-Kosova para 29 viteve shpallte Pavarësinë me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974/
-Ishte “Fillim i së nesërmes”, e cila tani është e sotmja. Redaksionali që kam shkruar për gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja, botuar në faqen e parë në 3 Korrik 1990/
-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 korrikut 1990/
-Deklarata Kushtetuese për pavarësi e 2 Korrikut 1990 në përvjetorin e 29-të në Arkivin Shtetëror të Kosovës, i cili hapë edhe ekspozitë/
-SHKRUAR NË 1 KORRIK 1990: REPRIZË NUK DO TË KËTË – Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin e redaktorit të saj atëherë – korrespondentit tash të Gazetës DIELLI, e cila e sjell sot të plotë/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*
PRISHTINË, 1 Korrik 2019/ Para 29 viteve, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.
“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991…Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, ka theksuar, mes tjerash, Ilaz Ramajli në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar.
Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 29 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.
Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë
së Kosovës, Muharrem Shabani, po ashtu në një bisedë ekskluzive që kam
zhvilluar kujtonte:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të
ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më
rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së
Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së
Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur
që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur.
Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët,
kishim përkrahjen e madhe të popullit…”
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës….(Te plote lexoje ne gazeten Dielli online www.gazetadielli.com)
Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 20 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet 11 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së.
Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën për pavarësi, dhe Radio Televizioni i Prishtinës.
“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Teksti i plotë i komentit, botuar në 2 Korrik 1990:
REPRIZË NUK DO TË KËTË
E ashtuquajtura “fazë e parë” e ndryshimeve kushtetuese të Serbisë për “shtetësi në tërë territorin”, përkatësisht për suprimimin e funksionave vitale të autonomisë së krahinave, u bë vjet me aplikimin e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RSFJ-së, që atëbotë u quajt me eufemizëm me termin “masa të posaçme”.
“Faza e dytë”, e paralajmëruar qysh atëherë, e ndryshimeve kushtetuese dhe e suprimimit të autonomisë së Kosovës, filloi shpejt dhe tentohet të realizohet përfundimisht tash me aplikim të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nga Kryesia e RS të Serbisë, po ashtu duke përdorur eufemizmin – “rrethana të posaçme”.
Në këtë shpejtësi të premtuar të “zgjidhjes së problemit të Kosovës” erdhi edhe referendumi për nxjerrje të kushtetutës së re të Serbisë, që në fakt është edhe tendencë për ruajtjen e monopolit monist të udhëheqjes e Partisë që e shkaktoi tragjedinë kosovare, si dhe tendencë për t’ia prerë rrugën pluralizmit e demokracisë, madje në emër të popullit dhe të “shpëtimit të shtetit”!
Shihet sheshazi se kështu dëshirohet të përsëritet skenari i vjetëm i dramës tragjike e plot gjakderdhje në Kosovë.
Ka edhe segmente tjera të ngjashmërisë së situatave. Vjet minatorëve të vetëngujuar të Staritërgut iu premtua dialog pasi të dalin nga zgafella, e për dalje u mashtruan me përmbushjen e rreme edhe të një kërkese – të dorëheqjeve që mandej u tërhoqën me pretekst se me pranimin e atyre dorëheqjeve, me shkuarjen e tre individëve, po u shkatërruaka tërë LKJ dhe politika e saj. Pas mashtrimit që iu bë minatorëve për nxjerrjen e tyre nga greva në nëntokë, jo vetëm që nuk u bë dialog, por u aplikua gjendja e jashtëzakonshme, e me këtë e me masa represive e gjakderdhje “shteti juridik” iu kundërvu rezistencave gjithëpopullore kundër ndryshimeve kushtetuese që e ngushtonin autonominë.
Megjithatë, rezistenca gjithëpopullore, jo vetëm që nuk u shua, por edhe u rrit, çka shihet edhe nga kërkesat e tubimeve e manifestimeve te tjera popullore qe një kohë të gjatë. As LK nuk u shpëtua me mbetjen në funksione të atyre që tërhoqën dorëheqjet, përkundrazi u shkatërrua, sepse populli humbi çdo besim në të dhe ia ktheu shpinën përgjithmonë, duke kërkuar fat e ardhmëri në pluralizëm e demokraci.
Por, ja edhe tash paraqiten “shpëtimtarë”, përkundër mësimeve që do të duhej të nxirreshin nga pësimet që solli injorimi i vullnetit e kërkesave të popullit. Një nga kata “shpëtimtarë” është Gjorgje Bozhoviqi, kryetar i Kuvendit të Kosovës, i cili si koautor i realizimit të një skenari drejtashkelës, kundërkushtetues e kundërkosovar e anti shqiptar vepron edhe duke shkaktuar drama në Kuvend, duke mos lejuar që në te të hyjnë në rend dite kërkesat legjitime të popullit dhe të përfaqësuesve të tij -delegatëve, duke bllokuar e ndërprerë punën e organit më të lërtë të vetëqeverisjes e të pushtetit të Kosovës, po edhe të proceseve demokratike.
Ai punën e mbledhjes së Kuvendit e ndërpreu dy herë që të vazhdojë në “ditë më të mira”, sigurisht për të pritur aplikimin e “rrethanave të posaçme” në Kosovë, që u bë pas bindjes së delegatëve që të dalin nga salla e Kuvendit në mëngjesin e 23 qershorit e pas premtimit se mbledhja do të vazhdojë më 2 korrik. Megjithatë kryetari i Kuvendit, i cili tashmë ka humbur besimin e mandatin nga shumica e popullatës në Kosovë, përsëri gjeti dofarë arsyesh për ta shpallur të shtyer mbledhjen edhe pse shumica e delegatëve janë këmbëngulës që ajo të mbahet sipas marrëveshjes në ditën e premtuar – sot.
Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.
Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.
B. JASHARI
(Gazeta Rilindja – Prishtinë, 2 Korrik 1990)
TEKSTI I PLOTË I DEKLARATËS KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990 ISHTE:
“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI TË PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990
Delegatët, nënshkrues të Deklaratës:
PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një
intervistë të botuar në 15 prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke
komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të
dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për
Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur
Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të
Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si
subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as
konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin
Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth
700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur
një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.
DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990 NË PËRVJETORIN E 29-TË NË ARKIVIN SHTETËROR TË KOSOVËS
Deklarata Kushtetuese për pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 përvjetorin e 29-të e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku u dërgua nga korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:
“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.
Prishtinë, 30 Maj 2019
Behlul Jashari”.
Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë do jetë edhe e ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik, ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, të cilën viteve më parë si foto e kam dërguar për botim në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe në Gazetën DIELLI.
Me Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, derisa bisedojmë në zyrën e tij, flasim edhe për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 dhe shkrime të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja të asaj kohe për ngjarjen historike.
Në takim falënderuam për të gjitha angazhimet që i plotë edhe me një pjesë të mbetur në një kontenjer Arkivi i Gazetës Rilindja, pasuri e madhe kombëtare, të jetë pjesë e Arkivit Shtëtëror të Kosovës. Fillimisht është dërguar pjesa më e madhe e Arkivit të Gazetës Rilindja që administrate e UNMIK pas mbylljes së kundërligjshme e të padrejtë me dëbim të dhunshëm të kësaj gazete në 21 Shkurt 2002 e kishte hedhur në bunkerin-bodrumin e errët dhe me lagështi, ku po dëmtohej. Dërgimi në Arkivin Shtetëror të Kosovës është edhe shpëtim i Arkivit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja.
KOHA E FUNDIT PËR TË MARRË ARKIVIN E GAZETËS RILINDJA TË MBETUR NË NJË KONTENJER NË OBORRIN E PALLATIT TË SHTYPIT
Në komunikimet me Arkivin Shtetëror të Kosovës e Agjencinë Kosovare të Privatizimitm edhe këtyre ditëve, kam theksuar:
Shumë të nderuar miq,
Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja është në procesin e likuidimit dhe është koha e fundit të merret një pjesë shumë e rëndësishme e Arkivit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ndodhet i mbyllur në një kontenjer (kontenjeri nr.1) në oborrin e Pallatit Rilindja.
Duke e marrë edhe atë pjesë të Arkivit dhe pasur Arkivi Shtetëror i Kosovës edhe numrat e fundit të viteve të fundit të gazetës Rilindja do ta kishte edhe historinë e Kosovës në gazetën tradicionale që nga fryma e koha e Konferencës së Bujanit e deri në shpalljen e Pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, pasi numri i parë ka dalë në 12 Shkurt 1945 e numri i fundit në 30 Dhjetor 2008.
Në cilësinë kryetarit të Këshillit Drejtues-kryeredaktorit të gazetës Rilindja, në 29 Janar 2007 me një vendim të veçantë të Kryeministrit kam nënshkruar marrëveshjen e hartuar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (tash e Privatizimit), e cila poashtu është nënshkruese, me Arkivin Shtetëror të Kosovës për dërgimin atje të gjithë Arkivit të Rilindjes.
Në kontenjer janë të lidhura në libra gazetat Rilindja të gjithë vitit 2001 – 12 libra – nga një kopje, – nga 1 liber i Janarit e Shkurtit 2002 deri kur gazeta dilte përditë, dhe në dy libra-kopje të lidhur numrat e jashtëzakonshëm protestues – 34, pastaj ka dalë edhe një në 30 Dhjetor 2008 që ka mbetë pa hy në ato lidhje. Pra janë gjithësej 35 numra të jashtëzakonshëm protestues, sipas evidencës që kam ruajtur, po mund të jetë edhe ndonjë më shumë.
Kur janë lidhur në libra nuk janë të renditur krejt sipas datave, prandaj për Arkivin e Kosovës numrat e jashtëzakonshëm protestues të Rilindjes deri në numrin e fundit mirë do ishte të lidhen në libër të renditur si duhet me gjithë kalendarët.
Mirë do ishte që edhe për Bibliotekën Kombëtare të lidhen në një libër numrat e jashtëzakonshëm që ta kenë Rilindjen deri në numrin e fundit.
Poashtu mirë do ishte që numrat e jashtëzakonshëm të lidhen në një libër edhe për atë që do e privatizojë-blejë gazetën tradicionale të Kosovës, që t’i ketë në arkivin e vet dhe nga ata të vijojë traditën – aty ku kishte mbetur Rilindja të shkojë më tej…
Numra të jashtëzakonshëm ka shumë ekzemplarë dhe ata që teprojnë besoj mund t’i marrin të interesuarit – bibliotekat apo personat që duan t’i ruajnë në bibliotekat e veta (numrat e jashtëzakonshëm protestues që nuk shiteshin i merrja dhe i ruaja që mos të dërgohen në Fabrikën e letrës e në mbeturina sepse janë shumë të rëndësishëm – historia më e re e Kosovës).
Të lidhur janë në një libër edhe gazeta “Bujku” e verës 1991 dhe një liber i gazetës Rilindja i viteve të mëherëshme, që është marrë nga bunkeri-podrumi për t’u terur – kishte rënë në betonin me lagështi.
Të palidhura janë numra të gazetës Rilindja që e nxirrnim në Prishtinë të Shkurtit-Marsit 1999 deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s në 24 Mars. Gjatë kësaj kohe për të mos e lënë Kosovën në terr informativ në kohë lufte gazetën Rilindja e nxirrnim përditë duke punuar nëpër shtëpia e duke e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, pasi në fund të Dhjetorit 1998 regjimi okupues serb e ndaloi gazetën e rezistencës “Bujku” që dilte nga 18 Janari 1991, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Në kontenjer ka edhe gazeta komplet të muajve të viteve të ndryshme të mëparshme – të lidhura me spagë, që ishin në zyrat e shërbimit të maketingut-reklamave, e që janë shumë të rëndëishme për protësimin e mungesave të mundëshme në Arkivin e Kosovës e në Bibliotekën Kombëtare. Një mungesë e madhe në Arkivin e Kosovës është mungesa numrave të gazetës “Bujku” të ditëve të Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur të 26-30 Shtatorit 19991.
DATAT – RENDITJA E NUMRAVE PROTESTUES TE GAZETES RILINDJA – GJITHESEJ 35
Viti 2002: datat 5 Mars, 17 prill, 10 maj, 12 qershor, 27 tetor, 4 nëntor, 28 nëntor, 30 dhjetor; Viti 2003 – data 31 dhjetor; Viti 2004 – datat 19 mars, 12 qershor, 18 tetor, 23 tetor, 25 tetor, 4 nëntor, 4 dhjetor, 31 dhjetor: Viti 2005 – datat 12 shkurt (ka brenda edhe numrin e 31 dhjetorit 2004 – që ishte poashtu për 60-vjetorin dhe ishte me më shumë faqe), 9 mars, 28 mars, 4 prill, 11 prill, 18 prill, 25 prill, 3 maj, 10 maj, 17 maj, 24 maj, 13 qershor, 31 dhjetor; Viti 2006 – datat 27 janar, 31 dhjetor; Viti 2007 – data 30 dhjetor; Viti 2008 – datat 22 shkurt, 30 dhjetor. Gjithesaj 35: 8+1+8+13-2+1+2.
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka pasur edhe një ridalje simbolike-protestuese pas 10 vitesh – në 31 Dhjetor 2018, botim digjital.
PARALAJMËROHET PËR 2 KORRIK: AShAK-u hap ekspozitën me portretet e shqiptarëve të famshëm ndër shekuj
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të hapë nesër (2 korrik 2019) në ora 19:00 në Muzeun e Kosovës ekspozitën “Figurat kombëtare dhe familjet e njohura shqiptare në veprat e artistëve evropian”, të autorit Eqrem Zenelaj.
Ekspozita organizohet edhe me rastin e shënimit të 2 korrikut, (Deklarata Kushtetuese, 2 korrik 1990).
Përmes kësaj ekspozite autori Zenelaj sjellë 139 portrete -gravura e dokumente të figurave kombëtare shqiptare me përmasa ndërkombëtare nga Skënderbeu, Gjergj Dhimitër Basta, Papë Shqiptar Albani, Dinastia shqiptare në Moldavi e Rumuni, Gjika deri tek gjeniu i hekurudhave, Karl Gasper Gega, e Mehmet Aliu i Egjipt.
Pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe portretet e Ali Pashë Tepelenës, Ismail Qenalit dhe pjesëtarëve të familjes, etj.
“Ekspozita mbahet për dy ngjarje: Dy korrikut 1990, Deklaratës Kushtetuese dhe me rastin e pensionimit të Kryeshefit të Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Rame Manaj”, ka thënë Zenelaj. (KALLXO )
- Per me shume fotografi shikoni ne Facebook Gazeta Dielli