Me 15 Dhjetor 1942, 70 vjet te shkuara, pushoi së rrahuri zemra e “njërit prej bijëve më të mëdhenj të Shqipërisë, një nga kampionët më të mëdhenj të indipendencës Kombëtare, ustait më të madh të shkrimit të gjuhës sonë, njeriut që rizbuloi Flamurin e Skënderbeut”, Faik Bej Konicës. I futëm brenda thonjëzave cilësitë që i numëroi miku dhe kundërshtari i tij i dikurshem, Fan S Noli në përcjelljen e fundit.
Në fakt Faiku ishte ndjerë keq që pasditen e së Hënës të datës 14 dhjetor, kur pësoi hemoragji cerebrale. Ai ishte rrëzuar në banjë dhe aty e kishte gjetë shërbyesja Hati Uilliams, e cila kërkoi ndihmën e sekretares së Faikut, Charlotte. Doktori Oden, mik i Faikut, erdhi pas telefonatës dhe pasi i mati tensionin pa se shifrat ishin katastrofë: 250/140. Këshilloi që të dërgohej në spital ose të merrej një infermiere. Charlotte qëndroi gjithë natën me të.
Hollësitë i ka sjellë studiuesi Ilir Ikonomi në librin “Faik Konica-Jeta në Washington”.
Charlot kishte vënë re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk dukej aq keq. Fliste përcart. Vone, sekretarja shkoi të merrte një sy gjumë në dhomën tjetër dhe u zgjua ne pesë të mëngjesit të 15 dhjetorit. Faiku dukej se flinte. Nga ora tetë Charlottë shkoi ta shohë përsëri të sëmurin. Ai nuk kishte lëvizur fare, ishte ashtu sic e kish parë ajo në 5 të mëngjesit; I shtrirë në kurriz, me krahun e majtë nën kokë. Charlotte i telefonoi Dr. Oden, që e mjekonte Faikun prej 14 vitesh dhe i tregoi gjendjen. Ai e udhëzoi që t’i prekte dorën. Dora ishte akull.E kuptoi: Faiku kishte vdekur.
Pas formaliteteve trupi i pajetë i Faikut iu përcoll Shtëpisë së Funeraleve Waterman& Sons, Inc në Boston. Trupi kishte mbërritur nga Washingtoni të shtunën në mëngjes(pat ndërruar jetë të martën). Ceremonia mortore u bë të dielën me 20 dhjetor.
Ilir Ikonomi na përcjell atë ditë pikëllimi për shqiptarët:”Jashtë binte një acar i tmerrshëm. Të ftohtët kishte thyer cdo rekord dhe temperaturat arrinin në minus 20 gradë Celsius. Megjithatë, në Boston kishin ardhur dërgata të degëve të Vatrës nga disa shtete….
Ahmet Zogu e ndjeu thellë humbjen e Faikut. Ai kishte porositur nga Londra një kurorë të madhe, madje kishte kërkuar që t’i paguante vetë shpenzimet e varrimit por Vatra nuk pranoi.
Homazhet kishin nisur në orën 11 në një nga sallat e ndërtesës New England Mutual.
Ikonomi shkruan se nuk pati ndonjë ceremoni fetare. Arkivoli ishte mbuluar me Flamurin kuq e Zi të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, që Faiku e pat rizbuluar. Organisti lunate pjesë të zgjedhura nga Noli, që Faiku i kishte për zemër në të gjallë. Mes tyre shquante muzika e Wangnerit, sidomos dy pjesët më të pëlqyera nga i ndjeri, Marshi i madh nga opera Tannhauser dhe Marshi Funeral i Zigfridit nga Gotterdammerung…
Në orën 3 pasdite muzika pushoi dhe Fan Noli eci me hapa të ngadaltë drejt podiumit. Meqenëse në mort kishte dhe të huaj, Noli foli në fillim në anglisht. Ligjërata e tij qe e gjatë, por disa fjalë do të mbahen mend. “Faik Konica- tha ai-ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të pavarësisë së Shiqpërisë. Ishte sigurisht mjeshtri më i madh i prozës shqipe. Për më tepër, ishte njeriu që rizbuloi Flamurin e vjetër shqiptar të Skënderbeut.”
Këta janë tre tituj që edhe kundërshtarët e tij më të hidhur nuk do të ëndërronin t’ia mohonin”, – tha Noli, i cili dikur kishte qenë vetë ndër ata kundërshtarë.
Më pas Noli foli shqip…
Ceremonia e varrimit nisi në orën 4 pasdite. Noli ishte në krye të kortezhit, pas tij vinte arkivoli, që mbahej nga kryetarët e degëve të Vatrës dhe gjithë të tjerët. Një varg i gjatë makinash; dy të mbushura me kurora me lule. Gjithësej 42 kurora. Kortezhi ecte ngadalë drejt për në varrezat Forest Hills të Bostonit.
(Më shumë do të lexoni në Diellin e printuar)