• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

Provokim, tentim eskalimi i situates në prag dialogu me Serbinë

March 26, 2018 by dgreca

Kosovë-Takime për zhvillimet në dialogun me Serbinë/

-Presidenti Thaçi takime me krerët e shtetit të Kosovës dhe ambasadorët e Kuintit/

-Ambasadorët, i SHBA-së Greg Delawie e të tjerë në takim, theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

1 Thaci Vuciv

PRISHTINË, 26 Mars 2018/ Krerët e shtetit të Kosovës në një takim të përbashkët sot kanë biseduar për zhvillimet aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili do të përfundojë me marrëveshje ligjërisht obligative në mes të dy shteteve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, si dhe kryeministrin Ramush Haradinajn.Ata u pajtuan që dialogu i Kosovës me Serbinë është interes nacional i Kosovës, që duhet të bashkojë të gjithë spektrin politik të Kosovës.Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot pasdite në një takim të përbashkët ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, atë të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadorin e Francës, Didier Chabert, atë të Italisë, Piero Cristoforo Sardi, shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, si dhe Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë.Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet e saj, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Kosova zotohet dhe do të jetë e përgjegjshme në funksionalizimin e Grupit Punues, që do të fillojë punën në draftimin e Statutit të Asociacionit”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën, me ligjet e Kosovës dhe me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.Ambasadorët ndërkombëtarë theksuan se do të ofrojnë mbështetje të plotë institucionale dhe ekspertizë profesionale në realizimin e këtij obligimi që Kosova ka marrë në Bruksel.Në 23 mars 2018 presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, vijuan bisedimet në Bruksel me lehtësimin e shefes  së Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila fillimisht ka  takuar ndaras krerët e dy shteteve para takimit trilateral.Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian pas takimit, thuhej se diskutimet u zhvilluan në kuadër të fazës së re të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “përgatitjet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”.

Presidentët shqyrtuan përparimin e bërë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara, në dritën e takimeve të fundit të grupeve punuese të mbajtura në Bruksel.

“Përfaqësuesja e lartë Mogherini theksoi rëndësinë që BE-ja i jep zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe theksoi në veçanti nevojën urgjente për të filluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pastaj zbatimin e marrëveshjes për energjisë dhe përfundimin e punimeve për rivitalizimin e Urës mbi Ibër në Mitrovicë”, thuhej në deklaratën, të cilën e ka bërë publike zëdhënësja Kocijançiç.

Mogherini ka përshëndetur angazhimin e vazhdueshëm të të dy presidentëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka rikujtuar se përparimi i të dyja vendeve në axhendat e tyre integruese në BE është i lidhur fortë me përparimet në dialog.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi të inauguruar në muajin prill 2016 dhe presidentin Vuçiç të inauguruar në qershor 2017, takimi i 23 marsit 2018 është i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje edhe të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, para 5 viteve, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë. Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel.

Kosovë-MPJ: Provokim, tentim eskalimi i situates

-Ministria e Punëve të Jashtme e Kosoves thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtarë në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situates/

-Deklaratë për media/

Prishtinë, 26 Mars 2018 –Gazeta DIELLI/ Në kohën kur Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të dialogut për arritjen e një Marrëveshjeve të Detyrueshme Ligjore/Traktat Paqeje në mes dy vendeve, hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetëror serb në territorin e Republikës së Kosovës është një provokim, tentim eskalimi i situatës në terren për të forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhëneve ndër-etnike.

 

Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë arritur Marrëveshje, e cila specifikon në mënyrë të qartë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dyja shtetet respektive.

 

Andaj, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se veprimi i sotshëm illegal i zyrtarëve të lartë nga  fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e Marrëveshjes së Brukselit.

 

Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar për dialog, promovim të mëtejmë të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjërore, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perendimor dhe përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, por nuk do të heshtë dhe tolerojë sjellje të tilla.

 

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosoves thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtarë në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Takimi Serbi-Kosove, Thaçi- Vuçiç

Marko Gjuriç u arrestua në Mitrovicën Veriore, Thaçi-Thirrje per qetesi

March 26, 2018 by dgreca

1 Mitrovice-2Drejtori nga Serbia arrestohet në Mitrovicën Veriore/2 MarkovicDrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u arrestua sot në Mitrovicën Veriore nga njësia intervenuese e Policisë kosovare pasi kishte hyrë në Kosovë pa marrë leje.

Forcat Policore të Kosovës e kanë sjellë të prangosur në Prishtinë në Stacinin e Policisë dhe më pas e dërgonë në gjykatë. Zyrtarin  nga Beogradi pritet ta deportojnë në Serbi, prej nga kishte ardhur dhe sipas njoftimeve të fundit Policia e Kosovës  janë duke e dërguar rrugës drejt vendkalimit kufitar në Merdar.Sipas medias serbe, situta në veri të Kosovës është e tensionuar.

POLICIA E KOSOVËS-KOMUNIKATË PËR MEDIA/

Prishtinë, 26 mars 2018 /Policia e Kosovës përmes rrugëve operative ka siguruar informacione se z.Marko Gjuriq dhe persona të tjerë, janë parë të jenë prezent në lokacionin ku kishin planifikuar të mbanin një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës.Me qëllim të verifikimit të informacionit dhe  zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë z.Vulin dhe z.Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion.

Njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion.Edhe përkundër pengesave dhe rezistencës së shfaqur njësitet policore duke përdorur mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme policore, kanë arritur ta verifikojnë informacionin dhe njëherit ta arrestojnë z.Gjuriq i cili ishte prezent në atë lokacion.Policia e Kosovës bazuar në refuzimin e hyrjes në RKS-ë, të njëjtin e ka larguar nga territori i Republikës së Kosovës.

PRESIDENTI THAÇI BËN THIRRJE PËR QETËSI

Prishtinë, 26 mars –Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Filed Under: Politike Tagged With: Arrestohet Marko Gjuriç, Mitrovice

PROKURORIA TE HETOJE POLITIKANËT, SHKATËRRUES TË ATDHEUT

March 26, 2018 by dgreca

1 Kulluri
Nga Nuri Kulluri/Dukat/ Vlore/

Unë Nuro Kulluri, pronar autokton në fshatin Dukat, të rrethit të Vlorës, që i kam kaluar 80 vjeç mbaj mend mirë gjithësa ka ndodhur  prej viteve 1950 në krahinën dhe në fshatin tonë. Ndjek rregullisht shtypin e ditës dhe kënaqem që gazetarët po kritikojnë anarkinë e pronës të krijuar nëpërmjet ligjeve të miratuara në Kuvend nga deputetët e bindur kryetarëve të PD dhe PS .

Kujtoj vitin 2010-2011 kur djemtë e Dukatit, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues, u bashkuan dhe i ndoqën me gurë  policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Pas kësaj proteste Qeveria arrestoi dhe burgosi 16 burra, duke i mbajtur pa asnjë kusht qoftë edhe minimal për 72 orë. Pas 72 orësh personat e arrestuar u dërguan në gjyq, me duar të lidhura dy e nga dy, sikur të ishin super kriminelë. Kjo u bë për presion psikologjik, Gjyqi nuk dënoi asnjë prej protestuesve , protestuesit firuan, qeveria dhe policia mbajten turpin. Në vitin 2015 kur kryeministër ishte Edi Rama, në zonën e Shën Vsil të Karaburunit, ka janë prona të fisit Bodoj, deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli bleu 320 hektarë nga shtetasi Jakup Mëzi. Brënda këtyre pronave fisi Bodaj ka akoma shtëpitë të ndërtuara që nga koha e Turqisë. Eshtë detyrim i shtetit të gjejë se nga i bleu ky Jakup, këtë pronë që ka zot, kur dihet nga e gjithë krahina që vetë Jakupi nuk ka asnjë lidhje trashëgimie me fisin Bodoj ose ndonje fist jetër në Dukat. Ka ardhur koha që  Prokuroria që gjejë se kush i ka fallsifikuar dokumentate këtij trafiku pronash që është shumë herë më i madh se vjedhja e pronës me fallsifikim dhe mashtrim e bërë në Lezhë. Prokuroria duhet ti hetojë dhe ti dërgojë ata në gjykatë duke kërkuar që Gjykata të shpalli të pavlefshme dhe të pa qena aktin e shitjes dhe të dënojë grupin e fallsifikatorëve që të paguajnë dëmin e shkaktuar. Deri sot, megjithse Bodojt e vërtetojnë pronësisnë me dokumenta që nga koha e Turqisë, problemi nuk ka marrë akoma zgjidhje.  Po vjen koha që burrat e Dukatit të bashkohen dhe përsëri të flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama nuk po e kupton realitetin ose nuk është burrë shteti deri sa vetë ka deklaruar se janë disa mijëra të vrarë për shkak të gabimit me pronën që filloi Sali berisha dhe Fatos Nano. Edi Rama na premtoi për zgjidhje konform kushtetutës por nuk ka gjetur kohën të bëjë një takim me pronarët dhe me vendimet qe merr po na shtyn në luftë civile. Shpresuam tek Edi Rama por jemi thellësisht të zhgënjyer me këto që bëri dhe po bën për pronarët duke ju mohuar pronën e trashëguar. Sali Berisha sot Lunzim Basha dhe Edi Rama nuk duan të kuptojnë se mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut dhe për këtë le të sqarojnë popullin, kur të dalin në ekrane të TV. Ky grusht politikanësh padrejtësinë e filluar me ligjin 7501, po e thellojnë edhe më shumë me kompensimet që parashikohen me ligjin 133/2015. Miratimi i ligjit 133/2015 nga Kuvendi dhe nga Gjykata Kushtetuese janë turpi i drejtësisë sepse nuk ka asnjë nen të Kushtetutës që të justifikojë pse tokat turistike nuk i kthehen të zotit.  Nëpërmjet gënjeshtrave që ju rerviren Strasburgut, kërkohet të na mbushin mendjen se kompensimi qënka njëlloj i mirë sa dhe kthimi dhe ne pronarët e pronave dhe kullotave tona në Karaburun dhe në bregdetin e Vlorës, duhet të mjafohemi me kompensimin pasi ato toka i  kanë përfituar me ligj dhe pa ligj oligarkia politike. i bëj apel gazetarëve dhe analistëve politikë që të sqarojnë grupin e specialistëve amerimanë të DEA se e kanë shumë të lehtë të gjejnë se si është bërë pastrami i parave . Mjafton qe antimafia të bëjnë një shëtitje në bregdetin e Vlorës dhe pastaj kërkojnë dokumentacionet për ndërtimet pa leje të ndërtuara në këtë zonë turistike në prona të zaptuara. Me këto ndërtime pa leje është mbushur i gjithë bregdeti i Vlorës. Ligji për legalizimin e tyre që e miratoi ky Parlament, mos veprimi i policisë ndertimore për të mos lejuar pushtimin e trojeve dhe realizimin e ndërtimeve pa leje , regjistrimi ture në hipotekë dhe shitja e tyre për qytetarë të ndryshëm, është ligji për pastimin e parave për të cilën nuk ka nevojë të shkohet në bankat jashtë shtetit.

Politikanët tanë  që dolën në krye pas vitit 1991, qëlluan të gjithë  një  fatalitet për Shqipërinë dhe Kombin tonë . Ne duhet t’i lutemi Zotit për politikën Amerikane që po e paralizon këtë pluralizëm kriminal që po bëhet 27 vjeçar. Por nëse tek drejtuesit e politikës së sotme Edi Rama dhe Lulzim Basha ndërgjegja kombëtare nuk është  mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, ata le të reagojnë dhe nëse kjo bëhet sot specialistët e Vetingut do të kenë të mbylur burimin e korrupsionit dhe të pastrimit të parave. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar gabimet.

 Me shpresë se gjithmon[ do fitoj[ i ndershmi dhe drejt[sia.

Filed Under: Komente Tagged With: Hetim Politikaneve, Nuro kulluri, prokuroria

Kosovë-Njësia Speciale dërgohet në Veri

March 26, 2018 by dgreca

-Policia e Kosovës ka angazhuar “njësi relevante” në veri për zbatimt të vendimit të ndalimit të vizitës së dy zyrtarëve nga Serbia, mes tyre Ministri i Mbrohjtjes Aleksandar Vulin/

 -Ministri i Jashtëm, Pacolli: “Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”/

1 Policia Veri

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  PRISHTINË, 26 Mars 2018/ Policia e Kosovës deklaroi pak më parë se bazuar në  planifikimet e saja policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Vulin dhe Gjuriç, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.
Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës.
Policia e Kosovës, me qëllim të zbatimit të vendimit zyrtar të autoriteteve shtetërore, ka angazhuar njësi relevante policore të cilat do të veprojnë konform situatës në raport me vendimin e MPJ-së së RKS-së. Ndërsa do të ju lejohet hyrja vetëm personaliteteve të cilët do të kenë leje zyrtare të autoriteteve të shtetit të RKS-së, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare, përfundon njoftimi dërguar nga Policia e Kosovës.Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar: “Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriç dhe as Vulin. Kushdo qe futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet!”.E nga Beogradi, agjencia serbe e lajmeve Tanjug sapo njoftoi se “merr vesh” se Prishtina ia ka ndaluar ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, vizitën në Mitrovicë. Thuhet se ai donte të vizitojë një familje.Poashtu Tanjug “merr vesh” se, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka thirrë për nesër mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare.Agjencia serbe e lajmeve shton vetëm edhe se, “sipas infotmatave jozyrtare, një nga temat do jetë çështja e Kosovës”, ndërsa nuk jep hollësi të tjera.

 POLICIA E KOSOVËS: KOMUNIKATË PËR MEDIA-(Shtesë 1)

 Prishtinë, 26 mars 2018 (ora 11:30)-Policia e Kosovës në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave ligjore ka ndërmarrë veprime në drejtim të dislokimit të njësive përgjegjëse në terren në pjesën veriore të Kosovës, me të vetmin qëllim  zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe nuk ka qëllime tjera.Në kuadër të kësaj dëshirojmë t’i informojmë të gjithë qytetarët tanë, në veçanti ata në veri të Kosovës mos të bien pre të çfarëdo dezinformate lidhur me angazhimet tona në atë pjesë. Ne mbetemi të përkushtuar në zbatimin e rendit dhe ligjit si dhe ofrimin e shërbimeve policore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

 POLICIA E KOSOVËS: KOMUNIKATË PËR MEDIA-(Shtesë 2)

Prishtinë, 26 mars 2018 (ora 13:30)/ Në vazhdimësi të informimit të drejtë të opinionit publik dhe me qëllim të shmangies së dezinformacioneve të mundshme, Policia e Kosovës bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RKS-së, për lejimin e hyrjes së ministrit të Kulturës z.Vladan Vukosavljevic, ju informojmë se të njëjtit i është lejuar hyrja në territorin e Kosovës konform vendimit, por i njëjti pas hyrjes nuk ka vazhduar tutje për në Veri të Mitrovicës, duke u kthyer me vetë dëshirë mbrapa për në Serbi.Vizita e lejuar e z.Vukosavljevic ka qenë e planifikuar të realizohet në pikën kufitare Merdare që lidh Kosovën me Serbinë, mirëpo e njëjta nuk është realizuar  në atë pikë kufitare por në pikën kufitare Jarinje në veri të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Njesia speciale, veri

Gjergji i lirisë, i lavdisë dhe i dinjitetit kombëtar

March 26, 2018 by dgreca

 4anton-cefa

Nga Anton Çefa/

Është aq larg nesh – më se gjashtë shekuj nga lindja e tij, sa ta kundrojmë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore, por sidomos me ato virtytet aq të fisme, që e kanë shquar gjithnjë popullin tonë; por është edhe aq afër nesh, i kohëve e ditëve tona, sa ta kundrojmë gjithnjë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore dhe sidomos me ato më të fismet virtyte të “racës” sonë. Të tillë e ka ruajtur kujtesa popullore, të tillë e ka gdhendur populli në këngët, legjendat e gojëdhanat e veta, në veprat e ndryshme të artit aplikativ dhe të tillë e ka shkruar historia.

Qe koha kur një pjesë e mirë e trojeve tona ishte pushtuar nga turqit. Populli lëngonte nën thundrën e tyre për lirinë e humbur. I duhej një bir për ta udhëhequr në luftën kundër tyre. I duhej dhe e krijoi. Po, e krijoi në nënvetëdijen e tij para se të lindte: gojëdhëna thotë, siç na e ka dhënë Frang Bardhi, që e ëma, Vojsava, pau në ëndërr një dragua që në njërin krah kishte të vijëzuar një shpatë, me të cilën do të luftonte për të mbrojtur Arbërinë. 1). Një tjetër gojëdhënë shkon edhe më tej: Skënderbeu, kur lindi, e kishte të vijëzuar shpatën në krahun e tij. 2).

Shqipëria vërtet e lindi birin e saj, atë që do ta çlironte dhe do ta mbronte, sepse do ta donte siç don një bir nënën e tij. E krijoi atë prej dheut dhe prej qiellit të saj, prej baltës dhe ajrit të saj, prej kockës dhe frymës së saj; ajo e lindi atë njeriun e madh, Heroin, tek i cili do të shkëlqenin tiparet më dalluese të tharmit tonë etnik. E lindi për të na treguar çfarë jemi dhe për të na paraqitur para botës luftëtarë të lirisë, trima dhe guximtarë, fisnikë dhe dinjitozë.

Njeriu është strukturë e disa botëve: botës lëndore, anatomisë e fiziologjisë, mishit e gjakut; botës njohëse, ku mpleksen aftësitë e tij për ta shpjeguar veten dhe realitetin rrethues, tokën dhe universin, lëndën dhe idenë; botës emocionale, aftësisë për ta ndjerë realitetin së brendshmi, për ta dashur dhe për t’i vlerësuar shfaqjet e tij, për të ndjerë dhimbje dhe kënaqësi, për të shijuar bukuritë dhe për të urrejtur çoroditjet e tij e të tjerëve; dhe botës së vullnetit, përpjekjeve për të vepruar dhe për ta shndërruar realitetin ku gjendet, në përshtatje me qëllimet e idealet e veta, për të krijuar bukuritë dhe për të zhdukur shëmtitë e saj e të vetes.

Nga kjo mpleksje e larmishme vetish lëndore e shpirtërore të njeriut, çfarë ka spikatur më tepër krijimtaria popullor tek Heroi ynë ?

Edhe pse i larguar nga vendi i tij dhe nën trysninë e një mjedisi krejt të huaj, edhe pse nën peshën e një edukate e kulture krejt të ndryshme nga ajo e vendit të tij; ai jo vetëm nuk do ta harrojë, por do ta dojë ashtu siç e do shqiptari vendin e tij. Në kushtet e një emigracioni të detyruar, ku e pati përplasur fati dhe, duke mos pasur as mundësinë ta shfaqë, do ta ruajë thellë në zemrën e tij mallin përvëlues dhe atë ndjenjën më magjike që përjeton njeriu, dashurinë e dhimbshme për atdheun, dhe dëshirën e flaktë për t’i shërbyer atij – çka përbën shtratin ku rritet një prej idealeve më humane të natyrës njerëzore, ideali kombëtar.

Sa ndryshim me ca vezirë e pashallarë shqiptarë që arritën në rangjet më të larta të pushtetit në Perandorinë Turke, të cilët jo vetëm që nuk u kujtuan për vendin e tyre, por përkundrazi erdhën me hekur e zjarr për të shtypur kryengritjet popullore, që shpërthenin herëpashere! Dhe, për çudinë tonë më të madhe, ca shqiptarë “shkencëtarë”, na i lavdërojnë duke i ngritur në qiell dhe ca të tjerë, për turpin tonë, na i ofrojnë si heronj, duke sulmuar Heroin e vërtetë, Kastriotin e Madh. Nuk mund t’i mohohet që qenë të mëdhenj si administratorë dhe u bënë të njohur në botën e atëhershme; por nuk mund të pohohet edhe që kishin zemër shqiptare. Përkundrazi.

Në një këngë të mbledhur në fshatin Kodrali të Deçanit (Kosovë), rapsodi tregon që kur ushtarët shqiptarë që kishte me vete në Nish ia kujtojnë Shqipërinë, ai nuk mund ta fshehë përmallimin.

“Veni jonë-o asht n’Shqipni-e,

shqipja asht-o nana jon-e

mos gabo me u ba i huj-e!

Skënderbeu u përmallue,

Për vendlindje tuj kujtue.” 3).

Shumë udhëtarë të huaj që janë përshkuar nëpër vendin tonë e kanë vërejtur dhe vënë në dukje lidhjen e ngushtë shpirtërore të shqiptarit me vendlindjen, mallin e thekshëm dhe dashurinë e pakufishme për të. Po mjaftohem vetëm me dy shembuj:  “Kurrë s’kam parë dashuri më të madhe për vendlindjen!”, shkruan në fund të viteve ’40 të shek. XIX udhëtari anglez Mac-Ferlane për banorët e një fshati shqiptar në rrethinat e Shkupit, të cilët autoritetet e vendit kërkonin t’i shpërngulnin me forcën e bajonetave.” 4). Dhe Hobhouse, shoqëruesi i Bajronit në vendin tonë, thotë: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë atyre (shqiptarëve, A. Ç.) kujtimet dhe dashurinë për malet, miqtë dhe për fshatrat e tyre” 5).

Qe koha kur malet tona qeveriseshin me Kanunin e tyre të kohëve më të lashta, Kanun të cilin e vuri në jetë dhe e pasuroi edhe vetë Heroi ynë; qe koha kur populli ynë e kishte formësuar që heret ligjësinë shpirtërore të jetës me atë pasuri morale aq fisnike, aq të dalluar nga popujt e tjerë dhe aq të vlerësuar nga të huajt, atë ligjësi që i kishte themelet tek burrëria, nderi, besa, trimëria, miqësia, dashuria e pakufishme për liri dhe atdhe, dhe gatishmëria për t’u flijuar për të. Është kjo pajë shpirtërore që e karakterizon Heroin tonë dhe e bën atë dëshminë më të gjallë të virtyteve tona etnike, e shquan atë në jetësimin, ruajtjen dhe lartësimin e vlerave morale, që përftojnë personalitetin autentik e origjinal shqiptar.

Në kushtet e luftës, ajo që del më në pah, natyrshëm, është aftësia e tij luftarake. Ai ishte një strateg i madh dhe luftëtar i pashok, me të gjitha cilësitë e një luftëtari, trim i çartur e guximtar.

Gjashtë shekuj më parë, kur lindi, jetoi e luftoi Skënderbeu, populli ynë jetonte ende në një qytetërim me mbeturina të theksuara mitologjike e pagane, prej të cilit do të shkëputej shumë vonë, a edhe nuk do të shkëputej kurrë plotësisht. Qe koha kur vatra shqiptare këndonte këngët e trimave legjendarë, Mujit e Halilit, dhe shokëve e bashkëluftëtarëve të tyre; prandaj rapsodi dhe tregimtari popullor shpesh e kanë trajtuar Heroin me ato veti fizike që janë karakteristike për këngët legjendare. Skënderbeu fluturon me kalin e tij nga një mal në tjetrin, pret katër copash me shpatën e tij shkëmbinj të mëdhenj për të nxjerrë ujë për ushtarët e tij të etur, bën kërdinë mbi armiqtë me shpatën e tij.

“S’ka pasë si Skanderbegju. Ai ka qanë me fletë nan sqetull. Mustaqet i kishte katër pllamë më njan’ anë e katër më tjetrën. Kur luftonte Skanderbegju, iu bajshin sytë xhak, ene qitte duhm prej gojet” – thuhet në një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Macukull të rrethit të Matit. 6).

Aftësitë luftarake dhe cilësitë e tjera të personalitetit njerëzor që lidhen me to, ia kanë vënë në dukje popullit tonë të gjithë të huajt, që janë përshkuar nëpër vendin tonë në kohëra të kaluara. Po përmend këtu mjekun e njohur anglez Holland që shkruan: “Shqiptarët gëzojnë famën më të lartë ushtarake në Perandorinë Turke, në More, në Siri dhe në provimca të tjera” 7). “Zotësia ushtarake, thotë një Anonim, i është e lindur kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm”8). Dhe Çabej: “Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi” 9).

Gjithsesi, ajo që e dallon Heroin tonë në hullinë luftarake të personalitetit të tij është thjeshtësia – sa është komandant aq është edhe ushtar i thjeshtë; jo vetëm pse lufton si ushtar i thjeshtë, por kryesisht sepse sillet  si ushtar dhe si njeri i thjeshtë.

Edhe pse lavdia e tij pati kapërcyer kufijt e Shqipërisë, ai u shqua gjithnjë për sjelljet e tij modeste, plot thjeshtësi. Ai nuk e njihte mburrjen dhe kotësinë e të dukurit, që i brejnë aq shumë vetëdijet e shqiptarëve të sotëm dhe dëmtojnë veprimtarinë kombëtare.

Tek Skënderbeu bie në sy dashuria e trajtimi vëllazëror ndaj të tjerëve, ushtarëve dhe popullit të thjeshtë. Në një perlë të folklorit arbëresh, këndohet: “Hajin bukë si dy vëllezër/ Skënderbeu e Miloshini”10), duke u shpërfaqur thjeshtësia e këtij strategu të madh në marrëdhënie me luftëtarët të tij, dashuria vëllazërore dhe respekti e konsiderata ndaj tyre.

Bujaria dhe zemërbutësia përbëjnë tipare tjera të vlerta të figurës morale të Skënderbut. Në veprën “Skanderbegu mbas gojdhanash”, botuar në Shkodër në vitin 1926, e para dhe më e plota vepër e kësaj natyre, historiani, Atë Marin Sirdani, që nuk u përmend asnjëherë gjatë 50-viteve të diktaturës, sepse kishte të veshur zhgunin françeskan, si Fishta, Gjeçovi, e të tjerë, na jep disa gojëdhëna që tregojnë shumë raste në të  cilat Skënderbeu ua ka falur jetën dhe i ka lënë të lirë ushtarët armiq të zënë robër ose si ua fali jetën Mojs Golemit dhe Hamza Kastriotit, që e patën tradhtuar. Gjithashtu, ai shkruan: “Kishte formue Skanderbegu nji trupë të zgjedhun ushtrije prej ma se dy mi shqyptarësh, të cilt për dishiplinë, trimni e besniki s’kishin shokë në botë. Shpesh e shpesh u gjindte në mjes të tyne e u kujdeste me dijtë deri punët e nevojët ma të vogla të tyne. Disa herë hante në tryezë më ta, e mbas ndonji ngadhnije (ngadhnjimi, fitorje, A. Ç.) i u falte atij qi kishte diftue ma tepër trimni edhe i ipte me pi me qelqen e vet.”11).

Mënçuria karakteristike shqiptare e shoqëron Heroin tonë në çdo veprim. Në shumë gojëdhëna tregohet se si ai ua punon armiqve dhe del fitimtar, edhe pse rrethanat nuk i kishte në favor.

Urtia e maleve tona, jo vetëm në sjellje, por edhe në qëndrimet e veprimet e peshuara mirë, mbështetur në mënçurinë dhe përvojën e pasur jetësore si dhe në taktin e tij të përmbajtur, e ka karakterizuar gjithnjë. Me këtë cilësi të lartë sa mendore sa morale, ai pati fituar edhe të drejtën për të bërë pleqërime sipas ligjëve të Kanunit, deri në atë shkallë sa që Kanunin e trojeve kastriote, të quajtur “Kanuni i Arbërisë”, tradita popullore e lidhi me emrin e Skënderbeut, sepse ishte pikërisht ai që, në përputhje me kushtet e reja shoqërore, ekonomike e politike, bëri ndryshimet e nevojshme. “Kanuni i Skandërbegut” u mblodh dhe u kodifikua nga Dom Frano Illia dhe u botua në vitin 1993.

Gojëdhëna tregon që Skëndërbeu dhe Leka diskutonin normat kanunore dhe shpesh kishin edhe kontradikta. Në një rast, ata diskutuan çështjen e vlerës së njeriut lidhur me marrjen e gjakut. Skënderbeu i dha të drejtë Lekës, edhe pse kishte tjetër mendim, që “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin”, sepse “Sejcili mbahet i mirë dhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!”… “Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti” 12).

Gojëdhëna të tjera flasin gjithashtu për pleqërime në bazë të kanunit që Skënderbeu bante me Kokë Malçin, një plak i mënçur i Kurbinit, dhe me pleq të tjerë. Heroi ynë këshillohej me të dhe pleq të tjerë të urtë jo vetëm për çështje kanuni, por edhe për çështje lufte.

Besnik i ngulët i zakoneve e traditave, gjithnjë e kudo, në çdo rast dhe për çdo gjë, në çdo sjellje dhe në çdo veprim, ai do t’u përmbahet atyre. Në këngën arbëreshe “Martesa e Skendërbeut”, këndohet: “Mblodh në Krujë Skendërbeu / bujarët dhe peshkopët, / me ta për t’u këshilluar / se në ç’ vend ta merrte nusen”. Bujarët e peshkopët e këshillojnë ta marrë nusen napulitane, të tjerë nga Pulja a Siqelia a vise të tjera, por përgjigjja e tij është:

“E di vetë se ke do të marr

Vashën e dua shqiptare

Nga gjuha dhe zakonet” 13).

Dhe mori Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, një prej personaliteteve kryesore historike të asaj kohe.

*   *   *

Me cilësitë e rralla fizike dhe sidomos me pajën e fisme shpirtërore, me meritat e tij të shkëlqyera në fushën e luftës dhe në veprimtaritë organizative për funksionimin e shtetit, me sjelljet e tij të shkueshme, të dashura e plot takt në marrëdhënie me të tjerët, dhe me shumë cilësi të tjera, Skënderbeu pati fituar në popull dhe ndër ushtarët nderimin, bindjen dhe besimin e të gjithëve dhe, mbi të gjitha, dashurinë e admirimin e mbarë popullit.

Kështu duhet shpjeguar legjendarizimi dhe idealizimi i Heroit nga populli; por nëse trajtimi në krijimtarinë popullore me elemente të legjendës shpjegohet nga fakti se ndërgjegjja artistike e popullit, në kohën kur jetoi Skënderbeu dhe pak më vonë mbas vdekjes së tij, luhatej mes legjendës dhe historisë, pra jemi në fazën e parë të kalimit nga kënga legjendare tek kënga historike; idealizimi buron nga admirimi i përgjithshëm popullor për Heroin.

Referenca

1.Frang Bardhi: “Skënderbeu”, Tiranë 1957, f. 73

2.Për gojëdhënat dhe këngët historike jemi mbështetur:

-Atë Marin Sirdani: “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar” “Shpresa”, Prishtinë, 2002.

3-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Kulurës Popullore:   “Epika historike 1”, f. 77-78 (fragment}.

4 –  Mac Ferlane, Ch.: “Turkey and its Destiny. The Results of Journeys made in                 1847”,  f. 70.

5-Hobhouse, J. C. “A Journey through Albania and other Provinces of Turkey    …”, f. 70-71.

6-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 127.

7-Holland, H. “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thesaly, Macedonia, etc.               during   the years 1812-1813. London, 1815, f. 113.

8-Anonymi descriptio Europae Orientalis në. v. 1308. Cituar smbas Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MCM, Tiranë, f. 27.

9-Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

10- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 89.

11-Atë Marin Sirdani, vepër e cituar, f. 332.

12-   Kanuni i Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi, Gjonlekaj Publishing Company, NY, 1989, f. 169.

13- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f.97.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, dhe i dinjitetit kombëtar, Gjergji i lirisë, i lavdisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT