
Izabela Krosi/
Albanian American Student Organization në Florida Gulf Coast University (AASO FGCU), e themeluar dhe e drejtuar nga Irena Ahmet, organizoi një event të veçantë me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke bashkuar komunitetin shqiptar për të përkujtuar një moment historik dhe shumë të rëndësishëm për kombin tonë. Ky aktivitet ishte jo vetëm një festë, por edhe një kujtesë për sakrificat dhe rrugëtimin drejt lirisë, si dhe një mësim i vlefshëm për brezat e rinj që po rriten larg atdheut.
Në këtë event, Albanian Eagles Dance, grupi rinor i drejtuar nga Izabela Krosi, pati nderin të performojë. Programi u hap nga Hana Rexhepi me një poezi të fuqishme dhe prekëse. Më pas, Joen Sherifi interpretoi këngën “Është e jona Shqipëria”, ndërsa Arsa Meka emocionoi publikun me “Xhamadani kuq si gjaku”, duke dëshmuar se dashuria për atdheun jeton fuqishëm edhe tek fëmijët rritur larg tij.
Një moment shumë i ndjerë ishte koreografia me këngën “Pavarësia” nga Ilir Shaqiri, ku çdo fëmijë me rrënjë nga Kosova kishte një rol simbolik. Pjesë të veçanta patën Arsa dhe Blini Meka, si dhe Hana, Diella dhe Rea Rexhepi, duke sjellë në skenë historinë, dhimbjen dhe krenarinë e një populli.
Atmosferën e pasuroi edhe Nik Burimi, një artist shumë i talentuar i komunitetit tonë. Për fëmijët, ai mbetet një figurë frymëzuese, dikush tek i cili ata shohin pasionin dhe dashurinë për muzikën shqiptare.
Evente të tilla kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për diasporën shqiptare, sepse ruajnë gjuhën, kulturën dhe kujtesën historike, duke forcuar lidhjen e brezave me rrënjët dhe identitetin tonë. Shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj AASO FGCU, themelueses dhe presidentes Irena Ahmet, si dhe bordit – Kaltrina Lici, Dea Lici dhe Klejdi Lako – për organizimin dhe përkushtimin e tyre në realizimin e këtij eventi kaq domethënës, që krijon hapësirë për të rinjtë shqiptarë të përfaqësojnë me krenari historinë dhe kulturën tonë në një universitet amerikan.