Me rastin e 15 Vjetorit te Themelimit te shoqates “Bijte e Shqipes”, Filadelfia/
NGA SADIK ELSHANI/Ky eshte nje vit i shenuar per shoqaten tone – festojme 15 Vjetorin e Themelimit dhe te qenjes se saj. Qe nga koha e Rilindjes sone Kombetrae (ndoshta edhe me heret) e kendej, shoqatat atdhetare te mergimtareve shqiptare kane luajtur nje rol vendimtar ne zhvillimin e arsimit, letersise, artit e kultures sone kombetare. Po ashtu, ato kane dhene nje ndihmese te jashtezakonshme per ruajtjen e gjuhes, traditave tona kombetare, si dhe ne ngritjen e ndergjegjes kombetare, zgjimin kombetar ne pergjithesi. Ato ishin vatra te verteta ku shqiptaret u brumosen me idete atdhetare, ndjenjat e atdhedashurise dhe ndert vite e shekuj e mbajten te gjalle frymen dhe qenjen shqiptare. Per rolin e saj qe luajti gjate historise sone kombetare, Federata Gjitheshqiptare “Vatra” u be shembull udherrefyes sesi duhet organizuar e vepruar per te miren e atdheut dhe te çeshtjeve madhore te kombit tone. Ne krye te ketyre shoqatave qendronin njerez idealiste, atdhetare, vetemohues, qe çeshtjet, interesat e atdheut i kishin vene para interesave te tyre vetjake. Per Shqiperi ata sakrifikuan cdo gje, madje shpesh edhe jeten e tyre.
Edhe shoqata jone, si dhe shoqatat tjera me te hershne te mergimtareve shqiptare, u krijua per te dhene nje ndihmese per ruajtjen e gjuhes,kultures dhe traditave tona te shkelqyera dhe per te zhvilluar nje veprimtari te organizuar si bashkesi shqiptare. Eshte ky nje rrugetim i bukur pesembedhjetedhjetevjecar, rrugetim i bukur atdhetar, jane keto vite perpjekjesh, vite te nje pune te palodhshme e te panderprere dhe plot perkushtim per t’i arritur synimet dhe qellimet tona.
Gjate ketyre viteve jane zhvilluar nje varg veprimtarish te llojllojshme dhe kete fale angazhimit kembengules te veprimtareve te shoqates sone. Shoqata jone organizon me dhjetera veprimtari atdhetare, kulturore, perkujtimore e sportive, si: promovime te librave te autoreve te Filadelfias, diaspores e trevave shqiptare, perkujtime te fytyrave te ndritura te kombit tone, ngjarje te rendesishme historike. Çdo vit me dashuri e krenari e festojme ne menyre madheshtore 28 Nentorin, Festen tone Kombetare, pavaresine e Kosoves, festat e 7 – 8 Marsit, organizojme piknikun veror, etj. Ndersa nga viti 2012, ne menyre madheshtore organizojme ngritjen e flamurit Kuq e Zi ne Bashkine e Filadelfias. Ne nentorin e vitit te kaluar (2016) na u shtuan edhe dy veprimtari te reja te rendesishme: pjesemarrja ne Paraden e Dites se Falenderimeve(Thanksgiving Parade) qe organizohet ne Filadelfia dhe tjetra, ngritja e flamurit tone ne Pennsylvania State Capitol ne Harrisburg (kryeqytet i shtetit te Pennsylvania-s) Ketu nuk ka nevoje te flitet me hollesi per veprimtarite tona, sepse ato te gjitha jane pasqyruar ne faqen e internetit te shoqates sone, Facebook, ne shtypin e diaspores dhe ate shqiptar, si dhe ne dy librat qe ka botuar shoqata me rastin e 10 Vjetorit (2012) dhe tani me rastin e 15 Vjetorit te themelimit te saj (2017). Ne keta libra pasqyrohet historiku i shoqates, pershkruhet rruga dhjetevjecare – pesembedhjetevjecare e shoqates sone, veprimtarite qe ka zhvilluar shoqata, sfidat me te cilat ballafaqohet shoqata, etj. Ne çdo faqe te ketyre librave rrjedh djerse, rrjedh dashuria per atdheun, kombin, gjuhen shqipe, flamurin tone, fytyrat e ngjarjet e ndritura te kombit tone.
Por eshte edhe nje veprimtari qe na jep nje kenaqesi shpirterore dhe na ben krenare, i jep kuptimin ekzistences se shoqates sone: eshte funkcionimi i rregullt i shkolles shqipe “Gjuha jone”. Kete ne e cilesojme si kryeveprimtarine e shoqates sone. Shoqatat krijohen per te ruajtur dhe per te krijuar vlera kombetare ne menyre te organizuar. Misioni i shoqates sone eshte: Kujdesi dhe ruajtja e trashegimise, gjuhes, traditave e kultures sone kombetare. E kush mund ta kryeje kete mision me mire se shkolla shqipe?! Shoqata jone ka 13 vite qe ka hapur shkollen shqipe ku femijet mesojne gjuhen tone te embel e te vlere, letersine dhe kulturen tone kombetare, njihen me historine tone te lavdishme dhe brumosen me ndjenjat e dashurise per atdheun dhe vlerat e larta njerezore te kombit tone. Nuk ka kenaqesi me te madhe se kur i sheh femijet tane duke folur shqip, duke lexuar e recituar shqip, duke kenduar shqip, duke lozur shqip!
Nje ngjarje kyce, ndoshta kryesore, ne kete histori te shkurter te shoqates sone, eshte blerja dhe rregullimi i nderteses ku sot eshte vendosur dhe zhvillon veprimtarine e frytshme e te suksesshme shoqata jone. Pa kete ndertese ne nuk do te kishim mundesi t’i benim keto veprimtari qe kemi zhvilluar gjer me tani. Per kete ne do t’i jemi gjithmone mirenjohes familjes Risilia e cila kreu detyren e saj atdhetare, dha fondet per blerjen e nderteses qe me vone u be e perdorshme fale punes vullnetare e te palodhshme te dhjetera bashkatdhetareve tane. Ndertesa e shoqates sone, apo siç njihet tashme si “Shtepia e shqiptarit”, eshte bere nje vater e ngrohte atdhedashurie per te gjithe shqiptaret e Filadelfias e me gjere. Aty mblidhen shqiptaret, takojne njeri-tjetrin, çmallen me njeri-tjetrin, diskutojne dhe zhvillojne veprimtarite e permendura me lart. Per shqiptaret e Filadelfias, shoqata jone eshte bere nje Shqiperi – larg Shqiperise, nje vater – larg vatres. Me veprimtarite dhe punen tone po mundohemi qe bashkatdhetareve tane t’ua lehtesojme peshen e rende te mergimit, t’ua shuajme mallin e vendlindjes dhe t’ua mbajme gjalle dashurine per atdheun dhe kombin tone. Dashuria, respekti, ndihma per njeri – tjetrin, solidarizimi me njeri – tjetrin jane vlera kombetare, vlera njerezore, qe per fat te keq, sot jane duke i munguar shoqerise shqiptare. Shoqatat qe mbeshteten ne nje platforme kombetare, udhehiqen nga nje program kombetar dhe ku mbizoterojne: harmonia, ngrohtesia, mirekuptimi njerezor, zhvillojnre nje veprimtari te begatshme, e gezojne nje jete te shendetshme e te gjate.
Jane keto perpjekje, jane keto veprimtari qe na japin kenaqesine shpirterore, na japin nder dhe na bejne krenare, sepse edhe ne, brenda mundesive tona, me punen tone te perkushtuar, jemi pjese e nje vazhdimesie te veprimtarive qe kane zhvilluar brezat e mehershem te prire nga Noli, Konica, Kristo Dako, motrat Qiriazi e shume te tjere, emrat e te cileve kane hyre ne Panteonin e kultures, arsimit dhe historise sone kombetare.
Te ndihmosh bashkatdhetaret, te luftosh per çeshtjet madhore te kombit, te ruash gjuhen, kulturen dhe traditat tona te shkelqyera, nuk eshte bezdisje, kokeçarje, kohe e humbur, perkundrazi, eshte sakrifice sublime, eshte nje pune fisnike, nje pune dhe detyre atdhetare.Edhe ne me punen tone jemi duke u munduar, duke bere perpjekje qe edhe ky pesembedhjeteshi yne te jete nje copez, nje gure i vogel i mozaikut te arsimit, kultures e historise sone kombetare.
Deshirojme qe shoqata jone te zgjerohet, te zhvillohet dhe te forcohet edhe me shume ne te ardhmen, duke mbajtur gjithmone lart e me lart flamurin e shenjte te shqiptarizmit. Jami te vetedijshem se bashkesia jone shqiptare ne Filadelfia ka nje potencial te madh njerezor, intelektual e profesional. Ne mesin tone kemi talente te profileve te ndryshme dhe njerez te perkushtuar dhe mund te bejme edhe me shume, por per t’i permbushur keto synime, per t’i arritur keto qellime duhet nje angazhim me i madh nga te gjithe bashkatdhetaret, sidomos te rinjte tane. Nga pervoja jone, tani disavjecare, po duket qart se, ajo qe po na mungon eshte perkushtimi,kembengulja, vendosmeria, vullneti i mire, ndjenja e sakrifices per te bere diçka me teper se vetja jone. Asnje pune nuk kryhet vetevetiu, çdo pune kerkon angazhim! Prandaj, do t’u kishim lutur te gjithe bashkatdhetareve tane, te gjithe te rinjve tane qe t’i bashkohen shoqates dhe me punen e tyre te perkushtuar t’i çojne edhe me tutje nismat, endrrimet tona. Te synojme qe edhe shoqata jone nje dite te festoje 100 vjetorin dhe pse jo edhe me shume. Por, per kete shoqates i duhet gjak i ri, i duhet nje perttrirje, i duhen synime, qasje dhe horizonte te reja. Dhe ky gjak, kjo pertrirje eshte rinia jone.
Ne kete çast solemn u bejme thirrje edhe njehere te gjithe bashkatdhetareve qe t’i shtojme perpjekjet tona, te angazhohemi me mish e shpirt qe shoqata jone te vazhdoje me sukses rrugetimin e nisur, misionin e saj atdhetar e kulturor dhe te qendroje si njera nder shoqatat me te organizuara e me aktive shqiptare, jo vetem ketu ne Amerike, por ne te gjithe boten shqiptare.
Ne kete pervjetor te shenuar, shoqates sone i urojme mbaresi e perjetesi! Gezuar!
Filadelfia, 29 maj, 2017
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.