TIRANË- 120 objekte të familjes së Adem Jasharit, të cilat u restauruan në Shqipëri, i janë dorëzuar të martën Fondacionit “Adem Jashari” për t’u ekspozuar në Prekaz, të Kosovës. Objektet janë kryesisht veshje dhe orendi shtëpiake, të mbetura pas djegjes së kullës së Jasharëve, gjatë luftë për liri në vitin 1998. Këto objekte janë restauruar dhe konservuar në Muzeun Historik Kombëtar, në bashkëpunim me Laboratorin e Institutit të Kulturës Popullore.
Puna për restaurimin e veshjeve të Adem Jasharit dhe familjes kishte kohë që kishte filluar. Objektet janë gjetur në familjen Jashari në Prekaz pas luftës. Në kohën kur janë sjellë në MHK ato ngjanin me një grumbulli rreckash të dëmtuara, ku dalloheshin ende shenjat e djegjeve, të përlyerjes me baltë, por edhe të luftës. Triko grash, mëngë rrobash, këmisha burrash, triko e këmishë fëmijësh, çorape burrash e grash, por edhe pjesë të djegura perdesh apo jorganësh që janë përdorur nga familja Jashari gjenden mes tekstileve që sot, janë restauruar. Është dashur shumë punë për pastrimin dhe restaurimin e tyre, disa prej të cilave kanë qenë mjaft të dëmtuara.
“Një vit më parë, nuk dinin nga t’ia fillonim, pasi ndër objektet e familjes Jashari ne zgjodhën ato që ishin tejet të dëmtuara. Një pjesë e këtyre objekteve që ne restauruam ishin dëmtuar në mënyrë ekstreme. I depozituam në Muzeun Historik, ku i lamë për një periudhë të gjatë për ajrim, më pas filluam t’i tërheqim pak nga pak dhe pas restaurimit po i kthejmë sërish në Prekaz. Ishte punë e vështirë”, shprehet për mediat restauratori Frederik Stamati.
Në Kosovë janë mbledhur rreth 240 objekte tekstili që i përkisnin familjes Jashari, prej të cilave gjysma u sollën në Tiranë për t’u restauruar. Këto objekte erdhën në MHK në bazë të një marrëveshje me drejtorin e fondacionit “Adem Jashari”, Shaban Hoxha pasi në Kosovë nuk ka një laborator të specializuar për të bërë ndërhyrje të tilla. Ceremonia e dorëzimit të objekteve u zhvillua sot, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Fondacionit “Adem Jashari”. (Besi Londo-ATSH)