Rafaela Prifti/
Sonte në teatrin e qytetit Ferizaj shfaqet premiera e dramës “13”. Dramaturgu dhe regjisori i saj Sulejman Rushiti e ka konceptuar atë “si një reflektim të thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.”
Në strukturën e pjesës teatrale ndërthuren elemente të dramës, tragjedisë, farsës dhe komedisë. Trupa profesionale e teatrit Adriana, e afirmuar për repertorin e larmishëm, është angazhuar në prova gjatë dy muajve të fundit për ta sjell shfaqjen te publiku.
Sulejman Rushiti thotë se “Si dramaturg dhe regjisor, qëllimi është të hap një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, për të eksploruar mënyrën se si historia, me dhimbjet dhe triumfet e saj, vazhdon të ndikojë në të ardhmen tonë. Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthurren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi. Përmes humorit dhe absurditetit, përpiqemi të përballojmë peshën e historisë dhe ta shohim atë si një mundësi për reflektim dhe ndryshim.”
Në historinë shqiptare viti 1913 shënon një moment kyç i cili mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës dhe pasigurisë. Më 13 dhejtor premiera e dramës “13” fton publikun të përjetojë artistikisht shumëkuptimësinë që mbartet në histori ku humbjet, fitoret apo përpjekjet paraqiten në formë të pandarë të absurdit dhe shpresës.
Teatri i Ferizajt mban emrin e aktores Adriana Abdullahu, e cila ishte nxënëse e ikonave të teatrit shqiptar Enver Petrovci dhe Fadil Hysaj, dhe i takonte gjeneratës së artistëve si Armond Morina, Xhevdet Doda, Luan Jahës etj.