
Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. feston 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
Luljeta Xhediku
16 vjet Kosovë e lirë dhe gjaku i të rënëve për ta fituar këtë liri edhe lotët e motrave e nënave ende nuk janë tharë. Liri, këtë fjalë kaq të shenjtë e kuptojnë vërtet vetëm ata që kanë luftuar e kanë qenë robër nën sundimin serb. Por sot Kosova është një shqiponjë e lirë.
Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. tashmë e feston çdo vit shpalljen e Kosovës shtet i pavarur. Për të festuar lirinë e Kosovës u mblodhën së bashku te restoranti “Teura”, në Bruklin, Nju Jork, anëtarë, dashamirës dhe simpatizantë të shoqatës. Aktiviteti i përgatitur me këtë rast nën kujdesin e kryesisë së shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. ishte tepër i larmishëm aq sa asnjëri nuk e kuptoi se si ikën aq shpejt orët e zgjatura të festës e natyrisht, nëse koha nuk do ishte e limituar besoj të gjithë do festonin deri natën vonë. Një punë intensive dhe e palodhur për përgatitjen e këtij programi u bë nga dy drejtueset e grupit artistik “Skënderbej”, znj. Adelina Lacaj dhe znj. Gela Bulku, të cilat e udhëhoqën mjeshtërisht grupin në të gjitha interpretimet që grupi performoi. Programin e prezantuan dy zonja të nderuara të shoqatës, znj. Alketa Veshi dhe znj. Majlinda Tafaj. Hapja nisi me këndimin nga i madh e i vogël me dorë në zemër e tre himneve atij amerikan, të Kosovës dhe himnit shqiptar. Edhe sigurisht tashmë kënga “Mora fjalë” kushtuar Bacës Adem Jashari është kthyer në një tjetër himn të shqiptarisë. Grupi i valleve “Skënderbej” kishin përgatitur një koreografi për ta sjellë këtë këngë në mënyrën më të bukur. Kryetari i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., z. Imer Lacaj, i cili mbajti fjalën e rastit të aktivitetit, uroi pavarësinë e Kosovës dhe na njohu me hapat më të rëndësishëm historikë, duke filluar që nga viti 1913, ku fuqitë e mëdha pa përfillur dhe kundër vullnetit politik të popullit shqiptar, vendosën në mënyrë arbitrare ndarjen dhe copëtimin e tij. Kosovën, dhe viset e saj ia aneksuan Serbisë dhe Malit të Zi. Z. Lacaj përmendi të gjitha pikat kulminante historike që nga nisja e deri në datën 17 shkurt të vitit 2008 kur nga salla e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mor lajmi për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Z.Lacaj theksoi se: “Tashmë Kosova është një vend, i cili, pavarësisht nga e shkuara e vështirë historike, ka sjellë paqe dhe stabilitet në vend dhe në rajonin e Ballkanit. Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Ne jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet, fitoret, dhimbjet dhe sukseset i kemi të përbashkëta drejt arritjes së ëndrrës së të gjithëve shqiptarëve për një Shqipëri etnike”. Një përshëndetje erdhi nga luftëtari i UÇK-së z. Blerim Gjocaj: “Përshëndetje vëllezër e motra, faleminderit që keni ardhur për të festuar një ditë vërtet të shenjtë, ditën e një pjese të Shqipërisë, të Dardanisë që ne e quajmë Kosovë, pra Kosova që nga dita që u shkëput nga harta e shqiptarëve ishte në luftë, ishte e përndjekur, e burgosur kur të rinjtë dhe të rejat ktheheshin në arkivole nga ushtria e Jugosllavisë vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse ne protestonim dhe nuk e pranonim, ne nuk u integruam asnjëherë në Jugosllavi e aq më pak në Serbinë fashiste, të cilën e luftuam në çdo formë e çdo mënyrë, me protesta me jetë, me burgje e të tjera”. Gjocaj, gjithashtu, u shpreh se ëndrra ende nuk është e realizuar, pasi ëndrra jonë është Shqipëria e bashkuar, Shqipëria etnike. Më pas, grupi artistik “Skënderbej” këndon këngën “Unë jam shqipe nga Kosova”. Rapsodi popullor, Shaban Lajçi, emocionoi sallën me një interpretim të tij që padyshim vetëm shqiptarët që jetojnë në emigrim mund ta ndiejnë plotësisht. Grupi artistik “Skënderbej” interpretoi vallen “Pavarësia”, këngë e kënduar nga Ilir Shaqiri. Znj. Majlinda Tafaj recitoi një poezi për pavarësinë e Kosovës shkruar nga poetja Bukurie Bucpapaj. Kryetari i shoqatës “Skënderbej” Inc. prezantoi rezolutën e miratuar në asamblenë dhe senatin e shtetit të Nju Jorkut më 12 shkurt 2024, e cila u lexua e plotë në gjuhën angleze nga Erla Lamce, nxënëse e programit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”.
Një tjetër valle që e bën zemrën të rrahë fortë do ishte “Marshi i UÇK”-së, interpretuar nga grupi artistik. Kelvin Rustani, nxënës i programit edukativ “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, recitoi poezinë “Sot e lirë është tan Kosova”. Ethem Gashi, aktivist në Staten Island përshëndeti dhe uroi Pavarësinë e Kosovës dhe përgëzoi Shqipërinë nënë që ka ndihmuar në çlirimin e Kosovës me gjeneralët e saj që morën pjesë direkt në luftë.
Argëtimi i të pranishmëve vijoi me muzikë e valle në atmosferën e magjishme që këngëtari Flamur Biçaku dhe muzikanti Amir Pelinku sollën në këtë festë. Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. uron: Gëzuar lirinë Kosovë!