝘥𝘰 𝘮𝘦̈𝘯𝘨𝘫𝘦𝘴 𝘬𝘶𝘳 𝘻𝘨𝘫𝘰𝘩𝘦𝘮, 𝘨𝘦̈𝘻𝘪𝘮𝘪 𝘮𝘦̈ 𝘪 𝘮𝘢𝘥𝘩 𝘲𝘦̈ 𝘮𝘶𝘯𝘥 𝘵𝘦̈ 𝘬𝘦𝘵𝘦̈ 𝘯𝘫𝘦𝘳𝘪𝘶 𝘮𝘦̈ 𝘱𝘦̈𝘳𝘬𝘦𝘵 𝘷𝘦𝘵𝘦̈𝘮 𝘮𝘶𝘢: 𝘨𝘦̈𝘻𝘪𝘮𝘪 𝘪 𝘵𝘦̈ 𝘲𝘦𝘯𝘪𝘵 𝘚𝘢𝘭𝘷𝘢𝘥𝘰𝘳 𝘋𝘢𝘭𝘪́.
Po, kaq shumë arrogant ishte Salvador Dalí, kaq megaloman, krenar për talentin që zotëronte, për famën që kishte, për pasurinë që shtonte gjithnjë e më shumë, për madhështinë që rrezatonte. I njohur për mustaqet e holla e të gjata, sytë e zgurdudhuar në çdo fotografi, dhe veshjen e tij prej zholi, artisti që pikturoi ëndrrat, e krijuesi i elefantëve fluturues, gjirafave në zjarr, trupave njerëzorë të ndarë me sirtarë, orëve të shkrira, peizazheve surreale, regjisor dhe ilustrues filmash, bashkëpunëtor i artistëve më të shquar të shekullit të 20-të, mik i ngushtë me poetin e njohur Federico García Lorca, xhelozues i Andre Breton e mbarë lëvizjes surrealiste, plotësisht i vetëdijshëm për talentin e tij, Dalí nuk e fshehu kurrë gjenialitenin që mbarte, dhe reklama që ai i bënte vetes ishte më se e justifikueshme.
Për më tepër, ai kishte gjithnjë pranë dashurinë e jetës së tij, muzën e veprave të tij, të cilën e pikturoi përpara se ta takonte, e cila e ndryshoi dhe e frymëzoi artistin katalanas, ai kishte Helena Devulina Diakonoff, e njohur si Gala.
Të gjitha veprat e Salvador Dalí meritojnë një vlerësim dhe analizë të veçantë, e zor se mund të veçosh njërën nga tjetra për nga vlera dhe rëndësia, por ndër veprat e tij më të shquara, sipas kritikëve të artit, është Këmbëngulja e Kujtesës (1931), në të cilën orët e varura e të tretura kanë mbetur, ashtu siç e shpreh edhe vetë titulli, këmbëngulëse e plot kokëfortësi në kujtesën e shikuesve të shekullit të njëzetë e deri më sot.
Artisti katalanas eksperimentoi me shumë rryma të pikturës, si Impresionizmi, Kubizmi, Neoklasicizmi dhe një formë shumë e detajuar e Realizmit, Dadaizmit, etj. Por, ishte Surrealizmi, rryma e cila e tërhoqi, por edhe të cilën ai nisi ta bënte të famshme, e ta kryesonte, edhe pse grupi i surrealisteve e largoi nga gjiri i vet.
Dalí lindi në vitin 1904 në Figueres, Spanjë. Që në fëmijëri, personaliteti i tij ekzemplar nisi të dallohej. Në moshën gjashtë vjeçare ai dëshironte të bëhej kuzhinier, ndërsa në moshën shtatë vjeçare donte të bëhej Napoleoni. E më vonë, siç u shpreh edhe ai, “ambicia ime u rrit me ngadalë, e bashkë me të edhe megalomania ime. E sot unë dua të jem vetëm Salvador Dalí. Nuk kam dëshirë tjetër më të madhe se kjo”
Dalí arriti famë ndërkombëtare që në moshë të re, dhe përveç tablove të cilat tronditën shikuesit dhe bënë kritikët e artit ta merrnin seriozisht artistin e ri, Dalí gjithashtu bëri një film me Luis Buñuel, të quajtur Un Chien Andalou, një film qëllimisht shqetësues që portretizonte një atmosferë ëndrre. Reputacioni i arritur e i fituar nga ai film çoi në shoqërimin e Dalí me André Breton dhe surrealistët francezë. Pasi qëndroi për disa vite si pjesë e grupimit surrealist, rryma më me ndikim e shekullit të 20-të, ai u përjashtua nga grupi pasi shumë prej anëtarëve ishin majtistë e marksistë ndërkohë që Dalí kishte treguar mbështetje për gjeneralin Franko në Spanjë dhe ishte tallur me Leninin në veprën Enigma e William Tell, në të cilën kishte pikturuar Leninin lakuriq nga mesi e poshtë, me mollaqe të zmadhuara, dhe e gjithë prapanica mbahej nga një patericë në formën e një piruni që simbolizonte Revolucionin e Tetorit të vitit 1917.
Dalí u quajt provokator dhe i marrë. Por, siç u shpreh edhe vetë ai, “Dallimi i vetëm midis një të marri dhe meje është se unë nuk jam i marrë.” Dhe në lidhje me grupimin surrealist ai tha se “Dallimi i vetëm midis surrealisteve dhe meje është se unë jam surrealist.” Dhe, në fakt, pavarësisht risisë surrealiste dhe ndikimit të madh që patën figurat e shquara të atij grupimi, ishte falë Salvador Dalí që ajo lëvizje mori emër të madh dhe u njoh më shumë ndërkombëtarisht.
Ndonëse Breton, i cili ishte themeluesi i Surrealizmit, e përçmonte Salvador Dalí, në fillim ai u impresionua shumë prej talentit të tij. Ndër shumë vlerësime të tjera, Breton pranoi të shkruante hyrjen e katalogut të ekspozitës personale të Dalí në Paris, e cila u zhvillua në galerinë Camille Goemans në fund të vitit 1929. “C’estpeut-être, avec Dalí,” deklaroi ai, “la première fois ques’ouvrent toutes grandes les fenêtres mentales” (Për herë të parë Dalí i ka hapur shumë gjerë dritaret e mendjes sonë). Në një vend tjetër, ai e titulloi artin e tij “jusqu’à ce jour le plus hallucinatoire qu’on connaisse” (më halucinuesin që ekziston), dhe këshilloi miqtë e tij surrealistë të kultivonin halucinacione të vullnetshme si Dalí.
Ashtu siç kishte ndodhur kur ai ishte shpërngulur në fillim në Paris, ku me të mbërritur tha, “o Çezar, o asgjë,” këtë madhështi kërkonte nga vetja edhe përtej kontinenteve. Në vitin 1940, Dalí u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku u bë një figurë e njohur në Amerikën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai vazhdoi të krijonte një numër pikturash mbresëlënëse e tejet të pëlqyera dhe kontribuoi në filma të regjisorit të njohur Alfred Hitchcock dhe Walt Disney dhe krijoi skena për teatër, revista, bizhuteri dhe reklama. Ai u bë një fytyrë e njohur në revistat, gazetat dhe televizionet amerikane.
Por nga u krijuan imazhet më të habitshme e të jashtëzakonshme që shihen në veprat e tij? Kuaj me këmbë të gjatë, elefantë fluturues, njerëz që shpërthejnë nga vezët, skelete kafshësh dhe insekte në rërë plazhi, paterica që mbajnë në ajër një fytyrë e qepallat e syve, tigra që dalin nga goja e peshqve, portrete atomike, mjellma që duken si elefantë teksa pasqyrohen në pellgun me ujë, njerëz në formë peme e pemë me natyrë njeriu, sirtarë që dalin nga barku, e orë që treten nga koha? E nga ku tjetër mund të buronin këto imazhe veçse nga ëndrrat, dhe sigurisht nga vetë mendja e njeriut që i krijon ato ëndrra.
Ashtu si të gjithë surrealistët, Dalí u ndikua nga Sigmund Freud. Leximi i veprave të Freud i ofroi artistit një mundësi të pafundme për të eksploruar ankthet e tij dhe çështjet tabu, si masturbacioni, tredhja, impotenca, dhe shumë perversitete seksuale, duke i shpalosur këto shqetësime përmes një përzierje të një ikonografie personale me figurat dhe motivet frojdiane. Psikoanaliza dhe interpretimi i ëndrrave të Freud ndikuan në të gjithë krijimtarinë e Dalí. Siç e shohim në veprat e tij, ato janë të mbushura me fobitë e artistit, me imazhe karkalecash, mizash, e kafshë të ndryshme të cilat e tmerronin atë.
Gjithashtu, pikturat janë gjithmonë me hije të gjata, kjo ndodh për shkak se ato përshkruajnë agimin, pra gjatë lindjes së diellit hijet janë më të gjata, por edhe njeriu ëndërron në agim, e ai është midis dy botëve, ëndrrës dhe realitetit, gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar, dhe është pikërisht ky moment që sipas surrealistëve është momenti i vërtetë i njeriut, pasi të fshehtat e të pavetëdijshmes puthen me vetëdijen, dhe njeriu është plotësisht vetja.
Kjo shihet shumë qartë tek tabloja Gjumi, ku një fytyrë e fjetur pluskon në ajër, e mbajtur vetëm nga shkopinj si paterica të cilat nuk mbajnë në ajër vetëm formën e tërë por edhe qepallat e syve, hundën, buzët, duke na treguar se e gjithë fytyra do shkërmoqet nëse nuk mbahet nga patericat. Dalí e imagjinonte gjumin si një përbindësh të madh, që mbahej vetëm nga patericat e realitetit. Megjithatë ai, sikurse të gjithë surrealistët besonte tek psikoanaliza e Freud, dhe tek bota e ëndrrave, në të cilën gjendej një liri e madhe në të pavetëdijshmen që mund të cekej në mënyrë që të nxiste një krijimtari të madhe.
Dalí u takua me Freud vetëm një herë të vetme në Londër në vitin 1938 ku i tregoi një nga veprat e tij. Dalí mori shtysë nga profesori vjenez të përfshinte edhe sirtarë e rafte në pikturat e tij. Ai i përdorte ato për të përfaqësuar teoritë psikoanalitike të Freud të shtjelluara në imazhe. “Teoritë e Freud,” u shpreh Dalí, “janë një lloj alegorie, të përcaktuara për të ilustruar një lloj vetëpërmbajtje, për të lëshuar një lloj të panumërt aromash narciste që dalin e përhapen prej sirtarëve tanë. I vetmi dallim midis Greqisë së pavdekshme dhe kohëve tona është Sigmund Freud, i cili zbuloi se trupi i njeriut, dikur neoplatonik në epokën greke, sot është plot me sirtarë të fshehtë të cilat mund të hapen vetëm përmes psikoanalizës.”
Imazhe të krijuara nga ëndrrat dhe sekretet më të errëta, e pasione të pazbuluara që dalin nga sirtarët e të pandërgjegjshmes sonë? Po. Pikërisht kështu. Provoje edhe ti, dhe do habitesh me imazhet që do të të shfaqë truri yt, e ndoshta do turpërohesh edhe nga gjërat që do zbulosh nga vetja. Dalí i pikturoi të gjitha imazhet që zbulonte thellë vetes, dhe me një talent të jashtëzakonshëm artistik, e me saktësi realiste pikturimi i konkretizoi ëndrrat dhe frikën mbi tablo.
Bëni edhe një eksperiment tjetër, ose imagjinojeni, ose në rast se jeni mësues apo lektor universiteti, bashkë me nxënësit e studentët diskutoni mbi relativitetin e kohës. Merrni disa orë muri dhe kurdisini sipas kontinenteve: njëra do jetë shtatë orë përpara, tjetra dy, apo një, e tanishmja, e të tjerat do jenë një, dy, gjashtë, shtatë orë pas. Çfarë na mëson kjo? Relativitetin e kohës. Në një moment të caktuar ne jemi e tashmja e vetes, e ardhmja për dikë tjetër dhe shkuara për të tjerë. Ndaj edhe artistët e kanë fshirë gjithmonë konceptin e kohës, pasi për ata ajo është gënjeshtare, dhe pa të ata janë udhëtarë të kohëve.
Tani le të shohim veprën Këmbëngulja e Kujtesës, 1931.
Kjo vepër e rëndësishme për artin e shekullit të 20-të është vetëm 24 x 33 cm. Por pavarësisht kësaj përmase të vogël, stili dhe simbolika është shumë e madhe dhe universale.
Gjëja e parë që vëmë re është se pavarësisht që në këtë tablo gjenden tre orë të dukshme dhe njëra e mbyllur, pamja duket e ngrirë, sikur koha të mos ekzistonte. A janë ato tri kohët e jetës: e tashmja, e shkuara dhe e ardhmja? Dhe ajo me kapak të mbyllur a mos është ora e vdekjes e cila është e pakohë? Koha e konsumuar nga koha? Koha e vrarë nga koha? Ndoshta. Por tek të tre orët duket se akrepi po shënon orën gjashtë, e duke parë që hijet e të gjitha figurave janë të gjata, Dalí na tregon që bëhet fjalë për agimin, atë momentin ku njeriu i sheh ëndrrat më të qarta, pra ai momenti ku e pandërgjegjshmja jonë dhe realja takohen, e ne jemi tërësisht vetja, me dritën dhe errësirën që mbartim brenda vetes.
Peizazhi në këtë tablo i përket vendlindjes së artistit, Figueres, Spanjë, dhe është përshkruar në një mënyrë tejet realiste. Objektet në plan të parë kanë saktësinë teknike të orëve të vërteta, megjithatë ata janë të shkrira dhe të pajeta, duke sugjeruar mungesë energjie dhe paaftësi për të funksionuar si orë të vërteta. Kjo mund të shihet edhe si një përpjekje konceptuale për të ndalur kohën. Shkalla e të gjitha imazheve është shumë e shpërfytyruar – orët janë të mëdha në krahasim me degët. Orët e shkrira e të buta, shërbejnë si metafora për natyrën jetëshkurtër të njeriut, për kalbëzimin tonë të pashmangshëm dhe si rrjedhojë maninë që kemi me natyrën e kohës e cila punon kundër nesh. Orët qëndrojnë të buta kundrejt shkëmbinjve të fortë, si një kontrast universal.
Gjatë kohës së krijimit të kësaj vepre Dalí po shqyrtonte konceptin e “të butës” dhe “super të butës” në mendjen e tij për ta shpalosur përmes artit, dhe siç tregon vetë ai, një mbrëmje, teksa Gala kishte dalë me miq për të shkuar në kinema, Dalí vendosi të qëndronte në shtëpi për shkak se kishte dhimbje koke, dhe teksa qëndronte i ulur përpara pjatës së darkës të mbuluar me djathë Camembert të shkrirë, nisi të mendonte për problemet filozofike të “super të butës” që djathi i shkrirë i shtoi në mendje, dhe imazhet që iu shfaqën përpara syve ishin orë të shkrira.
Por Dalí ishte mjeshtër i konfuzionit dhe i tablove që lodrojnë me trurin e shikuesit. Edhe shpjegimet që ai jepte me fjalët e veta nuk mund të merren për bazë, pasi ishin të gjitha në funksion të promovimit të imazhit të tij si artisti më i famshëm i kohë së vet. “Unë jam një piktor i keq sepse jam shumë inteligjent për të qenë artist i mirë,” u shpreh ai në një intervistë televizive. Duket se fjalët e tij argëtuese fshehin kuptimin e vërtetë të fotografive të ëndrrave që ai pikturonte me duart e tij. Gjithashtu imazhin e shkrirë e gjejmë edhe tek vepra e Hieronymus Bosch, Kopshti i Kënaqësive Tokësore, vepër e afro pesë shekujve përpara Dalí, e ekspozuar në Madrid, e cila ishte padyshim një frymëzim për artistin katalanas pasi në të gjenden edhe motivet e vezës, që Dalí i përdori shpesh.
Pavarësisht ngjyrave të ndezura në këtë vepër, ajo është e mbuluar me një hije vdekje. Dega e pemës në të majtë është e vdekur, dhe milingonat janë simbol i kalbjes. Disa sugjerojnë se figura amorfe mbi rërë që duket si një shkëmb është autoportret. Vini re formën e hundës dhe qerpikët e gjatë. Objekti duket i pavetëdijshëm nën peshën e orës së shkrirë mbi të. Një orë tjetër është e mbushur me milingona, dhe një tjetër është ngacmuar nga një mizë e vetmuar. A na tregojnë këto objekte frikën e Dalí për vdekshmërinë e tij? Në këtë vepër ai ka portretizuar për ne botën që ekzistonte brenda tij. Përmes simbolizmit dhe realizmit hipnotik, ai na jep një pamje unike të psikikës së një gjeniu. Kjo botë e pavërtetë e çuditshme është si një makth dhe e frikshme, por po aq e njohur sa bota që ne mund të kemi krijuar brenda një ëndrre.
Një njeri dhe artist dinamik si Dalí nuk mund të linte asnjë koncept pa shfrytëzuar në artin e tij, ndaj përfshiu iluzionin optik në tablotë e tij e pas shpërthimit të bombës atomike në vitin 1945 nisi të pikturonte njeriun atomik, por nisi të merrej edhe me forcën më të madhe sesa bomba atomike, vetë Zotin. Frika ndaj vdekjes e shtyu Dalí të shkonte drejt katolicizmit dhe misticizmit në përpjekje për të shpalosur unitetin e universit dhe frymën shpirtërore të gjithë substancës.
Dhe bashkëshortja e tij, Gala, ishte padyshim Shën Maria e katolicizmit të tij në pikturë, perëndesha e tablove mistike, dhe fytyra e femrave mitologjike. Ajo shfaqet në shumë piktura të Dalí, herë e veshur si virgjëreshë e herë plotësisht nudo, herë me pamje ballore e herë me shpinë të zbuluar, në njërën tablo ajo është e ndarë në atome në një tjetër ajo duket si atlas erotik. Gala ishte gjithçka për të, i gjithë realiteti i artistit, motivi kryesor i veprave të tij, megjithatë Dalí ende kërkonte parajsën:
𝘊̧𝘧𝘢𝘳𝘦̈ 𝘦̈𝘴𝘩𝘵𝘦̈ 𝘱𝘢𝘳𝘢𝘫𝘴𝘢? 𝘎𝘢𝘭𝘢, 𝘵𝘪 𝘫𝘦 𝘳𝘦𝘢𝘭𝘪𝘵𝘦𝘵𝘪! 𝘗𝘢𝘳𝘢𝘫𝘴𝘢 𝘥𝘶𝘩𝘦𝘵 𝘨𝘫𝘦𝘵𝘶𝘳, 𝘢𝘴 𝘮𝘦̈ 𝘭𝘢𝘳𝘵𝘦̈ 𝘦 𝘢𝘴 𝘮𝘦̈ 𝘱𝘰𝘴𝘩𝘵𝘦̈, 𝘢𝘴 𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘥𝘫𝘢𝘵𝘩𝘵𝘦̈ 𝘦 𝘢𝘴 𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘮𝘢𝘫𝘵𝘦̈, 𝘱𝘰𝘳 𝘱𝘪𝘬𝘦̈𝘳𝘪𝘴𝘩𝘵 𝘯𝘦̈ 𝘲𝘦𝘯𝘥𝘦̈𝘳 𝘵𝘦̈ 𝘬𝘳𝘢𝘩𝘢𝘳𝘰𝘳𝘪𝘵 𝘵𝘦̈ 𝘯𝘫𝘦𝘳𝘪𝘶𝘵 𝘲𝘦̈ 𝘬𝘢 𝘣𝘦𝘴𝘪𝘮.
𝘚𝘩𝘦̈𝘯𝘪𝘮: 𝘕𝘦̈ 𝘬𝘦̈𝘵𝘰 𝘮𝘰𝘮𝘦𝘯𝘵𝘦 𝘶𝘯𝘦̈ 𝘦𝘯𝘥𝘦 𝘯𝘶𝘬 𝘬𝘢𝘮 𝘣𝘦𝘴𝘪𝘮, 𝘦 𝘫𝘢𝘮 𝘪 𝘧𝘳𝘪𝘬𝘦̈𝘴𝘶𝘢𝘳 𝘴𝘦 𝘮𝘶𝘯𝘥 𝘵𝘦̈ 𝘷𝘥𝘦𝘴 𝘱𝘢 𝘱𝘢𝘳𝘢𝘫𝘴𝘦̈𝘯.
Përmes refleksioneve të tij metafizike Dalí krijoi një numër të madh veprash të cilat kanë marrë një famë botërore. Por, përveç tablove porsi fotografi ëndrrash, përshkrimeve të frikërave e fobive njerëzore, skenave të pakohshme e pa gjeografi, ne arrijmë të dallojmë edhe artistin e dashuruar me bashkëshorten e tij. Pikturat që ai i bëri asaj tregojnë dashurinë e tij të madhe për Gala, dhe disa prej tablove janë ndoshta përshkrimet më pasionante dhe më sensuale të një gruaje të moshës mesatare në mbarë artin perëndimor. Aq të lidhur ishin Dalí dhe Gala sa që asnjë libër arti nuk mund të shkruhet pa përmendur lidhjen e ngushtë, por edhe të çuditshme midis tyre. Ai e quante atë “e vërteta ime më e afërt, shpirti i dytë, shpirti i vetëm” dhe shpeshherë i firmoste tablotë e tij, Gala Salvador Dalí, si një ilustrim që tregonte se sa të lidhur ata ishin me njëri-tjetrin.
Ku ajo u njoh me Dalí, Gala ishte bashkëshortja ruse e Paul Éluard. Që në takimin e parë artisti katalanas u çmend tërësisht pas saj, e ra përmbys në dysheme nga e qeshura. Për shkak se u emocionua shumë e nuk mund t’i fliste dot as edhe një fjalë, ai vetëm qeshte. Një moment i tillë nuk mund të mbetej pa u përshkruar nga vetë fjalët e Dalí:
𝘈𝘫𝘰 𝘦 𝘥𝘪𝘯𝘵𝘦 𝘴𝘦 𝘦 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳𝘢 𝘪𝘮𝘦 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘵𝘦̈𝘳𝘦̈𝘴𝘪𝘴𝘩𝘵 𝘦 𝘯𝘥𝘳𝘺𝘴𝘩𝘮𝘦 𝘯𝘨𝘢 𝘦 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳𝘢 𝘦 𝘩𝘢𝘳𝘦𝘴𝘩𝘮𝘦. 𝘌 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳𝘢 𝘪𝘮𝘦 𝘯𝘶𝘬 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘴𝘬𝘦𝘱𝘵𝘪𝘬𝘦, 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘧𝘢𝘯𝘢𝘵𝘪𝘬𝘦. 𝘌 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳𝘢 𝘪𝘮𝘦 𝘯𝘶𝘬 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘮𝘦𝘯𝘥𝘫𝘦𝘭𝘦𝘩𝘵𝘦̈𝘴𝘪, 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘬𝘢𝘵𝘢𝘬𝘭𝘪𝘻𝘮𝘪𝘬𝘦, 𝘯𝘫𝘦̈ 𝘩𝘶𝘮𝘯𝘦𝘳𝘦̈ 𝘥𝘩𝘦 𝘯𝘫𝘦̈ 𝘵𝘦𝘳𝘳𝘰𝘳. 𝘋𝘩𝘦 𝘯𝘦̈ 𝘵𝘦̈ 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩𝘢 𝘴𝘩𝘱𝘦̈𝘳𝘵𝘩𝘪𝘮𝘦𝘵 𝘦 𝘵𝘮𝘦𝘳𝘳𝘴𝘩𝘮𝘦 𝘵𝘦̈ 𝘴𝘦̈ 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳𝘦̈𝘴 𝘲𝘦̈ 𝘢𝘫𝘰 𝘬𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘥𝘦̈𝘨𝘫𝘶𝘢𝘳 𝘱𝘳𝘦𝘫 𝘮𝘦𝘫𝘦, 𝘢𝘫𝘰 𝘦 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳, 𝘦 𝘤𝘪𝘭𝘢 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘴𝘪 𝘩𝘰𝘮𝘢𝘻𝘩 𝘱𝘦̈𝘳 𝘵𝘦̈, 𝘪𝘴𝘩𝘵𝘦 𝘮𝘦̈ 𝘬𝘢𝘵𝘢𝘴𝘵𝘳𝘰𝘧𝘪𝘬𝘫𝘢, 𝘢𝘫𝘰 𝘦 𝘲𝘦𝘴𝘩𝘶𝘳 𝘲𝘦̈ 𝘮𝘦̈ 𝘣𝘦̈𝘳𝘪 𝘵𝘦̈ 𝘴𝘩𝘵𝘳𝘪𝘩𝘦𝘴𝘩𝘢 𝘯𝘦̈ 𝘥𝘺𝘴𝘩𝘦𝘮𝘦 𝘯𝘦̈ 𝘬𝘦̈𝘮𝘣𝘦̈𝘵 𝘦 𝘴𝘢𝘫 … 𝘋𝘩𝘦, 𝘢𝘫𝘰 𝘮𝘦̈ 𝘵𝘩𝘢 𝘮𝘶𝘢, “𝘋𝘫𝘢𝘭𝘰𝘴𝘩𝘪 𝘪𝘮 𝘪 𝘷𝘰𝘨𝘦̈𝘭. 𝘕𝘦 𝘵𝘦̈ 𝘥𝘺 𝘯𝘶𝘬 𝘥𝘰 𝘵𝘦̈ 𝘯𝘥𝘢𝘩𝘦𝘮𝘪 𝘬𝘶𝘳𝘳𝘦̈.”
Dhe ata mbetën të pandarë. Pavarësisht marrëdhënies së tyre të çuditshme për shkak të kandaulizmit dhe fobive të Dalí, dhe një natyre tejet pasionante të Gala, ata arritën të krijonin një bashkim të përsosur. Ajo gjeti një artist të famshëm që e dashuronte, ndërsa ai gjeti një muzë dhe një grua e cila do e vinte në shinat e duhura mendore dhe artistike.
Gala ishte e vetmja femër që mund ta frenonte marrëzinë e Dalí, por e cila tregoi se dinte edhe ta promovonte më së miri artin e të shoqit të saj. Në një episod të jashtëzakonshëm, të një momenti marrëzie, ne kuptojmë më mirë raportin e këtij çifti të shquar në botën e artit. Një ditë pasi Dalí kishte lexuar romanin Gradiva të shkrimtarit gjerman Wilhelm Jensen, të interpretuar nga Freud, heroina e romanit me këtë emër, arriti ta shërojë psikologjikisht protagonistin mashkull të veprës. Dalí e dinte se me Gala ai po i afrohej sprovës më të madhe të jetës së tij, sprovën e dashurisë, ndaj Dalí e pyeti: “Çfarë dëshiron të bëj unë për ty?” tregon vetë Dalí, “Dhe Gala, duke e transformuar dritëzën e saj të fundit të shprehisë së saj të kënaqësisë në dritën e fortë të tiranisë së saj, u përgjigj, ‘Dua që të më vrasësh!’ Dhe mua më erdhi një mendim i menjëhershëm që ta hidhja Gala-n nga maja e kullës së kambanës së katedrales në Toledo. Por siç pritej Gala vërtetoi se ishte më e fortë se unë. Dhe Gala më largoi nga krimi im dhe e shëroi marrëzinë time. Të falënderoj. Unë dua të të dashuroj. Dua që të martohem me të. Simptomat e histerisë sime nisën të zhduken një e nga një, si me magji. U bëra sërish mjeshtër i qeshjes sime, buzëqeshjes sime, dhe sjelljes sime. Një shëndet i ri, i freskët porsi një trëndafil, nisi të rritej në qendër të shpirtit tim.”
Marrëdhënia e tyre ishte shumë artistike dhe erotike. Në vitin 1974, Dalí ndërtoi Teatri dhe Muzeu Dalí, në fshatin e tij të lindjes në Figueres, Spanjë. Dalí e quajti atë muze si tempulli i erotizmit. Ai u shpreh se arriti ta thellojë misticizmin e tij duke e përzier atë me një jerm dhe përçartje erotike. Një herë ai u shpreh se “erotizmi është udha mbretërore drejt shpirtit të Perëndisë” dhe muzeu në Figueres gati-gati të bind për këtë.
Në pelegrinazhin tim artistik i kam ndjekur veprat e Salvador Dalí anembanë botës, por pamja më e mrekullueshme dhe e paharrueshme e imagjinatës së tij ishte muzeu teatër në Figueres. Kur u nisa me tren nga Barcelona nuk e merrja me mend se çfarë më priste. Kisha lexuar shumë për të, por duke qenë se në atë kohë interneti nuk ishte ende në përdorim të gjerë, nuk kisha asnjë ide se çfarë pamje kishte. Pas një orë e gjysmë udhëtim, me të arritur në Figueres, pyeta një zotëri të moshuar: donde esta el muse Salvador Dalí?, dhe sigurisht me spanjishten time të çalë nuk arrita të kuptoj asgjë nga përgjigja e atij zotërisë së sjellshëm, por ndoqa drejtimin e dorës së tij dhe eca nëpër rrugë të rregullta por provinciale, të cilat, në fakt, më kujtuan Shqipërinë, por teksa ecja në kërkim të muzeut, befas m’u shfaq përpara syve një godinë e madhe e kuqe me vezë të bardha e me engjëj të artë në majë. Një pamje ëndrre. Dhe unë mbeta pa fjalë, ashtu siç më linin gjithnjë pa fjalë veprat e Salvador Dalí që kisha parë nëpër botë. Tempulli i Dalí ishte një përjetim i jashtëzakonshëm.
Në atë tempull surreal, gjendej pllaka e varrit të piktorit të ëndrrave e cila qëndronte mbi një kriptë, një dhomë e nëndheshme ku dergjet ende sot artisti i cili tronditi dhe argëtoi botën e shekullit të njëzetë. Por, njerëzit e mëdhenj nuk lenë kurrë pa surprizuar edhe pas vdekjes. Argëtues gjatë jetës, e argëtues edhe pas vdekjes Dalí bëri sërish bujë në mediat botërore.
Kohët e fundit, në vitin 2017, një grua shtroi pretendime se ajo ishte vajza e Salvador Dalí, ndaj gjykata vendosi të bënte testin e ADN-së. Nga analizat e bëra nga lëkura, thonjtë dhe kockat e Dalí, rezultoi se ajo nuk ishte vajza e tij. Por ky nuk ishte lajmi kryesor. Lajmi më interesant ishte se kur hapën arkivolin, ekspertët mbetën të tronditur, pasi mustaqet e tij të gjata ishin ende në vendin e tyre. Narcis Bardalet, i cili e balsamosi trupin e Dalí në vitin 1989, u shpreh për radion katalanase RAC1 se gjetja e mustaqeve të paprekura ishte “një mrekulli”. Ai shtoi se “Salvador Dalí është i përjetshëm”.
Dhe kishte plotësisht të drejtë. Jo vetëm për mustaqet por edhe për artin e tij.
Salvador Dalí pikturoi ëndrrat dhe tablotë e tij na shpalosin një fytyrë të re e të përjetshme të artit, atë të rrëfimtarit të mendimeve tona më të fshehta të cilat nuk arrijmë t’i fshehim dot as në të pavetëdijshmen tonë e as në gjumë.