• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

Kosova, përballë sfidave politike, festime madhështore për 15 vjetorin e pavarësisë, në Filadelfia

February 21, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, është ngjarja e dytë më e madhe historike jubilare pas aktit vendimmarrës për lirinë dhe pavarësinë e trojeve të Arbrit, nga personaliteti i shquar, Ismail Qemali, i cili hodhi bazat e para të themelimit të shtetit shqiptar. Pavarësia e Kosovës është një akt kurorëzimi shumë thelbësor, domethënës, politik, për lirinë e territoreve të saj, ndërtimin e shtetit të pavarur me institucionet demokratike respektive, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të popullit shqiptar, çlirimin nga pushtimi barbar serb shekullor, apo i ashtuquajturi Holokausti Jugosllav, moment i cili mbart nën vete një rrugë të gjatë, shumë të mundimshme, me plot sfida dhe gjakderdhje. Populli shqiptar i Kosovës ka përjetuar nën lëkurë masakra dhe tortura nga më çnjerëzoret; në fushë të betejës kanë dhënë jetën djem e bija nënash, me fjalët “liri” e “pavarësi”, të gdhendura në shpirt dhe në zemër, ku famëkeqi Sllobodan Millosheviç, me ‘makinën e tij të vdekjes” nuk kurseu as foshnjet në barkun e nënës. Sa gjak është derdhur për liri, sa lotë nënash janë tharrë, e sa tortura e masakra barbare ka përjetuar dhe parë populli i Kosovës, pasojat e të cilave ndihen edhe sot në familjet shqiptare! Mbi gjakun e të rënëve u kurorëzua Pavarësia e Kosovës; me gjakun e dëshmorëve u shkrua fjala “liri”, të cilët u larguan nga kjo botë duke marrë me vete merakun dhe dëshirën e paepur për një Kosovë të lirë dhe të begatë! Ikën me nder dhe lavdi, se sakrifikuan për brezat e rinj që të kenë një të ardhme të ndritur, ikën me amanetin e madh, përcjellë gjeneratave të reja, që të mos shiten dhe as blihen për interesa, pasi kombi dhe gjuha i jep njeriut dinjitet, respekt dhe të drejtën për të ekzistuar! Mbi gjakun e dëshmorëve erdhi liria, u themelua Republika e Pavarur e Kosovës, u thurrën shumë ëndrra për një të ardhme të ndritur plot begati. Ushtria serbe ka zhvilluar krime nga më të rëndat dhe ka ndërmarrë politika shoviniste, për copëtimin e trojeve dhe robërimin e shqiptarëve. Populli shqiptar duhet të mbajë qendrim dhe duhet të veprojë, që zëri i tij të dëgjohet deri te kancelaritë e huaja, në mënyrë që të dënohen të gjithë përgjegjësit e genocidit serb, por edhe atij malazez e grek. Amerika ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm dhe të pakthyeshëm, në të gjithë procesin që kulmon me Pavarësinë e Kosovës. SHBA-të janë “prometeu i lirisë” për Kosovën, pika më e fortë strategjike, mikja besnike, ku shqiptarët janë mbështetur pasi kanë gjetur një shpatull të ngrohtë, e cila kurrë nuk i braktisi në kohë të errëta. Shumë personalitete dhe veprimtarë të shquar, si brenda dhe jashtë vendit, punuan fort për ardhjen e kësaj dite, por do të doja të nxirrja në pah emrin e Martti Ahtisarit, i cili i dha goditjen e fundit politikës serbe. Kujtoj se, më 2 shkurt të 2007, i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.Dialogu Kosovë-Serbi Pavarësisht përpjekjeve të mëdha për shpalljen e pavarësisë, Kosova në ditët e sotme gjendet përballë sfidave politike të brendshme dhe të jashtme. Ajo që merr më shumë vëmendje krahas problemeve të brendshme, është dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila synon të rrisë sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Një propozim franko-gjerman është hedhur në tryezë, ku fton të dyja palët, Kosovë-Serbi, ta pranojnë dhe ta shfrytëzojnë në zhvillimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe për të ofruar dhe garantuar paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ky propozim përmban respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Dy garantet e sigurisë në botë, SHBA dhe BE, po ushtrojnë trysni ndaj dy shteteve për të shkuar në një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, nëse vijohet me polemika dhe kundërshtime, ajo që do të përfitojë për të shtuar dhe nxitur konfliktet në Ballkan, është Rusia. Cari i Kremlinit, Vladimir Putin, derisa t’i vijë fundi, do të përdorë çdo lloj strategjie për të mbështetur Serbinë në qëllimet e saj ndaj Kosovës, për të zhvendosur vëmendjen nga lufta në Ukrainë, por edhe për të arritur qëllimet e kahershme për të pasur influencë në Ballkan. Zyrtarët e lartë të Kosovës, në mënyrë të përsëritur, janë shprehur se dialogu me Serbinë nuk ka kuptim pa njohje reciproke. Por dialogu Kosovë-Serbi, i monitoruar nga SHBA dhe BE, fillimisht ka për qëllim të çojë në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet e vjetra, e, më pas, të shkohet në etapën përfundimtare, njohjen e Kosovës, nga Serbia. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ndryshe nga zyrtarë serbë të mëparshëm të jetës politike, ka treguar angazhim për arritjen e një dialogu, por ai gjendet edhe përballë trysnisë së popullit serb, të cilët janë kundër dialogut dhe e shohin Kosovën ende pjesë të territorit serb. Kështu, grupet pro-ruse të krahut të djathtë kanë kërkuar që Beogradi të ndalojë të gjitha negociatat për Kosovën, por Vuçiç ka thënë se kjo do të nënkuptonte fundin e integrimit të Serbisë në BE dhe izolimin ndërkombëtar. Kalvari i negociatave, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, ka nisur që më 2011, por situata duket e tensionuar dhe me nota skeptike për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Përpos kësaj situate, Kosova po përballet me një presion tjetër që vjen nga Uashingtoni, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në veriun e Kosovës. Kosova e kundërshton pasi do të kemi një situate të ngjashme me Republikën Serbe të Bosnjes. Britania e Madhe e mbështet Kosovën në këtë pikë. Ndërkaq, Kosova po haset edhe në sfida të tjera të brendshme, e cila do të duhet të hartojë politika ekonomiko-sociale për të ulur papunësinë, të punojë fort për luftën kundër korrupsionit, i cili është armiku kryesor që nuk lejon zhvillimin e një shteti. Festimet në Filadelfia dhe më gjerë Pavarësia e Kosovës, në përvjetorin e 15-të të saj, si brenda viseve të shtetit amë, ashtu edhe nga mërgata shqiptare anë e mbanë botës, është festuar me shumë ovacione, muzikë, këngë dhe valle shqiptare. Komuniteti shqiptar, sidomos ai përtej oqeanit, i cili ndodhet më larg, por me kokën mbrapa, të përmalluar për atdheun, kanë zhvilluar festime madhështore në çdo shtet të Amerikës, ku gjenden shqiptarët. Shqiptarët janë mbledhur së bashku dhe kanë festuar deri në orët e vona të mëngjesit, për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Gëzimi dhe hareja është parë në fytyrat e tyre të qeshura, duke demonstruar me këngë e valle, se ruajnë me fanatizëm kulturën dhe traditat shqiptare, edhe pse të larguar prej shumë vitesh nga atdheu i dashur. Anë e mbanë Amerikës u vendosën billboards për ditën e pavarësisë së Kosovës, nga një kompani shqiptaro-amerikane që vepron në SHBA dhe Kosovë. Në të gjitha festimet që janë bërë, do të veçoja festimet madhështore të organizuara nga Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filanbz delfia, në bashkëpunim me gazetaren e talentuar, Eva Dori, e cila është bërë një zë i veçantë për komunitetin shqiptar, duke pasqyruar aktivitetet kulturore, me synim promovimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare. Për herë të parë u ngrit flamuri zyrtar i shtetit të Kosovës, në mjediset e Bashkisë së Philadelphias. Shoqata “Bijtë e Shqipes” caktoi Ambasadorin e Shtetit të Kosovës, Shkëlqesinë e tij z. Ilir Dugolli, që të jetë flamurtari i ditës së pavarësisë, i shoqëruar nga dy, ish-nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” Philadelphia, zonjusha Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të cilët ishin përfaqësuesit e brezit më të ri të Kosovës. Pas fjalëve përshëndetëse, kryetari i Shoqates “Bijte e Shqipes” z. Bujar Gjoka, dha vlerësim nga Këshilli drejtues i shoqatës për z.Ahmet Zeka, për kontributin e vyer që ka dhënë në ndihmë të popullit kosovar. Atdhetari Enver Parllaku shtoi një drekë për të gjithë të pranishmit në La Fontana Della Citta, duke ruajtuar kështu traditën e mrekullueshme vit pas viti. Kosova ta gëzojë përjetë ditën e pavarësisë, duke shpresuar që të përarojë në politikën e saj të brendshme, por të arrihet edhe një dialog me Serbinë, pasi konfliktet nuk u shërbejnë dy shteteve dhe cënojnë stabilitetin në rajon.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eneida Jaçaj

VATRA, Tampa Bay, Florida, organizoi mbrëmje festive me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës

February 20, 2023 by s p

Bledar Prifti/

Dje, më datën 17 shkurt 2023, Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, Dega Tampa Bay, Florida, organizoi një mbrëmje festive me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shtetit të Kosovës. Në mbremjen festive morën pjesë anëtarë të komunitetit shqiptar në Tampa Bay dhe të ftuar të tjerë. Në festime nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe Dr. Anna Kohen, Presidente dhe krijuese e organizatës së grave Shqiptaro-Amerikane “Motrat Qiriazi”, dhe z. Ervis Zhilla, përfaqësuesi i Shqipërisë në komandën e forcave aleate në bazën e forcave ajrore në MacDill AFB, Florida.

Pas himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosovës, dhe Shqipërisë, fjalimin përshëndetës e mbajti kryetari i degës së Vatrës në Tampa Bay, z. Isuf Spahiaj. Në fjalimin e tij, z. Spahiaj theksoi sakrificat e panumërta të popullit shqiptar në Kosovë në luftën për pavarësi dhe rëndësinë që kjo pavarësi ka në lidhje me të ardhmen e kombit shqiptar. Të pranishëm të tjerë ndanë me bashkëkombasit e tyre kujtimet nga koha e luftës së pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet e tyre nga Shqipëria dhe Amerika në ndihmë të popullit shqiptar në Kosovë. Në fjalën e saj, Dr. Cohen solli kujtime nga koha kur ajo së bashku me organizatën “Motrat Qiriazi” dhe bashkëkombas të tjerë ndihmuan financiarisht kauzën e popullit shqiptar në Kosovë. Dr. Ardian Kraja ndau me pjesmarrësit një histori rrënqethëse nga koha e luftës kur ai ishte doktor ortoped në qytetin e Shkodrës dhe se si ai kishte ndihmuar një nënë kosovare të plagosur nga predhat serbe. Të gjithë folësit përçuan tek të pranishmit nevojën për të çuar më tej përpjekjet në ndihmë të kauzës mbarëkombëtare.

Festimet vazhduan deri në mesnatë nën tingujt e muzikës tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat. Muzika, ushqimi, dhe pijet për mbrëmjen u bënë të mundur fal kontributeve të dhëna nga Dr. Ardian Kraja, z. Petro Dervishi, z. Fadil Neziri, z. Fabio Dikena, znj. Vjosa Bytyqi, dhe znj. Theranda Spahiu.

Gëzuar përjetë Republika e Kosovës.

Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Vatra Tagged With: bledar prifti

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Ambasador Reka organizoi pritje madhështore për 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 20, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset e ngjyrave blu dhe te florinjte, simbolet e Flamurit të shtetit të Kosovës në Kimberli Hotel, Konsulli i Përgjithshem i Republikës së Kosovës në New York, Ambasador Blerim Reka organizoi një pritje madhështore për 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë natë të shndritshme të Kosovës në Manhatan në kryeqendrën e botës u mblodhën shqiptarët e Diasporës, biznesmenë të suksesshëm me shumë kontribute për Kosovën, diplomatë, politikanë të lartë amerikanë, ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së për të nderuar Kosovën martire, Kosovën e Shqipërisë etnike.

Që në hyrje të mirëprisnin cifti simpatik me buzëqeshjen e trëndafiltë mësuese Vlera dhe Luan Thaqi, diplomati Fatmir Zajmi dhe gjithë stafi. Tingujt e violinës dhe të pianos të interpretuara mjeshtërisht nga Margaret Radovani dhe Erga Halilaj mbushnin atmosferën dhe e bënin më të këndshme dhe më të bukur këtë mbrëmje festive.

Mbrëmja filloi me egzekutimin e Himnit shtetëror të Kosovës dhe Amerikës.

Konsulli i Përgjithshem i Repbulikës së Kosovës në New York Ambasador Reka përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe iu uroi atyre: Gëzuar 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës! Fjala e tij që kishte në thelb sakrificat e themelimit të shtetit të Kosovës, gjakun e UÇK-së -së, gjakun e popullit lumë nga kucedra serbe si dhe mirënjohjen për Amerikën u mirëprit me duartrokitje dhe plot dashuri për Kosovën.

Nderonte me pjesëmarrjen e saj Ambasadorja Lisa Carty, përfaqësuese e SHBA-së në ECOSOC në OKB dhe përshëndeti të pranishmit me plot dashuri dhe premtim.

Në këtë ceremoni nderonte gjithashtu Ansambleisti Charles Fall i cili përfaqëson Distriktin e 61-të të Asamblesë së Nju Jorkut dhe që mbulon Bregun Verior të Staten Island, ku ai ka banuar gjithë jetën e tij. Asambleisti Fall është anëtari i parë mysliman dhe afrikano-amerikan i Asamblesë i zgjedhur nga Staten Island.

Asambleisti Fall vleresoi me pllakatë mirënjohjeje me rastin e 15 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës Ambasadorin Blerim Reka.

Ambasadori Reka ishte nën shoqërimin e bashkëshortes së tij, pedagoges Ymrane Reka, diplomates Teuta Hyseni dhe gjjithë stafit të Konsullatës së Përgjithshme që punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm për Kombin.

Ishte një natë festive, një natë e shenjtë kombëtare për të festuar 15 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në mendje s’më hiqeshin vargjet:

Atdhe, Zoti im,

Edhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,

Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,

Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!

Gëzuar perjetësisht!

TV “Alba Life” po transmeton në kanalet televizive 27 në paketën digitale TV “Alb” kronikën e përgatitur enkas për këtë aktivitet të rëndësishëm për Diasporën.

Photo Credit: Amir Suka AlbaPro dhe Alba Life

17 Shkurt, 2023

Manhattan, New York

Filed Under: Rajon Tagged With: Kozeta Zylo

KOSOVA 15 VJET SHTET, VATRA RUAN TRADITËN E FESTËS SË PAVARËSISË SË DARDANISË

February 20, 2023 by s p

Asllan Bushati/

Në vazhdim të traditës së kremtimeve në Vatër për pavarsinë e Dardanisë, e cila fillon që nga viti 2000 e deri më sot, edhe mbrëmjen e 17 Shkurtit 2023, dera e Selisë Qëndrore qëndroi e hapur për vatranët dhe dashamirët e Vatrës. Më parë festimet janë organizuar me dreka e darka me muzikë ose pritje me koktej në Vatër. Më gëzim dhe emocion të veçantë edhe në pasditën e 17 shkurtit, u mblodhën shumë vatranë e dashamirë të saj, vetëm për të uruar njëri tjetrin e për tu gëzuar së bashku.

Sekretarja e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, Zonja Nazo Veliu, ju uroj të pranishmëve mirseardhjen në 15 vjetorin e Dardanisë, ku fillimisht i ftoi ata të mbanin një minut heshtje për të rënët në luftën për çlirimin e saj. Më pas Zonja Veliu bëri një bilanc të shkurtër të luftës, sakrificave, mundimeve të dardanëve , UÇK-së, NATO-s dhe veçanërisht të mikut tonë të madh SHBA.

Pas Zonjës Veliu, unë përmenda disa nga datat më të rëndësishme të historisë së Kombit tonë, duke nënvizuar se pas 28 Nëntorit 1912, 17 shkurit i vitit 2008 ku Dardania u shpall Shtet i Pavarur e Demokratik, është më e rëndësishmja. Kjo jo vetëm na obligon që medoemos ta kujtojmë, si ngjarje, por të shtrojmë rrugën për breznitë e reja duke u treguar se sa gjak, mund, djersë, kohë e mjete monetare janë në themelet e kësaj date. Po ashtu solla në kujtesë punën e madhe të komunitetit shqiptaro- amerikan dhe miqve tanë në Kongres, Senat, Departamentin e Shtetit; punën për “Vendlindja thërret”, Batalionin Atllantiku dhe ndihmesat monetare të vatranëve e komunitetit.

Zoti Lek Përlleshi (antar i Këshillit Drejtues), shprehu ndjesitë e tij më të thella për këtë aktivitet në përkujtim të 15 vjetorit të pavarsisë së Dardanisë. Ai theksoi se Vatrës i ka hije, në raportë me çdo organizëm tjetër se ajo gjithë jetën zhvillon e përcon energji Kombëtare.

Zoti Bashkim Shehu, ish Zëvëndës Ministër i Mbrojtjes në Shqipëri dhe ish Kryetar i parë i Shoqatës “Skënderbej”, nënvizoi se roli i Vatrës ka qenë, është e do të jetë i madh e në ballë të komunitetit për problemet bazike kombëtare. Ndihmesa e saj për pavarsinë e Dardanisë ka qenë e shumanëshme. Në këtë llogjikë për problemet substanciale të Dardanisë, Shqipërisë dhe diasporës foli edhe dashamiri i Vatrës Ing. Orhan Sakiqi (ish këshilltar i Presidentit Berisha). Rapsodi Isa Brecani recitoi dy poezi shumë të bukura kushtuar trimave të Dardanisë që dhanë jetën për pavarsi. Vatrani i vjetër Simon Qafa (antar i Këshillit), krahas urimit shtoi se kemi akoma shumë për të bërë deri tek bashkimi kombëtar. Vatrani dhe aktivisti i komunitetit Muhamet Omari, shtroi nevojën e përsosjes mëtejshme të organizimit të Vatër e komunitetit për ti shërbyer më mirë Kombit. Ai solli si shembull komunitetin Hebre këtu në SHBA, që është i fortë dhe shpesh vendimmarrës me të cilin lypset të lidhemi më ngushtë. Presidenti i TV Kultura Shqiptare Zoti Adem Belliu, uroji për pavarsinë e Dardanisë, dhe përmendi me respekt shumë aktivitete të Vatrës të cilat ky TV i ka filmuar e arkivuar si dhe veprimtari të komunitetit që kanë peshë në jetën e komunitetit e të Kombit. Është domosdoshmëri tha ai që gjithcka e mirë ti përcillet brezit të ri.

Nga vendi përshëndetën dhe uruan : Ramiz Mujaj (Sekretari i Këshillit të Vatrës), Idriz Lamaj, Mark Qehaja, Ismer Mjeku. Mark Mrnacaj, Cezar Ndreu, Edi Aranitasi, Pashk Maksuti etj.

Ky aktivitet i zhvilluar në Selinë Qëndrore të Vatrës në NY, ishte i shkëlqyer dhe shkoi në vazhdën e veprimtarive të tjetëra të mbajtura këtu në SHBA, Kosovë, Shqipëri e diasporë. Ky aktivitet kombëtar ishte pjesë e çdo gjëje të mirë, përparimtare, dashamirëse e progressive për Kombin.

Dardanija jonë kreshike gëzuar 15 vjetorin e pavarsisë dhe të tjerët i festofshim nën suazat e një shteti të vetëm shqiptar.

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati

17 Shkurti shpallet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia

February 20, 2023 by s p

Shqiptarët në Philadelphia për herë të parë e ngritën flamurin e Kosovës në bashki (City Hall).

Nga dr. Sadik Elshani

Që nga kremtimet e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shoqata “Bijtë e shqipes” në bashkëpunim me bashkinë e Philadelphias kanë krijuar një përvojë të mirë për ngritjen ceremoniale të flamurit kuqezi. Është ky një rast i mirë për t’i paraqitur vlerat tona kulturore e kombëtare para qytetit ku jetojnë afër 30 mijë shqiptarë. Kishim menduar edhe për ngritjen e flamurit të Kosovës, por nuk e dinim nëse i lejohet shoqatës sonë që të organizojë ngritjen ceremoniale për dy shtetet shqiptare. Dhe vendosëm që të njejtën ceremoni duhet organizojmë edhe për flamurin e Kosovës, sepse shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë e kombit tonë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vitin e kaluar kur organizuam ngritjen e flamurit kombëtar e shfaqëm dëshirën tonë para autoriteteve të qytetit për ngritjen e flamurit të Kosovës në ditën e shpalljes së pavarësisë së saj. E bëmë kërkesën dhe kërkesa jonë u pranua pa kurrëfarë problemi. Duhej ta bënim këtë vit edhe për ta shënuar përvjetorin e pesëmbëdhjetë të pavarësisë së Kosovës.

Përgatitjet për të bërë një organizim sa më të mirë kishin filluar me kohë, ishte bërë edhe lajmërimi për të siguruar pjesëmarrje sa më të madhe të bashkatdhetareve. Të gjithë po e prisnim me padurim këtë ditë. Dhe ja erdhi 17 shkurti. Koha atë ditë në Philadelphia ishte me shi, por ceremonia u zhvendos në mjediset e brendshme të Bashkisë, Conversation Hall, sallë në të cilën bashkia i organizon pritjet ceremoniale. Në sallën e zbukuruar me flamujt e Kosovës, ata kombëtarë dhe amerikanë ishin tubuar shumë bashkatdhetarë, jo vetëm nga qyteti i Philadelphias, por edhe nga vendbanimet përreth, madje edhe nga Nju Jorku. Ishte i pranishëm ambasadori i Kosovës në Uashington dhe i tërë personeli i kësaj ambasade. Qytetin e Philadelphias e përfaqësonte zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative). Ndërsa nga Zyra për Çështje të Emigrantëve ishte i pranishëm z. Alain Joinville. Ishte i pranishëm edhe kryetari i Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia, z Christopher Chaplin.

Dy ish nxënës të shkollës shqipe, “Gjuha jonë”, Jona Hajrullahu e Drini Hamza, të veshur me veshje të bukura kombëtare, e moderuan për bukuri këtë veprimtari. Pas disa fjalëvë hyrëse ata ia dhanë fjalën kryetarit të shoqatës “Bijtë e shqipes”, z. Bujar Gjoka, i cili i përshëndet të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai theksoi se kjo është hera e parë që shoqata organizon një veprimtari të tillë në bashkinë e Philadelphias.

Në emër të Këshillit Drejtues të shoqatës përshendeti, z. Sadik Elshani, i cili në fillim të fjalës së tij i përshëndeti të praanishmit duke ua uruar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. U kujtoi të pranishmëve se me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës atëherë në Prishtinë ishte ngritur një monument, “Newborn” (I porsalinduri), për ta shënuar lindjen e shtetit më të ri të Evropës e botës. Tani ai i porsalinduri i ka mbushur 15 vjet dhe është duke u rritur i fortë e i shëndetshëm. Pastaj z. Elshani në pika të shkurtëra e përshkroi rrugëtimin e Kosovës drejt shpalljes së saj si shtet i lirë e i pavarur: “Ishte ky një rrugëtim i gjatë vuajtjesh, sakrificash, përpjekjesh e luftërash për liri e pavarësi. Është ky kurorëzimi i të gjitha këtyre përpjekjeve që bën breza të tërë shqiptarësh. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e penë është e gjatë, ngjarjet që çuan deri në fitoren përfundimtare janë të shumta. Por, sot ketu do të veçoja presidentin historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovën, i cili me guxim, mençuri e vizion të qartë i priu popullit të Kosovës në një periudhë mjaft të vështirë historike. Do të veçoja komandantin legjendar Adem Jashari dhe sakrificën finale të tij dhe të familjes së tij, si dhe ata mijëra djem e vajza, burra e gra që luftuan me armë në dorë për t’i dalur zot vendit të vet, për të mbrojtur nderin e dinjitetin e familjeve të tyre”.

Në vazhdim z. Elshani foli për sfidat e shumta me të cilat po ballafaqohet Kosova dhe përpjekjet e saj për të ecur përpara, për të ndërtuar institucionet funksionale demokratike. Duke folur për Kosovën ai u shpreh: “Kosova është një vend i bukur, me shumë monumente historike, i pasur me minerale, fusha pjellore e bjeshkë madhështore, e banuar me një popull zemërgjërë e bujar – një shoqëri dinamike, e etshme për të ecur përpara drejt integrimeve evropiane e NATO-s” Z. Sadik nuk e la pa e përmendur edhe ndihmën vendimtare të ShBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës si dhe ndihmën e pandërprerë për ndërtimin e institucioneve shtetërore, ringjalljen e ekonomisë, etj. Ai po ashtu, foli edhe për kontributin që japin shqiptarët nga Kosova në zhvillimin e ekonomisë së Philadelphias dhe aspekteve te tjera të jetës së qytetit ku ata jetojnë dhe i rrisin familjet e tyre.

Për rëndësinë e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e Philadelphias, z. Elshani u shpreh: “Ngritja e flamurit të Kosovës sot në Bashkinë e Philadelphias, vendlindjen e ShBA-ve dhe të Kushtetutës Amerikane është një nder i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe popullin e saj, komunitetin tonë, është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, paqe e përparim. Prandaj, nuk është rastësi që ambasadori the i tërë personeli i ambasadës se Kosovës në Uashington, D. C. janë të pranishëm në këtë ceremoni madhështore, ata janë këtu për të shprehur falenderimet e tyre për vendin që ndihmoi për çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviqit. Ceremonia e sotit e çon një porosi të qartë: E mira ngadhnjen mbi të keqen, liria mbi tiraninë, diktaturën. Si një shqiptaro – amerikan i lindur e rritur në Kosovë, e ndiej veten shumë krenar te deklaroj se sipas të gjitha anketave, Kosova është vendi më proamerikan në botë”.

Në emër të kryebashkiakut (Mayor) të Philadelphias, të nderuarit Jim Keney, përshëndeti zonja Sheila Hess, Përfaqësuese e Qytetit (City Representative), mike e madhe e komunitetit tonë. Zonja Hess në fillim të fjalës së saj të pranishmëve u uroi Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke i përgëzuar organizatorët për këtë veprimtari të mrekullueshme. Që në fillim të fjalës së saj ajo e entuziazmuar e shfaqi kënaqësinë e saj që kjo ceremoni po zhvillohet për herë të parë në Philadelphia, sepse ky qytet është “qyteti i shumë të parave”, qytet ku shumë gjëra në ShBA kanë ndodhur për herë të parë pikërisht në këtë qytet. Ajo pastaj i njoftoi të pranishmit se qyteti i Philadelphias është qytet që i mirëpret emigrantët. Emigrantët nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur Philadelphian për të jetuar e për t’i rritur fëmijët, familjet e tyre.Ata sjellin traditat, kulturën, ushqimet e tyre, duke ia shtuar begatinë jetës së qytetit. Pastaj ajo foli edhe për rolin që shqiptarët luajnë në jetën kulturore e ekonomike të qytetit, vlerat e tyre familjare e njerëzore. Pastaj zonja Hess lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiaku Keney e shpallte 17 shkurtin e vitit 2023, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre.

Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Zoti Joinville i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u adaptuar në jetën e qytetit të Philadelphias. Sikurse zonja Hess më parë edhe ai e theksoi se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mirë e të mirëpritur.

Në fund, jo për nga rëndësia, por sipas protokolit të qytetit, fjala e fundit në ceremoni të tilla, në shenj nderimi i jepet të ftuarit, personit më të rëndësishëm. E në këtë ceremoni ky person ishte ambasadori i Kosovës në Uashington, Shkelqësia e tij, Ilir Dugolli. Zoti Dugolli i përshëndeti të pranishmit, duke u uruar atyre Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ai e falendëroi qytetin e Philadelphias dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” për këtë ceremoni madhështore, që i bën nder Kosovës dhe gjithe shqiptarëve. Në vazhdim ai shkurtas foli për sukseset dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova, aspiratat e saj për t’iu bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe anëtare e NATO-s. Kuptohet, zoti Ambasador nuk e la pa e përmendur edhe rolin e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre për çlirimin e Kosovës dhe ndihmesën e tyre të vazhdueshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës, demokratik e të përparuar, si dhe garancinë e tyre për ruajtjen e paqes në Kosovë e rajon.

Kjo ceremoni ishte edhe një rast i përshtatshëm për të nderuar një veprimtar të dalluar të komunitetit tonë për angazhimin e tij shumëvjecar për çështjen e Kosovës dhe atë kombëtare. Është ky atdhetari e sipërmarrësi i suksesshëm, z. Ahmet Zeka, të cilin shoqata “Bijtë e shqipes” e nderoi me vlerësimin, “Nderi i komunitetit”, për organizimin e shumë demonstratave për mbrojtjen e Kosovës, ndihmën materiale e monetare për Kosovën e Shqipërinë, si dhe ndihmesën e tij të gjithanshme për të ndihmuar emigrantët e rinj shqiptarë, nga të gjitha trojet tona etnike.

Ky ishte programi që u organizua në mjediset e brendshme të Bashkisë. Tani shiu kishte pushuar së rëni dhe ky ishte një çast i përshtatshëm, çast për të cilin ishim mbledhur: ngritjen e flamurit të Kosovës.Të gjithë të pranishmit u tubuan në sheshin e Bashkisë rreth shtyllës ku ishte vendosur flamuri i Kosovës. Në fillim u luajtën himnet e dy shteteve, Amerikës e Kosovës. Gjatë luajtjes së Himnit të Kosovës në shtyllë ngritej flamuri i Kosovës. E ky nder këtë vit i takoi mysafirit tonë të çmuar, Ambasadorit Dugolli, i cili shoqërohej nga dy paraqitësit e programit të kësaj veprimtarie, Jona Hajrullahu e Drini Hamza. Pastaj sheshi jehoi nga kënga e vallja shqiptare, shqiptarët vallëzonin të gëzuar dhe uronin njëri – tjetrin për këtë Ditë të Madhe për Kosovën dhe kombin tonë.

Por, nuk u mbyll me kaq kjo veprimtari e ngritjes së flamurit të Kosovës: Zoti Enver Parllaku i ftoi të gjithë të pranishmit që të shkonin për të pirë një kafe në restorantin që ai drejton. Është traditë të thuhet për një kafe, por z. Parllaku shtroi një drekë të pasur me të gjitha të mirat, pije e ushqime të mjaftueshme (bollshme) e të shijshme. Në këtë drekë ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosoves dhe shoqëruesit e tij. Edhe këtu bashkatdhetarët kaluan ça çaste të këndshme, biseda të përzemërta nën tingujt e muzikës shqiptare. U ngritën dolli për Kosovën, duke shprehur urimet dhe dëshirat më të mira për përparimine saj. Enveri është një bashkatdhetar bujar që i respekton traditat shqiptare të mikpritjes. Ai në restorantin e tij disa herë ka organizuar veprimtari fondembledhëse për të grumbulluar fonde monetare për godinën e re të shoqatës sonë dhe për t’i ndihmuar bashkëkombësit tanë në Shqipëri pas goditjes së tërmetit të vitit 2019. Ka ca vite që të njejtën gjë e bën edhe kur e ngremë flamurin tonë kombëtar për nder të 28 Nëntorit. E falenderojmë Enverin për bujarinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë e tij.

Kështu, në rrethana të modifikuara për bukuri, me plot sukses u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës për herë të parë në Bashkinë e Philadelphias. Zemra të mbushet me kënaqësi kur e sheh duke valuar flamurin e Kosovës në qytetin ku u shpallë pavarësia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në botë u urojmë me gjithë zemër: Gëzuar 17 Shkurtin! Ndërsa Kosovës sonë të dashur i urojmë mbarësi e përjetësi. Vërtet 17 shkurti në Philadelphia ishte një ditë e vrërët e me shi, por për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, 17 Shkurti gjithmonë do të jetë një ditë me diell që shkëlqen nga rrezet e lirisë. Gëzuar!

Philadelphia, më 18 shkurt 2023.

Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT