
Ismer Mjeku/
2 Prilli 1981 ka pasur gjithmonë një domethënie të veçantë jo vetem për mua por për shumë në Kosovë.
Demonstratat e vitit 1981 padyshim janë fillimi i nji procesi që çoi në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe nuk u ndal deri në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Pas protestave studentore të 11 dhe 26 marsit, demonstrata e 1 prillit në Prishtinë ishte demonstrata me e madhe qe kisha parë ndonjiherë e cila u shpernda nga forca të mëdha policore në orët e vona të mbrëmjes. Me 2 prill mu para menses së studenteve isha një nga të plagosurit e parë nga nji polic i cili qëllonte nga kiosku i Rilindjes përballë mensës së studentëve. Disa demonstrues më ndihmuan deri në parkingun salles sportive 1 tetori e pastaj studentët e mjekësisë më dhanë ndihmën e parë, por meqë e kisha plumbin në trup më dërguan menjiherë në spitalin e Prishtinës për operacion. Nuk kisha parë mobilizim aq të madh të personelit mjekësor për të ndihmuar të plagosurit që filluan t’i mbushnin repartet e spitalit të përgjithshëm. Meqë spitali kishte shumë të plagosur mua më vendosën në repartin e syve. Dhoma ku u vendosa pas pak u mbush edhe me të plagosur të tjerë. Njëri ishte Nazmi Maxhuni, punëtor i elektronomisë, i plagosur me plumb në kokë, një tjetër nga fshati Livadicë i komunës së Podujeves edhe ai i plagosur në kokë, pak më vonë e sollën nji student i cili edhe ai ishte plagosur në këmbë afër menzës së studentëve nga shtëpia famëkeqe e Delibashiqëve. Ai ishte Xun Çeta nga Rugova student Fakultetit të Kultures fizike e më vonë erdhi edhe nji polic shqiptar nga Gjakova i plagosur në krahëror.
Respekte për personelin mjekësor të spitalit, drejtoreshën Dr. Sadete Mekuli, Dr. Mehmet Maxhuni, Dr. Avni Mati, motrat Gashire, Sadete, etj…