Me rastin e 90 vjetorit të lindjes – PROF. SAMI REPISHTI OSE NDËRGJEGJA E KOMBIT/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Viti i nëntëdhjetë vjetorit të lindjes, do të duhej të shpallej nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë „Viti i Prof.Dr.Sami Repishtit“. Kështu ndodh në vendet e civilizuara. Por Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë vijon të mbetet një atavizëm i Akademisë të kohës së diktaturës. Luftën kundër Korifejve të Kombit, ky institucion e ka zëvendësuar me luftën përmes injorimit të Figurave, një akt ky makabër dhe po aq kriminal sa burgosjet dhe vrasjet e intelektuelëve.
Ky vit do të duhej të shpallej nga qeveria e Shqipërisë dhe nga institucionet e saj „Viti i Prof.Dr. Sami Repishtit“, nëse kjo qeveri do të iluminohej sikur pretendon nga idealet e Rilindjes tonë Kombëtare, sepse Prof.Dr. Sami Repishti, sikur thotë me të drejtë Peter R.Prifti, „është pasardhësi i denjë i Rilindasve tanë, sepse ka zbatuar me besnikeri idealet e tyre te larta“.
Nëse “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar, atëherë kjo Dekoratë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë i duhet dhënë Prof.Dr.Sami Repishtit.
Presidenti i Republikës ka nderuar me këtë medalje në vitin 2015 Emirin e Katarit dhe Presidentin e Turqisë por as që e ka vënë ujin në zjarr për Kolosin e Iluminizmit të Mendimit Shqiptar në krizën më thellë identitare që po përjetojmë si komb këtë treçerek shekulli.
Prej aliazhit diktaturë, pushtim, tranzicion e abuzim pushteti, ne si komb rrezikojmë kalbjen – për të cilën disa ditë më parë foli edhe Papa Françesku, dhe vetëm Mendimtarë të formatit Iluminist si Prof.Dr. Sami Repishti mund ta na shpëtojnë nga degradimi, shuarja apo zhbërja. Sepse të heqësh dorë prej vlerave identitare dhe parimeve të Humanizmit Perëndimor, do të thotë të pushosh së ekzistuari.
Prof.Dr. Sami Repishti lindi më 5 korrik 1925. Me jetën dhe veprën e tij, Ai u bë Shëmbëlltyra e Luftëtarit që nuk bën asnjë kompromis me të keqen. Edhe sot kur posa i ka mbushur 90 vjeç, Ai i paepur lufton me dije e dituri, me gjithë forcat e mendjes, shpirtit dhe arsyes njerëzore duke i bërë apel mendjeve të shëndosha të ndriçohen prej dritës që vjen prej idealeve të lirisë e vlerave të demokracisë.
Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t’i mbijetojë apokalipsit të burgjeve dhe torturave të diktaturës. Kredoja e lirisë e bëri Prof.Dr.Sami Repishtin që t‘i shpëtonte vdekjes prej plumbave të rojeve kufitare të shtetit komunist, ndërsa do t’i shihte për herë të fundit sytë e nënës, sy që do ta ndjekin kudo në rrugëtimin që ngjan i pamundshëm e Ai nuk ndalet si Misionar për të treguar të vërtetën dhe për t’i orientuar shqiptarët, të cilët enden e enden sikur të jenë në mesin e oqeanit e të pabusull nga çoroditja politike.
Prof.Dr. Sami Repishti nuk bëri kompromis me diktaturën. Ishte viti 1946 dhe ai vetëm 21 vjeç kur regjimi komunist e dënoi me 15 vite burg duke e shpallur si armik. Sa krenari të jesh armik i diktaturës! Ai i pa dhe i provoi krimet e diktaturës. Ishte vetë viktimë e saj. Prej atëhere atij iu hapën plagë të shpirtit që edhe sot e kësaj dite nuk janë mbyllur, sepse viktimat lypin drejtësinë e munguar. Në burg, diktatura ia vrau shokët, Qemal Draçinin, që u vetëhelmua me DDT për t’i shpëtuar torturave çnjerëzore. Në burg i vranë burrat më të mirë të kombit, duke e kthyer Shqipërinë një një Gulag të gjithin. Në burg ai i premtoi At Çiprian Nikajt se do t’i tregonte të gjitha çka i kishin parë sytë e ballit dhe të shpirtit. Sami Repishti nuk do të rrojë veç për me tregue, por do të rrojë për me e luftue diktaturën! Përmes Mendjes së Tij të Ndritur.
Në Shqipëri, pas 75 vjet diktaturë e tranzicion, ne kemi Akademi Shkencash, pa Akademikë. Në Shqipëri ne kemi Universitete, pa Luminarë. Sepse po të ishin, asnjëri nuk do ta lindte vendin në obskurantizmin e Mesjetës që vjen prej shpërdorimit të pushtetit politik, që po e lë popullin në terrin e injorancës dhe varfërisë.Bash si diktatura.
Nga burgu i diktaturës Prof.Dr.Sami Repishti doli në vitin 1956, kur ishte 31 vjeçar. Diktatura ia përpiu dhjetë vite të jetës dhe kur doli prej hekurave të burgut e priti me barbarinë e mjeteve të saj perfide të depersonalizmit, duke e dërguar të punonte si punëtor krahu. Kësisoj, si viktimë, Ai nuk do të mund ta çonte në vend amanetin e Qemalit dhe të At Çiprian Nikajt me shokë, e prandaj merr vendimin verdikt të jetës së tij, të largohet nga Nana, vëllau e familja, akti më sublim i këtij njeriu të madh, e të kalojë kufirin e t’i mbijetonte një kalvari tjetër, atë të refugjatit në kampet e ish-Jugosllavisë, ku nuk e priste asgjë e mirë. Atëherë vendos të arratiset e kalon në Itali, ku fiton të drejtën e azilantit politik, e prej andej në vitin 1962 mbërrin në SHBA.
Posa ndjen se ka fituar lirinë e di se vetëm duke iu kushtuar dijeve, do të mund të bëhet përçues i Idealeve të Lirisë për popullin e tij të prangosun. Në Shkodër kishte kryer Liceun e At Gjergj Fishtës, në Universitetin e Firences kishte studjuar për Histori Moderne. Ai e di se popullit të tij të vramë e të vujtun i dilte në krah veç si Njeri i Elitës. Andaj i palodhun Prof.Dr.Repishti iu përvesh punës dhe studimeve, për të sfiduar kohën e vrarë prej diktaturës, dhe triumfoi si Njeri i Letrave, i Kulturës, i Shkencës, si Mbrojtës i të Drejtave të Njeriut, si Humanist, si Zë i besuar dhe i fuqishëm pranë Kongresit Amerikan, Departamentit të Shtetit, Shtëpisë të Bardhë si Njëri prej Përfaqësuesave më Elitar në historinë e diasporës shqiptaro-amerikane që qendron me dinjitet në krahun e djathtë të Faik Konicës.
Prof.Dr.Sami Repishti me kontributin e tij si shkrimtar, shkencëtar, dijetar dhe humanist i ka shoqëruar që të gjitha ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur kur kapërthyet shekulli me milenarin, sa i përket çështjes shqiptare, kombit shqiptar dhe integrimeve shqiptare në institucionet Euro-Atlantike.
Librat e tij me dëshmi nga burgu « Pika Loti » dhe « Nën hijen e Rozafës » janë Literaturë e pastër Nobelistike, sepse tregojnë tragjedinë njerëzore shkaktuar nga diktatura në mënyrën më autentike të mundëshme, kur shkrimtarët e Shqipërisë vazhdojnë të heshtin, duke fshirë kështu nga memoria kombëtare faqen më tragjike të jetës të kombit. Kush i lexon këto libra, i qan shpirti me kuja. Kush i lexon këto libra bëhet njeri.
Ky zhanër i letërsisë duhet të hyjë urgjentisht në shkollat shqiptare, nëse duam të mbijetojmë si komb. Sepse vetëm duke u njohur e vërteta, do të arrihet dekomunistizimi dhe do të marrë fund trushplarja e popullit.
Për të ndriçuar mendjen e popullit, duke dhënë shembullin në vetën e pare, Profesor Dr.Sami Repishti, rrnon duke i shpallur luftë konformizmit pseudointelektual. Esseistika politologjike e sociologjike e Profesor Dr.Sami Repishtit është brilante, të hap sytë e mendjes, të çliron nga hallkat e presionit të censures dhe autocensurës dhe është liberatore e të shpëton prej kakofonisë të korit të bretkosave të Tiranës, që të zhytura në baltën e lluksit personal, bëjnë kompromis me vetë qoftëlargun.
Prof.Dr. Sami Repishti është Ndërgjegja e kombit shqiptar, është Ndërgjegjia Kombëtare që mban qendrim kritik ndaj të gjitha vonesave të pajustifikuara këtë tranzicion shkaktuar nga abuzimi me pushtetin duke na treguar se shteti demokratik, ndërtohet vetëm mbi themele të mbrojtura nga vlerat dhe parimet universale të demokracisë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut, nga shqiptarët më të mirë që janë dashuruar dhe ia kanë kushtuar jetën Lirisë! Ashtu si Prof.Dr.Sami Repishti!
Archives for July 2015
DR. SAMI REPISHTI,VEPRIMTAR I SHQUAR I TË DREJTAVE TË NJERIUT
Nga Frank Shkreli*/
Është kënaqësi të jem me ju këtu për të festuar 90-vjetorin e lindjes së Profesor Sami Repishtit. Natyrisht se ky është një jubile i gëzueshëm, në të cilin jam krenar të marrë pjesë — për të shënuar këtë moment të rëndësishëm në jetën e Profesorit në rrethin familjar dhe me miqët e dashamirët e tij. Por njëkohsisht edhe për ta falenderuar atë për kontributet e shumëta në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tij patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut.
Për dekada, Profesor Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Autori dhe historiani Peter Prifti, një anëtar tjetër i dalluar i Komunitetit shqiptaro-amerikan ka shkruar se, “…Prof.Dr. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”.
Profesor Repishti i ndoqi dhe i zbatoi këto ideale të larta në të gjitha veprimtaritë e tija, por mbi të gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tija, për të promovuar, për të zhvilluar dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë, sidomos për shqiptarët kudo, para dhe pas shëmbjes së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër në botën shqiptare.
Prandaj, kemi ardhur këtu sot për të nderuar një ikonë shqiptaro-amerikane të të drejtave të njeriut dhe për të celebruar një trashëgimi të një mbështetsi të idealeve të të drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne — vlera këto të cilat Profesor Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e tij, deri në ditët e sotëme.
I përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të njeriut. Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash dhe virtytesh! Gjithë jetën e vet, Profesor Repishti ka treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera.
Ai kurrë nuk është dorëzuar në luftën për të drejtat e nejriut. Madje edhe në moshën 90-vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalon atë që të shprehet dhe të shkruaj në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave universale dhe të integritetit të individit. Kjo, për arsye se Profesor Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qendrime të prera dhe të vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai beson. Madje edhe në rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk mund dhe nuk dëshironte të heshtë. Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të drejtat e njeriut, pa marrë parasyshë rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiesel, “Të jeshë asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të torturuarin.”
Të nderuar miqë, Profesor Repishti, pa marrë parasyshë rrethanat dhe rreziqet, ai nuk ka qëndruar kurrë larg interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut.
I nderuar Profesor, Perëndia u ka bekuar me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ju nuk e keni tradhëtuar atë. Jeta juaj është një jetë shërbimi ndaj të tjerëve. Ju keni punuar gjtihë jetën dhe vazhdoni të jepni kontributin tuaj ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës suaj nuk ka marrë fund, se ju gjithnjë mund të frymëzoni të tjerët dhe se pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat mund të përballeni, ju nuk keni qëndruar atëherë dhe nuk qëndroni asnjanës as tani, përball shtypjeve e terrorit. Mbi të gjitha, ju jeni kujdesur për të drejtat e njeriut dhe për mirëqenjen e të gjithë njerëzve, qofshin ata shqiptarë ose të tjerë kudo në botë, të drejtat e të cilëve janë shkelur historikisht nga regjimet komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.
Profesor Repishti është dëshmitar i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20. Por, ai njëkohsisht është edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve, viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”. Ne jemi të privilegjuar që Z. Repishti vazhdon të shkruaj dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe viktimave të tjera të komunizmit, të cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të.
Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që Z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë. Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm.
Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhej të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Profesor Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtë për drejtë me të keqen – dmth., me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10-vjetë, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.
Kjo rezistencë e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Profesor Repishti, “Më ka obliguar moralisht për të ndarë me të tjerët ato që kamë parë, sidomos krimet e diktaturës së proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje.”
Kështuqë, interesimi i Profesor Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit, kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë pasion i jetës së tij qyshë në fillim. Angazhimi i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10-vjetë burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe, përfshirë edhe klerikët katolikë shqiptarë më të shquar, ndërkohë që kishte qenë dëshmitarë i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve komunistë.
Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Profesor Repishti ka shkruar në vitin 1966, pasi kishte arritur në Amerikë se, “I ndjeja thellë mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të pranoheshin, të harroheshin dhe as të faleshin”.
Profesor Repishti ka shkruar se ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona, për liri, drejtësi dhe paqë, hereto se vonë, do të realizoheshin. Këto ishin të vërteta aq të qarta!…” ka theksuar Repishti. “Këto të vërteta”, ka pohuar Profesor Repishti, “më kanë prekur thellësisht në zemër, më kanë ushqyer mendjen dhe më kanë ndihmuar shumë që të kuptoj madhështinë e natyrës njerzore. Është kjo një ndjenjë që unë e ruaj dhe e kultivoj sot e kësaj dite”, ka deklaruar Profesor Repishti me rastin e 20-vjetorit të tragjedisë së viktimizimit të klerit katolik shqiptar.
Është e qartë se kleri katolik shqiptar, të burgosur, të vuajtur e të masakruar nga regjimi komunist enverist – jo vetëm sa ishin gjallë por edhe të vdekur, gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, Profesor Sami Repishti e ka provuar me fjalë dhe me vepra se — ata nuk kanë pasur as nuk kanë një mbështetës më të madh për të drejtat e tyre njerzore dhe fetare, se sa këtë kampion të të drejtave të njeriut, Prof. Dr. Sami Repishtin — këtë bir të një kleriku të shquar e të nderuar mysliman nga Shkodra jonë.
Lufta e dytë Botërore dhe komunizmi kishin lënë një ndikim të madh moral dhe filozofik në personin e këtij mbështetësi të ardhëshëm të të drejtave të njeriut. Pasi mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai emigron në Shtetet e Bashkuara në fillim të 1960-ave. Përvoja e Z. Repishti në ato burgje duket se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.
Në një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në vitin 1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me të keqën?”
Komunizmi, ka shkruar ai, kishte këthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke an kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë drejtim të ri. “Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar sulmet nga të tjerët. Në lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Profesor Repishti, duke shtuar se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtone të tjerët, por të pësonte kritikat dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.
Profesor Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të bashkatdhetarve të vet, por njëkohsisht e kishte detyruar të përballohej me disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë. “Cila është gjëndja shpirtërore në ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë pa bazë morale, thjeshtë për ta shëndërruar atë në një objekt? Si lufton njeriu për sigurinë e vet, për afirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?” Z. Repishti ka shkruar që nga viti 1964 se, “Për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri”, sepse kjo kauzë do të bëhej një ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.
Për ne që e njohim Profesor Repishtin dhe për ata që ndjekin shkrimet e tija rregullisht, nuk është vështirë të vihet re se ai nuk ka devijuar asnjëherë nga ky qëndrim. Pothuaj në çdo artikull, në çdo ese ose intervistë, subjekti i të drejtave të njeriut është gjithmonë dominues në fjalorin e Profesorit, siç është edhe angazhimi i tij real në mbrojtje të këtyre të drejtave, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë njerëzit kudo, pasi të drejtat e njeriut janë të drejta universale për të gjithë njerzit në mbarë botën.
Si rrjedhim, Profesor Repishti ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International, por mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ushtruar të drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të influencuar përfaqsuesit politikë amerikanë që polikisht, diplomatikisht dhe më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre.
Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar Profesor Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqsit më të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit. Kontaktet e tija me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumëta dhe të vazhdueshme, ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhënjet e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqsues të Shtëpisë së Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, republikanë dhe demokratë.
Marrëdhënjet e Profesor Repishtit me Kongresin Amerikan kishin filluar menjëherë pas arrijtjes së tij në Amerikë. Në të vërtetë, ai ruan nderin e shqiptaro-amerikanit të parë që është paraqitur në Kongresin Amerikan për të dëshmuar mbi gjëndjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka qenë 17 dhe 18 maji i vitit 1965 kur Nënkomisioni për Punët Europiane i Dhomës së Përfaqsuesve ka mbajtur një sesion mbi gjëndjen e atëhershme në vendet komuniste të Europës Lindore dhe të Baltikut. Gazeta “Shqiptari i Lirë” ka dokumentuar dëshminë e parë të një shqiptari në personin e Sami Repishtit, me kryeartikullin: Marrëdhënjet e Tiranës me Moskën e me Beligradin dhe Problemi Kosovar: Një dëshmi shqiptare në Parlamentin e Shteteve të Bashkuara”. Ishte ky një shkëmbim mendimesh mbi gjëndjen e shqiptarëve midis Profesor Repishtit dhe anëtarëve të Komisionit në fjalë, përfshirë edhe kongresistit Lee Hamilton, njërin prej ekspertëve të politikës së jashtëme për shumë vjetë në Kongresin amerikan. “Shqiptari i Lirë” theksonte në atë kohë se dëshmia e Profesor Repishtit, përbënte, “Deklaratën e parë të qartë mbi të drejtat e shqiptarëve nën Jugosllavi, para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.”
Paraqitja e tij para Kongresit amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i kontakteve të Dr. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta politike dhe akademike amerikane. Profesor Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, këshillat e të cilit duhej të merreshin parasyshë.
Në një letër që Zëvendës-Presidenti Al Gore i kishte dërguar Profesor Repishtit me rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta për ditëlindjen” i shkruan: “Jeta jote është një shëmbull i shkëlqyer, e asaj që është e madhërishme në Amerikë… E dijë se familja dhe komuniteti i juaj, me të drejtë janë krenarë për karierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve shqiptare.”
Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti republikan nga Long Island e New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për Sami Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte përjetuar për një kohë të gjatë.” Kongresisti King thekson rolin që ka luajtur Profesor Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), “një organizate e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të shqiptarëve”, ka shkruar ligjvensi amerikan Peter King në “Congressional Record”.
Por, 90-vjetori i lindjes së Profesor Repishtit, ka një domethënje sa për të kaluarën aq edhe për të ardhmen. Nga përvoja e tij e urtë si mbijetues i ferrit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, por edhe nga përvoja e gjatë në fushën e të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të kaluara, jam i sigurtë se Profesori, secilit prej nesh kudo që jemi në Shqipëri, në Kosovë, këtu në Shtetet e Bashkuara – besoj që dëshiron të na bëjë thirrje sot, të na nxisë me fjalën e tij bindëse duke na kujtuar detyrën dhe obligimin tonë si individë, për të folur dhe për të vepruar në mbështetje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe pa dallim, për të folur dhe për të mbajtur qëndrim kundër padrejtësive, sidomos padrejtësive dhe keqtrajtimeve nga qeveria dhe nga autoritetet që duhet të jenë në shërbim të popullit – madje edhe në raste kur bota rreth nesh duket se futet në fshehësinë e heshtjes së historisë.
“Historia shkon e vjen”, ka pas thënë ish presidenti amerikan Ronald Reagan, “por parimet qëndrojnë, ato mbijetojnë si garanci që brezat e ardhëshëm të mbrojnë të drejtën e lirisë – e cila nuk është dhuratë nga qeveria – por një bekim nga Krijuesi ynë.”
Miku ynë i nderuar – ju jo vetëm ishit dëshmitar i një historie të tmerrshme, për të cilat ka folur shpesh Ronald Reagan, por për më tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj histori, nga krimet më çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju, megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shëmbull për brezat e ardhëshëm. Kjo është tepër e rëndësishme, sepse për shumë shqiptarë, siç e dini, pasojat nga abuzimet e të drejtave të tyre të njeriut në të kaluarën, mbeten ende plagë të gjalla jo vetëm në kujtimet e tyre personale por edhe në shoqëri, në përgjithësi si shënja të pashlyeshme të krimeve dhe abuzimeve nga regjimet diktatoriale nën të cilat ata kanë jetuar – madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së komunizmit.
Siç tha edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulc në fjalimin e tij këtë javë në Kuvendin e Shqipërisë, është e rëndësishme që të kujtohet historia, ashtuqë të mos harrohen ngjarjet tragjike të historisë së kaluar, pasi nuk mund të ketë pajtim, pa kujtesë. “Pajtimi”, u tha deputetëve shqiptarë udhëheqsi europian nga Gjermania, “nuk mund të ndodhë nëqoftse nuk pranohen dhe nëqoftse nuk flitet për vuajtjet dhe dhimbjet e së kaluarës dhe nëqoftse nuk pranohen si të tilla.”
Të nderuar Zonja dhe Zotëri –njeriu që ne nderojmë sot, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut – miku i ynë Profesor Sami Repishti, jo vetëm tashti, por me fjalët dhe veprat e tija, ai gjithmonë na ka ftuar dhe kujtuar dhe ka bërë thirrje shpesh që jo vetëm të mos harrojmë abuzimet e së kaluarës, por është e rëdnësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar ka thënë ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më. Mendoj se Sami Repishti do na porositë sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë — si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera, — sidomos në fushën e pajtimit shoqëror — për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të nguliten njëherë e mirë dhe përgjithmonë anë e mbanë trojeve shqiptare.
Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit ka punuar gjithë jetën e tij Profesor Sami Repishti dhe nga i cili nuk e besoj se ka në mend të heqë dorë. Ai na këshillon sot se puna për sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja zhgënjyese.
I nderuar mik dhe koleg, të falenderoj dhe të uroj nga zemëra për një jetë plot veprimtari, në mbështetje të të drejtave të njeriut për shqiptarët kudo dhe kurdoherë gjatë 50-viteve të fundit të një historie të hidhur për ta. Më lejoni ju lutëm, nëqoftse kam mundësi, që tu paraqesë një falenderim të veçantë për mbrojtjen dhe kujtimin e vazhdueshëm që keni treguar dhe tregoni për bashkvuajtsit tuaj në burg, klerin katolik shqiptar, të cilët siç keni shkruar shpesh ka “pësuar mizoritë, masakrat dhe torturat” e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si asnjë pjesë tjetër e shoqërisë shqiptare. Ju nuk lini asnjë rast të volitshëm pa përmendur sakrificat e tyre, përfshirë edhe intervistën e fundit që patët me rastin e 90-vjetorit, me kryeredaktorin e gazetës Illyria, Ruben Avxhiu. Ata bashkvuajtës tuaj ishin atëherë të pambrojtur, të abuzuar dhe të torturuar nga regjimi komunist, por është merita juaj, i nderuar Profesor, që kujtimi i tyre nuk është harruar kurrë nga ju, e si rrjedhim as nga të gjithë ne, ndonëse nuk i kemi njohur.
Edhe njëherë falenderimet tona më të përzemërta për përpjekjet tuaja shëmbullore në favor të të drejtave të njeriut për shqiptarët, e sidomos për luftën tuaj të pa ndërprerë dhe këmbëngulëse prej dekadash për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Të jeni të sigurtë se shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan jemi tepër krenarë për arrijtjet tuaja në fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për njerëzimin në përgjithësi.
Me respekt dhe mirënjohje të thellë ju dëshirojmë: Ad Multos Annos!
* (Fjala e mbajtur në simpoziumin me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Sami Repishtit)
SIMPOZIUM PER 90 VJETORIN E LINDJES TE PROF. SAMI REPISHTI NE NJU JORK
Te shtunen me 18 korrik 2015”Miqte e Prof. Sami Repishtit” organizuan nje Simpozium per ta nderuar ate dhe per te evidentuar vlerat e veprimtarise se tij ne sherbim te ceshtjes Kombetare, mbrojtjes te drejtave te njeriut, vlerave edukative si mesimdhenes, si dhe per te evidentuar vlerat e vepres se tij letrare. Veprimtarine e ka moderuar aktivisti i komunitetit Ramadan Gashi. Me pas Dr. Nikolla Qafoku ka sjelle nje pershendetje vleresuese per Prof. Sami Repishtin si edukator, autor, demokrat parimor, intelektual jo konformist, Dr. Elez Biberaj-drejtor i Divizionit te Euroazise ne Zerin e Amerikes, solli kumtesen”Perpjekje per Liri e Pavaresi te Kosoves”, studiuesi Anton Cefa mbajti kumtesen:”Prof. Dr. Sami Repishti ne 90 vjetorin e Lindjes”, Agron Alibali kishte pergatite kumtesen”Nji trajtim i problemit Cam”, ish drejtori i Divizionit te Euroazise ne VOA, gazetari Frank Shkreli mbajti kumtesen”Veprimtaria per te Drejtat e Njeriut”, ndersa Grid Rroji” Mendimi Politik i Dr. Sami Repishtit”. Nje pershendetje te vecante sollen ne Simpozium, Neka Doko, drejtore e Bibliotekes”Fan S. Noli” prane kryekishes Shen Gjergjit ne Boston, biznesmeni Harry Bajraktari dhe gazetari Sinan Kamberaj.Ndersa kengetari Bashkim Pacuku pershendetjen e tij e beri te vecante, interpretim skenik.
Nderkohe ne Simpozium u percollen edhe kumtesa te derguara nga studiues qe nuk ishin te pranishem ne Simpozium: Kumtesen e Fotaq Andrea”Hyrje: Dialektika e Rendit dhe Rebelimit tek Andre Malraux” e sollen ne shqip Bekim Xhaferri ne anglisht Aida Gashi, studimin “Pika Loti-Tregime burgu-Analize” te Dr. Lumira Rroji e percolli Ava D.Safir, J.D; Kumtesen e Dr. Eleni Karamitri”Nen Hijen e Rozafes-Narrative e jetueme” e sollen ne shqip Bekim Xhaferri dhe ne anglisht i biri i Prof. Repishti Dairen Repishti Ph.D.
Ne perfundim te Simpoziumit Prof. Sami Repishti ka falenderuar organizatoret, autoret e kumtesave, pjesmarresit per nderimin qe iu be jetes dhe vepres se tij.
Vperimtarine e ndoqi edhe media e Komunitetit: Zeri i Amerikes me gazetarin Ilir Ikonomi, Gazeta Dielli, Gazeta Illyria, Gazeta Bota Sot, TV 21, TV Kultura Shqiptare.
Kumtesat mund t’i lexoni ne Dielli online.Fotografite i gjeni ne facebook
Katër futbollistë të kombëtares marrin nënshtetësinë shqiptare
Tre vëllezërit Ajeti: Arlindi, Albiani, Adonisi ashtu si dhe Berat Xhimshiti janë dekretuar me dhënien e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani./
Katër futbollistët shqiptarë që janë të rritur dhe luajnë për skuadra të Superligës zvicerane, kanë marrë së fundmi nënshtetësinë shqiptare dhe janë pajisur më pasaporta të Shqipërisë due fituar kështu të drejtën të luajnë për kombëtaren shqiptare.
Tre vëllezërit Ajeti: Arlindi, Albiani, Adonisi ashtu si dhe Berat Xhimshiti janë dekretuar me dhënien e nënshtetësisë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Përforcimi i kombëtares shqiptare edhe me këta futbollistë, çon më shumë se 10-të numrin e futbollistëve shqiptarë, të cilët janë rritur apo dhe luajnë në super ligën zvicerane. Pjesëmarrja e këtyre futbollistëve ka ndikuar shumë pozitivisht edhe në rezultatet që kombëtarja shqiptare ka arritur kohëve të fundit.
Të tre vëllezërit Ajeti, të cilët vijnë nga Prishtina lujanë për ekipin kampion të Zvicrës, FC Basel, ndërsa Berat Xhimishti, i cili është me prejardhje nga Lugina e Bujanovcit, i lindur në Zvicër, luan për ekipin e parë të FC Zurich-ut.
Reportazhi i “Financial Times”: Arti i shtet-ndërtimit në Shqipëri
Nga Gjergji Mima/ -Gazeta prestigjoze “Financial Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë pamjes së re të Kryeministrisë së Shqipërisë, me drita LED, kërpudha në oborr dhe vepra të ndryshme arti në holl.
Në reportazhin e gjatë nga Tirana, gazetari Peter Aspden, përshkruan me detaje ndryshimin e ardhur përmes dorës së kryeministrit artist në godinën e epokës komuniste, ndërsa Rama i tregon histori edhe për gjyshen e tij dhe marrëdhënien e saj me artin, si dhe i ofron pijen aq të dashur për shqiptarët, rakinë.Gjithçka nis sigurisht me vizitën në Tiranë të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila mirëpritet në kryeqytetin shqiptar përveç se me pompozitetet e nevojshme të një vizite shtetërore, edhe me një sërë veprash arti, mes tyre edhe një shtrëngim duarsh i papërfunduar, vepër e realizuar nga bashkëkombësi i saj Tomas Demand.
Sipas “Financial Times”, kjo ishte një gjetje që befasoi këndshëm kancelaren. Në oborrin e kryeministrisë, skulptura e kërpudhës gjigante trellojshe, vepër e artistit suedez, Karsten Hëler kap vëmendjen e reporterit britanik.Sipas Ramës, kolazhi i tre kërpudhave, një e ngrënshme, një helmuese dhe një haluçinante, përkufizon më së miri politikën shqiptare.
Nuk mund të shpëtojë pa një koment edhe modifikimi i hyrjes së kryeministrisë, me kolazhin e dritave LED, dizajnuar nga francezi Filip Pareno, vepër që sipas gazetës britanike, është sinjali i një jete të re që ka nisur në një godinë, e cila prej vitesh kishte mbetur në errësirën e diktatit komunist.
Këtë shkrim e ka komentuar edhe Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “Facebook”, ku nënvizon se kjo hapësirë që prestigjozja Financial Times i ka kushtuar artit në Kryeministrinë shqiptare është një arsye për t’u ndierë mirë që flitet kaq mirë për Shqiërinë.“Hapësira krejt e veçantë e prestigjiozes Financial Times dhe pena e një gazetari ndër më të shquarit e faqeve të kulturës e të artit në botë, janë një arsye për t’u ndjerë mirë që bejmë të flitet kaq mirë për Shqipërinë. Kjo jehonë e posaçme e operacionit tonë më të fundit, për ta kthyer katin e parë të kryeministrisë në një hapësirë publike të dialogut e komunikimit përmes artit, kulturës, librit, muzikës, filmit e debatit, si dhe vlerësimi i lartë që i bëhet veprave artistike, të cilat tanimë janë pjesë e qënies së godinës së kryeministrisë, me siguri do t’i pëlqejë edhe kujt nuk i kurseu dot të sharat sapo u çelën dyert e COD-it (Center for Openess and Dialogue).
Ne Foto:Kerpudhat ne oborrin e Kryeministrise
- « Previous Page
- 1
- …
- 32
- 33
- 34
- 35
- 36
- …
- 100
- Next Page »