Nga Vilson Haxhiraj /
Viti 2020,që po afron, shënon përvjetorin e 100 të Kongresit të Lushnjës, të Luftës së Vlorës dhe të pranimit të Shqipërisë, në organizatën ndërkombëtare, të Lidhjes së Kombeve.Në Lushnje dhe në Vlorë, pushteti vendor ka deklaruar publikisht ambicjen, për të kërkuar nga qeveria, dekretimin “Festë Zyrtare” të 21 Janarit , përvjetorit të Kongresit të Lushnjes dhe 3 Shtatorit, përvjetorit të Luftës së Vlorës. Për here të parë pas 29 vitesh, kërkohet rivlerësim për ngjarjet historike, dëshmi e një hopi cilësor, në mendësinë e shoqërisë shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës ,lindën si alarm kombëtar ndaj rrezikut të coptimit të Shqiperisë, ne Konferencën e Paqes në Paris, sipas vendimeve të Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915. Vendi ishte pranë ç’bërjes si realitet politik. Fitimtarët e mëdhenj të Luftës, ishin kundër tij. Të vegjël, të varfër dhe të vetëm,kundër të gjithë botës! Kjo ishte sfida që duhej përballuar nga shqiptarët, për të siguruar egzistencën e shtetit të tyre!.Është e famshme shprehja e Marksit,”Komunarët e Parisit sulmuan qiellin”,si tregues dhe vlerësim i një akti heroik ekstrem. Por shqiptarët e kaluan këtë cak .Pas fitores të Luftës së Vlorës ,që pati shumë jehonë në botë, gazeta “ DIELLI” do të shkruante: “Kongresistët e Lushnjes dhe luftëtarët e Vlorës, sulmuan vetë Zotin dhe fituan.” Me nota të larta ishte vlerësimi edhe nga shtypi ndërkombëtar. Në analizën e situatës ndërkombëtare të vitit 1920, sukseset befasuese të shtetit të ri shqiptar, do të konsideroheshin, “e pabesueshmja”, “çudia shqiptare” dhe “ mrekullia shqiptare”. Kontributi i Kongresit të Lushnjes në dobi të atdheut, është i gjithëpranuar.Ai dhe strukturat shtetërore të dala prej tij, vazhduan dhe mbyllën me sukses, punën e nisur nga Kuvendi i Vlorës dhe qeveria e Ismail Qemalit, krijuan shtetin shqiptar, brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve ne Londër ,ne vitin 1913 dhe arritën njohjen ndërkombëtare.Të gjitha këto , në harkun kohor të 22 muajve. Në 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, duke shënuar një preçedent unik, si i vetmi vend,që pranohej në këtë organizëm, pa u njohur më pare ndërkombëtarisht, qoftë dhe nga një shtet tjetër. Ishte fitorja e Luftës së Vlorës dhe nota e qeverisë amerikane, e 6 Marsit, drejtuar Konferencës së Paqes, faktorët madhorë, që mundësuan këtë sukses! Ky pranim, i hapi vendit rrugën e njohjes ndërkombëtare. Më 9 Nëntor 1921, qeveria britanike, njoftonte k/ministrin Pandeli Evangjeli, se “nga ky cast, njeh qeverinë aktuale të Shqipërisë, de jure dhe de facto, qeveri e të gjithë Shqiperisë.” Dy ditë më pas ,erdhi njohja nga qeveria franceze dhe italiane .Në fushën e organizimit shtetëror, Kongresi i Lushnjes i dha vendit, të parin Akt Kushtetues, hartuar nga shqiptarët, modelin bashkëkohor të kontrollit dhe balancës së pushteteve, të parat zgjedhje parlamentare pluraliste dhe nje plejadë deputetësh me shumë klas, që dhe sot, mbeten etalon i figurës së parlamentarit, atdhetar dhe intelektual. Por Kongresi i Lushnjes, ishte një ndër fakorët e mëdhenj të fitores, ai i aksionit të madh politik, dipllomatik dhe administrativ. Faktori i dytë vendimtar ,ishte Lufta e Vlorës, që përfaqëson aksionin e madh luftarak të shqiptarëve. Fitorja e saj, mundësoi bashkimin e krahinave të Vlorës, Tepelenës dhe Himarës, me pjesën tjeter të vendit, duke e bërë suksesin të plotë. Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes, përfaqësojnë një unitet organik, të pandarë. Pa mbështetjen e gjithanëshme të qeverisë së Kongresit, fitorja e Luftës së Vlorës, nuk do të ishte e sigurt. Pa Luftën e Vlorës, arritjet e Kongresit do të ishin jo të plota,të brishta dhe të cënueshme. Si çdo ngjarje e madhe, Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes, kanë patur vëmendjen e studjuesve, që vazhdon edhe sot. Por vulën e madhështisë, mbështetur në kritere shkencore, këtyre dy ngjarjeve ia dhanë studimet e Akademikëve të shquar, Profesorët Aleks Buda ,Kristo Frashëri, Muin Çami ,Marenglen Verli, Arben Puto. Ky i fundit konsideron, “si Kongresi i Lushnjes , ashtu dhe Lufta e Vlorës, për nga rëndësia, jane të barabartë, me Aktin e Shpalljes së Pavarësise, në nëntor 1912”.
Mitat Frashëri ka shkruar: ” Vlerësimi i ngjarjeve të mëdha dhe heronjve të tyre, nuk është vetëm cilësi që ushqen virtytin, por edhe detyrim madhor i shoqërisë dhe i shtetit ndaj tyre”.Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës , kanë qenë Festa Kombëtare, deri në vitin 1939. Me vendosjen e sistemit komunist, ato nuk u rivlerësuan më si të tilla. Shteti komunist, nisur nga kritere klasore ,vrau dhe persekutoj jo pak prej drejtuesve të këtyre ngjarjeve. Të tjerët i dënoj, me harresë të qëllimshme. Figura kryesore e Luftes së Vlorës, u bë Selam Musaj, komandant çete dhe luftëtar i shquar, por larg parametrave dhe kontributeve të anëtarve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe komandantëve ushtarakë të Luftës.Ky veprim ,përbën rast tipik të deformimit të historisë, që nuk do të ishte i vetmi. Por “t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit ”.Regjimi i shkuar, në funksion të qëllimeve të tij, i vlerësoj me respekt dhe nderim, ngjarjet e mëdha historike ,mes tyre Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Ato festoheshin çdo 10 vjet nga qeveria, me madhështinë që i takon ngjarjeve të mëdha dhe për çdo vit, nga pushteti vendor. Është fakt, që gadi i gjithë fondi i monumenteve dhe memorialeve të ngjarjeve të mëdha historike, eshtë krijuar në ato vite. 30 vite më pas, kemi një tabllo të kundërt: Rivlerësim të merituar, të pesonaliteteve të Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës, shoqëruar paradoksalisht, me harresën ekstreme të vetë ngjarjeve. Është koha për krijimin e kuadrit ligjor, që përcakton mënyrën e festimit të ngjarjeve historike, me dinjitetin e duhur ,që shmang, voluntarizmin, indiferencën, nënvlerësimin dhe harresën. Ky veprim nuk duhet konsideruar gjest kortezie ,por detyrim madhor ndaj tyre, sepse ngjarjet e mësdha historike,kanë formuar identitetin tone kombëtar,janë element thelbësor i krenarisë kombëtare dhe referenca më e mire,për edukimin atdhetar të shtetasve. Jemi në prag të një çasti madhor, të papërsëritshëm! Ështe 100 vjetori, i kurorëzimit të Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës ,me një fitore historike ,vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rracës shqiptare! Pa Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës, do ishim kthyer në kurdët e Eurpës, pa atdhe ,pa shtet, pakica nacionale të shteteve fqinjë, nën trysni të egër shtetërore, për asimilim dhe ç’kombëtarizim.Të kujtojmë genocidin serb, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Malit të Zi, vrasjet dhe persekutimin e dhjetra mijëra njerëzve, deportimin e dhunshëm në Turqi, të qindra mijëra të tjerëve. Ky fat, do të ndiqte edhe popullsinë shqiptare të Çamërisë, në Greqi. Pas nënshkrimit të marrëveshjes turko greke te Lozanës, për këmbimin e popullsive, në vitin 1923, dhjetra mijëra çame u konsideruan arbitrarisht turq dhe u deportuan forcërisht në Turqi, ndërsa pronat e tyre, ju dhanë homogjenëve greke, qe vinin nga Turqia. Edhe më i rrezikshëm ishte projekti Italian, për vendosjen në Shqipëri të disa milionë kolonëve. Zbatimi i tij ,do të ishte ç’kombëtarizim i popullsisë se pakët shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, e shpëtuan Shqipërinë nga kjo katastrofë kombëtare. Falë tyre, kemi atdheun dhe shtetin tone, kemi identitetin e të qenit shqiptarë.
Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, mbyllën me sukses dhe përfundimisht, kapitullin dramatik të shtetformimit dhe hapën kapitullin e ri, të ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Ato, janë ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e këtyre 100 viteve!
Jubiletë e ngjarjeve të medha, japin mundësi për reflektim, për ndreqjen e gabimeve përmes rivlerësimit. Vendimmarrësit shtetërorë, që e kanë këtë tagër, duhet të konsiderojnë seriozisht dekretimin “Festë Zyrtare”, të 21 Janarit dhe 3 Shtatorit .Nga shoqërisë civile ,që ka meritën e madhe të rivlerësimit të individëve të shquar, të lënë në harresë, pritet kontribut i vecantë, për arritjen e këtij objektivi, ç’ka do të përbënte sukses kombëtar.