• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

Një mundësi e shkëlqyer në ndihmë të të gjithë shqiptarëve në New Jersey, New York e më gjerë

September 23, 2023 by s p

Një mundësi e shkëlqyer në ndihmë të të gjithë shqiptarëve në New Jersey, New York e më gjerë.

Filed Under: Komunitet

Marie Logoreci, kjo ikonë e artit skenik shqiptar, gruaja magjepsëse dhe epikia e rolit të nënës

September 23, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Gjithkush që rreket të vizualizojë profilin artistik, njerëzor dhe anatomik të Marie Logorecit, kësaj gruaje të pashoqe, do ta kishte sa të vështirë aq dhe të pamundur. Një jetë e artit të saj skenik, një dehje e pambarimtë e portretit të saj shprehës, gjithnjë mbetet do të mbetej diçka pa thënë, do të mbetej diçka pa përfunduar, tamam si kryeveprat botërore në muzikë dhe në pikturë. E përsosura gjithnjë lë jashtë kuadrit diçka të saj, ndoshta me kast për të mos e lënë në ikje të gjithën, në vagullinë e kujtesës, apo në përfytyrimin rijetues të imazhit të saj artistik.

Marie Logoreci kjo ikonë artit skenik, kjo një shkreptimë e yjësisë së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. U lindi në qytetin e Shkodër më 23 Shtator 1920 për t’u ndarë nga jeta në Tiranë nga një atak kardiak më 19 qershor të vitit 1988.

Maria lindi në Shkodër më 23 shtator 1920. I ati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake. Të vogël Marien e thirrën Tushi. Tushi bëri shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative. Në kët shkolle si dhe më vonë në gjimnaz filluan të duken prirjet e para. Ajo vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e besimit. Kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Fatmirësisht ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmon një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent. Ne ketë moshe ajo për një kohe te shkurtër mesoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut nëpërmjet malësorëve që bujtnin në shtëpinë e të jatit. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Tushin.

Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937, në moshën 17 vjeçare, duke marrë me vete nga familja përveç frymës atdhetare, talentin, dashurinë për folklorin, mandolinën e saj dhe emrin e shkurtër Tushi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës në familje e të afërm. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi (Shef I Buxhetit të shtetit në atë kohë dhe djali i Mati Logorecit). Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën. Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me bisedat për Luigj Gurakuqin, e Mjedën (të cilin Matia e kishte djalë halle). Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.

Marie_logoreci-gertrudaJeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.

Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, jo vetëm duke qenë dakort, por edhe duke e ndihmuar, duke e liruar nga shumë punë që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor.

Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë, e përmbushjes së pasionit dhe suksesit. Por kjo rrugë u pengua nga vështirësitë familjare nga vdekja e të shoqit Kolës dhe detyrimet që e vetme t’i plotësonte gjithçka të birit; që ai në atë kohë të formimit të personalitetit e karakterit të mos ndjente zbrazëtinë që normalisht shkakton mungesa e njërit nga prindërit. Maria ishte shumë sistematike, gjithmonë e ngarkuar me punë por gjente kohë që të merrej me kopshtin, me lulet e shumta, me pëllumbat, qentë e macet, të gatuante, të përgatitej për shfaqjen të lexonte apo dëgjonte muzikë. Nuk thoshte kurrë “u lodha”. Gjithmonë e shihje t’i bënte gjërat shpejt, plot energji e temperament, sa dhe kur ecte dukej sikur vraponte. Kishte një kujtesë që të mahniste, ajo mbante mend vargjet e legjendave tona, faqe të tëra nga Iliada e Odisea, siç mbante mend tekstet e shfaqjeve që ishin dhënë 30 vjet më parë. Marie Logoreci ka mbetur në kujtesën e atyre që e kanë njohur ashtu siç ka qenë, e qeshur, e thjeshtë, e sinqertë, e gjallë e plot jetë; një grua me njohuri të gjithanëshme me të cilën kishe dëshirë të bisedoje për çdo gjë e të kërkoje një mendim, një këshillë. Maria ishte në harmoni të plotë me temperamentin dhe specifikën e të gjitha tipareve të natyrës së saj, që kanë gjetur forcën e shprehjes, thellësinë psikologjike dhe pjekurinë artistike në artin e saj. Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta. Kujtojmë Alisa Lengton, borgjezen kapriçoze, konservatore, të kamufluar e raciste te “Rrënjët e thella”. Kristina Padera, hipokriten e djallëzuar, kreun e kompllotistëve tek “Komplloti i të dënuarve”. Gertruda, mbretëreshën që lufton me vetveten pa rrugëdalje te “Hamleti”. Fatimja, gruan e regjur me intrigat e oborrit, sa servile aq arrogante, te “Halili dhe Hajria”. Bernarda Alba, gruan e zezë me fuqi të ftohtë e tronditëse.

Marie Logoreci dhe Roza Anagnosti_n Kush e ka parë, nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”. Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj., numri i personazheve të interpretuara dhe numri i madh i figurave artistike të krijuara nga ajo, na japin në tërësi portretin e plotë të kësaj artisteje të shquar. Porteti i saj është veçanërisht shprehës, me tipare të qarta individuale, me ngjyrim të veçantë, me një harmoni të papërsëritshme të brendshme e të jashtme. Karakteri dramatik, ekspresiviteti i lëvizjeve dhe tipareve, temperamenti i flaktë, kanë gjetur shprehje të plotë në të gjithë qënien dhe në vokalin e saj. Ajo di t’i imponojë spektatorit figurën artistike me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk që nga pasuria intonative e zërit, deri te natyra dinamike e ekspresive e tipareve. Ajo ka arritur ta njohë deri në virtuozitet forcën akustike të zërit dhe veprimin e saj mbi spektatorin. Puna e gjatë si aktore e bëri që t’i lindë interesi edhe ndaj regjisë. Aktiviteti i saj si regjisore është i suksesshëm por modest e nuk zë vend me rëndësi në krijimtarinë e saj, por tregon për interesat e saj të gjera, shpirtin krijues që nuk e humbi gjallërinë as nga vitet. Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Rolet e para në kine-matografi sigurisht kanë patur vështirësitë e veta, gjë që ajo e ka vënë në dukje duke folur për interpretimin e saj në film. Është e kuptueshme, se ishin hapat e para të kinematografisë sonë, aktorët e teatrit sillnin një farë teatraliteti në interptretim, megjithatë heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën. Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria. Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj. Marie Logoreci vdiq në Tiranë ne vilen e saj nga nje atak kardiak më 19 qershor 1988 Marie Logoreci perveç urdherave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit.

Citime për Marie Logorecin:

Margarita Xhepa:

“Marie Logoreci do të vazhdojë t’i japë leksionin e saj kujtdo që do t’i përvishet rrugës së sundimshme të aktrimit.ajo do të vazhdojë të mbetet një nga Shën Mariet tona më të shtrenjta”.

Tinka Kurti:

“Maria ishte një shkollë për ne, e cila la dhe element në artin shqiptar”.

Drita Pelingu:

“Maria, me portret shumë të bukur, sy ekspresivë me trup mesatar, por mjaft joshës, ishte një grua energjike, që nuk ngjasonte me asnjë tjetër. Ishte Maria!”

Agim Zajimi:

“Ajo ishte shumë modeste, ishte artiste në skenë dhe një njeri në jetë. Nënë e urtë e qeshur, .Nuk paraqitej e veçantë meqënëse ishte e tillë”.

Besa Imami:

“Kështu artisti i mirë ringjallet e ringjallet gjithmonë në kujtesën e artdashësit, aq sa duket sikur as ka vdekur, as do të vdesë kurrë”

Drama të interpretuara nga Marie Logoreci

Çështja ruse (1947) – Xhesi

Tartufi (1947) – Elmira

Rrënjë të thella (1949) – Alisa Lengton

Komploti i të dënuarve (1950) – Kristina Padera

Halili dhe Hajria (1950) – Fatimja

Gjashtë dashnoret (1952) – Aljona Patrovna

Toka jonë (1954) – Loke

Intrigë e dashuri (1957) – Ledi Milford

Shtatë shaljanët (1958) – Triga

Hamleti (1960) – Gertruda

Shtëpia e Bernarda Albës (1961) – Bernarda Alba

Morali i zonjës Dulska (1962) – Tadrahova

Muri i Madh (1966) – Nëna Xhun

Përkolgjinajt (1966) – Mara

Drita (1967) – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci

Cuca e maleve (1967) – Prenda

Çatia e të gjithëve (1968) – Plaka

Përmbytja e madhe (1977) – Gjela

Filmografia

Dollia e dasmës sime (1978)

Operacioni Zjarri (1973)

Njësiti guerril (1969) – Nena

Oshëtime në bregdet (1966) – Nena

Toka jonë (1964)

Detyrë e posaçme (1963)

Tana (1958) – Nëna e Stefanit

Fëmijët e saj (1957) – Fatimeja

Skënderbeu (1953) – Kontesha

Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1975)

Nga mesi i errësirës (1978)

Çeta e vogël (I pa shfaqur në publik).

Bernarda Alba, tek : Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford ne “Intrige e dashuri” Gjela tek “Permbytja e madhe” etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: ALBERT VATAJ

“ALEKSANDËR” – KRONIKË E NJË LUNDRIMI TRAGJIK

September 23, 2023 by s p

Dr. Gëzim Puka/

Për të rrëfyer një ngjarje duhet fjala, por kur rrëfimtari nuk e gjen dot atë (we cannot find the words), atëherë ndërhyn gjuha filmike e Ardit Sadikut. Skenaristi dhe regjisori i ri shkodran është takuar në Amerikë me Aleksandër Grudën, protagonistin e njërit prej aksioneve më rrëqethëse të fundkomunizmit në Shqipëri. Arratisja e 18 personave me anijen luftarake përmes liqenit të Shkodrës më 11 shtator 1990, duke marrë peng rojet kufitare, ishte sfida më e madhe që iu bë atij regjimi të egër.

Qysh prej lashtësisë njeriu e ka parë lirinë si vijë horizonti, gjithmonë të tentueshme për t’u mbërritur. Aleksandri i filmit dokumentar e ka të brendashkruar që në emër madhështinë e bëmës. Ai është mekaniku i anijes ushtarake, që ndodhej pak përtej rrasës së tretë në Shirokë. Nismëtari i eksodit të parë, pak kohë para rënies së regjimit komunist. Ka me vete gruan shtatzënë dhe vajzën 5-vjeçare. Breshëritë e plumbave të kalibrit 12.7 shoqërojnë gjithë lundrimin e shkurtër të anijes ditën për diell. Pak pa mbërritur në ujërat e Jugosllavisë, anija pëson avari. Pesëmbëdhjetë minuta i duhen mekanikut, që tashmë është kapiten, për të rindezur motorin e shuar dhe shpresën drejt lirisë. Anija në mes të liqenit goditet nga të gjitha anët. Njëri prej tyre shpon çelikun e anijes, bën rikoshet tek portreti i diktatorit në kabinë dhe përshkon ballin e vajzës së vogël. Një tragjedi e vërtetë, që ia kalon disa herë tragjedive që mbartin motivin e sakrificës. Anija arrin të arratiset, por me Anisën e vogël të sakrifikuar në bordin e saj. Ëndrra e lirisë kthehet në mort.

“Erdha nga tmerri në gazep,”- shprehet protagonist diku nga fundi i filmit.

Jehona e ngjarjes

Shumëkush nga ne, që tashmë i kemi pesë dekada mbi shpinë, e kujtojmë atë mjet lundrues ushtarak, që qëndronte diku pas rrasës së tretë. Edhe filmin autori prej kësaj jehone e fillon. Dëshmitar është një lundërtar që shprehet se ai akt, në atë kohë, ishte “një çmenduri”.

Njerëz dhe gazetarë janë mbledhur rreth përkujtimores për të kujtuar atë sakrificë. Autori i filmit nuk na e ka hequr mundësinë e pjesëmarrjes ne, spektatorëve të djeshëm e të sotëm. E vetmja gjë që mungon janë pamje të së kaluarës. E shkuara është në vendin e saj vetëm si histori. Përjashtim nga ky rregull përbën leximi i komunikatës së shtetit komunist, sipas të cilit protagonistët ishin terroristë.

Të gjithë personazhet rrëfejnë nga koha e sotme, kjo është strategjia që do të ndiqet përgjatë gjithë filmit nga regjisori. Ai përdor pauzat për të na përfshirë kujtimet apo kuptimet tona për ngjarjen. Paradoksalisht kemi një “Duel të heshtur” të lexuar mbrapsht. Duke parë filmin nuk mund t’i shpëtoja dot shoqërizimit të mendimit edhe unë. Policin e rrëmbyer e pata njohur në vitin 1995, kur punoja në një fshat kufitar. Ai nuk kishte pranuar të qëndronte në Jugosllavi dhe kishte ngulmuar për t’u kthyer. E meqë njerëzit (por jo kufiri) kishin ndryshuar, ne bënim humor me vendimin e këtij “heroi të heshtur”, për të mos e “tradhtuar” atdheun. Edhe në filmin e Ardit Sadikut, përmendet, por nuk trajtohet ky personazh.

Ndërtimi i filmit

Më shumë se 33 vjet më vonë autori i filmit ka mbledhur disa nga “aktorët” e kësaj tragjedie, për ta rindërtuar tmerrin e asaj dite. Personazhi kryesor fillon të gjejë fjalët pikërisht aty në vendet e ngjarjeve, në lagjen e tij në Shkodër, në Shirokë, në Zogaj, në Krajë. Kineasti kërkon pamjet, aktori kërkon fjalët. Kështu, përmes këtij procedimi, ndërtohet filmi. Një film ku si në një roman, historia dhe skenari krijojnë tension. Skenari rrjedh i fragmentuar për të njëjtën histori që e rrëfejnë disa zëra. Tre janë më kryesorët: Aleksandri, Marjani dhe dëshmitari ish-ushtarak.

Aleksandri e fillon prej “ëndrrës” amerikane të realizuar. I pamposhtur nga stuhitë e jetës. Interpreton plot patos, është optimist dhe energjik prej natyre, por ai ka ndryrë brenda zemrës dhembjen. Punon si portier e recepsionist prej shumë vitesh për një kompani të Donald Trump.

Po si vjen protagonisti tek shikuesi?

Këndvështrimi i ngjarjes nga autori ka synim rigjallërimin e emocionit. Ky është thelbi i inkuadraturave të Ardit Sadikut. Filmi sfondit i jep një fizionomi po aq të fuqishme, sa edhe njeriut. Vlen të përmendet sfondi ndërmendës gri i anijës ushtarake në SHBA, që shkrihet po me ngjyrën gri të flokëve dhe veshjen e personazhit.

Në film pejzazhi është në lëvizje. Inkuadratura që ndërrohen shpesh duke fuqizuar ritmin. Prapakthimi i Aleksandrit vjen me disa detaje, vende, imazhe që zgjojnë kujtesën e tij dhe të të tjerëve. Lëvizja në kohë dhe në hapësirë është shumë e shpejtë, ashtu siç është edhe jeta e njeriut. Inkuadratura dhe rrëfimi filmik vjen skajshmërisht njerëzor, i besueshëm, i sinqertë, por edhe reflektiv. Dokumentari sjell Aleksandrin që rrëfen dhe emocionohet. Në ndonjë rast revoltohen ndaj së kaluarës, që nuk ndryshohet dot. Të gjithë këta koha i ka shndërruar nga njerëz të aksionit, në njerëz meditativë. Janë bërë pak filozofë. Kamera kërkon ta fokusojë këtë pjekuri, që dhembja ka përcjellë ndër vite.

“Does God choose?” (A zgjedh Zoti?), janë fjalë që në njëfarë mënyre godasin jo vetëm në aspektin e përkujtimit të viktimës së pafajshme, por edhe memorien kolektive për të shkuarën. Drita, errësira, ritmi, muzika ia shtojnë vlerën këtij filmi.

Skenari i filmit vetëkrijohet në vendngjarje edhe përmes pjesëmarrjes së dëshmitarëve të tjerë. Janë edhe banorët e përtejkufirit që e kanë jetuar ngjarjen me shumë ankth. Tërë zona ka vajtuar vajzën e vogël, viktimën e vetme të ngjarjes. E gjithë kjo atmosferë vjen nën ritmin ngjethës të muzikës.

Udhëtimi nga Shiroka drejt molit të Skjesë ka shenjuar jetën e personazhit. Nga vuajtja në mort, por me besim të jeta. Filmi, ndër ato të paktat herë ku ka dialog, përpiqet të jetë prekës. I tillë është takimi i Aleksandrit me Brankon, që ka qenë organizatori i funeralit. Aleksandri bashkë me vajzën ka varrosur një copëz vetveteje, por me pjesën e mbijetuar ka ndërtuar një jetë në SHBA. Pikëvështrimi i kameras është pjesa më mbresëlënëse e këtij dokumentari. Filmi ka impresionizëm. Planet janë montuar me ritmin e duhur, duke e zhvendosur personazhin nga periferia në qendër të ngjarjes. Kamera që lëviz duke gjetur detaje të ngushta dhe të gjera. Liqeni i Shkodrës bëhet po aq personazh. I filmuar prej një gryke bunkeri apo dritareje, ai i ngjan një deti. Ujë që të shpie drejt lirisë.

Përmes një tregimi paralel vjen Marjani, rrëfimtari tjetër në Australinë e largët. Është shoku i tij i veprimit, që tani përdor anglishten e mësuar me shumë mund, për ta zëvendësuar gjuhën e shtetit të vet, që nuk e deshi kurrë. Ka mbetur si një personazh me vështrim nga deti. Në kontinentin e largët, ai e ka konsumuar jetën e tij si ka mundur, por krenar për atë që ka bërë. Ligjërata e tij e përvijon kontekstin me pak ironi, sidomos nga ndërhyrjet e miqve australianë që e rrethojnë. Dikush prej tyre shprehet se midis socializmit dhe komunizmit është faza e alkoolizmit. I bllokuar brenda “ëndrrës” australiane personazhi herë e vonon, herë e humbet fjalën. Pikërisht atëherë autori fillon të ligjërojë me imazhe, ndërsa shikuesi plotëson me mendim.

Rrëfimtari i tretë i rëndësishëm flet prej anës tjetër të historisë. Ai ka qenë me shërbim ushtarak asokohe dhe gjendej në krahun e atyre që e gjuanin anijen. Edhe atë jeta e ka bërë më filozof e më njohës të politikës së madhe. “Gorbaçovi e ndërroi historinë! Pse kush unë a?!”- vëren ai. Nuk harron se vetë ka qenë në anën e bregut, domethënë të zjarrit, por ngushëllohet me faktin se ka parë një heroizëm të madh. Një anije që lundron drejt lirisë në luftë me një ushtri. Inkuadratura luan me efektin e kontrastit. Ky personazh vështrohet nga brenda bunkerit. Më pas tregon vendit nga ku 12,7-shi villte zjarr atë ditë, pikërisht në atë vend ku tani kullotnin lopët dhe bletët. Personazhi përhumb në ëndrra ardhmërie, kur Shqipëria do të shndërrohet një azil ideal për të moshuarit nga Gjermania. Ka veç ironi i gjithë pikëvështrimi dhe ligjërimi i këtij narratori.

Kur shkon afër finalës së filmit ka një skenë gazi dhe hareje të Aleksandrit, ndërsa kridhet në detin e kaltër. Mundet edhe të të ndërmendet “Papillon-i” i famshëm i Steve Mcqueen, që ikën nga ishulli-burg në oqean drejt lirisë.

Edhe pse autori e ka konsideruar film dokumentar, kjo nuk na e heq të drejtën për ta parë edhe si një film të mirëfilltë artistik. Nëse nuk do të ishin provat, dëshmitarët dhe faktet për këtë ngjarje, shumëkush këtë histori të madhe emocionuese të kohës, do ta kishte konsideruar vepër artistike, domethënë trillueshmëri, ose më mirë “çmenduri”.

Më vonë nga vendi ynë ikën plot anije të tjera. Shumë viktima që arratiseshin nga diktatura, lufta, varfëria humbën ujërave. Shumë filma u bënë me këtë temë, por brenda kësaj universaleje “Aleksandri” i Ardit Sadikut e ka veçantinë e tij të spikatur.

Akoma pa dalë në kinema, kritika e huaj e ka mirëpritur me vlerësime shumë të larta filmin, duke e parë atë sidomos në rrafshin simbolik, si edhe për mesazhin e lartë njerëzor që përcjell. Së shpejti “Aleksandri” do të jetë edhe në kinematë tona për të na kujtuar një copëz histori, që nuk duhet harruar.

Filed Under: Kulture

PRITJE MADHËSHTORE, VATRA NDEROI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

September 23, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 22 Shtator 2023- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z.Bajram Begaj u prit në mënyrë madhështore në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në New York. Në një ceremoni zyrtare në Selinë Qëndrore të Vatrës, vatranët dhe shqiptaro-amerikanët i rezervuan një pritje të ngrohtë e vëllazërore kreut të shtetit shqiptar z.Begaj. I shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati, z.Hemion Braho-drejtor i kabinetit, z. Valter Ibrahimi-këshilltar diplomatik dhe këshilltarët , z. Klement Zguri, znj. Arta Sakja e z. Fatmir Cela, delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, shefi i Kabinetit Dr.Pashko Camaj dhe Arkëtari i Vatrës z.Besim Malota e vatranë nga Kryesia e Këshill i Vatrës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari z.Elmi Berisha shprehi konsideratë të lartë, respekt të thellë e mirënjohje të veçantë për Presidentin Begaj për nderimin ndaj Vatrës, vatranëve e shqiptaro-amerikanëve.

“Vatra legjendare ka punuar në çdo kohë për 111 vite për kombin e shtetin shqiptar. Forcimi i kombit shqiptar nëpërmjet lidhjeve e bashkëpunimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit Amerikan, Senatin e Kongresin Amerikan, janë strategjia e punës së Vatrës për të bashkëpunuar e lobuar për çështjen kombëtare të shqiptarëve në shtetet amë dhe trojet etnike” tha ndër të tjera z.Berisha. I emocionuar dhe falenderues për pritjen e ngrohtë e vëllazërore, Shkëlqesia e Tij President Begaj falenderoi Vatrën për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin historik të dhënë për çështjen kombëtare. Në fjalën e tij, ndër të tjera z.Begaj deklaroi “Ju keni mbajtur gjallë atdhedashurinë për vendin tonë. Me aktivitetet tuaja në diasporë, me veprimtarinë dhe pjesëmarrjen tuaj, keni lartësuar Shqipërinë e kombin tonë. Ju meritoni vlerësime dhe respekt për atdhedashurinë që keni treguar, për pasionin me të cilin ju përpiqeni e punoni për interesin kombëtar dhe punën në dobi të çështjes kombëtare sepse jemi të gjithë të një kombi e të një gjaku. Është krenari për çdo shqiptar që Shqipëria të drejtojë Këshillin e Sigurimit. Është moment historik për të gjithë shqiptarët. Ju përgëzoj që jeni në bashkëpunim të ngushtë me faktorin shqiptar në trojet etnike, me shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në diasporë. Fryma euroatlantike ka qenë baza e filozofia e punës suaj. Kosova ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve ne pa asnjë diskutim. Busulla jonë kombëtare është Amerika. Nuk mund ti harrojmë kurrë miqtë dhe aleatët tanë amerikanë. Presidentët amerikanë Willson dhe Klinton janë historik për kombin tonë pasi ndihmuan në momente kur kishim më shumë se kurrë nevojë” tha ndër të tjera Presidenti Begaj. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington Ervin Bushati në fjalën e prezantimit falenderoi Vatrën dhe zbuloi një sekret historik ku stërgjyshi i tij kishte qenë vatran, anëtar i kryesisë së Vatrës në Lynn Massachusetts. Z.Bushati deklaroi se lidhja me Amerikën është lidhje e shenjtë. Faleminderit u tha vatranëve që e keni mbaj gjallë zjarrin e atdhedashurisë në Amerikë. Gjatë diskutimeve pati pyetje rreth çështjeve të sigurisë kombëtare, konfliktit në veri të Kosovës, diskutimeve Kodovë – Serbi, faktorit shqiptar në Ballkan, Skavica, vota e diasporës e çështje të tjera që shqetësojnë kombin tonë. Ceremonia madhështore me pjesëmarrjen e dhjetëra vatranëve e shqiptaro-amerikanëve vazhdoi me nderimin që Federata Vatra i bëri Presidentit Begaj duke i akorduar Mirënjohje me motivacion: “Për shërbimin e shquar në forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e lartë në sigurinë publike të qytetarëve shqiptarë, për nivelin e lartë të ekspertizës në trajtimin e çështjeve të sigurisë kombëtare dhe mbështetjen e bashkëpunimin institucional në kryerjen e reformave të thella për integrimin evropian të Shqipërisë e shqiptarëve”. Pas pritjes vëllazërore në Selinë Qëndrore, Vatra shtroi një darkë në nderim, respekt dhe vlerësim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z.Bajram Begaj.

Filed Under: Politike

“Fati im më i madh i jetës”. Kështu e kishte quajtur Fehmi Lladrovci vdekjen për lirinë e Kosovës

September 22, 2023 by s p

Albin Kurti/

Me ideale të larta kombëtare, Fehmi Lladrovci, inxhinieri i makinerisë nga Universiteti i Zagrebit, veprimtari i çështjes kombëtare, i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, ia fali jetën lirisë.

Më 22 shtator 1998, pas përballjes disa orëshe me njësi të forcave të armatosura serbe, ai ra dëshmor bashkë me Xhevë Lladrovcin, Shefqet Zekën dhe Fatime Hetemin. Fatimja është motra dëshmore e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Në këtë çerek shekull të rënies heroike, nderojmë kujtimin e të rënëve në Gradinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën në rrugën për çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Lavdi!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT