• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

SI FSHIHESHIN NGA TË BURGOSURIT POEZITË E POETIT VISAR ZHITI NË SPAÇ E QAFË BARI

April 27, 2021 by dgreca

Arti mbijetonte edhe në kushte ku jeta varej në një fije peri… /

NGA DINE DINE/ New Jersey-USA/

       Edhe pse pas tre dekadash, kujtimet e atyre viteve vuajtjesh të paharruara na nxisin kujtesën e na shtyjnë edhe t’i hedhim në letër disa copëza kujtimesh që për brezat që vijnë mund të ngjallin interes për të kuptuar se arti mbijetonte edhe në kushte ku jeta varej në një fije peri.

      S’kishin kaluar as dy ditë që isha njohur me Visar Zhitin. Atëherë për mua ai ishte thjeshtë djali i Hekuran Zhitit aktorit që admiroja aq shumë, pasi në të gjithë Shqipërinë ishte i vetmi apo ndër të paktët që improvizonte në skenë. Edhe pse siç më kish thënë një mik i imi atëherë rregjizor se paralajmërohej vazhdimisht mos ta bënte një gjë të tillë sepse sajonte gabime ideologjike, ai përsëriste të njëjtën gjë. Ndaj si i ri atëhere, e i apasionuar pas tij bëja ç’mos të siguroja biletë për të ndjekur të gjitha shfaqjet ku ai luante si aktor. Për të atin kam edhe kujtime të tjera mjaft interesante por mos të zgjatemi. Pra, Visarin e njoha si më të riun e tre djemve të Hekuranit.

        Një ditë tek shëtisja i vetëm në sheshin poshtë të burgut të Spaçit tek stolat përballë berberhanes qëndronte Zydi Morava duke shfletuar një libër. Nuk kish këmbë njeriu në shesh. Turni i dytë sapo kish dalë nga kampi, i pari pritej të hynte. Në këto e sipër vë re Zydiun që u ngrit nga stoli më përshëndeti e u drejtua për nga guzhina private. Kur u largua ca hapa, u kthye e më ftoi për një kafe. Nuk shkova pasi prisja shokët. Duke shëtitur para e prapa vura re që Zyhdiu kish harruar librin tek stoli. Sapo i pashë titullin u kujtova, ishte një libër me Kujtime i  bashkëshortes dhe një mikeshe të Çehovit. Sidoqoftë kurreshtja më bëri ta shfletoj. Ç’të shoh?! Siç më kujtohet ishin nja tre poezi të shkruara në tre copa të grisura nga thasët e çimentos. Ashtu turbull më ndërmendën ca vargje që kur dolëm nga burgu, ca vite më vonë kur Visari filloi të botojë i kam rilexuar nëpër librat e tij. Më kanë mbetur në mëndje vetëm disa vargje prej atyre poezive:

Në njërën:

Gruri i ëmbël

na u bë bukë

e hidhur

e robërisë

që na mban gjallë…

Në një tjetër shkruante:

Natë burgu

së prapthi, e gjatë e gjatë

…………………………………..

dhe prapë na futën në një natë tjetër

në natën prej guri, pa agime, të egër.

Natë brënda natës

shpellë e llahtarëshme

trëmbesh nga vetja jote fantazmë.

E treta,një poezi e shkurtër bënte fjalë për gruan e të burgosurit, s’më kujtohet.

Një herë tjetër sapo mbaroi një kontroll më vjen Hasan Bajo, çami i mirë, i guximshëm duke bërtitur më thotë: “Ka Zot Dine, ka Zot, të më besosh!” – dhe vazhdoi; kisha futur nën llapën e një këpuce katër poezi të Visarit. Poezi tërë helm, të helmosura, e filloi të mi citonte të katërta. Pjetër Koka, i tmerrshmi Pjetër kontrolloi bash tek krevati im. Pasi ma bëri dyshekun copë copë iu erdhi rradha këpucëve. Sapo i hoqi llapën njërës e kutërboi era e qelbur. “U marrtë djalli u marrtë!”- shqiptoi, e hodhi këpucën tutje e pasi më hodhi një vështrim djallëzor iku.

Hajde ta festojmë me një kafe se i shpëtova të paktën 1 muaji birucë.

– Po të t’i zbulonin, në fakt do ta hante Visari e nuk dihet se si, sepse ata kanë ekspertë e do ta verifikonin shkrimin. Sidoqoftë, kafen do ta jap unë për sihariqin e shpëtimit të dy të “çmëndurve”.

– Një ditë më vjen në kapanon Kujtim Alia. Kish përkthyer dramat e Sofokliut.

Kur e pashë ashtu kockë e lëkurë pata një ndjenjë të çuditëshme keqardhjeje. Mezi qëndronte më këmbë e megjithatë përpiqej të merrej me art! 

– Sido t’i ketë përkthyer do të lavdëroj – mendova me vete. Që t’i biem shkurt; kur erdha tek Edipi mbret; a Edipi në Kolonë përsëri më zunë sytë dy a tre copëza letrash të grisura nga thasë çimentosh si t’i hante qeni. “Cigare Burgu” titullohej poezia. Për çudi edhe pas kaq dekadash atë poezi nuk e paskam harruar, mendova me vete dhe e shkrova në një fletore mos ta harroja:

Grise një copë gazetë

vure pak duhan

të mbledhur nga bishtat e flakur

dhe drodhe një cigare

lajmet 

t’u futën në mushkëri

si tym i hidhur

dhe atdheu kollitet i sëmurë.

Duke vazhduar leximin,diku tek Elektra apo Antigona ish fshehur një poezi tjetër që për fat të keq më kujtohet shumë pak pasi ishte e gjatë. 

Titulli:

Neveria 

Në shtetin më konservator në botë

ku të burgosin

për një pikturë nudo

……………………………..

WC janë pa dyer

të hapura,

rradhë, rradhë

përballë njëra tjetrës.

Gjithë turp mund të shohësh pa dashje

kufoma seksesh

që lëkunden si të varur

2-?

         Që të mos zgjatem shumë, u befasova kur vura re që kish pesë a gjashtë poezi të fshehura në faqet e atij libri a fletoreje pasi të gjitha dramat ishin shkruar me dorë, me një shkrim të kujdesshëm e të kjartë.

Pasi i lexova të gjitha poezitë, pata një ndjenjë frike. Kishte tmerre, mallkime që, edhe nëpërmend t’i shkoje të rrënqethej mishtë pasi po të zbuloheshin të ikte edhe koka. E ndërpreva leximin pasi turni i minierës mund të vinte nga çasti në çast e dola me vrap të gjeja Kujtimin. Flinte në kapanonin fqinjë.

E gjeta shtrirë duke lexuar.

– Ç’ke bërë kështu? – i them, e meqënëse edhe kapanoni ku flinte ai ishte bosh, ia nxorra fletushkat e poezive si të ishin trakte mu para fytyre e duke qeshur i thashë: “Armiku i popullit që nuk fle kurrë, bën çmos të sabotojë e të minojë arritjet e Partisë e të pushtetit popullor…” 

– Kujtimi, i habitur kish hapur sytë sepse nuk po i besohej se i kish harruar.

– Në mëngjes shkova tek depoja e ushqimeve për këtë punë, t’i fsheh siç bëj gjithmonë por çuditërisht paskam harruar.

U ngrit me të shpejtë e sëbashku shkuam në depo ku më tregoi edhe vëndin si i fshihte.

Në anën e pasme të një kove me ullinj i ngjiste poezitë në atë mënyrë që as djallit nuk do t’i shkonte nëpër mënd. Kur Visarit i vinin në takim, bënte ç’të mundej, edhe kjo sigurisht qe me rrezik, t’i përcillte poezitë në shtëpi.

– Di njeri për këto sekrete kaq të guximëshme.

– Nuk besoj – më tha – unë nuk i kam thënë asnjeriu sepse ti e kupton janë gjëra me shumë spec- tani i di edhe ti, por s’kam asnjë dyshim se nuk do t’ia thuash askujt. Zoti na shpëtoftë nga këto rreziqe!

– Amen – i thashë – e u ndamë.

Tek shkruaj këto rreshta mu kujtua edhe një tjetër që e kryente këtë “krim”. Këtë ma tha një ditë Hasani, që më deshte e më besonte verbësisht. Me që kish miqësi me Muharrem Xhydollarin, i kish besuar atij t’ia fshihte poezitë e Visarit në minierë. As ai vetë nuk e dinte vëndin, por ishte siguruar që atë pozicion askush nuk do të ishte në gjendje ta zbulonte.

Një tjetër shok burgu që kontribuonte në këtë drejtim qe edhe Kujtim Prendi. Ai ishte një tip i guximshëm që s’i bëhej vonë për asgjë. Në depon e ushqimeve në tavan hiqte një pllakë e fshihte aty derisa Visarit t’i krijohej mundësia t’i dërgonte në shtëpi

***

Pas ca kohësh, me një grup muratorësh transferohem në burgun e Zejmenit. Në 1984, sapo mbaruam punë më dërguan në Qafë Bari ku gjej edhe Visarin me të cilin atje takoheshim pothuaj çdo ditë. Një herë tek pinim kafe më jep të lexoj nja katër poezi të botuara në revistën Nëntori e më kërkoi t’i jepja një opinion. Ishte një poezi e Kuazimodos në më kujtohet mirë “Letër Nënës” që më pëlqeu e ia thashë.

Pas nja dy orësh më jep nja dy poezi të tjera e kërkonte të dinte përsëri se cila më pëlqente më tepër.

Njëra vërtetë më pëlqen e ia them. Fill pas kësaj e pyes për autorët.

– Nuk i di as unë më tha. I futa në xhep të mësoja të paktën njërën. Më porositi mos t’ia tregoj askujt. U ndava me të e pas nja një gjysëm ore takoj Hasan Bajon, njeri korrekt e shumë i ndershëm.

I besoja e më besonte. Ia tregoj poezitë. Sapo i nxorra nga xhepi kërceu; po këto janë poezitë e Visarit! Të them të drejtën më erdhi disi keq. Ai nuk e dinte që në Spaç, poezi të tilla kisha lexuar plot. I kisha mësuar edhe përmendësh, e dija edhe njerëzit e vëndet ku i fshihnin por me Visarin kurrë nuk kishim komunikuar. I prekur që ai nuk më kish folur asnjëherë as për poezitë që shkruante e as që ia fshihnin shokët e besuar e pyeta nëse nuk kish pasur besim tek unë se mund të mbaja një të fshehtë?!

Ai mu përgjegj thjeshtë e bindshëm: “Ke vuajtur si askush tërë jetën në internime e burgje. Nuk kam dashur të të rëndoj sepse po të të kapnin ty do të merrje një dënim shumë më të rëndë nga këta që ma besojnë këtë sekret. Ti ke qenë armik i popullit që në lindje e kam menduar të mos bëhem unë shkak për një të keqe më të madhe”.

Do të vazhdoja të paktën edhe me nja dy-tre episode tjera por shoh se u zgjata shumë ndaj po përpiqem ta mbyll me pak fjalë për mendimin që kam për poezitë e burgut të Visarit për të cilat ai rrezikoi gjënë më të padhunueshme, jetën e personin e vet.

Kujtoj shumë poezi të burgut veçanërisht tek “Hedh një kafe në këmbët e tua” tipike për këtë lloj zhanri, por edhe në libra të tjerë, titujt e të cilëve nuk i mbaj mend të gjithë pasi i kam në Shqipëri, por kujtoj dy a tre nga ato si “Kujtesa e Ajrit”, “Dyert e gjalla”, “Mbjellja e vetëtimave” etj. si ornamente të mbjella në një hapsirë të gjërë për t’i parë të gjithë e t’iu mësojë se e keqja do të zërë rrënjë si grëmi e do të metastazojë, e nëse nuk dënohet do të përsëritet siç po ndodh deri sot në atdheun tim të shenjtë.

E them me bindje se këto poezi të poetit janë një enciklopedi e të keqes që ndodhi në burgjet tona dhe s’ka aspekt të çfardolloji që t’i ketë shpëtuar pendës së tij të mprehtë. Me shpresë se njerëzit, një ditë do të ndërgjegjësohen e t’i dënojnë ato krime e padrejtësi që ndodhën në zemër të popullit të tij që e keqja të mos përsëritet kurrë.

(Dielli në Print-Prill 2021)

Filed Under: Opinion Tagged With: Dine Dine(Nasufi), Poezite e Visar Zhitit, Si fshiheshin ne Burg

KUJTOJME SHQIPTAREN E MADHE, PATRIOTEN LUME M. JUKA

April 26, 2021 by dgreca

DITARI- Në Përvjetorin e Parë të ndarjes nga Jeta/

Nga Eduard M. Dilo/

Një vit më parë ndërroi jetë  Zonja Lume M. Juka, profesoreshë e nderuar, motër  në shpirt dhe bashkëpunëtorja e mike shumë e afërt e Nanës sonë dhe krejt njerëzimit, shenjtores së pavdekeshme Shen’ Teresa. 

Krejt bota shqiptare dhe Kombi ynë humbi një intelektuale dhe patriote të shquar, një grua e rrallë. Shumë nga të huajt këtu në N.Y. kur bisedonin me të, e pyesnin plot kureshtje,  gezim e dashuri:

 ” na duket sikur takuam e biseduam Nënën Teresë;  ju lutem kush jeni ju, si e keni emrin?”. 

Ajo me thjeshtesinë, butësinë,  mirësinë dhe dritën që reflektonte në ata sytë e saj plot embelsi, u përgjigjej:” Jam Shqipetare, ashtu si ishte dhe Nana Teresë, ngjaj si duket me të, se jemi nga një vend, e duke qënë për shumë kohë prane Saj kam -si duket – diçka të marrë prej Saj!”

Zoti e kish sjellë që unë të bisedoja  e takohesha shpesh, të takohem e të dëgjoj mrekullitë e dala nga zemra e kesaj Zonje,  që nuk nderon vetem Shkodrën që e lindi, por krejt Kombin tonë.                      

E kompletuar me një kulturë që e do t’a kish zili gjithkush, zotëruese e 7 -të gjuheve të huaja, ishte aq e përvuajtur  sa dhe e ditur. 

Ishte vetë MIRESIA, ashtu si ka qënë dhe  motra e saj,  Shkencëtarja Shqiptare Prof. Dr. Safete S. Juka, apo vëllezërit Burhan e Fiqiret.  

 U nda nga jeta, duke lënë mbrapa vetëm shembëll e dritë -dritesie. 

Tërë jetën ja përkushtoi me zemër e shpirt vetëm Kombit, mori pjesë kudo dhe kurdoherë në gjithë aktivitetet ku percillte dhe predikonte me urtësi e mirësi veç dashurinë e pa kufi që kish për Atdhe. 

Ishte e thjeshtë dhe tepër modeste. Kurrë nuk bëri diçka për tu dukur e rënë në sy, por veç bënte atë që ja thoshte zemra e shpirti, mbrujtur e edukuar në shtëpi vetëm me ndjennjë atdhetare. 

“ Patriotizmin dhe dashurinë për Kombin e quante detyrë, dhe nuk kërkoi shpërblim e përfitim prej tij”.  

Bota shqiptare sot është më heshtur, se ka humbur një nga të paktat intelektuale model që kishte.

Zoja Lume, në biseda më tregonte fjalë e vëllait të saj të madh, Prof Burhan M Juka. 

E folmja e saj ashtu  urtë e butë si vetëm Ajo Zonjë Engjëllore dinte të fliste më vijnë e tingëllojnë dhe sot; -thoshte vëllai im-vdekja asht gjaja ma e sigurta për çdo njeri. Gjithashtu edhe ma e thjeshta. Sejcili prej nesh do t’a përballojë.

 Por kur? e si? Kërkush se di. Kur të vijë me më 

marr, vdekjen t’eme, ju lutem, mos e bani tragjike, tue u zhytë në zi, në trishtim, në vaje- në disprim. 

Vizita ngushellimi, ceremoni, fjalime, funeral e lajmerime nëpër gazeta, televizione ose internet të mos bahen. Përse me i trazue e me i detyrue miqët e të njoftunit me thurë lavdata e fjalë të bukura përpara arkivolit t’em? …. 

Vetëm Zoti na shef e na njeh si jena me të vërtetë. Vdekja për mue asht si me shkue n’udhëtim.

Kur mos të më shofin e zanin mos të m’a ndigjojnë ma në telefon e pyesin: “Ku asht? – “iu përgjegjeni: “Ka shkue në nji udhëtim pa kthim”. Nji lajm vdekjeje asht gjithmonë trondites…. Pra, sa ma qetësisht, i vini në dijeni se un nuk jam ma në kët botë ….”

 Për ta bërë edhe më të bukur ketë perkujtim  të saj, po sjell faqe nga Ditari që kam fatin e mirë ta kem në arkivën time, dhuratë nga ajo zonjë e papërsërtëshme për familjen Dilo-Sheperi.

NGA DITARI I PROF. LUME M. JUKA PER SHENJTOREN NEN’ TERESA.                                               

Një fletore, bllok i thjeshtë – ditar i saj! 

I shkruar shumë thjeshtë , çiltër, me një shkrim të qartë e të bukur, ka shumë Hyjni, se shkruan për Shenjtoren me origjinë shqiptare, Shën’ Teresën e nderuar dhe respektuar nga mbarë njerëzimi,(po e kopjoj sipas orgjinalit):                                                

E martë , 2 Qershor 1981             

Jam në dhomën e vogel ku ka me fjetë Nana Teresa sonte.  Po Asht e vërtetë.   S’mund të ju besoj syve të mij.    Zemra më rreh me nji  gëzim e mirënjohje të pa përshkrueshme.                     

Duhet të shkruej diçka që të më mbesin, përndryeshe kam me kujtue se kam kenë andërr.        

Ode sa grimca. Nji shtrat hekuri. Nji dyshek i hollë, ma fort  jorgan se dyshek.  Shumë ma i ngushtë e ma i shkurtë se shtrati… mbulue me nji çarçaf të vjetër e nji batanie ( jamulli) të lehtë.                                    

Në mur : nji Kryq i bame me dy dega, ose dy krande të thata.   Nji lutje e shkurtën’ anën e dritares ( vue aty sigurisht nga murgeshat).                           

(Në paça kohë kam me e kopjue).                                                    

Nji drasë me katër kambë 🙁 tavolina e saj ku shkruen kur ka kohë ). 

Nji moter posa’ vuni sipër saj tashti në një gastare çfarëdohi, nji të këputun në kopshte.( kan nji kopësht të vogël. Kur mrrina të dieln m’u duk si me u kthye në Shqipni, asht i rrethuem me mure të nalta e ka dy manda mbushë me kokrra, që kanë me u pjek përsëshpejti.  Bare e drandofile. 

Në midis statuti i Bekume. 

Zogjët qetëisht cicrojne e këndojnë ).                                                  

Ça ka tjetër? 

Varë në mur nji kalendan falë prej ndokujt, e sigurisht e falë gjithashtu nji komon i vjetër me dy syza të shtrembta të cilat patjetër me mezi çilen e hapen…                    

N’kët odë flenë ndoj murgeshë ose aspirante, ose “ come and see” kujt t’i, takojë kur s’asht N. Teresa në NY.  

Simbas nji rregulli që paskan M.M. çdo muej ndërrohen dhomat: herë herë të takon me fjetë në dormitore në podrum, herë për tok, herë n’odë në vedi.              

Para se të vinte N.Teresa aty kishte fjetë Sn.Mirmala : per tokë në dyshek të hollë të cilin – ditën- e mblidhte në një qoshe.                                                           

E pashë, se mue më thanë sot me ja goditi shtratin N.T…   

U shendova përsëtepërmi: Me i godit shtratin nji Shenjtneshe Shqiptare…. M’u duk si me më dhanë Zoti nji mision pranë vendit t’em.   

Cili mund te jete?      …

Përgatiti Eduard M Dilo

Filed Under: ESSE Tagged With: 1 vjetori, Eduard M Dilo

Obituary of Albert Foundos

April 26, 2021 by dgreca

ALBERT P. FOUNDOS May 23, 1935 – April 23, 2021/

Albert Periklis Foundos emigrated from Albania via Greece to the US with his family in 1948 at the young age of 13. Here, he grew up with his family in the Bronx. He was often working in some part-time capacity in his father’s dry cleaners, or the local vegetable store, grocery or the ice cream shop. He went on to study Chemical Engineering, earned his MBA from the City College of New York, and served as a Captain in the US Army. Al was a notorious serial entrepreneur. He was a partner in George Birchall Associates, he founded Fluid Data, Inc. in 1972 serving as Chairman and CEO across operations in New York, London, and Houston, and in his retirement, he was involved in the startup of Humicon which sold the first electronic humidor system. He then founded Cigar Oasis, Inc. which has been passed down to his family and is still operating to this day. Among his other ventures were working with Bendix Corp. and Lamsia.Lamsia Corp was founded with his brother Lou to give back to Albania as communism fell. With unemployment rampant, the brothers felt any investments they made would be vital to their home community. By investing in a clothing factory, building a hotel on family property, opening the first Cinema in Korca and other smaller ventures they honored the place of their birth.Over the years, Al was a dedicated member of a myriad of organizations. Among the places he dedicated his time, energy, and money were: St. Vladimir’s Orthodox Theological Seminary, International Orthodox Christian Charities, National Albanian American Council, Albanian American National Organization, St. Catherine’s Greek Orthodox Church of Naples, FL, and St. Nicholas Albanian Orthodox Church in Jamaica Estates, NY where he has been a devoted lifelong member.During Al’s retirement in Naples, FL he was involved in numerous clubs and the rest of his time was spent on the golf course. Al had a kind and generous spirit which touched countless lives. He went out of his way to help anyone in his community, foremost as an advisor and role model. Even in his final days, Al didn’t let an email go without a response. The kindness he showed others will echo for generations to come. In 1959, Al married Joan Malasko and they were blessed with a beautiful marriage. He is survived by his brother Louis Ilia Foundos (m. Linda); his son, Phillip Foundos (m. Johanna), and his four kids Matthew, Christina, Andrew, and Nicholas; his daughter Donna Oswald (m. James), and her three kids Kimberly, Daniel, and Alex; his daughter Christine Beno (m. Thoma), and her two kids James and Daniela, among countless other loved nieces, nephews, godchildren, and lives he touched around the globe.He now joins his wife Joan, who passed in 2007; his sister Viola, who passed in 2019; and his parents Llambi & Orthodoxia. May their memories be eternal.All those who knew Al were truly blessed by his loving spirit and selflessness.Visitation at Funeral Home3:00 pm – 8:00 pmMonday, April 26, 2021Park Funeral Chapel2175 Jericho TurnpikeGarden City Park, New York, United States
Mass10:00 amTuesday, April 27, 2021St. Nicholas Albanian Orthodox Church181-14 Midland ParkwayJamaica, New York

Final Resting Place

Cypress Hills Cemetery

833 Jamaica AvenueBrooklyn, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Obituary of Albert Foundos

Në Shqipëri Vazhdon numërimi i Votave

April 26, 2021 by dgreca

Nga Ani Ruci*/Zgjedhjet Parlamentare 2021: Parashikohet diferencë e ulët votash mes palëve në garë. Ndërkohë Tom Doshi nga PSD tërhiqet nga gara dhe mandati i deputetit.

Kryetari i Partisë Social Demokrate të Shqipërisë, (PSD) Tom Doshi dha të hënën, (26.04) dorëheqjen e parevokueshme nga kandidimi në Zgjedhjet Parlamentare të së dielës si edhe nga mandati i deputetit.

Në një letër dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ai deklaron që “jap dorëheqjen nga mandati im si deputet, të fituar pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 dhe nga lista shumëemërore e kandidatëve për deputet të PSD për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë  dhe i kërkoj KQZ zëvendësimin tim si deputet sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor”.

Pjesëmarrja e Tom Doshit, si kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit erdhi pas refuzimit prej tij të thirrjeve këmbëngulëse të ambasadës amerikane drejtuar KQZ që të mos lejonte kandidimin e tij pasi kishte të dhëna për përfshirje “në raste madhore korrupsioni.”

Ende herët për parashikime

Numërimi i votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ka filluar mbrëmë në mesnatë dhe po vazhdon. Komisioneri Shtetëror i KQZ deklaroi se ai do të përfundojë brenda 48 orësh. Në 8 orët e para të ditës së sotme, (26.04) janë numëruar votat në rreth 20 përqind të 5199 kutive votimi. Sipas të dhënave të KQZ, PS kryeson me 50.19 përqind të votave, e ndjekur nga PD me 39 përqind, LSI me 7,1 përqind dhe PSD me 2 përqind. Të përkthyera në mandate deputetësh këto përqindje votash janë 66 për PS, 52 për PD , 6 për LSI dhe 3 për PSD.

Mbështetur në sondazhet e publikuara pas mesnatës së mbrëmshme analistët e Tiranës mendojnë që partia që do të shpallet fituese e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit do të ketë një diferencë të ngushtë me partitë kundërshtare. Fjala është për PS dhe PD që në 30 vite zgjedhjesh parlamentare demokratike dhe pluraliste kanë kryer rotacionin e pushtetit në Shqipëri. Nga rezultatet e deritanishme, PS rezulton të ketë marrë më shumë vota se PD, ndërsa LSI ka humbur elektorat. Por ende është herët për të bërë parashikime, pasi votat në rreth 80 përqind të kutive pritet të numërohen në vijim.

Palët në garë parashikojnë fitoren

Kryetari i PS, Edi Rama në një reagim të dielën u shpreh, se “rezultati i vërtetë është ai që ndodhet në kutitë e votimit.” “Sondazhet, Exit poll-et, pavarësisht se na nxjerrin forcë qeverisëse, i përkasin arsyetimeve para ndeshjeve. Tani është rezultati i kutive që është dhe rezultati i ndeshjes” tha ai. Rama kërkoi që çdo numërues i votave të kryejë me përgjegjësi detyrën dhe “të numërojë në mënyrë korrekte votat që janë në kuti. Ne nuk duam thjesht rezultatin dhe konfirmimin si forcë qeverisëse, por nga ky proces duhet të dalë e fituar Shqipëria”, theksoi ai.

Nga ana e tij, kryetari i PD , Lulzim Basha i konsideroi rezultatet e deritanishme nga numërimi i votave  si“një fitore të qartë për Aleancën për Ndryshim” që kryesohet nga PD. Ai shprehu besimin se “komisionerët dhe numëruesit do ta menaxhojne procesin me përgjegjësi sipas ligjit dhe në fund të këtij procesi Shqipëria fiton”.

Në mesditë pritet edhe një konferencë shtypi lidhur me procesi zgjedhor të deritanishëm të Zgjedhjeve Parlamentare 2021 nga Ambasadorja Urzula Gacek, kryetare e Misionit të Vëzhguesve Ndërkombëtarë të ODIHR-it.-*Kortezi DW

Filed Under: Opinion Tagged With: Vijon numerimi, Votimet ne Shqiperi

KRYEMINISTRI QË MBROJTI NË EUROPË KAUZËN E MBRETËRISË SË RE QË KISHTE VETËM ARMIQ

April 26, 2021 by dgreca

  • A FRANCE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME TURHAN PASHËN, MINISTRIN E PUNËVE TË JASHTME DHE PRESIDENTIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË SHQIPËRISË/

Nga Aurenc Bebja*, Francë/

“La France” ka botuar, të mërkurën e 22 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive me Turhan Pashë, asokohe kryeministër dhe ministër i jashtëm i Shqipërisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Intervistë me Turkhan Pashën-Ministër i Punëve të Jashtme dhe President i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Për muaj me radhë Turkhan Pasha, ministri i jashtëm shqiptar, po vrapon nga kryeqyteti në kryeqytet për të përhapur fjalën e mirë në favor të Shqipërisë.

Askush nuk është më i kualifikuar se ai për këtë; Një diplomat i zgjuar, që ka një karrierë të gjatë pas tij, ai ishte dikur ambasador i Turqisë në Shën-Petersburg, ku la atje kujtimet më të mira. Turkhan Pasha ishte në pension kur shpërthyen ngjarjet në Ballkan. Sapo mbretëria u formua nga Fuqitë e Mëdha, ashtu si Esad Pasha, ai u vu në shërbim të vendit ku kishte lindur.

Princi e dërgoi shpejt në të gjithë Evropën për të mbrojtur kauzën më të vështirë dhe më mosmirënjohëse ndonjëherë: atë të një mbretërie të re që kishte vetëm armiq.

Diplomati i vjetër e ka bërë atë në mënyrë të admirueshme. Ne e pamë atë rradhazi në Vjenë, Berlin, Romë dhe Shën-Petersburg, duke mbështetur me fjalët e tij të përkushtuara mendimin lëkundës të kancelarive evropiane.

Turkhan Pasha gjendet tani në vendin tonë. Ai u largua nga banesa e vogël në rrugën Friedland, ku vinte dikur me gruan dhe princeshën e re, vajzën e tij. Ai ka vendosur, vetëm për disa ditë, bagazhet e tij në një hotel të qetë në bregun e djathtë dhe nga atje, pa zhurmë, pa zëra, ai përgatit veprën e madhe të organizimit të Shqipërisë.

Turkhan është rreth 70 vjeç. Nga qëndrimi i tij në ambasadat evropiane, ai ka mbajtur qëndrimet e tij të sjellshme dhe të dalluara të diplomatëve evropianë. Asgjë tek ai të shqiptarit malësor. Që në minutën e parë, ai më tha besimin e tij për Princ Vilhelmin :

“I mandatuar nga Evropa, ai ka vullnetin më të mirë dhe nuk i mungon guximi. Ai duhet dhe do të qëndrojë në postin e tij çfarëdo që të ndodhë. Atë e duan në Shqipëri, mund t’ua afirmoj këtë; në udhëtimin e tij të parë në vendet tani në revoltë, asnjë sovran, e afirmoj këtë, nuk ishte aq i përkëdhelur dhe aq i pritur mirë. Kush nuk ka armiq në tokë? më tha Turkhani. Do të më thoni se ka një kryengritje. Në fakt ka dy kryengritje. Së pari ajo e Shqipërisë së Poshtme i nxitur nga grekët. Por, meqenëse zgjidhja e kësaj çështje i është besuar Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, nuk ka pse të shqetësohemi. Komisioni është rezultat i vullnetit të Evropës dhe çështja sigurisht që do të zgjidhet në përputhje me vendimet e Londrës.

Kryengritja e dytë, ajo e Shqipërisë së Mesme, pa asnjë bazë, sigurisht që do të marrë fund, për shkak të mungesës së parave, për shkak të mungesës së qëllimit; udhëheqësit e pasur ose llafazanë (oratorë) që e nxitën atë do të përfundojnë duke u nënshtruar. Unë e kuptoj një mbretëri që kërkon përmirësime, një mbretëri që dëshiron të bëhet republikë, por në këtë mbretëri arkaike të Shqipërisë, si mund të flasim për transformime kur asgjë nuk ekziston!

Kur princi erdhi, ata e duartrokitën; fjalimi i një shefi shkatërroi punën e filluar, disa fjalë të mbretit i qetësuan. Fatkeqësisht ! vazhdoi Turkhan Pasha, neve na injorojnë këtu. Sidoqoftë, të gjithë duhet ta dinë se Shqipëria e vogël, krijim i Evropës, ka vetëm dy qëllime:

1° Rigjenerimi i vetvetes përmes punëve publike dhe tërheqja kështu rreth saj e përpjekjeve të industrialistëve dhe biznesmenëve të Evropës;

2° Jetesa në marrëdhënie të mira me fqinjët; kjo është në interesin e saj pasi që vetëm me qetësi do të jetë në gjendje të përparojë. Shqipëria, me princin dhe udhëheqësit e saj, është e përkushtuar të bëhet një element i paqes në Ballkan.

Por për të arritur këtë qëllim, ajo ka nevojë mbi të gjitha për huanë që i kishin premtuar, jo vetëm gojarisht, por me shkrim nga fuqitë nënshkruese të Traktatit të Londrës.

Janë premtuar shtatëdhjetë e pesë milion; dhjetë milion janë dhuruar (derdhur) nga Austria dhe Italia; ato janë marrë, sigurisht, por ende nuk janë shpenzuar. Por nevojat janë të mëdha. Shpresojmë ta marrim këtë hua, dhe se ajo është e garantuar, shumë serioze në një fjalë. Madje është një marrëveshje e mirë dhe nëse do të kisha para, më tha Turkhan Pasha, unë do të isha i pari që do të investoja.

Megjithëse e vogël, vazhdon Pashai, Shqipëria ka burime të mëdha: pyje, miniera, bujqësi, asgjë, deri më tani nuk është shfrytëzuar. Por na duhen rrugë, mjete komunikimi, të cilat, falë kësaj kredie, nuk do të mungojnë më. 

Shqipërisë ka nevojë për kredi, më tha Turkhani duke qeshur. Si e prisni që brenda tre muajsh të kemi Champs-Elysées, një hotel Regina dhe një muze të Luvrit? Ne që jemi lënë jashtë Evropës për shekuj me radhë, si mund ta transformonim vendin për kaq pak javë?

Unë do të kthehem në Durrës për 16 ditë, vazhdon ai; Do të kaloj nëpër Vjenë; Unë tashmë kam caktuar përfaqësues shqiptarë në Beograd dhe Athinë, në mënyrë që të mbajmë marrëdhënie të mira me këto vende.

Sa i përket Turqisë, Shqipëria është në një farë mënyre vajza e saj shpirtërore, është logjike që ne të kemi marrëdhëniet më të mira me të. Perandoria Osmane drejtohet, në këtë kohë, nga njerëz të shquar; Simpatitë turke nuk kanë munguar kurrë në Shqipëri; tre të katërtat e popullsisë janë myslimanë, dhe Sulltani duke qenë edhe Kalif i të gjithë myslimanëve, ne duam ta mbajmë këtë mike besnike.

Sa për mobilizimin italian, nëse do të përgatitej një zbarkim në Shqipërinë e Jugut, nuk mendoj se do të ishte i suksesshëm. Siç ju thashë, Komisioni i Kontrollit është duke negociuar me z. Zographos dhe unë ende shpresoj që çështja epirote të zgjidhet pa probleme, në interesin më të mirë të shqiptarëve.

Ne do të ishim plotësisht të lumtur nëse Franca do të na njihte më mirë. Shumë nga udhëheqësit tanë, mjekët tanë, zyrtarët tanë kanë studiuar në Francë, në Montpellier, në Lyon. Të gjithë ju duan. Unë kam qenë me Esad Pashën në qeveri; idetë e tij kanë qenë të ndryshme nga të miat ndonjëherë; por në këtë pikë, unë pajtohem me këtë mik të vjetër: “Ne e duam Francën dhe do të donim që të gjithë këtu ta dinë këtë!””

Pierre Villatte

*(Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/la-france-1914-intervista-ekskluzive-me-turhan-pashen-ministrin-e-puneve-te-jashtme-dhe-presidentin-i-keshillit-te-ministrave-te-shqiperise/.

Filed Under: Interviste Tagged With: Aurenc Bebja, Turkhan Pasha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT