• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri kusht për integrimin e Shqipërisë

October 12, 2020 by dgreca

Flet për gazetën”DIELLI” Gledis Gjipali: Zgjedhjet e vitit 2021 në Shqipëri kusht për integrimin, reformat e qeverisë duhet të bindin Holandën dhe Gjermaninë-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Ndezja e dritës jeshile, për fillimin e bisedimeve mes Brukselit dhe Shqipërisë për integrimin, është vetëm një hap i vogël drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Qeverisë shqiptare i duhet të përmbushë detyra thelbësore, si plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe  SPAK-ut, pjesë integrale të pandashme të paketës për reformën në drejtësi. Janë një sërë reformash të tjera rreth 15 kushte, por Shqipëria të paktën të realizojë disa nga ato që kanë më shumë prioritet për finalizimin e bisedimeve, dhe më pas të tjerat të vijojnë të përmbushen pas procesit të integrimit. Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, thekson se zgjedhjet parlamentare të 2021 do të jenë vendimtare për ecurinë e zhvillimit të negociatave për integrimin mes Brukselit dhe Shqipërisë. Gjipali i bën thirrje qeverisë që të punojë fort për reformat, në mënyrë që të bindë vendet anëtare të Këshillit të Ministrave të BE, sidomos Holandën dhe Gjermaninë, dy vendet më skeptike, që të japin mbështetjen për Shqipërinë. Gjipali thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në një pozitë sa i takon përparimit në procesin e integrimit, dhe se nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra. Sipas tij, nëse Maqedonia do të integrohej para Shqipërisë, do të sillte destabilitet në rajon dhe humbje  të besueshmërisë të Shqipërisë ndaj BE-së.

-Z.Gjipali, ju e keni ndjekur më nga afër ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Brukseli ndezi dritën jeshile për Shqipërinë këtë vit, për hapjen e negociatave, per integrimin në BE. Si e parashikoni në vijimësi zhvillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Brukselit për integrimin, dhe sa afër është vendi ynë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në familjen e madhe europiane?

Miratimi i hapjes së negociatave, në mars të këtij viti, ishte një ngjarje shume e rëndësishme për Shqipërinë, pasi është një përkrahje për reformat që vendi po ndërmerr, të cilat kanë një kosto jo të vogël. Raporti i Komisionit Europian i sapo dalë, vlerëson ecurinë e reformave dhe i sugjeron vendeve të Bashkimit Europian që të nisin negociatat. Po të hedhim një vështrim krahasimor në këtë raport, shohim që Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut dallon nga vendet e tjera për ecurinë pozitive gjatë këtij viti. Klasa politike e Shqipërisë do duhet ta shfrytëzoje sa më mirë këtë vlerësim dhe të punojë për të fituar kohën e humbur në këtë proces. Me çeljen e negociatave, Shqipëria i bashkohet grupit të vendeve më të avancuara, siç janë Mali i Zi dhe Serbia, që ndonëse e kanë filluar shumë më vone procesin e integrimit, kane arritur të dalin të parët deri më sot. Nëse kalojmë me sukses testin e zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, atëherë besoj se mund të kemi një ecuri pozitive në vitet e ardhshme.

-Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian ka vendimin përfundimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Duhet theksuar se Holanda dhe Gjermania mbeten të jenë dy vendet më skeptike ndaj vendit tonë, sa i takon përmbushjes së detyrave të shtëpisë nga Shqipëria për procesin e integrimit. Sa do të jetë në gjendje qeveria shqiptare të bindë këto dy shtete, që të hapin përfundimisht dritën “jeshile” për anëtarësimin në BE?

Kërkohet një pune intensive për përmirësimin e imazhit të vendit sidomos në këto vende, por në gjithë Europën gjithashtu. Shqipëria s’mund të ndahet nga Maqedonia, kur dhe vetë Komisioni Europian dy vendet i vlerëson njësoj pozitivisht. Kjo do të shkaktonte tensione në rajon por dhe do të ulte besueshmërinë e Bashkimit Europian veçanërisht në sytë e faktorit shqiptar, i cili është edhe më pro europian në rajon. 

-Për Shqipërinë pati një lajm të mirë, por që ende ka shumë punë për përmbushjen e reformave, ndërsa për Kosovën lajmi i keq ishte mos liberalizimi i vizave. Si e vlerësoni qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës?

Padrejtësisë së mos liberalizimit të vizave të Kosovës, e cila i ka përmbushur kushtet sipas vetë Komisionit Europian, do t’i shtohej dhe diferencimi i Shqipërisë i pabazuar në kritere të drejta e të barabarta për të gjithë. Gjithsesi, Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave dhe zbatimit të tyre, sepse në radhë të parë këto reforma janë në të mirën e zhvillimit e ngritjes së shoqërisë sonë, përpara se të jenë kushte për hyrjen në Bashkimin Europian. 

-Mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington, u arrit marrëveshja ekonomike mes dy vendeve. Në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia. Si mund të shkohet në një marrëveshje të tillë kur Serbia nuk e njeh Kosoven si shtet?

E shoh si një marrëveshje fillestare për të krijuar besim, e ndërtuar për interes ekonomik për të dy vendet. Hap pas hapi do të shihet nëse Serbia në radhë të parë, por edhe Kosova, janë të interesuara për të zgjidhur këtë konflikt midis tyre, apo synojnë ta përdorin për politikë të brendshme. Mendoj se do duket shumë shpejt nëse do ketë zbatim të saj, gjë që do  hapte rrugë për të arritur dhe kompromise politike në të ardhmen, apo do ngelet në kuadrin e retorikës politike. Në ketë rast, Kosova do duhet më pas të zgjedhë një strategji tjetër në marrëdhëniet me Serbinë.

-Si e shihni ngritjen e Gjykates Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtaret e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?

Mendoj se gjykatat e ndryshme që janë krijuar mbi krimet e luftës, nuk kanë treguar anësi që të vërë në dyshim vendimmarrjen e tyre. Po ashtu, besoj se transparenca që këto gjykata tregojnë do bëjnë të mundur që të gjithë ne të krijomë një opinion të qartë mbi akuzat dhe vendimet. Fakti që një sërë krimesh të ndodhura mbas luftës nuk janë zbardhur nga drejtësia kosovare, tregon se ka nevojë për një gjykatë ndërkombëtare. Shpresoj që kjo eksperiencë të nxisë më shumë gjithë institucionet e shoqërinë në Kosovë, për të ngritur e forcuar sistemin e tyre të drejtësisë, si në aspektin e profesionalizmit ashtu dhe në atë të pavarësisë.

-Të ndalemi pak te situata në Malin e Zi. Mali i Zi sapo përfundoi zgjedhjet parlamentare, ku Partia Socialdemokrate e presidentit Milo Gjukanoviç humbi. Ishin partitë opozitare serbe që u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Si e shihni situatën politike në Mal të Zi, sidomos në planin e jashtëm?

Situata politike në Malin e Zi, në vitet e fundit, ka pasur zhvillime të rëndësishme sidomos me hyrjen në NATO, e cila ka sjellë tensione e luhatje të vazhdueshme në stabilitetin politik për të cilin është shquar ky vend. E rëndësishme ngelet që, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, orientimi euroatlantik mos të pësojë ndryshime, dhe këtu një rol të rëndësishëm duhet të vazhdojë të luajë dhe faktori shqiptar. Sido që të dalë rezultati i zgjedhjeve apo krijimi i qeverisë së re, deputetët shqiptarë nuk duhet të vënë në diskutim drejtimin euroatlantik të vendit. Vetëm në këtë mënyrë, ata mund të garantojnë të drejtat e tyre që ende nuk janë arritur mjaftueshëm, si dhe të ndikojnë pozitivisht në ekuilibrin dhe stabilitetin rajonal. 

-Si e vlerësoni  deklaratën e kryeministri grek Mitsotakis, se Greqia do të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon. A keni nje koment?

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2009 është i plotë dhe i qartë se si mund të zgjidhet çështja e detit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në të janë përcaktuar qartë kriteret të mbështetura mbi të drejtën ndërkombëtare, që çdo grup negociator shqiptar do duhet të ndjekë për çdo marrëveshje të ardhshme. Nuk mendoj se ka ndonjë marrëveshje të fshehtë me Greqinë, sepse nuk mund të ketë një të tillë  përderisa grupi negociator, që është i vetmi përfaqësues ligjor që mund të zhvillojë këto negociata, nuk është mbledhur dhe as ka diskutuar që prej 2-3 vitesh këtë çështje. Po ashtu, çdo marrëveshje e arritur do duhet të miratohet në Kuvend e të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë fuqi. Nisur dhe nga eksperienca negative që patëm si vend me marrëveshjen 2009, çdo qeveri që hyn në negociata të tilla do të jetë shumë e kujdesshme për të mos përsëritur gabime të tilla me pasoja për vendin.

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, Gledis Gjipali

SHQIPTARËT NË KANADA DHE BETEJA E SHTETIT KANADEZ NDAJ COVID-19

October 12, 2020 by dgreca

Visar Berisha, Farmacist në Silver Fox Pharmacy, Ontario, Kanada  rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Kanadasë nga Covid-19, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave. Me Visar Berisha bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË KANADA DHE MASAT E AUTORITETEVE. 

Kanadaja është një vend federal i përbërë nga 10 provinca dhe 3 territore. Ka 3 nivele të qeverisjes (nivel federal, provincial/krahinor dhe nivel komunal) ku secili nivel qeverisës ka përgjegjësite e veta. Në përgjithësi mund të them se ka pasur një koordinim të mirë midis niveleve të ndryshme të qeverisjes në menaxhimin e situatës me Covid-19. Qeveria federale ka ndërmarrë hapa për të siguruar që sistemi shëndetësor ka mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur rritjes së rasteve, ka siguruar mbështetje ekonomike dhe financiare për bizneset dhe njerëzit dhe ka për detyrë të menaxhojë kufinjtë. Që nga Janari 2020 e deri sot (10 Tetor 2020) në Kanada ka pasur 173,604 raste dhe 9,574 vdekje si pasojë e Covid-19.  Nga këto shifra, 81,914 raste dhe 5,906 vdekje janë nga provinca e Quebec-it.  Quebec-i është provinca më e prekur në Kanada nga Covid-19. Në provincen ku jetoj unë (Ontario), qeveria provinciale ka ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar që rastet të mbahen të ulëta dhe sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet. Disa nga këto masa kërkojnë që njerëzit të mbajnë maska të fytyrës ​​në vende ku distancimi nuk është i mundur. Është kufizuar numri i njerëzve në restorante dhe ka patur fushata ndërgjegjësimi se si të veprojmë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. Së fundmi, shkollat ​janë rihapur për studentët me protokolle të rrepta, për të zvogëluar gjasat e shpërthimit të rasteve. Prindërit kanë mundësinë ti mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe janë krijuar mundësi që shkollimi të ofrohet mes internetit dhe disa prindër e kanë zgjedhur këtë mundësi. Duhet thënë që jo gjithçka ka shkuar normalisht. Pas 3 muajsh me numër të rastëve relativisht të ulët, ne po fillojmë të shohim një rritje të rasteve në Ontario të ngjashme me ato në mes të Prillit 2020. Qeveria e Ontarios tashmë po flet për rikthimin e disa prej kufizimeve që patëm gjatë muajve Mars,Prill dhe Maj, nëse numri i rastëve vazhdon të rritet.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Sa i përket shëndetit mendor, përveç distancimit social, situata e krijuar nga Covid-19 mund të shkaktojë frikë dhe shqetësim për shëndetin tonë apo shëndetin e të dashurve tanë. Njerëzit gjithashtu shqetësohen për gjendjen e tyre ekonomike pasi shumë njerëz kanë humbur vendet e punës. Këto frikëra dhe shqetësime ndikojnë në cilësinë e gjumit, mënyrën e ushqyerjes, përkeqësimin e problemeve shëndetësore kronike dhe në ngritjen e përdorimit të alkoolit, duhanit apo substancave të tjera. Në një sondazh të kryer nga Centre for Addiction and Mental Health shihet se kishte një rritje të ndjeshme të ankthit gjatë muajit  Maj (kur numri i rasteve ishte akoma i lartë) krahasuar me muajt vijues. Disa nga këto frikëra dhe reagime burojnë nga kuptimi i vërtetë i rreziqeve, por shumë nga këto reagime ushqehen gjithashtu nga thashethemet dhe dezinformatat. Për këtë arsye rekomandohet që të qëndroni të informuar por shmangni ekspozimin e tepruar ndaj mbulimit mediatik të COVID-19. Kur keni nevojë për informata të sakta, vizitoni faqet e besuara si për shembull faqet e autoriteteve lokale të shëndetit. Për shqipfolësit, kemi krijuar një platformë (www.heda.al) inovative që ka si mision shpërndarjen e informacioneve të sigurta me qëllim promovimin e shëndetit të mirë e të sigurtë për të gjithë. Nëse ju apo një i dashuri juaj ka vështirësi me shëndetin mendor, Centre for Disease Control (CDC) ka përpiluar një listë të burimeve (https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/daily-life-coping/managing-stress-anxiety.html) të cilat njerëzit mund të kenë qasje për të kërkuar ndihmë. Sa i përket ndikimit të Covid-19 në martesë, nuk ka studime të mirëfillta që tregojnë rritje të divorceve gjatë Covid-19. Megjithatë, ka pasur raporte të rasteve të divorcit si rezultat i Covid-19. Arsyeja themelore e këtyre divorceve ka qenë prezenca e dallimeve të mëdha midis të përfshirëve edhe para Covid-19 dhe se izolimi ka nxjerrë këto dallime në sipërfaqe. Çiftet që nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin këto dallime kanë arritur në përfundimin se divorci është e vetmja rrugë përpara.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË KANADA

Komuniteti shqiptar në Kanada është ndikuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë si Kanadezët e tjerë. Disa sfida unike që i përkasin komunitetit tone është se njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera shqiptare për shkak të masave kufizuese për udhëtim. Përveç kësaj, ngjarjet e komunitetit që mbahen zakonisht gjatë vitit natyrisht që janë anulluar.  

A KA VALË TË DYTË COVID? SA TË RREZIKUAR JEMI BASHKË ME GRIPIN E STINËS?

Shumë epidemiologë pajtohen se do të kemi rritje të rasteve të Covid-19. Sipas të dhënave të fundit në Ontario, ku tani kemi mbi 700 raste në ditë, mund të argumentohet se vala e dytë vetëm ka filluar.  Parashikimet sugjerojnë që Ontario mund të ketë rreth 1,000 raste në ditë në gjysmën e parë të Tetorit. Këto shifra janë të ngjashme me shifrat e valës së parë. Rritja në raste mund të shpjegohet nga faktorë të shumtë. Së pari, ka një lodhje nga izolimi midis të rinjve që nuk u përmbahen rekomandimeve nga agjencitë lokale të shëndetit publik. Në Ontario, njerëzit e moshave midis 20-39 vjeç paraqesin rritjen më të madhe në rastet e Covid-19 kohëve të fundit. Përveç kësaj, të rinjtë besojnë se për shkak se nuk kanë sëmundje kronike nuk do të ndikohen negativisht nga Covid-19. Problemi është se këta njerëz ndihmojnë në përhapjen e virusit që mund të prekë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike ku dihet se pasojat janë tepër të rënda. Faktorë të tjerë për rritje të rasteve kohët e fundit është se disa nga kufizimet nga vala e pare janë relaksuar. Megjithatë, Covid-19 vazhdon të jetë i rrezikshëm dhe për  këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të parandaluar përhapjen e Covid-19, masa  si larja e duarve, mbajtja e distances nga njerëzit e tjerë, mbajtja e maskave të fytyrës në vende publike etj. Gripi i stinës  komplikon gjërat pasi disa nga simptomat e gripit sezonal janë të ngjashme me ato të Covid-19 dhe shkaktojnë panik tek ata që shfaqin simptoma të tilla. Mënyra më efektive për të parandaluar gripin sezonal është marrja e vaksinës kundër gripit. Kur vaksinoheni, ju zvogëloni rrezikun që të sëmureni me grip dhe ndoshta të  shtroheni në spital ose të vdisni nga gripi. Këtë sezon, marrja e një vaksine gripi ka përfitimin e shtuar të zvogëlimit të barrës së përgjithshme në sistemin shëndetësor dhe kursimit të burimeve mjekësore për kujdesin e pacientëve COVID-19. Aktiviteti i gripit fillon të rritet në muajt Tetor dhe Nëntor, arrin kulmin midis Dhjetorit dhe Shkurtit dhe mund të zgjasë deri në Maj. Pas vaksinimit, duhen mesatarisht 2 javë që trupi të krijojë imunitet (antitrupa specifikë) kundër infeksionit. Gjatë kësaj periudhe, vaksina e gripit nuk siguron mbrojtje ndaj virusit. Prandaj rekomandohet që vaksinimi të kryhet pak më parë se virusi i gripit të përhapet. Muajt ideal për tu vaksinuar janë Tetor – Nëntor, por vaksinimi mund të kryhet edhe më vonë. Për më shumë detaje rreth vaksinimit të gripit, kemi një artikull në faqen Heda ku lexuesit e Diellit mund të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth gripit sezonal dhe vaksinimit për mbrojtje nga gripi.  

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për lexuesit e Diellit dhe Diasporën shqiptare është që të vazhdojnë ti përmbahen udhëzimeve të agjencive të shëndetit publik në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e Covid-19. Gjithashtu, unë do t’i rekomandoja njerëzit që të marrin vaksinen e gripit sezonal për arsyet që përmenda më lart.  Së fundmi, situata e krijuar nga Covid-19 ka shkaktuar shumë stres për shumë njerëz. Me këtë në mendje, ju lutem bëni kohë të kujdeseni për veten dhe ata përreth  jush. Gjeni kohë për të bërë ato gjëra që gjithmonë ju pëlqejnë t’i bëni. Kushtojini vëmendje llojeve të ushqimit që hani dhe përpiquni për të përfshirë ushqime të shëndetshme në dietën tuaj. Nëse keni vështirësi, kontaktoni ata që u besoni dhe kërkoni ndihmë dhe mos vuani vetëm.  Ju falendëroj përzemërsisht për vëmendjen tuaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kanada, Sokol Paja, Visar berisha

“Baby Albania” nuk ndezi

October 12, 2020 by dgreca

Liga D. Në grupin e katërt, katër skuadra me katër pike-

Përgatiti:Albano Kolonjari-Kuqezinjtrë nuk arritën më shumë se barazimi 0-0 në Kazakistan. Gjatë 90-të minutave të lojës u pa një Shqipëri pa grintë, që vuajti shumë mugesat e lojtarëve titullarë, por edhe të një lideri në fushën e lojës.  Shqipëria zbriti në fushën e blertë të stadiumit “Almaty Ortalyk” të Kazakistanit me shumë ndryshime. Broja, Kallaku dhe Kumbulla depërtuan për herë të parë me Shqipërinë duke bërë një paraqitje premtuese. Ndërsa Abrashi dhe Veseli nuk luajtën në posicionet e tyre kushtëzuar nga mungesat dhe skema 3-5-2. Tekniku italin Reja, nuk hoqi dorë nga mbrojtja me tre lojtarë ku luanin Gjimishti, Demarku dhe Kumbulla. Ndërsa pranë tyre në krah Trashi dhe Veseli, që sëbashku me Abrashin, Kallakun në rolin e një organizatori dhe Bare përbënin mesfushën. Në sul Manaj dhe i riu Broja. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar. Ndërsa në pjesën e dytë Shqipëria ndryshoi dhe pati disa raste për shënim me anë të Brojës dhe Seferit, por sulmuesit kuqezinj ishin të pafat dhe nuk arritën të shënoni. Pas ndeshjes tekniku Reja u shpreh se :” Unë nuk jam i kënaqur me barazimin. Patëm shumë vështirësi pasi patëm shumë mungesa të rëndësishme. Në këtë ndeshje kemi krijuar disa raste për shënim. Nëse nuk shtyjmë shumë nga mesfusha në sulm, do hasim vështirësi në finalizim. Ishin 10 lojtarë që i njihja shumë pak. Kemi edhe ndeshje të tjera, do të përpiqemi tëmarrim maksimumin në takimet e ardhshme”. Tekniku Reja u kritikua nga specialistët e futbollit për zgjedhjet e tij në këtë ndeshje dhe për vonësën në zëvëndësimin e lojtarëve.” Pamë mangësi në aspektin tekinko-taktik.  Abrashi dhe Veseli ishin jashtë pozicionit të tyre , edhe pse u munduan të japin maksimumin. Abrashi është lojtari para mbrojtjes që nxjerr topin dhe kalon topi në sulm me vertikalizime. Trashi, në pjesën e parë ndërmori disa tentativa për të marrë krahun dhe pasuar. Veseli nuk bëri asnjë krosim në të parën dhe , ishte inekzistent. Mbase kishte urdhër të mbate të  ekuilibriur numrat mbrapa. Bare kishte marrë krahun e  djathtë, ndërsa Manaj nuk ekzistonte fare. Edhe Kallaku nuk ishte në pozicionin e tij natyral. Reja luajti dobët sot, dhe deri në minutën e 82-të nuk ndërhyri fare. Në minutën e 60-të duhej të realizonte ndryshimet e para” u shpreh Shkëlqim Muca për RTVSH. “Mund të ketë edhe kritika pse nuk fituam. Por grinta nuk bilhet në farmaci. Nëse dikush e ka e ka dhe kaq. Ikim nga kjo ndeshje të penalizuar. Na mungoi vetëm finalizimi”. u shperh Reja. Kapiteni Berisha u shpreh se:”luajtëm një ndeshje të mirë dhe mund të fitonim 3-0. Ishim shumë këmbëngulës në lojën tonë dhe krijuam shumë trysni ndaj kundërshtarëve. Kemi luajtur në mënyrë të shkëlqyer në mbrojtje, lojtarët e mbrojtjes i dhanë ndihmë atyre të sulmit. E vetmja gjë që na mungoi ishte finalizimi”. Skuadra kombëtare u rreshtua në fushën e blertë me këtë formacion: Berisha (c),Veseli, Gjimshiti, Kumbulla, Dermaku, Trashi (Memolla 82′), Abrashi (Laci ’86), Bare, Kallaku, Manaj (Seferi 82′), Broja. Në ndeshjen tjetër të  grupit tonë Lituania barazoi me Bjellorusinë 2-2. Pas tre takimeve të katër skuadrat kanë nga katër pikë. Të mërkurën Shqipëria do të luajë në Lituani, ndërsa Kazakistani do të luajë me Bjellorusinë.

Kazakistan 4

Shqipëria 4

Bjellorusia 4

Lituania 4

Filed Under: Sport Tagged With: "Baby Albania" nuk ndezi, albano kolonjari

VATRA NE TAMPA, ISUF SPAHIU MERR DREJTIMIN E DEGES

October 11, 2020 by dgreca

TASIM RUKO, THEMELUES I DEGËS SË VATRËS TAMPA-CLEARWATER, ZGJIDHET PRESIDENT NDERI , ISUF SPAHIU KRYETAR, ENDRI FILIPI N/NENKRYETAR–

  • Noftim per mbajten e zgjedhje të reja per Pan-Albanian Federation of America, Vatra Tampa Bay Chapter. –

Shkruan: Peme Kalaj-Sekretare e Deges ne Tampa-Clearëater–

Bazuar në Kushtetutën e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, duke ndjekur tȅ gjitha rrugȅt demokratike, ish kryetari dhe themeluesi i degës u dorëhoq për arsye  familjare,- dega  e zgjodhi z.Tasim Roko President Nderi, posti i Kryetarit iu besua mori ish nën/Kryetari z. ISUF SPAHIU, ENDRI FILIPI N/NENKRYETAR. Sekretare u zgjodh zj. Peme Kalaj dhe financiare zj. Bajame Celibashi. 

Në mbledhjen e organizuar me këtë rast u theksua edhe njëherë rëndësia e kësaj Federate shekullore, pjesmarrja më e gjerë e komunitetit në të, si dhe anëtarsimiet e reja. Vatra e Nolit dhe e Konicës ka qenë dhe do të mbetet simboli ynë Kombëtar dhe do të punojë në ndihmë të mbarë shqiptarëve kudo që janë. Historia e saj shekullore dhe e pashembullt na frymëzon të ruajmë dhe të zvillojmë më tej traditat shqiptare. Le tu mësomë brezave historinë patriotike dhe të ndihmojmë që Vatra, zëri I Shqipëtarëve, të dëgjohet jo vetëm në Amerikë, por kudo, edhe në vendlindje. Të kultivojmë traditat tona këtu dhe të ruajmë gjuhën e bukur shqipe., veçanërisht tek gjenerata që është e lindur këtu.Eshtë detyra jonë që t’i tregojmë botës përmes Vatrës historinë e Kombit shqiptar dhe traditive e tona shekullore.T’u tregojmë amerikanëve kush janë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Mali të Zi. T’i përcjellim botës krenarinë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Shenjtëreshës Nënë Tereza.

Vemendje në takimi e organizuar u përqëndrua në adoptimin e një Kanunore bashkekohore duke respektuar historinë tone dhe modernizuar statutit e saj aktual e cila do ti vij ne ndihme komunitetin mbare kombetar. Përkushtimi, përgjegjshmëria dhe angazhimi i vijushmerise se traditës do arrihet me projekte te reja te se nesermes. Arsimimi dhe ndihma e brezit te ri do jene nje investim I madh per te ardhmen. Te punojme te ruajme kulturen tone dhe te mos merremi me ceshtje politike te tashmes ose te kaluaras.Bashkëpunimi më organizatat e tjera të diasporës do te mbetet misioni jone per te krijuar nje kombinim aktivitetes ne ruajtjen e vlerash kombetare. Gjithashtu u theksua puna per te krijuar nje kulture keshillimi ne angazhimin e drejtimit te Vatres. Bordi ka pergjithesi te vendose politika organizime ne perputhje me kanunoren. Mandati i antareve perfshihet ne regulat e Vatres ku keshillon per shtim te numrit te antareve te rinj me ide te reja. Komiteti emrues eshte pergjegjes per rekomandimet e antareve te rinj te bordit. Te perpiqemi qe te kemi nje bord te larmishem te menazhoje personelin, mbledhjet dhe ndihmoj me eksperitizen ligjore. Detyre e Komiteti Emërues eshte të kërkojë gjatë gjithë vitit për individë me këto karakteristika, të cilët më pas te pyeten nëse duan të konsiderohen për anëtarësim në bord. Nje menyre tjeter mund te jeter prezantimi ne programe orientuese dhe pjesmarja ne mbledhje e antareve te rinj. 

Duke e mbyllur theksojme qe Vatrës i duhen antarë të drejtë, drejtues degësh të devotshëm me vision per te ardhmen. I duhen njerëz që janë të përkushtuar për të mirën e Komunitetit dhe të Kombit. Le te suportojme shiptaret ne Amerike dhe disaspore. Le te luftojme per te drejtat tona duke ndihmuar njeri tjetrin. Le te motivojme antaret te publikojne libra dhe revista. Let te ruajme identitetin kombetar duke vazhduar tu mesojme femijve tane shqipe, historine tone dhe te Amerikes. Te punojme qe shqiparet e Amerikes te respektojne Kustetuten, Ligjet dhe Institucionet e Amerikes. Te punojme Komuniteti Shqiptar te meritojne respekt nder komuniteteve te tjera. Le te krenohemi me Vatren dhe gazeten e saj, Dielli.

Filed Under: Featured Tagged With: President Nderi, Tampa, Tasim Ruko

Nobel për Letërsi 2020- Louise Glück, akademia ka dhënë një çmim saktësisht të merituar….

October 11, 2020 by dgreca

Poezia e saj njomza intelekti dhe ndjenje. Ja pse poetja amerikane Louise Glück fiton ‘Nobelin” për Letërsi./

Përgatiti dhe përktheu, Rafael Floqi –DIELLI/

/Shkrimi nga Dwight Garner “New York Times/

Kur Saul Bellow fitoi çmimin “Nobel” në Letërsi në 1976, ai komentoi: «Fëmija brenda meje është i kënaqur, i rrituri tek unë është skeptik ”. Bellow pa një farë  “poshtërimi sekret” në faktin që “disa nga shkrimtarët shumë të mëdhenj të shekullit nuk e kanë marrë atë çmim”. (Ndër ta dhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. RF)

Louise Glück, e cila fitoi çmimin të enjten, ka qenë prej kohësh skeptike madje edhe për lavdërimet ndaj saj.

Në një intervistë të vitit 2009, ajo tha: “Kur më thonë se kam lexues të shumtë  mendoj, ‘Oh shkëlqyeshëm, do të jem bërë si Longfellow’: dikush i lehtë për t’u kuptuar, i lehtë për t’u pëlqyer, i përvojës së hollë që i vihet në dispozicion shumë njerëzve. Dhe nuk dua të jem Longfellow. Dhe më vjen keq, Henry, por unë nuk e bëj dot. Në shkallën që unë vlerësoj, mendoj vetë, “Ah, gjithnjë kam një te metë në këtë punë.”

“- Mbiemri i saj Glück rimon me “clik”, jo “cluck” – dhe ajo nuk është një Longfellow i ri.  Megjithatë, është pjesë e madhështisë së saj që poezitë e saj janë relativisht të lehta për t’u kapur, ndërsa është e pamundur të arrihet plotësisht në kuptimin e tyre. Ato kanë mjaft kuptime refleksivë plot jehonë; dhe ju mund të ngatërroheni me ta për një kohë shumë më të gjatë.

Unë kam argumentuar, në këto me shkrim se libri i saj i vitit 1990, “Ararat”, ishte libri më i egër, dhe më i pikëlluar me poezi, i botuar në 30 vitet e fundit. (Ai është pjesë e koleksionit të saj “Poezi: 1962-2012.”) . Ka një frymë rrëfimi dhe pak e egër, shkrova, duke e krahasuar atë me “Gjakun në shina” të Bob Dylanit. Një nga gjërat për ta dashuruar poezinë e Glück është se puna e saj përmban shumë regjistra emocionalë, ajo nuk ka frikë të jetë mizore – as të përballet me mostrat e vetvetes, dhe të të tjerëve, jo me dorëheqjen dhe digresionin terapeutik, por prerjen e arterieve me thikë.

Poetja Kay Ryan, në librin e saj të jashtëzakonshëm me ese, “Sintetizimi i Gravitetit”, shkruan: “Unë mendoj se është mirë të pranosh se çfarë gjëje prej ujku është arti; Unë u besoj shkrimtarëve që e dinë se nuk janë aq të mirë ”. Puna e Glück është e mbushur edhe me jo-hijeshi. Ju do ta kuptoni, por nuk do ta donit atë kurrë si një armike. Ndërsa i shkruaj këto rreshta, unë kam para kopjen time të “Poezive: 1962-2012” të shpërndara në tryezën time të shkrimit. Është mjaft mirë e nënvizuar. Mund ta hapni pothuajse kudo dhe të gjeni copa fluturuese të një intelekti të errët dhe të zgjuarsie të rrallë.”

Ju duhet të merrni një nga ato kimikate, / ndoshta do të shkruani më shumë” është një karakteristikë që paraqitet më poshtë. Kështu është vargu: “Shpina juaj është pjesa ime e preferuar prej teje, / pse është pjesa më e largët nga goja jote.” Kështu është: “Unë prisja më mirë nga dy krijesa / të cilave u ishte dhënë të kishin tru.”

Ndoshta duke shpjeguar linja të tilla, ajo ka shkruar gjithashtu: «Ju tregoni respekt duke luftuar. / Duke lënë të fyer kundërshtarin.

“Vargu i lirë i Glück është ekzakt dhe i tendosur dhe i organizuar retorikisht. Nga ana tematike, pikë pëlqimet përbëhen nga familja, fëmijëria, dashuria, seksi, vdekja, natyra, kafshët. Aludimet e saj klasike janë të shkathëta. Ajo është një poete serioze në orekset e saj. Edhe kur ajo gjoja shkruan për ushqimin, ajo po shkruan për 11 gjëra të tjera në të njëjtin moment. Një poezi e quajtur “Shporta” përfshin gjithë këto rreshta:

“Unë e po sjell shportën time në tregun e pacipë,

në vendin e takimin tonë,

Unë të pyes, sa shumë bukuri

mund të durojë një person? Është

më e rëndë se shëmtia, madje dhe barra

e zbrazëtisë nuk është asgjë para saj.

Bikerina me vezë, papaja, qeska me limona të verdhë

-Unë nuk jam një grua e fortë. Nuk është e lehtë

të duash kaq shumë, të ecësh

me një shportë kaq të rëndë,

prej kashte apo thuprash shelgu.

Glück lindi në New York City në 1943 dhe u rrit në Long Island. Babai i saj ndihmoi në shpikjen e thikës X-Acto. Ky është një detaj kozmikisht sublim; asnjë poet tjetër nuk pret vargjet me aq saktësi dhe qëllim vdekjeprurës sa ajo. Ajo ndoqi kolegjin Sarah Lawrence dhe Universitetin Columbias, por nuk mori asnjë diplomë. Ajo ishte laureate e poetëve të Shteteve të Bashkuara në 2003 dhe 2004. Ajo ka fituar shumicën e çmimeve kryesore të poezisë në SHBA. Kur Glück ishte e re, ajo vuante nga anoreksia nervore. Ajo nuk e trajton shpesh këtë temë  ose drejtpërdrejt, në punën e saj. Por këtu është një pjesë e poezisë së saj “Përkushtim ndaj urisë”:

Fillon në heshtje

tek disa vajza fëmijë:

frika nga vdekja, merr formë

përkushtimin ndaj urisë,

sepse trupi i një gruaje është një varr;

që do të pranojë

çdo gjë.

Ajo është bërë një poete e thellë dhe e mprehtë sidomos kur u moshua. Në vëllimin “Averno”, ajo shkruan për fëmijët e saj:

Unë e di se çfarë thonë ata kur jam jashtë dhomës.

A duhet të vizitohem diku a duhet të marr

një nga barnat e reja për depresion.

Unë mund t’i dëgjoj ata, duke pëshpëritur,

duke planifikuar se si ta ndajnë koston.

Dhe unë dua të bërtas

ju të gjithë jetoni në një ëndërr.

Është mjaft keq, ata mendojnë të më shohin mua duke u sfilitur.

Është mjaft keq, pa këto leksione që marrin këto ditë

sikur të ishte ndonjë të drejtë për këtë informacion të ri.

Epo, ata kanë të njëjtën të drejtë.

Pasi ata po jetojnë në një ëndërr dhe unë jam duke u përgatitur

të bëhem një fantazmë.

Në një poezi tjetër, ajo pyet: “Pse të duash atë që do të humbasësh?” Ajo i përgjigjet po vetë pyetjes së saj: “Nuk ka asgjë tjetër për të dashur”

Helen Vendler, duke shkruar në Republikën e Re, për të tha se poezitë e Glück “kanë arritur dallimin e pazakontë të së qenit as” konfesionale “dhe as” intelektuale “në kuptimet e zakonshme të këtyre fjalëve”. Ka një intelekt të bollshëm dhe ndjenja e thellë e Glück-ut që ju tërheq vazhdimisht tek poezitë e saj. Duke komentuar mbi zgjedhjet e dobëta që Akademia Suedeze ka bërë në të kaluarën, Gore Vidal dikur këshillonte të mos nënvlerësonim kurrë zgjuarsinë skandinave. Në rastin e Louise Glück, akademia ka dhënë një çmim saktësisht të merituar.

Një Mit Përkushtimi *

Kur Hadesi vendosi që ai e donte atë vajzë

ndërtoi për të një kopje të Tokës,

gjithçka të njëjtë, në imtësi gjer tek livadhet,

por veçse shtoi vetëm një shtrat.

Çdo gjë e njëjtë, përfshirë dhe rrezet e diellit,

sepse do të ishte e vështirë mendoi për një vajzë të re

për të kaluar kaq shpejt

nga drita e ndritshme në errësirën të plotë.

Gradualisht, mendoi, do t’i prezantonte natën,

së pari si hijet e gjetheve që lëkundeshin.

Pastaj hënën, pastaj yjet. Pastaj as hënën, as yjet.

Lëreni Persefonin të mësohet me të ca nga ca.

Në fund, ai mendoi se ajo do ta quante këtë gjë ngushëlluese.

Një kopje e vërtetë Toke

veçse këtu kishte dashuri.

A nuk e duan që të gjithë dashurinë?

Ai priti shumë vjet,

duke ndërtuar një botë, e duke e parë

Persefonin në rendte në livadh.

Persefonin që merrte erë që shijonte.

Nëse kishte oreks, mendoi ai,

aty i kishte që të gjitha.

A nuk do cilido të ndjejë gjatë natës

trupin e dashur, busullën, yllin polar,

të dëgjojë frymëmarrjen e qetë që thotë

Unë jam e gjallë, e që do të thotë gjithashtu

që dhe ti je i gjallë, sepse më dëgjon,

e ti je këtu me mua. Dhe kur njeri kthehet,

dhe tjetri kthehet –

Kjo është ajo çka ndjeu, ai zoti i errësirës,

duke parë botën që ai kishte

ndërtuar për Persefonin. Asnjëherë s’i shkoi në mendje

se nuk do të kishte më nuhatje

e sigurisht as më ngrënie.

Faj? Terror? Frikë nga dashuria?

Këto gjëra ai as mund t’i imagjinonte;

Pasi asnjë dashnor nuk i imagjinon kurrë.

Ai ëndërronte, ai mendonte se si ta quante këtë vend.

Së pari ai mendoi: Ferri i Ri. Pastaj: Kopshti.

Në fund, vendosi ta quante atë

“Vajzëria e Persefonit.”

Një dritë e butë u ngrit mbi nivelin e livadhit,

pas shtratit. Ai e mori atë në krahët e tij.

Ai deshtë t’i thoshte se të dua, asgjë nuk mund ty të lëndojë

por ai mendoi,

se kjo ishte veç një rrenë, kështu që ai tha më në fund

‘Se ti ke vdekur, asgjë nuk mund ty të lëndojë.

E kjo gjë që iu duk

si një fillim më premtues, por qe më i vërtetë.

Miti i Pafajësisë

Një verë ajo shkon në fushë si zakonisht

duke ndaluar për pak tek pellgu ku ajo shpesh

këqyr veten, për të parë

nëse ajo zbulonte ndonjë ndryshim. Ajo sheh

të njëjtin person, me atë mantelin e tmerrshëm

të vajzërisë që ende i rri ngjitur pas trupit.

Dielli në ujë dukej shumë afër.

Ky është xhaxhai im që spiunon përsëri, mendon ajo –

gjithçka në natyrë është në një farë mënyre si një i afërm e saj.

Unë kurrë nuk jam vetëm, mendon ajo,

duke e kthyer mendimin në një lutje.

Pastaj u shfaq vdekja, si përgjigjja e një lutjeje.

Askush nuk e kupton më

sesa i bukur ishte ai. Por Persefoni kujton.

Se gjithashtu që ai e përqafoi atë, pikërisht aty,

Ndërsa xhaxhai i saj qe duke e parë.

Ajo kujton rrezet e diellit që shndrisin në krahët e tij të zhveshur.

Ky është momenti i fundit që ajo e mbante mend qartë.

Pastaj zoti i errët e shpuri atë larg.

Ajo gjithashtu kujton, jo aq qartë,

depërtimin drithërues se që nga ai moment

ajo nuk mund të jetonte pa të përsëri.

Vajza që u zhduk nga pellgu

nuk do të kthehej më kurrë. Një grua do të vinte,

duke kërkuar vajzën që ishte dikur.

Ajo qëndron pranë pellgut duke thënë, herë pas here,

Qeshë e rrëmbyer, por i tingëllon si gabim

asgjë nuk qe si ajo që ndjeu atëbotë.

Pastaj thotë, ai nuk më rrëmbeu.

E thotë, unë u dhashë me qejf vetë,  doja

t’i shpëtoja trupit tim. Madje, ndonjëherë,

Unë vetë dëshiroja këtë. Por injoranca

nuk e mund dot dijen. Injoranca

është diçka e imagjinuar, të cilën beson se ekziston.

Ndaj të gjithë emrat e ndryshëm—

ajo i shqipton me rotacion.

Vdekja, burri, zoti, i huaji.

Gjithçka tingëllon kaq e thjeshtë, aq konvencionale.

Duhet të kem qenë, mendon ajo, një vajzë e thjeshtë.

Ajo nuk mund ta kujtojë veten si i njëjti person

por ajo vazhdon të mendojë se pellgu do të kujtohet

dhe do t’i shpjegojë asaj kuptimin e lutjes

kështu që ajo mund ta kuptojë

nëse i ishte përgjigjur apo jo.

  • “Një Mit Përkushtimi” dhe “Miti i pafajësisë” janë marrë nga vëllimi Averno bazuar në mitin grek të Persefonit. Sipas mitologjisë, Vizitorja e parë e gjallë e nëntokës, megjithëse ishte e pavullnetshme, ishte perëndesha Persefoni. Vajza e vetme e Zeusit dhe Demetrës (perëndesha e grurit, bujqësisë dhe pjellorisë), Persefoni ishte një vajzë e pafajshme, një virgjëreshë që pëlqente të luante në fushat ku mbretëronte pranvera e përjetshme. Por Hades kishte plane të tjera për Persefonin: Ai do të vidhte pafajësinë dhe virgjërinë e saj dhe do ta kthente atë në perëndeshën e tmerrshme të Botës së Nëndheshme.

Mbrëmje

Gjatë  mungesës tënde të zgjatur, ti më lejove

ta përdorja tokën, duke parashikuar

disa të ardhura mbrapsht nga ky investim. Por unë duhet të raportoj

se dështova me punën time kryesisht

për rritjen e bimëve të domateve.

Mendoj se nuk duhet të më nxisësh më të rris më domate.

Ose, duhet , duhet t’i përmbani shirat e mëdha,

netët e ftohta që janë kaq të shpeshta këtu,

ndërsa në rajone të tjera kanë dymbëdhjetë javë verë.

E gjitha kjo të takon ty: nga ana tjetër,

Unë i mbolla farat, i pashë lastarët e parë

si krahë zogu që shqyenin tokën,

dhe kjo ishte zemra ime

e thyer nga sëmundja, pika e zezë

që kaq shpejt u shumua në rreshta. dyshoj

se ju keni një zemër, në kuptimin tonë të asaj fjale.

Ju që nuk bëni dallimin

midis të vdekurve dhe të gjallëve, të cilët janë, si pasojë,

imune ndaj paralajmërimit, mund të mos e dini sa tmerr i kemi,

fletat  me njolla,

e gjethet e kuqe të panjës që bien

edhe në gusht, në errësirën e hershme:

Pasi unë jam përgjegjëse

dhe për këto hardhi.

  • Nga “Irisi i egër”, botuar nga The Ecco Press, 1992

Muzika Qiellore

Unë kam një shoqe që ende beson në parajsë.

Jo një person budalla, por gjithë ajo çka di, është të flasë mirëfilli me Zotin.

Ajo mendon se dikush e dëgjon atë në parajsë.

Në tokë ajo është jashtëzakonisht e aftë.

Edhe trime, e aftë të përballet me gjërat e pakëndshme.

Ne gjetëm një vemje që po vdiste për dhe, dhe milingonat lakmitare që zvarriteshin mbi të.

Jam përherë e prekur nga fatkeqësia, gjithmonë e etur kundër veprimit me vrull

Por gjithashtu e ndrojtur, e shpejt mbylli sytë.

Ndërsa shoqja ime qe në gjendje ta shikonte, për të lejuar që ngjarjet të luanin

sipas rrjedhës së natyrës. Por për hatër tim ajo ndërhyri

Largoi ca milingonave nga gjëja e shqyer dhe vazhdoi të ecë

Në anën tjetër të rrugës.

Shoqja ime thotë se i mbyll sytë e pret nga Zoti, dhe asgjë tjetër nuk shpjegon

Antipatinë time ndaj realitetit. Ajo thotë se unë jam si fëmija që

Fut kokën në jastëk

Për të mos parë, fëmija që i thotë vetes

Kjo dritë shkakton trishtim-

Shoqja ime është si nëna.  Që me durim më nxit

Të zgjohem e si një njeri i rritur si ajo, si një person i guximshëm-

Në ëndrrat e mia, shoku im më afrohet. Po ecim

Në të njëjtën rrugë, përveç se është dimër tani;

Ajo po më thotë se kur e do botën, dëgjon një muzikë qiellore:

Shih lart, thotë ajo. Kur shikoj lart, s’shoh asgjë.

Vetëm re, flokë borë të shtruar bardhësisht ndër pemë

Që si nuse të bardha kërcejnë nga në një lartësi të madhe-

Atëherë kam frikë për të; Unë e shoh atë

Kapur nga një rrjetë të hedhur qëllimisht mbi dhe-

Në realitet, ne jemi ulur buzë rrugës, duke parë diellin kur perëndon;

Kohë pas kohe, heshtja shpohet nga një klithmë zogu.

Është ky momenti kur ne përpiqemi të shpjegojmë, faktin

Pse jemi të qeta me vdekjen, me vetminë tonë.

Shoqja ime vizaton një rreth përdhe; brenda, vemja që nuk lëviz.

Ajo gjithmonë përpiqet të bëjë diçka të plotë, diçka të bukur, një imazh

Të aftë për jetuar veçmas saj.

Ne jemi shumë të qeta. Qetësisht të ulura këtu, duke mos folur,

në një kompozim

Të rregullt, ku rruga befas errësohet, ajri bëhet i ftohtë,

E aty- këtu shkëmbinjtë që shkëlqejnë dhe vezullojnë-

Kjo është qetësia që të dyja duam.

Dashuria për formën është një dashuri për fundin.

E enjte, 1 janar 2004

Filed Under: Featured Tagged With: Louise Glück, Nobel per Letersi, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT