Në 70 vjetorin e përmbytjes komuniste…/
Ne Foto: Avionët bombardues të Aleatëve: 13 Tetor 1943, mbi Tiranë/
Nga Fritz RADOVANI/
503 qytetarë Shqiptarë të vramë në orën 13:13’…me lugë në gojë, dhe asnjë ushtar gjerman! Viti 1943, data 13, ora 13.13’, aeroplanët britanikë qëndruen 13 min., mbi qiellin e Tiranës… Vetëm bombe binin e plasnin nder shtëpijat tona…
E PSE ? ! – Me porosi të kujt u krye ai bombardim mbi qytetarët e thjeshtë? Një detyrë “humane” e plotësueme me paramendim të plotë! E mira e kujt ishin këta varre e shkatërrime masive me mija të vramë të qytetarëve Shqiptarë, të pasueme në Prizren 28-29 Qershor 1944, Pejë 13 Gusht 1944, Mitrovicë 1 e 2 Shtator 1944, me bombardime nga të njëjtët aeroplanë “aleatë” britanikë? Askush nuk e ndjeu veten fajtor!
E PSE ? – Askush nuk foli per këte krim të shemtuem tash 71 vjetë!..
Duhej terrorizue Kryeqyteti i Shqipnisë antikomuniste e antisllave, Tirana!
Anglo – amerikanët, “aleatët” e diktatorit Stalin, vrasin pamëshirë Shqiptarët antishovenistë sllavë, se mbas vitit 1941 pothuej të gjitha Trojet tona Shqiptare, u kishin dalë doret komshijëve barbar shekullor. Duheshin shkelë nga thundrat sllavokomuniste e bolshevike, “aleatë” të kriminelit Stalin. Kjo tragjedi e pashembullt në histori ndaj një Populli rreth 2 miljon banorë, u konsiderue madje edhe me termin “çlirim”, ndonse në të vertetë ata “aleatë” ishin që po na çonin në grykë të vorrit, me luftën civile që kishin organizue në Shqipninë e Jugut me partizanët “trima” të Enver Hoxhës, veglat e shituna dhe tradhëtare tek sllavokomunistët jugosllavë të “druzhe” Titos.
Me 29 Nandor 1944, gjermanët e fundit ikin nga Shkodra dhe Shqipnia pushtohet nga komunistët terroristë, zbatuesit besnikë të qeverisjes së shovenistëve jugosllavë… Një nga krimet ma të shemtueme të Historisë së turpëshme të Luftës së Dytë Botnore. Asht i pari Shtet në Europë, Shqipnia, që pushtohet nga tradhëtarët e shitun tek sllavët… per mos me fitue kurrë Lirinë, per të cilën gënjenin e mashtronin Shqiptarët “aleatët” e Stalinit. Paralitiku Rusvelt, ulun brij Stalinit në Jalta, zgerdhihej kur miljona njerëz të Europës Lindore po robnoheshin nga një diktaturë tjeter edhe ma barbare, shfarosëse dhe shkombtarizuese, nga diktatura sovjetike staliniste!
E PSE ? – Shqipnia kishte edhe një Flamur të Gjergj Kastriotit! Duhej shue ky Shtet që per 25 vjetë u ba mburojë e Europës Perëndimore… Duhej fshij nga harta…
E aq asht e vertetë kjo, sa kur u bisedue në Jalta per Ballkanin, As Rusvelti, as Stalini e as Çërçilli, “nuk e dinin” se po firmonin pushtimin e Shqipnisë nga jugosllavët e Titos, dhe se Shqipnia, nuk do të njihej kurrë si shtet Europjan! E kush prej tyne e zuni me gojë Emnin e nderuem Shqipni?! – Asnjeni! As “këshilltarët” anglezë të Enverit!
E PSE ? – Pa kalue as dy muej nga dita e zezë e kësaj robnije të re, në fillimin e Janarit 1945, mu në Kelmendin e robnuem tē Dedë Gjo’ Lulit, tue i shkue tinzash mbas shpine krimineli Mehmet Shehu, si zakonisht shkonin partizanët “trima”, bashkë me rrebelat jugosllavë të Titos, rrethuen Trimin e Atyne Maleve Prekë Calin, tradhëtisht e prenë në besë…dhe vranë mbi 118 Burra të Malësisë, tue i tretë nder prroje e prroska të gjithë trupat e tyne, i plaçkitën kullat e bagëtitë dhe ua dogjën edhe magjet e bukës…
Me 13 Tetor 1943 mbetëm pa prindë! E kur “hyne këta”…siç thonte Populli, një valë e re vrasjesh filloi në Shkoder… Mbas Don Lazer Shantojës në Tiranë, vritet edhe Don Ndre Zadeja! Vetem në shtëpinë time u arrestuen dy dajat Paulini e Mikel Pjeter Prennushi, dhe na u shtetizue edhe shtëpia. Tre jetimë pa Babë, nuk kishim asnjë burim jetese. Në vitin 1946, në shkurt vdiq edhe gjyshi Pjeter Prennushi. Në nandor u arrestue edhe At Mati Prennushi, axha i Nanës sime, i cili u pushkatue me 11 Mars 1948, në Zallin e Kirit. Në vitin 1947 arrestohet në Tiranë Imzot Vinçenc Prennushi, kushrini i Nanës… Po në vitin 1948 arrestohet edhe vllau i Nanës, Don Kolec Prennushi…e kur vazhdonin mbi trupin e Tij torturat, vdes në Mars të 1949 Imz. Vinçenci, në burgun e Durrësit… E pa kalue një vit, në maji 1950 arrestohet vllau im Alfonsi, kur ishte maturant në gjimnazin e Shkodres. Ndersa në korrik të 1950, vdes nga torturat e katilëve të sigurimit të shtetit edhe kleriku i fundit i Atij fisi Don Kolec Prennushi…Daja im. Nana ime shkonte e vinte me sofratasa në dorë nga një derë burgu në tjetrën, e shpesh, ngjante që nga frika se mos i thonë: “Shko se e ke trupin e Tij…tue u qelbë në Zallin e Kirit…” na çonte né, me marrë strajcat e teshave të mbushuna me morra e danga gjaku nga plagët e torturave…
Po sa familje në gjithë Shkodrën ishin nën terror e frikë si né?
E PSE ? – Se Shkodra Martire duhej të errej në darkë tue ua shperthye dyertë e shtëpijave agjentët e sigurimit… dhe, tue ua vue prangat Shkodranëve antikomunistë…
Ndërsa, në mengjes heret, në orën 4 e deri në 5 pa dalë endè drita, né duhet të zgjoheshim nga krizmat e automatikëve që shprazeshin mbi gjokset e Atyne Atdhetarëve që dhane jeten e vet, vetëm pse deshtën një Shqipni të Lirë e Demokratike Europjane!
Na bombarduen, na vranë… na robnuen, na sollën pushtimin komunist, hapën edhe 26 hetuesi e burgje, i mbushën me Shkodranë e Burra të Maleve e fushave të Veriut, i torturuen dhe i shpërftyruen, i detyruen me firmue procese fallso, i shkatrruen familjet dhe trojet e Tyne, i masakruen nder kampe pune e shfarosje, ua interrnuen edhe njerzit e shtëpisë nder këneta e male pa streh mbi kokë… Plot 47 vjetë robni e terror…
E PSE ? – Urdhnat e kujt u zbatuen atëherë gjatë luftës me krye ata krime?
Pllake fallco e vendosun në Tiranë në 2003 !
Në vitin 2003 për të fsheh prap ato krime, në kryqzmin e rrugëve tek Ministria e Arsimit u vendos një pllakë mermeri sa e pavërtetë po aq fyese mbi të cilën shkruhet: “Mirënjohje të veçantë qytetarëve të Tiranës, që më 13 tetor 1943 humbën jetën në luftën për fitoren mbi fashizmin. – Nga qytetarët e Tiranës në 60 vjetorin e rënies”.
E PSE ? – Sepse vazhdon mashtrimi dhe mosdënimi i krimeve komuniste!
E mbasi nuk mbeti asgja veç kujtimit të Atyne Atdhetarëve që shumica nuk kanë as varre dhe asnjë Shenjë tek koka… Nga komunizmi në Shqipni…
Mësuem se: Terrorin mbi Popullin Shqiptar e filluen me 13 Tetor 1943 “Aleatët”!
Melbourne, Tetor 2014.
LEK MIRAKAJ says
Sa pak dihet cfar ka ndodh ne te vertete,.Sa mire qe dikush kujtohet me zbardh te verteta te dhimbshme po te domosdoshme.Nuk thone kot,e verteta vonon po nuk harron.A DO KEMI NDONJE HERE KURAJON TE THEMI TE VERTETAT ME ZA TE NALTE?
Eugjen Merlika says
Fakti tragjik, te cilit i referohet ne menyre teper bindese autori i shkrimit, mendoj se kerkon nje sqarim te hollesishem nga historiografia shqiptare e cila, paturpesisht, nuk e permend asnjehere kete episod teper te dhimshem te luftes se dyte boterore.Me qe studjuesit e historise, ne shumicen dermuese te tyre, per 70 vite kane qene zedhenes e justifikues te gjysem shekullit kriminal te regjimit komunist, me lind dyshimi se heshtja per bombardimin e qyteteve te Shqiperise etnike kerkon te mbuloje edhe ndonje pergjegjesi apo bashkepunim me aleatet, per te nxitur keto veprime kriminale ne dem te qytetareve shqiptare.
Mendoj se studjuesit duhet te zbardhin te gjitha aspektet e kesaj tragjedije, duke konsultuar edhe arkivat angleze, te cilat sot , mbas 70 vjetesh duhet te jene te hapura. Do te ishte jo vetem nje borxh moral kundrejt qindra viktimave te pafajshme, por edhe nje detyre imperative ndaj se vertetes historike.
Usa says
Zoti Mirakaj dhe ju zoti Merlikaj ju e dini te vereteten e komunizmit ne shqiperi thojeni http://www.youtube.com/watch?v=WCQjZtU-iw
Fritz Radovani says
Zakonisht pseudonimet jane “suflere” te atyne qe s’ kane “emen” prandej dhe nuk i jap pergjegje!
Me qe kerkesa e Tij(Usa) u drejtohet dy Trashigimtareve ma te Medhej qe ka pase Historia e VERTETE e Popullit Shqiptar, kryesisht nga 1944, kur u fallsifikue gjithshka, po i pergjegji komentuesit “Usa”, se: Shqiptaret e te gjitha TROJEVE Shqiptare, bashke me “historianet” e tyne, HISTORINE E VERTETE TE POPULLIT SHQIPTAR (1941 – 1945)do ta mesojne me te vertete nga Mirakajt e Merlikajt.
Me respekt F. Radovani.
Eugjen Merlika says
Nje pergjigje telegrafike anonimit te Usa : per sa me perket ate te vertete kam njezet vjet qe e them nepermjet shkrimeve te mija, per aq sa e njoh e kam mundesi t’a paraqes. Por argumenti i shkrimit te z. Radovani eshte i nje permase te tille qe duhet te shqetesoje cilin do qe e kerkon te verteten historike.
petraq says
ishte lufte ta qaj hallin se u mundet ishit aleat me hitlerin i cili gjat luftes se dyte boterore bashke me ju vrau nja pesedhjete milion njeres.po me e keqja eshte se ju me thash e themet tuaja na prishet me angline qe e kishim aleat ne komunistet sikunder e deklaron dhe ti vet.
Sadik Elshani says
Atdhetaret e vertete kane luftuar per nje Shqiperi kombetare/etnike dhe kane luftuar edhe kunder fashizmit edhe kunder komunizmt, sepse te dyja ideologjite kane qene ekstreme dhe i kane sjelle deme te medha njerezimit. Po kush ju prishi me Jugosllavine, Bashkimin Sovjetik, Kinenen qe i kishit vellezer te idealit? Regjimi cnjerezor i Enver Hoxhes e izoloi Shqiperine nga e tere bota demokratike perparimtare dhe ne fund mbeti aleatete me vendet me regjime me diktatoriale, si:Korea e Veriut, Kuba, Vietnami. Petraq i dashur, lufta ne Europe ka 70 qe ka mbaruar, eshte koha qe te mbaroje edhe ne Shqiperi. Me kete mendesi nuk ecet perpara.
Shkambi says
Ja seç shkruen i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Politika asht politikë, por ajo e anglezve kjoft mallkue, se vetëm gjak i ka ba kësaj të shkretës Shqipni.” Libri “Çinarët” fq. 191.
Fritzi dëshmon vetëm me dokumenta për nji ngjarje që nuk asht shkrue dhe vazhdon të mos shkruhet as sot nga historia zyrtare për arsye se i duhet të paguaji anglo-amerikanët sikurse çifutve miliona euro e miliona dollarë familjeve viktima. Kjo e vërtetë i ban mirë atyne 503 familjeve të viktimave, që të pregatisin një listë me emna të viktimave dhe të organizuem me nji shoqatë t’i drejtohen dy ambasadave angleze dhe amerikane për; 1. Për kërkim Falje dhe 2. Për demshpërblim. Përndryshe do vehen në dijeni Gjyqi i Hagës.
lek mirakaj says
Të kesh qënë komunist gjatë luftës ,edhe kuptohet,mund të justifikohet me hovet dhe entuziazmin rinor.Të mburresh dhe ta deklaroshë vehten komunist mbas asaj që komunizmi i bëri,pa dallim ish komunistave dhe kundershtarve dhe që si epilog pati arratisjen e përmasave biblike,tregon se je një idiot shoku Petraq!
Sadik Elshani says
Per fat te keq Z. Mirakaj, te tille ka shume.