• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

POETI NË FRONTIN PËRBALLË……nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit, tha Jevtushenko…

April 2, 2022 by s p

Nga VISAR ZHITI/

Poeti sovjetiko-rus Evgeni Jevtushenko më 1 prill bëri 5 vjet nga ikja nga kjo jetë, por këtë vit ai ka dhe 90 vjetorin e lindjes (18 korrik 1932).

Është poet i njohur dhe kompleks, poezia e tij është e lidhur dhe me Shqipërinë, ai ka ardhur në Shqipëri, ka poezi për Shqipërinë dhe gjatë kohës kur sundonte realizmi socialist, ai përflitej në qarqet letrare dhe nga lexuesi i poezisë si një mit i kuq, kritikohej dhe adhurohej fshehurazi, madje me ndikim në poezinë shqipe, pa patur asnjë libër të botuar tek ne, përveçse dy poezive të hershme të tij, të përkthyera nga Drago Siliqi, në një antologji të madhe të poezisë ruso-sovjetike, që do të ndalohej në po atë vit që doli, sepse u prishën marrëdhëniet politike dhe diplomatike midis Shqipërisë, vendit më të vogël të kampit socialist dhe Bashkimit Sovjetik, vendit më të madh, superfuqi botërore. 

Edhe kjo ngjarje gjeti jehonë në poezinë e Jevtushenkos, shpotínë dhe goditjen, ndërsa në letrat shqipe do të ishte temë qendrore dhe e madhe, heroike, madje e të gjitha arteve. 

 Jevtushenko së pari do ta shihnim personazh në një nga romanet më të bukur të Kadaresë, “Muzgu i perëndive të stepës”, estravagand dhe pa ideale, me një si simpati të fshehur për një shok shkolle në Institutin “Gorkij” të Moskës.

Pastaj u përhap me bujë dhe frikë se Jevtushenko kishte shkruar një poezi, “Trashëgimtarët e Stalinit”, kundër Enver Hoxhës. Kërshëria për poezinë e tij u shtua rrezikshëm. 

Ne, studentë në atë kohe, letrarët e rinj siç quheshin, poetë, etj, kërkonim të lexonim ndonjë të tij, qoftë një poezi a strofë a varg, që edhe gjendeshin në gazetat dhe revistat letrare, ku ai shahej si poet revizionist, në shërbim të klikës së Kremlinit.     

Dhe ne u rritëm dhe u formuam me kulturën e sharjes në letërsi. Kujtoj kur më arrestuan dhe në hetuesi netëve më ulërinin në qeli, i lidhur me pranga, që pse kisha lexuar librin “Molla” (Jablloko) të Jevtushenkos, që në fakt nuk e kisha gjetur dhe s’e kisha parë kurrë, por ca poezi të tij, në një revistë sovjetike, që na e kishte dhënë fshehurazi një e njohura jonë në Bibliotekën e Shkodrës. Në fakt i përktheva ashtu me fjalor, nga dëshira e madhe, ua dhashë shokëve dhe miqve të ngushtë, ashtu bënim, i jepnim njëri-tjetrit përkthime të fshehta, mbushnim fletoret. Nga të denoncuarit, unë u burgosa…

Edhe sot më vijnë ulërimat e hetuesit pas mesnate: pse e ke lexuar armikun Jevtueshenko, ai ka shkruar poezi kundër Shqipërisë dhe Enver Hoxhës…  

Do ia tregoja këtë fakt Jevtushenkos vetë, kur do ta takoja në Milano, në vitin 2008, se na pranuan antarë të PEN Clubit Italian në të njëjtën ditë. Ai u entuziazmua që unë isha burgosur dhe për poezinë e tij, lajmëroi dhe të shoqen, që t’ia tregoja dhe asaj, shkëmbyem dhe libra me autograf dhe unë i tregova dhe poezinë që kisha bërë me mend i burgosur, që i kushtohej atij.

Dhe ai më dha dhe poezitë që kishte shkruar për Shqipërinë, me trishtim dhe dashuri dhe poemën që kishte shkruar në vilën e kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehut, të cilin e “vetëvranë”. A të doli fantazma e tij? – e pyeta.  

Në takimin në publik në Milano, kujtoj që një grua ngrihet nga salla n:e librarin;e “Mondadori” dhe i thotë Jevtushenkos: 

– Na folë pak për Rusinë e Putinit.

Dhe ai shungëlloi:

– Zonjë, nuk ka Rusi të Putinit, por të Pushkinit… Rusia është e Dostojevskit, e Gogolit, e Pasternakut, e Eseninit, e Sollzhenicinit, e Mandelshtamit… e im… e shokëve të mij.

Jevtushenko ishte kundër, por jo kundërshtar, sipas studiuesve. Ndërkaq ai e ka ngritur zërin me poezinë e tij politike, që, pas rënies se komunizmit, Jevtushenko do ta quante “poezi e mbrojtjes së drejtave të njeriut”. U bë e famshme poema e tij “Baby Yar”, e shkruar në 1961, ku denonconte masakrën naziste të vitit 1941, e shoqëuar me antisemitizmin sovjetik, me persekutime nga bolshevikët  ndaj hebrenjve në Babi Jar, në rretina të Kievit në Ukrainë.

Ç’do të thoshte sot Jevtueshnko për luftën e çmendur në Ukrainë?

Ne kemi një tjetër poezi të tij “Pragën çajnë tanket” e vitit 1968, që del kundër pushtimit të Çekosllovakisë nga çizmja staliniste e ushtrive sovjetike në krye të forcave të Traktatit të Varshavës.

Edhe në 1989, kur Jelsini dërgoi tanket në Çeçeni, Jevtushenko e denoncoi dhe nuk pranoi një çmim prej tij.

1991 – viziton Shqipërinë, ndërkohë shoku i shkollës së tij, shkrimtari shqiptar me njohje botërore, Ismail Kadare, kishte kërkuar azil politik në Francë. 

1993- Jevtushenko shkon në SHBA, në Universitetet në Oklahoma e Nju-Jork, jep leksione për poetët rusë dhe europianë  dhe historinë botërore të kinematografisë. Pranimi i tij në Akademinë Amerikane do të ngjallte polemika, poeti i pëz;en;e nga Bashkimi Sovjetik pas burgut të tij, Josip Brodskij do ta quante Jevtushenkon “Disident i emëruar”. 

Pas tetorit të vitit 2007 Jevtushenko e ndan jetën e tij mes dy vendeve, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. 

Në 1 prill 2017 ndërron jetë dhe trupin e tij e çojnë të prehet n;e am;eshim në Rusi

Mua m’u desh të shkruaj një libër të gjithë për dukurinë Jevtushenko, “Si na erdhi ai, i ndaluari” dhe shkak u bë një thënie e një studenti shqiptar, tim biri, Atjonit, që u njoh me Jevtushenkon në përurimin e një libri të tij në Lugano, në Zvicër dhe mua më tha: “…ishte interesant, por dhe narcis… mos janë ca si egocentrikë ata që i ka përkëdhelur regjimi?” Gjithë kohës atje ai mbante për krahu Jevtushenkon që çalonte. Në fakt çalonte Realizmi socialist. 

Ç’t’i thosha? Me librin tim desha t’i tregoj atij dhe brezit më të ri se si u rritëm ne, me ç’poezi, ndërsa në fakt ai më shpjegoi mua shkurt se ç’ishte poeti i regjimit. Jemi para gjyqit të së ardhmes. Kurse unë dua të dëshmoj poezinë… 

EVGENI JEVTUSHENKO

12 POEZI

DASHTË QIELLI  

Dashtë Qielli u vjen pamja verbanëve 

e gungaçët shpinat drejtojnë.

Dashtë Qielli bëhemi ca Zot, pak fare,

të jesh pak, pak s’të kryqëzojnë.

Dashtë Qielli të mos i ngjitemi pushtetit,

heronjve të rremë jo dhe jo.

Të pasur të bëhemi, por jo të vjedhim,

natyrisht nëse mundet kjo.

Dashtë Qielli të bëhemi dhelpra plakë,

që s’bie në ato gracka me shkopinj,

mos qofshim viktima, as xhelatë,

lypsa kurrë, as zotërinj. 

Dashtë Qielli sa më pak plagosje

në përleshjet që vetëm të çmëndin,

sa më shumë vënde dhe përsosje,

pa u dashur ta humbësh tëndin.

Dashtë Qielli që toka e pamatë

gjurmët t’mos na i hajë gjithkund.

Dashtë Qielli të na duan gratë

dhe kur të jemi në fund.

Dashtë Qielli të heshtin gënjeshtarët,

zë hyu të ndjejmë në thirrjet e pafajshme,

që Krishtin të dallojmë tek të gjallët

në fytyrat e burrave dhe të grave.

Të mos mbartim si kryqin pabesitë

dhe si mjeranë të biem përdhe,

të mos jemi dyshues çdo ditë,

dashtë Qielli qoftë Zoti në ne.

Dashtë Qielli të gjithën për të gjithë

ta kemi sa më shpejt, pa u fyer prej saj. 

Po, po, të gjithën, por veç zgjidh

nga ato që s’të turpërojnë pastaj. 

1990

BABY IAR

S’ka fare monument mbi  Babi Yar,

As gur varri të ashpër në atë thepisje.

I  tmerruar sot, 

                        sa i vjetër jam, 

Sa e gjithë raca hebraike.

Si izrealit të lashtë 

                             veten shoh

Në Egjiptin e lashtë endem, iki

Në kryq vdes me gozhdët në kockë, 

Edhe sot jam me tortura shpirti.

Dhe Dreyfusi* 

                      gjithashtu jam unë

Nga filistinët dënuar, 

                                 shitur,

pas hekurave jam  

                            nën dhunë,

I pështyrë, 

                  me gurë 

                                goditur.

Dhe në Bruksel më kanë sharë,

Me çadrat hedhur, i çarë…

Tani jam

               një djalë në Białystok* *.

Gjak në dysheme.  

                         Gjaku rrjedh në stol.

Zotërit e barit dhe lokalit tok 

Turfullojnë erë qepë dhe alkool.

Çizmet më shkelën… Fytyrën ma nxinë,

Në masakër t’u përgjërohem banditëve.

Me talljen: 

               “çifutë vrisni, shpëtoni Rusinë”,

Sa keq ma rrahën nënën time!

O Populli im! 

                      E madhja 

                                      Rusi! 

Me internacionalen brenda trupit.

Duart shpesh ke zhytur në ligësi,

Nën emrin e pastër klithmat e turpit.

Unë e di mirësinë e tokës time.

Por poshtërsinë 

                          nuk di ku ta fus, 

Që antisemitët pa pike përgjegjesie 

Fshihen në “Bashkimin e Popullit Rus”.

Shikomëni që jam 

                            dhe Anna Franku

E tejdukshme 

                      si degëz e brishtë në prill.

Dhe unë dua. 

                     pa fraza tanku,

Sy më sy të shihemi 

                               me ëndje dhe trill.

Kaq pak të shohim, 

                             më dhemb ky shpirt,

Qiellin na ndaluan, na ndaluan  

                                                gjethet,. 

Por prapë kemi mjaft, 

                                 ne njerëzisht

Përqafohemi në dhomën e errët.

“Mos u tremb!” 

                       “Po ata erdhën!”

“Janë zërat e pranverës së hershme.

Më jep një puthje.”

                           “Po shqyejnë derën?”

“Shhhht. është akulli që po plasaritet.”

Bari i egër shushurin mbi Babi Yar.

Pemët shohin me frikë 

                              sikur kalojnë gjyqtarë

Këtu heshtur mashtrohemi. 

                                      Kapelja në dorë

Flokët befas bëhen 

                              të bardhë bore. 

Bërtas dhe unë, pa tingull qaj 

Për mijëra e mijëra 

                              në gropë hedhur. .

Unë jam çdo plak, 

                              i pushkatuar

                                               në pllajë,

Unë jam 

               çdo fëmijë

                                 këtu i djegur

S’ka fibra trupi im 

                            ta harrojë këtë,

“Internacionalja” 

                          të mos gjëmojë më kot,

Deri sa t’varroset e t’mos dëgjohet më 

Antisemiti i fundit 

në këtë tokë.

S’ka gjak hebre të mos jetë gjaku im.

Urrej me shpirt të pashpirtët në jetë

Si një hebre çdo antisemit.

Dhe kjo më bën 

                         një rus të vërtetë.

_________________________________________________

*) Alfred Dreyfus, oficer francez, i shkarkuar padrejtësisht nga shërbimi 

në 1894 për shkak të akuzave të sajuara dhe nxitur nga antisemitizmi

* *) Belostok: vendi i masakrave të para dhe më të dhunshmet. (Shënimt 

janë nxjerrë nga përkthimi anglisht)

SHQIPËRI, 

ÇDO TË BËJMË ME LIRINË E MADHE?

Shqipëri, ç’do bëjmë me lirinë e madhe, 

me këtë grua tradhtare të ndërgjegjes?

Në qorrsokak të dytë,

                             me këngën fitimtare,

liria në paliri do na çojë drejt tërheqjes?

Në banja gjaku na argëtuan marrëzisht,

me kapitalizëm po na ndjellin të fortët.

Do ta gënjejnë Rusinë

                             dhe Shqipërinë sërisht

dhe sërisht do të rrjedhin të hidhur lotët?

1991

PRAGËN ÇAJNË TANKET

Pragën çajnë tanket

nën gjak agimi të nxehtë.

Çajnë “Të vërtetën”* tanket,

që s’është gazetë. 

Tanket çajnë përpjekjen

klikave për t’mos ju përulur,

të çarë e ndjejnë veten

ushtarët në tank ulur. 

Zot, ç’turp po fusin,

Zot, ç’nuk po shëmbin!

Çajnë tanket Jan Husin,**

Pushkinin, Petëfin.***

Tanket çajnë varret

dhe të atyre pa lindur. 

Kapse zyrash, rruzaret

u shndërruan në zinxhirë.

A jam armik i Rusisë?

unë jo! –  Të tjerë të nxitur

me tanket e ligësisë

ku s’ndërhyjnë të shpifur.

_____________________________________

 *) E vërteta – rusisht “Pravda”. Emëri i një gazete të përditëshme, më e shitura në Bashkim Sovjetik.

**) Jan Hus – hero kombëtar i popullit çek. Lindi në Husinec në 1371, kreu studimet e larta në Pragë dhe në 1401 bëhet dekan i universitetit ku studioi. Në 1400 u emërua prift. Punoi për edukimin e kombit duke këmbëngulur në detyrën e mbrojtjes së vendit nga ndërhyrjet e huaja. Iu përkushtua veçanërisht dhe gjuhës çeke. Ai u bë simbol i krenarisë kombëtare dhe i shpresës për të ardhmen. Ndihmoi njerëzit e Bohemisë e të Moravës për pavarësinë shpirtërore nën zgjedhën e huaj. Vdiq në turrën e druve në 1415. (Shën. nga botimi italisht si dhe një pjesë e shën. e mëposhtëme) ***) Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837). Nismëtar i letërsisë së re ruse, themelues i gjuhës letrare ruse, poet i madh, shkëlqeu në të gjitha gjinitë letrare. Qe pranë dekabristëve, dy herë emigroi. Vdiq në duel për motive nderi.                           Sandor Petëf (1832–1849). Poet revulocionar demokratik hungarez. Udhëhoqi kryengritjen e Pestit, gjatë revolucionit të 1848-49. Pati ndikim të madh në poezinë hungareze..

Mundet si më parë të jetoj,

tani që këto tanke – zdrukthe 

shpresat me presë sheshojnë,

tanke të familjes ruse?!

Unë, para se të zhdukem,

– si do quhem, s’ka rëndësi, –

pasardhësve u lutem

të më zbatojnë një porosi.

Sipër meje, pa qarë,

të vërtetën të shkruajnë me gjak:

“Shkrimtar rus. I vrarë

nga tanket ruse në Pragë”.

Shkruar në 23 gusht 1968 – 

botuar në 1990

PËR KRIJIMTARINË

(nga revista “Junost” 12/1959)

Nuk ka rëndësi

    në ke ti studiues,

por ka rëndësi

    në ke ti pasues.

Fjala jote e ç’do të kushtonte,

nëse në të, me etjen e zgjimit,

nuk fshihet fara e së ardhmes –

mundësia e shenjtë e vazhdimit?!

Krijo, artist, me guxim, digju

                                    dhe fol!

Dhe do të shfaqet Fjala,

e thjeshtë dhe e madhe si mollë,

me fillimin e mollëve brënda.







PAGJUMËSIA  SHQIPTARE “Mua më duket sikur në varr ka telefon –                                                                                                                                                                                                                         Stalini direktivat Enver Hoxhës ia dërgon” Trashëgimtarët e Stalinit, 1962 
Unë fle në shtratin e Mehmet Shehut-kryeministrit të Enver Hoxhës.Vila e nomenklaturës s’është hedhursi ashklat tej nga revoltat e kohës.Mbijetoi vila.  Ashtu si më parë,por s’dihet për kë dhe përse.Unë, si patriarku partiak shqiptar,në shtratin dopio jam zhytur të fle.  Idealet komuniste ku janë,në ç’vrimë të zezë përpirëse?Mbi trupin e ngrirë kallkannjë mal jorganesh kapitaliste. Ne – dy vende me boshin në piedestale,të shitoreve-bosh, ne – dy vënde.Rusia u bë Shqipëri e stërmadhe,me demokracinë timon të rëndë.  Pa qeshur,  me një rusishte të ftohtë,një vëlla thatiq nga Shqipëria më thotë:”Sovietpoetët – pa breg.Shqiptarpoetët – pa brekë.”

Mbi shtratin e Mehmet Shehutështë pulti i shërbimit, që ti, Enver, mbase e shpike, rri ngrehur,sajuar me të  një revolver.Vërtet vrau veten ai, apo me urdhër e vranë? Po…sa e ulët kjo epokë e ideve të mëdha!Të mos dish është turp.  Vuajtje – të dish gjithçka.Përplaset mbi dritare si mizë dimri,ai plumbth i nxjerrë nga tëmthi. Baseni është krejt i ndoturnga palmat e pështira.Drejt meje vështrojnë “kallashnikovët”.Dhe emrat e lodhur të ushtarëve -në drurët tropikalë të gdhëndur kot. Dhe, pasi shoh fytyrat fshatare,mendoj: politikan a bëhem dot?Është krim të vrasësh, mëkat – të vetëvriteshdhe absurde –  të lejosh të të vrasin.  Shtrat i sfilitur nga gjum’ i ndërprerë,në zgrip përpiqet të thotë diçka.E shenja e revoles në tastierëprapë nëpërmënd natën pagjumë, është gati plumbthi i shtrenjtë,të shërbejë, ja, dhe tek unë. E fantazma kryeministroreme vdekjen e vet e papajtuar prore,fshehtanake e sekretit mundues,avitet në shtratin lënguesdhe ka vendosur gjithçka ta tregojë. E pse? T’më shtojë ankthe,  shqetësime?Ka kaq vjet që unë s’i durojsekretet e mia, heshtjen time.
1991-2004 

SHQIPTARKA

Shqiptarkë që të magjeps me bukurinë,

katërmbëdhjetë vjeçe, e zbathur.

The se të quajnë Aksinjë,

“Po Melehovi të është shfaqur?”

“Ende s’e kam, – psherëtive lehtë, – 

 s’e dua shpellar, e dua poet”.

E rrallë për kohën, s’gjen ngaherë

një vajzkë kështu, e tëra perrí,

që burrin të mos e dojë bankier,

plot me para, por me poezi.

Jeta vetë ecën dhe vonë a herët

do vijnë vajza me intelekt të fortë. 

Ato s’do martohen kurrë me skllevër, 

Ato s’do marrin tiranë bashkëshortë.

Etje parash e egër do jetë tretur

tek ne, në Rusi, tek ju, në Shqipëri

dhe do ngadhnjejë në shekuj e shekuj

i shenjti mall i madh për poezi.

Dhe poetët-gjeni do të shpërthejnë

mes bunkerësh pa shpirt, të ngrirë

si balle divash të rënë,

nëndhé rroposur, në errësirë,

për të mos u ngritur kurrë më.

Ja u ngritën! Skllevër s’na bën asgjë.

MOS U ZHDUK

Mos u zhduk… duke u zhdukur nga mua,

e çmishëruar vetvetes iu zhduke.

Vetja kështu u tradhtua

me pandershmëri prostitute. 

Mos u zhduk… të zhdukesh është lehtë.

Të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,

të vdesësh nuk është urtësi.

Mos u zhduk… harro hijen e tretë.

S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,

kur gjaku na thërret për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,

fajtorë s’jemi dhe as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti të falim

në mosdashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk… të zhdukesh është çast,

por si do takohesh ndër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë

dhe unë? – veç fëmijve të qeshur.

Mos u zhduk… japma dorën tënde,

në të jam i shkruar, besoji sekretit!

Dashuria e fundit – sa e tmerrshme!

s’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit.

MONOLOGU I NJERIUT  TË PASNESËRM

As Eva, as Adami nuk ishin antarë partie,                                                                                        njerëzimi e di, të lutem dhe ti dije.

Pa parti Noja me atë arkën e tij,

Globi shtyn errësirërat pa parti.

Por Djalli, me pikpamje djalliste,

shpiku partitë, – ç’gusto neveritëse!

Në zemër të mollës futi krimbin, –  

krim(b)* dhe gjarpër një ishin,-   

politikën – profesion me prejardhje djallëzore,

që krim(b)ëzon njerëz kohë pas kohe.

Politika shpiku policinë,

Politika shpiku kryetarët.

Njerëzit kishin ëndërruar bashkësinë,

jo partitë dhe nënndarjet.

Po ku është partia e vejushave, invalidëve, pelegrinëve,

ku është partia e familjes, e fëmijëve?

Partia e syve të skuqur ku është vallë,

në hirin e Aushvicit, Songmit, Gulakut** të gjallë?

Por një ditë, një ditë, një ditë,

për stërnipërit tanë të gjitha partitë

do të kujtohen si një gjë e tejshkuar

si superkafshët, si Babilonia e rrënuar.

Bota pa të persekutuar e blasfemi do të jetë,

pa çalamanë moralë në pushtet,

e gjitha një e asnjë parti,

veç ajo me emrin e thjeshtë: njeri.

Shkruar në 1972.

Botuar për herë parë në 1991

______________________________________________________

*) Lojë e përkthimit. Për këtë poezi janë marrë për bazë dy variante 

të botimit të saj në Itali. 

**) Aushvic – kamp nazist internimesh në Poloni, Songmi – lokalitet 

në Vietnamin e Jugut, shkatërruar nga amerikanët, Gulagu: Magadan – lokalitet 

siberian i internimeve. 

MILINGONA AFGANE

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.

Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane.

Prej ditësh vdekja s’e ka rruar. Ç’mundim të ecësh…

Dhe i mërmërit milingona me zë të imët, vdekës: 

“Ti s’e di tamam se nga rende për ato plagë.

Vetëm di se diku, afër vendit Iran. 

Nga u shfaqe ashtu kundër nesh me armë,

ti që së pari këtu dëgjove fjalën ‘islam’?

Atdheut tonë të zbathur halleplot,

ç’do t’i jepje ti apo rreshtin e kotë?

Njëzetë milionë të vdekur s’mjaftojnë ende

për të mbërritur në këtë gjëndje?”

Dergjet një djalë rus mbi tokën afgane.

Mbi fytyrë i endet një milingonë myslimane,

që do të donte të lutej ashtu ortodoksisht                                                                                        të ngrihej djali, të bëhej me shpirt.

Në atdhe, në veri, me vejusha e jetima,

pak kanë mbetur milingona të tilla. 

Shkruar më 1983.

Botuar për herë të parë më1990

MES FRIKËS DHE TURPIT

Hë pra, shqiponjë dykrenore,

për ku po fluturojmë mes reve,

drejt ç’lavdie të re poshtëruese

mbi torturën çeçene?

Nëpër frikë dhe turp, aty

mbi majat varg,

njëra tjetrën s’e shohin dot në sy

dy kokat e shqiponjës lart.

Pëndët ndërkaq kush t’i flakte

sipër pluhurit dhe shkrumbit?

Jo, nuk qe zgjedhje zhgabe

mes frikës dhe turpit.

23 dhjetor 1994  

KËRKESA E FUNDIT

L. Evstratova

Shkëlqesive e atyre që s’janë shkëlqesë,

ç’gjëra t’u kërkoj? Ja, kështu pra,

s’kemi më nevojë për udhëheqës.

E kemi një, por në kryq, ah!

Dhe duke nxitur qeshjen e ndokujt,

ka plot që qeshjen e kanë harruar,

ende do t’i kërkoj gjithkujt:

që unë të mos jem i munguar.

Dhe lutem me zë të mekur,

i humbur mes gjithë të humburve,

trëmbem nëse kam për t’u tretur

si një rreze e vogël aurore 

                në ditën dritë-derdhur.

I kaplluar barërave shkëlqimisht,

gjithandej mërmëris me mall:

“Nuk do të vuaj sigurish, 

kur nuk do të jem gjallë.”

Asgjë nuk kam që të bëj thirrje,

as piedestal, as i dekoruar,

por ja që ka dhe përjashtime:

që unë s’kam për të munguar.

Si aromë e fletores së vjetër të poezisë

me petalet e jaseminit të tharë.

Më e tmerrshmja e të gjithave – humbja e bukurisë,

edhe për botën – llahtar!

Ç’mëkat vdekës të vdekurit të harrosh.

Vdekje, nëse në paqe njerëzit janë lëshuar,

lëri të gjithë të jetojnë e të shpjegosh

që unë s’do të kem të munguar.

______________________

Përktheu Visar Zhiti

C:\Users\User\Desktop\Foto per librin Jevtushenko\1 Evgeni Jevtushenko.jpg

Poeti Evgeni Jevtushenko

C:\Users\User\Desktop\Foto per librin Jevtushenko\5 C'po mendon Poeti.jpg

Ç’po mendon Poeti?

visar-zhiti-ok
https://fbcdn-sphotos-b-a.akamaihd.net/hphotos-ak-xfp1/t1.0-9/10013613_10203194253634417_1657152938140389296_n.jpg
C:\Users\User\Desktop\A.V.E\me jevtushenkon\Foto e zgjedhura, jevtushenko\me  kolor\2 -Me poetin Evgenij Jevtushenko, Lugano, 2014.JPG

                          Poeti Evgeni Jevtushenko dhe studenti shqiptar Atjon Zhiti (Lugano 2014)

C:\Users\User\Downloads\IMG_4014.jpg

Autografi i Evgeni Jevtushenkos, dhënë Visar Zhitit, ku uron një të ardhme të madhe për Shqipërinë. 

Filed Under: Opinion

Kosova-Bashkimi Evropian, 6 vjet zbatimi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

April 2, 2022 by s p

-Kosova, Program Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 2 Prill 2022/ Në këtë fillim Prilli 2022 u bënë 6 vjet prej kur hyri në fuçi – nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 Tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 Nëntor. 

Zbatimi ka nisur në 1 Prill 2016, kur në mënyrë ceremoniale në ambientet e Drejtorisë së Doganës së Kosovës u bë zhdoganimi i parë me tatim doganor të reduktuar konform Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ky moment shënonte fillimin e zbatimit të MSA nga ana e shtetit të Kosovës. 

Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimit Evropian, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian është miratuar në 10 Mars 2016  nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Me atë rast Ministria e Integrimit deklaronte se, mbështetja e ofruar nga deputëtët e Kuvendit kosovar miratimit të Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të zbatuar të gjitha reformat legjislative dhe institucionale dhe detyrimet kontraktuale të parapara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ky Program është dokumenti kryesor strategjik kombëtar për zbatimin e axhendës evropiane që mbulon periudhën pesëvjeçare 2016-2020 dhe fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit në BE: Përmbushjen e detyrimeve të MSA-së; Përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së; Zbatimin e legjislacionit të përafruar.

Programi mbulonte të gjithë kapitujt e Acquis së BE-së. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të gjitha masat dhe prioritetet janë të ndara në tre blloqe: Kriteret Politike, Kriteret Ekonomike, dhe Standardet Evropiane.

Programi përcaktonte masat dhe prioritetet legjislative dhe zbatuese në dy faza: masat afatshkurtra (për vitin 2016) dhe prioritetet afatmesme (për vitet 2017-2020). Programi gjithashtu përcaktonte qartë përgjegjësitë e institucioneve për zbatimin e tij, si dhe afatet kohore të përmbushjes së këtyre veprimeve dhe burimet buxhetore.

Procesi për hartimin e Programit është koordinuar nga Ministria për Integrim Evropian,  me përfshirje të të gjitha institucioneve shtetërore dhe në një proces gjithëpërfshirës dhe konsultativ me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara.

Zbatimi i Programit nis menjëherë me hyrjen në fuçi të MSA-së, me fillimin e muajit Prill 2016.

 Në 27 Tetor 2015 atëherë kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, njëherësh zëvendës presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, kanë nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninënë e zhvilluar, Marrëveshja është nënshkruar edhe nga atëherë ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku dhe komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn.

Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur në 28 tetor të vitit 2013.

Kosova dhe Komisioni Evropian kanë vënë inicialet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit qysh në Korrik të vitit 2014.

Procesi i nënshkrimit është ngadalësuar për shkak të mungesës së konsensusit brenda vetë Bashkimit Evropian, përkatësisht mosnjohjes së Kosovës ende nga pesë vende të BE-së.

Më vonë, megjithatë, është rënë dakord që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të mos ratifikohet nga parlamentet e secilit shtet anëtar veç e veç, ashtu siç ka qenë praktika me vendet e tjera.

Në 22 Tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në 24 Tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare.

Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik  ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle.

Në 1 Prill 2022 në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetarja, Rrezarta Krasniqi, ka raportuar, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës. 

Raportimi në Komision i  zv/ kryeministrit Bislimi kishte të bënte me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2022-2026. 

Zv/ kryeministri Bislimi para Komisionit paraqiti çështjet më të rëndësishme nga përmbajtja e këtij programi, siç janë: reformat politike, ekonomike, si dhe përafrimi i legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.  

Për zbatimin e këtij programi, zv/ kryeministri bëri të ditur se janë të nevojshme (dhe në dispozicion) më shumë se 46 milionë euro, nga të  cilat, tha ai,  pjesa më e madhe e tyre janë donacion nga Bashkimi Evropian. 

Duke folur për objektivat, të cilat Qeveria ka për qëllim të arrij gjatë këtij viti lidhur me Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026, zv/ kryeministri Bislimi njoftoi se janë paracaktuar 220 masa, nga të cilat 90 prej tyre i përkasin fushës së legjislacionit. 

Pas kësaj, anëtarët e Komisionit ngritën një mori çështjesh, të cilat kishin të bënin kryesisht me legjislacionin, dhe ecurinë e paraparë për realizimin dhe zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit 2022-2026. 

Ndërsa, pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre iu përgjigj zv/ kryeministri, i cili, po ashtu kërkoi bashkëpunim edhe më të madh me Komisionin, me qëllim të përmbushjes së obligimeve shtetërore gjatë procesit të integrimeve në Bashkimin Evropian. 

Filed Under: Politike

PRESIDENTJA E KATËRT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, ZNJ. ATIFETE JAHJAGA NESËR VIZITON VATRËN

April 1, 2022 by s p

Ditën e Shtunë datë 2 Prill 2022 në orën 12 PM, Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga do të vizitojë Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo do të takohet me drejtuesit e Vatrës, vatranët dhe mbarë komunitetin shqiptar në Selinë Qëndrore të Vatrës në Adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458. Ftohet komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Featured

PËR SHPIRTIN DHE FRYMEN VATRANE TË AGIM KARAGJOZIT “NDER I KOMBIT”- KUJTESË- KATER VJET PA AGIM KARAGJOZIN, KRYETARIN E VATRES

April 1, 2022 by s p

NGA DALIP GRECA/

1 Prilli shënon ditën e mbrame dhe kalimin në amshim të Kryetarit të Federatës VATRA për dy dekada Ing.Agim Karagjozi. Ai na la pas nja Vatër të bashkuar, kombëtare dhe antikomuniste. U mbushën kater vjet nga dita që shkoi të pushojë”Nderi i Kombit” , “Qytetari i Nderit i Gjirokastrës”, atdhetari i nderuar me Urdherin e Shqiponjes nga Presidenti i Shqipërisë, me Medaljen e Lidhjes se Prizrenit nga Presidenti Rugova etj…. Në përcjelljen e fundit iu bënë të gjithë nderet që meritonte; si njeri fisnik, patriot i palëkundur, antikomunist i pa kompromis, si bashkshort, si prind, si gjysh,si qytetar amerikan, dhe si vatran shembullor;- Noli do të thoshte se ai ishte vatran i dimrit e i beharit- 60 vjet në Vatër, dy dekada Lidër i saj, 18 Vjet President i Vatrës, zv/kryetar i Vatrës. Një CV e pasur që do ta kishte zili kushdo. Ai dha për Vatrën gjithçka kishte, por mbi të gjitha shpirtin e tij e njësoi me shpirtin dhe frymën e Vatrës, frymën Kombëtare, kundër përcarjes. Po po, Vatra është Frymë, është shpirt. Është frymë Kombëtare, është shpirt atdhetar, ai që nuk e ndjenë këtë nuk mund të bëhet vatran i përkushtuar. Na e përcolli këtë aksiomë Persidenti Karagjozi! Nuk mjafton që ta shprehësh me fjalë se je me frymën e Vatrës, apo se je i gatshëm të përcjellësh frymën e Vatrës, jo, nuk mjafton ta thuash, port a bësh- duhet që brenda vetes të plazmosh frymën e Vatrës, jo të përcarjes. Përcarja nuk . ka shërbyer Vatrës në 109 vitet e jetës së saj. Vatar është familja e madhe vatrane, por askush nuk mund ta “privatizojë” atë për familjen e vet apo për një grup të pakëqaurish. Titujt dhe dneret që të jep Vatra duhet t’i meritosh derisa të mbyllësh sytë!Agim Karagjozi i dha Vatrës energjitë e shpirtit të tij, i dha të gjithë kohën e tij, sakrifikojë edhe familjen për Vatrën dhe Çështjen Kombëtare. Por familja e mirëkuptoi dhe i ndihu aq sa mundi. Djali i madh, Zuhdiu, që mbanë emrin e gjyshit, iu bë krah edhe në Vatër dhe u përfshi në nismat e babait në ndihmë të Vatrës. Ndërtesa e sotme e Vatrës është një nga dëshmitë-provë të kontributit të binomit babë e bir, por edhe i vatranëve që me kursimet e tyre paguan vlerën e ndërtesës.Në fjalën përcjellëse që mbajti i biri në ditën e përcjelljes, kushdo që e dëgjoi u emocionua, tek shprehu plot emocione krenarinë e birit për të Atin; mbi të gjitha ai ndjehej krenar pse babai i tij po përcillej e po vlerësohej edhe në çastet e mbrame si një patriot i paepur, si intelektual, si njeri bujar, që dha gjithçka për Vatrën Shqiptare të Amerikës. Vetë Zuhdiu e cilësoi babanë njeri vetmohues, që mbi gjithçka vuri interesin e Kombit të vet dhe luftoi për Lirinë e tij. Agim Karagjozi me brezin e vet të patriotëve nacionalistë, ishin zotuar për t’i kthyer lirinë Atdheut. Dhe tashmë nuk është më sekret të dihet se shtetësinë amerikane, ai e mori pas shembjes së komunizmit. Vetëm përfaqësuesit e denjë të Elitës nacionaliste mund ta bënin këtë sakrificë. Agimi ishte një nga ata.Edhe pse Vatra nuk “lulëzoi” numerikisht në dy dekadat që e drejtoi Kryetari Agim Karagjozi, ajo do të mbahet mend për qëndresën dhe kryrjen e obligimeve ndaj Kombit, edhe pse me pak anëtarë. Vatra ishte kudo ku e kërkonte interesi Kombëtar, ku e kërkonte Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët, ishte në Washington e Tiranë, në Prishtinë e Shkup. Vatra me Karagjozin në krye, luftoi për sjelljen e demokarcisë dhe duartrokiti ardhjen e saj,për të cilën vatranët kishin luftuar për gati gjysëm shekulli.Rrëzimi i shtetit demokratik në vitin 1997 e pezmatoi kryetarin Karagjozi dhe ekipin e tij vatran. Qëndrimi ishte i prerë: Shteti u rrëzua me dhunë, me mashtrim pirmaidal, dhe ndihmë nga jasht, aleatët antikombëtar të socialistëve. Vatra nuk e njohu shtetin e komunistëve të rikthyer në pushtet pa “larë hesapet” me të shkuarën dhe shkaktarë të së keqes. Dhe ja si e argumentonte Kryetari i Vatrës këtë qëndrim të prerë : “Jo, nuk e njohim qeverinë komuniste që ka ndryshuar vetëm emrin.Mbetet i pakontestueshëm fakti se ajo qeveri e mori pushtetin, më 1997, me rrugë të paligjshme, me nxitjen dhe drejtimin e një tërbimi barbar, që terrerorizoi popullin, rrënoi vendin dhe e zhyti shtetin shqiptar në një anarki katastrofike sa që e çoi atë në pragun e copëtimit dhe shpërbërjes së tij. Egërsia komuniste nuk njohu kufi në krimet dhe shkatërrimin e poshtrimin e atdheut para etjes së pafrenueshme për të rihedhur në dorë kontrollin e shtetit. Ajo qeveri jo vetëm është e paligjshme, por shumë prej anëtarëve të saj janë përgjegjës për veprime kriminale kundër interesave të kombit shqiptar, për të cilat duhet të japin llogari.”Kështu arsyetonte Kryetari i Vatrës dhe kështu vendosi Vatra. Në logjikën e kryetarit dhe ekipit që i shkonte me besim pas kjo mosnjohje prej Vatrës le të gjykohej nga historia nëse ishte në kahjen e duhur apo jo.“Vatra” si organizatë kombëtare me tradita gati njëshekullore mbanë përgjegjësinë t’i shohë zhvillimet politike në botën shqiptare në dritën e së vërtetës për interesat kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë, gjykonte Kryetari Karagjozi. Ajo duhet të marrë qëndrime parimore, pa bërë lojë politike dhe lëshime që do të komprometonin emrin e saj, siç do të ishte njohja e qeverisë së 97-tës. Le të mbetët e regjistruar për gjithë kohën se në këto vite, kur Shqipëria dergjet kokë-ulur, e dërmuar nga bëmat e bijve të saj bastardë komunistë dhe e indinjuar nga arbitrariteti dashakeq i ushtruar nga jashtë, “Vatra” nuk e la të shuhet zërin e protestës shqiptare. Dhe Vatar protestoi këtu në SHBA dhe në Tiranë. Në krye ishte ai, Kryetari karagjozi dhe ekipi i tij.Kryetari i Vatrës që kishte rrëmbyer armën për liri në radhët e Ballit Kombëtar që në rininë e hershme dhe kishte shkuar deri në Kosovë për ta çliruar, nuk mund të ndjehej i qetë në kohën kur Kosova po kallej flakë prej hitlerit të kohëve moderne, Sllobodan Millosheviçit. Mori bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shkoi deri tek lufëtëtarët e Lirisë dhe së bashku me vatranët u dha shpresë për liri dhe u ndihu me sa mundi. Ishin kohë të vështira; në Shqipëri kaos, në Kosovë flakë, por Agimi nuk u friksua; shkoi me vatranët deri tek spitali ku luftonin për jetën me plagë në trup bijtë e Kosovës e të Shqipërisë, dërgoi ndihma mjeksore dhe dollarë të mbledhira nga vatranët. Kryetari Karagjozi do të mbahet mend edhe si”nikoqir” i Vatrës: ai mblodhi kurseu dollarët e fushatave të Vatrës, kryesoi fondin e banesës, kryesoi fushatën për ndihma në Kosovë, kryesoi fushatën për ndihma gjatë përmbytjeve në Shkodër etj. Trashëgimia e Agim Karagjozit është vlerë për Vatrën e sotme dhe duhet t’i shërbejë vatranëve si model përkushtimi. Ajo çfarë tha i biri, Zuhdiu në fjalën e tij përcjellëse në ceremonine e varrimit diten e percjelljes, nuk duhet marrë thjesht si vlerësim i të birit për babanë e tij, por si përcjellje mesazhi nga një gjeneratë tek tjetra. Ai tha se ikja e Agimit shënon fundin e një epoke, por varet nga ne, gjenerata e re, për ta mbajtur të fortë flakën e shqiptarizmit. Epoka e Agim Karagjozit kishte për moto:Vendosni interesin e Kombit mbi gjithçka.Vatranët do ta kujtojnë kryetarin e tre edhe si”kosovari” nga gjirokastra sic e epitetoi gazetari, ish Drejtori i Radios Zeri I Amerikës pëe Euro –Azinë Frank Shkreli, në artikullin e tij përcjellës publikuar në Dielli.Vatra nuk do t’ia harroje Kryetarit te saj edhe shtepine qe ka sot. Ato para me te cilat u ble shtepia u mblodhen dhe u ruajten nga Agim Karagjozi. Nuk mund te harrohet edhe kontributi qe dha i biri Zuhdi Karagjozi ne gjetjen dhe blerjen e asaj shtepie, duke i bere e gjitha sherbimet pa shperblim.Pusho në Paqë Agim Karagjozi, idelaisti, nacionalisti, vatrani i përjetshëm. Vatranët nuk do të harrojnë kurrë.

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani dhe Kryeparlamentari Konjufca bënë homazhe te memoriali i Masakrës së Lybeniqit

April 1, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e shoqëruar nga kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri bënë sot homazhe dhe vendosën kurorë me lule në 23 vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve në Lybeniq të Pejës.

Presidentja Osmani tha se sakrifica e martirëve dhe dëshmorëve të Lybeniqit ka bërë që ne sot ta gëzojmë aspiratën tonë shekullore për liri.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se sot ka takuar shumë familjar që kanë humbur më të dashurit e tyre, e disa e kanë humbur gjithë familjen.

“U kemi borxh për tërë jetën, por në të njëjtën kohë, është obligim i yni institucional që asnjëherë mos t’i ndalim përpjekjet tona për drejtësi. Në këtë masakër, sikurse edhe në çdo tjetër që regjimi gjenocidal i Serbisë ka kryer ndaj popullatës së pafajshme, civile në Kosovë, por edhe gjithë dëshmorët që kanë rënë, dëshmojnë se sa barbare ka qenë lufta e shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

Ajo tha masakra e Lybeniqit është dëshmi e qartë e qëllimit shfarosës që regjimi i Millosheviqit që kishte ndaj popullit të Kosovës. “Nuk duhet të ndalemi ditë pas dite dhe të punojmë pareshtur të gjithë bashkërisht, pa dallim, në mënyrë që gjaku i tyre mos të shkoj huq dhe në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave makabre, kryerësit e gjenocidit të dalin para drejtësisë”, përfundoi Osmani.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT