• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOS MA KUJTO TË KALUARËN

December 19, 2017 by dgreca

fadil_lushi_thmb1211

Nga Fadil LUSHI/Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për fjalën TJERR jep këto shpjegime:E bëj fill leshin, pambukun, lirin etj. duke e tërhequr pak nga pak nga shtëllunga dhe duke e dredhur me dorë a me makinë. Tjerr lesh (pambuk, mëndafsh). Tjerr trashë (hollë). Tjerr me furkë (me makinë).

  • fig. E zgjat shumë e pa nevojë një punë, një bisedë etj., e stërholloj, e bëj tërkuzë. I tirrte fjalët. E ka zakon ta tjerrë. I tjerr gjatë gjërat ai. Mos e tirr më tutje!
  • fig. Shpif a sajoj diçka të paqenë. Pse tjerr kot! Nuk është mirë të tjerrësh.

 

* Tjerr (pret) hollë… Tjerr lëmshe kundër dikujt –  shpif shumë kundër dikujt, thur intriga të mëdha.

              Miq të nderuar! Në këtë shkrim të radhës do bëj përpjekje ta them të vërtetën për një ngjarje me rëndësi historike, një ngjarje sa humane, po aq emancipuese dhe po aq denigruese. Për këtë arsye do të shkruaj për sebepin tim dhe të gjeneratës sime dhe, në veçanti, për “shokun” nga një mëhallë e kasabasë së Tetovës. Ju them që në fillim, se nuk do të tjerr as leshin as pambukun, nuk do të tjerr as me furkë e as me makinë,  nuk do ta stërholloj shkrimin, po as tërkuzë nuk do ta bëj, nuk do të sajoj a të trilloj gjëra të paqena, përkundrazi, në këtë shkrim do të bëj përpjekje të identifikoj njerëz të cilët lëre që jetojnë në një realitet të shtrembëruar dhe në iluzion, por mëtojnë ta zbehin dhe ta anashkalojnë kontributin e disa shqiptarëve që ndërtuan të kaluarën e tyre të lavdishme. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë do ta bëj për gazetën në fjalë, për lexuesit e mi të çmuar dhe, në instancën e fundit, për hir të njerëzve të cilët në ditën e njëzetedytë dhe të njëzetetretë të muajit dymbëdhjetë të motit 1968 kërkonin lirinë e munguar të vatanit të tyre të zaptuar. Prandaj, jo më kot, iu referova Fjalorit të gjuhës sonë dhe kujtesës sime pamore e dëgjimore.

             Dikur moti prindërit tanë mendjendritur thoshin: Nëse do jetimin ta ndihmosh a ta mishërosh, mos e paragjyko, mos e përmend të mirën që do t’ia bësh dhe nëse do t’ia bësh një nder, bëje me tamam dhe mbaje për vete…, mos e bëj sa për sy e faqe…, sepse jetimi s’përdëllehet dot kollaj. Por ama, mos harro se një ditë edhe ti mund të biesh në hall të madh, andaj do të duhet të bësh kujdes se në derën e kujt do të trokasësh për të kërkuar ndihmën pa interes! Asokohe ne, që ishim axhami në fiqir, nuk e kuptonim në asnjë mënyrë këtë thënie popullore që lakohej nga prindërit tanë të varfër, por të mençur, për faktin se kjo filozofi ndoshta nuk na hynte në punë, po ndoshta edhe nuk besonim se një ditë do të ballafaqohemi me këtë mençuri popullore.

            Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një njeri i cili u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai njëherë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane, pa fije dyshimi, sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të gjejë vend në muhabetin e pshurrur të “mikut tim” në vijim të këtij shkrimi.    

           Sot e kaq dekada pas takova “shokun” e mëhallës sime. Ishte duke dalë nga haleja e kasabasë. Sigurisht që ato hapësira i kishte frekuentuar sa për të bërë çiçën pa pare. Pasi u “përshëndetëm”, pa një pa dy, ashtu thjesht e pshurri muhabetin fare. Bënte sikur ende frymonte, njësoj si në vaktin e babait të tij komunist, gjegjësisht ish-kolaboracionistit i përbetuar. Sikur e kishin zaptuar ethet malarike. Sikur e kishte kapluar nostalgjia për vitet e ikura. Sikur nuk ndërgjegjësohej sa i përket shqiptarizmit të tij të rremë. Sikur kishte harruar detyrimin moral ndaj meje dhe të tjera borxhe të pashlyera ndaj miqve të tij, që fatkeqësisht nuk frymojnë më. Çdo fjalë timen e merrte me inatin e tij prej vitesh të akumuluar, gjithsesi pa të drejtë. Më dukej se nuk ishte në terezi, sikur i kishte luajtur tepeleku i kokës, edhe ashtu të boshatisur.

Duke vërejtur se po e shpërdoronte durimin tim, ia ktheva: – Pa më thuaj, “mor dost”, ç’të mungon e ç’të mundon! Ma ktheu hazërxhevapin, ashtu si ndër dhëmbë, duke më thënë: “Ore, pse nuk ma urove gjyshërinë time!”. Fillimisht mëtova “ta gjezdis ashtu kot” përgjigjen time, por duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk do t’ia kapte radakja, ia ktheva troç, ashtu drejtpërdrejt pa frikë, ‘açik’, në sy: – Po kur u martove, o “mik im”, e që sot qenke bërë gjysh! “Ehe, a hiç nuk të kujtohet, ishte moti 1981, pikërisht në vitin kur komunistët ty ta morën “masën e samarxhiut”, në vaktin kur bashkëpunëtorët e tim eti ta morën bukën e gojës”. – Eh, “xhanëm, miku”, të lus mos ma rikujto atë kohën tënde…, fare mirë e mbaj mend kur babai yt ftoi gjithë burrat dhe gratë e lagjes në dasmë, kurse mua më la mënjanë me a pa të “drejtën” e tij. Ehe, sa shumë u pikëllova në atë kohë. Ti “shoku”, tok me babin tënd, asokohe më lënduat e më anashkaluat! Dhe kur shokët e klasës e kishin pyetur babanë tënd se për ç’arsye mungoja unë në dasmë, ai ishte përgjigjur: “Kam të ftuar funksionarë të lartë të partisë komuniste“, e të tjera broçkulla dhe gjepura kalamajsh! Dhe tashti, miku, më thuaj ç’kuptim do të kishte “urinimi” im! Dhe “miku” duke u çakërdis nga mendja, ma ktheu njësoj si daulltari i grupit a bandës frymore, të cilit para dasmës i çahet daullja: “Nuk të thashë të më ‘urinosh’, por të më urosh a të më japësh uratën!”. Ja ktheva se e ç’kuptim do të kishte kjo uratë apo ky ‘urinim’, po ç’të duhet kjo uratë irredentisti, uratë njeriu i cili dikur moti mëtoi të ta prishë rehatinë e familjes sate komuniste, rehatinë e babait tënd, i cili dikur hante bukën dhe qengjin e katundarit fisnik shqiptar, e mandej bënte duanë e kaurit-komunist dhe ca të tjerë shqiptarë!… Ç’të duhet urata e njeriut të cilin babai yt e konsideronte rebel dhe shkatërrues sistemesh!

           “Mbreti Solomon, të cilit një ditë ia sollën për gjykim dy gra të cilat pretendonin se ishin nënat e një foshnje, e zgjidhi çështjen duke gjetur nënën e vërtetë, nisur nga gruaja e cila shprehu më shumë dhembshuri për foshnjën. Solomoni menjëherë nxori një shpatë dhe kërcënoi të ndante më dysh foshnjën, por njëra nga gratë iu hodh te këmbët duke iu përgjëruar që t’ia falte jetën foshnjës dhe se ajo hiqte dorë nga pretendimet e saj kundrejt foshnjës. Solomoni e kuptoi që ajo ishte nëna e vërtetë dhe jo gruaja tjetër, e cila u pajtua me faktin që foshnja duhej ndarë në dy pjesë”.

Eh, “xhanëm miku”, të vërtetën mos e ndaj përgjysmë…, mos e nguc foshnjën, lëre të RRITET!

P.S.

Ky shkrim u dedikohet të gjithë pjesëmarrësve të demonstratave të vitit 1968 në Tetovë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Lushi, MOS MA KUJTO TË KALUARËN

ZOTI E BEKOFTË MIKUN TIM ARISTOKRAT!

April 10, 2017 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/

Një ditë në pazar më zunë veshët shprehjen: I ka dalë puna çatall. Jo vetëm se m’u duk interesante, por edhe më intrigoi të rrëmoj në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ku për fjalën ÇATALLOHEM gjeta këto shpjegime: 1. vet. veta III. Ndahet më dysh duke iu hapur majat anash, hapet fort në të dy anët; bigëzohet. Çatallohet druri. 2. vet. veta III fig. Prishet; ngatërrohet një punë për shkak të grindjeve. U çatallua puna. 3. fig. Kapem me dikë, grindem me dikë.

Sa herë më mungon inspirimi për të “shkarravitur” për ndonjë ngjarje, aq herë më duhet të takohem me mikun tim me mendje prej aristokrati. E kërkova në mejhanen e tij të preferuar. Nuk e gjeta. Kamerieri që ishte paksa i përgjumur dhe që kishte vënë bythën pas banakut, më tha: Ka ditë që nuk duket këtejpari. E pyeta. Po me ç’sebep nuk frekuenton mejhanen! Ma ktheu, nuk i ka shlyer borxhet a faturat. Ku ta gjej, se! Hokatari i lagjes sonë më tha: Do ta gjesh te lulishtja e qytetit. E zbulova. Ishte shtrirë në cep të bahçes pranë shtëpisë së tij, ashtu njësoj si Ali Pashai duke thithur nargjilenë, ndërkaq në dorën e djathtë mbante një çetele (shkop ose copë druri e lëmuar, që dikur përdorej si mjet për të mbajtur llogaritë midis blerësit e shitësit), se pse e mbante atë çetele, nuk ma kapi fiqiri. Mu duk se sillej në mënyrë të matur. Perceptimi më doli kryekëput i pavlefshëm, thjesht i gabuar. Edhe kësaj here ishte shndërruar në tapë. Pasi u përshëndetëm, më tha: “A, përsëri erdhe, pa më thuaj, ç’dert ke!” Ia ktheva: Do më japësh idenë për shkrimin e radhës që do t’ua dedikoj lexuesve dhe miqve të mi të rregullt, të ndërgjegjshëm dhe seriozë! “Aha, ti që vepron e sillesh si plak matuf, paske miq të dashur, të kujdesshëm e të vetëdijshëm!? Hajde mendje, hajde!” Ore, do më japësh idenë, o do iki! Heshtje varri. Nuk e vazhdova, nga frika se po ma vë bishtin e dhelprës. Po, çuditërisht, lëre që mori pamje tjetër, por kësaj radhe nuk më kushtëzoi, andaj nuk kërkoi atë “lëngun e sertë prej Skrapari”. Ma ktheu: “Të lus, do më kursesh e do më lësh rehat, sepse sot nuk jam në të mirat e në terezi”. Unë këmbëngula në kërkim të përgjigjes së vonuar. Miku, si mik, fillimisht ia futi një ulërime të thekshme dhe pastaj më tha: “Do ta fal gjysmën e idesë, me kusht nëse m’i prek salltanetet e mia (eh, këto salltanete, mos vallë i ka vendburim gjipsi), ashtu njësoj si ca politikanë kamikazë që ua prekin a lëmojnë herdhet e kryeparëve politikë të tyre, të HUQUMATIT dhe të DOVLETIT!” Eh, ç’e bleva shtrenjtë belanë me paratë e mia. Thashë me vete, a ia vlen të shfrysh dertin për një ide të vjetër. Iu përgjigja: “Do t’i prek zarzavatet e tua të thata, veç ma jep idenë”. Ma ktheu: ”Pa ma thuaj parimin themelor, mbi të cilin do ta ndërtosh shkarravinën e radhës”. I tregova. Më tha: “Fillimisht do të shkruash për fukarenjtë dhe për varfërinë që i ka kapur për fyti, do të shkruash për budallain e fqinjit, tek i cili sa herë vijnë për vizitë mysafirët e nderuar, aq herë detyrohet ta mbulojë me njëqind plafe e jorganë…, do të shkruash edhe për politikanin tonë axhami, i cili kur nuk ka gjë të mençur për të thënë, sekretet e shtëpisë ia degdisë në vesh armikut apo partisë që e injoron, që e sikteris dhe së fundi që ia ngul së prapthi, do të shkruash pak edhe për mua!”. Ore qerrata, ki parasysh, gati një e treta e vështrimit më shkoi për ty. “Hajde se nuk u bë kiameti…, vazhdo të shkruash për disa vetëflijues politikëbërës të një partie politike këtejpari, shkruaj  për ata politikanë kalamaj dhe axhaminj të Debar Maallo-s, gjyshërit e të cilëve dikur në kohërat e njëmendjesisë, te Ura e Gurit (Sulltan Mehmetit II) të Shkupit, shisnin fara luledielli. Do të shkruash për politikanët të cilët nuk i takojnë fisit tonë, pikërisht për ata që të shqetësojnë, do të shkruash për nacionalistët, për kleptomanët, piromanët, për makiavelistët e recidivistët e rrezikshëm të këtij HUQUMATI, mos harro të shkruash edhe për ata që në Evropë duan të shkojnë me gomarë prej Ballkani, që u ka rënë leshi, për ata politikanë që trokasin në dyer të mbyllura dhe të gabuara, shkarravit edhe për ata që veshin e majtë e kruajnë me dorën e djathtë, shkruaj edhe për ata që çorbën e përgatisin pa fruta deti, në këtë shkrim tëndin futua edhe atyre që s’kanë shpatulla politike, futua edhe atyre që mëtojnë të frekuentojnë hapësirat e kështjellës së diplomacisë evropiane…, ngulua edhe atyre që i kanë shumë merak paratë bojëjeshile, futja edhe atij KOKËMADHIT, atij shtrembëruesit të organit më të lartë ligjvënës, atij që ka marrë çehren e koqe dembelit, futua atyre që kanë  probleme me diarre dhe miopi të theksuar politike, sidomos atyre që e zaptojnë me orë të tëra halenë, atyre që hiç nuk u ha palla se jashtë njerëz presin në rend për të njëjtin hall. Bëj kujdes të mos ma futësh mua!” I thashë: Mos ki dert se nuk do ta fus, a sa për të ngulmen nuk e di. Në fund të kësaj “çatallosje”, sikur donte të më thoshte: “Që kur unë isha një njeri me sjellje qytetare, që kur unë isha shehërli prej patrioti dhe aristokrati, që kur unë kisha kostum prej kadifeje, që kur unë mbaja këmishën e qëndisur, këta mbanin opingat e stërgjyshërve të tyre, këta nënkëmishën e mbanin nën brekë…, që kur unë bëja atdhetarizmin, këta sot lëre që urinojnë shtrembër, por edhe shtiren sikur bëjnë politikë leshi”. Nuk desha ta pyes se me ç’fjalor do të duhet ta shkruaj këtë shkarravinë…, e dija paraprakisht përgjigjen e tij: “Sipas një rregulli të caktuar, opinionet, vështrimet, analizat po edhe editorialet shkruhen me standardin e gjuhës, meqenëse ti nuk je i standardit, atëherë përdori të folmet krahinore edhe ato otomanizmat tuaja të fiksuara!”

Fabulistët klasikë thonë se dikur dhelprës i kishte marrë flakë bishti dhe turravrap kishte bërtitur: “Ikni se u kall dynjaja!” Ata që kishin rastisur atypari kishin thënë: “Moj, ty të është kallur bishti e jo dynjaja”. Se dhelprës a do t’i kallet bishti, unë nuk e di. Zoti e bekoftë mikun tim aristokrat dhe “dhëmbëzat e çeteles” së tij.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aristokrati, Fadil Lushi, Zoti

Nje shkrim dedikuar katrahurës shqiptare

March 29, 2017 by dgreca

“NJË VAKI, QË PËRSËRITET PËRSËRI “/

Nga Fadil LUSHI/

E nderuara ime mike e dashur! Para se ta lexosh këtë vështrim gazete, ki parasysh se do të ballafaqohesh me një fjalor paksa të denigruar, do të ballafaqohesh me një të folme krahinore dhe, së fundi, me atë fjalorin erotik të Edmond Tupjes nga Tirana. Bëj kujdes dhe vëre në “fiqir” faktin se këtë “shkarravinë” në asnjë mënyrë nuk do ta vë në parantezë pavarësisht se, ti, bashkëpunëtorët dhe  lexuesit e mi të vëmendshëm, të rregullt dhe të ndërgjegjshëm, herë pas here, me shumë të drejtë do të thonë se ky shkrim nuk vlen më shumë se “pesë para”, por ama, mua le të më jepet e drejta të besoj se ky vështrim në logjikë, gjithsesi, nuk do më dalë “si lesh arapi”, andaj që në fillim do ta përjashtoj çdo dualizëm me qëllim që të mos krijoj keqkuptime a edhe armiqësi me ty dhe me njerëz të tjerë, me të cilët shpesh vihem ballë për ballë për të nxjerrë në shesh të vërtetat e bëra nga unë dhe të tjerë të tillë si unë…, për Tetovën time universitare.

Për ta shkruar këtë vështrim gazete, s’do mend se “provokimi” erdhi nga takimi i së shtunës që lamë pas me një aktor të madh, me një njeri bujar, me një bashkëmoshatar timin, me një artist humanist, me një njeri që hiqet si puro kaçanikas, me një njeri i cili kur “zatetet” me ish-shokët e klasës të moteve 68/69, sikur kërkon rininë e tij…, me një njeri i cili ta kthen mallin për gjeneratën e Shku-pit të vjetër. Ata që e njohin nga afër do të thonë se ky njeri aktron. Jo, ai nuk aktron vetëm në skenë, përkundrazi, ai gjithmonë llafos të vërtetën, qoftë në rrugë, qoftë në ndeja burrash, po qoftë edhe në “mejhanen” e mëhallës sime. Dhe, ky njeri që e takova quhet Bajrush Mjaku, i cili javë për javë duket këtej afër nesh, duket pranë mëhallës sime, aty afër ku dikur ekzistonte xhamia më e bukur e qytetit. Ky njeri, sa herë që duket këtejpari në Tetovë, aq herë i jep “ustallëk” dhe shpirt godinës të artit dramatik që është e vendosur përballë apartamentit tim…, sikur do të thotë: “Miku, Tetova jote është shndërruar në kasaba a edhe në një katund të madh…,sikur me gjithë njerëzit që jetojnë në të është shndërruar në Kandahar, sikur në të jetojnë njerëz të cilët e rrëmbejnë të vërtetën, sikur në të jetojnë njerëz të cilët sapunin ta shesin për djathë, sikur vlerat (aq sa i keni) i nëpërkëmbni qëllimisht”. Së fundi, ramë në pajtim, ai të ma lavdërojë Tetovën, kurse unë të llafos, po edhe ta shaj, katrahurën a rrëmujën që na ka kapur për fyti. Para se të ikte, i “parashtrova një pyetje”, po ai nuk ma ktheu përgjigjen, sikur deshi të thoshte: ehe, gjithë ky “alamet shehërli” nuk paskësh lidhje rreth një informacioni të thjeshtë…, sikur deshi të më thoshte: “shporru nga sytë e mi dhe konsulto fjalorët, me kusht nëse i ke”… dhe ai mori udhë për në kryeqendrën e shtetit, kurse unë mora ashensorin për në banesën time, për të shfletuar Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, të botuar në motin 1980. M’u ngjall kureshtja sa i përket shpjegimit të nocionit “kondom a prezervativë”. Nuk e gjeta dot. E shfletova edhe fjalorin etimologjik (1980), edhe aty nuk jepeshin shpjegime në shqip, as te ai fjalorth i vjetër, të cilin dikur moti e vodha nga Biblioteka Universitare e Prishtinës, edhe në të nuk gjeta sqarim. Në fund, vendosa që ta konsultoj një mik timin të mençur dhe “garip” (njeri i huaj që jeton në mërgim, i ngratë, i çuditshëm). Ai i di të tërat, sidomos kur “sabah e aksham bëhet tapë a shndërrohet në dërrasë dyshemeje”, është një njeri njësoj si ata të pastrehët të Londrës rrospi. Është një sui generis, i cili nuk meriton urrejtjen dhe përçmimin…, çuditërisht, nuk kërkon mëshirë as prej shtetit, as prej njerëzve që kanë më shumë të mira se ç’u duhen. Nuk i do njerëzit me dy surrate, të cilëve në vend që t’u skuqen fytyrat, atyre u skuqet “bytha prej majmuni”. I kërkova shpjegim për fjalën “kondom!”. Ma ktheu thjesht, thuaj “filter”, po në do edhe “mushama”. Por, para se t’ia parashtroja pyetjen e radhës, më tha të paguaj edhe një të “Skraparit” e më pastaj do ma thoshte “hazerxhevapin”. I thashë se pse në vaktin e Enver Hoxhës nuk prodhoheshin dhe nuk përdoreshin “filtrat a mushamatë”. “Ehe, përdorimin e këtij lloj produkti xhaxhi e ndaloi jo rastësisht, mbase kishte të drejtë, po ndoshta kjo ndalesë e tij ia vlejti…, sepse sot e gjithë ditën e Perëndisë do të ishim në numër aq sa janë toptan malazezët dhe këta bashkëvendësit tanë – maqedoncit!” Këtij paragrafi sikur donte t’ia parashtrojë edhe një të vërtetë me sa vijon: “…, ca shqiptarë të papërgjegjshëm gjithsesi kanë nevojë për mushama vetëm e vetëm që të mos krijojnë fëmijë me fizik e mendje të degjeneruar” (Ne e dimë fare mirë se në këtë shkrim nuk kishim të drejtë ta përfshijmë nocionin “fëmijë”. Gjithsesi, është jo humane).  Dhe, kur miku ishte duke e përfunduar gotën e pestë me “lëng të sertë Skrapari”, më tha:  “Ore, qerrata, pa më thuaj, me këto habere që i merr nga unë, kë do të paragjykosh dhe kujt do t’ia fusësh, a mos vallë do t’ia fusësh Kushtetutës, Kryeparit kukull të shtetit, Sobranies, politikanit apo në fund mos e ke ndërmend të ma fusësh mua…,”  ashtu siç dikur moti  “Ahmet Zogolli e kishte futur në psikiatrinë e Vlorës kryeministrin e parë shqiptar, Sulejman Delvinën. Dhe kur njerëzit i thoshin pse s’dilte nga spitali, ai përgjigjej: E ku të shkoj? E gjithë Shqipëria një spital psikiatrik është”. Pasi miku im absolvoi muhabetin, fillimisht më sikterisi dhe iku nga mejhaneja duke më lënë me gisht në gojë.

Kjo filozofi e këtij shkrimi dedikuar katrahurës shqiptare sikur nuk funksionoi, jo pse ishte një filozofi e zbehtë, por pse ishte e paragjykuar që në fillim të dështonte. Çuditërisht, në hapësirat shqiptare sot e gjithë ditën nuk dështon vetëm tranzicioni, marrëzia, zënka dhe inati ynë homerik. Të tjerat janë relative!

Ime mike e dashur, më ndje për fjalorin tim “pis!”.

Filed Under: Analiza Tagged With: "NJË VAKI, Fadil Lushi, QË PËRSËRITET PËRSËRI "

“HABERE TË KRIPURA“ NGA “KASABAJA” E TETOVËS

November 1, 2016 by dgreca

1-fadilNga Fadil  LUSHI/Tetovë/

Një ditë, në“sabah” herët, një mik imi i vjetër më tha: “Do të ma bësh një shkrim!”. I thash që të më tregonte se si donte t’ia bëj!? “Fillimisht do të ma bësh badihava, mandej do ma bësh si për xhanin tim, bëje të tërën me shumë lezet…, bëje me kandar dhe për kandarin tim…, bëje për mua që njerëzit të mos më paragjykojnë a edhe të mos thonë se kinse këtij plaku i paskësh ikur fiqiri…, le ta dinë se ende nuk më ka braktisur pasioni a edhe kënaqësia për lexim!?” Ia ktheva: “Ore mik i dashur, unë shkrimet i bëj për qejfin tim dhe të lexuesve të mi të nderuar. Pa më thuaj, ç’kryetitull do t’i vë?! Ai vazhdoi: “Ja, unë po ta jap kryetitullin e fabulës e mandej ti thure si të duash”. Po si duket “kryellafi” i fabulës, – e pyeta! “HABERE TË KRIPURA” NGA “KASABAJA“ E TETOVËS. Hë, hajde, po deshe mos e qep këtë artikull! Ndonëse ky miku ka moshën time dhe njëkohësisht është njeri “që merr zjarr për çdo gjë”, i premtova se do ia shkarravis shkrimin “në vaktin kur të më zërë terri i natës!”. I ka shumë merak opinionet, sidomos ato që duken si specat gogozhare, shkrime me pak gjeografi politike dhe historike, me pak patriotizëm popullor herë-herë të rremë a të sajuar, me pak piper të kuq, me pak “karabiber”, me pak “mesele a vaki shehri“, me pak folklor e të folme krahinash e të tjera “dokrra”!? Ai, duke e “përfunduar urdhëresën e tij si prej gardiani”, sikur deshi të më thoshte: “Mik, bëj kujdes që ky shkrim të mos dalë si proçkë vjeshte”. Hajde, ç’më zuri “belaja” me këtë plak. Po halli, nëse këtë shkarravinë do ta bëj me shumë “lezet”, kam frikë se do të më dalë me “zarar”. Tekembramja, edhe “lezeti ka karar”. Se këtë “broçkull” do ta vë në kandar, nuk ma kapte rradakja, mbase isha i sigurt se kjo nuk shkon, sepse ky miku, tok me mua dhe disa të tjerë si unë, moti nuk “ka punë me bishtin dhe topin e kandarit!?”

Në fund “vendosa” që këtë shkrim ta “qëndis” me atë fjalorin a gjuhën e fallxhore Hatixhesë, që jeton te Kombinati i Tiranës…, e veshur me çitjane të gjera prej basme. Jo, nuk e bëj dot me fjalorin e Hatixhesë, pasi që jam i sigurt se shkrimi do të më dalë thjeshtë “ezmer”…, njësoj si “krakëllimat e korbave” të lagjes sime!? Hajt, thashë, do ta bëj me fjalorin e kryeministrit të shqiptarëve të Shqipërisë londineze. U bëra pishman karshi kësaj reference, sepse z. Rama më zhgënjeu thellë me deklaratën e tij, kur tha, pos të tjerash, me plot gojën: “Historia e Ballit Kombëtar është e parehabilitueshme!“…, sikur “ky qerrata nuk paskësh hiç habere” se dikur këtej afër nesh vepronin ballistët tanë…, të cilët mbronin vatanin nga komunistët. Dhe, kur edhe kjo më doli “hajdutçe”, thashë t’u referohem lidershipëve të partive politike shqiptare në Maqedoni! Edhe kjo nuk më doli si provë bindëse a e gjallë, sepse kryeparët, gjatë hartimit të listave kandiduese, shumë politikanëve ua kishin humbur besimin a edhe shpresën e të bërit deputet. Se kjo nuk është gabim, na bind Sigmund Frojdi, i cili dikur moti kishte thënë: “Martesa e gjatë e kthen gruan në motër!” A mos vallë, kjo thënie e lartpërmendur u shkon edhe disa përfaqësuesve të popullit, helbete  nuk i kthen ata në “gjumashë, mendjemëdhenj dhe makiavelistë “. Unë nuk e di, mbase ky “informacion”nuk më hyn në punë.

Në mbrëmje i lashë anash të gjitha referimet dhe sugjerimet për të shkruar. U “kurdisa” të shikoja një emision dokumentar paksa të bezdisshëm. Meqë nuk më pëlqeu, mora “telekomandën” për të ndërruar programet në kërkim të ndonjë emisioni human dhe më emancipues. Më doli e kundërta! Gjithandej dukeshin emisione politike debatuese, gjithandej figura të njohura e të panjohura, disave nuk i njihet emri, mbiemri e as mëhalla, disa fytyrëqeshur, disa fytyrëhequr, një tjetër fytyrëmbushur, një fytyrëmprehtë dhe disa të tjerë që për herë të parë i shihja, ishin fytyrëngrysur, hiq mënjanë udhëheqësen simpatike, e cila dukej paksa e trishtuar nga prania e meshkujve, të cilët kishin “përveshur mëngët e këmishës karshi ndërtimit të kështjellës së SHOVINIZMIT MASHKULLOR!” Dhe kur edhe këto emisione nuk i pëlqeva, ia futa gjumit. Më erdhi një zë gruaje. Ishte një llaf urdhërues! “Kur nuk do të shtypësh gjë tjetër, do të detyrohesh të shtypësh telekomandën!?”… dhe vazhdoi të “dërdëllisë” duke më sugjeruar: “Shikoje Bleonën me trup gjysmëlakuriq!”. U “shtira” sikur nuk dëgjova gjë…, ajo këmbënguli duke thënë: “shihe, shihe”…, u çova në këmbë dhe “ngjita surratin” në ekran… dhe thashë me vete “E moj Bleonë loçkë”! Po ç’është e vërteta, kjo Bleona nuk është kushedi çka. Kjo zonja sikur nuk më krijonte përshtypjen se ishte e bezdisur me pamjen e Bleonës, përkundrazi, asaj nuk ia kapte rradakja nocionin LOÇKË! Andaj para se të shpërthente “gjurulldia”, kërkoi shpjegim shtesë rreth fjalës LOÇKË! Kur nuk i mjaftoi shpjegimi im, u detyrova ta konsultoj Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, sidomos pjesën figurative: “3. fig. Pjesa më e brendshme e diçkaje; thelbi. Loçka e zemrës (e shpirtit). 4. fig. përk. Njeri shumë i dashur e i shtrenjtë për nënën. Loçka e nënës! Loçka ime!“ Ajo, menjëherë ma ktheu: “Ore ti, po këtu nuk përmendet emri i Bleonës!”. Sime shoqe i thashë se përpiluesit të Fjalorit i ka ikur emri i Bleonës. Tekefundit, është humane ngandonjëherë njeriu edhe të gabojë, qoftë ai të jetë Faik Konica, Fishta a edhe Eqrem Çabej (kisha mendjen tek shtëpitë botuese).

         Ju, miqtë e mi të nderuar, që keni moshën time, bëni kujdes me “telekomandën që ditë e natë e mbani në dorë”, bëni kujdes dhe mos harroni se ajo nuk është thjeshtë një “copë heku-rishte”, bëni kujdes se ajo shpesh të nxjerr “telashe”, njësoj siç më nxori mua disa të tilla, mos harroni se ajo fletë e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, ku jepen shpjegime sa i përket fjalës “LOÇKË”, nuk është thjesht një copë letër. Kini parasysh, ajo letër nuk është e bakallit të fshatit.., bëni kujdes me emisionet e Çanit ku duket Bleona, bëni kujdes me “haberet e kripura” të “kasabasë” së Tetovës, bëni kujdes me emisionet e debatit, në veçanti ato politike, të cilat herë-herë nuk rekomandohen për çdo moshë mentale, andaj mos kërkoni me “zor belanë”, sepse, siç kanë “ardhur kohërat”, “belaja” të futet në shtëpi pa trokitur në derë e pa e ftuar.

Ndërkaq miku im besoj se do të më falë që nuk ia përfundova shkrimin. Kësaj radhe kaq, për herën tjetër do të shohim!

Filed Under: Rajon Tagged With: Fadil Lushi, Haberet e Kripura, kasabaja e tetoves

A (NUK) SHKOHET NË EVROPË ME LAPIDARË!?

June 7, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Kësaj radhe vendosa që me këtë shkarravinë të “degdis në Evropë!”. Por para se ta filloj, rashë në hall me fiqirin në kërkim të kryetitullit, atij kryetitulli që do t’i shkojë shkrimit, po njëkohësisht që do t’i shkojë me tamam shijes së lexuesit a sovranit. Me gjithë përpjekjet e mia të shtuara, nuk gjeta idenë…, pavarësisht se insistova që me çdo kusht ta hetoja si të tillë. Dhe, kur nuk e “gjeta”, ky Sazani më tha: “Xhaxhi, a nuk bën që këtë boshllëk ta mbushësh me dokrra e pallavra si ato të politikanëve ballkanas!”. Ia ktheva se sikur ta bëj kësisoj, atëherë do ta anashkaloj a denigroj tërësinë e parimeve, të kritereve dhe standardeve të institucionit – mendim i lirë a mendim ndryshe…, mandej, në fund të fundit, a mos vallë, shkrimi a “thashethemeja” do të më dalë përshesh, “turli a Elbasan tava”, do të më dalë njësoj si ajo puna e daullexhiut nga Anadolli, të cilit para syfyrit i kishte plasur lodra. Në fund pranova sugjerimin e nip Sazanit. Paçka se “shkohet në Evropë” me kësisoj vështrimesh gazetash, paçka se shkohet në “Avrupë” me araba a karrocë të hapur. Besoj se nuk bëhet hataja…, sot ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë me biçikleta e lëre më me makina, trena dhe avionë…, ka edhe të tillë që në Evropë shkojnë edhe me gomarë pa samarë, si ato gomarët e Malit të Zi, Greqisë, Serbisë a edhe të Maqedonisë…, paçka se bullgarët dhe rumunët janë në “deficit” me këto kafshë njëthundrake dhe, prapëseprapë, nuk bëhet hataja…, ca të tjerë në Evropë shkojnë edhe me mushka dhe përsëri nuk bëhet hataja…, edhe njerëzit në hall dhe me ngjyrë shkojnë a degdisin këmbëzbathur në Evropë dhe prapë “nuk bëhet hataja!?”…, po, tekefundit, kush më qenka Evropa…, a mos vallë e keni fjalën për atë “kurvën plakë” që, dikur moti, shqiptarëve myslimanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj ua mori, hajt më mirë të themi, ua zaptoi truallin…, paçka se në Evropë mund të shkosh edhe nëpërmjet Londrës dhe Brukselit…, paçka se ca “shpëtimtarë të këtij populli kreshnik pa brekë” (Mitrush Kuteli) transferuan lekët në “Avrupë” dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se “agai i jeniçerëve politikë” iku në Evropë me strajcën në krah të mbushur me lekët e miletit…, dhe prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në Evropë shkuan edhe “patriotët kombëtarë”.., dhe prapëseprapë nuk u bë hataja.., paçka se në Evropë na iku edhe rinia jonë e arsimuar dhe, prapëseprapë, “nuk u bë hataja”, paçka se bashkëqytetarët e mi shkuan në Evropë me pasaportë të shtetit biblik…, prapëseprapë nuk u bë hataja…, paçka se në kontinentin e vjetër shkojnë “ambasadorët” e fjalës së shkruar…, prapëseprapë “nuk u bë hataja me a pahir”, paçka se Elina Duni, kjo goca çapkëne nga Tirana, shkon në Evropë me ato refrenet e këngës: “Do marr çiften, more, do dal për gjah, jaman shoko, jaman aman. Do marr çiften moj do dal për gjah, jaman shoqe, moj, o jaman”, paçka se ky Ilir Shaqiri shkon në Evropë t’u këndojë kurbetçinjve refrenet e këngës, “Moj Shqipni të qofsha falë, jam Evropë…, Moj Evropë” e të tjera, nuk u bë hataja…, paçka se Evropa, kur është fjala për shqiptarët dhe të tjerët përafërsisht si ata, mban mendjen dhe shikimin mënjanë…, nuk u bë hataja…, tekefundit, gjithsecili ka të drejtë të shkojë në Evropë, qoftë me opinga, qoftë me këpucë allafrënga, qoftë me sahat xhepi me zemberek të prishur…, është zgjedhja e tij demokratike, zgjedhje e farës së fisit.

Dhe, sot e gjithë ditën e Perëndisë, të mëtosh të shkosh në Evropë me “Shkupi 2014”, i cili aq shumë u paragjykua, aq shumë u përfol, aq shumë u kritikua dhe aq shumë u shtrembërua, saqë në fund i doli edhe ajo pak ngjyrë e zbehtë që i kishte mbetur…, të mëtosh të shkosh në Evropë është një interpretim idealist, utopist a edhe subjektiv…, të mëtosh të shkosh në Evropë me atë “brendin e ajvarit, me specat e kuq të Strumicës si dhe me groshën qorre të Tetovës”…, është paksa vetadhurim a “vetbegenisje”, të mëtosh të shkosh në Evropë me një president, i cili, duke shkelur me dy këmbë Ligjin themelor të shtetit dhe duke hequr fajësinë e politikanëve kleptomanë, është “eshekllëk”, të mëtosh po edhe të pretendosh të zësh vend dhe rend para dyerve të familjes euroatlantike me mendësi të vjetër dhe fshatareske…, është çmenduri…, të mëtosh a edhe të synosh të familjarizohesh me Evropën, me emër, me kulturë, me gjuhë, me kishë, me gjeografi fizike, me gjeografi politike si dhe me gjeografi historike, gjithsesi të kontestuar dhe të adoptuar…, është njësoj sikur t’ia heqësh shalën biçikletës, e mandej aty të vësh bythën dhe të garosh në garat e çiklizmit Tour de France!?…, kjo i vjen njësoj sikur të falësh namazin pa avdes…, të mëtosh e të synosh të shkosh në kontinentin e vjetër me sheshin e Shkupit, i cili është shndërruar në një strehë lapidarësh, një shesh i stërngarkuar me gjithfarë përmendoresh dedikuar figurave greke, serbe, bullgare e të tjerë, mua s’ma kap mendja.., nuk shkohet në Evropë me patllaken e me dyfekun që nuk shkrep…, të mëtosh dhe të synosh të shkosh në Evropë, nëpërmjet kalldrëmesh me zhavorr është njësoj sikur të marrësh udhë deri në Tabanoc, Gueshevë, Idomeni, Qafë Thanë, Jazhincë dhe nuk e di se në cilin vendkalim tjetër për këmbësorë dhe traktorë (të ngarkuar me lakra të egra e të buta, speca dhe tranguj vendorë).

Ju, lexues dhe miq të mi të nderuar, po të më pyetni mua se a do shkoj në Avrupë, po ju them se nuk do të shkoj…, po edhe sikur të ma japin dhe lapidarin e Pjetër Bogdanit, datëlindja e të cilit u denigrua ende pa u vendosur diku në sheshin e kryeqendrës së shtetit…, nuk shkoj sepse kam frikë se më del si ajo puna e atij puro gjirokastriti, i cili kishte vendosur t’i bëjë dasmë çunit të tij të përkëdhelur…, me krushqi të huazuar dhe të paguar…, kam frikë se mos më del shkrimi si ajo vakia e gocës nga malësia e Shkodrës, që kur kishte shkuar të mbushte ujë bunari, çunit që e kishte përballë i kishte thënë: “Në do ma mbash testinë, do ta japë fikun e bahçes së gjyshes sime…,” dhe çunit i ra testija nga dora…, dhe çuni mbeti pa fikun e gocës!

Sikur sot ta pyesnim Hasan Prishtinën, Jeronim de Radën, Josip Bagerin, Pjetër Bogdanin, Nexhat Agollin, Adem Jasharin dhe shumë të tjerë, se a doni t’u ngremë përmendore prej bronci në shesh të Shkupit a edhe të Tetovës, ata në korr do të jepnin këtë xhevap: “Paratë, që keni ndërmend, t’i derdhni për lapidarë, ndërtoni nja dy a tre shkolla të vockla për fëmijët e vockël shqiptarë…, dhe nëse lekët do t’u teprojnë, për riza të Zotit, meremetoni binatë e ca shkollave  mesjetare…, shkolla prej kohësh të harruara..!?

AMICUS PLATO, SED MAGIS AMICA (EST) VERITAS (E dua Platonin, por më shumë e dua të vërtetën!”…, po cila është e vërteta jonë, shqiptare?!

Filed Under: Analiza Tagged With: Evrope, Fadil Lushi, Lapidare

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË TEQENË BEKTASHIANE SHQIPTARE NË MICHIGAN U FESTUA “SULLTAN NOVRUZI”
  • SHQIPTARËT E AMERIKËS MBLODHËN 140 MIJË E 500 USD PËR NDËRTIMIN E KËMBANARES SË KATEDRALES NËNË TEREZA NË PRISHTINË.
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË DANIMARKË
  • VATRA MICHIGAN SHTROI DARKË NDERIMI PËR PRINC LEKËN DHE KLERIN FETAR NË MICHIGAN
  • VATRA CHICAGO MORI PJESË NË PROMOVIMIN E LIBRIT “THE FLOWER OF VLORA” TË DR. ANNA KOHEN
  • “ARDIAN KOÇI DHE RINGJALLJA E FENOMENIT TË VETMBROJTJES POPULLORE”
  • Edhe shqiptarët duhet ta kenë Kërlezhën e tyre për të nxitur demokratizimin e shoqërisë serbe
  • Shën Patrik
  • PRANIMI I PROPOZIMIT EVROPIAN ËSHTË KOMPROMIS TJETËR I KOSOVËS
  • “Luba”, një dashuri që vërvitet mes kohrash dhe zhvesh sistemin diktatorial
  • SENJORIA E VENEDIKUT DHE RAPORTET E SAJ ME PRELATET KISHTAR E FAMILJET FINSIKE SHQIPTARE NË SHEKULLIN E XV-TË – KRYEIPESHKVI I DURRËSIT IMZOT PAL ENGJËLLI
  • Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit
  • THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT
  • MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…
  • VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT