• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

140 vjet me pare lindi ne Ibrik Tepe Fan Noli…

January 6, 2022 by s p

Duke kujtuar ne diten e lindjes Fan Nolin, nje nga figurat me te shquara intelektuale, kulturore dhe politike te Shqiperise ne shekullin XX, me fjalimin e tij te famshem ne në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më datë 10 shtator 1924…Ja fjalimi i mbajtur nga Fan Noli:

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë nëpaqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja eKombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbytenifort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija.Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqsuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen.Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fortdëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën?Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës. Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot.Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Daëes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal.Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes sëKombeve.I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë , megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve.Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të? Z. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj.Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë:“Verweile doch, Du bist so schon!”( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh.Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes.Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë. Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr!Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.Përpara, o shokët e mi! Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit mundimet nuk do t’ju venë kot. (Duartrokitje të zjarrta nga publiku)

Hasan ÇAPARI: Fan Noli (2005)

Dërgoi: Saimir Z. Kadiu

Filed Under: Politike

NË PËRKUJTIM TË 134 VJETORIT TË LINDJES TË AT ANTON HARAPIT (5 JANAR 1888-5 JANAR 2022)

January 6, 2022 by s p

Nga Ndue BACAJ

Anton_Harapi

(Foto e At Anton Harapit)

PAK NGA CURRICULUMI I AT ANTON HARAPIT:

At Anton Harapi lindi në Shirokë-Shkodër, me 5 janar 1888, me babë Loron dhe nënë Çile Koliqin. Pasi lindi u pagëa me emrin Gaspër. Në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun hynë në kolegjin e jezuitëve ku kreu mësimet fillore. Gaspri shekullar (apo Antoni i më vonshëm famulltar), vijoj klasët e gjimnazit të ulët në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasët e epërta në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, si dhe  studimet teologjike në Romë. Në vitin 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e mbrame të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malaziase e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Më 1916 në Dukagjin ra kolera, At Anton Harapi shkoi të sherbej në Dukagjin. Ndersa në dy vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore At Antoni ishte famullitar në Grudë të Malsísë së Madhe,(ku  atje kishte shperthye gripi spanjol). At Antoni si nacionalist në nëntor 1918, ndihmon organizimin e krerëve e prijësve të Hotit, Grudës e Trieshit dhe ulet me ta në Shkodër, ku dorëzojnë memorandumin, që kerkonte ribashkimin e këtyre trojeve shqitare të ketyre trevave me nanën Shqipni, të ndarë padrejtësisht nga Eurpoa plakë. Memorandumin ia dorzuan në Shkodër me 14 nëntor 1918, komandantit francez në Shkodër, në bashkëpunim edhe me Gurakuqin dhe Fishtën… Memorandumi u drejtohej; Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëm të SHBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë. Në mars-prill të 1923 merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjët Ernest Koliqi dhe Zef Harapi të shoqërisë “Rozafa” dhe “Bogdani” gjegjësisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, qe bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë. Emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin në pjesëmarrjen e tij tek Lëvizja e qershorit, me fitoren e Legalitetit më dt. 24 dhjetor 1924 arrestohet dhe burgoset për disa kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun “Illyricum” (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936 është drejtor i “Hyllit të Dritës. Ai kishte qënë bashkëpuntor me shkrime e drejtues në “Posta e Shqypnisë” dhe më tej tek “Zani i Shna Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha”. Gjatë vitit 1936 do të dërgohej në Korçë i kërkuar nga intelektualët, ku edhe do të shquhej në bisedat filozofike me ta..Më1937 kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë të Kastratit. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi)

“TAKIMET” E MIA ME AT ANTON  HARAPIN DHE VEPREN E TIJ”!

Për herë të parë unë me At Anton Harapin jam “takuar” në Shkodër, në Muzeun e shpërfytyrimit shpirtëror të shqiptarëve që komunizma e quante Muzeu Ateist. Unë atëherë isha ende adoleshent për të kuptuar këtë “takim” timin me përfaqësuesin më sinjifikativ të klerit katolik që për shekuj ishte bërë simboli jetëdhënës i shqiptarizmës nëpërmjet binomit Fe e Atdhe. Atëherë nga ky “takim” “mora” me vete fotografinë e At Anton Harapit, fotografi që e paraqiste para gjyqit komunist, madje si sukses të organeve të diktaturës që e kishin kapur, dënuar e pushkatuar. Dhe motivacioni i këtij “suksesi” ishte mjaft drithërues, pasi Ati ishte akuzuar si tradhëtar i Atdheut dhe bashkëpunëtor i fashizmit. Për në atë moshë që unë isha atëhere (nga ky takim i organizuar nga shkolla e “kuqe”) ishte disi e natyrshme që ky takim t’i drejtohej harresës, duke u mbytur nga propaganda komunisto-ateiste që kishte pushtuar çdo cep të jetës shqiptare. Por për kundër kësaj me mua duket se nuk ndodhi kështu, pasi sytë e lodhur, por jo të përulur të At Antonit m’u fiksuan në mendjen e shpirtin tim, për të mos u larguar kurrë, madje ata sy më dukej se duke u rritur fizikisht e shpirtërisht unë, rriteshin e më shoqëronin në heshtje në tërë aktivitetin e ndërgjegjes sime. Se sa mësova për At Antonin para viteve 1990 një Zot e di, por gjithnjë si burim të parë kisha disa rrëfenjëza që m’i tregonte babai im me zë të ulët, por edhe ndonjë copëz e shkrimeve të ruajtura me fanatizëm nga besimtarë të heshtur, por besnikë të besimit e qytetërimit që predikonte At A.Harapi. “Takimi” im i dytë me At Antonin erdhi pas viteve 1990, kur komunizma antifetare e antiatdhetare u rrëzua nga pushteti, e në vend të saj “erdhi” pluralizmi e demokracia që duhej t’a  vlerësonin këta atdhetar e fetar shqiptar që u martirizuan për të mbijetuar Shqipëria Europerendimore.. Gjithsesi në mes vlerësimeve maksimale nga autoritetet shtetërore e qeveritare, lokale e qëndrore, për At Anton Harapin thuajse mungon gjithçka, edhe për këtë “harresë” që vjen erë e reminishencave të kaluara ka edhe një heshtje jo shumë të kuptueshme edhe nga Autoritetet e Kishës Katolike, të cilët mjerisht At Antonin nuk e përfshinin në procedurat e Kanonizimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, (tashma të lumnuar e shpallur shenjëtor nga Selia e Shenjte, që me 5 nëntor 2016)… Pa dyshim pas viteve 1990 At Anton Harapi dhe vepra e tij për Fe e Atdhe është e lirë të njihet nga të gjithë shqiptarët. Në pergjithësi vepra e At Antonit permbidhet në librat “Valë mbi Valë” ,”Andrra e Pretashit” (libra që u kushtohen viseve të malesisë Madhe dhe banoreve të saj me në “krye” Gruden) ,si dhe “Kulla e Babelit” në të cilën është memorizua një filozofi e vërtetë shpirtërore që lëvrohet nëpërmjet kritikave, polemikave, ligjëratave dhe fjalimeve të ndryshme kur ishte deputet, dhe në auditoret e ndryshme në Shqipëri (deri në Korçë) e jashtë saj. Kurdo fjala e At Antonit të ngazëllen e mbush me krenari fetare e kombëtare për zhvillimin e qytetërimit eurokristian të cilit i përkasim. Kushdo që ti lexojë këto mund të thotë pa frikë se meshtari i pashoq At A. Harapi është predikuesi më i shkëlqyer i binomit të pavdekshëm të shqiptarizmës Fe e Atdhe… Ku pjesa më e madhe e kësaj vepre është publikuar nga revistat e kohës, kryesisht nga “Hylli i Dritës”. Mejithë këtë martirizimi i At Antoni u bë nga komunistët e pa Fe e Atdhe, sepse At Antoni ishte vet shpirti e filozofia e binomit nacionalist Fe e Atdhe… At Antonit me kapitullimin e Italisë fashiste Mehdi bej Frashëri i kishte paraqitur  propozimin për t’u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë. Fillimisht At Antoni nuk pranon duke qenë e papërputhshme me të qënit e tij klerik, ngase një post e tillë mund ta çonte në firmosjen e dënimeve me vdekje, dhe se nuk mund të pranonte pa lejen e eprorëve. Për këtë arsye Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë duke i kërkuar që t’i jepte leje Át Anton Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejen Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim me vdekje. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Anton_Harapi). Pas kësaj e 13 shtator 1943 At Anton Harapi emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, u shpreh: “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem“. (Fjalimi i Shkruar i Anton Harapit O.F.M., publikohet në “Hylli i Dritës”, 1944 (XX), nr 1, fq. 6).  At Antoni shkoi në regjencë me mendimin e mirë për t’i shërbyer mbarëvajtjes së kombit. Ai këtë e bëri se ishte shumë atdhetar dhe i përkushtuar në të gjitha veprimet e tij në të mirën e kombit. Ai me veprimet e tij nuk ka pasur asnjë mendim karrierizmi, apo përfitimi personal… është fakt se më shumë e kanë kërkuar të tjerët me u marrë me këtë punë, se ka dashur vetë atë detyrë…” (Konrad Gjolajt me titull “Çinarët” në faqen 62). At Antoni nuk ka qenë kurrë anëtar i Partive Nazi-fashiste. Madje bërja realitet e bashkimit të shumë trevave të Shqipërisë Etnike ishte mjaft joshës për çdo nacionalist të vërtetë. (Ndëkohë të mos harrojmë se anëtarë të Partisë Fashiste në fillim kanë qenë edhe shumë “personalitete” të vetë komunistëve duke përfshirë edhe Nexhmije Xhunglinin (Hoxhen), Ramiz Alinë, etj.. Gjatë regjencës At Anton Harapi ka influencuar që shumë hebrenjve tu jepej shtetësia dhe pasaporta shqiptare. Madje kur nazistët ishin të fuqishëm dhe filluan të vrisnin komunistët ishte vetë At Antoni që shkoi tek Xhafer Deva dhe I tha: “Mjaft mos vrisni ma, se janë vëllaznit tanë e s’duhet me veprue kështu…” (Konrad Gjolaj, “Çinarët” fq. 63). Dhe komunistët ia “shpërblejnë” me gjyqin special , ku At Antonin e dënojnë me pushkatim së bashku me Lef Nosin e Maliq Bushatin , denim që e zbatojnë me 20 shkurt 1946 , në një fshatë të Tiranes ,ku e pushkatojnë dhe e lënë pa varr sot e asaj dite..Pa dyshim moslargimi i At Antonit nga Shqipëria (këtë mundësi e kishte për të ikë me gjermanët si ikën disa të tjerë) tregon pastërtinë e figurës së tij, në të cilën kishte besim se çfarëdo të bëhej ai nuk i kishte bërë keq as atdheut dhe askujt. Ndonëse përkohësisht shkon në Pult (Dukagjin), ku edhe arrestohet pabesisht nga forcat e ndjekjes. Sipas dokumenteve të kohës të shënuar në librin e sipërcituar të At Konrrad Gjolajt, del se gjykata që dënoi At Antonin përbëhej nga Kryetari, Major Irakli Bozo; anëtarë Major Tonin Jakova dhe Major Gjon Bushati; Prokuror Major Misto Treska. Qëndresa burrërore e At Antonit befasoi disi egërsirat komuniste, kur nga salla e gjyqit deklaroi: “Shqipnia u fitua me gjak, me gjak edhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita me paqe e drejtësi do të fitohet”. Por edhe para kësaj At Antoni kishte paralajmëruar gjëmën komuniste që po vinte nga lindja sllave, madje krahasimin e bënte me ditët e luftës civile në Spanjë (1937), ku ndër të tjera thoshte: “… Në Spanjë për sa u qe e mundur komunistëve, rrënuan çdo gjë të artit, kulturës e shkencës njerëzore. Çdo çast mbytën tufa-tufa shekullarësh, vetëm pse janë të krishterë të mirë. Prandaj asnjë shtet që e kupton përgjegjësinë e vet, nuk duhet me ndejë, pse çka sot në Spanjë po ndodh, do të ndodhë nesër në kombet e tjera…”.  Ndërsa “filozofisë” përçarëse të komunistëve gjatë luftës (civile) të “çlirimit” u kishte vënë ligjëratën e tij që në korrik 1944, që thoshte: “Nuk shpëton, jo sot as xhamija pa kishën, as kisha pa xhaminë, por as njëra as tjetra pa Shqipërinë…”. Natyrisht Enver Hoxha si produkt i armiqve shekullorë të shqiptarëve (sllavëve të Jugut fqinj e të tjerë) e kishte mësuar nga padronët e tij se një ndër pengesat e instalimit të ideologjisë komuniste në Shqipëri ishte Kleri në përgjithësi e ai katolik në veçanti, ku për këtë E.Hoxha shkruan: “… Meqenëse Katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa të mëdha për triumfin e Komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata…”. Pasojat e kësaj politike të komunistëve dihen, që nga pushkatimi e burgosja e klerit katolik e tjerë si dhe mbyllja e shkatërrimi i të gjitha objekteve të kultit e institucioneve përkatëse edhe pse monumente me histori qytetrimi e autoktonie. Pra shqip, tek ne duhej me çdo kusht të bjerrej besimi tek Zoti, ose siç thoshte At Antoni: “… Kur besimi në Zotin nisë e dobësohet te një popull, atëherë përgatitu të shikosh rënien e tij…”. Por për At Anton Harapin kishte edhe një arsye më shumë që të dënohej e pushkatohej nga komunistët shqiptarë, pasi ishte edhe porosi e emisarëve jugosllavë, ku si dëshmi vjen ajo e sekretares pesonale të Enver Hoxhës, që kryente edhe punën e përkthyeses në lidhje me Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Një ditë kur kishte ardhur tek Enveri ambasadori jugosllav, Enveri me gëzim e kreni i tregon atij: “E mbytëm Padër Anton Harapin, e me këtë kemi plagosur për vdekje klerin katolik!” Diplomati serb i është përgjigjur: “Po, po! Por keni ende gjallë Pader Gjon Shllakun i cili peshon shumë. Duhet simbas porosisë që kam prej qeverisë sime të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni kulm e themel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët.” (Konrad  Gjolaj, “Çinarët” fq. 87-88). Gjithsesi për të përkujtuar disi At Anton Harapin unë po i drejtohem disa fragmenteve të ligjëratave të tij, të cilat jo vetëm kishin vlera të papërsëritëshme për ato kohë, por këto vlera ruajnë rëndësinë e tyre sot dhe mot, madje duke i lexuar të duken sikur i ka thënë e shkruar një shqiptar e fetar i madh që jeton pikërisht në shekullin XXI. Po e filloj me ligjëratën e parë me titull “Ideali i Krishterë”, ku ndër të tjera thuhet: “… Kanë kaluar 1900 vjet që kurse një njeri tha: Unë jam udha, unë jam e vërteta, e vetmja metodë për të gjetur të vërtetën, i vetmi sistem për të siguruar këtë thesar, e vetmja mënyrë e zbatimit të dashurisë. Këtë dua t’ua provoj unë në këto konferenca. Me besimin dhe zbatimin e parimeve kristiane ngadhnjen: Ideali njerëzor për idealin Kristian. E vërteta nëpër besimin Kristian. Kuptimi i jetës nëpër filozofinë kristiane. Vlerat me të vërtetë njerëzore nëpër kulturën kristiane. Dashuria e vërtetë nëpër moralin Kristian. Jeta e vërtetë shoqërore me atdhetarizmin kristian… Dhe vazhdon po  këtu… Skënderbeu është shqiptari i madh, që me gjeninë e forcës dhe të burrërisë, shprehu me të vërtetë një ideal njerëzor, por në të njëjtën kohë edhe idealin shqiptar; po ashtu Pellazgu i madh Homeri, Greku është Eskili, Hebreu është Isai, Taciti është Romani, Danteja është Italiani, Shekspiri është Anglezi, Gëteja e Kanti janë Gjermanë, Bosyeja është Francezi. Po Krishti kush është? Ai nuk është Gjenia e grekëve, as e Hebrenjve, ai nuk është as i vjetër e as modern. Kush është Krishti, pra? Ai nuk është një njeri i kohës vetë. Ai është i vetmi njeri që përfaqëson tërë njerëzimin, është vetë Njeriu. Ndërsa në Ligjëratën e  Atdhetarizmi i Krishterë (Anton Harapi, Kulla e Babelit, fq. 316-317), thotë: “… Jam fetar, por dua dhe çmoj krejt natyrën njerëzore, jam fetar, por kam tagre dhe detyra shoqërore, jam fetar, e nuk rroj as në erë, as në re, por në këtë tokë që quhet Shqipëri, midis këtyre njerëzve që janë shqiptarë, jam fetar, e dua të mbaj mardhënie të ngushta me Zotin, por gjakun shqiptar që më vlon ndër dej, shpirti shqiptar që më frymëzon mendimin dhe fjalën, rrethi shqiptar dhe traditat shqiptare, duke ma përshkuar anembanë jetën mendore e morale, shpërthejnë ndër hove të shpirtit, ndër ndjenja e zakone, mund të zhduken prej meje me sa mund të zhduket natyra; jam fetar, e ky fakt, sikurse nuk më ndalon aspak që të jem një njeri i përkryer, të kem dituri dhe kulturë, ashtu nuk më pengon që të jem atdhetar. Kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen Fe dhe Atdhe, ai ka një kuptim të gabuar për atdhetarizmin.   Edhe atdhetarizmi është një ndër idealet e krishtërimit; jeta qytetare dhe shoqërore për të krishterin janë gjëra të nevojshme, të cilat jo vetëm si njeri dhe si nënshtetas, por edhe si fetar e ka për detyrë që t’i studiojë, t’i njohë dhe t’i mbajë. Nuk jemi të krishterë të mirë pa qenë njerëz të mirë, po të jemi nënshtetas dhe atdhetarë të dobët. Atdhetarizmi në kuptimin e krishterë është një virtyt i shenjtë, si drejtësia dhe dashuria…”. Në këtë shkrim të shkurtër timin nuk po mundem pa shkruar diçka nga fjala e At Anton Harapit që e titullon “Dy lot e nji Betim”. Fjalë që e mban me rastin e përcjelljes së eshtrave të dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli për në vendlindjen e tyre, e këtë fjalim brilant për një atdhetar të klasit të parë historiografia komuniste jo vetëm  e “fshehu”, por bëri montime monstruoze të fotografive dhe fjalimeve të paqena të Enver Hoxhës. E këta dy dëshmorë siç dihet u vranë nga dora e armiqve historikë të shqiptarëve, serbo-malazezët. Ja një pjesë të kësaj fjale: “… Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni. Doni ta lini Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku si filiza të shëndosht gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipëria u qiti dhe u ndriti. Le të lavdrohen, po për ju Gjirokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grim më pak do t’gëzohet në ju Shkodra, vendi ku ju vdiqët, por u lindët për atdhe. Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut dhe ju janë nanë të natyrshme, por ju tashma nuk jeni njerëz të zakonshëm, nuk jeni çfarëdo shqiptarësh, ju jeni heroj, jeni burrat shqiptarë, e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e heroizmit tuaj. Jo, nuk ju lëshon ju Shkodër lokja, e ambel pa ju puthë në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi mbi eshtnat tuaj. Eshtna të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme tueja ruani nji visar të çmueshëm, njatë ide, e cila e pa tronditur do të jesë ndër ne Shqipnia. E udha e mbarë ju kjoftë! Veç, o burra, që vdekun flitni, të metun njalleni, të hupun sot ndritni, kah rreth e rrotull t’i bini Shqipnisë, deh lëshojeni një za, atë zanin tuej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë shqiptare çka u ushqei idealin, çka u mbajti karakterin, çka u bani të pavdekshëm… Zotni të ndritshëm! Nuk dua t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Merrni këto visare të çmueshme e shkoni. Por para se të niseni eni këtu, e mbi këta eshtna, simbol ideali, force e bashkim, t’ia shtrijm doren shoqi-shoqit, Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e me besën e burrave, me besën shqiptare të lidhemi për t’ia mbajtur shqiptarit nji Zot të vërtetë, një atdhe të lum, për ta ba Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skënderbeun. T’i diftojmë po botës, se shqiptarët njimen burra, se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristian, e njiherit shqiptarë të vërtetë. Zoti i vërtetë e atdheu le t’na bashkojnë, Zoti e atdheu të na mbajnë: Me Zot e atdhe të lumnojmë. (Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, fq. 251-253).  Kur At Anton Harapi ishte drejtor i gjimnazit Françeskan në Shkodër dhe i vjen për kontroll ministri dhe pasi e përgëzojnë për punën e bërë, i thotë në konfidencë: “Aman more At Anton, si bëheni edhe ju medievist pa nevojë.” E këtë ia thotë ministri se mbi tryezë të drejtorisë kishte një kryq, dhe At Antoni i përgjigjet menjëherë: “…Jo, zoti ministër, nuk e heq dot, sepse po ta heq, nuk rri dot as unë këtu… Hiqni nga bota e qytetëruar kontributin që ka dhënë kristianizmi në ide, në ligje e zakone, në shkencë dhe art, në sistemin e familjes, në rendin shoqëror dhe vetiak, në përmirësimin moral dhe material, hiqni të gjitha këto dhe kultura moderne nuk mbetet më ajo, por një skelet i zbehtë, një mozaik pa unitet, një send pa kuptim”. Tamam ashtu siç kërkoi ta bëjë sistemi komunist për rreth gjysëm shekulli. Gjithsesi aktiviteti i At Antonit është i larmishëm e i rëndësishëm edhe në mjaft konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare me karakter historik e politik, por të gjitha në shërbim të atdheut, që ka emrin Shqipëri, madje për At Antonin ka kuptim të plotë Shqipëria Etnike, së cilës i fali shpirtin e mishin duke u bërë ashtu siç edhe dikur kishte deklaruar: “Çdo ndërtese i vihen themelet në dhé, edhe në vorre, prandaj ne hijshëm duhet të jemi gurët e themelit të njasaj binaje të cilën sot e quajmë Shqipëri”. Por ama këtë gur të fuqishëm e jo dosido të themelit të Shqipërisë europerëndimore duhet ta vlerësojmë e nderojmë, se ia kemi borxh atdheut dhe atyre që “u tretën” për atdheun. Mjerisht nuk po mundem ta mbyll këtë shkrim me kaq pa thënë se At Antoni nuk duhej lënë në harresë as nga Kisha Katolike e as të paktën nga pushteti lokal i Shkodrës… E përkundër kësaj, nga pushteti qendror e lokal shpesh janë vlerësuar e nderuar edhe figura që karrierën e tyre (që “ndriti” në kohën e komunizmit) e filluan e siguruan duke spiunuar, duke i dalë edhe dëshmitar (në rrenë) dhe duke denigruar figurën simbol të binomit Fe e Atdhe të At Anton Harapit, por edhe të besimit e qytetërimit, të cilit i falemi sot. (Kushdo që dëshiron të vërtetojë këtë i mjafton të lexojë faqet e librit “Çinarët” të At Konrrad Gjolajt). Gjithsesi, At Antoni prej vorrit të cilit shtroje i asht dheu i zi e mbuloje djerri me gram , prej vorrit ku hjenat njerzore me qimen e shqiptarit e lëkuren e Moskës mshehën eshtënt e tij , mbasi me gjak shuen etjen , Harapi na flet. Na flet perherë i gjallë prej jetës që nisë me dekë, perherë i gjallë në kujtim që trashigohet me vepra. (At Daniel Gjeçaj , Paraqitje te Andrra e Pretashit fq.XI). Ndërsa unë po e mbyll këtë shkrim duke besuar për një “takim” të tretë (timin) me At Antonton Harapin, por këtë herë në një veprimtari që vlerëson e nderon martirin e papërsëritshëm të binomit Fe e Atdhe , At Anton Harapin…

Filed Under: Histori

Si të dallosh një uzurpator

January 6, 2022 by s p

Marjana Bulku/

Ata hyjnë lehtësisht në mjediset tuaja të punës , organizatës ,etj, pa ndonjë meritë, as vlerë apo kontribut të veçantë. Mesa duket rrugëtimi i tyre ka portë vetëm servilizmin dhe  nepotizmin.

Nuk të shikojnë në sy kur flasin , jo se janë të ndrojtur, por sepse sytë zakonisht flasin , lexohen , kuptohen edhe kur reflektojnë shikime të akullta. Ata nuk dijnë të falenderojnë dhe nuk e njohin mirnjohjen ose maksimumi ndodh  që ta shprehin atë vetëm tek eprori i tyre.

Zakonisht janë mospërfillës me kolegët ose të barabartët e vet aq më keq akoma me vartësit dhe kjo kuptueshëm rrjedh si pasojë e katapultimit të tyre në pozitë pa u testuar asnjë kriter apo cilësi që duhet për të qenë në x detyrë.Janë egoistë dhe kjo nënkupton përjashtimin e meritave të tjetrit, mohimin neglizhimin prepotencën.

Kjo është pjesa më pak e rrezikshme e uzurpatorëve pasi janë vetëm hapat e para të ngjitjes së tyre drejt uzurpimit. Pastaj ata bashkëpunojnë vetëm me intrigantët sepse nëpërmjet tyre i mbijetojnë çdo situate.

Nuk ju pēlqen aspak paqja sociale , përkundrazi i krijojnë konfliktet edhe pa baza, inskenojnë turbulenca , kaos dhe tymnaja sepse zjarri është streha e shpirtit të tyre të parehatshëm. Mund të duken të heshtur, të qetë por kujdes kjo është vetëm dukja sepse tinëzisht ata mund të flasin dhe veprojnë por pa rënë në sy të atyre që dijnë të shohin, flasin dhe komunikojnë me sy.

Ata ia mbyllin dyert e perspektivës dikujt apo shumëkujt që jep nga vetja sidomos ata më të mirët.

Me çfarë metodash arrihet kjo?!

Po rreshtoj disa prej tyre;

1 .Duke ia nënvlerësuar profilin tjetrit.

2.Duke mos i dhënë mundësi të rritet profesionalisht, apo promovohet.

3.Duke ia anashkaluar kontributet, prirjet, meritat.

4.Gosipizmi (marrja nëpër gojë ) pa shkak , pa arsyje thjesht për ta veshur me urrejtje profilin e x personi sidomos kur ai/ ajo premton një të ardhme e sukses.

5.Duke ia pamundësuar çdo mundësi .

6.Tjetërsimi i emrit , krijimi i barrierave të panevojshme .

7. Fshirja , eliminimi, zhdukja me çdo mjet e emrit , rrjedhimisht kontributeve.

Mund të rendisja edhe shumë të tjera  teknika por mendoj se kaq janë mjaftueshëm dhe mendoj se vijnë në ndihmē për ta dalluar që në zanafillë uzurpatorin.

Them që në zanafillë pasi kur të jetë shumë vonë dhe uzurpimi ka ndodhur , efektet përtej këtij fenomeni janë të shumëfishta.

Uzurpimi bëhet i pakthyeshëm ndërkaq dhe faji në këtë rast ështe përtej atij dhe shumë herë mbetet jetim por përgjegjësia padyshim është e të gjithë atyre që e lanë të rritej uzurpatorizmin.

Zhgënjim, joefektshmëri, ulje e besimit dhe mungesë mobilizimi kjo është klima sunduese.

Organizata humbet vitalitetin dhe çfarë êshtë më e keqja stimulohen fenomene që nuk nxisin aspak frymëzim dhe pozitivitet, cilësi dhe efikasitet, besim dhe vullnete të mira, përkundrazi stimulohet dhe rritet paaftësi dhe intrigë , konflikt dhe mungesë besimi e rrjedhimisht cilësi e ulët mendore, njerëzore .

Pastaj vjen një moment, ah ai moment kur uzurpuesi uzurpon vetveten , askush përreth nuk eksiston më ,as besniku, miku , informatori, transformatori .

E gjitha kjo vjen si pasojë e mungesës së refleksionit dhe reagimit individual dhe kolektiv  , analizës së fakteve dhe fenomeneve në sipërfaqe dhe thellësi .

Reflektimi , ky vyrtyt njerêzor që nxit dhe aktivizon mendimin dhe frymën kritike nuk do të thotë gjykim por veprim apo izolim i fenomeneve të tilla që uzurpojnë të menduarit përkundrazi është mënyra më e mirë për tia penguar uzurpatorëve rritjen dhe ngjitjen drejt majave të pamerituara.

Sepse ata nuk dijnë të zbresin, as të dorëhiqen, as të pranojnë se kanë dështuar e as të shikojnë se dikush pêrkrah mundet  ta bëjë më mirë , duhet bërë më mirë  për hir të vetes por edhe të tjerëve , atyre ju mungon altruizmi .

Në shkollat amerikane ka një teori praktike që ia përsëris pareshtur  vetes;” mbaj rreth vetes kolegë të ditur e të trajnuar mirë sepse kurrë s’do jesh i humbur, as ti , as organizata , as komuniteti përreth”

( E përjetuar )

Marjana Bulku

Filed Under: Opinion

MESHARI I BUZUKUT NË DRITËN E HULUMTIMEVE MË TË REJA – ME RASTIN E 467 VJETORIT TË BOTIMIT

January 6, 2022 by s p

Autori i shkrimit prof.dr. M. Ahmeti ne Biblioteken Apostolike te Vatikanit duke studiuar origjinalin e Mesharit te Buzukut
Ilustrimi 1 – Faqja e fundit e Mesharit
Ilustrimi 2 – Ilustrim nga nje flete e demtuar e Mesharit
Ilustrimi 3 – Autograf i M. Roques ne nje flete qe sot ruhet se bashku me origjinalin e Mesharit ne BAV

Meshari i Buzukut është pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane të kohës. – Ky libër është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike. – Ai është shkruar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore. – Meshari, sot ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, në signaturën: Ed. Prop. IV. 244. – Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua kohëve të fundit presidentit të Shqipërisë.

Prof. Dr. Musa AHMETI

Centar for Albanian Studies – Budapest

Meshari i Gjon Buzukut hap një faqe të re një historinë e letërsisë shqiptare. Me të fillon historia e librit të botuar, [të njohur deri sot] në gjuhën shqipe. Andaj është e natyrshme që ky libër të tërheqë vazhdimisht vëmendjen e studiuesve dhe çdoherë t’i provokojë ata të masin forcat intelektuale që të kontribuojnë për zgjidhjen e shumë çështjeve të pazgjidhura, që dalin prej tij. Është e natyrshme, që si i tillë, ta nxisë çdo studiues të merret me të, por jo çdonjëri ka fatin të shënojë kthesë të rëndësishme në studimet buzukiane. Kur nga perspektiva e sotme i hedhim një vështrim studimeve buzukiane, nuk ka si të mos befasohemi me këmbënguljen e studiuesve për t’i ndriçuar çështjet e pazbërthyera që nxit ky libër.

Gjuha popullore filloi të përdoret me kohë në kishat nacionale, jo vetëm në shërbimet kishtare dhe ceremonitë e ndryshme, por edhe në takime me besimtarët si dhe në komunikimin e klerit dhe të rendeve kishtare. Kjo gjë është dëshmuar dhe argumentuar jo vetëm me dokumentet arkivore, por edhe me ruajtjen e teksteve të shumta, disa nga të cilat janë më të hershme se shek. XIV. Kështu që nga periudhat më të hershme, u zhvillua një letërsi [krijimtari] kishtare në gjuhë të ndryshme popullore, e cila si pjesë përbërëse e nevojës së përhapjes së besimit të krishterë, më parë u dëshmua te popujt, gjuha e të cilëve largohej më shumë nga latinishtja, pastaj edhe te popujt romanë dhe në letërsinë e tyre kombëtare. Sipas dëshmive të ruajtura në dorëshkrimet e shumta, kjo letërsi kishtare ka qenë e përfaqësuar në disa forma: në krijime mësimore për klerin si p.sh. manualë, doracakë me karakter të ndryshëm, breviarë, leksionarë, libra lutjesh e lavdesh, mesharë, psalterë, ungjij, si dhe libra të mësimit fetar për të gjithë besimtarët, të njohura si katekizma, tekste të thjeshta letrare, rrëfime për shenjtorët, krijime letrare siç ishin himnet, lutjet, lavdet, tekstet e ndryshme skenike që kanë shërbyer për nevojat e përhapjes dhe ruajtjes së besimit të krishterë.

Rrugëtimi i Mesharit nëpër shekuj

Fati i Mesharit të Gjon Buzukut, që nga botimi e deri në ditët e sotme, është shumë interesant! Ai mban në vete një histori të çuditshme për rrugën e mundimshme dhe tepër të vështirë për t’i përballuar kohës, shkatërrimit fizik, pakujdesisë e humbjes. Si libër u përmend për herë të parë nga autori shqiptar i shek. XVII Pjetër Bogdani, gjë që na bën të mendojmë se deri atëherë nuk ishte i humbur, por përkundrazi konsultohej dhe shfrytëzohej nga prelatët shqiptarë, duke kaluar nga një dorë në tjetrën. Këtë gjë më së miri na e ilustrojnë shënimet e shumta në margjinat e faqeve të ksombllës origjinale.

Gjurmët e Mesharit humbin deri në vitin 1743, kur imzot Gjon Nikollë Kazazi nga Gjakova njofton at Gjergj Guzetën, themeluesin e Seminarit Arbëresh të Palermos, për ekzistencën e një ksomblle të vetme, duke i dërguar atij një fragment të kopjuar të tij: “Antichissimo Missale per antichita tutto straciato“, me shënimin se ruhet në Bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fide [Kolegji për Ungjillizimin e Popujve] në Romë. Në shkrimet e tyre, Mesharin e përmendin edhe rektorët e Seminarit të Palermos, Pal Parrino /1710-1765/ dhe Sepë Krispi /1781-1859/. Mesharit nuk përmendet më deri në vitin 1898, kur e dërgojnë nga biblioteka e Kolegjit të Propaganda Fide në koleksionin e librave Orientale, të kardinalit Stefano Borgia. Bashkë me koleksionin Oriental të kardinal Borgia-s, disa vite më vonë ai bëhet pronë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit, në Vatikan, duke u rregjistruar fillimisht me signaturën: R[accolta] G[enerale] Liturgia. III. 194., /R. G. Liturgia. III. 194./, që disa vite më vonë me signaturë të re, në të cilën ruhet edhe sot e kësaj dite: Ed. Prop. IV. 244.

Imzot Pal Skiroi ishte i pari që bëri të mundur riprodhimin fotografik të plotë të Mesharit në vitin 1909. Pas një pune këmbëngulëse shumëvjeçare, Skiroi bëri transliterimin, transkriptimin fonetik dhe një studim të veçantë për gjuhën e Mesharit, duke e krahasur atë me autorë të tjerë të Veriut të Shqipërisë, veçanërisht me Pjetër Budin. Megjithatë, vepra e Skiroit ka mbetur deri sot e kësaj dite në dorëshkrim dhe e pabotuar, edhe pse me këtë dorëshkrim janë shërbyer Namik Resuli, Eqrem Çabej dhe ne, gjatë hulumtimeve të bëra në Vatikan.

Në vitin 1929, Justin Rrota nxori tri kopje të filmuara të Mesharit, të cilat u depozituan në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ku edhe sot e kësaj dite ruhet një kopje, ndërsa dy të tjerat në Shkodër: njëra në Seminarin e Etërve Jezuitë, ndërsa tjetra në Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, e cila edhe është dixhitalizuar para disa vitesh dhe është në shfrytëzim për të gjithë të interesuarit. Në  vitet ’50 të shek. XX, dy studiues të shquar shqiptarë, E. Çabej dhe N. Resuli, secili në mënyrë të pavarur nga tjetri, e përgatitën për botim, Mesharin, duke vënë në përdorim kriteret e shkencës bashkëkohore, si dhe tri mënyra të riprodhimit të exemplarit origjinal, transkriptimin fonetik, transliterimin dhe fototipinë, të përcjella  me analiza të thukta kritike shkencore.

Namik Resuli e botoi studimin e tij në Vatikan në vitin 1958, në një numër të kufizuar ekzemplarësh, në kollanën e njohur Studi e Testi nr. 199; ndërkohë Eqrem Çabej e botoi në Tiranë në vitin 1968. Edhe pas këtyre botimeve, libri do të njihej vetëm nga rrethe të caktuara specialistësh dhe shkencëtarësh. Në fund të viteve ’90, Meshari depërtoi në masën e gjerë të lexuesve dhe u bë i mundshëm studimi i tij i shumanshëm. Ishte viti 1987, kur shtëpia botuese “Rilindja” e Prishtinës bëri ribotimin integral të tekstit të E. Çabejt, të vitit 1968. Vëmë në pah se, studimet e deritanishme (qoftë ai i Skiorit, apo këto të Resulit, Çabejt e Camajt dhe ky i yni së fundi), kanë disa dallime, që kanë të bëjnë sidomos me interpretimin e vlerave fonologjike të grafemave, të përdorura nga Buzuku, sepse gjuha arkaike, alfabeti i veçantë [grafemat sllave], përdorimi i të njëjtës grafemë me vlera të ndryshme e çështje të tjera, lënë vend për një studim të ri, të mbështetur në metoda të reja shkencore fonologjike, semiotike, analogjike, gjithsesi edhe informatike. Përkundër shumë studimeve, nga specialistë të shumtë, ende shumë gjëra rreth Mesharit kanë mbetur të pasqaruara.

Koncepti zhanror dhe përmbajtja e librit

Çështjet kryesore për diskutim rreth Mesharit janë: përmbajtja e librit dhe koncepti zhanror i tij. Me zbërthimin eventual të këtyre dy çështjeve dominuese do të zgjidheshin edhe disa të tjera, të cilat janë ngushtësisht të lidhura me dy të sipërpërmendurat, sidomos personaliteti i autorit, koha e krijimit të veprës, vendi dhe viti i saktë i botimit si dhe titulli i plotë i librit. Nga këndvështrimi i studimeve të deritashme buzukiane, jemi në gjendje të diskutojmë për shumë çështje të hapura, një pjesë e të cilave janë zgjidhur, kurse një pjesë tjetër pritet të zgjidhen në të ardhmen. Problemi i parë që meriton kujdes të veçantë është vetë Meshari dhe përmbajtja e tij, analiza dhe studimi i tij, si në rrafshin horizontal ashtu edhe në atë vertikal. Krahasimi analogjik me veprat e ngjashme, të botuara para dhe pas kohës  kur u botua Meshari, mund të ndihmojnë në zgjidhjen tërësore ose të pjesëshme, të çështjeve të mbetura.

Mesharit i mungojnë së paku 8 fletët e para. Së bashku me këto fletë, fatkeqësisht, mungojnë edhe: titulli i vërtetë i librit, viti i botimit, vendi i botimit, emri i saktë i autorit ose i përkthyesit, titulli i origjinalit, nga ku janë marrë pjesët që janë përkthyer, leja e botimit, pastaj parathënja, hyrja dhe ndonjë poezi, në formë lavdi, që ishte gjë e zakonshme e kohës në botime të tilla. Mungesa e këtyre të dhënave u ka hapur rrugë studiuesve të shumtë, që të sjellin ide dhe argumente të reja, që nga ato të natyrës tipografike, e deri te ato gjuhësore, me të cilat dëshirohet të zgjidhen çështje shumë të diskutuara, të shkaktuara nga mungesa e të dhënave, të cilat do të duhej të ishin në faqet e para të librit. Natyrisht zgjidhja e problemit të vendit të botimit, do të ndihmonte të zbërtheheshin edhe shumë çështje të tjera të panjohura.

Vendi i botimit i Mesharit të Buzukut

Studiues të shumtë sjellin argumente dhe të dhëna shkencore me të cilat dëshmojnë se Meshari mund të jetë botuar në këtë apo në atë shtypshkronjë, respektivisht, në këtë apo atë qytet, duke u mbështetur kryesisht në fakte që nxirren nga pasthënja e Mesharit, si e vetmja dëshmi e sigurt deri më sot, e cila na sjell të dhëna biografike për autorin e veprës dhe kohën kur u shkrua vepra. Shkak për një gjë të tillë është pohimi i vetë Buzukut se: “ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dy anët më duhee me sherbyem”.

Këto argumente pastaj ndahen në dysh: fillimisht pohohet se libri është botuar në brigjet lindore të Adriatikut. Këtë ide e përfaqësojnë: F. Fishta, M. Domi, J. Rrota, N. Jokli, Dh. Shuteriqi, P. Janura, A. Stipçeviqi, A. Kovaçeci, R. Katiçiqi. Të gjithë këta, marrin si argument ekzistencën e shtypshkronjave të ndryshme dhe botimin e librave, qoftë në gjuhën latine apo në atë sllave. Të tilla kishte në në Shkodër, ku botohet Triodi sllavisht i vitit 1563; në Durrës në vitin 1584; Ulqin ose Tivar, etj., sepse mund të dëshmohet me siguri, se në këto qytete, në atë kohë, kishte edhe shtypshkronja lëvizëse. Përveç kësaj, mundësia e shërbimit të Buzukut në ndonjërën nga famullitë e afërta ose edhe faktori gjuhë, që është e afërt me të folmen e Krajës dhe Shestanit, mund të bëhet një lokalizim i përafërt, që nga rrethi i liqenit të Shkodrës, me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mendimi tjetër, sipas të cilit botimi e Mesharit vendoset në brigjet perëndimore të Adriatikut, përfaqësohet nga M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj, E. Çabej, I. Zamputi, E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani, të cilët mendojnë se libri është shtypur në Venedik. Jovan Tomiqi mendon se libri u shtyp në Napoli.

Në vitin 1968, profesor E. Çabej tërheq vëmendjen në botimin kritik të Mesharit duke thënë që libri dhe autori duhen vlerësuar në kontekstin e rrethanave favorizuese për botimin e këtij libri. Si e rëndësishme mund të llogaritet, çështja e botuesit: Kush mund të ishte meceni, sponsori, porositësi i librit? Ky fakt, hap një çështje të re, e cila domosdo ndihmon të zbërthehet përmbajtja e librit, vendi i botimit, por edhe çështje të tjera, që janë drejtpërdrejt të lidhura me librin, historinë e tij dhe autorin. Duke analizuar nga ky kënd vështrimi këtë çështje, kemi dy mundësi favorizuese për botimin e librit, respektivisht, dy mecenë të mundshëm: a) Vatikani apo ndonjëri nga Kongregacionet e tij dhe b) ndonjëri nga fisnikët shqiptarë, të cilët ishin të shumtë në Itali, si p.sh. Albanët, Engjëllorët, Muzakajt, Kastriotët, Spanët, Matrangët, etj., të cilët edhe më parë, janë kujdesur dhe kanë financuar botime të ndryshme të humanistëve shqiptarë në Itali.

Përsa i takon kohës së botimit, është i pamohueshëm fakti se Meshari nuk ka mundur të botohet para vitit 1555! Këtë gjë na e dëshmon vetë Buzuku, në pasthënien e librit kur pohon: “Ëndë vietët M.D.L.IV., një-et dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit“.

Biografia e Buzukut, me shumë të panjohura

Për biografinë e autorit të Mesharit, disponojmë shumë pak të dhëna. Praktikisht kemi vetëm ato që na i ofron vetë Buzuku në pasthënien e librit, ku pohon se: është i biri i Bdek Buzukut, e asgjë më shumë. Pra mbeten të pandriçuara viti i lindjes, viti i vdekjes, vendlindja, shkollimi dhe shërbimi kishtar në një apo më shumë vende. Përkundër hulumtimeve të shumta të bëra në arkiva dhe biblioteka të ndryshme europiane, nuk kemi arritur të gjejmë as edhe një të dhënë të vetme për Gjon Buzukun. Përjashtohet mundësia që të ketë studiuar në ndonjërin nga kolegjet ekzistuese të kohës në Itali, sepse asnjëri nga librat amzë të studentëve që u arsimuan atje, nuk përmban të dhëna për një student me emër të tillë. Nuk mund të themi asgjë të sigurt as për pozitën e tij kishtare! Një gjë e themi me siguri, se emri i Gjon Buzukut nuk figuron në emrat e relatorëve të kohës. Po ashtu nuk gjendet as në regjistrat e Arkivit Sekret të Vatikanit, as si ipeshkv apo kryeipeshkv. Këto i kemi konsultuar e shfytëzuar me vëmendje të veçantë, me shpresë se do të gjenim ndonjë shënim, por përpjekjet tona, edhe pse për një kohë të gjatë dhe me përkushtimin maksimal, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Duke u mbështetur në gjuhën e Mesharit, studimet gjuhësore kanë ndihmuar deridiku për lokalizimin e vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut! Kjo kërkohet në zonat veriperëndimore gege, që do të ishte: rrethi i Liqenit të Shkodrës me një pjesë të Malësisë së Madhe deri në detin Adriatik. Mirëpo, gjuha e veprës, jo gjithmonë është shprehje e gjuhës së vendlindjes së autorit, sepse ajo, gjuha e veprës, mund të ishte edhe gjuhë e shërbimit. Kështu edhe mbështetja në gjuhën e Mesharit nuk mund të llogaritet si argument shumë i sigurtë për zgjidhjen e problemit të vendlindjes ose vendshërbimit të Buzukut.

Libri në gjendjen ekzistuese është i lidhur me kopertina lëkure, por është shumë i dëmtuar. Ai ka format: 20 x 14 cm dhe ka 94 fletë ose 188 faqe, nga 110 fletë ose 220 faqe sa duhej të kishte. Kanë humbur 16 fletë ose 32 faqe, të paginuara me numra romakë! Përveç faqes së parë [frontespicit] të humbura llogariten edhe fletët 1-8, 27-29, 33-36 dhe 63, që duhej të ishte 73. Përveç kësaj, kemi edhe disa gabime te paginimi i faqeve, si p.sh. f. 49 është shënuar si 39, f. 61 është shënuar si 59, pastaj f. 65 është shënuar në vend të f. 55. I njëjti gabim përsëritet edhe në f. 89 që shënohet si 79 dhe e fundit f. 90 duhet të ishte 110. Në margina të faqeve ka të shënuara me dorë emra, përshëndetje dhe fjalë të tjera në gjuhën shqipe, që i kanë bërë lexuesit e librit. Libri është i shkruar në dy shtylla, me alfabet latin, të tipit gotik dhe ka pesë grafema të tipit sllav, të bosançicës.

Botimi i Mesharit të Buzukut u realizua me qëllime të caktuara. G. Schiro pohon se ai duhej të përmbushte tri kërkesa: a) nevojën e përditshme për shërbime fetare; b) përgatitjen dhe thellimin e njohurive liturgjike të prelatëve shqiptarë dhe c) edukimim fetar masiv, të masës së besimtarëve që ndodhej në kufijtë me Perandorinë Osmane. Këtë qëllim të Mesharit na e pohon edhe vetë Buzuku: “u lus ënbas sodi ma shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi Zot’ynë të ketë mishërier ënbi ju“, duke dëshiruar që kështu të luftonte disa dukuri të këqija, që u kanoseshin besimtarëve shqiptarë, “lëkundjes nga besimi i moçëm” me anë të reformës dhe islamizimit, që siç pohon E. Çabej: “Po bënte përparimet e para në vend”. Nëse përjashtojmë reformacionin, Kisha Katolike që në shek. XIII kishte lejuar përdorimin e gjuhëve kombëtare. Mund të sillen të dhëna të shumta, që nga papa Inocenti IV, i cili në vitin 1248 u kishte lejuar kroatëve të ishujve të Kvarnerit dhe të Dalmacisë ushtrimin e liturgjisë në gjuhën e tyre kombëtare, në gjuhën kroate, por edhe botimin e librave fetare me alfabet glagolik.

Të dhëna të tërthorta flasin se Vatikani ka pasur si qëllim që me këtë libër të forconte besimin e lëkundur tek shqiptarët, si nga lëvizja reformiste (protestantizmi) e heretike [bogumilizmi], ashtu edhe nga konflikti i ashpër kishtar ndërmjet dy kishave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit, që ishte mjaft i theksuar në atë kohë në Ballkan. Përmbi të gjitha këto ishte edhe rrezikur i madh dhe real i përhapjes së islamizmit, përhapje kjo mjaft shqetësuese për Vatikanin.

Meshari i Buzukut – korelacione me botime të ngjashme të kohës

Në studimin e tij, Eqrem Çabej pohon se: “Meshari, veç ndonjë fraze vetiake t’autorit hedhur tek-tuk nëpër tekst, është fund e krye përkthim“. Prof. Çabej anashkaloi punën e Mario Rokut, i cili kishte bërë krahasime me libra të ngjashëm boshnjakë. Ky i fundit kishte nxjerrë përfundime se Meshari ishte një kombinim i një Meshari me elemente të një horologu, me pjesë të një katekizmi e të një rituali françeskan analog, me një horolog sllavisht, libër oficiesh e uratash që ishte në përdorim në Bosnjë nga viti 1512. Çabej u thellua në analizën e tekstit të Mesharit shqip, duke e krahasuar atë me botime të ngjashme latine e italiane, p.sh. me botimin e Venedikut nga viti 1598, por edhe me botime të mëvonshme të ritit lindor, të të dy ungjijve. Çabej thekson se për të arritur rezultatet e dëshiruara është e domosdoshme të konsultohen edhe botime më të hershme se Meshari shqip, sidomos ato që ishin në përdorim “para Koncilit Tridentin“, të arealit gjuhësor gjeografik të Bosnjës, Kroacisë e Dalmacisë, pastaj përmend edhe reçensionet e M. Reshetarit, por edhe botimin e F. Fancevit të lutësorëve e psalterëve kroatë, nga shek. XIV dhe XV-të, të Raguzës, me të cilët, mund të afrohet Meshari shqip.

Ne, fillimisht krahasuam Mesharin shqip me “Lutësorin kroat të Vatikanit”, origjinali i të cilit duhet në dorëshkrim në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ne kemi pasur privilegjin të shfrytëzonim për konsultim si origjinalin, ashtu edhe botimin e mëvonshëm. Pastaj kemi konsultuar edhe “Psalterin dubrovnikas” në origjinal, i cili ruhet në Bibliotekën e Kuvendit Françeskan (OFM), në Dubrovnik. Pas krahasimit arritëm në përfundimin se pjesët e para të Mesharit të Buzukut, janë plotësisht identike me tekstin e “Lutësorit kroat të Vatikanit” deri në fund të kapitullit të VII-të, të “Shatë psallmeve pendëstare”. Pjesa tjetër e Mesharit shqip është deri diku identike me “Officium Beatae Mariae Virginis”. Përveç këtyre, krahasuam Mesharin shqip me dy mesharë të tjerë kroatë nga vitet 1483 dhe 1494 si dhe me “Leksionarin e Bernardinit” të vitit 1495. Më në fund, duke pasur parasysh traditën e pasur humaniste të shqiptarëve në bregdetin dalmat, si një rezultat i një procesi të gjatë kohor, në raportet kulturore shqiptaro-kroate, që daton shumë më heret se shek. XIV, konsultuam edhe “Mesharin e Verbnikut”, që ishte botuar me urdhër të kryeipeshkvit shqiptar të Senjit, Ndreut nga Durrësi, nga viti 1458. Mund të pohojmë se tradita e shkrimit shqip para Buzukut ishte në vazhdimësi, gjithnjë duke pasur parasysh edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë prelatët shqiptarë të bregdetit të Adriatikut, qoftë në qytetet shqiptare, qoftë në ato dalmate. Nga këto krahasime nxorëm përfundimin se Meshari i Buzukut, aq sa ndjek tekstet e ngjashme liturgjike të kohës, aq edhe largohet prej tyre.

Nëse Mesharin e Buzukut e studiojmë me vëmendje, do të bindemi se ai, jo vetëm që është përfaqësuesi më i denjë dhe më tipik i tendencave letrare e fetare të kontinentit europian të kohës, po ai është edhe pjesë përbërëse e kontributit shqiptar në rrjedhat krijuese letrare europiane. Mungesa e të dhënave dhe e dokumenteve të kohës, na e vështirëson punën për të dhënë gjykime të sakta dhe përfundimtare, por shpresojmë se në të ardhmen, edhe kjo çështje do të ketë zgjidhje të favorshme.

Meshari i Gjon Buzukut, është meshar i plotë, sipas traditës së Kishës Katolike me përmbajtje, renditje, manifestime dhe infiltrime të njëjta të Kishës Universale. Ai është ndërtuar sipas mjedisit ku është krijuar, pra mbart shumë elemente lokale e kombëtare shqiptare, të cilat vërehen hapur në kultin e shenjëtorëve lokalë e rajonalë, zakonet vendase dhe traditën e pasur fetare shekullore.

Kohëve të fundit studiuesja italiane nga Venediku, Lucia Nadin, pas hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore në arkiva e biblioteka të Venedikut, sjell në vemendje se libri i Gjon Buzukut, Meshari, u shtyp në Venedik. Sipas kësaj autoreje, ky libër qarkulloi dhe u përdor në këtë qytet nga priftërinj shqiptarë në kishat shqiptare të Venedikut dhe u përdor edhe në Scuola degli Albanesi. Edhe pse një pohim i tillë mund t’i afrohet të vërtetës, autorja ende nuk është as vetë e bindur përfundimisht për një gjë të tillë. Mbetet që studimet e ardhëshme ta ndriçojnë këtë problematikë.

Pas qindra vitesh, ksomblla origjinale e Mesharit të Buzukut erdhi në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012. Meshari i Buzukut u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare dhe u vizitua nga mijëra shqiptarë e të huaj, por sigurisht duke respektuar kushtet e sigurisë, që nënkuptojnë vetëm shikimin e tij përmes kutisë së xhamit, në të cilën ndodhej. Edhe pse në Shqipëri, studiuesit shqiptarë nuk arritën ta shfletojnë apo ta prekin atë, kështu që ai u kthye pas në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, i pastudiuar, si në aspektin paleografik, të cilësisë së letrës, të ngjyrës së shkronjave, të peshës së letrës, të rrjetit të letrës dhe të shenjave të ujit, të filigranes. I vetmi që i ka bërë një studim sipërfaqësor shenjave të ujit dhe ngjyrës së letrës ishte Martin Camaj, studim ky që lë për të dëshiruar. Një kopje e riprodhuar në mënyrë anastatike, e cila është punuar nga laboratori i BAV-Vatikan, iu dorëzua presidentit të Shqipërisë, kohëve të fundit. Ajo gjithashtu zgjoi interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar, kur u ekzpozua për disa orë në presidencën e Shqipërisë. Sipas njohurive tona, kopje të tilla, të riprodhuar në mënyrë anastatike, mund të porositen në BAV, por sigurisht me një çmim mjaft të lartë. Kjo kopje është riprodhim identik, por i mungojnë filigranes, rrjeta dhe pesha e letrës, që sigurisht nuk janë më të shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo është e ngjashme me kopjen e riprodhuar anastatike të Kuvendit të Arbrit të vitit 1706, që e ka ish-ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, z. Zef Bushati.

Filed Under: Featured

STRATEGJIA E PRESIDENTIT PUTIN PËR TË DËMTUAR DEMOKRACITË NË EUROPË DHE NË BOTË

January 5, 2022 by s p

PhD Dritan Demiraj

Xi Jinping backs Vladimir Putin against US, NATO on Ukraine

Para së gjithash vlen të përmendet se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit.  

Vladimir Putin.

Nëse do të dëshiroja, për dy ditë forcat ruse mund të shkojnë jo vetëm në Kiev, por gjithashtu edhe në Riga, Vilnius, Tallin, Varshavë dhe në Bukuresht. 

Vladimir Putin.

Vladimir Putini është një nga presidentët më jetëgjatë të këtij shekulli. Ai është një autokrat i dhunshëm, llafollog i madh, njohës i shkëlqyer i gjeostrategjisë dhe i gjeopolitikës, një ish spiun me eksperiencë në luftën dhe operacionet e fshehta, politikan me influencë të madhe në botë, multibilioner dhe super i korruptuar.  

Që në momentin e emërimit të tij në krye të Federatës Ruse në fund të vitit 1999, ai filloi një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë strategjik për herë të parë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Objektivi i tij është që bota të mos jetë njëpolare (pra në botë të mos jetë vetëm SHBA superfuqi e vetme), të prishë rendin botëror në mënyrë të veçantë në Europë dhe ta zëvendësojë atë me mbizotërimin e fuqisë së Rusisë nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë, fuqisë së fortë, luftës së parregullt, luftës hibride, luftës kibernetike, keqinformimit, luftës me intensitet të ulët, luftës së parregullt, përdorimit të fuqisë ekonomike, fuqisë ushtarake duke përdorur forcën dhe diplomacinë aktive. 

Por kjo nuk mund të realizohet fillimisht pa nënshtrimin e fqinjëve që ndodhen në kufijtë e tij dhe integrimit të tyre në sferën e sistemit politik dhe ekonomik rus, neutralizimin e Europës dhe dobësimin në maksimum të marëdhënieve transatlantike të tyre me SHBA-të. Në të njëjtën mënyrë, strategjia ruse ka si qëllim provokimin dhe përhapjen e serive të ndryshme të krizave globale, të cilat dobësojnë rolin dhe aftësitë e perëndimit dhe dëshirën e tij për të influencuar në çështjet globale, ndërkohë që në të njëjtën kohë promovon interesat e Rusisë dhe të aleatëve të saj. 

Sigurisht në rast se analizon me kujdes intervistat dhe deklaratat e tij, ato nuk shfaqin asnjë ambicie përtej ‘kufijve’ të tij. Por vizioni i Putinit për të ardhmen e botës është bërë i qartë nga një model i qëndrueshëm i sjelljes përçarëse me përdorimin e forcës dhe intrigave diplomatike, keqinformimit të publikut, sulmeve të fshehta, luftës së parregullt, goditjes, helmimit dhe vrasjes së kundështarëve të tij politikë, etj të cilat demonstrojnë qartazi strategjinë e tij për të ringritur Rusinë si një fuqi botërore. Putin e shikon Europën lindore në të ardhmen nën kontrollin e Moskës dhe të integruar në sferën e influencës kulturore, ekonomike dhe politike të Rusisë, në të njëjtën mënyrë po përpiqet në maksimum që edhe Europa Perëndimore të jetë e varur nga enegjia ruse, një politikë izoluese dhe më e rëndësishmja anti-amerikane.  

Drejtuesit Europianë deri tani janë shfaqur të verbër sa i përket strategjisë së tij të largët. Presidenti Obama iu përgjigj pa forcë pushtimit të Krimesë në vitin 2014, duke e paralajmëruar Putinin se: “Ju jeni në anën e gabuar të historisë”, ndërkohë duhet pranuar se Putini po shkruan “historinë” e tij. Në këtë kontekst, autori i shquar amerikan Ralph Peters jo pa të drejtë ka shkruar se: “Obama flet, Putini vret”. Në këtë këndvështrim gjykoj që është e rëndësishme të nënvizojmë se konfliktet dhe luftërat ndërkombëtare që ka realizuar deri më sot Putini kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se të 12.000 jetëve civile dhe ushtarake. 

Deri më sot Putini nuk ka shfaqur asnjë shenjë që të tërhiqet nga objektivat e tij, ndërkohë që sasia e trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën ka kaluar 110.000 ushtarë përfshirë këtu edhe teknikën më të avancuar të luftës, ndërkohë që ai pas saj sytë i ka drejt izolimit të vendeve Baltike edhe pse ato janë anëtare të NATO-s dhe BE-së.  

Në këtë këndvështrim, gjykoj se është e rëndësishme që drejtuesit tanë dhe jo vetëm të kuptojnë në thellësi dhe në gjerësi se çfarë po planifikon Putini në Ukrainë, Bjellorusi, vendet Baltike, Moldavi, Kauzaz, Suedi, Norvegji, Ballkan, Europën Qëndrore, Azinë Qëndrore, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, SHBA dhe në Azinë juglindore. 

Ky shkrim dhe disa të tjerë pas tij do të kenë si objektiv shfaqjen e planeve të tij për të ekzekutuar në çdo vend, rajon dhe në sferën globale. Gjykoj se do të ishte e udhës që të analizojmë se çfarë ka arritur deri më sot, çfarë po planifikon në ditët e sotme dhe cilat janë planet afatgjata në të ardhmen në këto shtete dhe rajone? 

Planet e tij afatgjata përfshijnë zbatimin e luftës së parregullt, të kombinuar me masat aktive (aktivnyye meropriyatiya), luftën asimetrike (asimetrichnym), konfrontimin informativ (informatsionnoye protivoborstvo), mohimin, mashtrimin (maskirovka) dhe strategjinë e gjeneralit Gerasimov: “Doktrinën Ushtarake Gerasimov” ose “Luftën e Gjeneratës së Re” e cila nënkupton implementimin e një strategjie dhe modeli të ri operacionesh ushtarake, pasi rregullat e sotme të luftës kanë ndryshuar. 

Me urdhër të gjeneralit Gerasimov, agjencitë ruse kanë shfrytëzuar gjithashtu organizatat në hije për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve të informacionit, sulmeve kibernetike dhe operacioneve luftarake, duke përfshirë kompanitë private ushtarake si Wagner Group, Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), Kaspersky Lab, rrjete dhe persona në internet të quajtura “Guccifer 2.0”, etj. 

Në vitin 2021, vlerësimi i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se: “Presidenti rus Putin autorizoi një sërë organizatash qeveritare ruse të realizojnë operacione influencuese që synonin ….. cënimin e besimit të publikut gjatë procesit zgjedhor dhe përkeqësimin e ndarjeve sociopolitike në SHBA”. Në të njëjtën kohë, agjencitë ruse të inteligjencës kanë financuar rrjete të supermacisë së bardhë dhe rrjete të tjera të së djathtës ekstreme në SHBA dhe jashtë saj, kryesisht përmes grupeve frontale duke përhapur propagandë të supermacisë së bardhë dhe të tjera të ekstremit të djathtë në internet dhe media sociale përmes mjeteve klandestine….

Sipas Putinit dhe Gerasimov aktorët dhe mjetet jo ushtarake janë të rëndësishme për të arritur objektivat politike, strategjike dhe në shumë raste ato kalojnë edhe fuqinë e përdorimit të armëve dhe efektivitetin e tyre”. Kjo do të bëjë që në të ardhmen disa prej këtyre vendeve dhe rajoneve të kthehen në një rend tjetër të ribërë sipas vizionit të Putinit dhe padyshim që në këtë moment konseguencat e paqes globale, prosperitetit dhe sigurisë së Botës do të jenë në rrezik potencial. 

Si përfundim, pikërish duke patur parasysh fuqinë ushtarake, ekonomike, diplomatike, informative, të inteligjencës dhe aleatët e SHBA-ve si NATO-n, BE-në etj nëpër botë, me qëllim arritjen e objektivave të tij afatgjata strategjike Vladimir Putini ka afirmuar edhe një herë aleancën me “mikun” e tij të ngushtë sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Qëndror të Kinës presidentin Xi Jinping, me Iranin dhe disa shtete të tjera.  

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT