
Dr. Kriledjan Çipa/
Në vitin 1924, arkeologu italian Luigi Maria Ugolini realizoi një udhëtimi kërkimor nëpër Shqipëri, me qëllim për tu njohur me potencialin arkeologjik të vendit tonë. Duke u nisur nga interesat strategjike që kishte Italia e asokohe, në vitin 1926 Ugolini nisi punën me një projekt kërkimor afatgjatë, duke u vendosur fillimisht në qytetin antik të Finiqit, ku dhe realizoi gërmimet e para arkeologjike deri në vitet 1926-1927, nga ku më pas, në vitin 1928 punën e vijoi në Butrint. Butrinti shënoi momentin më të rëndësishëm në karierën e këtij arkeologu. Megjithatë, kërkimet e tij të mëparshme përnjohëse për Shqipërinë dhe gërmimet dhe kërkimet arkeologjike në Finiq, nuk janë më pak të rëndësishme.
Së pari, Ugolini ishte i formuar si prehistorian, kështu që i kushtoi një rëndësi të veçantë gjetjeve prehistorike në Shqipëri në përgjithësi, si dhe në Finiq në veçanti, ku gjetjet e periudhës së Neolitit dhe Bronzit vijnë nga stratigrafia.
Së dyti, të gjithë studiuesit që janë marrë me arkivat dhe dokumentacionin e punës së Ugolinit, bien dakord, se ishte një arkeolog skrupuloz në hartimin e dokumentacionit gjatë punës në terren. Është shumë interesante të thuhet se prehistoria e Finiqit njihet ende vetëm prej tij edhe pse në vitet e fundit kërkimet arkeologjike në këtë qendër kanë vijuar pa ndërprerje. Jo vetēm kaq, por e vetmja stratigrafi vertikale, me shtresa me gjetje nga prehistoria deri në mesjetë, ngelet ende stratigrafia e sondazheve të tij në akropol.
Sigurisht që, ai nuk vlerësohet vetëm sot, në vitet 1920 puna e tij vlerësohej edhe nga intelektualët dhe publicistët e kultivuar shqiptar. Njëri prej tyre ishte Vangjel Koça, i cili ka vënë në dukje jo vetëm sa thash unë mësipër, por në vitin 1929, në gazetën Demokratia i ka kushtuar një artikull librit të Ugolinit “Shqipëria e Vjetër”.