Jubileu i madh u shënua edhe në Zelandën e Largët
Sabit Abdyli/
Në qytetin e Aucklandit u festua 100 Vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë rast ish përgatitur një program me recitime, valle dhe këngë. Manifestimi u hap me ekzekutimin me harmonik të Himnit; Rreth Flamurit të përbashkuar nga vogëlushi Liam. Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunitetit Shqiptar z. Ali Hoxha. Mes tjerash kryetari u shpreh se 28 Nëntori i vitit 1912 është ditë historike, ditë e fitores dhe gëzimit prej ku u vunë themelet e shtetit shqiptar. Në skenë pastaj doli Arbëresha Fjezullahu e pasuar pastaj nga Eni Asllani që recituan bukur nga një poezi për Flamurin kombëtar. Manifestuesit u kënaqen edhe me vallet me motive tona popullore luajtur nga vajzat dhe djemtë shqiptarë, përgatitur nga z. Belerta Rakovica e z. Arjeta Hyskaj. Sallën e ngritën në këmbë Chipanecas Liam me dy motrat e tija binjake të cilat vallëzuan bukur në ritmin e tingujve të harmonikës, ekzekutuar nga vëllai i tyre. Këta fëmijë veshur kuq e zi me origjinë shqiptare u duartrokitën gjatë. Manifestimi u pasua me muzikë e valle nga të gjitha trevat shqiptare deri në orët e vona të natës.