Bujar Leskaj/
Festa e Bektashinjve, pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorrit në Berat, ka nisur që më datë 20 gusht dhe do të vazhdojë deri më 25 gusht, ndërsa dita e sotme është dita kulminante e kësaj feste fetare të bukur dhe plot kuptim.
Pelegrinazhi është shumë i rëndësishëm për të gjithë komunitetin e besimtarëve bektashinj kudo në botë, dhe jo vetëm për ta. Ai u fal besimtarëve qetësi, shpresë, paqe e dashuri mes tyre dhe familjarëve të tyre, duke u ripërtërirë forcat dhe ndihmuar të përballojnë vështirësitë dhe sfidat e jetës.
Edhe këtë vit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut në malin e Tomorrit, u mblodhën mbi 500 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, Diaspora dhe bota.
Gjatë 5 ditëve të pelegrinazhit, në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndetin dhe paqen në familjet e tyre.
Nga pelegrinazhi në Malin e Tomorrit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dedë Edmond Brahimaj, një figurë e dashur dhe e respektuar, i njohur nga të gjithë shqiptarët si Baba Mondi, dha një mesazh shprese e paqeje për të gjithë. Baba Mondi ka një uratë për të gjithë shqiptarët e njerëzimin në mbarë botën, që të kenë paqe e dashuri mes njëri-tjetrit.
“Siç e keni parë, vijojnë të vijnë njerëz, të përmblidhen në përkujtimore, ku bëhet dhe lutja për pelegrinët, për dashurinë, paqen, mirësinë në të gjithë njerëzimin. Kjo është ditë kulmore, ku të gjithë do t’i lutemi Zotit për paqe dhe mirësi. T’i lutemi që të gjithë bashkë të përballojmë të gjitha vështirësitë, e të bashkuar të dalim fitimtarë nga sfidat. Besimtarët bektashianë i kanë sytë nga Tomorri. Ne po i tregojmë botës që edhe shqiptarët janë në Evropë dhe kanë të drejtë të hyjnë si të gjithë të tjerët”, përfundon ai mesazhin e tij.
I uroj gëzuar Festën e Shenjtë të Bektashinjve të gjithë besimtarëve bektashinj kudo ku janë!