Bujar Leskaj/
Si sot, 31 vite më parë në Shkodër, u vranë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë katër Pishtarë të Demokracisë dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë, të cilët protestonin paqësisht kundër grabitjes së votës së lirë dhe dhunimit të zgjedhjeve të 31 marsit nga partia- shtet.Firmëtari, themeluesi, anëtari i kryesisë së PD, studenti me bindje të hershme liberale, demokrati aktiv që nga takimi me Ramiz Alinë e deri tek organizimi i PD në Shkodër, i dashuri dhe i shtrenjti Arben Broci; të rinjtë veprimtarë të PD: Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u vranë pabesisht, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë diktaturës se koha e saj kishte përfunduar njëherë e mirë dhe shqiptarët kishin zgjedhur Lirinë, Demokracinë, Prosperitetin dhe Europën! 2 prilli 1991 dëshmon se shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë Lirinë me çdo çmim, duke iu kundërvënë tiranisë!Heronjtë e 2 prillit nuk janë vetëm heronjtë e Shkodrës, djepit të qëndresës antikomuniste dhe demokracisë! Ata janë heronjtë e gjithë Shqipërisë! Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e Arben Brocit dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit demokratik, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar!31 vite më pas, emrat e 4 martirëve të 2 prillit, thërrasin në ndërgjegjen tonë për të na thënë se e keqja ende nuk është mposhtur!Martirët e votës së lirë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka me aktin e tyre sublim, me jetën e dhënë për t’u bërë të pavdekshëm, na ftojnë të bëjmë gjithçka për përmbysjen e këtij sekti, të ngritur mbi diktaturën e drogës, krimit, korrupsionit, vjedhjes së vullnetit e votës së lirë të shqiptarëve.Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!