• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2014

NJË SHKRIM NË VEND TË LËMOSHËS!?

January 1, 2014 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Një proverb yni popullor thotë: “NUK MJAFTON TË JESH NJERI I MADH PËR TË QENË NJËKOHËSISHT EDHE NJERI!”. Kryepersonazhi a “bashkëbiseduesi” i radhës i kësaj “shkarravine” për gazetë do të jetë shoku im i klasës, NN, i cili sot e gjithë ditën edhe pas pesë dekadash mëton të jetë njeri dhe kurrgjë tjetër!

Të shtunat e të dielat i kam të “rezervuara” për të bërë “pazare për nevojat shtëpiake”. Një të shtune mora udhë për në pazar me listën në xhep dhe, sapo dola nga banesa, hoqa nga ajo listë do gjëra që “shovinizmit tonë mashkullor” nuk u hyjnë në punë e nuk i shkojnë për hesap.  Këtë e bëra me qëllim sa për të mos i lajthitur lexuesit e gjinisë femërore!

Duke hyrë në hapësirat e tregut të gjelbër të kasabasë së Tetovës (ku mund të dëgjosh e të ballafaqohesh me gjithfarë dialektesh, qofshin të vendit a të krahinës, kurse fare pak me fjalë nga gjuha standarde shqipe, aty mund të hasësh njerëz me identitete hermetike, anonime, njerëz që “frymojnë jashtë kolektivitetit”, njerëz që jetojnë dhe mbijetojnë brenda individuales etj.) takova  shokun e klasës të viteve të gjashtëdhjeta, shokun i cili ka shumë kohë që është familjarizuar me atë varfërinë e tij të skajshme materiale. Nuk më shikonte as nga larg e as në distancë, as me inat e as me skepticizëm, thjesht sikur donte t’i përcillte pak dashuri…”indiferencës sonë kokëfortë” dhe kolektive, sikur donte ta zgjonte atë heshtjen e të pandehurit a fajtorit, sikur nuk donte që morali i tij të “kërleshet” me moralin e disa djajve a me atë moralin e bukëshkalëve a bukëharamëve, me moralin e atyre që hiqen për engjëj…, sikur donte  t’i referohej Kiço Blushit, i cili në  një opinion të tij shpjegon moralin e një lavireje ku, pos tjerash, thotë: “Nuk paskësh gjë më të shëmtuar kur prostituta e një katundi del te rrapi që të përbetohet, duke bërtitur deri në kupë të qiellit, bindu, o milet, se… se unë kam mbetur e virgjër”!

Duke më përshëndetur me gjysmë goje, më parashtroi një pyetje lakonike: “Miku im, pa më thuaj se ç’punë bën ti”!? Ia ktheva, bëj përpjekje të ushtroj detyrën e mësuesit të pedagogjisë dhe kohë pas kohe mundohem të “shkarravis ndonjë shkrim a kolumne” për gazeta shqiptare, hiç pa pare? Ai e njeh fare mirë profesionin tim, por ja që, si çdo herë, “muhabetin” e fillon nga fundi. Ma ktheu, a nuk je “hoxhë”? Se më “paragjykoi” këmbë e krye isha i ndërgjegjshëm, por ama se më “identifikoi” me klerin mysliman, nuk ma “kapi fiqiri”, dhe mbase u detyrova t’i kërkoj një shpjegim shtesë se pse erdhi në këtë përfundim paksa të “mbrapsht”. Po, më tha, me atë mantel të gjatë e të zi më dukesh si hoxhë fshati. Duke mbetur i “shastisur”, po mbase edhe gojëhapur, gjeta forcën t’i them ç’të duhet hoxha!? Se pse i duhej mikut tim një titullar mysliman, do ta parafrazoj në paragrafin e fundit të këtij shkrimi.

Mikun a shokun e klasës (bukën e gojës e siguron duke mbledhur a grumbulluar kanoçe dhe shishe të hedhura në mbeturina) sa herë që ta takosh, aq herë të  trazohen edhe ato pak emocione që të kanë mbetur…, është një njeri që hiç fare nuk i intereson “ndjesia komode e bashkëqytetarëve a edhe bashkëmoshatarëve” të tij dhe, kështu siç duket, të krijon përshtypjen se i ka tejkaluar, po edhe i ka lënë pas të gjitha paragjykimet, ka përjashtuar të gjitha emocionet si dhe atë ndjesinë e të qenit i varfër…, një “varfëri” që e ka më afër hundës, syve, gojës dhe shumë larg mendjes së tij… dhe për këtë nuk synon që të jetojë me dy standarde, nuk lejon që t’i japësh lëmoshë dhe, po bëre t’i japësh një lek, ta kthen paksa i rebeluar dhe i inatosur me fjalët: jepja atij që është më skamnor se unë!…, kurse unë, sa di e sa mbaj mend, më të varfër se ai në kasabanë e Tetovës zor se mund të gjesh një të tillë si ai. Unë dhe ca të tjerë që ia njohim nga afër psikologjinë dhe karakterin, po edhe “vendbanimin e tij të paqëndrueshëm”, nuk dimë se çka mund t’i shtojmë dinjitetit të tij. Ai nuk lejon që të solidarizohesh me varfërinë e tij të skajshme, ai prej askujt nuk kërkon kujdes paksa më tjetërfare. Ai nuk na paragjykon, po as që do të thotë se kujdesi ynë ndaj tij na qenkësh kushedi se çfarë, ai është i ndërgjegjshëm se ky kujdes yni ndaj tij është si ajo tërkuza e trashë brenda në thes. Atij nuk i dhimbset vetvetja, nuk i dhimbset retrospektiva e tij, përkundrazi  i dhimbset burrëria dhe morali ynë i dyfishtë…, atij i pengojnë ecejaket tona të përditshme, të bezdisshme, atij i pengojnë padrejtësitë tona të neveritshme…, ai e di fare mirë se rrugëtimet tona “s’janë as për dynja e as për ahiret”, as për familje e kalamaj, as për…!?

Ai nuk “trishtohet”  nga varfëria, sepse atë e përqafon ditë për ditë, e ka për xhan dhe për zemër…, nuk trishtohet sepse nuk ka zemër të trishtuar…, sepse në gjeografinë e tij morale nuk ka vend për një gjë të tillë…, ajo varfëri e ka për kryefjalë a kryeshtyllë pastërtinë e moralit të tij.

Për ju, të nderuar lexues të paanshëm, tani më duhet ta parafrazoj meselenë e hoxhës. Sipas mikut tim, ky hoxhë, në këtë kohë të pa kohë, në këtë katrahurë a rrëmujë tonin kolektive, në këtë hapësirë ku jetojnë a mbijetojnë njerëz që u ka “ikur fiqiri”, gjithsesi se me “takatin e tij mental” ndofta do t’ua këndonte a lexonte një dua, do t’ua  bekonte ujin që e pini…, mbase edhe do t’ua bënte haram bukën e fukarenjve që e hanë dhe, së fundi, ndoshta edhe do t’i mallkonte!??

Për ta përfunduar këtë shkrim kushtuar shokut të klasës a mikut që është i memorizuar në gjykimin tim, do t’i referohem një “kredoje të bindjeve të Ismet Totos, shkrimtarit, publicistit dhe revolucionarit shqiptar, i cili në prag të ekzekutimit (me varje në litar në vitin 1937, pas dështimit të  lëvizjes antizogiste të Delvinës), kishte shkruar letrën tronditëse me nëntitull De profundis: BOTA NUK ËSHTË E ATYRE QË NGROHEN. BOTA ËSHTË E ATYRE QË DIGJEN”! Kjo Botë e fukaranjëve që sot “digjet pamëshirshëm”!?… i takon shokut të klasës sime të para pesë dekadave.., siç ky shkrim i dedikohet njeriut që nuk kërkon lëmoshë!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fadil Lushi, lemoshe

HASAN PRISHTINA E KA VENDIN MBI KALANË E SHKUPIT

January 1, 2014 by dgreca

 Shkruan: Prof.Dr.Vebi Xhemaili/

Hasani u lind në vitin 1878 në qytetin e Vushtrrisë (Vuçitërnë) Gjyshi i tij, Ali Berisha. Deri në vitin 1908 ai njihej me mbiemrin ’’Polaci’’, dhe Vuçitërni, ndërsa pas atij viti, zgjidhet deputet i Prishtinës, që atëherë, njihet me mbiemrin ’’Prishtina ’’. Ka mendime që Hasan Prishtina deri në vitin 1908 është quajtur Berisha.[1] E ëma ishte një bijë nga Drenica. Ahmeti kishte dy djem: Hasanin dhe Ymerin. As i pari, as i dyti nuk lanë trashëgimtarë, Hasan Prishtina kohën e vrasjes, jetonte në Selanik vetëm me nënën.[2]

Lëvizja kombëtare e popullit shqiptar mori dimensione të gjera dhe formë të organizuar  nga mesi i vitit 1908, kur u lidh fuqishëm me Lëvizjen Xhonturke. Fakti se Nijazi beu një ndër udhëheqësit kryesor të revolucionit të Turqve të rinj ishte shqiptar, falë autoritetit të tij shumë shqiptarë kanë marrë pjesë në këtë lëvizje e cila më vonë u shëndrua në revolucion të armatosur. Në këtë kohë gati tërë Lëvizja kombëtare shqiptare ishte afruar dhe ndihmonte me të gjitha format Lëvizjen xhonturke, duke shpresuar se pas ardhjes së tyre në pushtet do të largohej rreziku i agresionit të jashtëm për tokat shqiptare. Në këtë kohë Lëvizja kombëtare ishte e bindur se populli shqiptar  do të fitoj autonominë në kuadër të Perandorisë Osmane. Prandaj shqiptarët në lëvizjen xhonturke u inkuadruan me tërë forcat veta dhe ishin faktor me rëndësi në këtë revolucion.

 KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS NË PARLAMENT

Pas shpalljes së kushtetutës, në vjeshtë të atij viti, turqit e rinj bënë zgjedhjet parlamentare. Hasan Prishtina u zgjodh deputet në Prishtinë. Gjithsej u zgjodhën 27 deputetë shqiptarë nga të katër vilajetet, por mjerisht, vetëm katër prej tyre u aktivizuan seriozisht për çështjen kombëtare shqiptare: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Shahin Kolonja dhe Hasan Prishtina, këta u angazhuan deri në fund në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.[3] Të tjerët i mbyti fanatizmi, assesi të çliroheshin nga osmanizmi.  Hasan Prishtina deklaronte :”qëllimi i vetëm i Lëvizjes sonë Kombëtare Shqiptare është me sigurue shpëtimin e kombësisë sonë…dhe me shpëtue Shqipninë nga fatkeqsinat e mjerimit qi ka heq dorë sot.[4]

Oratoria e mbrehtë, temperamenti i tij në parlamentin turk tregojnë se ky ishte i përgatitur dhe i gatuar me frymën kombëtare, liridashës i popullit të tij. Ky burë i palodhshëm në parlamentin turk, duke luftuar si burrat për lirinë dhe kulturën e popullit të vetë pati plot sfida në jetën e përditshme, por gjithmonë ishte kryelartë, pasi pranë vetes pati edhe në momentet më të vështira, më kritike të shoqen Iballën deri në vdekjen  e saj. Hasan Prishtina Kaloi një jetë të rëndë të  mundimshme me plot sakrifica. Gjatë kohë ishte i përndjekur, i burgosur, i mërguar, i dënuar në mungesë me vdekje mbi 12 vjet, si nga qeveria xhonturke, jugosllave, poashtu edhe nga qeveria e Ahmet Zogut. Hasan Prishtina kurë nuk ka pasur frikë nga kanosjet, përfshirë këtu edhe jetën. Ky ishte i mëshiruar me luftën e popullit shqiptar për liri demokraci e pavarësi, ai ishte i përgatitur për lutë si me pendë poashtu edhe për armë.

KONTRIBUTI I HASAN PRISHTINËS PËR SHKOLLAT SHQIPE     

Pas shpalljes së Kushtetutës në vitin 1908, qeveria u detyrua, në fillim, t’i lejojë shqiptarët të hapin disa shkolla në gjuhën shqipe, të krijojnë klube, të shtypin gazeta në qendrat kryesore të vilajeteve. Hasani u përpoq në maksimum që të hapen sa më shumë shkolla e klube shqiptare në Kosovë, ku bënte pjesë edhe Shkupi. Ai dha një kontribut të madh për organizimin e kongreseve, si atë të Manastirit më 1908, për krijimin e alfabetit me orientim latin, që kundërshtohej nga qeveria osmane, të cilës i parapëlqente vetëm alfabeti arab. Për themelimin shkollave shqipe kombëtare në Kosovë (Shqipëria Lindore), ndihmesë të madhe ofroi  Klubi shqiptar i Shkupit i themeluar me iniciativën e Hasan Prishtinës në vitin 1908.[5]

Ndërsa vetë, Hasan Berisha (Prishtina), ishte një ndër anëtarët më autoritativ të Klubit Shqiptar Qendror “Bashkimi”, të Stambollit, ku Hasan Prishtina luante rolin e organizatës qendrore për Shqipërinë. Ai përfaqësonte Vilajetin e Kosovës, ndërsa detyra parësore e këtij klubi ishte  të punonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare për arsim kombëtar shqiptar.[6]

Me këmbënguljen e Hasan Prishtinës, në gjimnazin e Shkupit u fut edhe gjuha shqipe si gjuhë më vete, me profesorë Bedri Pejanin e Sali Gjyka. I pari ishte edhe mësues dhe mbante edhe postin e drejtorit të Idadies, ndërsa Sali Gjuka ishte mësues dhe njëherrit edhe drejtor i Normales së Shkupit. Por politika xhonturke i largoi nga procesi mësimor si të papërshtatshëm për politikën që ushtronin xhonturqit, Hasan Prishtina protestoi ashpër për largimin  e mësuesve shqiptar nga procesi mësimor. Hasan Prishtina në këtë kohë ishte plot vizion për çlirimin e kombit, prandaj ai insistonte  “Në zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare e cila do të krijonte kushte për çlirimin  Shqipërisë Etnike. Hasan Prishtina i indinjuar thellë në vendimet e padrejta antishqiptare të ministrisë të Arsimit të Qeverisë turke. Ky me një letër fton të gjithë nëpunësit shqiptarë të Anadollit që me nga një rogë të ndihmojnë shoqërinë “Përparimi”, për shkollën Normale. Poashtu këtë veprimtari kombëtare për shkollën shqipe të Hasan Prishtinës, shkruan edhe Faik Konica në gazetën “Flamuri”.[7]

Hasan Prishtina ishte kolos i shkollës shqipe për arsim kombëtar. Ai filloi programin e kongresit të Elbasanit ta jetësonte në praktikë. Ky në kazanë e Gjilanit vendosi të hapë tri shkolla shqipe, me mjetet e veta. Një e kishte hapur që më parë në vendlindje, në Vushtri dhe një tjetër në Polacë të Drenicës.[8] Këtë aktivitet kombëtar hasni e vazhdoi duke hapur shkolla të reja një në Moravë dhe një në Gjilan dhe një në Pozharan.[9]

Hasan Prishtina arsimin kombëtar e konsideronte si detyrë të shenjtë të çdo shqiptari. Prandaj shpesh deklaronte:” pa arsimin kombëtar një komb si ky i yni mund të shkrihet”. Prandaj Hasan Prishtina u zotua të japë 5% nga të gjitha të ardhurat që ka në vit.[10] Me këto të holla që ky atdhetar i kishte ndarë për arsimim kombëtar nuk ishte i vogël, me këto mjete ai mund të mbante nja dhjetë shkolla shqipe në Kosovë dhe ti shkollonte në Normalen e Elbasanit më se 60 nxënës nga Shqipëria Lindore.[11] Ndihmat e mbledhura dhe paratë që shtiu vetë për normalen, e kaluan shifrën e 50 mijë lirave turke. Poashtu këtë kontribut të Hasan Prishtinës për shkollat dhe nxënësit shqiptarë e konfirmon edhe gazeta “Lirija” e Selanikut.[12]

Por për fat të keq të kërkesave të Hasan Prishtinës dhe patriotëve tjerë pushteti xhonturk në vitin 1910 e mbylli shkollën Normale të Elbasanit. Mbyllja  e shkollave shqipe ishte zbatuar sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit ku thuhej: “Qeveria dha urdhër të mbyllen mësimoret në Shqipëri, për shkakun, se në këta u mësimi u epet me shkronja latine dhe pse mësuakan myslimanët shqiptarë të premten. Në këto rrethana ku sipas qeverisë turke ishin antikushtetuese  u ndalua aktiviteti kulturor dhe u mbyll shkolla Normale e Elbasanit.[13] I pari ndër të parët që reagoi ashpër nga shqiptarët ishte Hasan Prishtina, i cili në parlament tha “të mos të ndalohet të hapurit e shkollave shqipe.[14] Pas këtyre protestave të deputetëve shqiptarë ministria e arsimit dha urdhër që të rihapen përsëri shkollat shqipe në katër vilajete. Për këtë u gëzuam shumë.[15] Normalja e Elbasanit u rihap përsëri më në vitin 1912.[16] Rihapja e shkollave shqipe, e klubeve shqiptare dhe e Normales së Elbasanit, shënon fitoren e fundit të luftës së gjatë legale diplomatike të Hasan Prishtinës në Parlamentin e turk. Por një herrit edhe fillimin e Kryengritjes të Shqipërisë Verilindore i cili ishte vetë udhëheqës.[17]

Hasan Prishtina për shkak  të veprimtarisë patriotike nuk gjente rehati në asnjë vend evropian, ai tani më ndiqej edhe nga qeveria austriake, e cila i kishte përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në këtë kohë edhe Zogu pas forcimit të tij në pushtet, kërkonte nga shtetet fqinje që Hasan Prishtia të dëbohet nga vendet e tyre. Ky atdhetar i palodhshëm për bashkim kombëtar, kur e pa se iu ngushtua rrethi i veprimit në Shqipëri, vendosi të strehohet në Francë, por ishte larg vendlindjes. Ky për të qenë më afër rrethanave politike që në këtë kohë e kishte kapluar Kosovën u vendos në Selanik. Por edhe këtu ishte gjithmonë në vëzhgim të spiunazhit jugosllavo-zogist.

Më në fund pas katër atentateve të organizuara kundër tij, Hasan Prishtina u vra tradhtisht më 14 gusht 1933 në Selanik nga një doras i paguar nga Amet Zogu Ibrahim Qelo.[18]  U vra në shërbim të atdheut të tij, në luftën e pa epur për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në një shtet të pavarur, të lirë dhe të bashkuar. Vrasja tradhtare e tij kishte lidhje sekrete edhe me qeverinë jugosllave, sepse ajo kishte frikë nga shkëputja e Shqipërisë Lindore.[19]

Vdekja e Hasan Prishtinës është një humbje e madhe për popullin dhe kombin shqiptar, siç shprehet Sami Frashëri, “Njeriun e bëjnë të pavdekshëm veprat e tij”.[20]  Veprat e Hasan Prishtinës janë të përjetshme, do të jenë përherë shembull frymëzimi për gjeneratat e reja për të sakrifikuar veten, në luftë për liri e bashkim kombëtar. Prandaj Hasan Prishtina është meritor të qëndroj mbi kalanë e  Shkupit, pasi ky kolos shqiptarë për këtë është meritor. I dha Shkupit më shumë se çdo shqiptarë tjetër deri më sot. Ndërsa tjerët që janë propozuar andej lumit Vardar, kurrë se kanë parë Shkupin, e për vepra të tyre në Shkup, mos të flasim, pasi e dinin se Shkupi gjithmonë ka qenë kryeqendra e shqiptarëve dhe u takon shqiptarëve.

Prandaj shatorrja Hasan Prishtinës duhet të shkëlqejë mbi kalanë e Shkupit, në një lartësi mbi 100 metra, që vepra e tij atdhetare gjithmonë të shkëlqejë mbi Shkupin, pasi flijoi çdo gjë për Shkupin dhe Shqipërinë Lindore. Me Krerët e Lëvizjes Kombëtare për shkaqe të jashtëzakonshme e pranuan autonominë në Shkup. Pasi në tetor filloi lufta,  pavarësia u shpall në Vlorë, nga dora e  Ismail Qemalit, sipas marrëveshjes paraprake me Hasan Prishtinën.

Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin përparimin, avancimin e arsimit kombëtar që shkriu tërë pasurinë e tij që kishte në Vushtri,  Prishtinë, Shkup, Selanik, Stamboll e gjithkund.[21] Hasan Prishtina me veprimtarinë e tij do të jetë gjithmonë model frymëzimi për brezat e rij, u vra nga dora e tradhtarit, edhe pse  shkriu tërë pasurinë e tij për bashkimin kombëtar. Ky u vra pse luftoi për zhvillimin  arsimit kombëtar dhe çlirimin e Shqipërisë Verilindore nga sunduesit serbo-sllav, në luftë për bashkimin e saj me shtetin amë.

Prandaj ky burrë i madh i kombit, nuk krahasohet; as me të birin e Ahmet Delisë, as me figurën e Qemal Agollit, por as me Adem Jasharin i cili luftoi për Kosovën. Vetëm Hasan Prishtina luftoi në Shkup, për Shkupin dhe Shqipërisë Etnike.

 



[1] Familja Prishtina  ka prejardhje nga fshati Polac i Drenicës, ndërsa kjo familje në Vuçitërnë erdhi nga Mikushnica, fshat afër Galicës dhe Lubovecit, të grup fshatrave të qytetit të Dubovcit.

[2] Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek për vrasjen e Hasan Prishtinës, “Rilinda”, më 12.X.1985.

[3] Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1994, f. 130.

[4] AQSH-Tiranë, F.418, Dos, 8, f. 9.

[5] Gazeta “Fjala”, Prishtinë 1969, f.16-17.

[6] Gazeta “Beogradske novine”, 28.VIII.2008.

[7] “Flamuri”, Boston 10, III, 1910, Tahir Abdyli…, vep. e cit.  f. 79.

[8] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. f.300.

[9] Po aty.

[10] “Bashkimi i Kombit”, nr. 13,  Manastir, më 3 dhjetor 1909.

[11] Tahir Abdyli, vep. e cit. f.69.

[12] “Lirija”, e Selanik, nr. 73,  më 30 janar 1910.

[13] “Shqipeja e Shqipnisë”, nr.7, më 27 nëntor dhe nr.8, më dhjetor 1910.

[14] “Shkreptima”, nr.11, kajro, më 11(24), XII.1910.

[15] AQSH-Tiranë,  Fond. 37, dos, 7, f. 20.

[16] Gazet “Shkupi”, nr.33,  1(14), prill 1912.

[17] S.Kulçe, Osmanli tarihide, Izmir 1944, f. 412-440.

[18] Ajet Haxhiu, v. e cit. f. 10; Hasan Prishtina u vra ditën e diel në ora 14 pas dite  në rrugën Simski. Në varrimin e tij morën pjesë shumë shqiptarë, shumica ishin emigrantë shqiptarë, që kishin ikur nga regjimi i Ahmet Zogut. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Ky mjerisht pas vete nuk la asnjë trashëgimtar

[19] Gjerësisht Shkëlzen Raça, Disa të dhëna të shtypit grek. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina vep. e cit. f. 367.

[20] Sami Frashëri, Vepra, Prishtinë 1978, f. 15.

[21] Tahir Abdyli, vep. e cit. f. 241.

Filed Under: Featured Tagged With: Hasan Prishtina, Vebi Xhemali

MIRËMËNGJEZ, AMERIKË!

January 1, 2014 by dgreca

Nga Ramiz  LUSHAJ /

1.

Në atë perëndim rrugëtim të përjetshëm e të përditshëm të Diellit hyjnor, në gjysmë-pjesën tjetër të hemisferës së Globit tokësor, midis kaltërsisë të dy oqeaneve: Atlantik e Paqësor, në hartën gjeopolitike të Botës shtrihet kontinenti i ri i Amerikës (së Veriut dhe të Jugut) me një hapësirë gjeografike prej 42 milionë km2 – pothuaj sa Azia apo katër herë më i madh se Europa, përndryshe: gati sa një e treta e sipërfaqës tokësore të Planetit tonë. Kjo hemisferë perëndimore ka edhe një emër tjetër: “Hemisfera Amerikane”, e cila thuhet se u zbulua vonë, shumë vonë, në vitin 1492 nga detari famëmadh Kristofor Kolombi dhe, eci shpejt, shumë shpejt, veçanërisht nga epoka lavdiplote e XhorxhWashingtonit deri tek kjo e sotmja e Barak Obamës..

Para pesë shekujsh u cilësua “Bota e Re”, pa e ditur se do të vinte një kohë e artë që do t’i rinonte edhe të mplakurat kontinente të “Hemisferës Lindore”: Europë-Azi-Afrikë.

2.

Amerika është larg, shumë larg, në atë rrugëperëndim të Diellit e, për ne Shqiptarët, ky
fakt gjeo-historik përbën një fat të madh, tepër të madh.

Mendoni sa fatalitet do të ishte sikur Dielli të perëndonte në Beograd, Moskë… apo Athinë. Eh! Ah! Në të nesërmen e ditës tjetër do të na e kishin ndalë rrezatimin e tij. Oh! Nuk do ta linin të rrezatonte mbi Shqipëri e Shqiptari, në trojet tona etnike në Ballkan. Kjo për faktin e fatin e keq se deri këtu ka arritë gjatë shekujve caku i pacak i armiqësisë shovene të këtyre shteteve ndaj Nesh – ndaj popullit tonë pellazgo-iliro-dardan-arbnor me etnosin nga më të lashtët në Europë e në Botë.

Ndryshe, krejt ndryshe, ka ndodhur me Amerikën, me të Bekuaren Shtete të Bashkuara të Amerikës, që, jo vetëm nuk e kanë menduar ndonjëherë të na e ndalin Diellin e Galaktikës tonë, por historikisht na i kanë lëshuar edhe rrezet e Diellit të Vet si shteti më i fuqishëm e më demokratik i Botës.

Kjo ka ndodhur mrekullisht që nga 4 korriku 1776 kur Amerika nisi të bëhej Amerikë e deri më sot, në këtë Mijëvjeçarin e Tretë, kur Amerika u bë Amerikë, që kur Presidenti Amerikan Willson mbrojti interesat kombëtare shqiptare më 1919 e deri tek Presidenti Amerikan Klinton që i dha lirinë Kosovës më 1999, nga Presidenti Amerikan Linkoln që foli me 1853 për një ardhmëri të veçantë të Shqiptarëve në Ballkan e deri tek Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush, që më 10 qershor 2007 bëri një vizitë historike në Shqipëri.

3.

Kontineti i ri Amerikan nga Poli i Veriut në atë të Jugut është madhështor, jo vetëm për shtrirjen e tij në gjysmën e Globit, për pozicionin gjeopolitik e strategjik në Botë, për laryshinë e klimave dhe të florës e faunës, për pasuritë e shumta mbi e nëntokësore, për praninë e njerëzve nga çdo vend i Planetit, për llojshmërinë e praninë e harmoninë e feve të ndryshme, për arritjet në shkencë e kulturë, për potencialin ekonomik e fuqinë ushtarake, por edhe për një fakt tjetër mbinatyror; i ka në hartën e tij edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është një e vërtetë kaq e madhe saqë kur ne themi Amerika kemi nënkuptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur themi SHBA kemi nënkuptuar Amerikën.

Tokën dhe njerëzit i ka pasë në jetë e mote kontinenti Amerikan, por emrin e fuqinë, historinë në rritje e madhështinë në ecje, ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontinent i madh Amerikan, nga Veriu në Jug, nuk ka qënë dhe as nuk është koloni e SHBA, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë dhe mbeten kolona vertebrare më e fuqishme e tij.

Hemisfera Amerikane me gjigandin e saj SHBA i krijoi Globit drejtpëshimin fizik, politik, ushtarak, diplomatik, kulturor, ekonomik; i dha Botës lartësi të reja të zhvillimit demokratik e shoqëror; i solli njerëzimit një tjetër frymëmarrje morale e materiale.

Kontinenti i ri Amerikan, veçanërisht e kryesisht SHBA, u shfaq papritur në hapësirat e Globit dhe vitale e sfidante në rrjedhat e kohës, që kësaj Bote të mos i shterronin mundësitë e shanset, të mos i vyshkeshin energjitë e interesat dhe të mos i ndryshkeshin idealet e shpresat.

4.

Europianët rendën me revansh të shfrenuar drejt Amerikës së panjohur duke u sjellë atje me përvojën e vjetër të kolonizimit pa e mirëditur se në të nesërmën e afërt të historisë do të ishin pikërisht europianët që do t’i dhuronin Amerikës të famshmen Statujë e Lirisë dhe amerikanët do t’i dhuronin Europës Pallatin e Drejtësisë Paqësore në Hollandë – të njohur tashmë me emrin: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Europianët rendën të etur drejt Amerikës – kësaj “Toke të Re” për të marrë flori të çmuar e çuan skllevër të robëuar pa e mirëditur se më vonë do të vinin në këtë kontinent, në “Planetin Amerikë” të sfidave historike për të ngjitur shkallët e Pallatit të Qelqtë të OKB-së në Nju York për t’iu dhënë rrugëzgjidhje problemeve të tyre të Globit, do të vinin për të trokitur për fonde për vendet e tyre në dyert e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të vinin për të ngjitur shkallët e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Europianët rendën të pandalur drejt Amerikës si kolonizatorë me shans e me shkop pa e mirëditur se më 4 korrik 1776 nga Filadelfia historike me të madhërishmen “Deklarata e Pavarësisë” do të rrezatonte “Revolucioni Amerikan”, që do të frymëzonte kudo popujt në luftëra kundër sundimit të tyre kolonial nga përtej Atlantikut e Paqësorit e deri përtej Mesdheut.

5.

Deshti Zoti dhe e mbajti të “fshehur” Amerikën e panjohur mbi Tokë, që ta zbulonte më vonë si befasi, ta ndërtonte si mrekulli dhe ta përballte me të ardhmen si sfidë të madhështisë së magjishme të tokës e të brezave.

Mbi të gjitha SHBA është superfuqi e Globit për idealet e saj demokratike, për angazhimet e suksesshme në Botë, për arritjet në të gjitha fushat më kryesore të shkencës, kultures e ekonomisë, për forcën ushtarake vitale e të padiskutueshme.

Prandaj Xhorxh W. Bush në fjalimin e tij të parë inaugural si President i 43-të i SHBA deklaroi:“Para të gjitha kombeve ne do të flasim për vlerat që na dha kombi që na rriti” dhe “Nëse vendi ynë nuk udhëheq kauzën e Lirisë, ai nuk do të udhëhiqet”.

6.

Për madhështinë e SHBA renditen shpjegime nga më të ndryshmet, ka analiza evidente nga më të shumtat dhe hulumtimet mbeten gjithënjë të hapura, por mbi gjithcka kjo madhështi më duket se është më shumë se njerëzore dhe më tepër se hyjnore.

Zoti e krijoi së parit Tokën dhe më pas Njeriun për ta transformuar e lartësuar Galaktikën tonë nga fundi i oqeaneve tek yjet e planetet; së dyti, Jezu Krishtin, Profet Muhametin… për t’i ekuilibruar e emancipuar njerëzit e kohërat dhe, së treti; Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i avancuar e përparuar Tokën, Kohën, Njeriun dhe Ardhmërinë e tyre.

7.

Xhon Smith, themeluesi i kolonisë së Virxhinias (1607), më e para koloni angleze e qëndrueshme e SHBA, për aktin hyjnor të krijimit të Amerikës, ka lënë një thënie monumentale: “Dielli kurrë s’ish marrë vesh aq mirë me Tokën për t’i bërë vend Njeriut për të jetuar”.

8.

E përjavshmja amerikane “Newes Week”, 22 vjet më parë, në një apel drejtuar Popullit Amerikan, profetizonte: “Qënien e Amerikës supërfuqi e ka përcaktuar Historia dhe nuk është pasojë e veprimeve që ka ndërmarrë Ajo”.

9.

Amerika është Kudo, pavarësisht se jo kudo është Amerikë, veçse Amerika nuk mund të imitohet realisht, por vetëm të vlerësohet botërisht.

Amerika është Amerikë, ndaj si e tillë duhet parë, ndjerë e kuptuar, për më tepër, është një vend që udhëheq dhe udhëhiqet. Eksporti më i madh nuk është vlera monetare e dollarit, as tregtia e mallrave të ndryshme, por Liria.

Amerika bëri Luftën, Paqen në Kosovë, i dha Pavarësinë e merituar, jo sepse ka interesa të veçanta strategjike, por se e ka dhe e ndjenë përgjegjësinë kolektive si vendi më i madh dhe më i lirë i Botës, sepse udhëheq duke u udhëhequr nga vlerat e larta të Lirisë, Demokracisë, Drejtësisë e Barazisë.

Në rast se Kosova nuk e fitonte Pavarësinë duhet kuptuar edhe kjo: Presidenti Bush e humbte Amerikën dhe, përndryshe: Amerika do humbte shumë, më shumë nga ç’mendohet e pritej, lidhur me rolin e saj udhëheqës në Botën e sotme. Kjo mund të ngjasë edhe nëse Shqipëria Natyrale do të mbetet e copëtuar në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (FYROM), Mali i Zi, Serbi e Greqi, nëse Tirana e Prishtina, Plavë-Gucia e Presheva, Mitrovica e Çamëria, Shkupi e Podgorica … nuk do të jenë një komb i vetëm shqiptar. Në jetë e mote historisë shqiptare të hershme e të nesërme do i jehojnë thirrja devizë: “Nanë Shqipëri, mos kie frikë / se kie djemtë në Amerikë”.

Bota ia kërkon sot rolin udhëheqës Amerikës, sepse don të udhëhiqet nga një vend si Amerika, ndaj Amerika e ka për detyrë të veçantë e kolektive për të mbrojtur Lirinë, Progresin e Pavarësinë në të gjithë Botën, siç po vepron aktualisht për Pavarësinë e Kosovës, siç po bën për demokracinë e ardhmërinë shqiptare në Ballkan.

Ne, Shqiptaria, me Amerikën, nuk kemi për bazë treguese e vlerësuese një tabelë aritmetike arritjesh të konvertuara në dollarë, ton apo kilometra, por një kod gjenetik e historik vlerash universale morale të miqësisë e mirënjohjes të provuara e lartësuara në shekuj, që nisin më 4 korrik 1776 dhe mbesin e ecin në memorien e gjakun e brezave të kombit tonë.

Amerika nuk është e madhe në rast se ka në imazh e realitet një Botë të vogël gjeopolitikisht në vlera demokratike e jetësore dhe Bota nuk është e vogël në dimensionet e saj universale kur ka një Amerikë kaq të madhe.

AMERIKË, Gëzuar Vitin e Ri, 2014, AMERIKË!

Tropojë, 1 janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Miremengjez Amerike, Ramiz Lushaj

Presidenti Nishani uroi komandot në Afganistan: Çmoj kontributin tuaj për sigurinë

January 1, 2014 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në ditën e parë të vitit të ri 2013, bashkëbisedoi me ushtarakët shqiptarë që po kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në Kabul dhe Kandahar, në Afganistan.

Në videokonferencën e zhvilluar me kontingjentin e ushtarakëve shqiptarë, të cilët kryejnë misionin e tyre paqeruajtës në Afganistan, Presidenti Nishani bashkëbisedoi me Nënkolonel Ardian Beqaj, përfaqësuesi më i lartë Ushtarak në ISAF në Kabul, Nënkolonel Leonard Zhupa, Komandant i kontingjentit MAT-4 në Kabul dhe Major Pali Dokolli, Komandant i kontingjentit EAGLE-7 në Kandahar.

Gjatë këtij bashkëbisedimi ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Jeronim Bazo dhe drejtuesit më të lartë të Shtabit të Përgjithshëm.

Në vijim përshëndetja e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Presidentit Bujar Nishani, drejtuar ushtarakëve shqiptarë të misionit paqeruajtës në Kabul dhe Kandahar, Afganistan.

Të dashur komandantë, ushtarë!

Kam kënaqësinë e veçantë që sot, këtë ditë të parë të Vitit të Ri ta nis duke ju uruar juve, duke ju uruar një vit të mbarë! Duke ju uruar ju një sukses të mëtejshëm në misionin tuaj fisnik, në misionin e nderit, misionin e lirisë.

Duke ju uruar ju, përfitoj nga rasti që këtë urim t’ua përcjell të gjithë burrave dhe grave në uniformë, të cilët janë dhe mbeten krenaria e vendit dhe kombit tonë. Dëshiroj që përmes jush të uroj njëkohësisht familjarët tuaj, të dashurit tuaj, prindërit, bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, motrat, të gjithë miqtë tuaj!

Sot në këtë ditë të parë të vitit ju jeni larg familjes, por jam i bindur që familjarët tuaj sot janë me ju. Ne këtu jemi të gjithë me ju. Të gjithë shqiptarët janë me ju. Janë me ju, sepse ju keni paraqitur dhe prezantuar me dinjitet, me nderin më të lartë emrin e shqiptarit, keni mbajtur lart flamurin tonë kombëtar. Dëshiroj që duke ju uruar ju, të uroj të gjithë komandantët dhe bashkëluftëtarët tuaj amerikanë, familjarët e tyre, duke u uruar njëkohësisht edhe atyre një sukses të mëtejshëm në misionin e madh të lirisë, sigurisë dhe paqes!

Ne, shqiptarët, jemi nga ato kombe që ndoshta më shumë se çdokush tjetër e dimë sesa e vlefshme është liria, sesa e vlefshme është paqja dhe siguria dhe se çmim për to nuk ka. Prandaj, kontributi juaj, vlera juaj që përcillni sot në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe në emër të parimeve të lirisë, të paqes dhe sigurisë mbarëbotërore, është e pazëvendësueshme. Ne mbetemi krenarë për ju!

Dëshiroj njëkohësisht të theksoj sesa e nevojshme është sot për mbarë njerëzimin, për mbarë botën, kontributi dhe sakrifica për të garantuar lirinë, sigurinë, në radhë të parë për popullin afgan, por një kontribut i tillë i shkon mbarë njerëzimit.

Si një vend anëtar i NATO-s, ne jemi krenarë për këtë, jemi krenarë për ju që justifikoni plotësisht këtë vlerë të madhe dhe të pazëvendësueshme. Megjithëse ndodhet larg atij rajoni, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera mbeten dhe do të jenë gjithmonë të kërcënuara nëse liria, siguria dhe paqja nuk është e garantuar në çdo cep të globit, në çdo vend, për çdo popull, për çdo njeri.

Ju, trimat e Ushtrisë shqiptare keni ditur të tregoni sesa të aftë jeni, sa profesionistë jeni, sa kurajozë jeni, sa të mençur jeni duke luftuar përkrah miqve dhe partnerëve tuaj, duke i shërbyer atij populli, atij vendi dhe mbarë njerëzimit. Keni treguar se jeni të gatshëm të ofroni çdo sakrificë. Flamuri shqiptar atje midis jush është krenar dhe është i nderuar, sepse tashmë ai flamur, krah flamurit amerikan dhe vendeve të tjera partnere të NATO-s, ka në themel dhe rrënjët e tij përkushtimin dhe gjakun e bijve dhe luftëtarëve shqiptarë.

Sot, në këtë ditë urimi për të gjithë shqiptarët, në këtë ditë krenarie për ju, njëkohësisht dëshiroj të bëj homazh dhe të përkulem me nderim ndaj Kapiten Feti Voglit, ndaj gjithë të rënëve, bijve dhe bijave amerikanë dhe të gjitha vendeve të tjera partnere që me të gjithë sakrificat e tyre sublime garantojnë paqen, lirinë, sigurinë, çmimi i të cilave natyrisht është i lartë!

Unë dëshiroj njëkohësisht t’ju garantoj ju se të gjithë ne jo vetëm jemi pranë jush por, do të mendojmë dhe punojmë çdo ditë që lufta juaj të përparojë në të mirë të njerëzimit, që kontributi juaj të jetë një bazë e fortë dhe një themel i pacenueshëm i lirisë për kohët që vijnë.

Jam i bindur se Qeveria Shqiptare, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura do të bëjnë përpjekjet maksimale për t’ju ndihmuar në përmbushjen me sukses të misionit tuaj heroik. Njëkohësisht, dëshiroj të garantoj se përtej këtij misioni ushtarak, Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj edhe në rrafshin politik në garantimin e paqes dhe sigurisë, veçanërisht në rajonin tonë.

Tashmë Shqipëria dhe shqiptarët janë një faktor i forcuar i garancisë së paqes, stabilitetit, zhvillimit, përparimit, fqinjësisë së mirë në rajonin tonë, i cili do të bëhet gjithmonë e më shumë një shembulli i konsoliduar i përparimit dhe i miqësisë, i paqes dhe i prosperitetit.

Ne ju presim me mall të ktheheni shëndoshë nga ky mision.

Dhe një herë gëzuar, një vit të mbarë dhe mision të suksesshëm! Gëzuar!

 

Filed Under: Featured Tagged With: komandot ne Afganistan, presidenti Nishani, Viti i ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT