Nga Frank Shkreli/
Me 1 Tetor, 2004 ka ndërruar jetë Dom Prekë Ndrevashaj, misionari dhe njëri prej udhëheqësve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të mërgatës shqiptare anti-komuniste të pas Luftës së dytë Botërore, në përgjithësi. Pas arratisjes në Itali, Dom Preka shërbeu si misionar për komunitetin shqiptar i përhapur nepër kampet e refugjatëve në Itali, duke ndihmuar shqiptarët e arratisur nga komunizmi, pa dallim feje a krahine, të vendoseshin, eventualisht, në vendet perëndimore, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fillim të 1970-ave, ai vendoset në qytetin e Detroitit, ku edhe themeloi kishën “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, famullinë e parë kishtare për shqiptarët katolikë në atë qytet, kur shërbeu për disa dekada deri në daljen në pension. Përveç se ka shërbyer si prift katolik në Evropë dhe në Amerikë, Dom Prekë Ndrevashaj njihej edhe si njëri prej intelektualëve më të dalluar të kohës së tij në mërgim. Si poet dhe përkthyes i talentuar, Dom Preka ka botuar revistën e drejtuar prej tij në Detroit, “Rreze Shëlbuese” dhe ka bashkëpunuar me gazeta e revista në emigracon, sidomos me revistën e njohur e prestigjoze, “Shëjzat”, të drejtuar nga miku dhe bashkpuntori i tij i ngusht, shkrimtari e poeti i njohur Ernest Koliqi.
Sipas disa burimeve, Dom Preka ka lenë pas një numër dorëshkrimesh, novela dhe përkthimesh fetare. Njëri prej bashkpuntorëve dhe bashkohas i Dom Prekës, studiuesi dhe gjuhëtari Karl Gurakuqi —Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit | Gazeta Telegraf — ka shkruar se At Prekë Ndrevashaj, si bir malesh që ishte, në shkrimet e tija, përdorte fjalë të rralla, që janë thjesht shqipe – gjuhën e pastër të maleve tona. Atje ku “zakonet janë ruejt të paprekuna e gjuha ashtë mbajtun e dlirë’, ndërsa Gurakuqi porosit lexuesit që t’a rilexojnë Dom Prekë Ndrevashajn, sepse do të “vërejnë se sa bukur tingëllon shqipja kur e përdor nji pendë e mësueme”, si Prekë Ndrevashaj.
Dom Preka ishte pra një figurë e njohur, shumë-dimensionale, atdhetar i fortë, poet e shkrimtar, bashkpunues me të gjithë, pa dallim feje a krahine, për të mirën e komunitetit tonë në mërgim, klerik i dalluar i Kishës Katolike shqiptare, megjithse me veprimtari fetare e patriotike jasht Atdheut.
Por për fat të tij ai jetoi për të parë, më në fund, shembjen e komunizmit në Shqipëri, kur ai dhe të tjerë si ai të brezit të tij, kundërshtarë të komunizmit sllavo-aziatik, që ishin të ndaluar të vizitonin vendin e tyre, si kundërshtarë të regjimit komunist sllavo-aziatik. Më në fund, Atdheu i tyre i pranoi të këtheheshin dhe të shmalleshin pas një mungese prej pothuaj gjysëm shekulli në mërgim. Dom Prekë Ndrevashaj, pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, vizitoi shpesh herë vendlindjen, ku sikur të ishte e shkruar — të vdiste në vendin e vet – për të pushuar përgjithmonë në paqe në tokën arbërore. Dom Prekë Ndrevashaj ndërroi jetë në Shkodër me 1 tetor, 2004: Kleriku shqiptar misionar dhe patriot i zjarrtë i Kombit, Prekë Ndrevashaj, bir i familjes së Sokol Ndrevashaj të Shoshit të Dukagjinit, e njohur, në ato anë, për urtësi e trimëri.
Është pra, pikërisht kjo datë që shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të Dom Prekë Ndrevashajt – një ngjarje që famullia e tij, kisha e parë katolike, që ai themeloi dhe udhëhoqi, për disa dekada –“Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, ka vendosur ta kujtojë në nder të tij.
Po e shënoj, paraprakisht, lajmin se Komuniteti i madh katolik shqiptaro-amerikan në Detroit të Shteteve të Bashkuara, tani nën drejtimin e të nderuarit Dom Dino Çekrezi dhe Komisioni për Shënimin e 20-vjetorit të nderuarit Prenk Ndrevashaj”, kanë vendosur të kujtojnë jetën dhe veprën e këtij burri të madh të Kombit me ceremonitë fetare të rastit dhe me një seminar përkujtimor, titulluar: “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Dom Prekë Ndrevashaj”, më 8 Dhjetor, 2024. Sipas organizuesve të këtij përkujtimi solemn, përfshir meshën ceremoniale të “Rekuiem-it”, seminariu në nder të këtij burri të madh të shqiptarizmës, do të mbahet në Qendrën Kulturore, “Shën Nënë Tereza”, të kishës “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”. Programi përmban një numër folësish të dalluar të komunitetit shquotaro-amerikan dhe më gjerë, të cilët e kanë njohur mirë dhe kanë bashkpunuar me Dom Prekën gjatë viteve e dekadave, por edhe personalitete të tjera që, në një mënyrë ose një tjetër, kanë pasur fatin ta njohin atë sa ishte gjallë, do të sjelelin kujtimet e tyre mbi këtë figurë të dalluar të mërgatës anti-komuniste shqiptare.
Në njoftim-ftesën, të përhapur me këtë rast, organizuesit e këtij seminari dhe të ceremonive fetare kushtuar Dom Prekës thuhet se, “ky përkujtim është mënyra jonë modeste, por më e sinqertë, për të lavdëruar Zotin dhe për të përjetësuar kujtimin dhe trashëgiminë e të paharruarit Primus — të parit ndër të parët — Prekë Ndrevashaj…me Zotin, që pa dyshim, e donte dhe e çmonte, thellësisht, duke ju përkushtuar, plotësisht, Atdheut dhe shqiptarëve anembanë botës”.
Ftohen të gjithë shqiptarët, përzemërsisht, dhe pa dallime fetare a krahinore, që të marrin pjesë, të nderojnë dhe të vlerësojnë trashëgiminë dhe jetën e jashtëzakonshme misionare dhe atdhetare të nderuarit Dom Prekë Ndrevashaj. Të këtij misionari katolik, por i dashur nga të gjithë pa dallim, një promovuesi dhe mbrojtsi heroik dhe i palodhur i lirisë fetare, antikomunist, në kohën e veprimtarisë së regjimit më brutal të historisë shqiptare. Diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës ishte nga më mizoret, më të rëndat, më të urryerat dhe më çnjerëzoret, sidomos, kundër klerit katolik, në veçanti, por edhe klerit mysliman e ordodoks shqiptar. Këto akte të turpshme ndaj kundërshtarëve, ishin edhe kundër vëllezërve dhe motrave liridashës të çdo sfere të jetës dhe çdo përkatësie fetare, anë e mbanë trojeve shqiptare, në përgjithësi, thuhet në ftesën drejtuar shqiptarëve të Amerikës dhe më gjërë, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore më 8 dhjetor, 2024, në 20-vjetorin e kalimit në amshim të Dom Prekë Ndrevashaj.
Organizatorët e këtij përkujtimi të denjë për të nderuar Dom Prekë Ndrevashaj ftojnë shqiptarët e Detroit por edhe më gjerë që të marrin pjesë në këtë kujtim – duke premtuar “bukë, krypë e zemër të bardhë”: me falënderime drejtuar Zotit për dhuratën tejet të çmuar të jetës misionare dhe trashëgimisë së Dom Prekë Ndrevashaj, themeluesit të pavdekshëm të kishës dhe komunitetit të parë katolik shqiptaro-amerikan, në shtetin Michigan. Me uratën që në këtë 20-vjetor të kalimit të tij në amshim, Zoti t’ia shpërblejë veprat e tija me jetë të pasosur, por edhe me uratën që Perendia të bekojë dhe të mbrojë gjithmonë Shqipërinë, Kombin shqiptar dhe atdheun tonë të dytë, Amerikën tonë të dashur. Në kujtim të Dom Prekë Ndrevashaj, mbrojtësit dhe strehuesit të shumë refugjatëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Evropë e Australi, në një periudhë të vështirë të historisë kombëtare, kur me mijëra shqiptarë të arratisur nga komunizmi – si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova — kishin mbetur rrugëve të botës, të humbur dhe të padëshiruar, të pa shtet për t’i mbrojtur, pa drejtim dhe pa shpresë për të ardhmen.
Shpresa e të gjithë neve, në atë kohë, ishte tek Dom Prekë Ndrevashaj. Shpresa dhe bindja jonë se ky burrë i Dukagjinit do të gjente zgjidhjen dhe do hapte rrugën për të gjithë ne — për një numër dërmues të shqiptarëve refugjatë anti-komunistë — rrugën e shpëtimit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshir edhe qytetin industrial të Detroit, një komunitet i fortë shqiptaro-amerikan — politikisht dhe ekonomikisht — të cilit i ka shërbyer Dom Prekë Ndrevashaj për shumë vite, me përkushtim e dashuri vëllazërore shqiptare, pa dallim feje as krahine.
Qëllimi, pra i këtij shënimi pararprak në lidhje me përkujtimin e 20-vjetorit (8 Dhjetor, 2024) të shkuarjes në amshim të Dom Prekë Ndrevashajt është që të lajmërohet komuniteti shqiptaro-amerikan, por jo vetëm, se në atë ditë, “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar dhe drejtuar nga Dom Prekë Ndrevashaj dhe komuniteti më i gjërë shqiptaro-amerikan në Detroit me rrethe do të kujtojnë jetën dhe veprën e Dom Prekë Ndrevashaj — misionarit dhe kapelanit të njohur e të dashur për të gjithë shqiptarët pa dallim feje a krahine.
Frank Shkreli
Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar dhe drejtuar nga Dom Prekë Ndrevashaj.
Dom Prekë Ndrevashaj me Nenë Terezen në Kishën Zoja Pajtore Shqiptarëve