• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

KADRI VESELI DO TE SHKOJE NE HAGE

November 7, 2019 by dgreca

Veseli: Jam ftuar nga Gjykata Speciale: Epoka e UÇK-së është pjesa më krenare e jetës sime/

Prishtine, 6 nentor 2019- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se ka pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë. Ai tha se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë. E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues. Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit”, tha Veseli në konferencë para gazetarëve.

Fjalimi i plotë i Kadri Veselit:

Përshëndetje të gjithëve! Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara, për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Ashtu siç jam zotuar, se në momentin që do ta kisha një ftesë të tillë, unë do ta bëja publike. Gjenerata ime, si shumë gjenerata të tjera, ka përjetuar shtypjen e rëndë të kombit tonë. Ne nuk jemi pajtuar me atë gjendje, dhe unë jam krenar që i jam përgjigjur thirrjes së vendit për lirinë e kombit.

Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë.

E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues.

Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – është pjesa më krenare e jetës sime.

Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit. Nga prilli i vitit 1999, deri në qershor të vitit 2008, kam udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës.

Të gjitha këto angazhime i kam bartur me nder dhe përgjegjësi të plotë, e me krenari të jashtëzakonshme. Të nderuar qytetarë, Përpjekjet e kombit tonë për liri – kanë qenë jeta jonë. Të gjithë së bashku arritëm lirinë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është simboli i saj.

Por, duhet pranuar një fakt, lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht. Që nga paslufta, ky është procesi i pestë i drejtësisë – të cilës i nënshtrohet kjo luftë.

Duke filluar nga UNMIK-u, e për të vazhduar me Gjykatën e Hagës, EULEX-in, drejtësinë vendore, dhe tani me Gjykatën Speciale.

Nuk besoj që në historinë e lëvizjeve çlirimtare të ketë pasur një shembull të tillë.

Edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi.

Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, më 4 dhjetor.​

Filed Under: Politike Tagged With: Kadri Veseli- 4 Dhjetor 2019- ne Hage

Mbrëmje kulturore-artistike në nderim të At Gjergj Fishtës

November 7, 2019 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Mbremja artistike në nderim të At Gjergj Fishtës u organizua nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. dhe Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” NY.

Ka qenë një fundjavë tejet e ngjeshur, por në fund të fundit keshtu i paçim të gjitha fundjavat në nderim ë këyre Prijësave të Kulturës dhe Atdheut si At Gjergj Fishta. 

Ndërsa të shtunën u mbajt me plot sukses simpoziumi shkencor për At Gjergj Fishtën, të dielën u zhvillua një aktivitet kulturor dhe artistik në nderim të Tij.

Na na bashkoi At Gjergj Fishta si shqiptarë ashtu siç ëndërronte ai për Shqipërinë Etnike, sepse ne kemi një  Flamur dhe flasim një gjuhë:

“Nper gjuhë shqype bota mbarë/ ka me ju njohtë se ç’fis ju kini/ ka me ju njohtë për shqyptarë/ trima n’za, sikurse jini”.

Aktiviteti u hap nën interpretimin e dy Hymneve kombëtare shqiptare dhe amerikane

Në emër të Shoqatës Shqiptaro Amerikane Skënderbej përshëndeti kryetari i saj z.Bashkim Shehu ish zv/ministër i Mbrojtes në Republiken e Shqipërisë.

Në emër të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” aktivitetin artistik dhe kulturor e përshëndeti, Dom Pjetër Popaj, Famullitar i saj

Në këtë aktivitet ishin të ftuar Poeti i shquar z.Agim Doci, “Mjeshtër i Madh” dhe Qytetar Nderi i Qarkut Shkodër, i cili solli shumë emocione tek të pranishmit: znj.Yllka Cuasholli e cila surprizoi duke sjellë këngën “ Margjelo”, Dr. Rovena Vata, studiuese, kritike letrare, gazetare dhe albanologe, Z.Paulin Zefi, historian dhe drejtor i Muzeut dhe monumenteve të Qarkut Lezhë të cilët përshëndetën me plot përzemërsi dhe dashuri.

Me duartrokitje u mirëpritën z.Mark Gjonaj Këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut, z.David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County, z.Marko Kepi, president i organizatës “Rrënjët Shqiptare dhe po kandidon për në Ansamblenë e shtetit të Nju Jorkut.

Z.David Tubiolo, ligjvënës në Westchester County i dorëzoi z.Bashkim Shehu dhe z.Mark Qehaja proklamatë mirënjohjeje për punën e palodhur të shoqatës “Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” në New York.

Z.Marko Kepi nderoi me një çmim të veçantë z.Paulin Zefi, një studjues serioz dhe me shumë vlera për punen e tij të palodhur në nderim të At Gjergj Fishtës. 

Në emër të Kryesisë së shoqatës shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. z.Marko Kepi i dha mirënjohje z.Perparim Likollari ish ushtarak në Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe aktivist i mirënjohur i Shoqatës “Skënderbej” që në themelim të saj.

Në emër të familjes së madhe Fishta p një studjues serioz dhe me shumë vlera pershëndeti z.Gjergj Domgjoni.

Nderonin me pjesëmarrjen e tyre dhe përshëndetën si: Dr.Pashko Camaj, nga Federata Pan shqiptare “Vatra”, shoqata “Devolli” me kryetar z.Odise Salillari, Haki Çollaku dhe Agim Kola, përfaqësues nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” Filadelfia dhe z.Ibrahim Kolari bizensmen aktivist, ish kryetar i shoqatës Dibra.

U interpretuan valle nga Grupi Rozafati, valle e Tropojës nën kujdesin e znj.Angjelina Nika, si dhe interpretuan “Vallja Devollite” nga “Grupi Devolli” i nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” si dhe u këndua kënga “Ty Flamur të duam shumë” nga Kelvin Rustani gjithashtu nxënës i Shkollës Shqipe “Alba Life”

Artistët e mirënjohur si Tomë Gjergji i cili interpretoi fjalimin e Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit, Shaban Lajçi dhe Xhevat Kukaj sollën mjeshtërisht interpretime me lahutë nga poezitë e At Gjergj Fishtës të shoqëruara me lahutë nga Martin Smajlaj

Pjesëmarrësit u argëtuan me këngë dhe muzikë nga të gjitha trevat shqiptare nga Mjeshtri i Madh Gëzim Nika, këngëtaret e dashura dhe simpatike si Valbona Peraj dhe Zamira Lacaj.

Së shpejti do të sjellim materialet përkatëse dhe transmetimin nga TV “Alba Life” NY me producent z.Qemal Zylo dhe kameraman Elton Xhaferri dhe Glen Nutaj.

3 Nëntor

New York, 2019

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo- Mbremje-At gjergj Fishta

Opozita LVV-LDK bëhet Qeveri e re e Kosovës

November 7, 2019 by dgreca

-Zgjedhjet 2019 në Kosovë, rezultati zyrtar përfundimtar: Opozita LVV-LDK fituese – bëhet Qeveri e re/

KQZ SHPALLI REZULTATET PERFUNDIMTARE/

-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme  parlamentare të 6 Tetorit 2019 në Kosovë: LVV – 26,159%, LDK – 24,458%, PDK – 21,163%, Koalicioni AAK-PSD 11,477%,  Koalicioni Nisma-AKR me 4,984% të votave nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës/

-Sipas të dhënave përfundimtare në votime kanë marrë pjesë  44.72% e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote/

-Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë – Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 7 Nëntor 2019/ Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme  parlamentare të së dielës së para një muaji, 6 Tetorit, sipas të cilave fituese është Lëvizja Vetëvendosje  me 26,159% të votave -32 deputetë, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,458% të votave – 29 deputetë. Këto dy parti që ishin në opozitë ka kohë që zhvillojnë bisedime, të cilat vijojnë edhe sot, drejt koalicionit për Qeverinë e re të Kosovës derisa së bashku do kenë  61 deputetë – më shumë se gjysmën e Kuvendit 120 anëtarësh.

Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit të Qeverisë së dorëhequr, ka dalë e treta në rezultatet e zgjedhjeve me 21,163%  të votave – 25 deputetë.

Koalicioni i Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëheqte me Qeverinë,  ka 11,477% të votave – 14 deputetë.

 Ndërsa, koalicioni i Nismës Socialdemokrate bashkë me Aleancën Kosova e Re, të dyja pjesë e Qeverisë së dorëhequr,  me 4,984% të votave për pak nuk e kalojnë pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Subjekti më i madh politik nga komunitetet pakicë – Lista Serbe ka 6,754% të votave dhe do ketë 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Edhe 10 deputetë të tjerë do i kenë komunitetet tjera pakica të Kosovës.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me këto rezultate.

VOTAT E BARTËSVE TË LISTAVE- KANDIDATËVE PËR KRYEMINISTËR

Bartësit e listave – kandidatët për postin e kryeministrit të Kosovës nga partitë-koalicionet që do jenë pjesë e Kuvendit në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 sipas rezultateve përfundimtare të KQZ kanë këto vota:

Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosje  183 868 vota; Vjosa Osmani – Lidhja Demokratike e Kosovës  176 188 vota; Kadri Veseli – Partia Demokratike e Kosovës  146 763 vota; Ramush Haradinaj – koalicioni i  Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 75 917 vota.

Ndërsa, bartësja e listës e subjektit Lista Serbe Jasmina Dedic ka  19 703 vota.

 6 TETORI 2019, KOSOVA VOTOI NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE TË SHTATA NË 20 VJET LIRI, TË KATËRTA NË 11 VJET PAVARËSI

Të dielen e 6 Tetorit 2019, Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garonin 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra  dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmbante 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote. Sipas të dhënave përfundimtare në votime kanë marrë pjesë  44.72% e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote.

Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, u hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime.

I gjithë procesi monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota, janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  

 Kosova, para, gjatë dhe pas lufte ka mbajtur 9 palë zgjedhje parlamentare, 2 palë zgjedhjet e paraluftës e kohës së luftës ishin edhe presidenciale.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.

 Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Kosova, tani shtet i njohur nga 116 vende të botës anëtare të OKB-së,  edhe në kohë lufte mbajti zgjedhje parlamentare e presidenciale në 22 Mars 1998 dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin e Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Opozita-LVV-LDK-Behen Qeveri

FRAN SOKOLI U PËRCOLL ME NDERIME USHTARAKE

November 6, 2019 by dgreca

– Me mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Donald J. Trump nderohet ushtaraku shqiptaro amerikan Fran Sokoli (1933-2019)/

“Kam pas fatin, nderin dhe kënaqsinë, që kam njohur shumë mirë jetën aktive brenda komunitetit tonë të ushtarakut të ushtrisë së SHBA-së Fran Sokoli. Ai ishte një njeri i shumë i mirë, korrekt për nga natyra, i rregullt me cilësitë positive të një ushtaraku model. Ai vishej gjithnjë me gusto. Të gjithë ata që e kanë njojhur dhe kanë pasur miqësi me Franin, e mbajnë mend si mikpritës dhe shumë bujar në shpirt, fjalë pak e punë shumë, serioz dhe besnik në fjalën e dhënë, sipas traditave dhe zakoneve të lashta shqiptare. Frani, nuk e ndante nga goja vendlindjen e tij Bugjonin e Pukës. Ai kishte nostalgji për truallin, ku kishte lindur dhe kishte kaluar fëmijërinë. Pukjani sypatrembur, shpesh më thoshte se diktatura komuniste në Shqipëri dhe dhuna e saj politike, fizike dhe ushtarake na detyroi ne, që me keqardhje të lëmë vendlindjen, shtëpinë dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sonë. Ai shquhej në komunitetin tonë si njeri i qetë, i zgjuar, largpamës, i drejtë, i sinçertë, përparimtar dhe dashamirës i flaktë për përmbusjen e rregjimit komunist në Shqipëri, lirinë fetare atje, lirinë dhe pavarësinë për popullin dardan të Kosovës. Në çdo aktivitet me tematikë atdhetare, kulturore dhe fetare në New York dhe disa shtete të tjera, ai ka qenë pjesëmarrës i zjarrtë, ku, shpesh ka mbajtur fjalime, që shquheshin për një oratori të thekshme atdhedashurie, me një frymë dhe shpirt të vërtetë shqiptari.” – Tomë Mrijaj, studiues publicist .

Klajd Kapinova

Ditën e dhimbjes e ndan me ne edhe ushtria amerikane në New York

Një dhimbje e madhe e përshkroi këto ditë vjeshte komunitetin tonë shqiptaro amerikanë në New York.

Një nga një po lagohen nga kjo jetë njerëzit më të shquar të komunitetit tonë, që në ditët më të vështira të Shqipërisë dhe Kosovës iu gjenden pranë me rrugë dhe forma të ndryshme.

Ushtaraku i ushtrisë amerikane Fran Sokoli ditën e premte, më 1 nëntor 2019, në “North Shore Hospital” Long Island, New York, në moshën 86-vjeçare, u nda nga jeta, i rrethuar nga farefisi, motra e tij Zoja me djemtë e saj Antonin dhe Lekën dhe me shumë pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre me miq dhe dashamirë.

Mbas meshës së dritës, që mbajt nga dom Pjetër Popaj, ditën e hëne më 4 nëntor 2019, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra Church at 361 West Hartsdale, Avenue, Hartsdale, New York 10530), trupi i të ndjerit u përcoll në varrezat “Gate of Heaven” 10 W Stevens Ave Hawthorne, NY 10532.

Në lamutmirën për në banesën e fundit (funeral), Fran Sokoli u përcoll me nderime dhe respekt të veçantë jo vetëm nga familja, farefisi, miqët dhe dashmirësit e shumtë shqiptaro amerikanë, por edhe nga një ekip i ushtrisë amerikane, që kreu shërbimet e rastit, sipas traditës.

Ushtaraku i lart amerikan, mbasi palosi me ngadalë dhe kujdes flamurin kombëtar amerikan, duke ecur ngadalë iu afrua motrës së Fran Sokolit, Zojës dhe pasi u ul në gjunj i dhuroi asaj flamurin e palosur në trekendesh.

Ushtaraku, duke e ngushëlluar motrën e të ndjerit i tha, se: “Ne jemi krenar me ushtarin tonë Fran Sokolin. Në emër të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së SHBA-së, Presidentit Donald J. Trump, në emër të popullit amerikan, falënderojmë ushtarin Fran Sokolin për shërbimin ndaj Atdheut.”

Kush ishte Fran Sokoli ushtari i ushtrisë së SHBA-së

Fran Sokoli lindi në katundin Bugjon të Pukës në vitin 1933. Ai shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Babai i tij Smajl Qerim Sokoli, vinte nga një familje patriotike me tradita të hershme atdhedashurie, ku, feja, atdheu dhe flamuri kombëtar ishin gjerat më të shtrenjta dhe të lidhura ngushtë me njera tjetrën.

Me ardhjen e komunizmit në vitin 1945, si shumë familje të tjera patriotike në trojet shqiptare ata e pritën me pushkë në dorë këtë murtajë të zezë.

Rrugën e babait e vijuan edhe katër fëmijët: dy vëllezërit dhe dy motrat. Smajli, mori me vete jashtë Shqipërisë në moshë të re djalin e madh Franin, ku, kaloi kufirin mes shumë peripecive. Posta e kufirit ishte vënë në alarm, për të kapur babë e bir, por Zoti dhe fati ishte me të arratisurit.

Arratisja nga rregjimi i hienave

Ai me babain e tij u arratisën nga Shqipëria në vitin 1951, pikërisht atëherë kur vala e persekutimit të egër komunist ishte ashpërsuar shumë.

Në një natë plot rreziqe, mes maleve të thepisura, me shumë bashkatdhetarë të tjerë atë e bir morën rrugën e mergimit.

Ai jetoi me babain e tij në Kosovë (ish Jugosllavi) në komunën e Burimit (Istog) dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, si: në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Podujevë. Në Kosovë, Frani mbaron shkollën e mesme.

Një ngjarje e hidhur prek familjen Sokoli. Kështu në vitin 1952, babain e tij Smajlin shërbimi sekret jugosllav e arrestojnë dhe e zhdukin pa lënë asnjë gjurmë. UDB-ja jugosllave e kishte bërë planin e saj shumë kohë më parë. Frani humb në këtë mënyrë njeriun më të shtrenjtë të zemrës së tij, babain.

Arratisja e dytë drejt botës së lirë

Me 1 janar të vitit 1955, Frani largohet në drejtim të Italisë, ku vendoset në kampet e refugjatëve politikë. Sërisht ai lëviz drejt një bote më të lirë.

Edhe pse jetonte në Itali, ai mendonte të shkonte drejt SHBA, ku, liritë dhe të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen me ligj.

Jeta në kamp nuk u jepte shpresë emigrantëve politikë nga shtetet e ndryshme të botës. Frani qysh herët e kishte kuptuar këtë gjë dhe mendonte që të largohet edhe nga ky kamp shumëkombësh.

Këtu ai njihet me shumë bashkatdhetarë të tjerë shqiptarë, që në vite të ndryshme ishin larguar nga burgu i madh komunist i Shqiprisë.

Ai interesohet tek autoritetet e kampit, që të plotësoj formularët për tu larguar në drejtim të SHBA. Ai ishte me ankth, në pritje të përgjigjes së miratimit të vizës për të hyrë në SHBA.

Kështu një ditë të bukur me plot fat dhe shpresë në zemër, ai në nëntor të vitit 1955, me një aeroplan zbret në aeroportin international John F. Kennedy në New York.

Një jetë e re nacionaliste në komunitetin shqiptaro amerikan

Frani më në fund ndjehet i lirë. Ai arrin të bëj realitet ëndrrën e tij shumëvjeçare. Me të mbërritur në tokën e shpresës së madhe, për çdo emigrant, që vinte nga shtetet, ku, diktaturat komuniste ishin në fuqi, ai bashkohet me disa bashkatdhetarë të tjerë dhe organizatat e hershme me ideale të pastra nacionaliste dhe patriotike shqiptare, të cilat ishin kundër komunizmit në Shqipëri dhe për lirinë dhe pavarësisë e Kosovës martire, që ishte e pushtuar nga kolonizatorët serb.

Frani, ishte një nacionalist dhe atdhedashës shumë aktiv. Në vitet në vijim, ai inkuadrohet si marinas në ushtrinë amerikane, duke shërbyer në disa vende, shtete të SHBA dhe në bazën ushtarake amerikane në Gjermaninë Perëndimore.

Ai këtu njihet me shumë miq të rinj amerikanë dhe ushtarakë të lartë, që shërbinin për shumë vite në bazat ushtarake amerikane në Europë dhe SHBA.

Frani, kujtonte shpesh shumë nga këto ushtarakë me shumë respekt dhe mirënjohje. Asokohe Gjermania ishte e ndarë në dy pjesë, mbas Luftës së Dytë Botërore, në Republikën Federale të Gjermanisë me kryeqytet Bonin, e cila ishte nën kontrollin e SHBA, Anglisë dhe Francës dhe Gjermania Lindore me kryeqytet Berlinin, që ishte nën pushtimin komunist të ish Bashkimit Sovjetik (B.R.S.S.) deri në vitin 1989, kur rrëzohet Muri i Berlinit, mbas fjalimit brilant dhe shumë emocionues historik të Presidentit republikan amerikan Roland Reagan përballë Presidentit sovjetik Michael Gorbaçov…

Gatishmëria e Franit për të luftuar kundër serbve në vitin 1999

Gjatë bisedave të shpeshta me Franin, ai kujton, se një ditë një ushtarak i lartë e pyeti atë, se pse ai kishte dëshirë të shërbente në ushtrinë amerikane dhe Frani me sinçeritet e brengën, që i vlonte në gji i thotë hapur: “Unë qysh në fillim e kam urryer me shpirt komunizmin dhe rregjimin e tij në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo që më ka munduar dhe më brengos gjithë jetën është fakti se komunistët jugosllav më arrestuan babain tim dhe deri më sot nuk e di se ku është ai…”

Fran Sokoli, në vitin 1961 lirohet nga shërbimi ushtarak amerikan dhe fillon punën si punonjës i financës në Manhattan, NY, pranë “Bank Irving Trust Company”.

Edhe gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, Frani ishte paraqitur pranë ushtrisë amerikane, për tu riveshur me rrobat ushtarake si ushtar i gatshëm kundër ushtrisë serbe, që kishte bërë krime për shumë dekada në Kosovë.

Oficeri i lartë amerikan e falënderon për gatishmërinë dhe me buzeqeshje i thotë, se: “Ju zoti Sokoli e keni kryer detyrën tuaj. Ju do të shkoni për të festuar në Kosovën e lirë.”

Frani në protesta antikomuniste në New York dhe Washington D.C.,

Ai qysh në fillim të aktivitetit të kishës katolike në Bronx, New York, ishte i pranishëm dhe jepte kontributin e tij me ide dhe ndihma financiare.

Pukjani i ri energjik u bë për shumë dekada krahu i djathtë i meshtarit të nderuar dhe repspektuar të komunitetit tonë mons. dr. Zef Oroshit.

Në vitin 1966, zgjidhet antar i Këshillit të Kishës “Zoja e Kshillit t’Mirë”, Bronx, New York, ku, punon për shumë vite si arkëtar i saj.

Ai martohet me Flora Destanisha, vajza e nacionalistit të shquar shkodran Kapiten Gjon Destanisha, i cili edhe ky vritet barbarisht në Prishtinë nga UDB-ja jugosllave, ku edhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri…

Për fat të mirë, sot në vitet e demokracisë, me krenari një lagje e qytetit të Shkodrës mban me nderim dhe respekt emrin e babës të saj: Kapiten Gjon Destanisha.

Frani si aktivist bëhet bashkpunëtor i palodhur e i ngushtë i meshtarit të shquar mirditor mons. dr. Zef Oroshit (1912-1989), themeluesit të kishës së parë katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë” (sot Zoja e Shkodrës) në SHBA (New York).

Ai merr pjesë në të gjithë aktivitetet fetare, kulturore dhe patriotike, që meshtari i shquar i komunitetit tonë mons. dr. Oroshi dhe shqiptaro amerikanët e tjerë, organizojnë demostrata të shumta para OKB-së, Shtëpisë së Bardhë, në Washington D.C., kundër diktaturës komuniste në Shqipëri dhe për lirinë e Kosovës nga pushtuesit shumë shekullor sllav serb.

Qysh në fillim ishte antar i redaksisë “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), sot “Jeta Katolike”, që vazhdon të botohet me ngjyra rregullisht si periodik i përkohshëm tre mujor.

Franin si besimtarë  të devotshëm e shohim vazhdimisht në të gjithë aktivitetet patriotike, kulturore dhe fetare, që organizon kisha katolike nën drejtimin e meshtarit të shquar mons. dr. Zef Oroshit dhe gjithnjë kontribuon me bujari edhe financiarisht sa herë që komuniteti ynë shqiptaro amerikanë kishte nevoj.

Pothuajse në çdo aktivitet ashtu dhe për ngritjen e pervitshme të flamurit shqiptar, më 28 nëntor të organizuar nga mons. dr. Zef Oroshi, shumë herë Frani ishte i zgjedhur si drejtues i takimeve përkujtimore historike dhe kulturore.

Një rast tjetër i rëndsishëm ishte demostrata para organizatës së OKB, kundër qeverisë komuniste të Tiranës, e cila kishte pushkatuar meshtarin dom Shtjefen Kurtin pse kishte pagëzuar një fëmijë 1-vjeçar në vitin 1973. Kjo duket edhe në shumë foto historike, që ai i ruante si relike të çmuar në shtëpinë e tij.

Kjo vrasje barbare, u bë shkak që të diskutohet nga kongresistët republikanë edhe në Kongresin Amerikanë.

Kështu në një foto shohim ish drejtorin e radios Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqipe gazetarin Frank Shkrelin sëbashku me aktivistin e palodhur dhe të përkushtuar Fran Sokolin ushtarakun shqiptaro amerikanë.

Ai askohe ishte zgjedhur si arkëtar i Revista Kulturore Jeta Katolike New York (sot Jeta Katolike, 1966). 

Frani dhe Franku janë në podiumin e nderit, duke mbajtur fjalimin e rastit në demonstratën, kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, në protestën e madhe të udhëhequr nga mons. dr. Zef Oroshi, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB, për të protestuar vrasjen barbare të martirit të fesë dhe atdheut dom Shtjefën Kurtit (vetëm pse kishte pagezuar një fëmijë…) nga regjimi komunist shqiptar në vitin e zi 1973.

Në vitin 1982 aktivisti i palodhur Fran Sokoli në Kongresin e Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962) zgjidhet arkëtar i saj.

Frani, dallohet këtu për kontributin e madh me ide dhe mendime pozitive, për mbarëvatjen e Lidhjes në fjalë, duke bashkëpunuar me drejtuesit dhe shumë përsonalitete të shquar të kohës.  

Frani me zemër nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me vendlidjen. Ai ishte i interesuar të takohej me çdo emigrant politik shqiptar, që ishte arratisur nga Shqipëria komuniste dhe i pyeste se mos dinin ndonjë lajm mbi fatin e familjes dhe të afërmve të tjerë të familjes së tij, në Bugjon të Pukës.

Lajme të ithta i vinin Franit nga Shqipëria. Ata i shtonin dhimbjen për të afërmit e tij dhe nga ana e tjetër i shtronin urretjen për rregjimin komunist të Tiranës së kuqe…

Për fat të keq, familja e tij, që kishte mbetur në Shqipëri i ishte nënshtruar me dhunë persekutimit të egër komunist.

Si kudo në Shqipëri edhe në Pukë dhe katundet e saj vala e replezarjeve, arrestimeve, gjyqeve fallco pa avokat mbrojtës ishin bërë rutinë e përditshme.

Kështu vëllai i vogël i Franit, Nika, i cili po kryente shërbimin ushtarak “gjendet” i vdekur …, ndërsa nëna e tij vdes nga torturat…

Asokohe kudo në qytete dhe fshatra bëheshin arrestime dhe pushkatime pa gjyq, në rrugë, male, gropa, shkurre, buzë lumenjve etj., dhe trupat e viktimave antikomunistë hidheshin në ujerat e ftohta apo humnera, për t’u mos u gjetur asnjëherë nga pjesëtarët e familjeve patriote antikomuniste, që po humbisnin njerëzit e tyre më të dashur…

Filed Under: Featured Tagged With: FRAN SOKOLI-Nderime Ushatrake- Klajd Kapinova- tom mrija

ASTRIT DEHARI-Falsifikimi i raportit të ekspertizës zvicerane

November 6, 2019 by dgreca

Falsifikimi i raportit të ekspertizës zvicerane për rastin “Astrit Dehari” në funksion të fshehjes së krimit /

Nga Bardhyl Mahmuti/

Pasi kanë analizuar videoincizimet dhe fotografitë e autopsisë, të bëra  nga mjekët­ ligjorë të Republikës së Kosovës gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit, ekspertët e Njësisë Romande të Mjekësisë Forenzike të Qendrës Universitare Ramande të mjekësisë ligjore në Lozanë të Zvicrës kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e pikave të caktuara të ekspertizës së kryer në Kosovë.

Sa u përket lëndimeve që shihen nga ekzaminimi i jashtëm i trupit të të riut, ekspertët zviceranë kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e 15 diagnozave, që numërohen në 15 pika, të paraqitura në faqet 24-25 të raportit të datës 14 qershor 2019.

Çështja e parë që ekspertët zviceranë shtrojnë për rishikim, ka të bëjë me diagnozën e shenjave që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane, në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë, rreth 4,5cm mbi vetullën e djathtë, të shtrira mbi një sipërfaqe rreth 4cm.

Në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës këtyre shenjave u jepet  diagnoza “lëkurë e dëmtuar” (tekstualisht “lëkurë e dremishur”). Kjo diagnozë hidhet poshtë nga ekspertiza zvicerane, sepse “katër pllakat e kuqërremta që shihen në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari janë pllaka pergamene”.

Për ta bërë më të qartë dallimin thelbësor në interpretimin e këtyre pllakave në ballin e të ndjerit Astrit Dehari, ekspertët zviceranë i kushtojnë një rëndësi të veçantë shpjegimit të nocioneve që përdorin.

Në dallim nga eritema (skuqje), që është një lëndim sipërfaqësor i lëkurës dhe që është e dukshëm për një kohë të shkurtër, “ekimozat (mavijosjet) janë pasoja të veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta  (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”. (Shkrimi me shkronja kapitale është bërë për të tërhequr vëmendjen).

Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Ecchymosis janë pasoja të traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta”.

Nuk do të flasim këtu për nivelin e përkthimit të këtij përkufizimi. Ajo që duhet të theksohet në këtë kontekst ka të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Arsyet e heqjes së kësaj fjalie janë të qarta: të shmanget çdo fjali që mund të lërë të nënkuptohet se lëndimet që ka pasur Astrit Dehari mundur të jenë pasojë e goditjeve me sende të forta.

Kush e hoqi këtë fjali nga ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane? Nëse e ka bërë përkthyesi dhe pretendon të mos e ketë ditur që në gjuhën frënge shprehja “traumatisme contandant” nënkupton tërësinë e veprimeve të dhunshme që shkaktojnë lëndime pa çarje dhe prerje të lëkurës, lëndime që shkaktohen nga goditje me sende të forta dhe jo të mprehta, as ai dhe askush tjetër që ka përfunduar studimet në gjuhën frënge nuk mund të thotë se nuk e di që në gjuhën frënge “coups reçus par un/des objets…” do të thotë “goditje që ka marrë nga një ose më shumë sende…”. Sidomos këtë çështje e di fare mirë Ismail Ismaili, përkthyesi i këtij dokumenti, që deklaroi: “Raporti shkencor duhet të përkthehet pothuajse fjalë për fjalë. Nuk kam guxuar t’i interpretoj thëniet e ekspertëve mjeko-ligjorë”. Në rastin konkret është prerë si me gërshërë “fjalë pas fjale” fjalia që lë të nënkuptohet se Astrit Dehari është goditur.

Manipulimi me përkufizimin e lartpërmendur është vetëm njëra nga goditjet që ka marrë raporti i ekspertizës zvicerane nëpërmjet përkthimit. Do t’i kthehemi kësaj çështjeje edhe një herë, kur të trajtojmë kontekstin e plotë të kësaj fjalie në ekspertizën që bëjnë zviceranët. Atëherë do të shihet edhe më qartë qëllimi i vërtetë pse janë hequr disa fjali.

Çështja e dytë që sqarojnë ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë është termi “pllaka pergamene”. Pllakat pergamene përkufizohen si “pllaka që formohen si pasojë e tharjes së lëkurës që ndodh pas vdekjes, në zonat e dëmtuara të epidermës nga veprime të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta  (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale, me një forcë që ushtron shtypje të shoqëruar me një lëvizje fërkuese”.

Në përkthimin shqip të ekspertizës, ky përkufizim është përkthyer në këtë mënyrë: “Pllakat pergamene janë pasojë e tharjes past-mortum të lëkurës, në shikim të zonave të pastrimit të epidermës pas traumave të hapura (përplasje e trupit kundër një apo shumë objekteve shtypëse, presione lokale të forta) me një përbërës tangjencial”.

Përsëri nuk do të trajtoj “nivelin shkencor të përkthimit fjalë për fjalë”. Edhe në këtë kontekst kemi të bëjë faktin se në përkthim është hequr fjali që saktëson se këto lëndime mund të shkaktohen edhe nga “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta”.

Ai që ka hequr këtë fjali nga përkthimi mund të mos e ketë ditur se në gjuhën frënge shprehja “une composante tangentielle” do të thotë “një forcë që ushtron shtypje që shoqëruar me një lëvizje fërkuese”, mirëpo një gjë duhet të dihet: sado që të mundohen ta “fërkojnë fjalinë”, “goditjet e marra nga një ose më shumë sende të forta” në rastin “Astrit Dehari” nuk hiqen vetvetiu. Ato janë hequr qëllimisht nga teksti i ekspertizës zvicerane.

Diagnoza e lëndimeve të konstatuara në pjesën e sipërme, të mesme dhe paramediane në anën e djathtë të ballit, në pjesën e mbuluar me flokë tek Astrit Dehari si “pllaka pergamene” është tepër domethënëse. Pllakat pergamene nuk janë shenja lëndimesh sipërfaqësore të lëkurës, por pamja që merr lëkura disa orë pas vdekjes në vendet ku janë shkaktuar   lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta. Prandaj, gjatë  autopsisë duhet të bëhen prerje të thella në muskuj, për të nxjerrë në pah ekimozat ndër-lëkurore apo ndër-muskulore, të cilat mund të mos shfaqen në kohën kur bëhet ekzaminimi.

Përveç lëndimeve në ballë të Astrit Deharit, në raportin e autopsisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës edhe lëndimeve që shihen në pjesën anësore të qafës, në anën e djathtë dhe ato të pjesës së poshtme nga ana e brendshme e parakrahut të majtë u jepet diagnoza “lëkurë e dëmtuar”. Ekspertiza mjeko-ligjore zvicerane hedh poshtë diagnozat e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës, sepse lëndimet, në qafë dhe parakrah të Astrit Deharit, nuk janë lëndime sipërfaqësore, por pllaka pergamene, që shprehin lëndime të brendshme të indeve ose të organeve nga goditja me sende të forta.

Ekspertët mjeko-ligjorë zviceranë përmendin mendimin e mjekëve ligjorë të Kosovës, sipas të cilëve “lëndimet që gjenden në anën e djathtë të pjesës anësore të qafës (latero-cervical), në pjesën e sipërme ballore (frontalo-superiore) dhe në anën e brendshme të parakrahut të majtë, mund të jenë shkaktuar gjatë bartjes së trupit, gjatë ecurisë mjekësore për ta kthyer në jetë ose nga ‘tkurrja e menjëhershme muskulore’ që e shoqërojnë në pengimin e rrugëve të frymëmarrjes gjatë kontaktit me një objekt të ‘skenës së krimit”.

Ekspertët zviceranë nuk pajtohen me këtë interpretim. Sipas vëzhgimeve të tyre, “numri i madh i pllakave pergamene në pjesën e djathtë anësore të qafës (lateralo-cervikal), globalisht mund të ndahen në dy gupe. Grupi i parë përbëhet nga pllakat pergamene lineare, të pjerrëta nga lart-poshtë dhe përpara trupit, kryesisht paralele ndërmjet tyre, të vendosura në të njëjtin aks me plagët sipërfaqësore në të njëjtin vend. Megjithatë, ato janë shkaktuar nga veprime të dhunshme me mjete të forta dhe jo të mprehta. Grupi i dytë përbëhet nga pllakat pergamene me madhësi dhe forma të ndryshme; disa në formë harku dhe, në përgjithësi, formojnë një hark rrethor të rrumbullakët në pjesë e përparme. Sipas mendimit tonë, nuk ka mekanizëm bindës, që do të shpjegonte se si është e mundur që këto plaka pergamene të jenë shfaqur gjatë bartjes së trupit, gjatë përpjekjeve për ta kthyer në jetë ose gjatë tkurrjes muskulore të menjëhershme. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me zona, ku bëhen kapjet gjatë bartjes (në rastin e transportit); nuk kemi të bëjmë me zona ku bëhen ndërhyrjet mjekësore në rastet urgjente (në rastin e përpjekjeve për ta kthyer në jetë) dhe as zona të skajshme të trupit, si: hunda, veshi, molla e Adamit, bërryli, të cilat do të ishin përplasur me pengesa në rastin e bartjes ose shtangimit muskulor…Edhe pse teorikisht ato mund të shkaktoheshin nga bartja e trupit, nga veprimet për ta kthyer në jetë ose nga tkurrja muskulore, as pamjet e lëndimeve, as vendi ku gjenden këto lëndime nuk pasqyron, në radhë të parë, lëndime të shkaktuar nga njëri prej këtyre tre mekanizmave.

Tri ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në anën e brendshme të parakrahut të djathtë, për nga vendi dhe forma e tyre mund të paraqesin lëndime të shkaktuara nga një kapje me dorë. Ato mund të kenë qenë të shkaktuara gjatë transportit të trupit ose përpjekjeve mjekësore për ta kthyer në jetë, ashtu siç janë të paraqitura nga mjekët ligjorë. Megjithatë, një kapje me dorë e llojit kur dikush mbahet me zor, nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Në vazhdim të vënies në pah të pasaktësive që përmban autopsia që ka bërë ekipi mjeko-ligjor i Kosovës lidhur me lëndimet që shihen në ekzaminimin e jashtëm, ekspertët zviceranë  përmendim lëndimin në këndin e nofullës së poshtme, në pjesën e përparme të anës së djathtë të saj. Ky lëndim nuk përmendet fare në autopsinë e ekipit mjeko-ligjor të Kosovës.

Kur bëhet fjalë për lëndimet në nofullën e poshtme, ekipi mjeko-ligjor i Kosovës në pikën 4 të raportit të autopsisë të datës 7 nëntor 2016 kufizohet vetëm në lëndimin që shihet “në    këndin e nofullës së poshtme, në anën e djathtë të saj, rreth 4cm nga cepi i poshtëm i laprës së veshit” dhe i jep diagnozën “skuqje (eritemë) në formë vezake, me ngjyre rozë me përmasa rreth 10x9mm. Skuqje të ngjashme ndodhen edhe në faqen e jashtme të poshtme të parakrahut të dorës së djathtë (3 në numër) pranë njëra-tjetrës, me përmasa nga 5x5mm deri 12x8mm, si dhe në faqen e jashtme të shuplakës së dorës së djathtë, në nivel të rrënjës së gishtit të tretë; me përmasa rreth 12x10mm”.

Sipas ekspertëve zviceranë, këtu nuk kemi të bëjmë me “skuqje (eritemë)”, por me mavijosje (ekimozë).

“Ekimozat (mavijosjet) që ndodhen në këndit e nofullës së poshtë në anën e djathtë dhe në pjesën e përparme të nofullës së poshtme në anën e djathtë, mund të jenë shkaktuar edhe gjatë veprimeve për ta kthyer në jetë (të llojit “headtilt/chin lift” ose “jawthrust), por nuk janë karakteristikë e lëndimeve që lidhen me bartjen apo transportin e trupit. Nga ana tjetër, këto ekimoza (mavijosje) vërehen në vendet karakteristike për lëndimet që janë shkaktuar gjatë kapjeve në qafë, të llojit ‘çelësi i krahut’ (“clé de bras” në gjuhën frënge), ose formave të tjera të dhunës në qafë. Për shkak të këtij fakti, një mekanizëm i tillë i lëndimit nuk mund të përjashtohet dhe duhet të përmendet”.

Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohen arsyet e vërteta pse u falsifikua përkufizimi i ekspertëve mjeko-ligjorë të Zvicrës për “ekimozën, si pasojë e veprimeve të dhunshme, që shkaktohen nga goditje me sende të forta  (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.

E njëjta mënyrë e heqjes së fjalive u përdor edhe në disa pjesë të tekstit të raportit të  ekspertizës zvicerane.

Kështu, në pjesën ku flitet për lëndime që shihen edhe nga ekzaminimi i jashtëm, ekspertiza zvicerane numëron 4 lëndime, të cilat nuk janë të përshkruara në raportin e autopsisë të bërë në Kosovë.

Si lëndim të parë ekspertët zviceranë përmendin “NJË EKIMOZË ME NGJYRË TË KUQE NË KAFE, NË FORMË VEZAKE, NË SKAJIN E PJESËS SË PËRPARME (ANTERO-INFERIORE) TË NOFULLËS SË POSHTME”.

FJALIA ËSHTË FSHIRË E GJITHA!

Nga pretendimi i përkthyesit se ka bërë përkthim “shkencor fjalë për fjalë” të raportit zviceran, dikush ka përdorur metodën “shkencore të prerjes fjalë pas fjale” të fjalisë në tërësi, me qëllim që hiqet edhe nga raporti i ekspertizës zvicerane ajo që nuk ekziston në raportin e autopsisë së Kosovës. Ky falsifikim është bërë me të vetmin qëllim që të fshihet diagnoza se kemi të bëjmë edhe me një ekimozë shtesë, “që shkaktohet nga goditje me sende të forta  (përplasje e trupit me një apo shumë sende të forta, GODITJE TË MARRA NGA NJË OSE MË SHUMË SENDE TË FORTA, ndrydhje të forta lokale”.

VIJON

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti-Falsifikimi i ekspertizes-Astrit dehari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT