• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2016

POLITIKANË MOS E BËNI PIS SHQUP-in

March 17, 2016 by dgreca

Opinion Nga Asllan Bushati/

Shtëpitë e ushtarakëve (ose shtëpitë e oficerave), kanë ekzistuar në kohën e shtetit totalitar dhe në vitet e para të pluralizmit, si nocion dhe si realitet aty ku kishte njësi ushtarake (gati ne te gjitha rrethet). Ata ishin hotele e restorante për ushtarakët dhe familjet e tyre, por edhe institucione kulturoro-artistike dhe ambiente argëtimi.E drejta e hyrjes në to ishte edhe për civilët kur ishin të shoqëruar me ushtarakët ose kishin “Fletë-Hyrje “ të posacme . Kurse ne Tirane ka ekzistuar Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë Popullore që shkurtimisht quhej SHQUP-i.

Në fillim të viteve 60-të SHQUP-i ka qenë në nje godinë të vogël në rrugën e Kavajës, shumë afër Sheshit “Skenderbej” në qendrër të Tiranës .Ajo ishte(ndoshta një shtëpi private) e përshtatur për këtë qëllim, por ishte e vogël për t’ju përgjigjur kërkesave në rritje të një institucioni qëndror per aktivitetet e ushtrisë. Nisur nga sa më lart ,më vonë, prapa ish Hotel “Dajtit”, u ndërtu godina e re e SHQUP-it, që sot është selia qëndrore e Partisë Demokratike.

Në SHQUP, ushtarakët e brezit tim (por jo vetëm),kanë kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës dhe aktivitetit të tyre. Atje ruajmë kujtime të pashlyeshme sepse vec drekave e darkave të zakonëshme, kemi festuar ditlindjet tona , të familjarëve, miqëve e shokëve. Kemi bërë darka e dreka fejesash e martesash , mbrëmjet e vitit të ri, mbrëmje të përvjetorëve të ushtrisë e të atdheut. Kemi bërë mbledhje, takime, analiza dhe diskutime që janë të shënuara në jetën e Ushtrisë Shqiptare.Kemi parë koncerte artistike të ansamblit ushtrisë, estradës ushtari, orkestrës frymore të ushtrisë (banda) dhe formacioneve të tjera kulturoro-artistike civile.Nga biblioteka e SHQUP-it kemi marrë libra për edukimin tonë e të fëmijëve tanë. Kemi bërë shkollë për mësimin e gjuhëve të huaja, kemi parë filma artistik e dokumentar, ekspozita pikture e fotogrfike etj.

Kemi pritur e diskutuar me personalitete dhe artistë të mirnjohur shqiptar (përfshi dhe Kadaren), miq të ushtrisë shqiptare dhe personalitete politike e ushtarake të vendeve të tjera. Prej asaj godine të SHQUP-it, nëpërmet ceremonive të lamtumirës, kemi përciellë për në banesën e fundit (me e pa shtrat topi), shumë personalitete ushtarake (por jo vetëm) që me punën dhe luftën e tyre i kanë bërë nder atëdheut. SHQUP-i dhe shtëpitë e ushtarakëve ne rrethe ishin pronë e ushtrise.

Në kohën e sistemit totalitar, në cdo rreth godinat më të mira ishin ato të komiteteve të Partisë së Punës . Pas shembjes së këtij sistemi, këto godina mbetën përsëri pronë e Partisë Punës (në vazhdim socialiste).Partitë e tjera morën godina të dorës dytë e të tretë. Në verën e 2013-ës SHQUP-i me vendim qeverie bëhet seli qëndrore e PD-së. Fillimisht edhe unë si shumë ushtarakë e ish ushtarakë, nuk e pëlqeva aspak një gjë të tillë,madje isha shumë zemërthyer, sepse kisha në zemër e mendje ato ndiesi që përshkrova më lart. Por më pas duke menduar me qetësi se sa godina të nivelit të lartë kishte marrë PS-ja, thashë me vete edhe PD-ja është pjesë e pasurisë politike kombëtare dhe e meriton të ketë një seli qëndrore serioze, kur SHQUP-i tashmë e ka humbur misionin që kryente më parë.

Me ardhjen në pushtet të PS-së në vitin 2013, nga shumë zyrtarë të saj, por vecanërisht nga Kryetari saj Rama dhe Nënkryetari Balla, gati në cdo fjalim kam dëgjuar, konotacionet më negative për SHQUP-in si: ” I ashtuquajturi kryetari i SHQUP-it; zëdhënësi i Berishës në SHQUP; stafi i SHQUP-it; gënjeshtarët e SHQUP-it; mediokrat e SHQUP-it; banditët e SHQUP-it; lehësit e SHQUP-it; llafazanët e SHQUP-it” etj etj.Mua si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare, më vjen zor nga vetja kur dëgjoj se si ata të PS-së shajnë ato të PD-së dhe e kundërta. Por më duket tepër vulgare dhe absurde deri në nivel foshnjarak, se mirë që shanjë kundërshtarët ,por pse shajnë, përgojojnë e baltosin një ndërtes symbol të ushtrisë sic ishte SHQUP-i, për të cilën ushtarakët kanë ndiesi madje dhe dhimbje për të. Ajo nuk i ka bërë sakujt asnjë të keqe . Pse merren me themelet e muret e një godine vetëm e vetëm se ajo më parë është quajtur SHQUP. Në fund të fundit pse shajnë në përgjirhësi politikanët tanë? A ka pak fjalë ,fjali, sinonome negative (por jo fyese dhe të pa pranueshme për publikun) që të shfryjnë mëllefin e tyre? Si mundet që fyerja me fjalor të pa pranueshëm për askand të bëhet pjesë e cdo séance plenare dhe të shkojë aq larg sa të mbjellë urrejtje deputetësh, grupesh parlamentare ,partiake e deri në urrejtje komëtare.Cfarë përfaqësojnë këto politikanë që me fjalët më të ulta të komunikimit njerëzor, flasin për kundërshtarët e tyre politik (dhe më turpshëm për gratë deputete) , sikur disa prej tyre i përkasin një rrace të lartë të shoqërisë dhe pala tjetër i përket llumit të shoqërisë. Kjo “ elitë”, që s’ka asgjë të përbashkët me këtë nocion, pse solli kriminelët në parlament? Parlamenti ynë është arenë opsionesh, programesh , strategjish e vendim marrjesh, apo arenë ku mund të provohen jo vetëm grushtat por edhe armët.

Mendimi im është ky: Ata që nuk kanë një strategji të qartë vepruese për të sotmen dhe të ardhmen. Ata që s’kanë programe të balancuara dhe të argumentuara me mundësitë. Ata që s’kanë dijet e duhura për konceptet e lidershipit në një shoqëri demokratike. Ata që s’kanë vullnetin e duhur për të punuar për programet që ofrojnë, janë sharlatanë që merren me llafe pazari, sharje pakufi të kundërshtarëve, duke u këthyer në qesharakë para botës dhe në huliganë, despotistë, arrogant e tiranë të popullit që i ka votuar . Më falni për shprehej, por edhe ky shkërdhatë tranzicion , që po zgjat pa mbarim, paska qenë fatlum për horrat e banditët deri në sferat e larta të politikës dhe tmerrësisht i poshtër për njerëzit e varfër të cilët po lëshojnë vendin nga varfëria, papunësia korrupsioni dhe keq qeverisja.

Së fundi, unë nuk ftoj askënd për tu ngritur në këmbë e në revovucion demokratik. Cdo njeri e ka mendjen, zemren, fuqinë dhe vullnetin për të vepruar në funksion të interesave të veta. Në se jeni të kënaqur me këtë qeverisje, hallall e paci. Përsa i përket fyerjeve që bëhen në adresë të institucioneve të ushtrisë sic është SHQUP-i, ju them : politikan e keni bërë boll pis veten dhe politikën, mos e bëni më shumë pis SHQUP-in. Ju opozitarë që keni “kënaqësinë’ të dëgjoni cdo ditë fjalën “shqupistët”, keni mirësinë të përdorni edhe ju etiketimet: punistët, pësëistët, ose më mirë pisistët.

Filed Under: Opinion

Miss Nju Jork – Serena Buçaj – anëtare më e re Vatrës, organizatës më e vjetra në diasporë

March 17, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA – New York/

Fëmijët e Vatranëve të vjetër në diasporë – vijnë tek rrënjët e tyre, për të promovuar punën kombëtare të vatranëve prej më shumë se një shekull për Shqipëri e shqiptarizëm, për ruajtjen e traditave Kombëtare dhe forcimin e urave të miqësisë mes Kombit Amerikan dhe atij Shqiptar.
BRONX NEW YORK : Vajza Shqiptaro-Amerikane – Serena Buçaj , me origjinë nga Puka – Shqipëri, – e cila u kurorërzua për herë të parë si Miss Nju Jork USA 2016, në fund të konkursit të bukurisë të mbajtur ne 17 Janar, 2016, në metropolin botëror qytetin e Nju Jorkut, është zyrtarishtë Vatrania më e re në organizatën më të vjetër shqiptare në diasporë.
Në numërin e fundit gazeta Dielli – organi i Vatrës shkrunate, për aktivitetin e pranimit në Vatër të promovueses së bukurisë së vajzave shqiptare në Amerikë, se :”Është emocionuar shumë më bukura e vajzave të Nju Jork-ut për 2016-ën, Bukuroshja me gjak e rrënjë shqiptare, Serena Buçaj, gjatë vizitës në VATËR më 21 Shkurt 2016 . Ndoshta po aq sa ishte emocionuar me 17 Janar 2016, kur ajo u shpall më e bukura e bukurosheve konkurente për shtetin e madh të Nju Jork-ut. Veçse këtë herë emocionet ishin disi të veçanta, lotët nuk i mbajti dot.” ( aqsa fotografi profesionist Dritan Haxhia, shkruan Dielli, e ka fiksuar në aparatin fotografik momentin).
Më tej gazeta Dielli thotë se kur nëna e Serenës, Kristina, kujtoi se babai i saj (Gjyshi i Serenës), i ndjeri atdhetar vatran Ndue Perpeaj, kthehej nga mbledhjet e Vatrës dhe u fliste për punët kombëtare të vatranëve dhe të Federatës, bukuroshja u ndje krenare për rrënjët e saj shqiptare. Kristina, me këtë rast kujtoi edhe çastet kur vinte gazeta Dielli në shtëpi me postë dhe babai i saj(Gjyshi i Serenës) e priste me gëzim, e lexonte dhe komentonte.
Serena, sipas editorit të Diellit, u ndje e emocionuar nga rrëfimi dhe tek do të paraqeste kërkesën për t’u anëtarësuar në Vatër, do t’i kërkonte kryetarit të Vatrës, që ta lejonte që të fliste për Vatrën dhe vatranët gjatë turneve nëpër SHBA, të promovonte punën kombëtare të vatranëve prej më shumë se një shekull për Shqipëri e shqiptarizëm, për ruajtjen e traditave Kombëtare dhe forcimin e urave të miqësisë mes Kombit Amerikan dhe atij Shqiptar.
– Dua ta promovoj Vatrën, me lejen tuaj, gjatë veprimtarisë time si Miss Nju Jork-u, ka thënë mes emocioneve Serena Buçaj, teksa kërkesa e Bukuroshes shqiptare, në Amerikë u prit me entusiazëm nga vatranët. Pra, Serena, nga 21 Shkurti 2016 është vatrane, duke premtuar se do të ecë në gjurmët e gjyshit
“Shpallja e zonjushes Serena Buçaj Miss New Yorku, shkruajnë dy vatranë nga Bostoni – Nolianë, Julia e Thanas L. Gjika, është patjetër një gëzim për gjithë shqiptaro-amerikanët. Nisma që ajo ndërmerr për të folur për Vatrën në veprimtaritë e saj, është një nxitje për sejcilin prej nesh” dhe shtojnë ata” të gjithë duhet të bëjmë dicka më tepër sivjet për Vatrën në atë që është shpallur “Viti i Konicës”.
U shtofshin veprimtare të tilla në shërbim të atdhetarizmit tonë. Me respekt, Julia e Thanas L. Gjika.
Buçaj – prej se kur ka fitur kurorën e më të bukurës së New Yorkut, “Miss New York – USA 2016, një qytet ky me 12 milion banorë, një botë e terë në miniaturë, ka pasur një aktivitet të dendur bamirësie. –
Ajo shkruan shtypi njujorkez ka vizituar qendrat sociale për të moshuarit dhe spitalin e fëmijë me kancer, si dhe qendrat e rehabilitimit, ndërsa i ka shpeshtuar takimet e saj me komunitetin shqiptarë.
Kujtojmë, me këtë rast, prezencën e saj në shfaqjen e filimit Shok në New York, festën e 8 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës , nga Asamblesti Mark Gjonaj në, Bronx, pjesmarrjen e saj në meshën e së dielës në Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, 8 – Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ditën e Grave me Motrat Qiriazi, takimin e fundit në shtëpinë e Vatrës, dhe fushatën për rritjen e fondveve për Kataedralen Nëna Tereze në Prishtinë.
Ajo në një intervistë ekslusive me gazetën tonë, e pranojë me kënaqësi se është krenare që ishte shqiptare, dhe e rritur me vlerat shqiptare.
Gjithashtu, ajo thoshte ajo ndjehej e bekuar, që ka lindur dhe është rritur në Shtetet e Bashkuara. “Unë kam me vete të mirën e të dy botëve! Shqiptare dhe Amerikane ! Do të dëshiroja shumë të vizitoja Shqipërinë, që mbart rrënjët e mia dhe është vendlindja e tim ati.” tha promovuesja e bukurisë shqiptare në Amerikë.
Fitueesja e kurorës Miss New York – USA 2016, ka pohuar, gjithmonë, madje e ka përsëritur edhe në televizionet, gazeta dhe revistat me prestigjoze në SHBA, se ajo është, krenare që është shqiptare, dhe me prindër nga Puka e Shqipërisë.
Teksa ajo tregonë se prindërit e saj u arratisën nga Shqipëria nën sundimin e regjimit komunist – rreth gjashtë dekada me parë, duke qendruar fillimisht në Kosovë, për disa vjet, deri sa emigruan këtu në Shtetet e Bashkuara, ajo çdo herë flet për prindërit e familjen e saj shqiptare.
Mbas shpalljes së saj më e bukura e Nju Jorkut, pra Miss New York – USA 2016 – për koicidencë edhe shtypi shqiptar , ka nxjerr një shkrim nga kryegazeta botërore – njujorkezja The New York Times, botuar me 21 maj 1911 me titull” “Shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë”.
Shtypi shqiptarë, thotë se ky është konkluzioni i një shkrimi në “New York Times”, e cila sillet tashmë sërish dhe kthehet në vëmendje, ndoshta për të treguar edhe racën e bukur tonë Arbënore, bukurinë e vajzave shqiptare, edhe me këtë bukuroshe shqiptare ecil tani më është edhe më e bukura e New Yokut.
“Fizikisht shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë, ka shkruar New York Times, Gratë shqiptare janë shumë të bukura, me flokë të errët dhe nganjëherë sytë e tyre janë gri. Ecja e tyre është një kënaqësi për t’u parë, kështu janë edhe vallet e tyre kur konkurruan në Serbi. Herën e parë që pashë vallen shqiptare, më dhanë një kënaqësi të veçantë”, shkruhej në “New York Times”.(photo creditë nga Dritan Haxhia – marrë nga foto-albumi Dielli oniline)

 

Filed Under: Video

Adriana Dine(Radi), nga internimi në Savër në botën e lirë amerikane

March 17, 2016 by dgreca

E trishtë është ta them, por unë në Mëmëdhe nuk gjej ndonjë moment lumturie në jetën time, sepse kalova një kalvar të tërë vuajtjesh, dënimesh, pushkatimesh dhe persekutimesh… Adriana Dine Radi/

Bisedë me znj. Adriana Dine – Radi/*

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

 Znj. Adriana Dine – Radi ka lindur ne internim. Babai i saj Dr.Lazër Radi ka qenëi burgosur, internuar nëgjithë kohën e zezë të diktaturës, nëna e saj pati të njejtin fat persekutimi, bashkëshorti Dine Dine u burgos politikisht për 10 vjet, vjehrri u burgos dhe u pushkatua pa gjyq, ndërsa gjithë fisi Dine u persekutuan dhe përndoqën tmerrësisht.

Znj.Dine Radi lindi në Lushnje, më 8 korrik 1959, ne internim.

Mbaroi shkollën fillore dhe 8-vjeçare në Savër të Lushnjes

Në vitin shkollor 1974-1975, e përjashtojnë nga Gjimnazi “20 Tetori” i Lushnjes

Më 1976, martohet me Dine Dinen.

1976-1990 – punon në punë të rënda në Bujqësi në Gjazë të Lushnjes

1991 – vendoset në qytetin e Nju Jorkut

Ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë Ervinin dhe Suelën. Ervini nga një djalë i lindur në internim, në Amerikë mbaroi një nga shkollat më prestigjioze fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University.

Znj. Dine Radi jeton dhe punon në qytetin e Nju Jorkut

-Znj.Dine naflisni ju lutem për fëmijërinë tuaj dhe si e keni përjetuar atë?

-Unë kam lindur në Lushnje, ndërkohë që prindërit e mi ishin në Kampin e internimit Çermë të Lushnjes, në korrik të vitit 1959. Në atë kohë, babai im, Dr. Lazër Radi, sapo qe transferuar nga kampi i internimit në Kuç të Kurveleshit në kampin e Çermës. Fillimisht u vendosën në Gradishtë, më pas në Çermë, dhe mbas dy vitesh qëndrimi aty, i transferuan në nji tjetër Kamp interrnimi, në atë të Savrës, në fillim të vitit 1960.Në Savër, kam kryer shkollën fillore dhe tetëvjeçaren, më pas kam vazhduar gjimnazin në Lushnje, por pa mbaruar vitin e parë më përjashtuan. Kam punuar për më shumë se nji vit si punëtore bujqësie, derisa në vitin 1975, u martova me Dine Dinen, i cili ridhte nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Në vitin 1980, kishim nji fëmijë pa mbushur ende vitin, kur përjetova arrestimin dhe burgosjen e bashkëshortit tim për motive politike me 10 vite heqje lirie. (agjitacion e propagandë). Mbas një viti, nga dëshpërimi për të birin, më vdiq edhe vjehrra, duke më lënë me djalin që nuk kishte mbushur ende dy vjeç. Në këtë situatë të vështirë, munda të mbijetoj vetëm në saje të prindërve të mi dhe kushërinjve të burrit që m’u gjendën gjithmonë pranë, në kohët më të vështira të jetës sime…

 -Ju keni lindur në internim, në Savër, të dënuar nga diktatura e egër komuniste, cilat janë disa nga momentet më të vështira të jetës suaj atje?

-Deri në moshën 31 vjeçe, krejt jeta ime është vërtitur në tre kampe interrnimi në Myzeqe: në atë të Çermës 1959-1960; në atë të Savrës 1960-1975, dhe atë të Gjazë 1975-1990. Kampe ku krejt ne brezi i fëmijvë të lindur nga prindër të dënuar dhe të burgosur, pësuam padrejtësisht dhe vijuam fatin tragjik të tyre. Kam pasur gjithashtu edhe fatin “të shetis” edhe nëpër mjaft burgje të vështira si ai i Spaçit, i Qafë-Barit, Zejmeni dhe Kampi i Kompleksit Dinamo, ku bashkëshorti im qe i detyruar të vuante dënimin e tij politik. Mjafton të lexoni disa nga rrëfimet e mia të kësaj periudhe të cilat i kam paraqitur të shkruara në sitin www.radiandradi.com, e ku pasqyroj sigurisht me thjeshtësi dhe sinqeritet prej gruaje dhe nëne, vetëm një pjesë shumë të vogël të vuajtjeve të mia të pafundme.Po për të krijuar një ide më të plotë po ju përmend edhe pak gjëra të tjera: Isha fëmijë dhe shumë gjëra nuk arrija t’i kuptoja, prindërit tanë ishin munduar me mish e me shpirt që ne të mos e ndjenim atë botë të egër ku jetonim… kështu, mbasi mbarova tetëvjeçaren, mendoja se duhej të isha e lumtur mes moshatarëve të mi, në shkollën e re që munda të regjistrohem me njëmijë sakrifica. Pa përfunduar vitin e parë të gjimnazit u gjet një pretekst qesharak për të më përjashtuar mua dhe një shoqen time që ishte ashtu si unë. M’u desh të filloja punë me kazëm e lopatë që në moshën 14 vjeçare. Mbas dy vitesh u martova dhe u vendosa në Gjazë. Më vdiq fëmija i parë pa mbushur ende 2 vjetët. Dhe djali që më lindi më pas, Ervini, nuk kishte mbushur ende vitin, kur më burgosën bashkëshortin… një vit më pas më vdiq edhe i vetmi person që kisha pranë, vjehrra. Pra, e vetme, në një kamp përqëndrimi me një foshnje në krahë, kur nuk isha me shumë se 21 vjeçe… E kështu mund të vazhdoj pafund, mbasi e trishtë është ta them, po nuk gjej ndonjë moment që mund të quhet çast lumturie në jetën time.

-Ju jeni e bija e Dr. Lazër Radit, një intelektual i shquar i Kombit, çfarë keni mësuar nga babai juaj dhe si do ta ruani pasurinë kulturore që ju ka lënë babai?

-Babanë e kam pasur mbështetje morale e pikë referimi përgjat gjithë jetës sime. Prej tij kam mësuar gjithçka që nga më e thjeshta e deri tek privimet e mëdha të familjes sonë. Për mua ai ka qenë jo vetëm prindi dhe familja, po edhe shkolla, edhe libri, edhe besimi, edhe shpresa. Këshillat e tij më kalisnin vullnetin, më ringjallnin shpresën si mund t’ia dilja me sukses përballë çdo lloj vështirësie, të isha dinjitoze përballë peripecive dhe vuajtjeve, sidoqë ato të më paraqiteshin. Nuk e di nëse do t’ia kisha dalë pa figurën e tij frymëzuese dhe pa atë jetën e tij pranë jetës sime. Edhe pse kemi qenë të varfër materialisht si pjesa dërmuese e popullit shqiptar, duke pasur nji baba të tillë pranë ne u ndjemë të pasur shpirtërisht, dhe mundëm të përfitojmë edhe në ato kushte izolimi mjaft nga kultura botërore që na trasmetohej përditë prej tij.Si unë edhe vëllezërit e mi Jozefi e Luçiano Radi, u lidhën mbas krijimtarisë së babait tonë, dhe të tre së bashku po përpiqemi të bëjnë publike gjithë ato dorëshkrime të shumta, si ese, poezi, publicistikë, përkthime të cilat babai nuk pati kohë t’i nxirrte në dritë e që ne së shpejti do t’i kemi gati për botim…

-Me një fjalë, të ishe vajza e vetme e Lazër Radit, për mua ka qenë një fat dhe privilegj i madh… Ai ka ndarë me mua të gjitha dhimbjet pa u ankuar kurrë, se po bënte shumë apo diçka të veçantë. Pastaj të ishe në konfidencën e tij është diçka që fjalët e mia janë tejet të varfëra për ta dëshmuar si duhet… Ndjehem krenare sa herë përmendet emri i tij… dhe kurrë nuk me ka ndodhur që një njeri që e ka njohur atë të ketë thënë diçka tjetër veç respektit të thellë ndaj tij…

-Vëllai juaj Jozef Radi, është një poet i talentuar dhe një eseist i shkëlqyer, si janë frymëzuar fëmijët tuaj nga vëllai dhe babai juaj si shkrimtarë të mirënjohur ndër lexues të shumtë?

-E vërteta është se fëmijët e mi ishin ende të vegjël, kur ne u detyruam të largoheshim nga Shqipëria. Duke u rritur, nën shtysën e babait të tyre, Dines, herë pas here edhe ata shfletojnë veprat e gjyshit e të dajës së tyre. Sigurisht frymëzohen, po unë besoj se edhe ata ndjehen krenarë për arritjet e tyre dhe përpiqen mos të mbeten mbrapa për sa ju është e mundur. Pa harruar se sot ata jetojnë në realitete të tjera dhe me interesa të tjera…

-Babai juaj Dr. Radi kishte 100 Vjetorin e lindjes, si u ndjetë Ju, si bija e tij që shteti dhe institucione të ndryshme kulturore heshtën për veprën e tij?

-Shteti dhe institucionet kulturore edhe sot e kësaj dite heshtin për vlerat e kollosëve të vlerave të artit e letërsisë shqipe që ata gjatë regjimit komunist i etiketuan si “reaksionarë”. Do të habitesha sikur të kishin vepruar ndryshe me babanë tim.

-Po ne si fëmijë, po bëjmë gjithë përpjekjet që vepra e tij, puna e tij, vlera e tij nji ditë do të vlerësohet. Im atë thoshte gjithnjë: “E keqja nuk mund të jetë kurrë e përjetshme!”

–Ç’mund të na tregoni për nënën tuaj të ndjerë, e cila rridhte nga një familje fisnike dhe ashtu si ati juaj e persekutuan po aq egër?

-Eh, vërtet ç’mund të them për nënën time?! Një grua 20 vjeçe që mbasi ia dënuan të shoqin me tridhjetë vite burg, dhe mbas nji viti i vdes fëmija i parë, në moshën 24 vjeçe e dënojnë dhe e persekutojnë njësoj si bashkëshortin e saj… Duke jetuar tmerre të parrëfyeshme… Ajo që mund të them është se ajo e ndoqi gjithkund bashkëshortin e vet me besnikëri deri në vdekje, duke i rritur tre fëmijë në kushte kampesh dhe vuajtjesh, dhe duke ndarë jo vetëm ditë të vështira po edhe sakrifica të panumërta. Ajo grua ishte nji mbështetje e jashtëzakonshme për atë njeri të jashtëzakonshëm që ishte im atë… Edhe sikur vetëm kaq sa tregova është e mjaftë për të dëshmuar vlerat e saj… e që në fund të fundit ishte nji grua e thjeshtë, dhe një nënë e devotshme si pakkush…

–Ju keni në krah një bashkëshort shembullor, Dine Dinen, nip i ish ministrit të Brendshëm dhe ish Kryeministër i Shqipërisë… Kam lexuar që i ati i tij është vrarë, dhe ai u interrnua qysh fëmijë e më pas edhe u burgos… çfarë mund të na thoni për jetën e tij të vështirë?

– Bashkëshorti im rjedh nga një familje e njohur nacionaliste dibrane. Bir i një oficeri zogist, Esat Dine dhe nip i ish/kryeministrit Fiqiri Dine, ai përjetoi gjithë pasojat e një jete të vështirë që për fat të keq e njohu qysh fëmijë. I ati u burgos dhe u torturua për vdekje dhe së fundi, për motive politike u vra pa gjyq nga forcat e regjimit. Xhaxhai, Fiqiriu, emigroi në Greqi e më pas në Belgjikë, ku edhe ndërroi jetë, kurse krejt fisi i tij u persekutua, për gati një gjysmë shekulli. Dinia, që në fëmijëri njohu tmerret e kampeve shfarosëse të Turanit, Tepelenës, Porto-Palermos, Savrës dhe së fundi Gjazës. U arrestua e dënua për agjitacion e propagandë me dhjetë vite burgim që e vuajti në burgjet e Spaçit, Zejmenit (Lezhë), Qafë-Barit.Në emigracionin në Amerikë, ka botuar vazhdimisht shkrime me karakter publicistik, ese, kritikë letrare, përkthime dhe tregime të përjetuara në skëterrën komuniste. Ka në dorëshkrim “Kujtimet”, ku përshkruan gjithë vuajtjet e tij, tonat e të mjaft prej bashkëvuajtësve në kampet dhe burgjet komuniste.

–Cili është reagimi i fëmijëve tuaj tashmë të rritur për jetën tuaj aq të vështirë dhe tejet diskriminuese?

-Veçanërisht djali, i cili ka qenë më i rritur kur jetonim në Shqipëri, vonë, tepër vonë, na ka treguar episode tronditëse, ku del qartë diskriminimi që ju bëhej edhe fëmijve të të deklasuarve. Duke qenë se ka mbaruar fakultetin e Shkencave Politike në Columbia University, ai është i interesuar të dijë gjithçka ndodh sot në vendin e tij, dhe ndjehet tejet i revoltuar për atë që ndodhi dikur, por më shumë për atë që vazhdon të ndodhë edhe sot e kësaj dite në këtë të ashtuquajtur “demokraci”.

 -Nëse do të shihnit persekutorët tuaj në mjedise të ndryshme, çfarë do t’u thoshnit atyre?

-Ata nuk e meritojnë t’u flasësh, sepse ata nuk kanë asgjë njerëzore… Po nëse do t’ju thosha diçka do të ishte: “Të paktën, të kishit kërkuar ndjesë…!”

-Cili është mendimi juaj për hapjen e dosjeve të krimeve nga diktatura?

-Dosjet duhej të ishin hapur prej kohësh, po as sot nuk është kurrë vonë për t’u hapur. Do të ishim çliruar nga shumë ankthe e komplekse që po na marrin frymën. Sikur të bëhej kjo, gjithçka mund të ndryshonte rrënjësisht.

-Kur erdhët në Amerikë dhe cila ishte rruga për të arritur në botën e Lirisë?

-Kjo është histori e gjatë. Dua vetëm të theksoj që një rol vendimtar luajti kushëriri i parë i bashkëshortit tim, i ndjeri, Hiqmet Dine, i cili nuk kurseu asgjë për të përshpejtuar ardhjen tonë në Botën e Lirë. I mbetemi mirënjohës përjetësisht.

-Cilat janë disa nga përshtypjet kryesore të jetës suaj si grua në Amerikë?

-Nuk mund të themi se shpresonim të gjenim parajsën. Kemi punuar shumë e po vazhdojmë të punojmë, por mund të them vetëm një gjë: për njerëzit e aftë e të përgjegjshëm, Amerika është vendi më i mirë në botë, ku secili mund të gjejë rrugën e vet pa ndjerë asnjë lloj diskriminimi.

–Si e shikoni rolin e gruas në Diasporë dhe të komunitetit për çështjen kombëtare?

-Roli i gruas në Diasporë dhe ai i Komunitetit për çështjen kombëtare janë një vlerë shumë e çmuar për Shqipërinë e shqipëtarët, kudo që janë. Përsa i përket gruas në veçanti, më lejoni t’ju bëj një kompliment: Ju jeni një prej aktivisteve ku seicili mund t’ju merrte si shembull. Unë e vlerësoj kontributin tuaj!

–Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm të rinjsh… sa të integruar e shihni ju këtë komunitet në jetën amerikane?

-Ndoshta është një veçanti e të rinjve shqiptarë, por unë i shoh mjaft të integruar me jetën amerikane, po aq sa i shoh të lidhur edhe me jetën brenda komunitetit tyre.

-Gjë e cila ndodh edhe me fëmijët e mi!

-Çfarë ëndrrash ka të parealizuara Adriana?

-Dëshira ime e vetme ishte të vazhdoja shkollën e mohuar në vendin tim, por kjo më qe e pamundur sepse më duhej të punoja për të mbajtur familjen e t’i shkolloja fëmijët. Kjo ëndërr nuk u realizua ndonjëherë.

– Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shqiptare të Nju Jorkut” ideuar nga “Albanian Excellencë”, libër që do të botohet për herë të parë për grate e suksesshme përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

-Endrra ime më e madhe ka qenë lumturia e fëmijëve. Sot ndjehem e lumtur që lodhja ime nuk më shkoi kot, të paktën e plotësova te fëmijët e mi atë ëndërr që nuk munda ta realizoj për veten time, në vendin tim! Ata mbaruan shkollat e larta dhe ecin sot në mënyrë të pavarur. Më vjen mirë që më konsideroni si grua të realizuar. Ju faleminderoj!

–Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Krahas misionit të saj të natyrshëm, mbarëvajtjes së familjes, nuk kam dyshim se gruaja shqiptare, me inteligjencën e saj, do të jetë e pranishme në çdo fushë të jetës në art e në kulturë, biznes e gjer në politikë… unë besoj në vlerat dhe aftësitë e gruas shqiptare… sepse kam besuar në veten time!

New York, 2016

* Personazh në librin “Zonjat Shqiptare në New York”

 

 

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Adriana Dine Radi, amerikane, në botën e lirë, nga internimi në Savër

Adam Clayton Powell III, i biri i kongresitit legjendar të Nju Jorkut, merr mbeshtetje nga një grup shqiptarësh

March 17, 2016 by dgreca

Adam Clayton Powell mori një mbështetje për fushatën e tij të kongresit nga një grup veprimtarësh të komunitetit shqiptarë, në Harlem – New York /
Beqir SINA – New York
ACP_photo.jpg
HARLEM NEW YORK CITY : Kandidati për kongresist Adam Clayton Powell tha se mori mbrëmë një mbështetje për fushatën e tij të kongresit , nga një grup vperimtarësh shqiptarësh, anëtarë të komunitetit, në një fushatë për rritjen e fundeve në lokalin Patty’s, me pronar shqiptar Isa Brija, në lagjen Harlem të Nju Jorkut për të përforcuar pozitën e tij në garën breda partisë demokrate.
Në këtë fushatë fondmbledhse morën pjesë duke kontribuar, edhe veprimtarët Sejdi Husenaj, Ben Çelaj, Fadil Brija, Anton Raja, Zabit Bytyqi, e të tjer. Në këtë tubim mori pjesë edhe deputetja e Tropojës, në Kuvendin e Shqipërisë, nga partia e demokratike Mimoza Hajdarmataj, e cila ndodhet për vizitë në SHBA .
Powell, po kandidon për një ndër 13 ndenjëset e Kongresit amerikanë, për New Yorkun, Qarkut që përfshinë lagjen e famshme Harlem dhe një pjesë të Bronxit.
Organizatori i kësaj darke për ngritjen e fondeve , veprimtari Isa Brija , duke e prezantuar kandidatin për në kongres zotin Powell, tha se :”Ne mbështesim Adam Clayton Powell për Kongres, sepse ne e dimë se ai do të ngrihet kundër krimeve që kanë qenë të kryera ndaj punëtorëve në industrinë e banimit dhe të uljes së qirave të pa-përballueshme të banesave. Ne besojmë, tha Brija se Powell, do të punojë edhe më shumë për punësimin , sistemin e shkollave dhe ndihmat sociale në këtë lagje të famshme njujorkeze”, tha mikëpritësi Brija, duke e quajtur kandidatin për në kongres Adam Clayton Powell, edhe si një mik i ardhshëm i shqiptarëve në Washington.
 Adam Clayton Powell III. është i biri i kongresitit legjendar të Nju Jorkut, Adam Clayton Powell Jr. që ka shërbyer duke përfaqësuar Harlemin nga 1944 deri më 1970 në Kongresin e SHBA.
Si pasardhës të familjeve politike të shquara dhe me ndikim, në New York, Adam Clayton III, është natyrisht i përkushtuar në shërbimin publik dhe gjatë gjithë jetës së tij ka treguar një vendosmëri për të ndihmuar ata më në nevojë, Ai ka shërbyr në poste të larta publike,  ka shërbyer në Asamblenë e New York-ut për një dekadë, deri sa bëri dorëheqjen për të garuar për një ndenjëse në Kongresin amerikan.
“Unë jam i nderuar për të marrë mbështetjen e këtij grupi veprimtarësh, nën organizimin e mikut tim shqiptaro amerikanit Isa Brija”, tha Powell, duke shtuar se : “Unë pres që të punojmë me këtë komunitet ngushtë, në të ardhmen, ndoshta si kongresmen, këtë nëntor, që të sigurohen të gjithë puntorët e ndërtimtarisë , të cilët shpesh punojnë në kushte të vështira, dhe mbeten të angazhuar për të bërë punë të mirë . Unë do të angazhohem për puntorët e punëve të vështira , që ata të marrën pagën që meritojnë,  unë do të vazhdojë të jem një avokatë i tyre për praktikat etike brenda kësaj industrie. “ tha Powell.
Adam tha se ai është një politikan i pavarur, i cili do të qëndrojë afër me klasën e mesme dhe të ultë në qytetin e New Yorkut.
”Jo vetëm që do të qëndrojë për njerëzit, tha Powell,  që janë duke u shtyrë nga komuniteti për shkak të mungesës së strehimit të papërballueshëm, dhe për të drejtat e grave e fëmijëve, por besoj se do të jemë avokat për të gjithë shtresat në nevojë në Harlem.”
Deputetja e Tropojës, në Kuvendin e Shqipërisë, nga partia demokratike, Mimoza Hajdarmataj, faleminderoi popullin amerikan dhe SHBA.
Hadarmataj, gjatë bisedës me mikun e shqiptarërve, Adam Clayton Powell III, kujtojë në mynyrë të veçantë kontributin e SHBA- për shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi, në Konferencë e Paqes, më 1919, me Prisedentin Uillson. Me pas Hajdarmataj foli edhe për kontributin e SHBA, në demokratizmin e Shqipërisë, në rënjen e komunizmit, dhe ndihmën e madhe që dhanë në pavarësinë e Kosovës, Shtetet e Bashkuara me Naton, si dhe për kontributin historik të shqiptarëve të Amerikës, për Kombin, Atdheun dhe fenë e tyre, intergimin në këtë vend.
Me këtë rast ajo me një faleminderim të veçantë përcolli për SHBA, dhe tek populli amerikan, adresuar kandidatit për në kongresin amerikan Adam Clayton Powell III, me rastin e 25 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.
IMG_0003.JPG

IMG_0005.JPG

IMG_0006.JPG

IMG_0015.JPG

IMG_0017.JPG

IMG_0011.JPG

IMG_0027.JPG

IMG_0021.JPG

IMG_0026.JPG

IMG_0028.JPG

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adam Clayton Powell III, i biri i kongresitit legjendar të Nju Jorkut, merr mbeshtetje, nga një grup, shqiptaresh

DEPUTETJA HAJDARMATAJ: DO TË JEM ZË I VATRËS NË PARLAMENT PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE

March 16, 2016 by dgreca

DEPUTETJA HAJDARMATAJ VIZITOI VATRËN/

Të Mërkurën me 16 Mars pasdite Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Mimoza Hajdarmataj ishte për vizitë në Shtëpinë e Vatrës. Ajo shoqërohej nga vatrani Sejdi Hysenaj, anëtar i Advisory Board i Vatrës.Deputetja u prit nga Kryetari Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, dy nënkryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, anëtarëi i Këshillit të Vatrës Zef Balaj, anëtar i Advisory Board i Vatrës Zef Përndocaj dhe Editori i Diellit , anëtar i kryesisë së Vatrës Dalip Greca.

Kryetari i Vatrës Dr. Buçaj i uroi mirëseradhjen deputetes Hajdarmataj dhe e njohu me veprimtaritë e Federatës Panshqiptare të Amerikës në komunitet dhe qëndrimet e hapur për çështjen Kombëtare. Vatra, tha dr. Buçaj, është vendosur pas viteve ’90 në një vijë me forcat politike progresive antikomuniste duke i mbështetur demokratizimin e Shqipërisë, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe duke kërkuar më shuëm të drejta të bashkatdhetarëve tanë në Mal të Zi , Maqdoni, Luginën e Preshevës, pa lënë mënjanë çështjen e pazgjidhur Çame.

Ka pasur raste kur qëndrimet e Vatrës kanë ranë ndeshë edhe me Partinë Demokratike siç ishte deklarat jonë denoncuse për ndërtimin e varrezave greke në tokën shqiptare, apo problemi i pronave apo kërkesa e vazhdueshme për integrim real të ish të përndjekurëve politik etj. Kryetari i Vatrës përmendi edhe takimin që Vatra bëri në Nju Jork me Kryeministrin Edi Rama në shtator 2013, ku i dorëzoi atij kërkesa me shkrim për problemet që e shqetësojnë Vatrën si: dekomunistizimi real i Shqipërisë, zgjidhja e problemit te pronave, problemi i ish të përndjekurve etj. Konkretisht, ne atë takim ne i thamë Kryeministrit se e konsiderojmë shumë të rëndësishme shkëputjen nga trashëgimia e diktaturës Komuniste, tepër prezente në jetën publike dhe politike në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, dhe veçanërisht në Shqipëri. Jemi të bindur se, për të arritur një gjë të tillë, duhen dënuar krimet e komunizmit dhe duhet realizuar integrimi dhe dëmshpërblimi i shtresës së ish të përndjekurëve, kthimi i pronës së konfiskuar nga regjimi komunist tek i zoti, zbatimi i ligjit të lustracionit, ligjit për heqjen e imunitetit deputetëve dhe politikanëve në raste akuzash për krime e korrupsion, pastrimi i gjykatave nga individët e ngarkuar me përgjegjësi kundër shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës e tjera. E shohim si shumë të nevojshme një luftë të ashpër kundër korrupsionit të rëndë, që nuk ka ngjyrë rozë as blu, por ngjyrën e zezë të krimit.

Po ashtu i përcollëm dëshirën tonë si vatranë se dëshirojmë të shohim arritje konkrete drejt bashkimit kombëtar, me integrimin ndërshqiptar në të gjitha fushat: politike, kulturore, arsimore, tragtare, sportive e tjera, pa interferenca ideologjike ase interesa propangandistike.Është nevojë për luftë gjithnjë e më të intensive kundër varfërisë, pa mbajtur anë interesash partiake ase përsonale, duke i trajtuar të gjitha viset dhe të gjithë shqiptarët njësoj.I theksuam kërkesat tona dhe të komunitetit çam për çështjen çame.

I kërkuam vëmëndje dhe vëlerësim më të madh nga Qeveria e tij pë harmoninë ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trullit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje më shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore.

Kanë kaluar gati tre vjet nga ai takim dhe asnjë mesazh nuk kemi nga Kryeminsitri, edhe pse ai ka ardhë jo pak në SHBA.

Mirëseardhjen deputetes së Kuvendit ia uruan edhe dy zv/Kryetarët e Vatrës z. Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, si dhe Zef Balaj dhe Zef Përndocaj. Editori i Diellit e njohu mysafiren me rrugëtimin historik të Vatrës për 103 vite dhe të Gazetës Dielli për 107 vite në SHBA. Përmes fotografive dhe dokumentave arkivore Editori e njohu deputeten me kontributin e Vatrës për çështjen Kombëtare, fushatat e mëdha të Vatrës për të shpëtuar Pavarësinë e Shqipërisë, fushata e madhe e 3 Qershorit 1917 si dhe ajo e Huasë Kombëtare, ku vtaranët dhanë për të parën 150 mijë dollarë e për të dytën më shumë se 197 mijë dollarë, për shërbim Kombëtar diplomatik të Vatrës nga vitet 1916 deri në vitet 1920 e më pasetj

Deputetja Hajdarmataj falenderoi për pritjen e ngrohtë dhe tha se ishte me fat që vinte në Shtëpinë e Vatranëve, po aq sa ndjehej me shumë fat që në festimet e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës(28-29 nentor 2012) , si mysafire e Vatrës kishte prekur madhështinë e Federatës që kishte bërë punë aq të mëdha për Kombin.

Deputetja tha se ndjehet vatrane në shpirt dhe se do të jetë e gatshme që të çojë në Parlament zërin e Vatrës.

Më pas ajo përshkroi gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, papunësinë në shifrat e larta, borxhin e rritur të shtetit, plagët e mëdha të vendit, keqqevrisjen, korrupsionin,shtimin e ushtrisë të të varfërve, ofensivën e krimit, futjen e kriminelëve në Parlament dhe në strukturat e shtetit, babzitjen e pushtetarëve për të grabëlluar gjithka nga pasuria Kombëtare përmes tenderave korruptivë etj. Ajo tha se opozita nuk do të rershtë luftën e saj në mbrojtje ët qytetarëve dhe pastrimin e Parlamentit, e shtetit nga kriminelët, të korruptuarit etj. Ajo vlerësoi mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkauar të Amerikës, të Ambasadës Amerikane, që po këmbëngulin për luftë reale kundër kriminalizimit të Parlamentit dhe shtetit si dhe reformën reale në drejtësi, duke e shpëtuar fale edhe përpjekjeve të opozitës, nga Kpaja prej Shtetit.

Në fund deputetja Mimoza Hajdarmataj la këtë shënim në librin e vizitorëve:

“Ndjehem shumë e nderuar që isha sot, këtu mes vatranëve në këtë 25 vjetor të rivendosjes të marrdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.

Si studente e Dhjetorit ’90 dhe firmëtare e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo merr shumë kuptim për mua personalisht dhe e konsideroj veten si një motër e vatranëve, ndjehem njësoj si ju.

Si deputete e Kuvendit të Shqipërisë premtoj se do të jem zëri Juaj për Çështjen Kombëtare.

Filed Under: Vatra Tagged With: CËSHTJEN KOMBËTARE, DEPUTETJA HAJDARMATAJ: DO TË JEM, ZË I VATRËS NË PARLAMENT PËR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 95
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT