
Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Pasi përfundova leximin e librit të shkëlqyer të ambasadorit amerikan Christopher R. Hill, Në shërbim larg vendit, nisa një tjetër vepër po aq interesante: librin e ish-profesorit tim, historianit zviceran nga Universiteti i Vjenës (Austri), Oliver Jens Schmitt, Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit.
Në këtë studim, Schmitt i vendos zhvillimet kryesore të historisë shqiptare në një kontekst më të gjerë ballkanik, evropian dhe të Lindjes së Afërme. Qëllimi i tij, siç thekson edhe vetë autori, është që larmia dhe pasuria e historisë shqiptare të bëhen të kuptueshme përmes disa shembujve përfaqësues, duke ruajtur një interpretim të qartë dhe të ekuilibruar, pavarësisht përqendrimit të domosdoshëm te ngjarjet dhe proceset themelore.
Një nga reflektimet më domethënëse të Schmitt-it lidhet me pozitën historike dhe identitare të shqiptarëve. Ai vëren se shqiptarët përbëjnë popullin me shumicën më të madhe myslimane në Evropë dhe se, edhe sot, vazhdojnë të përballen me pyetjen se cilës hapësirë qytetëruese i përkasin: botës islame apo Evropës së krishterë. Sipas tij, “çështja shqiptare”, e në veçanti e ardhmja e Kosovës, ka ndikuar jo vetëm në historinë e Ballkanit, por edhe në zhvillimet e politikës evropiane.
Libri paraqet historinë e shqiptarëve, nga antikiteti deri në ditët tona, si një proces dinamik dhe të mbushur me transformime politike, shoqërore e kulturore. Në këtë mënyrë, ai ndërton një bazë të rëndësishme për të kuptuar më mirë jo vetëm historinë e shqiptarëve, por edhe zhvillimet më të gjera të Evropës Juglindore.