• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

KODORKOVSKI, ISH OLIGARKU I PËRFUNDUAR NË GULAG: “PUTINI ËSHTË  NJË KRIMINEL, DO TË NDALOHET VETËM ME FUQINË USHTARAKE”

March 31, 2022 by s p

Nga FEDERICO FUBINI/

Në 2003 Kodorkovski ishte dyzet vjeç, një pasuri të vlerësuar në pesëmbëdhjetë miliardë dollar dhe kontrollin e gjigandit të naftës Jukos, i përfunduar në duart e tij në xhunglën e privatizimeve ruse të viteve 90. Sot, që është pothuaj gjashtëdhjetë vjeç, është një i mbijetuar kushteve të gulagut gjatë një dhjetëvjeçari burgu me dënime për mashtrim dhe evazion fiskal, mbasi kishte kërkuar t’organizonte një forcë kundërshtare të pushtetit të Vladimir Putinit. Që nga 2013 diktatori I Kremlinit e ka liruar dhe sot Kodorkovski, duke punuar nga Londra, është pa dyshim disidenti kryesor rus në mërgim. Në këtë rol i foli Corrieres rusisht e nëpërmjet një përkthyeseje. 

Juve e keni takuar shumë herë Putinin njëzet e më shumë vite më parë, kur ju ishit një sipërmarrës i madh dhe ai ishte kryeministër ose në  mandatin e tij të parë si president. A e gjeni të ndryshuar shumë apo shihni një vazhdimësi?

“Nuk kemi qënë kurrë shokë, nuk mund të them se e kam njohur nga afër. Un isha në drejtimin e një sipërmarrje të madhe dhe Putini ishte president, kishim marrëdhënie profesionale. Në dukje është ndryshuar, po. Njëzet vite pushtet e kanë ndryshuar dhe në këtë drejtim rasti i tij nuk është i vetëm. Sot i lejon vetes të bëjë gjëra që më parë nuk guxonte. N’atë kohë sillej në mënyrë më normale, njihte qënien e disa caqeve. Por në thelb është gjithmonë ai. Ishte një kriminel e ka mbetur i tillë. Ka mendësinë e një përfaqësuesi të krimit të organizuar. Është ajo që drejtuesit perëndimorë nuk e kanë kuptuar kurrë, nuk e kuptojnë tani e – më vjen keq – por simbas mendimit tim nuk do t’a kuptojnë kurrë”.

A mendoni se ka ndryshuar sepse është i rrethuar nga njerëz që e kanë frikë dhe nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën?

“Pa dyshim agresioni kundër Ukrainës ka qënë frut i një përceptimi të gabuar e i një të vërtete të shtrembëruarî

Disa në Perëndim dhe n’Itali thonë se përgjegjësia e kësaj lufte është edhe e NATO-s, sepse paskej shkaktuar kundërveprimin e Rusisë, duke premtuar të shtrihej edhe n’Ukrainë. E bashkëndani?

“Nuk mendoj se Putini ka patur frikë nga zgjerimi i NATO-s n’Ukrainë. Ai e urren NATO-n por nuk i frikësohet. Më shumë është i pushtuar nga një lloj misioni mesianik: është i zaptuar e kuptohet nga fakti që ka bërë të vihet para Kremlinit shtatoren e princit Vladimir (shtatorja e lartë 17,5 metra e Vladimirit të Madh, zotëria e Novgorodit dhe Kievit, ndërmjet viteve 980 dhe 1015 mbas Krishtit, sh.i red.)

Doni të thoni se Putini njëjtësohet me mbretërit dhe Carët e historisë ruse?

“Është një mendësi dhe përsosmërisht normale për një kriminel në moshë pensioni. Njerëzit e këtij soji përfundojnë të pushtuar nga një ide e vetme, nga një mision që i zotëron. Njëzet vite më parë ishte më i arsyeshëm”.

Tani, edhe nëse do t’arrinte të thyente ushtrinë ukrainase e të hynte në Kiev e në qytetet e tjera të mëdha, pushtimi i Vëndit duket i papërballueshëm. Si besoni se do të zhvillohet kjo luftë?

“Janë dy skenarë. Në të parin nga ana perëndimore detyrohet një no-fly zone dhe Ukraina arrin të qëndrojë. Në këtë rast Putini do të humbasë pushtetin brënda dy vitesh”.

Por qeveritë perëndimore nuk kanë ndërmënd të detyrojnë një no-fly zone, sepse do të shtohej rreziku i një përplasjeje të drejtpërdrejtë me ushtrinë ruse e pra një lufte të tretë botërore, a është kështu?

(Psherëtin). “Ky është gabimi themelor i Vëndeve aleate. Udhëheqësit e Vëndeve evropiane mendojnë se kanë të bëjnë me një shtetist që arsyeton si ata. Ndërsa ai funksionon në një mënyrë krejtësisht të ndryshme: mendon si një kriminel. Nëse një krimineli ti i tregon dobësinë tënde ai nuk ndalet: do të vazhdojë gjithënjë të shkojë përpara. Është pikërisht ajo që Putini po bën. Fakti që Perëndimi nuk po vepron e nxit të shtyhet gjithmonë e më tutje”.

Po skenari i dytë kush është?

“Nëse gjithshka shkon si në këtë çast, ai do të pushtojë Ukrainën dhe pastaj do të jetë një guerrilje partizane qëndrese. Përfundimi do të jetë që gjëndja ekonomike e Rusisë do të jetë gjithnjë e më shumë e poshtëruar. Nga Ukraina do t’arrijnë gjithënjë e më shumë arkëmorte të ushtarëve rusë dhe morali i popullsisë në Rusi do të përkeqësohet gjithënjë e më shumë”.

Çfarw do të bëjë Putini në një situatë të tillë?

“Janë tre raste të këtij lloji në historinë e tij. Në 2008, në 2014 e tani në këtë gjëndje, ai ka shpërthyer gjithmonë luftëra të reja mbas atyre që kishte bërë. Edhe këtë herë do t’a bëjë, një luftë e re: do të jetë e katërta”.

“Mund të jenë Vëndet Balltike. Mund të jetë Polonia. Jo Moldavia sepse është tepër pak për dëshirat e tij”.

Pra ju thoni se po nuk u bllokua me një no-fly zone tani, do të sulmojë një tjetër Vënd makar mbas dy o tre vitesh?

“Besoj se proçesi këtë herë do të jetë më i shpejtë, nuk do të presë tre vjet. Moldavia do të gëlltitet që në këtë fushatë ushtarake. Përsëris, fushata tjetër do të jetë o mbi Poloninë o mbi Vëndet Balltike”.

A mendoni se mund t’a fillojë menjëherë mbasi të ketë marrë, me gjasë, kontrollin e Ukrainës?

“Mbas pushtimit të Ukrainës do të presë për pak kohë që morali i popullsisë ruse të ngrihet pak. Por do të jetë një fazë kalimtare. Do t’a përdorë këtë periudhë për të riorganizuar ushtrinë e pastaj do të hidhet në një fushatë të re mësymjesh, kur morali në Rusi të fillojë të zbresë. Atëherë do të niset agresioni i ri”.

Qeveritë evropiane besojnë në faktin se sanksionet kundër Moskës do të jenë aq të ashpra, sa shpejt a vonë, regjimi nuk do të jetë në gjëndje të përballojë pushtimin e Ukrainës dhe elitat ruse do të ngrenë krye kundër Putinit. Ju a i besoni?

“Kam përshtypjen se elitat perëndimore n’universitet nuk kanë studjuar mirë historinë e luftës së dytë botërore. Po sillen saktësisht siç bënë përballë Hitlerit e e dijmë të gjithë se ku çoi ai qëndrim. Në regjimet diktatoriale, sipërmarrësve të pasur nuk u shkon fjala dhe nuk kanë fuqi politike të mjaftueshme për të imponuar një ndryshim në majë. Tek ne është diktatura. Të gjithë këta sipërmarrës që sot i shohim të goditur nga sanksionet për Putinin nuk janë asgjë. Janë shërbëtorë. Nuk janë në gjëndje të bëjnë asgjë, dijnë vetëm të shërbejnë”.

Pra përgjigja me sanksione nuk mjafton, as duke vënë në embargo naftën dhe gazin rus?

“Çasti i sanksioneve ka mbaruar. Jam i bindur se faza në të cilën mund të zgjidhej problemi me sanksione është mbas shpatullave. Tani jemi përballë një alternative: ose i jepet Putinit një demostrim fuqije ushtarake, që të bëjë të mundur bisedimet e vërteta; përndryshe , në mungesë të këtij demostrimi force, ai do të vazhdojë të shkojë përpara, deri sa të ndeshet në një qëndresë të tipit ushtarak”.

Shumë veta mendojnë se Putini në të vërtetë po humbet, sepse nuk do t’arrijë të mbajë pushtimin e Ukrainës në darën e krizës ekonomike të detyruar Rusisë nga sanksionet. Çfarë ju bën të mendoni të kundërtën?

“Nuk e marr vesh sepse njerëzit në Perëndim mendojnë se populli në Rusi nuk mund të luftojë, kur të jetë varfëruar më shumë. Putini do të arrijë lehtësisht  t’a bindë  popullin e varfëruar të luftojë. E për të luftuar paratë do të mjaftojnë”.

Në fillim të luftës ju thonit se skenari i një qëndrimi në pushtet i Putinit edhe për dhjetë vite të tjera tashmë bëhej më pak i mundshëm. Përse tani jeni më pesimist?

“Shoh se si kundërvepron Perëndimi. Kuptoj se nëse Putinit nuk i bëhet qëndresë, bëhet më pak e mundur t’arrihet të ndalohet. Mos më keqkuptoni, jam i bindur se mund të frenohet. E duhet të ndalohet. Në Rusi, një diktator që humbet luftën nuk mund të qëndrojë gjatë në shalë. Kam menduar gjithmonë e vazhdoj të mendoj se Ukraina mund të ndalojë Putinin me ndihmën e Perëndimit”.

Shtresat e mesme të Moskës dhe Shën Peterburgut po gjinden të zhytura në një klimë varfërie dhe autokracie prej Bashkimi Sovjetik. Deri edhe vetë familiarët e njerëzve në pushtet protestojnë, siç ka bërë bija e zëdhënësit të Kremlinit Dmitri Peshkov. A me të vërtetë e gjithë kjo nuk ka asnjë lloj rëndësie?

“Kemi të bëjmë me një rast tipik të diktaturës. Këto pseudo elita vlejnë pak. Vlenin deri sa formonin bazën e miratimit të Putinit. Sot, si çfarëdo diktatori, ai kalon mbi kokat e tyre e i thotë popullit: “jemi në rrezik, të gjithë na kërcënojnë, duhet të mbrohemi”. Dhe populli i beson. Madje është i gatshëm të shtrëngojë rrypin për këtë. Ndërsa për përfaqësuesit e elitave, nëse protestojnë kundër një diktatori që shpall se don të mbrojë popullin, asgjësohen. Pozita e Putinit në Rusi do të lëkundet nëse humbet luftën dhe në sytë e njerëzve të zakonshëm nuk do të ketë qënë i aftë të mbronte popullin. Është aty që një diktator humbet pushtetin: kur humbet luftën”.

Pra, nuk ka alternativë kundrejt një zotimi ushtarak të Perëndimit?

“Sot, nesër e pasnesër, për dy javë, deri sa ushtarët ukrainas do të vijojnë të luftojnë, Perëndimi mund t’i ndihmojë pa u futur detyrimisht në luftë. Por mbas tre javësh ky çast do të jetë i humbur. Dritarja e mundësive do të jetë e mbyllur”.

Të vendoset no-fly zone nuk është si të hyhet në luftë?

“Jo: nuk do të thotë hyrje në luftë, edhe se disa politikanë kanë frikë se mund të jetë”.

Juve, duke organizuar lëvizjen Open Rusia, jeni vënë në qendër të një nisme të bashkërendimit ndërmjet disidentëve rusë në mërgim. Çfarë ndikimi do të arrini të keni në brendësi të Vëndit tuaj?

“Ne punojmë me ata që në këtë çast mbeten në Rusi. Inkurajojmë njerëzit të manifestojnë nëpër rrugë, i drejtohemi atyre nëpërmjet kanaleve social dhe milionë njerëz shohin programet tona. Kërkojmë të shpjegojmë si qëndrojnë me të vërtetë gjërat. E, sigurisht, punojmë shumë edhe me të ikurit rusë”.

A po kërkoni të organizoni  një qeveri në mërgim?

“Sot për sot komiteti kundër luftës ka një qëllim më të kufizuar: duam të veprojmë për të ndaluar luftën. Nuk e përjashtoj se ky komitet ose një pjesë e tij, në një farë pike mund të marrë një rol më të gjërë”.

U shqetëson rusofobia ose racizmi kundrejt rusëve në Perëndim?

“Kombëtarizmi nuk ka sjellë asnjëherë ndonjë gjë të mirë. Të ndahen njerëzit mbi bazën e kombësive është gjithmonë një gabim i pafund. Njerëzit janë të ndryshëm dhe është e rëndësishme të kuptohet se çfarë mendojnë, çfarë qëndrimesh kanë. Nëse rrjeshtohen kundër luftës, kundër regjimit të vrasësve, atëherë janë njerëz të mirë që nuk duhen diskriminuar. Nuk ka rëndësi se kujt kombësie ose etnie i përkasin”.

Oligarkë si Roman Abramoviç, Mihail Fridman dhe Oleg Deripashka janë shprehur kudër luftës. Juve jeni në kontakt me ta ose të tjerë afaristë?

“Në këtë gjëndje nuk mjafton qënia kundër luftës. Të qënit kundër luftës mund të thotë edhe të kërkohet dorëzimi i Zelenksit. Një pjesë e këtyre njerëzve e shpjegon pozitën e tyre saktësisht me këto terma. Cilido që nuk është i gatshëm të njohë se ai që ka kryer krime lufte këtu është Putini, që regjimi i tij është kriminal, atëherë qëndron nga ana tjetër e barrikadës”.

Kur ju ishit aktiv si afarist,kishte shpresa të mëdha se Rusia do të kishte patur një kalesë drejt demokracisë. Çfarë nuk ka shkuar mbarë? A ka qënë vërtetë faji i Putinit apo ka patur tepër përqëndrim në duart e pak njerëzve?

“Problemi kryesor ka qënë dëshira për të kryer reformat drejt demokracisë shumë shpejt, e viktima kryesore u bë vetë demokracia. Kjo ka ndodhur më 1993, kur Boris Jelcin (atëherë presidenti rus, sh. i red.) hapi zjarrin kundër selisë së parlamentit, Shtëpisë së Bardhë. N’atë çast un isha në krahun e Jelcinit, por po gabonja”.

A e keni idenë se sa i rrezikshëm mund të jetë Putini për ju?

“Prej shumë vitesh jetoj në një gjëndje në të cilën mund të më vrasë në çdo çast. Kur është kështu, ose do të vazhdosh të jetosh ose do të jesh i detyruar të fshihesh. Un nuk jam i gatshëm të fshihem”.

Por siguria e juaj vetiake nuk ju shqetëson?

“Është diçka me të cilën duhet të bashkëjetoj”.   

“Corriere della Sera”, 15 mars 2022     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste

BASHKIA GJIROKASTËR VLERËSON ME CERTIFIKATË MIRËNJOHJE ATDHETARIN QERIM HAXHIU

March 31, 2022 by s p

Në muajin mars 2022 Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Z.Flamur Golemi vlerësoi me Certifikatë Mirënjohje atdhetarin Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për veprimtarinë  e spikatur patriotike për mbrojtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar si dhe kontributin e dhënë për çështjen kombëtare jashtë atdheut”.

Në datën 30 mars 2022 në sheshin përpara Shkollës së Parë Shqipe “Liria” në Gjirokastër iu dorëzua Certifikata e Mirënjohjes Z.Kevin Haxhiu nga Drejtori i Drejtorisë së Turizmit,Trashëgimisë dhe Sporteve në Bashkinë Gjirokastër Z.Blerim Kore.

Vlerësimi nga Bashkia e Gjirokastrës është një prej vlerësimeve që i janë bërë atdhetarit të shquar Qerim Haxhiu.

-Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020),Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020 vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare,zoti QERIM HAXHIU mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë.Në Egjiptin e largët,ku jetoi e punoi ,për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël,bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”.

-Në muajin shtator 2020 Shoqata Çamëria Kosovë vlerësoi me Çertifikatë “Mirënjohje” me motivacionin: -“Per kontribut atdhetarë” (pas vdekjes ) atdhetarin Qerim Haxhiu në vitin e 100 vjetorit të lindjes së tij (1920-2020).

-Në muajin shtator të vitit 2021 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderoi me vlerësimin më të lartë “Mirënjohja e Artë” Z.Qerim Haxhiu (pas vdekjes) me motivacionin:-“Për kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare jashtë atdheut,ruajtjen e identitetit shqiptar,ruajtjen e gjuhës shqipe,mbështetjen e studentëve shqiptarë në Egjipt dhe lidhjet e vazhdueshme me Vatrën dhe Gazetën “Dielli””.

ATDHETARI QERIM HAXHIU lindi më 7 shkurt 1920 në Lushnjë,në një familje qytetare,fisnike,patriotike të Lushnjes.Djali i patriotit të shquar shqiptarë Bajram Haxhiu i cili ishte një nga Anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i legjendës së sportit shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu.Në vjeshtën e vitit 1938 Qerimi u nis nga Lushnja me tranzit në Selanik dhe mbërriti në Aleksandri.Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe gjerë sa ndërroi jetë por në vitin 1967 arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe.Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt,por me shpirt e zemër ishte gjithmonë në Shqipërinë Etnike.Ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun Shqipërinë dhe çështjen kombëtare në gazeta,revista të diasporës shqiptare të Egjiptit.Qerimi e kishte pasion letërsinë që në rininë e tij të hershme ndaj dhe shfletonte pothuajse të gjitha botimet që dilnin në atë kohë.Ai gjithashtu ka shkruar dhe poezi nga më të ndryshmet.Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve,peticioneve të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare.Qerim Haxhiu ishte atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit dhe gjithë jetën dhe veprimtarinë patriotike ia kushtoi atdheut Shqipërisë,Kosovës,Çamërisë dhe të gjithë trevave shqiptare.Haxhiu ishte antikomunist i flakët,demokratë dhe nacionalist i madh.Qerim Haxhiu kishte njohuri të thella për historin shqiptare dhe gjithnjë fliste për Rilindasit e gazetat që ata botuan,të cilët kontribuan në zgjimin dhe ndërgjegjësimin kombëtarë të shqiptarëve të Egjiptit.Në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951),atdhetari Qerim Haxhiu mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e Çajupit,gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit,në varrin e Andon Zako Çajupit në Egjipt.Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit Qerim Haxhiu ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit qe i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë.Patrioti Qerim Haxhiu ka mbajtur lidhje të vazhdueshme në të gjallë të tij me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA” dhe ishte i abonuar në Gazetën “DIELLI”.Gjithashtu Qerimi ka bashkëpunuar me Drejtuesit e Vatrës edhe në një projekt historik të Diasporës Shqiptare në Egjipt,projekt që e ndërmori “Vatra” dhe që u realizua nga Qerim Haxhiu në bashkëpunim me studentët shqiptar në Egjipt.Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Kairo ishte një mjedis totalisht shqiptarë në tokë të huaj.Biblioteka e Qerim Haxhiu-t ishte burim dijesh dhe e njohur nga të gjithë ata të cilët (kryesisht studentët shqiptarë me studime në Kairo,me origjinë nga Shqipëria,Kosova,Çamëria dhe nga të gjithë trevat shqiptare) që kishin vizituar patriotin dhe kishin lexuar libra nga biblioteka e tij apo edhe ishin këshilluar me të për çështjet atdhetare.Biblioteka përbëhej nga një literaturë e çdo lloji dhe e zgjedhur në disa gjuhë si:shqip,turqisht,italisht,anglisht,frëngjisht,etj.Qerim Haxhiu ka kontribuar në fillim të viteve ‘90 në përpilimin e librit “Shqiptarët e Egjiptit” me informacionet e tij të shumta për Historinë e Diasporës Shqiptare të Egjiptit.Qerim Haxhiu me pak fjalë ishte erudit por që nuk arriti dot që të jepte kontributin e tij në Shqipëri sepse në atë kohë regjimi diktatorial-komunist personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë si atdhetari Qerim Haxhiu nuk ia hapi “derën” për të kontribuar në atdhe,në Shqipëri.Megjithatë ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.Emri Qerim Haxhiu është shënuar me shkronja të arta në historinë e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit.Ai ishte Rilindasi i Fundit në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit.Qerim Haxhiu u nda nga jeta më 1 Janar të vitit 2003.Për Qerim Haxhiu-n janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”-Autor,Emin Azemi,Shkëlzen Halimi-Botuar,Logos-A, 1993 Shkup.Në Gazetën Illyria,1209,21-23 Janar 2003 është botuar një artikull nga Prof.Beqir Ismaili me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare:Qerim Haxhiu (1920-2003)”.Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”,Prizren,10-13 qershor 2012 e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar,Prof.Dr.Beqir Ismaili në kumtesën që ka mbajtur në këtë konferencë ndër të tjera ka përmendur edhe veprimtarinë e atdhetarit të shquar shqiptarë Qerim Haxhiu.

Filed Under: Histori

REXHEP RIFATIT,  APOSTULL I ARBËRESHVE

March 31, 2022 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë

50 vjet në kërkim të artit, traditave, kulturës dhe gjuhës së arbëreshëve 

        Ec djalosh, ec

shkrepe e ndrite me penë

Rininë mbaje, se të mbanë

Shtatëdhjetë vjet në vrapim

Pesëdhjetë vjet në veprim…

                       Mentor Thaqi

At Antonio Belushi: “Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës.  Jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh” .  

                 Projekti  i drejtuar nga Rexhep Rifati në eksplorimin kulturo-historik të fshatrave arbëreshe tani po mbushte gjysmë shekulli. Që kur ishte student me brushën e freskët djaloshare, kamerën e kishte pasion jete. Objektivi i drejtuar aty ky duhet; në afirmimin e vlerave kombëtare shekujve në çdo cep atdheut, aty dhe trojet arbëreshe si pjesë e gjakut të shprishur kombëtar. Nuk e quajti kot miku ynë nga Zvicra, Prof. Basil Schader “Enciklopedi e gjallë” e rrjedhave shoqërore të shqiptarëve në vendin Helvetik. Por, nisur nga puna e tij mbi gjashtëdhjetë vjeçare me përkushtim dhe profesionalizëm si fotograf dhe gazetar,  lirisht mund ta qujmë Enciklopedi e Gjallë e kohës sonë në prezantimit e vlerave.    Rexhep Rifati nuk e donte “lavdin” vetëm për vete, por ai e ndau gjithmonë me shoqërinë e tij, as dashurinë ndaj arbëreshëve nuk e kishte vetëm për vete, por e ndau vazhdimisht me të tjerët. Pesëdhjetë vjet rrugëtim tokave arbëreshe, a nuk është kjo një histori e llojit të vet!  Në vitin e pesëdhjetë të udhëtimeve të tij, pata fatin  të jem pjesë e grupit hulumtuese që ai drejtoi. Në udhëtimet e tij  që nga moti, kishte emra të rinj nga fusha e gjuhësisë, publicistikës dhe kulturës shqiptare nga Atdheu dhe mërgata.
            Fati e deshi që të jem pjesë e tri udhëtimeve të fundit javore. Në qenien time ishte kjo hapje horizonti të ri në njohjen e një pjese të kombit, arbëreshët, për të cilët nuk dinim sa duhet.  Por mbi të gjitha mësova mbi përkushtimin e Rexhës ndaj arbëreshëve, dashurinë e tij vëllazërore e flakëruar në gjakun arbëror. Përkushtimin i tij aq i lartë e takuam gjithandej, kudo: në takime, muze, biblioteka, shkolla e institucione të shumta të cilat organizuan pritje vëllazërore për grupin tonë.   Gjithkund regjistrohej në kamerën e Rexhes  aty edhe flamuri kombëtar me mbishkrimin aq domethënës ARBËRESH.  Udhëtimi ynë i fundit shënonte gjysmë shekulli të rrugëtimit të kamerës profesionale të Rexhep Rifatit dhe ishte simbolikë e veçantë, por  edhe obligim respekti ndaj një pune me vlera kombëtare.     Kudo që shkonim katundeve arbëreshe Rexhën e njihnin, edhe barinjtë e njihnin me të cilët ndalej të kuvendonte, të fotografonte peizazhe në fushat e gjëra arbëreshe.  Sapo shihnim tufa delesh, vetura ngadalësohej derisa dëgjoheshin fjalët arbërisht të bariut drejtuar deleve të tij. Ata nuk ngurronin të bisedonin me ne, përkundrazi, e dëshironin shumë dhe mezi ndaheshin prej nesh kur mësonin se nga vinim. -Ashtu është: Flet zemra e njeriut, e vëllait të një trupi e të një gjaku, – tha njëri prej tyre. 

            Kudo që arrinim të gjitha rrugët ishin të hapura, të gjithë portat shekullore ku kishte shkelur këmba arbëreshe.  
Po vjen Rexha! Rexhep Rifati, vëllai nga Kosova. 
Të gjithë ju  gëzoheshin takimeve me te, kurse Ai me “Shtegtimet e një gazetar” shkëlqente mes tyre.   Veprat në fotografi dhe tekst “ Shqiptarët e Zvicrës -1001pamje” dhe “Shtegtimi i një gazetari”, tani ishin  pjesë e bibliotekave të njohura arbëreshe në çdo lokalitet.
    Por, Rexhep Rifati nuk ndalet deri në përfundimin e librit kushtuar arbëreshëve   me të cilët u mishërua në jetën tij të tetëdhjetë pranverave.  I njohur si Djaloshi Flokëbardhë,  që shpërndanë energji pozitive, shpesh rrugës nga një fshat në tjetrin, na thoshte: “Energjinë e marr nga shoqëria, nga takimet me shokë, me njerëzit që rrezatojnë pozitivistët.  Tani pas kësaj ekspedite me ju unë marr energji edhe për një vit”.    Përmbylljen e projektit mbi arbëreshët, ai e ka të arriturën më të dashur për ditëlindjen e tij festive.  

                Në takimin tonë me personalitete të njohura arbëreshe bisedat ishin të ngrohta, përmbajtjesore  dhe të pa harruara.    Michalo Greko, ligjërues dhe aktivist i njohur na priti në shtëpinë e tij ku kishte një bibliotekë të pasur. Kafeja në tavolinën e drurit e punuar me art nuk harrohet.  Librat që ne i dhuruam e gëzuan dhe pas falënderimit i vendosi në rafte duke mos ndërprerë asnjëherë bisedën.  “Faleminderit! Këto do jenë pjesë e shtëpisë sime për gjithmonë”, tha i ngazëllyer Mikeli. 

    At Antonio Belushi, personalitet i njohur arbëreshe nga Frascinato (Frashëri) i Kalabrisë së bashku me motrën e tij Rinën, edhe pse me peshën e moshës, na priti sipas zakonit arbëresh me këngë në pragun e shtëpisë duke na i shtrënguar duart. 

       “Kur ne jemi të bashkuar, Skënderbeu zbret nga qielli”, një simbolikë në partiturën e trashëguar moteve arbëreshe, ku figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeu bashkon e jep shpresë për lirinë e Atdheut të robëruar përtej detit.
          Mirë se na erdhët! Dollia e parë për shqiptarët kudo që janë në botë!  

     At Antonio Belushi, një veprimtar i njohur arbëresh i cili dhe e jep shumë për gjithë kombin. Ai dha ndihmë të madhe edhe për Kosovën me zërin e tij deri në Kongresin Amerikan.          

       Jeni vëllezërit e mi. Më bëhet zemra mal që ju takoi!

        Shtëpia e tij ishte më shumë se një shtëpi, ishte muze etnografik, ishte arkiv,  dhe mbi të gjitha ishte bibliotekë e pasur me libra e gazeta të ruajtura prej shumë viteve.  U mahnitem me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi. 

         Faleminderit për vizitën tuaj librat e dhuruar dhe mbi të gjitha dashurinë që tregoni për arbëreshët!  Vëllai ynë, Rexhep Rifati ka sjellë vazhdimisht njerëz të respektuar mes nesh, me shkrimet dhe fotografitë e tij gjatë gjysmë shekulli, ai e afirmoi kulturë, traditën dhe gjuhën arbëreshe gjithandej botës. Ju i dashur vëlla Rexhep Rifati, jeni Apostull i Arbëreshëve me plotë kuptimin e fjalës. Ne nuk ju harrojmë, jeni pjesë e jona, e gjakut arbëresh. 
      Kënga arbëreshe e traditës në pritje dhe përcjellje të vëllait, nuk ndalej.  U ndamë të mrekulluar nga ajo çka përjetuam e pamë në shtëpinë e njohur të At Antonio Belushit dhe motrës së tij Rina Belushi.    

      Takimet tona të shumta në fshatrat arbëreshe në Kalabri, Sicili dhe rrethina e Barit, përbëjnë një pasuri njohje e shkrimi për të mos u harruar asnjëherë.  Në Shën Sofia (Kalabri), takuam profesorin e shquar dhe drejtuesin e Katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Kozencës, Prof. Francesco Altimarin, në Ungra takuam profesoreshën e Baletit Brunilda Lato e cila prej vitesh punon në dy shkolla në përgatitjen e balerinëve të ri. Aty takuam këngëtarin Franccesco Maria Fraga – Princi  të cilin e quajnë “Princi” i cili na dhuroi edhe diskun e tij me këngë të lehta arbëreshe. Në Farneta takuam pak banorë, mes tyre motrat Nicoletta dhe Rina Russo të cilat sipas traditës, na gostitën me kafe dhe na mrekulluan me një shqipe të pastër.     Në Shën Mitër ( San Demetrio Corone) takuam edhe skulptorin e shquar preshevar Hevzi Nuhiu, i cili jeton e krijon tani e dyzet vjet në Shën Mitër. Ai dallohet me skulpturat e tij të veçanta në dru që u ekspozuan dhe bënë bujë në shumë qendra të Italisë dhe jashtë saj. Në Shën Mitër në përcjelljen e  Hevzi Nuhiut, vizituam Liceun e njohur shekujve, ku studiuan figura madhore të kombit: Jeronim De Rada, Zef Serembe, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi etj. Shtëpinë dhe vend qetësinë e eshtrave të Jeronim De Radës, kolosit të Rilindjes kombëtare. 
Në Shën Sofia (Santa Sofia) vizituam dy nga institucionet më të mëdha kulturore të Kalabrisë: bibliotekën prej dhjetëra mija ekzemplarësh dhe muzeun e pasur me kostume arbëreshe, ku drejtuesi i tyre, kustosi, Antonio Franco Miracco, përmes një shqipe të rrjedhshme, na ofroi një informacion të detajuar dhe disa disqe gramafoni me muzikë arbëreshe. 
        Vizitat e fundit prej tri javësh nuk mund të përmblidhet thjesht me një shkrim rasti, këtu do preket shkurtazi vetëm pjesa e parë në Kalabri. Shpresojmë në vizitat tjera së bashku me Rexhep Rifatin dhe librin e tij të botuar kushtuar arbëreshëve, aq i vlerë dhe i pritur nga të gjithë.   Shëndet e shumë kërkime të reja Djaloshit  Flokë e Zemërbardhë! 

Filed Under: Kulture

Edhe 32 milionë dollarë shtesë nga populli amerikan për Republikën e Kosovës

March 31, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu, bashkë me znj. Zeinah Salahi, drejtore e USAID-it në Kosovë dhe në prezencë të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, z. Jeffrey M. Hovenier, ka nënshkruar sot amandamentin e katërt të Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Amandamenti parashehë fitimin shtesë të 31,994,644 dollarëve, duke e rritur totalin e grantit në mbi 73.4 milionë dollarë.

“Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse, si dhe rritjes së mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, tha Presidentja Osmani.

Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike. Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t’i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

Filed Under: Politike

MË 9 PRILL 2022 PËRUROHET RRUGA FAN NOLI NË BRONX NEW YORK

March 30, 2022 by s p

Një rrrugë në Morris Park të Bronx-it në New York do të mbajë emrin e burrit të ndritur të Kombit Shqiptar dhe Amerikan Fan Stelian Noli. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra së bashku me z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” ish Këshilltar në Bashkinë e New Yorkut dhe Ansambleist në Shtetin e New Yorkut ftojnë të gjithë komunitetin shqiptar në SHBA e më gjërë që të bëhen pjesë e ceremonisë festive që zhvillohet në Bronx, New York më 9 Prill 2022 në orën 12 PM në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY, 10461.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT