
Sokol Paja/
Federata Vatra, gazeta Dielli e mërgata shqiptare e Amerikës ka dhënë një rol të jashtëzakonshëm në Pavarësinë e Shqipërisë dhe konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar. Në planin politik, në planin diplomatik, në planin ekonomik, kulturor e social, Federata Vatra i ka dhënë gjithçka shtetit shqiptar. Gazeta Dielli përveç se ka shënuar çdo moment historik të shtetit shqiptar, ka luajtur një rol shumë të madh informimi, publikimi, promovimi e ndërgjegjësimi për fatet e kombit e shtetit shqiptar. Federata Vatra dhe gazeta Dielli janë një aset i jashtëzakonshëm kombëtar që edhe sot pas 110 vitesh pavarësi të Shqipërisë punojnë fort në mbrojtje të interesave të larta të kombit shqiptar. Një shekull e një dekadë në veprim për shqiptarinë e bëjnë Federatën Vatra e Gazetën Dielli një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme në gurin kilometrik të përpjekjeve për zhvillimin e Shqipërisë dhe mirëqënien e popullit shqiptar. Vatra e Dielli kanë qenë aty në çdo përpjekje për të dhënë kontributin e tyre të pamohueshëm në çdo fazë dhe etapë të shtetndërtimit shqiptar. Sakrifica e shqiptarëve në shekuj për liri është frymëzuese dhe epike në historinë e popujve. Lobimi i shqiptarëve në Amerikë për Pavarësinë, njohjen e Shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë që rrezikohej seriozisht ka pasur një rëndësi specifike në historinë tonë. Veprimtaria patriotike për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëtimi duke organizuar takime me autoritete të larta në Arenën Ndërkombëtare ishin të shumta, organizuar nga Vatra. Intelektuali i madh, Faik Konica, konsideronte me vlerësimet më të larta Vatrën për rolin e saj në mbrojtje të Shqipërisë, i cili shprehej se, Vatra zëvendësoi shtetin e “vdekur” shqiptar. Po ashtu kontributi financiar i vatranëve për Shqipërinë ishte një ndihmesë e madhe. Në Dhjetor të vitit 1917 delegatët e Vatres i dërgojnë një kërkesë nga Bostoni Sekretarit të Shtetit për Punët e Jashtme të Britanisë së Madhe, Arthur Balfur dhe i kërkojnë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë me kufijtë e saj etnike. Ata i rendisin një sër faktorësh me padrejtësi në dem të tokave shqiptare të përgjysmuara. Vatranët shpreheshin se të sigurosh pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj etnografik, nuk është vetëm t’u japësh të drejta popullit shqiptar, por është mbi të gjitha të hedhësh bazat e një paqeje jetëgjatë në Ballkan. Përsa i përket luftërave, shqiptarët nuk kanë pasur qellim tjetër veçse të mbrojnë tokën e tyre. Pa ndihmën e jashtëzakonshme të Vatrës dhe rolin e gazetës Dielli në promovim, ndërgjegjësim dhe informim, këto përpjekje nuk do të ishin njësoj. Nëse i referohemi dokumenteve historike rreth rolit të Vatrës e Diellit në historinë e Shqipërisë kujtojmë “Memorandum i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dërguar Presidentit Wilson, lidhur me protektoratin italian mbi Shqipërinë miratuar në mbledhjen e saj të mbajtur në Boston më 15 Mars 1918, apo Rezolutë e Kuvendit të jashtëzakonshëm të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, drejtuar qeverisë së SHBA, Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë Boston, më 4 Janar 1919, apo Memorandum i Mihal Turtullit dhe përfaqësuesve të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, drejtuar Presidentit të SHBA Willson, lidhur me mbrotjen e të drejtave të kombit shqiptar ndaj pretendimeve territoriale të fqinjëve ballkanikë më 1919 apo Letër e Kostandin Çekrezit, drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme Mehmet Konica, lidhur me veprimtarinë e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” për mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar si dhe qëndrimin e qeverisë së SHBA ndaj Shqipërisë, Washington, më 10 Qershor 1920 e shumë raste të tjera që dëshmojnë rolin e jashtëzakonshëm të Vatrës për të mbrojtur shtetin shqiptar. Sot më shumë se kurrë me qëllim që shteti ynë, populli ynë e kombi ynë i shtrenjtë të përparojë, të zhvillohet e të lulëzojë duhet që të bashkojmë kontributet e përpjekjet tona, të bashkohemi si kapital e si shpirt me qëllim që të shkrijmë gjithçka për kombin, shtetin e popullin e dashur shqiptar. Federata Vatra e gazeta Dielli janë lider të padiskutueshëm në veprimtaritë patriotike, kulturore e atdhetare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Federata Vatra e gazeta Dielli janë historia, identiteti dhe krenaria e shqiptarëve të Amerikës dhe kombit shqiptar.