Një ditë, në“sabah” herët, një mik imi i vjetër më tha: “Do të ma bësh një shkrim!”. I thash që të më tregonte se si donte t’ia bëj!? “Fillimisht do të ma bësh badihava, mandej do ma bësh si për xhanin tim, bëje të tërën me shumë lezet…, bëje me kandar dhe për kandarin tim…, bëje për mua që njerëzit të mos më paragjykojnë a edhe të mos thonë se kinse këtij plaku i paskësh ikur fiqiri…, le ta dinë se ende nuk më ka braktisur pasioni a edhe kënaqësia për lexim!?” Ia ktheva: “Ore mik i dashur, unë shkrimet i bëj për qejfin tim dhe të lexuesve të mi të nderuar. Pa më thuaj, ç’kryetitull do t’i vë?! Ai vazhdoi: “Ja, unë po ta jap kryetitullin e fabulës e mandej ti thure si të duash”. Po si duket “kryellafi” i fabulës, – e pyeta! “HABERE TË KRIPURA” NGA “KASABAJA“ E TETOVËS. Hë, hajde, po deshe mos e qep këtë artikull! Ndonëse ky miku ka moshën time dhe njëkohësisht është njeri “që merr zjarr për çdo gjë”, i premtova se do ia shkarravis shkrimin “në vaktin kur të më zërë terri i natës!”. I ka shumë merak opinionet, sidomos ato që duken si specat gogozhare, shkrime me pak gjeografi politike dhe historike, me pak patriotizëm popullor herë-herë të rremë a të sajuar, me pak piper të kuq, me pak “karabiber”, me pak “mesele a vaki shehri“, me pak folklor e të folme krahinash e të tjera “dokrra”!? Ai, duke e “përfunduar urdhëresën e tij si prej gardiani”, sikur deshi të më thoshte: “Mik, bëj kujdes që ky shkrim të mos dalë si proçkë vjeshte”. Hajde, ç’më zuri “belaja” me këtë plak. Po halli, nëse këtë shkarravinë do ta bëj me shumë “lezet”, kam frikë se do të më dalë me “zarar”. Tekembramja, edhe “lezeti ka karar”. Se këtë “broçkull” do ta vë në kandar, nuk ma kapte rradakja, mbase isha i sigurt se kjo nuk shkon, sepse ky miku, tok me mua dhe disa të tjerë si unë, moti nuk “ka punë me bishtin dhe topin e kandarit!?”
Në fund “vendosa” që këtë shkrim ta “qëndis” me atë fjalorin a gjuhën e fallxhore Hatixhesë, që jeton te Kombinati i Tiranës…, e veshur me çitjane të gjera prej basme. Jo, nuk e bëj dot me fjalorin e Hatixhesë, pasi që jam i sigurt se shkrimi do të më dalë thjeshtë “ezmer”…, njësoj si “krakëllimat e korbave” të lagjes sime!? Hajt, thashë, do ta bëj me fjalorin e kryeministrit të shqiptarëve të Shqipërisë londineze. U bëra pishman karshi kësaj reference, sepse z. Rama më zhgënjeu thellë me deklaratën e tij, kur tha, pos të tjerash, me plot gojën: “Historia e Ballit Kombëtar është e parehabilitueshme!“…, sikur “ky qerrata nuk paskësh hiç habere” se dikur këtej afër nesh vepronin ballistët tanë…, të cilët mbronin vatanin nga komunistët. Dhe, kur edhe kjo më doli “hajdutçe”, thashë t’u referohem lidershipëve të partive politike shqiptare në Maqedoni! Edhe kjo nuk më doli si provë bindëse a e gjallë, sepse kryeparët, gjatë hartimit të listave kandiduese, shumë politikanëve ua kishin humbur besimin a edhe shpresën e të bërit deputet. Se kjo nuk është gabim, na bind Sigmund Frojdi, i cili dikur moti kishte thënë: “Martesa e gjatë e kthen gruan në motër!” A mos vallë, kjo thënie e lartpërmendur u shkon edhe disa përfaqësuesve të popullit, helbete nuk i kthen ata në “gjumashë, mendjemëdhenj dhe makiavelistë “. Unë nuk e di, mbase ky “informacion”nuk më hyn në punë.
Në mbrëmje i lashë anash të gjitha referimet dhe sugjerimet për të shkruar. U “kurdisa” të shikoja një emision dokumentar paksa të bezdisshëm. Meqë nuk më pëlqeu, mora “telekomandën” për të ndërruar programet në kërkim të ndonjë emisioni human dhe më emancipues. Më doli e kundërta! Gjithandej dukeshin emisione politike debatuese, gjithandej figura të njohura e të panjohura, disave nuk i njihet emri, mbiemri e as mëhalla, disa fytyrëqeshur, disa fytyrëhequr, një tjetër fytyrëmbushur, një fytyrëmprehtë dhe disa të tjerë që për herë të parë i shihja, ishin fytyrëngrysur, hiq mënjanë udhëheqësen simpatike, e cila dukej paksa e trishtuar nga prania e meshkujve, të cilët kishin “përveshur mëngët e këmishës karshi ndërtimit të kështjellës së SHOVINIZMIT MASHKULLOR!” Dhe kur edhe këto emisione nuk i pëlqeva, ia futa gjumit. Më erdhi një zë gruaje. Ishte një llaf urdhërues! “Kur nuk do të shtypësh gjë tjetër, do të detyrohesh të shtypësh telekomandën!?”… dhe vazhdoi të “dërdëllisë” duke më sugjeruar: “Shikoje Bleonën me trup gjysmëlakuriq!”. U “shtira” sikur nuk dëgjova gjë…, ajo këmbënguli duke thënë: “shihe, shihe”…, u çova në këmbë dhe “ngjita surratin” në ekran… dhe thashë me vete “E moj Bleonë loçkë”! Po ç’është e vërteta, kjo Bleona nuk është kushedi çka. Kjo zonja sikur nuk më krijonte përshtypjen se ishte e bezdisur me pamjen e Bleonës, përkundrazi, asaj nuk ia kapte rradakja nocionin LOÇKË! Andaj para se të shpërthente “gjurulldia”, kërkoi shpjegim shtesë rreth fjalës LOÇKË! Kur nuk i mjaftoi shpjegimi im, u detyrova ta konsultoj Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, sidomos pjesën figurative: “3. fig. Pjesa më e brendshme e diçkaje; thelbi. Loçka e zemrës (e shpirtit). 4. fig. përk. Njeri shumë i dashur e i shtrenjtë për nënën. Loçka e nënës! Loçka ime!“ Ajo, menjëherë ma ktheu: “Ore ti, po këtu nuk përmendet emri i Bleonës!”. Sime shoqe i thashë se përpiluesit të Fjalorit i ka ikur emri i Bleonës. Tekefundit, është humane ngandonjëherë njeriu edhe të gabojë, qoftë ai të jetë Faik Konica, Fishta a edhe Eqrem Çabej (kisha mendjen tek shtëpitë botuese).
Ju, miqtë e mi të nderuar, që keni moshën time, bëni kujdes me “telekomandën që ditë e natë e mbani në dorë”, bëni kujdes dhe mos harroni se ajo nuk është thjeshtë një “copë heku-rishte”, bëni kujdes se ajo shpesh të nxjerr “telashe”, njësoj siç më nxori mua disa të tilla, mos harroni se ajo fletë e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, ku jepen shpjegime sa i përket fjalës “LOÇKË”, nuk është thjesht një copë letër. Kini parasysh, ajo letër nuk është e bakallit të fshatit.., bëni kujdes me emisionet e Çanit ku duket Bleona, bëni kujdes me “haberet e kripura” të “kasabasë” së Tetovës, bëni kujdes me emisionet e debatit, në veçanti ato politike, të cilat herë-herë nuk rekomandohen për çdo moshë mentale, andaj mos kërkoni me “zor belanë”, sepse, siç kanë “ardhur kohërat”, “belaja” të futet në shtëpi pa trokitur në derë e pa e ftuar.
Ndërkaq miku im besoj se do të më falë që nuk ia përfundova shkrimin. Kësaj radhe kaq, për herën tjetër do të shohim!