

Nga Zef Ujkaj/
Viti 1911 shënoi për Malësinë e Madhe një moment vendimtar pasi çështja shqiptare u ngrit në një nivel të mirëfilltë kombëtar, duke marrë përmasa të gjera politike dhe gjeopolitike me shtrirje mbarëkombëtare. Kryengritja e Malësisë së vitit 1911 me udhëheqës trimin e paepur, patriotin Dedë Gjo̕ Luli, zë një vend të veçantë në vazhdën e luftrave të popullit shqiptar për liri e pavarësi dhe dëshmon qartë se edhe pse e shtypur për 5 shekuj kjo krahinë ruajti të pacënuar ndërgjegjjen kombëtare, shpirtin e sakrificës, ndjenjat e atdhedashurisë, besën e trimninë.
Si rezultat i luftës së ashpër antishqiptare të xhonturqve, shumë shqiptarë nga krahina të ndryshme të veriut të Shqipërisë e sidomos Malësia e Madhe, u strehuan në Mal të Zi, duke e konsideruar si të vetmen mundësi shpëtimi. Krajl Nikolla i strehoi ata në burgje të rënda duke dashur të përfitonte nga situata e vështirë e tyre. Nikë Gjelosh Luli do t̛i përgjigjej krajlit në mbledhjen e Vrellës se: “ti je baba i malazezëve, por jo i shqiptarëve…e na kërkojmë Shqipni e jo të rrisim Malin e Zi me tokat tona”. Ndërkohë Vjena për të parandaluar një luftë të mundshme, i kërkoi Portës disa lëshime ndaj të arratisurve, por ajo nuk tregoi gatishmëri. Malësorët të gjendur në arrati u mobilizuan dhe u përgatitën për kryengritjen antiturke të radhës duke synuar lirinë e Shqipërisë. Fillimisht ata krijuan Komitetin në Podgoricë me në krye Sokol Bacin, komitet i cili mundësoi sigurimin e armatimeve, strehimin e emigrantëve, prezantimin e çështjes shqiptare nëpër qarqet diplomatike dhe afrimin e shumë patriotëve shqiptarë përreth kësaj lëvizje. Ndërkohë Krajl Nikolla me synime ekspansioniste, tentoi të përfitonte prej malësorëve, por ata nuk ranë preh e kurthit të tij. Si pasojë ai iu ndërpreu ndihmat ushqimore dhe i detyroi të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Meqë malësorët nuk pranuan të dorëzohen në dorë të xhonturqve, më 24 mars 1911, në Rapshë të Hotit filloi kryengritja. Kolë Marash Vata në krye të 18 vetëve mori 2 posta turke, ndërsa më 25 mars u sulmuan 2 kulla në Traboin. Po atë ditë ndodhi edhe përplasja e ashpër në Cjepurr, ku mbetën shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Gruda ndërkohë mori postën e Selishtit, atë të Pikalës dhe 3 kulla të tjera. Meqë kryengritja shkaktoi panik të madh tek autoritetet turke në Shkodër, valiu Bedri pasha u mundua të përçante shqiptarët, duke i dhënë kryengritjes ngjyrime fetare, por malësorët u munduan t̛i bindnin vullnetarët që iu ishin bashkuar osmanëve, se kjo kryengritje kishte karakter të pastër kombëtar. Disa prej tyre u bindën dhe dezertuan. Disa të tjerë ranë rob në duar të malësorëve sidomos gjatë përplasjes në Prrua të Thatë dhe në Samoborr, por u lanë të lirë pasi u çarmatosën.
Kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan shumë patriotë shkodranë, malësorë nga Trieshi, Koja, Fundënat, malësorë të Shalës, Shoshit, Nikaj-Merturit etj. Edhe shqiptarët e Amerikës ndihmuan me të holla dhe 30 vullnetarë u angazhuan të shkonin në Toskëri për të përhapur kryengritjen edhe atje. 2 vullnetarë nga Misuri (Missouri) iu bashkuan kryengritësve malësorë. Po ashtu arbëreshët e Italisë si dhe ata të Amerikës së Jugut, i dolën në krah kryengritjes. Nikollë Ivanaj përmes disa konferencave për Shqipërinë mbajtur në disa qendra të Ballkanit dhe Evropës, i njohu dëgjuesit e huaj me gjendjen reale të shqiptarëve dhe synimet e tyre për liri. Nga politikanë italianë u krijua komiteti Pro Albania, që mblodhi ndihma financiare e regjistroi vullnetarë, por veprimtaria e tij do të haste pëngesa nga qeveria italiane. Malësorët bënin thirrje: “pushkë na jepni, se gisht e gjoks kemi na vetë!”. Kushtrimit të malësorëve iu përgjigjën mbi 500 vetë nga vende të ndryshme të botës. Ndihma pati edhe nga kolonitë shqiptare të Rumanisë, Dalmacisë, Bullgarisë etj.
Ndërkohë që më 28 mars, malësorët morën Tuzin, forcat ushtarake turke dhe qeveritarët u detyruan të mbyllen në kalanë e Shipshanikut. Më 30 mars në Cetinë u mbajt mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, ku u miratua një memorandum, që kërkonte paprekshmërinë e territoreve shqiptare, shpënzimin e të ardhurave buxhetore në dobi të vendit, nëpunës shqiptarë etj. Porta bëri disa lëshime, por malësorët të pakënaqur vazhduan kryengritjen.
Më 6 prill, pas luftimeve të ashpra, malësorët morën Deçiqin dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti për herë të parë, pas 5 shekujsh robërie, flamurin kuq e zi. Ky akt nuk ishte thjesht simbolik, por shpalli hapur synimin e kryengritjes, që ishte mëvetësimi i Shqipërisë. Që atëherë, 6 prillit jeton në kujtesën kombëtare si “Dita e Shqipnisë”. Shpirti i kësaj kryengritjeje ishte Dedë Gjơ Luli, një burrë energjik, me karakter të fortë, që kurrë nuk bëri kompromise në kurriz të të drejtave të shqiptarëve. Ai ishte i bindur se lirinë e Shqipërisë nuk do ta sillte as qeveria xhonturke dhe as shtetet evropiane, por vetem pushka e shqiptarëve. Prandaj ai nuk u kënaq asnjëherë me privilegjet fisnore që pushteti osman i njohu krahinës së Malësisë së Madhe, por përvetësoi një vizion të qartë politik kombëtar për ta bërë Shqipërinë shtet të lirë e të pavarur.
Osmanët e cilësuan ngritjen e flamurit si disfatë, prandaj intensifikuan sulmet. Beteja të ashpra u zhvilluan në ditët e para të prillit në kodra të Moksetit e Han të Gropës në Kelmend. Bedri pasha dështoi në shtypjen e kryengritjes, kështu që në vend të tij u emërua Shefqet Turgut pasha. Me anë të një proklamate ai u premtoi falje kryengritësve nëse dorëzoheshin. Përgjigjja e tyre erdhi me anë të deklaratës së miratuar në Pikalë duke u shprehur se kthimi i tyre në atdhe do të mundësohej vetem nëse kërkesat e kryengritësve do të realizoheshin. Atëherë Pasha shfrytëzoi klerin katolik si një urë lidhëse për të ndërhyrë tek malësorët, po ashtu u mundua t̛i kompromentonte ata me ryshfete, por përpjekjet i dolën huq. Ai ishte tejet i nevrikosur nga situata e krijuar, pas premtimit se do ta shuante kryengritjen e malësorëve me 6 batalione, ndërsa tani kishte 44 të tilla dhe nuk po bënte progres.
Austro-Hungaria dhe Rusia kërkuan prej Portës që shqiptarëve t̛u bëheshin disa lëshime në mënyrë që krizës t̛i jepej fund, por përpjekjet ishin të dështuara. Dështoi edhe tentativa e një komisioni tjetër nga Shkodra si dhe misioni i Luigj Bumçit. Epike ishte përgjigjja e Marash Ucit kur thotë mes të tjerash: “Na mos i kjoshim falë Mbretit turk qyshse ai në Kuvend të Berlinit na pat lëshue doret e na pat dhanë Malit të Zi…Na qysh atëherë nuk kena pa ditë të mirë”.
Me nismën e Komitetit të Podgoricës, në Greçë u mblodh Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi “Memorandumin e Greçës”, një dokument me karakter gjithpërfshirës mbarëshqiptar ku parashikohej autonomia e Shqipërisë. Në hartimin e tij morën pjesë përveç udhëheqësve të kryengritjes edhe atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e kolonive shqiptare të mërgimit. Me këtë akt u hodhën poshtë pretendimet e qeverisë osmane dhe të shteteve fqinje, që mohonin karakterin kombëtar të kësaj kryengritjeje, duke e quajtur atë një lëvizje fetare dhe sidomos lokale për ruajtjen e privilegjeve të vjetra që malësorët gëzonin ndër vite.
Malësorët iu shprehën përfaqësive evropiane se: “ne po bajmë fli për arsye të nalta poilitike, dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj, e lypim vetem autonomi të gjanë…”. Qeveria osmane i hodhi poshtë kërkesat e malësorëve. Ajo madje u përpoq të organizonte mitingje për nënshkrimin e telegrameve me protesta kundër kërkesave të malësorëve. Gjithashtu qeveria turke insistoi me këmbëngulje që kryengritjen ta trajtonte vetem si çështje të malësorëve. Çështje shqiptare nuk ka thoshte ministri turk i luftës.
Porta e Lartë nuk po i detyronte dot malësorët të ulnin armët, kështu që kërcënoi Malin e Zi me luftë nëse do të vazhdonte t̛i strehonte më tej ata, si dhe kërkoi ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha. Mali i Zi premtoi sigurimin e paqes mes malësorëve dhe osmanëve, pas disa përfitimeve. Osmanët ngaqë nuk donin që Mali i Zi të kishte përfitime nga situata e krijuar, u ofroi malësorëve disa herë privilegje të ndryshme, por ata nuk lëvizën nga kërkesat autonomiste. Meqënëse osmanët hasën në kokëfortësinë e malësorëve, ata kërcënuan se do t̛i ndiqnin kryengritësit malësorë edhe brenda kufirit malazez. Duke qenë se kjo ndërhyrje parashikonte fillimin e luftës malazezo-osmane dhe më tej ballkanike, Mali i Zi i detyruar nga Fuqitë e Mëdha, i kërcënoi malësorët me zi të bukës dhe përdorimin e forces. Malësorët të ndodhur mes dy zjarresh dhe pa asnjë mbështetje, e konsideruan marrëveshjen e ofruar nga osmanët si të vetmen rrugëdalje.
Më 2 gusht u nënshkrua marrëveshja e paqes në Podgoricë mes malësorëve e përfaqësuesve të qeverisë xhonturke. Ndërkombëtarët nuk dhanë asnjë garanci lidhur me lëshimet e bëra, kështu që Porta nuk do të zbatonte pothuajse asnjë pikë të koncensioneve dhe iu rikthye politikës antishqiptare. Malësorët nuk qëndruan duarkryq, por mënduan mundësitë për të organizar kryengritjen e radhës që do të çonte në çlirimin e plotë të vendit dhe krijimin e shtetit shqiptar të pavarur. Patrioti Hilë Mosi kishte shkruar: “E n̛kjoftë se gja nuk qe për ne simjet, mos t̛ket dyshim ndokush se vdiq Shqipnia, vjen prap prandvera, prap në mal na qet”.
Pavarësisht gjithë shpërblimeve, posteve dhe pensioneve të ofruara nga xhonturqit, Dedë Gjơ Luli në krye të 40 familjeve malësore nuk pranoi të kthehej në atdhe për as kohë që nuk njihej autonomia e Shqipërisë. Nuk pranoi as 2500 lirat turke dhe emërimin e tij si bajraktar. Ai madje kërkoi nga Sadredin beu, që lëshimet e bëra për malësorët të viheshin në zbatim për të gjithë Shqipërinë. Avni Rrustemi do të shprehej për Dedë Gjơ Lulin: “Burrë i pafrikë dhe pinjoll i maleve tona”. Duke qenë një figurë e dashur popullore, ai do të mbetej halë në sy për të gjithë armiqtë e jashtëm e të brendshëm të Shqipërisë, derisa e eliminuan në pabesi në shtator të vitit 1915.
Malësorët ndonëse të përballur për një kohë të gjatë me uri, mungesë armësh e municionesh dhe me qëndrimin armiqësor të Fuqive të Mëdha e të qeverive shoviniste fqinje, arritën megjithatë të detyrojnë një perandori të ulet në tryezën e bisedimeve si palë e barabartë për të diskutuar pikat e marrëveshjes së paqes. Aq e rëndësishme ka qenë për Shqipërinë kryengritja e Malësisë së Madhe, sa themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, do të shprehej: “Trima malësor – shqiptarë që i zbardhen faqen Shqipërisë për gjithjë jetën”. Qëndresa dhe heroizmi i trimave malësor që luftuan e derdhën gjakun e tyre për liri, përbëjnë një shembull të gjallë të sakrificës së një kombi për të qenë i pavarur, një model i rezistencës, atdhedashurisë, burrërisë e dashurisë së flaktë për trojet, gjuhën e zakonet. 6 prilli, përvjetori i ngritjes së flamurit shqiptar në Deçiq dhe i sakrificës së malësorëve për një Shqipëri të lirë e të pavarur do të kujtohet përherë me lavdi e krenari.