
Prof.as.dr Elindë Dibra/
Në këtë përvjetor, gazeta Dielli, shënon 117 vite jetë — një udhëtim që nisi më 15 shkurt 1909, në Boston dhe që vazhdon edhe sot. Që nga ajo kohë, Dielli u bë dritarja përmes së cilës u paraqiten shqetësimet e kohës, u formësuan ide dhe u ruajt lidhja shpirtërore me atdheun. Gjatë këtyre 117 viteve, kjo gazetë është mbajtur gjallë nga përkushtimi i kontribuesve të shumtë — editorë, studiues, historianë, shkrimtarë, veprimtarë e intelektualë. Përmes tyre, Dielli u bë një hapësirë ku historia dhe shpresa për Shqipërinë e lirë u ndërthurën së bashku.
E lindur në një kohë kur nevoja për organizim kulturor dhe politik të diasporës ishte shumë e nevopjshme, gazeta u bë shumë shpejt zëri i shqiptarëve të Amerikës Themeluesit dhe kontribuesit e saj të hershëm, ndër të cilët Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Sotir Peci, Kostë Çekrezi dhe të tjerë, e panë shtypin si një mjet për të mbajtur të gjallë lidhjen midis diasporës dhe vendlindjes.
Gjatë dekadave, Dielli ka dokumentuar zhvillimet më të rëndësishme të historisë shqiptare, duke u bërë një kronikë e përpjekjeve të shqiptarëve për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vetëdijes kombëtare. Në faqet e saj, janë pasqyruar debatet politike, reflektimet kulturore dhe sfidat e komunitetit shqiptar në mërgim. Në këtë mënyrë, gazeta ka tejkaluar funksionin e saj informativ për t’u shndërruar në një hapësirë ku ndërtohet dhe ruhet kujtesa historike.
Roli i Diellit, si një institucion i shqiptarizmit në diasporë është vënë në dukje edhe në interpretimet e mëhershme të shtypit shqiptar në mërgim. Revista Shêjzat, në një shkrim të botuar në vitin 1959, në rubrikën “Xixat e Shêjzave”, e përshkroi këtë gazetë si një shtyllë të rëndësishme të jetës kulturore dhe identitare të shqiptarëve jashtë atdheut. Ky vlerësim dëshmon se rëndësia e Diellit është perceptuar jo vetëm si një realitet i brendshëm i diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe si një element i rëndësishëm i vetëdijes kulturore shqiptare në mërgaten europiane.
Në planin personal, pata mundësinë të nis një punë kërkimore që do të vijojë me gazetën Dielli, një përvojë me rëndësi të veçantë për drejtimin e hulumtimeve të mia. Kontakti i drejtpërdrejtë me këtë burim, përmes shfletimit të numrave të saj në arkivin e Federatës “Vatra”, më dha mundësinë ta përjetoja në mënyrë konkrete vazhdimësinë historike dhe kulturore që kjo gazetë përfaqëson.
Shfletimi i Diellit dëshmon se ajo nuk është vetëm një dokument historik, por edhe një hapësirë ku ndërthuren e shkuara dhe e tashmja e mërgatës shqiptare. Në këtë përvjetor, është e natyrshme që mirënjohja të shtrihet mbi të gjithë ata që kanë kontribuar në jetën dhe vazhdimësinë e kësaj gazete. Nga themeluesit dhe editorët e parë, te bashkëpunëtorët e shumtë që kanë shkruar në faqet e saj ndër vite, secili ka lënë gjurmë në historinë e Diellit.
Në këtë rrugëtim kanë qenë të pranishme edhe gra intelektuale që kontribuan në diskursin kulturor të diasporës. Figura si Fehime Pipa dhe Safete Juka dëshmojnë se Dielli, u bë edhe hapësira ku u artikulua zëri i grave shqiptare, të cilat trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me identitetin, kulturën dhe jetën e komunitetit si dhe me momentet kyçe të zhvillimeve në Kosovë.(kryesisht vitet ’80-90)
Prania e tyre në faqet e gazetës është një dëshmi e rëndësishme e rolit të grave në jetën intelektuale të diasporës shqiptare dhe e përfshirjes së tyre në proceset e ruajtjes së kujtesës kulturore dhe politike. Në këtë mënyrë, Dielli shfaqet si një hapësirë gjithëpërfshirëse e mendimit intelektual shqiptar në mërgim.
Kështu, përvjetori i Diellit, nuk është vetëm një moment përkujtimor, por një dëshmi e vazhdimësisë së një institucioni që ka shërbyer si kronikë e historisë dhe si hapësirë reflektimi mbi identitetin kombëtar. Nga themelimi i saj në vitin 1909 deri në ditët e sotme, gazeta vazhdon të ruajë lidhjen midis së kaluarës dhe së ardhmes së shqiptarëve në mërgim, duke mbetur një burim i çmuar për studimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të diasporës. Në përmbyllje, ky përvjetor nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një urim për të ardhmen: që Dielli të vijojë të ndriçojë rrugën e shqiptarëve në mërgim, duke mbetur zë i kujtesës, identitetit dhe i shqiptarizmës.