Kudret Isaj/
Vijon nga numri i kaluar…
Prof Eugène Pittard i deleguar i Lidhjes së Kombeve për shpëtimin e banorëve të Shqipërisë së veriut nga zia e bukës në vitin 1924.
Kur gjëmuan topat e fillimit të luftës së parë botërore në vitin 1914, Eugene Pittard me bashkëshorten e tij Helene ndodhej me pushime në Val d’Herens, një pikë klimaterike në kantonin Valais. Ata i ndërprenë pushimet dhe u nisën vullnetarë të kryqit të kuq francez në spitalin 101 të Lionit, duke e lënë Zhan Zhakun djalin e tyre 10 vjeçar nën përkujdesjen e prindërve të tyre në Gjenevë. Asnjë institucion apo shoqatë e kryqit të kuq zviceran dhe francez nuk i kishte dërguar çiftit Pittard ndonjë thirrje apo shkresë zyrtare për të ndërmarrë një hap të tillë. Ata iu përgjigjën zërit të ndërgjegjes dhe dhanë kontributin e tyre secili në profilin e tij. Eugène Pittard duke iu dhënë kurajo të plagosurve me fjalimet e tij dantoneske duke iu mjekuar plagët e shpirtit, ndërsa Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger duke iu mjekuar të plagosurve plagët e luftës si infermjere e Kryqit të kuq. Në 4 tetor të vitit 1921, Prof Eugène Pittard themeloi në Tiranë Kryqin e Kuq shqiptar me mbështetjen dhe me përkrahjen e një grupi dashamirësish dhe intelektualësh patriotë dhe përparimtarë si dhe me përkrahjen e të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri. Shoqëria shqiptare me 70 % të popullsisë myslimane, atë ditë hodhi një hap të madh drejt perëndimit duke zgjedhur kryqin e kuq në vend të gjysmëhënës së kuqe. Prof Eugène Pittard u zgjodh njëzëri përfaqësues i Kryqit të kuq shqiptar në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të kuq me seli në Gjenevë. Përpos krijimit të kryqit të kuq shqiptar, Prof Eugène Pittard ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për pedagogjinë shqiptare. Në harkun kohor të viteve 1920-1940, Prof Eugène Pittard ndonëse fizikisht nuk ndodhej në Shqipëri ka bashkëpunuar pothuajse me të gjithë ministrat e arsimit të Shqipërisë që nga Sotir Peci duke vijuar me Kristo Floqin, Hil Mosin, Rexhep Mitrovicën, Xhaferr Ypin dhe shumë ministra të tjerë. Prof Eugène Pittard ishte i pajisur me të gjitha garancitë e nevojshme nga ministria e arsimit në Tiranë për të zgjedhur dhe për të lidhur kontrata pune me pedagogë zviceranë që ishin të gatshëm të jepnin mësim në shkollat e Tiranës, të Durrësit, të Korcës dhe të Shkodrës. Në vitin 1922, Fan Noli ka botuar një artikull në një gazetë të Gjenevës, në të cilin i bën thirrje të rinjve nga Gjeneva që të vijnë të punojnë si mësues në Shqipëri. Pas botimit të këtij artikulli, një mësues i ri nga Gjeneva, Rene Rjeben i dërgon një letër ministrisë së arsimit në Tiranë, në të cilën shpreh dëshirën të nënshkruajë një kontratë pune për të punuar si mësues në Shqipëri(AQSH, v.1922, F.195). Duhet vënë në spikamë fakti që Prof Eugène Pittard ka dhënë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare. Pas përfundimit të misionit të tij humanitar si i deleguar i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924, Prof Eugene Pittard në harkun kohor të viteve 1925-1930 ka dhënë një ndihmesë të veçantë për luftimin e sëmundjes së malarjes në Shqipëri duke bashkëpunuar me departamentin e shëndetësisë të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, duke bashkëpunuar me mjekë shqiptarë të specializuar për sëmundjen e malarjes në Shqipëri, duke bashkëpunuar me konteshën britanike Elisabeth Carnarvon, duke bashkëpunuar me Xhemil Dinon, ministrin fuqiplotë të Shqipërisë në Romë si dhe me bakteriologun francez Dr Bernard Daudy, drejtor i laboratorit bakteriologjik në spitalin e Durrësit. Do të ndalemi tani tek një element i rëndësishëm i konstitucionit shpirtëror të çiftit Pittard, i cili ka të bëjë me vullnetarizmin e tyre dhe kontributin që ata kanë dhënë për Shqipërinë dhe Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Në janar të vitit 1924 në veri të Shqipërisë, në Shkodër, Mirditë, Tropojë, Kukës, Mat dhe Lezhë kishte plasur zia e bukës dhe njerëzit vdisnin nga uria. Edith Durhami, kontesha Elisabeth Carnarvon, Justin Godart dhe Prof Eugène Pittard i ranë kambanave të alarmit në Lidhjen e Kombeve dhe në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të kuq në Gjenevë. Në mars të vitit 1924, Prof Eugène Pittard u emërua i deleguar i Lidhjes së Kombeve për administrimin dhe shpërndarjen e misrit popullsisë së varfër dhe të skamur në veri të Shqipërisë. Prof Eugène Pittard me bashkëshorten e tij Hélène mbërriti në Tiranë në 1 prill të vitit 1924. Pasi takoi me kryeministrin e vendit Shefqet Vërlaci dhe me disa ministra të qeverisë shqiptare Prof Eugène Pittard u nis në Shkodër ku ngriti shtabin e tij në hotel Europa.
Meqenëse po flasim për zinë e bukës në vitin 1924 në Shqipëri, do të heqim një paralele me kampet e refugjatëve që po ndërtohen sot nga qeveria shqiptare në Shëngjin të Lezhës në bashkëpunim me qeverinë italiane. Në prill të vitit 1924, Prof Eugène Pittard, i deleguari i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, priste me ankth ditë e natë në portin e vogël të Shëngjinit anijet e Lidhjes së Kombeve të ngarkuara me misër për të ushqyer malësorët shqiptarë që po vdisnin nga uria. Ai luftoi me konseguencën më të madhe që vagonat me misër të dërguara nga Lidhja e Kombeve të ngarkoheshin në kamiona dhe të niseshin në Shkodër dhe asnjë kokërr misri të mos binte në duart e kontrabandistëve të rrugës. Ndoshta Prof Eugène Pittard që në vitin 1924 e kishte parashikuar në subkoshiencën e tij që porti i Shëngjinit, i cili në antikitet njihej me emrin San Giovanni di Medua, një ditë do të priste refugjatë dhe do t’i përtërinte lidhjet e tij të vjetra dje me Lidhjen e Kombeve dhe sot me Kombet e Bashkuara. Nëse në atë kohë qeveria shqiptare do të kishte zbatuar me përpikëri urdhërin e kryeministrit shqiptar Fan Noli, nënshkruar prej tij në gusht të vitit 1924, sot qyteti i Shëngjinit do të quhej qyteti Wilson. Për hir të së vërtetës duhet pohuar që pas vdekjes së presidentit amerikan Woodrow Wilson në 3 shkurt 1924, ka qenë Faik Konica, i cili në emër të federatës shqiptare «Vatra» i propozoi parlamentit shqiptar emërtimin e qytetit të Shëngjinit me emrin Wilson. Prof Eugène Pittard me të mbërritur në Shkodër në ditët e para të muajit prill të vitit 1924 nisi menjëherë nga puna për shpërndarjen e misrit dërguar nga Lidhja e Kombeve sipas listave të përpiluara më parë nga bashkia e Shkodrës dhe nga bashkia e Lezhës, ndonëse ai shprehu habinë që me mbërritjen e tij në qytet këto lista ishin dhjetëfishuar. Prof Eugène Pittard për të zgjidhur këtë situatë alarmante krijoi një shtab të përbashkët në bashkinë e Shkodrës duke bashkëpunuar me autoritetet lokale si dhe me konsujt e konsullatave të huaja që ishin të akredituara në Shkodër. Bashkëkohësit kujtojnë që Prof Eugène Pittard me Helenën janë ngjitur shpesh herë në malet me dëborë për të furnizuar malësorët me misër. Prof Eugène Pittard u kthye në Gjenevë në fund të muajit prill të vitit 1924 për të paraqitur raportin e tij në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve dhe për të bërë thirrje për fonde dhe donacione të tjera për Shqipërinë. Operacioni i Lidhjes së Kombeve në Shqipëri zgjati gjashtë muaj nga marsi deri në gusht të vitit 1924 dhe pjesa e dytë e tij do të përmbyllej me sukses nga dy delegatët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të kuq Henri Cuénod dhe Raymond Schlemmer. Pas përfundimit të operacionit humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri për shpëtimin e banorëve të krahinave të veriut nga zia e bukës, ministri i jashtëm i Shqipërisë, Sulejman Delvina në 22 korrik të vitit 1924, i dërgon një telegram zotit Eric Drummond, sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në të cilin e falenderon përzemërsisht në emër të qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar.
Atentati i Mamurrasit në 6 prill 1924 kundër të deleguarit të Lidhjes së Kombeve Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortes së tij Hélène Pittard(Noëlle Roger)
Në 6 prill të vitit 1924, gjatë kryerjes së misionit humanitar të Prof Eugène Pittard në Shqipëri një bandë kriminelësh dhe mercenarësh kishin disa ditë që kishin zënë pritë në pyllin e Mamurrasit për t’i bërë atentat Prof Eugène Pittard-it, të deleguarit të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, atentat në të cilin u vranë dy turistët amerikanë De Long dhe Coleman që po kalonin me makinë në rrugën e Mamurrasit për të shkuar në Shkodër. Duke mos bërë dot dallimin midis gjuhës frënge dhe gjuhës angleze që flisnin të huajt, banditët menduan se po qëllonin mbi Eugène Pittard-in, të deleguarin e Lidhjes së Kombeve në Shqipëri. Vrasja e dy qytetarëve amerikanë në Mamurras ishte një ngjarje e rëndë për Shqipërinë dhe tronditi pozitat e saj ndërkombëtare. Megjithatë, Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger nuk u frikësuan dhe nuk e braktisën frontin e betejës së tyre në Shkodër dhe nuk e lanë të papërfunduar operacionin e Lidhjes së Kombeve në Shqipëri. Kur populli i Shkodrës e pa çiftin Pittard të kthehej shëndoshë e mirë në hotel Europa, ditën e dielë në mbrëmje në 6 prill 1924, shkodranët dolën në rrugë masivisht për t’i përqafuar dhe për t’ju dhuruar trëndafila që i kishin këputur në kopshtet e tyre. Qëllimi i këtij atentati ishte diskreditimi i qeverisë shqiptare para Lidhjes së Kombeve dhe kancelarive europiane që nuk ishte e zonja të mbronte jetën e të deleguarit të Lidhjes së Kombeve gjatë kryerjes së misionit të tij në Shqipëri. Eshtë një shenjë fisnikërie për shtetin shqiptar të ngrejë një memorial në Mamurras në kujtim të dy qytetarëve amerikanë që humbën jetën në atentat në Shqipëri në prill të vitit 1924, duke shlyer në këtë mënyrë një borxh moral njëqind vjecar si ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po ashtu ndaj familjeve të dy qytetarëve amerikanë.
A do të përkujtohet në Tiranë, 100 vjetori i operacionit humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924?
Në gusht të vitit 1924 u mbushën plot 100 vjet nga përfundimi me sukses i operacionit humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri, operacion, i cili nuk duhet lënë në harresë, për shkak se ka të bëjë pikërisht me institucionin e mirënjohjes dhe me kujtesën historike të popullit shqiptar. Ky operacion shumëkombësh, në të cilin morën pjesë të gjitha ingranazhet e Lidhjes së Kombeve dhe të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq meriton të përkujtohet me nderimet më të larta nga Kombet e Bashkuara, nga Konfederata Zvicerane dhe nga vendi mikpritës Shqipëria dhe shteti shqiptar. Ahmet Zogu në vitin 1927, në cilësinë e Presidentit të Republikës Shqiptare e dekoroi Prof Eugène Pittard-in me dekoratën e lartë : Komandant me yll Oficer madhor i Urdhërit të Skënderbeut dhe e bëri detyrën e tij. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse në vitin 2025, Presidenti i Republikës së Shqipërisë do ta nderonte Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger me Urdhërin e Flamurit Kombëtar. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse Universiteti i Tiranës do ta nderonte Prof Eugène Pittard-in, ish-rektorin e Universitetit të Gjenevës me titullin Doktor Honoris Causa. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse Prof Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger) do të shpalleshin qytetarë nderi të Tiranës dhe të Shkodrës, qytet në të cilin Prof Eugène Pittard organizoi dhe dirigjoi operacionin humanitar të Lidhjes së Kombeve në Shqipëri në vitin 1924. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar nëse busti i Prof Eugène Pittard, mikut të çmuar të Shqipërisë do të vendosej nga Bashkia e Tiranës në një shesh të kryeqytetit dhe një rrugë e Tiranës do të mbante emrin : Rruga Eugène dhe Hélène Pittard(Noëlle Roger). Shqipëria për Prof Eugène Pittard dhe bashkëshorten e tij do të ishte një atdhe i dytë. Ky vend i ilirëve të lashtë do të shndërrohej për ta në një yll polar që ata do ta ndiqnin gjithë jetën dhe nuk do të ndaheshin asnjëherë prej tij. Figura të tilla emblematike si Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij Hélène Pittard(Noëlle Roger), na përngjajnë me meteoritet e ndritshëm që koha dhe vitet që kalojnë nuk ua zbehin shkëlqimin. Përkundrazi, ata shkëlqejnë gjithmonë e më tepër duke na dhënë dritë nga dritësia e tyre.