• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2023

Abdyl Frashëri, rilindësi i shquar, karriera dhe kalvari i gjatë i burgosjeve dhe syrgjynosjeve

October 23, 2023 by s p

Më 23 tetor 1892 ndërroi jetë Abdyl Frashëri. Emrin e vërtetë e pati Abdullah Hysni. Ishte një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare, kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se kriza lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Por, shpresat e tij se idenë e shtetit shqiptar do ta përkrahnin rivalët e perandorisë ruse, të cilët nuk e dëshironin supremacinë e saj në Gadishullin Ballkanik, nuk u realizuan. Bisedimet që zhvilloi me përfaqësuesit e Greqisë në korrik dhe në dhjetor 1877, për një aleancë politike dhe ushtarake shqiptaro-greke kundër perandorisë osmane dështuan gjithashtu, mbasi as Athina nuk e pranoi idenë e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj etnikë.

Në Parlamentin e parë osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës, u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në perandorinë osmane. Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë të Kuvendit të Prizrenit të krijuar për të mbrojtur trevat shqiptare, si pasojë e firmosjes së Traktatit të Shën Stefanit (1878). Mbrojti idenë e bashkimit të trevave shqiptare në një vilajet, në kuadër të perandorisë osmane. Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës.

Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare, ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të perandorisë osmane. Gjatë Kongresit të Berlinit, në emër të Lidhjes, së bashku me Mehmet Ali Vrionin, kreu takime me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

***

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në qeverinë e drejtuar nga Ymer Prizreni (1881), Abdyl Frashëri mori përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Jashtme. Në prill të këtij viti u arrestua. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan te Mahmud bej Biçakçiu.

Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tri vite që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua me ndërhyrjen e Gazi Osman Pashës, heroit të Plevnës; u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.

Vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892 pas një sëmundjeje të gjatë. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100- vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Kulture

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe

October 23, 2023 by s p

Nga Albert Vataj/

Me përulësi dhe respek, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, e ngucim me ndërmendje madhështinë dhe gjenialitetit të këtij kolosi të kishës dhe shqiptarizmës, poezisë dhe gjuhës, krejt asaj ngrehine të kijametshme përpjekjesh vetmohuese për me lan nji vepër monumentale atdhetarie.

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes shqiptare.

Shkoder 1913 At Gjergj Fishta dhe Justin Rrota

E pamatshme është vepra e tij. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një rast i përjashtuar nga logjika e krijuesit. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia. Edhe pse i zhvarrosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur.

Më 23 tetor 1871 erdh në jetë në Fishtë të Zadrimës, Zefi, ai qi do të pagëzohet me emnin e përgjithmonshëm, që do të ishte dhe do meste konstelacion i vetëdijes dhe krenaris tonë komtare, At Gjergj Fishta. Ai u shue më 30 dhjetor 1940 në moshën 69-vjeçare. Veprimtaria e tij asht e gjithfarshme. Gjithkund ku ai vuni dorë, mylmeu me zemër, shndriti me mendje, e shkrepëtiu me fjalë, ishte dhe mbeti nji prej testamenteve ma t’çmume të identitetit tonë komtar. Si klerik, ai diti dhe mujti me dhan me mish e me shpirt tançka kishte si detyres e asaj urdhnese t’shenjt, me i’u përkushtu me devocion e adhurim fesë. Si tekstshkrus, poet, prozator, estet, polemist, publicist, kritik, ndoshta mundet me ken i vetmi në historinë e kumtimit shqip, e zagjëmimit e dalzotjes dhe t’themeltave mëtime, qi mesin atëditë e sot sa aktuale aq dhe të epërme. Si gjuhtar, me Fishtën, Mjedën e shumë shqiptar të tjerë, lindi alfabeti, bash njaj qi na mundson me shkru e me këndu me za bylbyli. Ai, guxoi dhe bani nji punë fort t’admirushme, akt qi mujti me ken dhe me mbet si dëshmi e nji talenti dhe dhuntie t’pashoqe edhe si; diplomat, etnograf, arkeolog, hulumtues, muzikan, piktor, arkitekt, përkthyes, etj.

Sod në ditëlidnjen e tij, tanaheret e gjithqysh, gjeneratat dhe gjithkush qi lyp me u ndi zot në krenarinë e vet t’kenmtit shqiptar, e ndërmendim, At Gjergj Fishtën, e ledhim me krenarin dhe amëlcin tonë kujtuse. Pjesmarrim në kët solemnitet mirënjohje me përulësi dhe respekt, me përkorje dhe ngulm të epërm, shëlbimi në shpirt dhe vullnesë, e ngucim me ndërmendje madhështinë dhe gjenialitetin e këtij kolosi të fesë dhe shqiptarizmës, poezisë dhe gjuhës, krejt asaj ngrehine të kijametshme përpjekjesh vetmohuese për me lan nji vepër monumentale dhe t’pavdekshme atdhetarie.

At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike të asaj kohe. Roli dhe kontributi gjithkund ai behu si nji za i kushtrimshëm, rrokaqiellës. Krejtkjo ishin dhe mbeten nji gurthemel i rand i vetëdijes kombtare.

E pamatshme asht vepra qi la. Gjithçka qi rreket t’formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte t’pamujtun ta përfshinte të gjithin kët univers në këtë përqafim t’andshëm e shterues dëshmimi. Ai ishte nji realitet, nji univers, nji dhuratë shpërblyese e vet natyrës. u lind për me ken i jashtëzakonshëm. Ai, At Gjergj Fishta e ndërtoi kët mit, kët gjenialitet e aftësi gjithfaresh, pikërisht atë që na u dha dje, na qaset sot e ka me i’u propozu t’ardhmes si nevojën gjithnjë e pashterrun për me përvetsu ate; si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.

Pak njerëz kanë pasun fatin e At Gjergj Fishtës, në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime t’mëdha duke lan përmbas një akt të pashoq krijimi. U ngjit në qiell për me xan vendin e meritum e u gropos në skutat ma t’terrta t’ferrit komunist. U kuptue dhe shjtnue, u keqinterpretu dhe u keqpërdor. Çmos bani e çmos provoi në t’gjall e në t’dekund. Hoqi n’mish e n’eshtna. E shvarruen e n’lum i’a kadhën çka kishte mbetun, si një dëshmi e nji urretje dhe hakmarrje t’përbindshme, jo krejt ndaj tij, por ndaj veprës dhe emnit qi bani tan ajo plejad zelltarësh t’pashembullt, t’klerit e atdhetarizmit. Për komunizmin gjithçka qi buronte e bulonte prej njasaj vullnese t’hyjshme, duhej shue, duhej shpërba, duhej kall n’skutat ma t’thella t’anatemës. Thue se ai, At Gjergj Fishta… ata krejt, klerikë dhe intelektualë, dijeshumë e pasionantë, ngulmëtarë e ngadhnjyes, shërbestarë dhe martirë, nuk ishin pikërisht njata të cillët kishin vu themelet e njasaj Shqypnie, kishin nxjerr njikët përkatësie gjeografike dhe atdhetare nga pluhni dhe balta mbytëse e asimilimit dhe asgjesimit osman. Thue se nuk ishte ai, At Gjergj Fishta, e do burra t’zashëm, zemra flakatere, mendje t’kthejllta, t’cillët na banën me gjuhën tonë, me histori, me muzikë, futboll, lëtërsi, arte, me shkolla, e grupime patriotike e kulturale. Tankjo ishte jo vetëm nji vepër drite, por edhe nji tmerr për bishën e territ, e cilla tue skërmit dhamt e gjakosun e tue u jargit helëm e pezëm, po donte me shue etjen dhe ujën e vet, tue pi gjakun e tue hangër t’gjallt e t’dekun, t’gjithçkaje qi për te asht pengim, asht vetëdije për me sundu e me nënshtrue me hekur e me gjak.

At Gjergj Fishta me nxënësit në oborrin e shkollës në Shkodër Shkolla Shqipe në Shkodër para 1900, ku merrnin pjesë nxënës nga të gjitha besimet fetare pa perjashtim! Publikuar nga Ndoc Simoni *** Local Caption *** At Gjergj Fishta me nxënësit në oborrin e shkollës në Shkodër Shkolla Shqipe në Shkodër para 1900, ku merrnin pjesë nxënës nga të gjitha besimet fetare pa perjashtim! Publikuar nga Ndoc Simoni

Vjen si një gjamë harresa dhe anatema, njaq e themeltë e njaq e gjatë sa edhe sod asht tue ken gjithnji e ma e pamujtun për me i dhan çka i takon, At Gjergj Fishtës, për me na shpërblye me çka na meritojmë prej tij.

U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Sekush u dasht me u lshu në këtë linçim, sa tue mujt me ken secilli ma i zoti se shoqi, në nënshtrimit e kësaj drite, në shpërbamjen e tançkaje qi ishte e saj e vinte me te. Sado qi edhe sod, ata ma hipokritët qi lypin shfajsim, tue u përpjek me u dlirë nga barra e fajit zelltar, sërish ata s’munden me ken dikush tjetër, sërish Fishta nuk asht ma njaj qi duhej t’ishte, njaj qi meritojmë na si identitet dhe integritet. Edhe pse i i rizgjuem e i riardhun diqysh nga anatema, mohi e harrimi… ende sod mbetet jo krejt i shpalum, jo gjithkund i pranum, jo gjithqysh i këtushëm. E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulun thellë thonjt e ndyt. Dhamt e prishun e kishin kafshue ligsh njaty qi do ta kishte t’pamujtun me u m’kam, me u ruzgju, me riardh njaq i fuqishëm, krejt si një shpërthim shndritës. E megjithatë ai mujti me beh diqysh përmes punës dhe ngulmt të nji shpure idhujtarësh, si një vigan anipse i lënduem, si një za i fuqishëm, aniqysh i çjerrun, si një e vërtetë e pamohueshme, edhe pse fort e mundueme dhe hekakeqe në kët nevojë mbijetese.

Ai, At Gjergj Fishta mujti me e rigjetë vendin e vet n’zemrat që e kishin strukur dhe n’krahnoret qi e majtën t’fshehun n’njato kohë t’shtira e qi rrezikuen e paguen shtrenjt dashnin dhe adhurimin për te.

Krejtkush ka mundësi dhe yshtet nga nji nevoj e themelt dhurimi të andjes së vet estetike dhe kombëtare, dhe lexon veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj prej dimensioneve që përmban dhe nji ngulmi për me ken e me mbet nji za i gjëmimshëm dhe një dëshmues i pashoq i gjithë asaj qi lyp koha. Shejtnoju edhe ti me bekimin e ksaj mendje fort t’ditun e t’dritun, të ksaj vepre t’paçmim.

Filed Under: Opinion

SOT KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN PROTESTON KUNDËR TERRORIZMIT DHE VEPRIMEVE LUFTËNXITËSE TË SERBISË

October 23, 2023 by s p

Sot komuniteti Shqiptaro-Amerikan do të protestojë para Selisë së OKB-së në Sheshin Dag Hammarskjöld në Nju Jork për t’i dënuar aktet e vazhdueshme të terrorizmit dhe luftënxitëse të Serbisë. Shqiptaro-Amerikanët i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit ndërkombëtar që të përdorin të gjitha mjetet e nevojshme për ta detyruar Serbinë që t’i ndalojë dhe të përmbahet nga veprimet dhe politikat që janë duke e minuar stabilitetin e Kosovës dhe Ballkanit. Së fundmi, më 29 Maj 2023, Serbia orkestroi protestat e dhunshme në veriun e Kosovës që rezultuan me sulme të paprovokuara ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Më 24 Shtator 2023 terroristët dhe njësitë para-ushtarake nga Serbia ndërmorën një sulm terrorist në Kosovë. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan kërkon që Serbia dhe udhëheqësit e saj të mbahen përgjegjës, si dhe të gjithë të përfshirët në aktet e agresionit dhe terrorizmit të sillen para drejtësisë. Rajoni i Ballkanit është një fuqi baruti. Nëse nuk ndërhyhet, mund të ndizet një luftë e re në zemër të Evropës e që do të jetë një luftë shtesë me të cilën do të duhet të ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar.

Data dhe ora: E Hënë, 23 Tetor 2023 – Fillon ne ora 13:00

Vendi: Dag Hammarskjöld Plaza, Këndi i Rrugës East 47th & Avenusë 1 në Nju Jork, NY 10017

Ngjarja: Protesta organizohet në ditën kur Këshilli i Sigurimit të OKB-së mban takimin e rregullt për Kosovën. Ky takim mbahet pas sulmit të fundit terrorist në Kosovë nga terroristët para-ushtarakë Serbë, që rezultoi me vrasjen tragjike të një polici të Kosovës dhe lëndime të tjerëve. Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së pritet të fillojë nga ora 15:00.

Informata kontaktuese: Për më shumë informata, përfshirë për të caktuar intervista me organizatorët, ju lutem kontaktoni info@albanianamerican.org ose +1 347 398-6161

Pamjet: Mediat do të kenë mundësi që të marrin pamje të ngjarjes, si fotografi ashtu dhe video.

Organizatorët: Protesta organizohet nga komuniteti Shqiptaro-Amerikan, i përbërë nga më shumë se njëqind shoqatave të ndryshme të këtij komuniteti nga vende të ndryshme të SHBA-së.

Filed Under: Politike

“Mirënjohje Vatrës për Shqiptarizmën dhe Shqiptarinë”

October 21, 2023 by s p

New York, 21 Tetor 2023- Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë znj.Lindita Nikolla dhe stafi i ngushtë i Këshilltarëve të shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati zhvilluan një vizitë në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ata u pritën nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha vatranë e përfaqësueses të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë. Në fjalën e mirëseardhjes Z.Berisha shprehu mirënjohje dhe falenderim për kryeparlamentaren Nikolla dhe u ndal te veprimtaria e Vatrës në interes kombëtar dhe të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në trojet etnike.

Kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zonja Lindita Nikolla në fjalën e saj i shprehu mirënjohje Vatrës për shqiptarinë dhe shqiptarizmën. ““Vatra” ka qenë një mbështetje e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në të gjitha momentet kyçe të historisë: për mbrojtjen e tërësisë territoriale të shtetit të ri të pavarur shqiptar; gjatë dy luftrave botërore; për rezistencën ndaj rregjimit totalitar komunist; mbështetjen e tranzicionit drejt demokracisë; lirinë, pavarësinë dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës” tha kryeparlamentarja Nikolla.

“Vatra ka moshën e shtetit shqiptar dhe ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për çështjen kombëtare. Vatra ka kontribut të veçantë për atdhetarizmin, patriotizmit dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dy vende mike e dy popuj miq” tha ndër të tjera zonja Nikolla. Ajo garantoi komunitetit shqiptar se Parlamenti i Shqipërisë do të bëjë gjithçka për të përmirësuar ligjet sidomos ato që prekin drejtëpërdrejtë diasporën siç është e drejta e votës. Zonja Nikolla shtoi se Parlamenti do të forcojë bashkëpunimin me diasporën për të bërë më të mirën për shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe kudo ato veprojnë e punojnë. Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati deklaroi se “është nder të rikthehem në Vatër me zonjën e nderuar Lindita Nikolla që ka shërbyer kaq shumë për Shqipërinë. Nikolla është Zonja e parë që dha një kontribut të madh për të unifikuar abetaren shqip dhe dimensioni kohor dhe kombëtar i mërgatës do të jetë përgjithmonë shqiptar, tha ndër të tjera Ambasador Bushati. Në përfundim të takimit pyetjes së të interesuarve Kryeparlamentarja Nikolla u tha se historia e Vatrës duhet të mësohet në shkollat shqiptare dhe falenderoi Vatrën për bashkëpunimin me Autoritetin e Dosjeve për të zbardhur të kaluarën e errët komuniste. Axhenda e Kryeparlamentares Nikolla vazhdoi pas Vatrës me takimin me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare z.Mark Gjonaj (Nderi i Kombit). Në përfundim të takimit Kryparlamentarja Lindita Nikolla i dhuroi Vatrës një pjatë me simbolet e çmuara të kombit tonë.

Sokol Paja

Foto: Dritan Haxhia

Filed Under: Politike

Naim Shqipëria

October 21, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Këndo ëngjëll urtësinë

edhe të gjithë mirësitë…

Sa herë i rikthehemi rrënjëve të kulturës kombëtare e kemi të pamundur mos të rikthehemi te Naim Frashëri dhe vepra e tij. Në harkun kohor prej 30 vitesh ai krijoi nga një traditë e pakët dhe pa kohezion , një trashëgimi të pasur që u kthye në arën pjellore ku u mbollën pothuajse të gjithë fidanet e ripërtëritjes sonë kombëtare dhe kulturore.

Naim Frashëri, në 1898, në prag të vdekjes së tij boton “Istori e Skënderbeut”, një lloj testamenti politik me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit osman.

Aty nuk përmendet asnjë institucion fetar, por ka një “pamje idilike”, ku si karakteristika të kohës jepen paqa, kama, nderi, shpresa, drejtësia, dashuria, miqësia dhe besa-besa.

Nuk është e vështirë të kuptohet se duke mos përmendur asnjë fe konkretisht, por duke dhënë në të njëjtën kohë pothuajse të gjitha karakteristikat e besimeve monoteiste, Naimi Frashëri dëshiron të “krijojë” një besim të përbashkët të gjithë shqiptarëve, të cilin ai e gjen të konkretizuar në epokën e Skënderbeut. Kjo “fe” e re që Naimi kërkon të krijojë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe atdhedashuria.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT