101 VJET KONGRESI I LUSHNJES OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË/
nga Visar Zhiti/Ashtu si Pavarësia e Shqipërisë, shpallja e shtetit modern shqiptar, edhe Kongresi i Lushnjës ose pavarësia e dytë e Shqipërisë e kaloi shekullin nga dita kur nisi, 21 Janari i 1920.
Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi jetik ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda, varfëri dhe përçarje; kurse nga jashtë, teksa ishin ende gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, vinin kërcënime aggressive. Dukej sikur nanxharët e një kasapapne po mpriheshin sërish për ta copëtuar sërisht Shqipërinë, njëherë e përgjithmonë.
Ndërgjegjia e kombit dhe kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, nga paria, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.
“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 101 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin posta, institucionet, universitetet, trenat, media, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?
Dësmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhaj. Teksa i priste një lodhje tjetër, madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, pa e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve. U mblodhën si oligarki morale, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç këdohej drmatikisht atëhere..
U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e luftë, edhe me diplomaci, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë. Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri.
Ku e gjeti forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë?
Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë mundësi e vërtetë. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia u arrit. Me guxim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave, që vinte nga kohërat dhe varret, por dhe nga e ardhmja.
Ka një 101 vite që ecin delegatët e atij kuvendi, arrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por t’i kthejnë në përvojë e mësime.
Lushnja me kryetarin e saj të Bashkisë, fatos Tushe, ta kthejnë Shtëpinë e kongresit në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja…
Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)
Duket e çuditëshme! Sa largpamësi ruan ky fakt! Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.
Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen.
Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që i thoshin me zë, hiq këtë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm.
Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve. Por dhe të politikanëve dhe lidershipit. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për token dhe detin. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes
I Shteteve të Bashkuem Vashington.
Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës
Lushnjë, më 17.3.1920
Presidenti i SHBA, Wilson
Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA
Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte?
Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet:
“…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.”
Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion, që gjendet në Arkivin Qendror dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, pse jo dhe në Parlamentin Shqiptar.
DRAMA E FRYMËS SË KONGRESIT
Hekuran Zhiti – Autor i Drames “Te mblidhemi në Lusnje”
Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë në skenën e Shqipërisë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, që s’është vënë ende në skenë, e një gjysmë shekulli më parë, mbase e vetmja, që sjell më së miri atë frymë e popull.
Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qyteti, kur një rrugë mban emrin e tij.
Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, në Lusnjë, plot mangësi. Nis me persoanzhet vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, i njohur në Lushnjë si Xha Bami, korrieri i Kongresit dhe shkon te delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtritë të huaja aty. Ka persoanzhe ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…
Harrimi i dramës i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe të ribotohet me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me një studim nga botuesi, historinai Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre dramën e kongresit. Akt prekës, por vetëm kaq.
Si një vazhdim emocional po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.
Në Kongres:
(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…
Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.
Zera:
– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…
– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…
– …nuk kanë mbrritë të gjithë…
– …ku ishit mbrëmë?
– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…
– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?
– Francezët për grekërit…
– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…
– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,
– …atë ditë kur u ngrit flamuri…
– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…
– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…
(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…
-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…
Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…
Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!
Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!
Duartrokitje.
Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.
Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…
Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…
Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes
Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…
Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!
Zera – Me shka, me çfarë?
Delegati i Matit – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.
Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)
Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.
Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…
Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…
Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!
Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)
Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!
Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…
Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….
Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.
Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.
Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.
Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.
Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.
Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.
Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)
Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…
Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.
Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…
Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…
Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…
Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…
Votohen. Duartrokitje…
Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.
Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.
Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”
Të zgjedhurit – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.
Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…
Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.
Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!
Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.
Shpërndan flamujt e vegjël.
Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…
Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…
Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…
Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!
Një zë i ashpër – Kush jeni ju?
Ministër i Punëve të Mbrendshme – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!
Zëri – Mos lëvizni.
Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.
* * *
Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kohës, vazhdojnë mitike dhe ndryshe, pa ata kuaj dhe kalorsa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndëruara në trokitje në dyert e institucioneve euroatlantike.
Në vitin e 101-të të atij Kongresi lavdimadh t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq si ai misteri që ndihej në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht zëri i shpëtimit, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe prosperitetin e tij, duke iu shtuar Kombit dhe Republika e Kosovës e të jenë të mbrojtur ku ka shqiptarë e truall të tyre. Me emblemën e Kongresit të Lushnjës. Së bashku në Europë. Në një botë me paqe…