

Nga Keze Kozeta Zylo/
Është bërë traditë 18 Vjeçare që Shkollat Shqipe “Alba Life” e festojnë me madhështi Ditën e Shenjtë të Mësuesit. Në të gjitha klasat si në Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx, Manhattan më parë, Online dhe në Albany u nderua Dita e Mësuesit.
Dita e 7 Marsit, Dita e Mësuesit është një ditë e shenjtë kombëtare. Dhe për këtë shenjtërim të kësaj dite ku mijëra martirë dhanë jetën në mbrojtje të Gjuhës Shqipe nga hordhitë turke, greke, sllavo maqedonase malazeze dhe pushtues të huaj, si Bord i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në bashkëpunim me të gjitha mësueset e vlerësojmë shumë seriozisht dhe me kulturë.
Këtë ditë të 7 Marsit e kemi festuar për 18 vjet me radhë në shkollat publike amerikane me një program festiv të detajuar nga mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe në Online. Këtë ditë të shenjtë s’mund ta ngatërrojmë me ditët e tjera ndaj dhe e festojmë madhërisht dhe realisht duke iu mësuar nxënësve SHQIP, historinë e lavdishme të Kombit tonë, burrat e ndritur që dhanë jetën duke shkuar deri në ditët e sotme përfshirë dhe sa e rëndësishme është puna e “Alba Life” për këtë Mision Kombëtar.
E veçanta e këtij viti ishte se në Familjen e Alba Life është bashkuar së fundi dhe një shkollë shqipe në Albany ku e quajmë një sukses të radhës dhe tejet atdhetar. Mësueset Era njëherazi dhe koordinatore si dhe Edvina kishin përgatitur një program të bukur ku nderuan Shkollën e parë shqipe në Korçë dhe gjithë martirët që dhanë jetën për Gjuhën Shqipe.
Mirënjohje dhe falënderime shkon dhe për z.Fidaim Balaj për dhuratën që iu bëri nxënësve me bluzat e kuqe me mbishkrimin si: Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Albany.
Të gjitha mësueset ndihen krenare për këtë bashkëpunim të ngushtë me Alba Life dhe duket se kanë bërë betimin e mësuesit që nuk do t’i ndahen kurrë këtij Misioni të shenjtë.
Mësueset Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajçinca Gashi, Rozeta Hyseni, Vjollca Skënderi, Helena Lubonja Ujkaj, Albana Lazri, Erinda Isufaj, Era Corbaxhi, Edvina Belishta dhe Gresila Basha me përkushtimin e dalluar dhe profesionalizmin ku disa prej tyre të licensuara midis dy kontinenteve si mësuese dhanë në të gjitha shkollat program artistik të bukur dhe shumë emocionues.
Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti të pakufishëm z.Qemal Zylo themeluesi dhe drejtor i Shkollave Shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut si Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx, Albany, Manhattan më parë dhe në Online iu dhuron çdo vit nga një buqetë me trëndafila.
Këto mësuese e meritojnë mirënjohjen tonë dhe i inkurajojmë fort të bashkëpunojme deri në frymën e fundit për këtë mision kombëtar për të cilin jemi betuar.
Në strategjinë tonë dhe përvojat tona të jashtëzakonshme me kontribute në Arsim dhe Edukim si themelues dhe drejtues e dimë se mësuesit kanë nevojë për dashuri, respekt dhe afirmim dhe këtë e kemi shumë hap serioz dhe të domosdoshëm për t’ju shprehur mirënjohjen!
Përdorimi i metodave më të përparuara didaktike të bazuara në tekstet e miratuara nga Shqipëria dhe Kosova dhe profesionalizmi i mësueseve të Shkollës Shqipe “Alba Life” kanë bërë që të ketë interesim dhe të sensibilizojë opinionin mbarë shqiptar për mos humbjen e Gjuhës Shqipe nga fëmijët që lindin dhe rriten këtu në Diasporë.
Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit jane nje institucion edukimi me një përvojë të jashtëzakonshme, që jo vetëm që iu ka dhënë mësueseve shumë përvojë, por ka furnizuar me mësuese dhe nxënës te ashtuquajtura “kurse shkollore” me 6-7 nxënës pa mjediset e duhura publike shkollore…
Tradita jone ka qenë që këtë Ditë ta kthejmë në një festë të bukur ku nxënësit demonstrojnë përgatitjen e tyre në shqip, në valle, intepretime nga Rilindasit e mëdhenj dhe mësim të historisë kombëtare. Shkollat Shqipe “Alba Life” janë një histori suksesi me një seriozitet të jashtëzakonshëm pa humbur asnjë sekondë nga programi shqip duke zbatuar të gjithë oraret sipas shkollave publike amerikane. Shkollat Shqipe “Alba Life” jane shumë të përgjegjshme për programin e tyre dhe kjo fal përkushtimit të mësuesëve që citova më lart për këtë vit akademik 2024-2025, larg bizneseve me show me pagesa marramendëse, apo sic ndodh rëndom qe këtë ditë e zëvendësojmë me ditën e 8 marsit që nuk e ka zanafillën fare me Shqipërine tonë.
Në të gjitha shkollat nëpër Nju Jork deri në Albany-në e largët, kryeqytetin e Nju Jorkut mësueset krijuan një atmosferë festive, të bukur. Jam e sigurtë se nxënësit nuk do t’i harrojnë kurrë këto ditë të bukura dhe tejet emocionuese.
Nju Jorku u aromatizua me trëndafila, poezi, valle dhe këngë shqip për 7-Marsin nga e ardhmja e Diasporës shqiptare në Amerikë. Në këto shkolla duket sikur mësuesit betohen:
Kemi dhënë të gjithë një fjalë,
Jemi lidhur besa besë,
Një shqiptar po mbeti gjallë,
Gjuha Shqipe kurrë s’do vdesë!
TV “Alba Life” së shpejti do të transmetojë në kanalet televizive aktivitetet që u organizuan në shkollat publike amerikane nëpër Nju Jork.
Në ngarkesën e madhe që ka pasur TV “Alba Life” me aktivitetet e ndryshme që janë organizuar në prag të festave po punon me intensitet në orë të vona për t’i pasqyruar ato.
Gëzuar Mësues të nderuar të Alba Life!
Gëzuar Mësues në Diasporë dhe në Mëmëdhe!
7 Mars, 2025
New York