• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

SHPALLJA E MËVEHTËSISË SË SHQIPËRISË

November 27, 2021 by s p

– MOMENTI KUR KOMBI NJESOHET ME PROBLEMIN E VET KRYESOR-

Eugjen Merlika 

Çështja kombëtare qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj.

Shqipëria e cunguar që në lindje, me pohimin e gjymtimit në maj 1913 në Londër, u bë strumbullari rreth të cilit do të vërtiteshin gjithmonë shqetësimet e politikës së saj. Çështja kombëtare, çështja e Kosovës, e Dibrës, e Çamërisë, e trevave shqiptare në Malin e Zi, e qyteteve të Jugut, e Janinës, Prevezës, Artës u bënë guri i provës për atdhetarët shqiptarë të çdo prirjeje a simpatie kundrejt vendeve e kulturave të ndryshme. Ajo çështje qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj. Shqipëria nuk mundi të ketë një ecje normale, të mendonte për rrugët e zhvillimit të saj me qetësi, duke vënë në lëvizje të gjitha mundësitë e saj, të tokës, të natyrës, të njerëzve, të mendjeve të tyre, sepse mendimi i vetëm ishte ai i trojeve të ndara. Çdo hap, çdo përpjekje, çdo aftësi vihej në shërbim t’atij mendimi, që ishte si një pykë e futur në trurin e atij kombi. Kështu kombi u njëjtësua me problemin e tij kryesor dhe ideologjia e tij nuk u huajt nga përvojat e të tjerëve, sa i përket modeleve të zhvillimit e të qeverisjes, por u pagëzua nacionalizëm apo kombëtarizëm.

Politika shqiptare duhet të vlerësohet e të matet së pari me peshoren e çështjes kombëtare, me dobinë, indiferentizmin apo dëmin që prodhon në lidhje me të. Historishkruarja, në gjykimin e ftohtë të gjykatësit të paanshëm, duhet t’a ketë kriter bazë të vlerësimit të ngjarjeve apo personazheve atë të përputhjes së motiveve shtytëse të të parëve dhe veprimtarisë së të dytëve me interesat e vërteta, të hapta apo të fshehta, të dukshme apo të padukshme, të çastit apo të perspektivës, të  Vendit në kontekstin kohor të caktuar i cili merret në shqyrtim. […] Nuk mund të themi se vlerësimet ishin gjithmonë objektivë në vorbullën e luftës politike e të përleshjes së interesave të ndryshme. Gjykimet qenë shpesh të nxituara, herë herë radikale e jo të drejta me pasoja shpesh edhe rrënuese për protagonistët e ngjarjeve. Shpesh kjo është shfaqja e zakonshme e politikës, jo vetëm në Shqipëri e në Ballkan, por edhe në pjesët e tjera të botës, shprehje më shumë e interesave të pjesëmarrësve se sa e parimeve të tyre, ndërthurje motivesh nga më të ndryshmet që përcaktojnë zhvillime shtetesh, bashkësish  e epokash në gjithë tërësinë e tyre dramatike e shpesh edhe tragjike. 

Që në lindjen e Shtetit u kristalizuan rrymat e ndryshme të mendimit politik që, megjithë ndryshimet e mundshme, mbeteshin në kuadrin e nacionalizmit, i cili ishte i vetmi projekt programatik me përparësi. Por ky projekt, për të patur shpresë sendërtimi, duhej të inkuadrohej në aleanca me Vendet e fuqishme e të zhvilluara, me Fuqitë që vendosnin fatet e popujve. Rruga e Shtetit tonë të ri kalonte nëpër shtigjet e interesave të Vendeve të tjera afër ose larg nesh. Kështu edhe qeveria e Vlorës, veprimtaria e së cilës nuk i kapërceu shumë caqet e asaj krahine, u përball që në fillim me ata probleme. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, në udhëtimin e tyre për në Vlorë, u ndaluan në Vjenë e në Romë, ku morën miratimin për Shpalljen e Pavarësisë e një farë premtimi për të gjetur mbështetjen e përkrahjen. Fatkeqësisht, në politikën e shteteve, premtimet kanë jetën e shkurtër. Ata shtete, disa muaj më vonë, nuk ishin në gjëndje të siguronin në Londër kufijtë natyrorë të Shtetit shqiptar, kufij të respektuar për gati pesë shekuj nga perandoria otomane.

Krahas përpjekjeve për të siguruar mbështetjen e Vendeve t’Evropës e të botës, duhej përballuar e zhvilluar dialektika normale e mendimeve të ndryshme politike. Duket se Ismail Qemali dhe Qeveria e Përkohshme e kanë shterrur forcën e tyre shtytëse, jo aq për mungesat e tyre sa për faktin se Kuvendi i Vlorës  u organizua në një kohë shumë të shpejtë, për shkak të rrethanave të brendshme e të jashtme në të cilat u zhvillua, duke mos arritur të sigurojë përfaqësimin e të gjitha krahinave e bashkësive shqipfolëse. Abdi Toptani e Mustafa Kruja dërgohen në Tiranë për të sheshuar mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që kishin lindur në këto anë, “për t’u ardhun rreth ngatrresave t’Esad Pashës.”“Mustafa Kruja në historinë shqiptare” OMSCA 1 Tiranë 2012 Faqe 199

Në vëllimin e cituar ka një letër të hartuar nga Mustafa Kruja e të firmosur nga Avdi Toptani, drejtuar “Së naltës Ministri të Punvet të Mbrêndshme Vlonë”. Kjo letër që nuk ka datë të saktë, por vetëm muajin maj 1913, është një dokument i rëndësishëm që hedh dritë mbi bisedat e dy të dërguarvet qeveritarë me mjediset politike në Tiranë, veç atyre me Esat Pashën. N’atë letër flitet për tri ditë bisedash të ngjeshura me parinë e Tiranës dhe të krahinave të Matit e të Dibrës me në krye Ahmet Beg Zogollin, në të cilat u rrahën shumë mendime mbi gjendjen e vështirë që ishte krijuar nga pakënaqësitë e lindura e të nxitura nga Esat Pasha kundrejt Qeverisë së Vlorës, dhe rrugët për të shëndoshur gjëndjen.

“Veçse mbas tri dit bisedimesh e kuvêndimesh të gjata, në të cilat kanë shtrydhun trût sa kanë mundun, posë meje, edhe Fuad Beu, Murat Beu e Z. Mustafa, sidomos Kaçorri qi âsht mundue për këtë qëllim mâ mirë se të gjithë na dhe Ahmet Beu qi ka hŷmë në mes me nji mendim pajtues, tue marrë para sŷsh çdo farë gjasash dhe pandehjesh, kemi gjetun si të vetmen rrugë për me pritun rreziqet, qi ndryshe kishin me na ndodhun me doemos, pranimin e kuvendit të përgjithshëm në nji formë e me kushte qi na ka marrë mêndja për të mirën e atdheut e janë këto:

  1. Qeveria e Përkohëshme të grijshë me u mbledhun pësëri dhe me të shpejtë Kuvêndin e përparshëm tue e quejtun se ka qênë në pushim.  
  2. Të gjejmë mënyrën qi të marrin pjesë në Kuvênd edhe disa zotní, të cilët, ndonse njihen ndër elementat me rândsí të Shqipnís nga shumë pikëpamje, s’kanë pasë mundun të gjinden atje për shkaqe qi s’ishin në dorë të kurrkuj.
  3. Në Kuvênd të marrin pjesë edhe qeveritarët si delegetën.
  4. “Qëllimi kryesor i Kuvêndit të jetë bashkimi i atyne elementave dhe pjesve të Shqipnís qi koha e kalueme dhe ndodhít e soçme i kanë largue prej shoqishoqit e bâmë si të huej ndërmjet tyne. ”

Qe në këto  pika përmblidhet themeli i punës qi na kemi pranue e qi kemi bâmë të pranohet edhe prej anës tjetër. Përmbi hollsít kemi edhe shumë sende për t’ju thânë. Sidomos kemi përpilue nji rradhue t’atyne zotnive qi duhet t’u shtohen misevet të përparshëm të Kuvêndit, të cilin duhet t’a pëlqejë Qeveria. Këtê kemi me Ju a paraqitun….” 

Letra është një dëshmi e bukur e aftësisë së atyre personalteteve që merrnin pjesë në një “mexhliz”, që kishin mendime të ndryshme, por që arrinin të gjenin emruesin e përbashkët të ideve të tyre me një propozim në dritë të diellit, larg intrigave të oborreve e të politikës, drejtuar Qeverisë së Përkohëshme në Vlorë. Duhet vënë në dukje se përfundimi i bisedave të Tiranës u bë me pjesëmarrjen nga ana e Qeverisë të Nën/kryetarit të saj, imzot Kaçorrit, të Ministrit Avdi Toptani e të kryesekretarit të Këshillit të Ministrave, Mustafa Kruja. 

Por Qeveria nuk e mori shumë në konsideratë atë mundësi. Ismail Qemali udhëtonte nëpër Evropë me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin. Veprimtaria e Kryeministrit ishte më e rëndësishme në kanceleritë e huaja, ku Shqipëria priste të merreshin vendimet për njohjen e kufijve të saj zyrtarë. Mufid Libohova, që zëvëndësonte Kryetarin, parapëlqeu më shumë të merrej vesh drejt për së drejti me Esad Pashën se sa të shqyrtonte propozimet e të dërguarve të qeverisë së tij në Tiranë. E parë në largësinë e më se njëqind viteve ajo dukuri më duket se ka qenë një rast i humbur. Po të ishte thirrur ai Kuvend n’atë periudhë të trazuar të shtetit të ri, në të cilën politika ishte robe e luhatjeve dhe vështirësive të panumurta, ndoshta do të kishte patur një efekt çudibërës në t’ardhmen e Shqipërisë.

 Së pari ai Kuvênd do të ishte një sofër më e gjërë se ajo e Vlorës, ku do të shpalosej mendimi politik i gjithë krahinave. Në të do të diskutoheshin me qetësi e gjakftohtësi të gjitha problemet që shtroheshin para kombit të coptuar e Shtetit të porsalindur. Që aty do të dilte një Qeveri e përcaktuar që do të përfaqësonte të gjithë vullnetin e krahinave të ndryshme të Shqipërisë, edhe t’atyre që nuk kishin patur mundësi të ishin të pranishme në Vlorë më 28 nëndor 1912. Kjo do të zgjeronte shumë autoritetin e saj në të gjithë Shqipërinë, do t’i bënte pritë shumë rreziqeve që vinin nga prirje vetiake për të marrë pushtet, nga intriga e përpjekje për të krijuar tarafe që vështirësonin shumë punën e Qeverisë. Një Kuvend i tillë do t’i shëmbëllente Lidhjes së Prizrenit, do të ndihmonte krijimin e idesë së bashkimit e të qëndrueshmërisë së shqiptarëve e, pa dyshim, do t’i jepte një autoritet mbarëkombëtar organeve drejtues që do të dilnin prej tij. Ndoshta ajo do të kishte qenë në gjëndje t’i shmangte Shqipërisë rrezikun e rebelimit filo-turk të Haxhi Qamilit e Musa Qazimit, që i dha goditjen dërmuese përfytyresës së saj në opinionin e Evropës, duke detyruar të largohej nga Vendi Princ Wiedin, të cilin Evropa, me kërkesën e shqiptarëve, e kishte njohur si kryetar të shtetit të ri. Largimi i tij nga Shqipëria qe një formë vetëvrasje e kësaj të fundit, sepse e la atë në mëshirë të dallgëve të luftës së Parë botërore, pa asnjë mbrojtje.

Në fund të letrës shënohen edhe disa nga emrat e atyre personaliteteve, “elementa me rândsí të Shqipnís nga shumë pikëpamje”, që duhej të ftoheshin për të marrë pjesë në atë Kuvend e që kanë patur role të dorës së parë në ngjarjet e mëvonëshme të politikës shqiptare. Bëhet fjalë për një listë prej 45 vetësh, ndërmjet të cilëve shquhen Preng Pasha, Markagjonj, Isuf Elezi, Aqif Pashë Biçaku, Shefqet Vërlaci, Esat Pashë Toptani, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Syrja Vlora e të tjerë pari krahinash, por edhe klerikë të njohur si Imzotët Serreqi, Bumçi, Koleci, Shllaku, Bianchi, Abati i Mirditës, Sheh Sula i Dibrës etj. 

Mos pranimi i propozimit që erdhi nga Tirana çoi në dhënien e përgjegjësisë së Ministrisë së Brëndshme Esat Pashë Toptanit, që u bë më vonë varrmihësi i Qeverisë së Vlorës.     

“Rravgime te lira ne shtigjet e historise shqiptare”, Adrion Ltd, 2021

Filed Under: Vatra

Dëshira e fundit e Pjetër Shinit

November 27, 2021 by s p

Naum Prifti/

Shkopinjtë trokitën me një ritëm nervoz mbi lëkurën e tendosur të daulles dhe në sheshin e pazarit të Shkodrës u vendos qetësia. Qytetarë e fshatarë, blerës e shitës dhe vizitorë të rastit i prenë fjalët dhe mbajtën vesh. Lajmërimet me tellall qenë kumtime ogurzeza, qëkurse Arbëria qe pushtuar nga osmanlinjtë. Çdo ditë pazari lajmëroheshin masat shtrënguese për dorëzime të armëve dhe kuajve, paralajmërime për popullsinë që ushqente apo strehonte kaçakët dhe të arratisurit nga kampet turke, dhe kërkesa për ndihma e krahë pune për ngritjen e xhamive dhe karakollëve. Turqit kishin arritur te ndaluan tregtinë e kripës dhe të lëndës së drurit, dhe te kufizuan lundrimet në det nga frika e ndonjë marrëveshjeje midis shqiptarëve dhe republikave të huaja.

Tani qe familja e Skënderbeut qe shpërngulur në Napoli, flitej se i biri i tij, Gjoni, po përgatiste forca që do ngrinin në këmbë popullsinë arbërore kundër pushtuesve. Populli mezi priste të kthehej koha e lavdisë dhe respektit për derën e Kastriotëve. Po ndërkohë kapedanët shqiptarë mbanin të gjallë shpirtin e rezistencës në tokat arbërore. Kur turqit më në fund arritën të pushtonin Shkodrën, Gjergj Golemi ende luftonte në Sopot dhe trupat osmane nuk kishin mundur ta merrnin kështjellën. Shumë kapedanë arbër, që kishin qenë djemuri në kohën e betejave nën Prijësin e Madh, ishin rritur maleve dhe burrëruar luftrave, dhe tani njiheshin nga i madh e i vogël për trimëritë e tyre që i tmerronin turqit dhe mbushnin me shpresë shqiptarët.

Tellalli po lajmëronte: “Kush e kap dhe e dorëzon Pjetër Shinin të gjallë a të vdekur, sadrazemi Ursun Bintash i fal taksën e dhjetë katundeve për shtatë vjet dhe zonjën e bukur, të shoqen e Pjetër Shinit, si skllave”. Njerëzit u panë sy në sy dhe buzëqeshën. Katër muaj që tellalli përsëriste të njëjtën shpallje. Por nga qershori në vjeshtën e parë, vetëm numri i katundeve rritej si shpërblim për kapjen e kapedanit. Po kapej veriu? A mbërthehet era?  A zihet në çark rrezja e diellit? Çdo javë kishte një pritë a sulm kundër postave turke e karvanëve të tyre në qytete a në fshatra, në monopat a shteg mali, me shokë a i vetëm, më këmbë a kaluar, njerëzia thoshin se aty pari ishte parë Pjetër Shini dhe fjala merrte dhenë.

Pjetër Shini kishte thënë se ai do të luftonte sa t’i regëtinte zemra, sa t’i kishte forcë krahu e sa t’i shihte dritë syri. Cilido që i thoshte vetes arbër dhe e donte atdheun të lirë ishte bashkë me të në beteja kundër turqve si dhe në çdo odë shqiptari që donte lirinë. 

Shkoi një mot e shkuan dy e kështu me radhë, ranë gjethet, u zhveshën drurët, farëzat u bënë pemë e çikëzat u bënë nuse. Pjetër Shini me shokët e tij besnikë nuk i nënshtroheshin sundimit osman. Mes betejave hodhi shtat e u burrërua, mes betejave u martua. Për krushq shpuri shokët e vet dhe disa edhe pandehën se tani që u martua do të shtrohej e s’do të flinte më me gunë krahëve staneve e shpateve. Të tjera thoshin bota, tjetër mendje kishte trimi. 

As një javë s’ndenji me grua, ngjeshi shpatën e pazmoren e sërish doli në mal.

– Ç’u martove o Pjetër Shini kur ti kishe këtë mendje? – e pyetën.

– Më pëlqen të kem fëmijë.

– Po për gruan, a mendon? E ke lënë vetëm në shtëpi. I kanë rënë gjithë hallet mbi kokë. Shtëpia e fëmija dhe ty s’të ka pranë për një punë a për një ndihmë.

– Gruaja ime edhe babën kaçak e kish. Bij kaçaku e nuse kaçaku.

– Po baba iu vra. Në iu vraftë dhe burri?

– Ani. atëhere do të jetë nënë kaçakësh!

E kishte gjetur edhe gruan si veten Pjetër Shini; të bukur e trimëreshë. Dhe e shoqja e Pjetër Shinin qe krenare për të se emrin e tij e mbanin në gojë të gjithë, miq e armiq. Turqit i kishin premtuar falje, ai qe përgjigjur se s’kishte bërë ndonjë faj. Ata i kishin ofruar ta gradonin e ta mbanin komandant të forcave të tyre ushtarake, ai qe përgjigjur se nuk e këmbente gjakun me grada. I kishin thënë të dorëzonte armën dhe të bënte ç’të donte ku të donte, ai ju tha: “Arma dhe nderi qëndrojnë bashkë”. E kishin kërcënuar, i kishin ngritur kurthe, e kishin ndjekur me koshare e suvarinj, por ai ju shpëtonte çdo herë. Pjetër Shini nuk bëhej as erë, as zog. Atë e mbronte gjithë populli i krahinës, atë e njihnin barinjtë dhe çilimijtë, druvarët dhe farkëtarët, peshkatarët dhe amvisat.

Pjetër Shinin s’do ta kishin zënë kurrë sikur të mos e kishte tradhtuar një prift. At Shtepani kur mori vesh se Pjetër Shini po mjekohej te një xherah, shkoi në zyrën e sadrazemit dhe e kallëzoi.

– Ç’do prej nesh, – i thanë priftit Shtepan, -veç atyre që të takojnë? Do kënaqesh me gruan e bukur të Pjeter Shinit. 

– Zot na ruaj nga mëkati? Unë jam prift e nuk martohem.

– Zgjidh katundet më të mira e merr taksën për shtatë vjet.

– Nuk i dua, – tha ai. -Po e morën vesh fshatarët, do më hanë të gjallë.

– Fol, ç’do atëherë! – ia ktheu Sadrazemi.

– Vetëm mirënjohjen tuaj – ju përgjigj prifti me lajka.

Prifti përpara e turqit pas shkuan te vendi ku strehohej Pjetër Shini dhe e kapën të gjallë. Ja lidhën duart prapa qafës dhe e ngritën në këmbë.

Sytë e Pjetër Shinin vetëtinë si shkëndija.

– Siç ke rason, e paske edhe faqen!- i tha priftit.

Sadrazemi po dridhej nga padurimi për ta parë përpara tij atë kaçak që i kishte nxjerrë aq shumë telashe dhe e kishte munduar për vite me radhë. Urdhëroi të sillnin një fron për Pjetrin. Vetë u ul në një stol të stolisur. Kaçaku s’dukej as i ligështuar, as i trembur. Vështrimi i tij qe i rreptë e burrëror e sadrazemi s’dinte si të dukej impozant rrethuar nga ornamentet e tij.

-Pjetër Shini të erdhi fundi! – i tha. -Dorës së padishahut nuk i shpëton askush. Ajo të gjen kudo që të futesh dhe të ndëshkon siç e meriton. Po padishahu ka edhe mëshirë për ata që pendohen.

Pasoi një heshtje e shkurtër. Pjetër Shini nuk foli.

– Ç’ke për të thënë?

– Sadrazem unë bëra ashtu si ma desh zemra e si më tha mendja. As jam penduar për ato që kam bërë, as kam ndër mend të pendohem, – tha i vendosur Pjetër Shini.

– Pjeter Shini, në këta vjet që je sjellë maleve e brinjave si kaçak, sa turq ke vrarë e ke plagosur? – e pyeti sadrazemi.

– Unë nuk di të bëj llogari me shumë numra. Nja njëqind ushtarë në vit t’i kam vrarë e t’i kam prerë. Kam njëzetekatër vjet që luftoj. Sa është numri llogarite vetë.

– Dy mijë e katërqind shërbëtorë të padishahut. Dy mijë e katërqind njerëz nuk janë më ngaqë i ke vrarë ti. Ç’do më thuash për këtë?

– S’ka vrarë njerëz, Pjeter Shini, sadrazem. Pjetër Shini ka vrarë armiq. Luftova për nderin e gjakut tim dhe për lirinë e vendit tim.

– Ç’do të bëje po të të liroja tani? Më jep fjalën se do të shkosh në shtëpi e do merresh me tokë e gjë? Fjalës tënde i besoj. Ajo është fjalë burrash.

– As toka, as gjë e gjallë s’ka ç’i duhet Pjetër Shinit. Po më lirove, fjalë burrash, do luftoj si gjer tani.

– Atëhere s’kam ç’të bëj. Njëzetekatër vjet ke luftuar njëzet e katër ditë do të le varur në një dru atje tutje në det.

– Si të duash, o sadrazem. Unë mëshirë nuk lyp, – i tha Pjetër Shini.

– Cila është dëshira jote e fundit?

– Po të më varësh në det, asnjeri nuk do të të besoj.

– Mirë thua. Ku do ti të varesh? – pyeti sadrazemi me kureshtje.

– Unë dua të më varësh në mes të qytetit. Të më shohin të gjithë.

– Aty do të të var! – i tha i vendosur sadrazemi.

– Shpatën ngjishma brezit, kësulën në kokë dhe mburojën në dorë.

– Oh sa do kënaqem kur të shoh të tundet ai litar rreth qafës, – i tha me cinizëm sadrazemi.

– Sa herë të fryjë erë, shpata ime do vringëllojë dhe parzmorja do trokasë aq sa t’i shtjerë frikën turkeshave me fëmijët në gji, që do t’ju luten burrave të tyre të mbyllen në shtëpi se edhe aty nuk do kenë shpëtim nga Pjetër Shini.

Sadrazemi ngriu në vend dhe nuk mund t’i hiqte sytë nga Pjetër Shini. Luftëtarët e lirisë si ai mund të binin në duart e turqve por ata nuk i prekte vdekja sepse ishin bërë pjesë e legjendave të një populli që aspironte për lirinë e vet dhe atë nuk mund ta vrasë asnjë perandori sado e fortë dhe e armatosur të jetë.  

Filed Under: Vatra

MESSAGE FOR ALBANIAN INDEPENDENCE DAY

November 27, 2021 by s p

It is a blessed coincidence that Thanksgiving Day as celebrated by the American colonists and Puritans, and Albanian Independence Day, are commemorated in the same week. These anniversaries have been a blessing to our religious communities and our national interests for nearly a century. Therefore, let us pray, rejoice and share with our compatriots in freedom, these compassionate joys as the month of November closes, and as we approach the celebration of the Lord’s birth in December.


Very Reverend Chancellor Emeritus Father Liolin

Saint George Albanian Orthodox Cathedral

Boston

Filed Under: Vatra Tagged With: at arthur Liolin

URIME PER DITEN E FLAMURIT 28 NANDOR (19!2-2021)

November 27, 2021 by s p


Të dashtun bashkatdhetarë e bashkatdhetare:


Më 28 Nandor 2021 të gjithë shqiptarët e shqiptaret kudo që banojnë do të festojnë Ditën e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. 


Åtë ditë, nji grup shqiptarësh patriotë, të kryesuem nga diplomati shqiptar Ismail Kemal Bej Vlora shpalli Shqipërinë e lirë, atë kohë e robnueme për afër pesë shekuj nga rregjimi aziatik otoman, dhe deklaroi në Vlorë Shqipërinë “të mosvarme” të pavarun tue vu kështu gurin themeltar të ndërtimit të shtetit të cunguem shqiptar.


Fatkeqsisht çlirimi i Shqipërisë nuk ishte i lehtë – i rrethuem e i rrezikuem nga shtetet shoviniste-, autoriteti i Qeverisë së parë shqiptare shtrihej vetëm në disa zona të vendit. Hapsina të tana, sidomos në Veri, ishin okupue nga serbët e malazezët, në Jug nga grekët, qeveri që luftojshin kundër pavarësise së Shqipërisë. 


Shkodra e rrethueme nga malazezët, Kosova e okupueme nga serbët, Çamëria e okupueme nga grekët dhe krahinat e Ulqinit, Tivarit, Malësisë së Madhe, Plavës e Gucise, dhe Ilirida ishin nën sundimin e fuqive të hueja. Kjo situatë pengoi delegatët e Veriut dhe të Kosovës, kryesue nga patrioti Isa Buletini të shkojnë me vonesë në Vlorë.

Shumë ngjarje kanë kalue në Shqipërinë tonë, shumë vuejtje e fatkeqsi të pameritueme sidomos  tragjedia e përgjakshme e diktaturës së proletariatit…!

 
Për fatin tonë e të gjithë shqiptarëve nji fazë e re histrorike ka fillue, ku shqiptarët po i dedikohen -qofte edhe me gabime!- ndërtimit të nji Shqipërie të lirë, të pavarun, demokatike, të bashkueme dhe europiane. 


Sot, Shqipëria ashtë anëtare e OKB-së, e NATO-s, dhe kandidate për anëtarsim në Bashkimin Europian. Europa ashtë shtëpia e jonë.
Sot kemi miq të mëdhej: Shtetet e Bashkueme, Gjermania, Mbretënia e Bashkueme, Italia, Austria dhe shumë vende tjera. Sot, kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Në nji shoqëni të këtill sot ecim me siguri dhe besim drejt realizimit të andrrës shekullore: nji Shqipëri për të gjithë me Kosovë e Çamëri, Preshevë, Ulqin, Tivar, Malësi e Madhe, Plavë e Gusi dhe shqiptarët e Iliridës.
Nuk kërkojmë tokën e huej; por nuk lejojmë që të huejtë të marrin tokën tonë!


Vëllazën, motra! 


Jetojmë në Amerikë, tokë e bekueme me liri e drejtësi për të gjithë. Për fat të mirë anëtarë të Federatës VATRA që na përfaqson.
Le të festojmë këtë lidhje në mes nesh: “Jemi vëllezër, nuk na ndajnë dot!” shkruente poeti. Le të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.
Le të respektojmë Kushtetutën e ligjet e vendit që na ofroi azilin që kërkuem.
Le të tregojmë para botës mbar se kemi vlerat tona, e këtë ta bajmë të gjithë së bashku.
Le të festojmë së bashku këtë ditë të madhe kombëtare.


vëllazënisht i jueji
Sami Repishti 

Filed Under: Vatra Tagged With: Sami repishti

URIME DHE MESAZHE PER DITEN E FLAMURIT

November 27, 2021 by s p

Rafaela Prifti/

Dielli falenderon lexuesit e bashkëpunëtorët, anëtarët e Vatrës dhe të gjithë bashkësisë shqiptare për urimet e dërguara redaksisë për Ditën e Flamurit. Shumë mesazhe e përshëndetje janë botuar në faqet e numrit special të gazetës që do ta keni në duar këto ditë. Sot për faqen e portalit kemi përzgjedhur katër letra dhe urime nga humanistë e dijetarë, intelektualë dhe studiues në të cilat shprehet porosia dhe vizioni i tyre për Pavarësinë. Lexoni sesi Profesor Dr. Sami Repishti na quan “Vëllazën, Motra” dhe bën thirrje “të punojmë si qytetarë të ndershëm, e të provojmë se shqiptarët në Amerikë janë qytetarë të ndershëm, punëtorë, dhe të vendosun me reflektue vlerat tona kombëtare e morale të besës, nderit, burrnisë, mikpritjes e të tjera për të cilat na krenohemi.” 

Në urimin e tij Kancelari i Përndershëm i Shën Gjergjit në Boston Imzot Artur Liolin, bashkërendit “festën e dhënies së falenderimeve dhe Ditën e Pavarësisë si bekime për bashkësinë fetare dhe interesat kombëtare për gati një shekull.” 

Shkrimtari Naum Prifti me krijimin e një legjende shqiptare për një luftëtar të lirisë si Pjetër Shini tregon se prijës i vërtetë është ai që ka me vete një popull: “Pjetër Shini kishte thënë se ai do të luftonte sa t’i  regëtinte zemra, sa t’i kishte forcë krahu e sa t’i shihte dritë syri. Cilido që i thoshte vetes arbër dhe e donte atdheun të lirë ishte bashkë me të në beteja kundër turqve si dhe në çdo odë shqiptari që donte lirinë.” 

Studiuesi Eugjen Merlika e vendos theksin tek Shpallja e Mëvehtësisë së Shqipërisë si momenti kur kombi njësohet me problemin e tij kryesor, cungimin. “Çështja kombëtare qe barra më e rëndë që politika shqiptare, që në aktin e themelimit të Shtetit, e mbarti gjithmonë në supe e në shpirt, madje ajo u bë masa e vlerësimit të forcës e dobisë së saj.” 

Secili urim është edhe porosi. Shpallja e Pavarësisë ishte akt i vetëdijshëm që u mundësua nga shumë faktorë dhe që u rrezikua qysh në momentet e para nga shumë faktorë të tjerë. Sado larg të duket data 28 Nëntor 1912 në kohë, ne nuk jemi për asnjë moment larg saj sepse çdo shqiptar është element përbërës i pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm ata që e vlerësojnë këtë përgjegjësi janë të vetëdijshëm për të gjitha sakrificat që e mundësuan atë dhe për të gjitha rreziqet që i kanosen asaj sot.

Filed Under: Vatra Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT