𝐃𝐫. 𝐁𝐥𝐞𝐝𝐚𝐫 𝐊𝐮𝐫𝐭𝐢/
Në këtë ditë, më 8 janar 1918, Presidenti i 28-të i ShBA, Woodrow Wilson, në një fjalim në Kongresin Amerikan formuloi idetë e tij për të ardhmen e kombeve pas Luftës së Parë Botërore.
Vizioni i tij u përmblodh në atë që njihet si 14 pikat e Wilson-it, të cilat i hapën rrugën krijimit të Ligës së Kombeve e më pas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. 14 pikat e Wilson-it ndikuan në paqen botërore e shërbejnë edhe sot në ruajtjen e paqes në botë dhe marrëdhëniet më të mira e më transparente midis shteteve.
Ndër pikat më kryesore të Wilson-it dallohet Pika 1: Marrëveshjet midis shteteve duhet të jenë të hapura dhe në shërbim të paqes, të arritura përmes transparencës, pas të cilave nuk do të ketë asnjë lloj dakordësimi ndërkombëtar të fshehtë, por diplomacia duhet të vazhdojë gjithmonë haptazi dhe nën vëmendjen publike.
Gjithashtu, Pika 14: Një organizatë e përgjithshme e kombeve duhet të krijohet nën kartat specifike me qëllim që t’u ofrojë garanci reciproke pavarësisë politike dhe integritetit territorial për shtetet e mëdha ashtu edhe për ato të vogla.
Kjo pikë, sikurse edhe të tjerat çuan në OKB-në që kemi sot.
Gjatë Konferencës së Paqes në Paris, 1919, Presidenti Wilson pati ndikim të jashtëzakonshëm e vendimtar në ruajtjen e sovranitetit të Shqipërisë. Ndaj ai do kujtohet gjithmonë si miku i madh i Shqipërisë, të cilin Fan Noli e vlerësoi si “një emër që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare,” ndërsa Faik Konica cilësoi se “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Presidentit Wilson një monument të pavdekshëm në zemrat e tyre.”
“Më thuaj çfarë është e drejtë dhe unë do të luftoj për të,” tha Wilson. Dhe kjo mbetet një thirrje për çdo shtetar, drejtues apo edhe individ të thjeshtë në çdo kohë e në çdo vend.