
Bujar Leskaj/
Sot, 15 janar, mbushen 27 vjet që kur forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër popullit të Kosovës dhe njerëzimit në Reçak.
Historia e Kosovës së pavarur nuk mund të shkruhet pa Reçakun, ashtu si nuk mund të shkruhet pa Prekazin, Gjakovën e shumë fshatra e qytete të tjera të Kosovës, të cilat njohën mbi 400 masakra, qindra mijëra të vrarë, të plagosur, të dhunuar e të dëbuar nga trojet e tyre gjatë viteve 1998 dhe 1999.
Masakra e Reçakut ishte ngjarja ku bota përfundimisht pa dhe kuptoi fytyrën e regjimit të Millosheviçit, barbarinë dhe gjenocidin serb në Kosovë.
Ishte masakra, e cila detyroi botën perëndimore të përshpejtonte ndërhyrjen për t’i dhënë fund gjenocidit serb.
Në 15 Janar 1999, në Reçak u vranë e u masakruan 45 shqiptarë të pafajshëm e të paarmatosur.
Serbia në Kosovë ka kryer masakra të shumta gjatë viteve 1998 dhe 1999, por Masakra e Reçakut u dëshmua nga misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili denoncoi se në Kosovë po ndodhte një krim kundër njerëzimit, gjë që shtyu bashkësinë ndërkombëtare të ndërmerrte misionin ushtarak, pas të cilit Kosova fitoi Pavarësinë.
Pikërisht për këtë i jemi e duhet t’i jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë, NATO-s dhe Perëndimit, të cili i përkasim.
Masakra e Reçakut dhe gjenocidi serb në Kosovë nuk duhen harruar, “…për hir të së ardhmes dhe Ballkanit të hapur…”, përndryshe Historia do të na gjykojë e dënojë!
Aq më tepër kur Beogradi nuk ka kërkuar asnjëherë ndjesë për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës!