• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA-101 VITE- NGA LUSHNJA NË WASHINGTON, LETER PRESIDENTIT WILSON…

January 21, 2021 by dgreca

101 VJET KONGRESI I LUSHNJES OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË/

nga Visar Zhiti/Ashtu si  Pavarësia e Shqipërisë, shpallja e shtetit modern shqiptar, edhe Kongresi i Lushnjës ose pavarësia e dytë e Shqipërisë e kaloi shekullin nga dita kur nisi, 21 Janari i 1920.  

Flamuri I Kongresit/

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi jetik ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda, varfëri dhe përçarje; kurse nga jashtë, teksa ishin ende gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, vinin kërcënime aggressive. Dukej sikur nanxharët e një kasapapne po mpriheshin sërish për ta copëtuar sërisht Shqipërinë, njëherë e përgjithmonë. 

Ndërgjegjia e kombit dhe kushtrimin skenderbejan. Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, nga paria, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikuar për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 101 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin posta, institucionet, universitetet, trenat, media,  shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër erë, me ç’frymë?

Dësmori i parë ra, Abdyl Ypi. Por u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhaj. Teksa i priste një lodhje tjetër, madhështore. S’i caktoi kush delegatë, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë katakombeve të Kombit. Pra, jo me vota, pa e blerë besimin, por sipas bëmave dhe përkushtimit dhe arritjeve. U mblodhën si oligarki morale, jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja, veç “të bënin Shqipëri”, siç këdohej drmatikisht atëhere..

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund, në sarajin më të shquar, atë Fugajve. Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me qendresë e luftë, edhe me diplomaci, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte përreth, atëhere më tutje, përtej oqeanit, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë. Të ruhej ajo që ishte, gjithmonë mëma Shqipëri. 

Ku e gjeti forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë?

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit. Institucionet dhe detyrat nga ideale u bënë mundësi e vërtetë. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia u arrit. Me guxim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave, që vinte nga kohërat dhe varret, por dhe nga e ardhmja. 

         Ka një 101 vite që ecin delegatët e atij kuvendi, arrin bëma e tyre dhe fjala e tyre në ditët tona, e arkivuar, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, jo thjeshtë si histori, por t’i kthejnë në përvojë e mësime. 

         Lushnja me kryetarin e saj të Bashkisë, fatos Tushe, ta kthejnë Shtëpinë e kongresit në tempull të patriotizmit, ku të bëjnë pelegrinazh gjeneratat e reja… 

                         Delegat:e të Kongresit të Lushnjes (1920)

Presidenti amerikan Wilson…

Duket e çuditëshme! Sa largpamësi ruan ky fakt!  Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. 

Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që i thoshin me zë, hiq këtë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve ziliqare të copëtimit të mëtejshëm.

         Letra është e shkruar me dorë, me pendë a stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve. Por dhe të politikanëve dhe lidershipit. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së ndrit si yll polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për token dhe detin. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:

Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

I Shteteve të Bashkuem Vashington.

Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. 

Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920

                                       Presidenti i SHBA, Wilson

                   Letra e Lushnjes për Presidentin e SHBA

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? 

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç’thuhet: 

 “…në fillim të vitit 1920, Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ‘populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten’. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ‘padrejtësinë’ ndaj popullit shqiptar.” 

Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion, që gjendet në Arkivin Qendror dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, pse jo dhe në Parlamentin Shqiptar.

DRAMA E FRYMËS SË KONGRESIT

                     Hekuran Zhiti – Autor i Drames “Te mblidhemi në Lusnje”

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë në skenën e Shqipërisë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, që s’është vënë ende në skenë, e një gjysmë shekulli më parë, mbase e vetmja, që sjell më së miri atë frymë e popull. 

Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qyteti, kur një rrugë mban emrin e tij.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, në Lusnjë, plot mangësi. Nis me persoanzhet vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Bajrami, i njohur në Lushnjë si Xha Bami, korrieri i Kongresit  dhe shkon te delegatët, përfaqësues të krahinave të vendit, figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtritë të huaja aty. Ka persoanzhe ushtarë e oficerë italianë, ndonje filogrek, etj, etj. Si një mister në dramë ndjehet mbështetja amerikane, fryn si një fllad shpresëdhënës. Fundi i dramës është një magjistrale patriotike. Çahet rrethimi për të mbërritur në kryeqytetin e ri, në Tiranë, për të shkuar në ardhmëri…

Harrimi i dramës i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe të ribotohet me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, shoqëruar me një studim nga botuesi, historinai Xhevair Lleshi. Në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre dramën e kongresit. Akt prekës, por vetëm kaq.

Si një vazhdim emocional po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë dhe i fundit.

Në Kongres:

(Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

Zera:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

-Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

Përfaqësuesi i Lushnjës – Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

Elbasan Pasha (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

Pas përfundimit të Kongresit të Lushnjes

Kryetar (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

Delegati i Matit – (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

Zera – Me shka, me çfarë?

Delegati i Matit  – Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

Delegati i IV – Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

Kryetari – Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

Sheh Karbunara – Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

Rojet e Armatosura – Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

Nënkryetari – Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

Plaku i Butkës – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

Përfaqësuesi i Matit – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

Vrenozi – Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

Delegati IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

Kryetari – Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

Delegati II – Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë… THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

Delegati I – Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

Delegati II– Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

Kryetari – S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

Delegati II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

Kryetari – Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

Sekretari – (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

Të zgjedhurit  – (Një zëri) Betohemi! Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

Një zë – Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

Një zë tjetër: – Rroftë Poeti! Duartrokitje prapë.

Kryetari – Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

Sekretari – Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël.

Njëri nga delegatët – Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

Zëra të ashpër – Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

Ministëri i Punëve të Mbrendshme – Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

Një zë i ashpër – Kush jeni ju?

Ministër i Punëve të Mbrendshme  – Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

Zëri – Mos lëvizni.

Ministër i Punëve të Mbrendshme – Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima… Bie perdja.

* * *

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kohës, vazhdojnë mitike dhe ndryshe, pa ata kuaj dhe kalorsa dhe pa ato barra mbi shpinë, ndërsa trokëllimat ngjajnë si të shndëruara në trokitje në dyert e institucioneve euroatlantike.  

Në vitin e 101-të të atij Kongresi lavdimadh t’i rikthehemi betimit shqiptar, të lartë dhe me besë, me fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, dhe të gjithë, tani e gjithmonë, të ndjehemi si para “Mbledhjes së shenjtë të Kombit”, ndërkaq si ai misteri që ndihej në frymën e dramës së Kongresit, të bëjmë që të na vijë vazhdimisht zëri i shpëtimit, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe prosperitetin e tij, duke iu shtuar Kombit dhe Republika e Kosovës e të jenë të mbrojtur ku ka shqiptarë e truall të tyre. Me emblemën e Kongresit të Lushnjës. Së bashku në Europë. Në një botë me paqe…

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Presidenti Wilson, Visar Zhiti

Bajram Bej Haxhiu, Nismëtari i Kongresit të Lushnjes në 1920…

January 20, 2021 by dgreca

…që Regjimi Diktatorial Komunist në 1951 e bëri “Kulak-un” e dytë në Lushnje/

Nga Kevin HAXHIU/

Bajram Rakip Haxhiu i njohur  nga lushnjarët si Xha Bami lindi më 15 gusht 1887 në Lushnjë.Familja Haxhiu është një familje qytetare,fisnike,patriotike e qytetit të Lushnjes.Bajrami ishte patriot nacionalist, demokrat, antikomunist, anëtarë i Komisionit Nismëtar të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram bej Haxhiu shkollën e mesme e bëri në gjuhën turke ndërsa të lartën Bajrami e vazhdoi për financë në Kolegj,në Stamboll.Haxhiu shkrim e lexim në gjuhën shqipe i ka mësuar autodidakt.

Bajrami në Stamboll do të njihej me patriotë të shquar të kombit shqiptarë Rilindasit Kombëtarë.Bajram Haxhiu u ndikua nga idetë patriotike të Rilindasve dhe ndaj gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi atdheut dhe çështjes kombëtare shqiptare.Në fillim të shekullit XX Bajram Haxhiu është një nga udhëheqësit kryesor të lëvizjeve antiosmane në Lushnje dhe ishte një pjesëmarrës tepër aktivë në demonstratën e majit 1906 në qytetin e Lushnjës.Ai për pjesëmarrjen në këtë lëvizje do të arrestohej dhe dënohej nga qeveria Osmane.Bajrami pasi doli nga burgu nuk u ndal por përsëri vazhdoi të merrte pjesë në lëvizjen antiosmane.Në 17 janarit 1909 në Lushnje një prej organizatorëve të demostratës antiosmane  ishte Bajram Haxhiu.Gjithashtu ai bashkëpunoi edhe me çetat kryengritëse të Myzeqesë për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të Shqipërisë për Pavarësi.Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 përkrahu qeverinë e Ismail Qemalit duke luftuar kundërshtarët e saj serbë dhe kuislingët e Esat Pashë Toptani-t.Bajram Haxhiu nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga ushtritë ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore.Bajram Haxhiu pas Luftës së Parë Botërore e vazhdoi veprimtarinë e tij patriotike kundër vendimeve antishqiptare të Konferencës së Parisit për copëtimin e Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Bajram Haxhiu ishte Anëtarë në Komisionin Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu ishte caktuar nga Komisioni Nismëtar me detyrën për shpërndarjen e postës në Durrës,Kavajë,Peqin dhe Elbasan.Haxhiu kontribuoj shumë në letërkëmbimin midis Aqif Pashë Elbasanit dhe personaliteteve të tjera.Ai u vu në shërbim të qeverisë që nxorri Kongresi i Lushnjes dhe e përkrahu atë gjatë gjithë kohës që ajo i qëndroi besnike vendimeve të Kongresit të Lushnjës.Bajram Haxhiu përkrahu gjithashtu Luftën e Vlorës më 1920 për çlirimin e Vlorës nga ushtritë pushtuese italiane.Bajram Haxhiu në prill të vitit 1922 ishte Anëtarë në Komisionin e Zgjedhjeve të Para Vendore në Shqipëri për Bashkinë Lushnje.Në vitet ’30 dhe deri nëfillim të viteve ’40 Bajram Haxhiu punoi si tagrambledhës në Zyrën e Financave në Lushnje.Bajram Haxhiu ishte një besimtarë myslimanë i devotshëm dhe në vitet ’30 ka qënë një nga kontribuesit financiar për ndërtimin e Xhamisë së re të Lushnjes.Pushtimin e Shqipërisë nga fashistët italian në prill të 1939 nacionalisti Bajram Haxhiu e priti me urrejtje.Në vitin 1945 regjimin diktatorial komunist që u vendos në Shqipëri Bajram Haxhiu e kundërshtoi gjatë gjithë jetës së tij.Bajram bej Haxhiu ishte një nga pronarët e mëdhenjë të qytetit të Lushnjes dhe që nga Reforma Agrare u shpronësua krejtësisht.Më 25 maj 1951 Bajram Haxhiu ishte i dyti në Lushnje që u cilësua “Kulak”.Më 9 maj të vitit 1967 me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qytetit të Lushnjes Bajram Haxhiu përsëri u shpronësua pa asnjë pagesë pjesa e vetme që i kishte mbetur bahçeja deri në afërsi të gazhdares ekzistuese.Bajram Haxhiu u nda nga jeta më 11 gusht 1972 në Lushnjë në moshën 85 vjeçare,duke u lënë në harresë nga regjimi diktatorial komunist dhe duke mos iu vlerësuar veprimtaria e tij patriotike.Në 75 vjetorin e Kongresit të Lushnjes,Bajram Haxhiu (pas vdekjes) u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z.Sali Berisha me Dekretin Nr.1008 Datë 18.01.1995,me Urdhërin “Për Veprimtari Patriotike” të Klasit të Parë.Rruga në lagjen “Kongresi i Lushnjes”,pranë Shtëpisë Muze “Kongresi i Lushnjes” me vendim të Këshillit Bashkiak Lushnje i është vendosur emri “Bajram Haxhiu”.Në qytetin e Lushnjes në vitin 2010 është vendosur edhe busti i patriotit Bajram Haxhiu.Në vitin e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet,Familja e patriotit Bajram Haxhiu,u nderuar në 4 shkurt 2020,nga Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj me Çertifikatë Mirënjohjeje me motivacionin:-“Për aktivitetin e çmuar dhe kontributin e vyer në shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë”.Bajram Haxhiu është babai i legjendës së futbollit shqiptarë Abdurrahman (Roza) Haxhiu dhe atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare në Diasporën Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu.

-KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES NË KUJTIMET E NISMËTARIT BAJRAM HAXHIU:

 -“Në kohën kur bëheshin përgatitjet për Kongresin e Lushnjes,unë kam qënë anëtar i komisionit inisiator për mbledhjen e këtij Kongresi,por kanë kaluar 50 vjet dhe pak gjëra më kujtohen.Këtu në Lushnje kishte një lëvizje të gjërë patriotike.Para se të mblidhej Kongresi ne hoqëm një flamur Italian dhe e grisëm.Aty ishte një tufë e madhe njerëzish dhe italianët nuk guxuan të na preknin me gjithë që bërtisnin por kot.Më kujtohet se njeriu që kujdesej më shumë për thirrjen e Kongresit ishte Eshref Frasheri.Unë e njihja edhe më parë se kishte qënë këtu si inxhinier.Mbaj mend se mbasi vendosëm të mblidhej Kongresi na duhej të caktonim edhe shtëpinë ku do të bëhej mbledhja.Për këtë iu drejtuam Kaso Fugës por ai kishte hall se mos binte në bela dhe nuk donte.Atëherë ne vendosëm ta thërresim Kongresin pa dhe në kasolle do ta bëjmë.Aqif Pasha kishte kërkuar që Kongresi të bëhej në Elbasan,por pengesë qe bërë Shefqet bej Vërlaci;ky ishte me kohë me italianët.Unë isha ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së postës në Elbasan,Peqin,Kavajë dhe Durrës, ndërsa Taulla Sinani kishte Tiranën dhe anën e Dibrës e të Shkodrës.Nuk më kujtohet kush ishte tjetër që shkoi në krahinat nga jugu.Veç mbaj mend që ne u ndamë në një mënyrë të tillë që të shkonim aty ku kishim të njohur e të kryenim kështu më mirë punën tonë.Në Elbasan mbaja lidhje me Salim Junikun,në Peqin me Adem Gjinishin,në Kavajë me Idriz Dizdarën dhe në Durrës me Rexhep Shalën.Kudo këtë rrugë e bëja me kuaj duke e hequr veten sikur shkoja mik dhe jo suvari.Rrugës kishte plotë rreziqe,por ne ishim të rinjë në atë kohë dhe i kapërcenim.Pastaj nuk donim t’ia dinim shumë se bënim një punë atdhetare.Ditën kur filloi punimet Kongresi ishte e mërkurë dhe bënte pak ftohtë.

Në kohën kur zhvillonte punimet Kongresi kishin ardhur njerëz nga vënde të ndryshme të Shqipërisë.Por në Kongres kishte shumë lushnjarë.Unë nuk i kujtoj dot të gjithë por mbaj mend se kishin ardhur disa përfaqësues nga fshatrat.Gjatë kohës që zhvillonte punimet Kongresi ndihej se Lushnja ishte në festë.Kudo shifje flamurë kombëtarë bile flamurë te vegjël u vareshin në gjoks njerëzve nga fëmijet e shkollës.Flamurë të vegjël kishte edhe në sallë,aty ku ishim unjur në bangat e nxënësve.Edhe salla e mbledhjes ishte e zbukuruar mirë.E para ishte fytyra e Skëndërbeut dhe pastaj e Ismail Qemalit.Në mur qe një flamure kombëtarë.Në Kongres kishte rregull.Nuk të pranonin po të mos kishje një shkresë me vete.Ne kishim marrë masa për sigurimin e Kongresit.Kishin ardhur njerëz të armatosur.Disa prej tyre i kishin sjellë vet delegatët për t’i ruajtur gjatë rrugës,por pati edhe nga ata që i thirrëm ne.Më shumë forca kishin ardhur nga Darsia e Dumreja.Në të njëjtën kohë kishte shumë edhe nga zona e fushës por unë nuk jam marrë me forcat.Si përgjegjës për këtë punë ishte caktuar Llazar Bozua.Mbaj mend që ishte këtu Jonuz Dervishi,Selim e Rami Rredhi nga Karavastaja,Musa Zagaria nga fshati Koçaj i Fier-Sheganit e të tjerë.Nga Skrapari kishte ardhur Riza Cerova dhe një djalë tjetër që ishte sakat.Të dy ishin djem trima.Tërë kodrat rrotull Lushnjes ishin të mbushura me roje.Disa prej rojëve vinin edhe në qytet.Italianët i shihnin po nuk i ndalonin.Më kujtohet kur u muar vesh se Myfit Libohova pat ardhur me ushtri kundër Kongresit.Njerëzit nuk i mbanim dot se ishin gati të lëshoheshin e ta kapnin të gjallë.U nisën disa por nuk e arritën se në vend t’i afrohej Lushnjes ja mbathi për nga Vlora.Qeveria që u zgjodh nga Kongresi ndenji nja 4-5 ditë këtu,pastaj e përcuallëm me këngë ashtu siç dhe i pritëm delegatët.Vanë mjaftë forca nga Lushnja,por më të rëndësishmet ishin forcat e organizuara në Peqin nga Adem Gjinishi”(Shënim:Kujtimet e nismëtarit Bajram Haxhiu janë marrë nga libri “Kujtime dhe këngë popullore për luftën çlirimtare të viteve 1918-1920”,Universiteti Shtetërorë i Tiranës,Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë,Instituti i Folklorit,Tiranë 1970).

Filed Under: Opinion Tagged With: Bajram Haxhiu, Kevin Haxhiu, Kongresi i Lushnjes

KONGRESI I LUSHNJËS OSE PAVARËSIA E DYTË E SHQIPËRISË

January 21, 2019 by dgreca

1 shtepia e Kongresit–Një letër Presidentin Wilson dhe drama e atyre njerëzve – /

1 Visari 1

Nga Visar ZHITI/1 Kongresi-i-lushnjes-delegatet-1920-616x330

Sa larg është Kongresi i Lushnjës? – Është një pyetje që mund t’u bëhet shqiptarëve. Sa larg nga çfarë dhe nga cilët? Si kohë 99 vjet më parë. Si hapësirë, po të nisemi… nga ku? Nga Amerika? Larg, larg, është një oqean në mes, duhet të shkosh në Europë, në Mesdhe, në Ballkan, në brigjet e Adrikatikut… Nga kryeqyteti i Shqipërisë, që pikërisht ky kongres caktoi Tiranën si të tillë, është 84.57 km. Në vijë ajrore shumë më pak.

Dhe mua do të më interesonte ajri, fryma. Se ishte kuvendi i një vendi të vogël mes rreziqesh të mëdha, të cilit SHBA i dha mbështjetjen e vet, aq jetike dhe ekzistenciale për kombin shqiptar. Po sa pranë fryme së atij kuvendi është kujtesa? Po shteti shqiptar dhe institucionet e tij? Po njerëzit?

Ndërsa Pavarësia e Shqipërisë dhe shpallja e shtetit modern shqiptar janë futur tashmë në shekullin e dytë të jetës së tyre, saktësisht në vitin e shtatë të tij, ndërkaq më 21 janar mbushen 99 vjet nga Kongresi jetik i Lushnjës ose “Pavarësia e Dytë e Shqipërisë”, siç është cilësuar.

Gjëndja e Shqipërisë në kohën e këtij Kongresi ishte e rëndë, alarmante, e rrëmujshme dhe e paqartë nga brenda; kërcënuese dhe tejet agresive nga jashtë. Ishin mprehur hanxharët si në një kasaphanë dhe po kërkonin të bënin copëtimin e dytë dhe përfundimtar të Shqipërisë.

Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vëndit, kush e ndjente e mundëte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëhere, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja.

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Qeveria heroike dhe halle madhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. Lufta e Dytë Botërore kishte mabruar, por pasojat jo. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidhen në Lushnjë? Si u përcoll lajmi 99 vjet më parë, në vendin më të varfër në Ballkanin e trazuar, ku mungonin universitetet, trenat, postat, media, institucionet, shteti vetë, etj, etj? Si kaloi lajmi nëpër ajër me ç’frymë?

Dhe erdhën, u bashkuan. S’i caktoi kush, veç ndërgjegjia dhe përgjegjësia. Thirrja nga thellësitë e zërave të Kombit. Pra, jo me vota të blera, por sipas bëmave sakrificave dhe arritjeve. Jo për të bërë pasuri, por përkundrazi, duke humbur nga e tyrja veç “të bënin Shqipëri”.

U mblodhën në Lushnjën e vogël, ende katund.

Qëllimi ishte që jo vetëm të gjykonin dhe të vendosnin se ç’duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun mbi krye, jo vetëm të tyre, por të Shqipërisë, dhe të vepronin menjëherë, me diplomaci e luftë, duke përcaktuar aleatët, nëse do të kishte, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e Vëndit. Se gjysma e trojeve i ishin marrë dhe po kërkohej copëtimi dhe i kësaj që kishte mbetur.

Kongresi i Lushnjës në 10 ditët e punimeve të tij, ribëri shtetin shqiptar, caktoi kryeqytetin, Tiranën, Kryeministrin dhe Qeverinë e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.

Dhe u arrit mrekullia. Me përpjekje, sakrifica, përkushtim dhe mënçuri, mbi të gjitha nga fryma e përbashkët e të gjithave. Kjo i dha forcë që të siguronte mbrojtjen e Kongresit një emëri, pothuajse i panjohur, Sulë Zdrava, me luftëtarët e vet, me atë pushkë që kishte marrë pjesë dhe në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë.

Duke mos hyrë në zejen e historianit, për të mos thënë ato që tashmë janë arkivuar në historinë e Kongresit shpëtimtar të Lushnjë, ndërsa qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t’i njohin thellë dhe t’i përkujtojnë, por t’i kthejnë në përvojë e mësime, unë dua të risjell këtu një letër, që më çudit me largpamësinë, dërguar në SHBA nga Lushnja e humbur e Shqipërisë së vogël e në rrezik Presdentit të SHBA.

LETËR NGA LUSHNJA NË WASHINGTON

Kryetari i Katundarisë së Lushnjës, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër në Washington. Dhe kujt? Presidentit të SHBA-së, Wilsonit.

Letër e mrekullueshme, e sinqertë, e qartë, me fjalë të zgjedhura, e ndjeshme, pa stërhollimet dinake kancelareske, e urtë dhe me dije, e bukur, vizionare për të ardhmen. Përfytyroj gjyshërit tanë të mbledhur rreth atij që shkruante, fjalët që thoshin me zë, hiq këtë fjalë, shto këtë, po si t’i drejtohemi? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë “e-rej, se isht Presidenti më i madh i botës, lale”, etj, etj. Kërkonin njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të copëtimit të mëtejshëm.

Letra është e shkruar me dorë, me stilolaps mbase dhe pastaj është transkriptuar dhe gjendet në Arkivin e Shtetit. Meriton vëmendje shkencëtari. Orientimi i drejtë i shqiptarëve mes atij kaosi drejt SHBA-së. Ndjesia e fuqishme e atdhedashurisë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë. Ja, teksti i saj i plotë, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkrim:
        Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikes

        I shteteve të bashuem Vashington

        Shqiptarët që kanë mbështun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpërtimin e atdheut tyne.

       I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mo i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufite natyrale ethnografike të sh. s’uej nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.

      Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike.
Kryetari Katundaris së Lushnjës

      Lushnjë, më 17.3.1920

 

Po si ia çuan atë letër historike Presidentit Wilson? Shqip? Po kush e përktheu? Ç’do me thënë ‘Kryetar i Katundarisë’? A, qenka Kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabetizmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësie, me ç’mister dhe ç’engjëll i mbronte? Ja, një nga kronikat e kohës:

      “…në fillim të vitit 1920 Wilsoni i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavia do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilsoni fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatave në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësuesi i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën “New York Times” të 11 marsit: ‘Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara’”…

 
Në kryeqytetin që caktoi Lushnja, në Tiranë, u ngrit më së fundmi në shtatorja e Presidentit Wilson në sheshin që iu dha emri i tij, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letër-institucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, pse jo dhe në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

 

 

FRYMA NË DRAMËN E KONGRESIT

 

Vetë Kongresi i Lushnjës është një dramë, por dhe për atë ka një dramë të shkruar, e një gjysmë shekulli më parë, por ende gati e panjohur, edhe pse e vetme, që sjell më së miri atë frymë e popull. Është vepër e dramaturgut Hekuran Zhiti, aktor në Teatrin e Estardës së Lushnjës, tashmë “Qytetar Nderi” i atij qytetit.

Drama “Të mblidhemi në Lushnjë” ishte menduar të vihej në skenë në kushtet e atëhershme, plot mangësi, por harrimi i saj i bën dhe më të mëdha mangësitë. Arriti të botohet postume nga editori “Uegen” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, ndërsa në gjimnazin e Lushnjë nxënësit e vunë në skenë për veten e tyre. Akt prekës, por vetëm kaq.

Vendi ynë vazhdon të harrojë shumë dhe të bëjë pak, shumë pak për ato që do të duheshin dhe konsumohet me tepri për ato që s’do të duheshin dhe aq, që janë kohëhumbëse, deri dhe të dëmshme si diktaturat, s’e kam fjalën për atë të madhen, që erdhi me dhunë botërore dhe u vendos në gjysmën e kontinentit të Europës, në Azi, Afrikë e deri në Amerikë dhe besojmë se iku përgjithmonë, por si pasojë e saj, prej arsenalit të saj, trashëgimisë dhe mendësisve e praktikave gëlojnë “diktaturat e vogla”, gjithsesi të hatashme, të institucionalizuara si varfëria dhe korrupsioni e për pasojë  sherret, marrëzi e delire, një mediokritet kombëtar i pashëmbullt.

Si kundërveprim po sjellim këtu pak nga fryma e dramës, nga akti i tretë.

Në Kongres:

Salla me 10 ose 12 sërë karrikesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut dhe të Jugut dhe disa me kostume europiane, barsolina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar… 

        Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu, etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

ZËRA: 

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe… 

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë… 

– …nuk kanë mbrritë të gjithë… 

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me rradhé dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtépisé…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo fracezët? 

– Francezët për grekërit… 

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë, 

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë…  ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas menyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin, etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise… 

PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS- Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëdheut. Urdhëroni!

ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekërr të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.) Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet!

Duartrokitje.

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mespërmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat e shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qënë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

 

KRYETARI (i porsazgjedhur) – Të vazhdojmë më tej… të formojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision  të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

DELEGATI I MATIT- (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

ZËRA- Me shka, me çfarë?

DELEGATI I MATIT- Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

DELEGATI IV- Konkretisht: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

KRYETARI- Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombitnë Lushnjë, kundra vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundra çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

SHEH KARBUNARA- Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtetet të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

ROJET E ARMATOSURA- Rroftë Qeveria e re!…  (Duartrokitje)

NËNKRYETARI- Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

PLAKU I BUTKËS – T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dégjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

PËRFAQËSUESI I MATIT – Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

VRENOZI- Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

DELEGATI IV – Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

KRYETARI- Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

DELEGATI II –  Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

Zëra: republikë, po, po republikë…                                                           THOMAJ- Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

DELEGATI I- Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

DELEGATI II- Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

KRYETARI- S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

DELEGAT II- Ai të vijë sa më shpejt.

Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po…

Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica…

Ministër i Arsimit z. Sotir Peci…

Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

Votohen. Duartrokitje…

KRYETARI- Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para flamurit.

SEKRETARI- (Lexon me zë të lartë) “Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!”

TË ZGJEDHURIT – (Një zëri) Betohemi!

Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.

NJË ZË- Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

NJË ZË TJETËR: – Rroftë Poeti!

Duartrokitje prapë.

KRYETARI- Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

SEKRETARI- Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.

Shpërndan flamujt e vegjël. 

NJËRI NGA DELEGATËT- Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

ZËRA TË ASHPËR- Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…

MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR- Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

NJË ZË I ASPËR- Kush jeni ju?

MINISTRI I BRENDSHËM- Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

ZËRI- Mos lëvizni.

MINISTRI I BRENDSHËM- Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua!

Hingëllima kuajsh, trokëllima…Bieperdja.                                                                                                                 

 *   *   *

 

Kështu mbyllet kjo dramë dhe duket sikur hingëllimat e shqetësuara të kuajve vazhdojnë, po ndryshe, pa kuaj e kalorsa dhe pa barra mbi shpinë, britma gjithandej, sidomos brenda në parlament, ndërsa trokëllimat janë kthyer dhe në flakje çizmesh, dosjesh, batare armësh, etj.

Sa larg është salla e gjorë e Kongresit të Lushnjës me atë të Parlamentit shqiptar sot? Po antarët midis tyre? Nëse do të mateshin me idetë, përgjegjësitë, moralin? Atë kongres e kemi lënë prapa apo ai na ka lënë prapa 99 vjet?

Pa ardhur viti i 100-të t’i rikthehemi atij betimi autentik, të lartë me besë e fe e nder e përkushtim, me drejtësi dhe ligje, se të gjithë tani e gjithmonë jemi para “Mbledhjes së Kombit”, ndërkaq si një mister në dramë ndihet fryma e shpëtimit, si e dërguar nga Zoti, nga përtej oqeanit, nga shteti më i fuqishëm në botë, SHBA, që shqiptarët të gëzojnë Atdhe dhe pavarësinë e tij të ndjejnë të shenjtë, po kështu dhe të shërbyerit popullit tënd.

Filed Under: Featured Tagged With: Kongresi i Lushnjes, Pavaresia e dyte, Shqiperise, Visar Zhiti

21 JANARI DUHET TE SHPALLET FESTE KOMBETARE!

January 19, 2019 by dgreca

Ne prag te 21 Janarit, 97 Vjetorit te Kongresit te Lushnjes.

Nga  Vilson Haxhiraj/1 Kongresi Lushnjes

21 Janari,dita e fillimit  te punimeve te Kongresit te Lushnjes ka qene feste kombetare, prej vitit 1922 deri ne vitin 1939, kur pushtuesit italiane  e hoqen kete date nga kalendari i festave. Vendosja e regjimit komunist nuk solli gje te re per kete date.Pra,21 Janari vazhdoi te ishte nje dite e zakonshme per shqiptaret dhe jo pervjetori i njeres prej ngjarjeve me te medha te historise se tyre.Enver Hoxha nuk do pranonte madheshtine e Kongresit te Lushnjes qe kish per protagoniste Aqif  Elbasanin,Abdi Toptanin, Ahmet Zogun dhe elitat e kohes,te cilat kur erdhi ne pushtet, i trajtoj si armiq.Ne pamundesi per te mohuar rendesine e tij, Kongresi i Lushnjes u trajtua nga historiografia komuniste jo me formatin real, duke mos zene vendin e merituar ne Historine e Shqiperise.

Madheshtia e Kongresit te Lushnjes qendron  ne kurajen dhe zotesine e pashoqe me te cilen ai perballoj nje nder situatat me te  veshtire qe vendi kish njohur, ne suksesin e jashtezakonshem me te cilin doli nga kjo perballje dhe ne ngritjen e strukturave shtetrore,mbi parime  thellesisht demokratike.Vitet 1914-1920 jane me dramatiket ne historine e Shqiperise, sepse u rrezikua seriozisht egzistenca e saj  si realitet politik.Me 27 tetor 1914, Greqia me mbeshtetjen e Britanise se Madhe, shpalli zyrtarisht pushtimin e Shqiperise se jugut.Dy muaj me vone Italia pushtoj Vloren,Himaren dhe Tepelenen.Pas terheqjes se trupave austriake ne vitin 1918, Italia vendosi garnizone ushtarake edhe ne Fier, Lushnje, Durres, Shengjin dhe ne Tirane. Shkodra ishte e pushtuar nga nje trupe ushtarake nderkombetare.Ushtria franceze kish pushtuar Pogradecin dhe Korcen.Traktati i fshehte i Londres i 26 prillit te v.1915 i njihte Italise pretendimet mbi tokat shqiptare ,ne kembim te pjesmarrjes ne lufte krah Antantes.Bazuar ne ne kete dokument ,ushtrite serbe dhe malazeze pushtuan zonat veriore dhe qendrore te Shqiperise.

Epilogu i Luftes se Pare boterore ishte Konferenca e Paqes  ne Paris,qe do te konfiguronte harten e re politike te Europes,sipas parimit te shperblimit te fitimtarve me teritoret e humbesve.Shqiperia nuk kish qene pale me askend,vec e kish pesuar,duke u bere jashte vullnetit te saj shesh lufte mes palve ne konflikt. Megjithate u trajtua si fuqi humbese.Me 13 Janar 1919  Anglia dhe Franca i derguan qeverise italiane nje memorandum mirkuptimi, qe konkretizonte coptimin e trojeve Shqiptare, sipas klauzolave  te Traktatit te fshehte te Londres. Italise i njihej pushtimin mbi Vloren dhe nje teritor te gjere rreth saj. Serbia merrte veriun  e vendit perfshire qytetin e Shkodres. Plotsoheshin orekset Greqise per Korcen dhe Gjirokastren. Cka mbetej do te ishte nje shtet shqiptar nen protektoratin Italian. Ne Paris, patrioteve shqiptare qe moren takim me ambasadorin amerikan, iu be e qarte se qeveria amerikane mbeshteste ceshtjen shqiptare vetem ne rruge dipllomatike. Shqiptaret duhej te ishin te gatshem te perballeshin ushtarakisht me pushtuesit, jo te prisnin qe te tjeret vendosnin fatin e tyre.Kjo ishte situate qe duhej te perballonte Kongresi, ndryshe Shqiperia do te kthehej ne” shprehje  gjeografike,” ndersa shqiptaret do te beheshin “kurdet e Europes,” pakica nacionale mjerane te shteteve fqinje. Kongresi i Lushnjes do te merrte dhe do te vinte ne jete vendime qe do te percaktonin rrugetimin e Shqiperise,te pakten per 100 vjete.Shume evenimente te jetes shqiptare  zene fill me kete Kongres.Per here te pare ne historine e saj, Shqiperia do te kete nje “Akt Kushtetues”me 6 pika te hartuar nga vete shqiptaret, dokument qe do te sherbente si baze juridike per mbeshtetjen e vendimeve qe do te merrte Kongresi. Me Kongresin e Lushnjes nis parlamentarizmi dhe pluralizmi ne jeten politike te Shqiperise. Kontrolli dhe ballanca e pushteteve, sipas modeleve me te mira te Europes, gjithashtu jane veper e tij. Kongresi zgjodhi strukturat shteterore .Per shkak se Princ Vidi kur u largua nuk ishte dorhequr zyrtarisht si Kryetar shteti, deri ne caktimin  e formes se regjimit  dhe zgjedhjen e Kryetarit te Shtetit, funksioni i  ketij te fundIt,ju ngarkua Keshillit te Regjences, te perbere nga Aqif  Elbasani, Abdi Toptani, Luigj Bumci dhe Mihal Turtulli, qe ishin edhe perfaqesues te besimtarve shiite,sunite,katolike dhe ortodokse.Kongresi zgjodhi Senatin me 37 anetare, qe do te ishte edhe parlament, deri ne mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Qeveria e dale nga Kongresi zgjodhi k/minister Sulejman Delvinen, minister te jashtem Mehmet Konicen dhe minister  te brendshem Ahmet Zogun. 27 Marsi i vitit 1920, dita e hapjes se punimeve te parlamentit, shenon fillimin e jetes parlamentare ne Shqiperi,qe ne pak vite do te njihte zhvillime interesante dhe deputete me profil te larte atdhetar dhe intelektual.Sot,gadi 100 vjet me pas, palamenti shqiptar ende nuk ka figura  te formatit te Fan Nolit, Faik Konices, Mid’htat Frasherit ,Gjergj Fishtes,apo Luigj Gurakuqit. Qeveria e Kongresit ju fut trimerisht  punes se veshtire per clirimin dhe bashkimin e vendit,per formimin e administrates, te ushtrise dhe  vendosjes se rendit publik. Bazuar ne piken e pare te Aktit Kushtetues,qe e shpallte vendin  te  pavarur dhe te lire brenda kufive te caktuar nga Konferenca e Ambasadorve ne Londer ne vitin 1913, qeveria shqiptare i kerkoi zyrtarisht qeverive italiane ,greke dhe serbe,te terhiqnin trupat ushtarake nga tokat shqiptare te pushtuara prej tyre.Duke e kercenuar qeverine e Duresit me ballafaqim ushtarak,ministri i brendshem Ahmet  Zogu e detyroj ate te dorhiqej dhe te dorzonte arkivin  prane qeverise se Sulejman Delvines,duke shmangur precedentin e rrezikshem te vitit 1913,kur krahas qeverise se Ismail Qemalit ,egzistonte edhe ajo e Esat Tpotanit.Xhandarmeria nen komanden e Bajram Currit, shpartalloi bandat esadiste te drejtuara nga Osman Bali,duke forcuar rendin publik dhe besimin e popullit ne zotesine  e qeverise se Kongresit.Pas memorandumit te presidentit Willson, drejtuar Konferences se Paqes me 6 mars 1920,qe shpallte ne forme ultimative, se nuk do te pranonte kurre qe Serbia dhe Greqia te kompensoheshin me troje shqiptare ,me 11 mars Ahmet Zogu ne krye te nje reparti  xhandarmerie mori ne dorezim qytetin e Shkodres prej gjeneralt francez  Bardi de Fortu. Me 24 prill trupat e xhandamerise moren qytetin e Gjirokastren dhe dy dite me pas  Saranden. Me 26 maj Eshref Frasheri, zv/kryeminister  i qeverise,ne krye te qindra vullnetarve, i kerkoj zyrtarisht  komandantit te trupave franceze ne Korce, qe ne rrethanat e reja, kur lufta kish mbaruar dhe vendi kish qeveri te ligjeshme, ti dorzonte Korcen qeverise shqiptare, sikunder kish vepruar homologu i tij ne  Shkoder. Dhe  ashtu u be.Trupat greke qe ishin pregatitur te hynin ne Korce, perballe faktit te kryer dhe vendosmerise se pales shqiptare, pranuan te nenshkruanin“Protokollin e Kapshtices,”qe ja linte qeverise  shqiptare administrimin e Korces, deri sa Konferenca e Paqes te vendoste se kujt do ti perkiste ky qytet .Me 3 Shtato 1920 u clirua Vlora,pas nje lufte qe i kushtoj  Shqiperise mbi 400 deshmore dhe qindra  te plagosur.Pa kaluar 8 muaj qeveria e Kongresit vendosi nen kontrollin e saj pothuaj te gjithe teritorin e vendit. Jo vetem kaq! Fale ideve vizionare te k/ministrave Sulejman Delvina dhe pasuesit te tij, Iliaz Vrioni ,me 17 Dhjetor Shqiperia do te pranohej ne Lidhjen e Kombeve, pas nje beteje te rrepte dipllomtike te kryesuar nga Fan Noli.Ky sukses do ti hapte vendit rrugen e njohjes nderkombetare dhe te kufijve te caktuar nga Konferenca e Londres e v.1913. Ne me pak se nje vit,qeveria e Kongresit  e coj vendin nga pragu i coptimit  dhe i zhdukjes si realitet politik, ne anetar te Lidhjes se Kombeve.Ne te gjthe historine e egzistences  se shtetit shqiptar,asnje qeveri nuk ka qene kaq e sukseseshme. Kongresi i Lushnjes eshte konsideruar si ngjarja e dyte me e rendesishme, pas  Kuvendit  te Vlores qe shpalli pavaresine e Shqiperise. Por Profesor Arben Puto,e konsideron Kongresin e Lushnjes te barazvlefshem me Kuvendin e Vlores, sepse Ai dhe strukturat shtetrore te ngritura prej Tij ,vazhduan dhe  perfunduan punen e nisur nga  Kuvendi i Vlores dhe qeveria e Ismail  Qemalit, duke u perballuar dhe fituar te gjitha sfidat madhore qe shtroheshin para shoqerise  shqiptare.Godina e shtetit shqiptar eshte ngritur mbi themelet e hedhura nga Kuvendi i Vlores dhe Kongresi i Lushnjes.Ne saje te ketyre evenimenteve, prej 100 vjetesh kemi  atdheun dhe shtetin tone. Kontributi i Kongresit te Lushnjes ne dobi te atdheut eshte i prekshem,i njohur,i gjithe pranuar.Prej gadi 100 vjetesh,personalitete te jetes  publike shqiptare,nga e majta dhe nga e djathta,si profesoret Isuf Luzi, Ernest Koliqi, Fatos Arapi, Arben Puto, Muin Cami,e kane  vendosur ate ne nje radhe me epoken Kastriotase,Lidhjen e Prizrenit dhe Kuvendin e Vlores. Dekretimi i 21 Janarit Feste Kombetare dhe dhenia e statusit “Muze Kombetar,” muzeut aktual te Kongresit te Lushnjes,duhen konsideruar nga qeveria shqiptare, koregjim i vonuar i nje padrejtesie historike dhe vleresim i merituar,per nje nga ngjarjet  madhore te historise tone kombetare!

Filed Under: Featured Tagged With: 21 Janari, festë kombëtare, Kongresi i Lushnjes, Vilson Haxhiraj

Kongresi i Lushnjes,ngjarja më e rëndësishme në formimin e shtetit shqiptar

January 24, 2018 by dgreca

1 kongresi i Lushnjes 2selman sheme

INTERVISTA/ Flet Prof. Selman Sheme: Kongresi i Lushnjes mbetet ngjarja më e rëndësishme në formimin dhe rimëkëmbjen e shtetit shqiptar/

– Një Shqipëri e pavarur me kufijtë e saj etnografik dhe natyror/

– Shqiptarët dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tuf delesh e të bëhen plaçkë/

Albert Z. ZHOLI/

Këto ditë mbushen 98- vjet nga mbajtja e Kongresit të Lushnjës, që njihet si një  nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kombit tonë. I mbledhur në mbarim të Luftës së Parë Botërore, në një periudhë  kritike kur popullit shqiptarë i kanoseshin rreziqe të mëdha,  me Kongresin e Lushnjës u vunë themelet e bashkimit të popullit shqiptar për sigurimin e tërësisë tokësore dhe shpëtimin e vendit nga copëtimi dhe aneksimi nga shtetet fqinje.

-Profesor, cilat ishin situatat dhe kushtet politiko-ekonomike në rajon në kohën që u mblodh Kongresi i Lushnjës?

            Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, forcat ushtarake të huaja vazhdonin të mbanin të pushtuar pjesë të territorit shqiptar. Italia, duke mbajtur nën kontrollin e saj qeverinë  e Durrësit dhe aparatin e saj, synonte të arrinte në konolizimin e vendit. Njëherësh në  arenën ndërkombëtare vazhdonin pazarllëqet midis Italisë, Greqisë dhe shtetit të ri Serbo-Kroato-Slloven (që më  vonë u emërtua zyrtarisht Jugosllavi) për copëtimin e Shqipërisë.

            Për të kënaqur këto pretendime përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Italisë, në Konferencën e Paqes, arritën një marrëveshje që ndiqte gjurmët e Traktatit famëkeq të Londrës të vitit 1915.

            Në këtë gjendje kritike për vendin, kur qeveria e Durrësit nuk mund të përfaqësonte aspiratat kombëtare dhe interesat e popullit shqiptar , organizatat e ndryshme patriotike filluan të mobilizojnë masa e gjëra në mbrojtje të pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të atdheut. U bë e ngutshme thirrja e një Kuvendi të ri Kombëtar, i cili të krijonte një qeveri të aftë për të përballuar rrezikun që i kanosej vendit.

Me këto zhvillime u hap rruga për thirrjen e Kuvendit të Lushnjës i cili luajti rol të madh në historinë moderne të Shqipërisë.

-Kush ishte ideja dhe si u vendos për pjesëmarrjen?

            Kongresi i Lushnjës u thirr si mbledhje e përgjithshme kombëtare me përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit. Ai u mblodh 98 vjet më  parë me 21 janar 1920. Për shkak të vonesës së shumë delegateve punimet e tij u shtynë për një javë dhe u zhvilluan nga data 28-31 janar 1920.

            Boshtin qendror të krejt punimeve te kongresit dhe të vendimeve të tij e përbënte ideja e rimëkëmbjes së shtetit shqiptar të ngritur pas shumë përpjekjesh dhe sakrificash me 28 nëntor 1912. Kongresi u mblodh për të organizuar qëndresën kundër planeve të fuqive të mëdha të Luftës se Parë Botërore, të cilët kishin nxjerrë në treg pavarësinë kombëtare dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Kundër këtyre planeve ai reagoi në dy mënyra :

Së pari; kongresistët me anën e protestave deklaruan se populli shqiptar nuk pranonte planet antishqiptare që thureshin në Konferencën e Paqes

Se dyti; pohuan organizimin e qëndresës së popullsisë kundër vënies në jetë të këtyre planeve.

            Në njërën nga protestat që Kongresi i Lushnjës i përcolli Konferencës së Paqes dhe qeverive të Fuqive të Mëdha fituese (Francës, Anglisë , SHBA dhe Italisë) thuhej :-“Shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë të gjitha sakrificat , të derdhin edhe deri pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që mund të vërë në rrezik tërësinë dhe pavarësinë e tyre të plotë”.Me mbrojtjen e tërësisë tokësore, këtu, kuptohej ajo tërësi e caktuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve e gjashtë Fuqive të Mëdha evropiane.

-Kush e përbën programin themelor të Kongresit të Lushnjës?

            Mbrojtja e tërësisë territoriale e shtetit shqiptar dhe ruajtja e pavarësisë së tij përbën programin themelor të Kongresit të Lushnjës .

Ndërsa me pavarësi të plotë kuptohej statusi juridik i një shteti plotësisht të pavarur. Rrjedhimisht nuk pranohej vendosja e shtetit shqiptar nën mandatin e Italisë (sikurse ishte parashikuar në planet e Konferencës së Paqes) dhe as në mandatin e asnjë fuqie tjetër të huaj.

            Kërkesës për pavarësi të plotë kongresistët dhe organet e larta shtetërore të zgjedhura prej tyre i dhanë një rëndësi të veçantë, aq sa e përfshinë në betimin që këto organe bënë përpara Kongresit.

            Ruajtja e pavarësisë dhe mbrojtja e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar ishte programi themelor i Kongresit të Lushnjës,  kërkesa këto që dalin në plan të parë dhe me forcë në të gjitha materialet që Kongresi i dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha mbledhur në Versajë.      Rreziku i madh që kërcënonte vendin i shtroi ato si detyra parësore. Kjo nuk do të thotë se përfaqësuesit shqiptarë , të mbledhur në Lushnje nuk i hidhnin sytë nga bashkatdhetarët e tyre të shumtë që ishin lënë në vitin 1913 jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Përkundrazi ata do të formulonin hapur këtë aspiratë të tyre dhe të Lëvizjes Kombëtare Mbarëshqiptare. “Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë me kufij etnografik dhe natyral, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që i janë bërë Shqipërisë nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e Ambasadorëve me 1913”, pohohej në protestat e dërguara Konferencës së Paqes. . Në telegramin që kryetari i Kongresit të Lushnjës Aqif Pashë Elbasani i dërgonte delegacionit të ri shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris thuhej gjithashtu:-“Programi i delegacionit do të jetë mbrojtja e kufijve natyrorë dhe pavarësisë së pakushtëzuar të atdheut shqiptar”. Një udhëzim me pothuajse të njëjtën përmbajtje ju dërgua këtij delegacioni edhe nga qeveria e re që doli nga Kongresi i Lushnjës , në të cilën thuhej:-“Kongresi Kombëtar i Shqipërisë ju ngarkon me këtë program : Një Shqipëri e pavarur me kufijtë e saj etnografik dhe natyror”.

            Kjo aspiratë politike dhe territoriale përbënte programin maksimal të Kongresit të Lushnjës, program i cili mbështetej në disa faktorë. Ai bazohej në të drejtën e popullit shqiptar për një jetë kombëtare të lirë dhe të pavarur, në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë 8 vjet më parë (viti1913) si shtet i pavarur  dhe sovran dhe në caktimin e kufijve të këtij shteti nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha europiane të kohës. Programi bazohej gjithashtu në faktin se gjatë Luftës së Parë Botërore shteti shqiptar kishte qëndruar neutral sikurse ishte përcaktuar në vitin1913 po nga këto Fuqi.

– Ku bazohej kërkesa për rishikimin e kufijve te shtetit shqiptar

            Kërkesa për rishikimin e kufijve te shtetit shqiptar , për zgjerimin e tyre në favor të këtij shteti bazohej në luftën për liri kombëtare që kishin zhvilluar shqiptarët e lënë në kufijtë e shteteve Ballkanike si dhe në respektimin e parimeve të kombësisë dhe te vetëvendosjes se popujve, si parimi bazë për zgjidhjen e drejtë të problemit nacional. Parime të tilla, të njohura edhe më parë, ishin përsëritur me shumë bujë edhe gjatë Luftës së Parë Botërore nga gjithë përfaqësuesit Fuqive të Mëdha fituese, veçanërisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Uillson. Mirëpo përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha kishin marrë parasysh dhe kishin miratuar pretendimet e tre shteteve fqinje të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë.

            Në këto kushte kongresistët e mbledhur në Lushnje u detyruan t’u përsërisnin përfaqësuesve të fuqive fituese të kaluarën historike të popullit shqiptar.  Në një prej materialeve që Kongresi i Lushnjës i dërgoi Fuqive të Mëdha thuhej se ky Kongres  protestonte “kundër vendimit që dënon një shtet asnjanës dhe të njohur si një nga kombet më të vjetër të Europës, duke bërë që të realizohen kështu qëllimet imperialiste të qeverive fqinje”. Ai protestonte gjithashtu “për shkeljen e parimeve të shpallura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga përfaqësuesve të qeverive të Antantës.

            Ky program ishte vazhdim i programit të përcaktuar nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare që në kohën e shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së shtetit të pavarur . Programi ishte formuluar së fundi edhe në Kongresin e Durrësit në dhjetor të vitit 1918. Madje një nga akuzat që Kongresi i Lushnjës i bëri Qeverisë së përkohshme të Durrësit dhe që e rrezoi atë ishte veprimtaria e kësaj qeverie”jashtë tagrit dhe programit që i asht dhanë prej Kongresit të Durrsit”.

-Si do ta cilësonit Programin e Kongresit të Lushnjës?

            Programi i Kongresit të Lushnjës ishte një program thjeshtë kombëtar.Ai kishte karakter mbrojtës dhe këtë aspekt do ta vërtetonte gjithë zhvillimi historik. Kongresi i Lushnjës ofroi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë për Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë. Në materialin dërguar Konferencës së Paqes jepej ky formulim: “Shqipëria s’ka asnjë pretendim tjetër, veç atij që të zërë një vend në Gadishullin e Ballkanit , duke i dhënë fund mjerimeve dhe për të gëzuar një jetë në paq e harmoni me shtetet fqinje”. Këtu nuk kemi të bëjmë me një frazë të thjeshtë dhe me karakter diplomatik. Për Shqipërinë e vogël fqinjësia e mirë kishte një rëndësi shumë të madhe, veçanërisht për kushtet historike të atëhershëm. Fqinjësia e mirë do te thoshte të hiqej dorë nga planet ekspansioniste të këtyre fqinjëve , të njihej prej tyre tërësia territoriale  dhe pavarësia e shtetit shqiptar, pa u përzierë në punët e tij të brendshme me qëllime destabilizuese.

-Cila ishte risia që solli ky Kongres?

            Kongresi i Lushnjës parashtroi me forcë jo vetëm programin politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare por ai nxiti forcat e brendshme që me mjetet e luftës politike dhe me ato të luftës së armatosur të realizonin programin bazë të tij. Kjo është një risi që shënoi ky Kongres dhe kthesa historike që bëri ai në zhvillimin e  ngjarjeve. Fryma luftarake e platformës në të cilën u mbështet Kongresi i Lushnjës si dhe koha tepër kritik kur ai u mblodh dhe zhvilloi punimet u pasqyrua në vendimet e tij, në hartimin  e protestave me tone të ashpra si dhe në rrugët që menduan delegatet për t’i mbrojtur ato me çdo mjet .  Shqiptarët, thuhej, në protestat që Kongresi i Lushnjës u dërgoi përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha “dinë të vdesin për të mos shkuar nga njëra dorë te tjetra si tuf delesh e të bëhen plaçkë e atyre që drejtojnë sot diplomacinë e Europës”. Si një Kongres i mbledhur për mbrojtjen e vendit , në të morën pjesë përfaqësues nga të gjitha shtresat e popullsisë (edhe të çifligarëve) ndërsa rolin kryesor e luajtën forcat e borgjezisë përparimtare e demokratike që i dhanë Kongresit edhe tonin.

Për kushtet e rënda politik të jashtme dhe të brendshme në të cilat u mblodh Kongresi , në Lushnje nuk u shtruan dhe nuk mund të shtroheshin për zgjidhe probleme me karakter shoqëror, antifeudal. Megjithatë Kongresi i Lushnjës i hapi rrugën luftës për demokraci në kuptimin se pa vendimet e këtij Kongresi nuk mund të rrezohej Qeveria  Durrësit me orientim pro-italian.

            Përcaktimi i karakterit të programit dhe i akteve të Kongresit të Lushnjës nuk do të ishte i plotë pa vënë në dukje përmbajtjen e këtyre dokumenteve nga pikëpamja e funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar të parashikuar në to. Studiuesit e historisë së shtetit dhe të së drejtës duke analizuar aktet e Kongresit të Lushnjës, veçanërisht statutin apo kushtetutën e miratuar në të për organizimin e shtetit kanë arritur në përfundimin se ajo përshkohet nga fryma demokratike , pra është një kushtetutë përparimtare për kohën.

-Cili ishte dhe çfarë përmbante dokumenti “Bazat e Kanunores të Këshillit të Lartë”?

Kongresi i Lushnjës, jo vetëm afirmoi pavarësinë e vendit, por mori masa të menjëhershme edhe për organizimin e shtetit shqiptar. Ai përcaktoi parimet kushtetuese të këtij shteti në një dokument të posaçëm të titulluar “Bazat e Kanunores të Këshillit të Lartë”. Ky dokument kishte plotësisht karakterin e  kushtetutës apo statutit prej nga doli edhe emri “Statuti i Lushnjës” me të cilin njihet gjerësisht në historinë e shtetit dhe të së drejtës shqiptare.

Statuti i Lushnjës përfaqëson të parën kushtetutë të shtetit shqiptar të miratuar nga një përfaqësi kombëtare. Me gjithë përmbajtjen e tij të shkurtër ai dallohet për frymën demokratike e borgjeze, që ishte mjaft e përhapur për kushtet e kohës dhe la gjurmë të thellë në historinë e shtetit dhe të së drejtës së periudhës 1920-1924 në Shqipëri.

            Midis çështjeve juridike, kushtetuese të sanksionuara në Statut, rëndësi të veçantë mori ajo e formës së shtetit. Për një seri faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm Kongresi i Lushnjës sanksiononte në mënyrë të tërthortë ruajtjen e formës monarkiste të qeverisjes së përkohshme të shtetit shqiptar.Për ushtrimin e funksionit të kryetarit të shtetit Kongresi i Lushnjës caktoi një organ kolegjial prej katër vetësh, i cili u quajt Këshilli i Lartë, një organ ky me kompetenca mjaft të kufizuara. Pozita juridike e Këshillit të Lartë ishte ajo e regjencës me të cilën në teorinë juridike kuptojmë realizimin e përkohshëm individual ose kolegjial të kompetencave të kryetarit të shtetit të formës monarkiste të qeverisjes.

            Një tjetër organ i lartë i shtetit shqiptar që u vendos të krijohej në Kongresin e Lushnjës ishte Senati, i cili kryente funksionin e organit kushtetues, të Parlamentit të vendit. Ky organ do të kryente veprimtarinë legjislative të shtetit shqiptar. Në mbledhjen e parë të tij ky organ vendosi që të quhej Këshilli Kombëtar.

            Organi i tretë i lartë i krijuar në Kongresin e Lushnjës ishte qeveria, zgjedhja e së cilës lidhej me vendimin e Kongresit për rrëzimin e qeverisë antikombëtare të Durrësit. Qeveria e re kryesohej nga Sulejman Delvina. Në programin politik të saj përmbahej “mbrojtja e indipendencës së plotë me të drejta supreme dhe tanesise tokësore të Shqipërisë”.

Duke analizuar pozitën juridike, të tre organeve të larta të shtetit, që u krijuan në Kongresin e Lushnjës, Këshillit të Lartë, Senatit (Këshillit Kombëtar) dhe Qeverisë, vihet re se në formimin e tyre është ndjekur teoria e ndarjes së pushteteve.

            Krijimi në Lushnjë i organeve të larta të shtetit shqiptar në mënyrë kaq të plotë , sa nuk ishin kryer nga asnjëri prej dy kongreseve të mëparshme (nga Kongresi historik i Vlorës i nëntorit 1912 dhe as në Kongresine  Durrsit të dhjetorit 1918), dëshmon për vizionin që kishin kongresistët e mbledhur në Lushnjë. Në Kuvendin e Vlorës ishte zgjedhur një dhomë përfaqësuesish, prej 18 vetash që u quajt Senat. Në Kongresin e Durrësit ishte vendosur, po ashtu, që të mblidhej një Senat që u thirr ndryshe edhe Pleqësi. Mirëpo Senati i Vlorës dhe i Durrësit nuk u mblodhën asnjëherë. Ndryshe ndodhi me Senatin apo Këshillin Kombëtar të Lushnjës. Në Këshillin Kombëtar përfaqësoheshin të gjitha krahinat e shtetit shqiptar. Me krijimin e tërë piramidës së organeve të larta të shtetit në Lushnjë, në pikëpamjen juridike realizohej pavarësia e plotë e Shqipërisë dhe sovraniteti i saj.

-Çfarë rëndësia patën Vendimet e Kongresit të Lushnjës?

            Vendimet e Kongresit të Lushnjës patën rëndësi të madhe për të ardhmen e Shqipërisë. Në Lushnje jo vetëm u përsërit me zë të lartë programi politik me realist i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por u përcaktua mirë edhe drejtimi ku duhej përqëndruar goditja kryesore e kësaj lëvizjeje për të realizuar programin e saj.

            Fryma atdhetare që mbizotëronte në punimet e Kongresit dhe që vijoi edhe pas tij u përqafuan nga shtresat e ndryshme të popullsisë, ndërgjegjësimi i të cilave, për castet e vështira që kalonte vendi, krijoi rrethana të përshtatshme për bashkimin dhe mobilizimin e popullit në mbrojtje të atdheut në rrezik.

            Për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare u krijua kështu një qendër e vetme drejtuese për të cilën kishte shumë nevojë vendi dhe që i kishte munguar që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemalit.

            Kongresi e rivendosi defakto pavarësinë e Shqipërisë. Ai bëri që të ndryshojë imazhi i Shqipërisë edhe në arenën ndërkombëtare në të mirë të saj. Bota demokratike dhe liridashëse mësoi se edhe në rrethana të tilla tepër të vështira dhe kritike shqiptarët treguan gatishmërinë dhe vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pavarësinë e vendit dhe shtetin e tyre kombëtar.Me këto vendime të Kongresit të Lushnjës pësoi një goditje të rëndë edhe propaganda antishqiptare që e paraqiste popullin shqiptar si të paaftë për vetëqeverisje dhe shtetformim.

  • E dergoi per Dielin Albert Zholi

Filed Under: Histori Tagged With: e shtetit Shqiptar, Kongresi i Lushnjes, në formimin, ngjarja më e rëndësishme, Skender Sheme

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT