
Filloi programi i valletarëve te Rrënjet Shqiptare!
Histori, traditë, kulturë, identitet shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh”.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Filloi programi i valletarëve te Rrënjet Shqiptare!
Histori, traditë, kulturë, identitet shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën drejtimin e koreografes Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh”.
by s p

Astrit Lulushi/
Mund të ndizet ngadalë, duke u grumbulluar si tymi në kuzhinë, ose menjëherë, si një kazan duke valuar. Sido që të vijë, zemërimi është një pjesë e pashmangshme e jetës. Shumica janë të njohur me koncepte si “menaxhimi i zemërimit”, dhe ka të ngjarë të kemi parë imazhe të personazheve vizatimorë me fytyrë të kuqe me avull që del nga veshët e tyre.
Pavarësisht reputacionit negativ, zemërimi mund të jetë një emocion i dobishëm. Mund të veprojë si alarm kur kufijtë tanë janë kapërcyer, kur jemi lënduar nga dikush. Nëse e shtypim vazhdimisht, zemërimi kristalizohet në pakënaqësi.
Thënë kjo, është e rëndësishme që ta çlirojmë zemërimin në mënyra të shëndetshme, në vend që të sulmojmë dhe ta lëmë të na kontrollojë. Studimet kanë treguar se zemërimi i tepërt mund të na bëjë më impulsivë, të ndikojë negativisht në kujtesën tonë dhe madje të na bëjë më të prekshëm ndaj sëmundjeve kronike. Në vend që të “shfryjmë” zemërimin përmes agresionit – si bërtitja ose thyerja e gjërave – është më mirë t’i japim vetes hapësirë përmes diçkaje si meditimi, shkrimi ose joga. Nëse ulemi me zemërimin tonë dhe e mposhtim burimin e tij, ka të ngjarë të jemi në gjendje ta menaxhojmë atë më lehtë dhe më efektivisht.
Dhe për ata që nuk janë të sigurt se kur të fillojnë të mendojnë ta mposhtin, vetë zemërim nuk është i mire, nuk është keq, thjesht është. Çfarë bëjmë me të është ajo që ka rëndësi. Mund ta përdorim për të ndërtuar ose për të shkatërruar. Ju vetëm duhet të bëni zgjedhjen.
Zemërimi është si një lule. Në fillim mund të mos e kuptoni natyrën e sa, ose pse ka ardhur. Por nëse dini si ta përqafoni atë me energjinë e ndërgjegjes, ajo do të fillojë të hapet.
Nëse mund të qëndrojmë me zemërimin mjaft gjatë, do ta shohim atë të ndryshojë në diçka tjetër – lëndim, trishtim, ndonjë ndjenjë tjetër – apo edhe të shpërbëhet. Ajo që dukej kaq e fortë prishet, transformohet. Çelësi qëndron në qëndrimin me përvojën përmes të gjitha ndryshimeve të saj.
Duhet të jesh i zemëruar, por nuk duhet të jesh i hidhur. Asnjëherë mos ndaloni së foluri, shprehja e zemërimit është e nevojshme.
Është e mençur ta drejtoni zemërimin drejt problemeve – jo njerëzve; për të përqendruar energjitë tuaja në përgjigje – jo në justifikime. Kur jeni të zemëruar, numëroni deri në katër; kur jeni shumë i zemëruar, betohuni, thoshte Mark Twain
Gjëja që duhet bërë është të kapni fshesën e zemërimit dhe të dëboni bishën e frikës. Kur zemërimi përhapet në gjoksin tuaj, ruajuni nga një gjuhë që leh pa vlerë. Aty ku ka zemërim, ka gjithmonë dhimbje.
Zemërimi përpiqet të thotë diçka, gjithmonë mbart informacion, por mesazhi i tij rrallëherë është i qartë. Miqësia e zemërimit përfshin gjetjen e mënyrave për të rikuperuar veten.
Zemërimi është si kalë i tërbuar, vetëpërmbajtja e lodh, thotë William Shakespeare.
Ndërsa William Blake e paraqet zemërimin si pemë molle helmuese:
U zemërova me mikun tim:
Ia thashë zemërimin,
Zemërimi mori fund.
U zemërova me armikun tim:
S’ia thashë, zemërimi im u rrit.
Dhe e ujita atë në frikë,
Natë e ditë me lotët e mi;
Me buzëqeshje e mbulova,
Me fjalë të buta të rreme.
Dhe zemërimi im u shtua
Si një mollë plot hijeshi.
Shkëlqimin e saj armiku e pa
Natën në kopsht vjedhurazi hyri;
Në mëngjes i lumtur shoh
Armikun e vdekur nën ‘të.
by s p


Me datën 1 tetor, 2023, anëtarë të shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc, u mblodhën së bashku, në parkun Seufert Badshell, në Queens, New York, për të zhvilluar kampionatin e dytë të shahut. Ky aktivitet u organizua nga kryesia e shoqatës.
Parku ndodhet në një kreshtë të lashtë në lagjen Queens, me pamje nga fushat jugore te gjirit të Xhamajkës. Ai u konceptua në vitet 1890 nga Frederick Law Olmsted, bashkëprojektuesi legjendar i Parkut Qëndror në Manhattan (Central Park). Parku Seufert Badshell, mbulon rreth 538 hektarë nga ku, 413 janë të pyllëzuara me lisat të kuq verior, pyje dushku, lisa të tjerë të bardhë, bimë kacavjerrëse apo qershi të zeza të egra, duke krijuar kështu, një ambjent tepër çlodhës dhe frekuentues për banorët e lagjes Queens si edhe vizitorë të tjerë të New Yorku-t dhe më gjerë.
Në këtë takim të mirëpritur nga të gjithë anëtarët, dhe vecanarisht nga adhuruesit e sportit të shahut, morën pjesë Kryetari i shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. zoti Imer Lacaj, anëtarë të kryesisë, si edhe miq e dashamirës të anëtarëve të shoqatës.
Zoti Imer Lacaj përshëndeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen. Ai theksoi se “ Aktiviteti i ditës po zhvillohet në Queens, New York, pasi fituesi i kampionatit të mëparshëm të shahut, ishte zoti Elton Xhaferri, banues i lagjes së Queens-it, New York”. “Kampionati i ardhshëm,vazhdoi ai, do të zhvillohet në lagjen e fituesit të ardhshëm të këtij viti.”
Grupi i punës së këtij aktiviteti, zotërinjtë Elton Xhaferri, Genti Veshi dhe Ervin Toro arritën të sistemojnë me shumë zhdërvjelltësi 16 konkuruesit e këtij aktiviteti. Ata i ndanë të pranishmit në grupe dhe shumë shpejt qetësia karakteristike e lojës së bukur të shahut, mbizotëroi për më se 4 orë në këtë aktivitet.
Ndeshjet ishin serioze dhe oponentët treguan karakteristika të forta në lojë si: shpirti luftarak, durimi, konfidenca, karakteri i fortë, organizimi dhe strategjia. Pas ndeshjeve së njëpasnjëshme të 16 lojtarëve në grupe u përcaktuan finalistët, zotërinjtë Gjovalin Marku dhe Elton Xhaferri.
Ndeshja finale ishte tepër emocionuese dhe u ndoq nga të gjithë të pranishmit me shumë vemendje. Oponentët treguan maturi në strategjinë e tyre pasi saktësia e cdo lëvizjeje, ndihmonte në përcaktimin e fitores.
Fitues i këtij kampionati u shpall zoti Gjovalin Marku i cili mori edhe cmimin prej 100 dollarësh të akorduar nga kryesia e shoqatës. Kryetari i shoqatës zoti Imer Lacaj i dhuroi një kuti shahu zotit Elton Xhaferri i cili zuri vendin e dytë në këtë kampionat.
Zoti Gjovalin Marku, falenderoi kryesinë e shoqatës për organizimin dhe shprehu kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë ambjent vëllazëror. Ai u duartrokit nga të pranishmit.
Gjatë këtij aktiviteti pjesëmarrësit u ulën në tryeza te përbashkëta për t’u çlodhur dhe shijuar ushqime tradicionale shqiptare të sjella nga vetë anëtarët e kësaj shoqate. Ata bënë barbeque, luajtën lojëra të ndryshme sportive, zhvilluan bieseda shoqërore, kënduan e kërcyen. Ambjenti ishte tradicional, i zbukuruar me flamuj shqiptar dhe Amerikan.
Në fund, të pranishmit falenderuan njeri- tjetrin për kontributet që sollën në këtë aktivitet si edhe ndihmën që ata dhanë për t’a pasuruar atë. Aktiviteti ishte një tabllo gëzimi, shoqërie, konkurence, shpirti i së cilës, do të mbetet sërish një frymëzim për aktivitete të tjera.
Suksese shoqatës Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc. në aktivitete të tjera të rëndësishme të vitit.
Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc.
Staten Island, New York.
2 Tetor, 2023
by s p

Koment nga Rafael Floqi/
Qeveria shqiptare e sulmoi tregun e paligjshëm të lojërave të fatit përmes operacionit “Fundi i Marrëzisë” në vitin 2013, dhe në vitin 2015, miratoi një ligj që u komentua si radikal për frenimin e kësaj industrie. Megjithatë, lojërat e fatit lulëzuan edhe më shumë pas miratimit të ligjit të ri, çka e shtyu qeverinë të vendoste ndalimin e plotë të tyre në vjeshtën e vitit 2018.
Kushdo që e ka provokuar fatin, të paktën një herë në jetë me bastet sportive, duhet ta ketë të qartë se ligji i ri që propozon qeveria Rama e rikthen fuqishëm fenomenin e kumarit, në përmasa më të mëdha se ç ‘ishte më parë.
Shqipëria është një nga vendet me numrin më të lartë të lotove për frymë popullsie. Krahasimi i të dhënave zyrtare tregon se, numri i pikave të basteve për frymë popullsie lë pas me diferencë të theksuar edhe vendet që kanë traditën më të hershme të kumarit në botë. Sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në maj të këtij viti, në Shqipëri numëroheshin 3.916 pika bastesh, ose 1 loto për çdo 730 banorë.
Nxitimi i kryeministrit për t’i mbyllur bastet dhe kazinotë nga 1 Janari i vitit 2019 është zëvendësuar nga nxitimi për t’i hapur sa më shpejt ato. Rama e pranon me gjysmë zëri dështimin e masave ekstreme që mori nga 1 Janari i vitit 2019, por justifikohet kur thotë se ky fenomen nuk është ndalur as në Kinë.
Por çfarë tha kumarxhiu kur humbi të gjitha kursimet e jetës? “Epo, mendoj se kjo dëshmon se nuk duhet të vendosni kurrë bast kundër vetes!” Po ja që dikush kësaj here po vë bast kundër vetes
Por a thua të jetë kështu me kryeministrin tonë “Loja më intereson shumë,” thoshte Hermanni, shkruante Aleksandër Sergejviç Pushkini “por nuk jam në gjendje të sakrifikoj të nevojshmen me shpresën për të fituar të tepërtën.” Ah ha i mençur…
Ta ketë kuptuar këtë kryeministri ynë . Apo ka ndryshuar diçka . Çfarë ka ndryshuar nga situata e tre viteve më parë?
Çfarë argumentesh përdori Rama kur u mbyllën bastet dhe kazinotë? A ishin ato thjesht propagandë për të mbuluar kapjen e industrisë së kumarit? Apo kujt ia hedh ai , ato ishin kumar me kumarin.
Të kalojmë tek kontrolli i tregut të kumarit nga krimi i organizuar
“Po i heqim miliarda krimit të organizuar”, kështu deklaronte kryeministri Rama në dhjetor të vitit 2018, kur justifikonte aksionin e mbylljes së basteve dhe kazinove. Sipas kryeministrit, kjo industri po furnizonte krimin e organizuar ndaj duhej të merrte fund.
“Industria i ka dhënë një hapësirë të pajustifikueshme një pjese njerëzish që janë drejtpërdrejt të lidhur me krimin e organizuar dhe një pjesë e konsiderueshme e pronarëve të këtyre kompanive janë njerëz që kanë kaluar përmes burgjeve, plagosjeve, peng marrjeve dhe shfrytëzimit të prostitucionit e kështu me radhë” shprehej kryeministri.
Pavarësisht demonizimit që i bëhej aktorëve në treg, ata zhvillonin një aktivitet të ligjshëm dhe paguanin taksa për këtë.
Po absurdi qëndron në faktin se të njëjtin argument që kishte për mbylljen e basteve, Rama e sjell prapë pas 3 vitesh për hapjen e basteve. Ah po përsëritja mëma e dijes dhe babai i bezdisë.
“Ne nuk flasim këtu për hapje, por për marrjen e këtij aktiviteti nga duart e ekonomisë së zezë” thotë sot Rama që flet për “portofola të zeza individësh me profil kriminal”. Sikur nuk ka qenë ai vetë në krye të qeverisë. Ah këta kriminelët? Ku është ai Ahmetaj, more.
Që më kërcënuan dhe ke shtëpia ime në Surrel. Këtyre kriminelëve ia bëmë që të mos i dihet nami as i gjallë dhe as i vdekur s’po i del.
“Bixhozi është një akt besimi i kumarxhinjve. Profecia është një akt besimi i shenjtorëve. ”E në këtë mes kumarxhinjtë janë shqiptarët dhe shenjtorët janë të qeverisë nuk e di a thuhet apo jo në ‘Biblën e Bixhozit“. Ligji i ri parashikon që personat që do të marrin licencat duhet të kenë dëshmi të pastër penaliteti.( në rregull këtu) Përveç kësaj ata duhet të kenë eksperiencë jo më pak se 3 vjet dhe në disa vende të Bashkimit Evropian. Po kjo është e thjeshtë ku do ti në Londër e do, Në Monako , në Ekuador në Doha apo në Kretë. Problemi qëndron në faktin se kush do ta ndalë krimin të vazhdojë të përfshihet në këtë biznes, përderisa shteti dalka përherë i humbur në këtë arenë, siç e pranon vetë kryeministri (Sic!)
Siç e dinë të gjithë kumarxhinjtë e vërtetë, disponimi i fatit, qoftë i keq apo i mirë, është po aq i ndryshueshëm sa erërat. Një moment ajo mund të jetë me ju, duke ju udhëhequr butësisht drejt një parajse të largët që nuk keni shpresuar kurrë ta shihni; tjetra, ajo mund të të godasë për vdekje kundër shkëmbinjve. Prandaj, kumarxhiu i rëndësishëm, kishte thënë një plak, nuk është ai të cilit fati nuk e kthen kurrë shpinën, por më tepër ai që di momentin për të marrë fatin në duart e veta. Dhe kjo po bën qeveria , pasi dihet, ai që fiton nga kumari është vetëm shtëpia , në këtë rast qeveria.
Kumari si gomari plagë sociale
Rreth tre vite më parë, kur përgatitej të mbyllte pikat e basteve dhe kazinotë, kryeministri Rama shkoi të marrë përgëzimet e grave dhe vajzave në Lushnjë. “Ajo që na ka bërë përshtypje është mbështetja e kësaj nisme nga 90% e grave dhe vajzave” u shpreh Rama, duke u solidarizuar me shqetësimin e zonjave për paratë, që burrat dhe djemtë e tyre humbnin në baste.
Rama fliste edhe për tragjedi të shkaktuara nga bixhozi në familjet shqiptare. Në një dalje në emisionin “Zonë e lirë”, ai renditi disa pasoja të rënda nga kumari kur tha se “Më shumë se 70% tregojnë se kanë probleme stresi dhe nervozizmi. 1 lojtar në 4, tregon se kanë tentuar një herë të vrasë veten”. Këtyre statistikave, kryeministri u vuri vulën me një premtim të fortë për gratë dhe vajzat. “Në datë 31 Dhjetor (2018), nënat, gratë dhe vajzat do të marrin mbrapsht djalin apo burrin e sëmurë nga bixhozi” tha ai.
Dikush nuk e kuptoi pse kuiste i vetëm Deputeti i PS-së, Erion Braçe që tha se ligji nuk ishte konsultuar me të gjithë grupet e interesuara dhe kërkoi të dëgjohej shoqata e personave të dëmtuar nga bastet, si dhe AKSHI për mënyrën se si do të kontrolloheshin bastet on-line. E këto shoqata ishin ato shoqatat e grave të zhgënjyera të Lushnjës që i kishte gënjyer asokohe kryeministri
“Këtij komisioni i lind detyrimi që edhe të kërkojë llogari, edhe të japë një zgjidhje që s’i çon prapë te banditët,” tha Braçe, duke parashikuar se “edhe ky aktivitet do kthehet në një betejë mes atyre që janë legalë dhe ilegalë”.
Problemi është se me ligjin e ri, bastet sportive janë shumë herë më pranë lojtarit. Nëse dikur, një lojtar duhej të dilte nga shtëpia për të paguar skedinën në pikën e basteve, me ligjin e ri i mjafton smarphone që ka në duar. Pasi ke shkarkuar aplikacionin në celular në çdo moment, kudo që të jesh, mund të vendosësh bastin. Këtë shans jua ofron ligji i ri i qeverisë Rama, pa qenë nevoja të mundoheni dhe të dilni nga shtëpia. Gratë dhe vajzat që e dëgjonin kryeministrin atëherë, sot duhet të jenë dyfish të shqetësuara. Dhe kanë marrë vendimin si tek Lisistrata, që nuk do t’u japim më burrave … celularin.
Përfitimet ekonomike nga mbyllja e pikave të basteve. Përfitime ku jeni….
“Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit duke pasur parasysh një situatë dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove, makinetave, ekraneve, basteve”, ishin fjalët e kryeministrit para mbylljes së mijëra bizneseve në të gjithë vendin.
Sepse në 31 dhjetor të vitit 2018 në Shqipëri ulën qepenët më shumë se 4 mijë pika bastesh, një pjesë e mirë e vendosur në ambiente me qira. Mijëra persona mbetën pa punë. Shteti humbi taksat që deri dje vilte nga kompanitë e licencuara të basteve. Sipas Ramës, ishin afërsisht 700 milion euro që nga industria e kumarit do kalonin në xhepat e qytetarëve.
Për të qenë më i drejtpërdrejtë, shpërndau një meme, që paraqiste një tufë me para të kursyera nga bastet.
Faktikisht, ndodhi e kundërta. Bixhozi i njohur si biznes, duket me një disfavor të ashpër ndaj biznesit të njohur si kumar.” Kështu që paratë që pritej të hynin në ekonomi, devijuan drejt industrisë së paligjshme të basteve. Shteti humbi paratë që do të kishte arkëtuar nga taksat, ndërsa kumari siç thotë shefi i qeverisë kaloi në duart e krimit. Pra humbi katandia , nuk fitoi shtëpia , as qeveria. E jo ku njerëzia. Po le të shkojmë tek ligji i ri që propozon qeveria…
Modeli i basteve sportive që propozon qeveria nuk parashikon asnjë kufizim për kumarin si një gangrenë të shoqërisë për t’u mbajtur nën kontroll, as nuk garanton tërheqjen e krimit nga kjo industri dhe as nuk premton ndonjë të mirë për xhepat e qytetarëve , bërtet opozita që po luan kumar me emrin dhe vulën e saj.
Kumari konceptohet thjesht si një mekanizëm përfitimi nga kompanitë e basteve që pritet të licencohen dhe nga shteti që do përfitojë më shumë para nga taksat.
Ndoshta pikat e basteve nuk do të mbijnë sërish si kërpudhat pas shiut, por kumari do të shtrihet kudo, në punë, në shtëpi, në udhëtim, brenda apo jashtë vendit, thjesht nëpërmjet përdorimit të një smartphone. Prandaj përbetimet e vitit 2018, kur Rama i shpallte luftë fenomenit, sot kërcasin si propagandë ashtu si një barcaletë bajate për të justifikuar zhvendosjen biznesit nga njëra dorë tek tjetra.
I vetmi që e ka kuptuar këtë është Erion Braçe, i vogël i vogël po zhurmën e ka të madhe. Deputeti i PS-së, Erion Braçe tha se ligji nuk ishte konsultuar me të gjithë grupet e interesuara dhe kërkoi të dëgjohej shoqata e personave të dëmtuar nga bastet, si dhe AKSHI për mënyrën se si do të kontrolloheshin bastet on-line.
“Këtij komisioni i lind detyrimi që edhe të kërkojë llogari, edhe të japë një zgjidhje që s’i çon prapë te banditët,” tha Braçe, duke parashikuar se “edhe ky aktivitet do kthehet në një betejë mes atyre që janë legalë dhe ilegalë”.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku që ju ndez çakmaku tha se ligji prekte disa ligje të tjera të rëndësishme si ai për lotarinë kombëtare, për bankat dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. “Është rreziku potencial i pastrimit të parave,” tha Tabaku, duke shtuar se rrezikon dhe konkurrencën pasi kriteret për subjektet që aplikojnë janë të kufizuara.
Pra pesë vjet pas ndalimit të lojërave të fatit, qeveria po tenton të legalizojë bastet online, por projektligji u prit me kritika dhe pikëpyetje si nga deputetët e opozitës, ashtu edhe ata të mazhorancës. Por vetëm zhurmë. Zhurmë , zhurmë sa zhurmë thoshte një herë një rrep i Edi Ramës…
Pesë vjet më pas, qeveria pretendon se do ta vendosë sërish në shina ligjore këtë sektor përmes një projektligji që u prezantua të mërkurën në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat nga zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero. Sipas Vjeros, drafti ishte konsultuar me grupet e interesit dhe federatat sportive dhe garantonte që të ardhurat nga licencimi i këtij aktiviteti do të shkonin në mbështetje të sportit.
“Një nga risitë e projektligjit është krijimi i një fondi të posaçëm, që do përdoret për të mbështetur projekte të sportit, kulturës, inovacionit,” tha Vjero.
I vetmi që e kapi për veshi ligjin ishte profesori Edmond Spaho e quajti të rrezikshëm hapjen e basteve online, pasi sipas tij ky aktivitet është i lidhur direkt me pastrimin e parave dhe shteti nuk e kontrollon dot. Dhe ky ishte inovacion i krimit. “Fakti që pranohet se ky aktivitet ka vazhduar ilegalisht, tregon që s’ka kapacitete,” tha ai.
Xhelili ngriti pikëpyetje mbi formulën e përllogaritjes të të ardhurave, e cila është shumë e lartë se ajo që ishte kur bastet ishin të ligjshme dhe paguanin taksa. Atë e shqetëson binomi të ligjshëm të paligjshëm “Të ardhurat bruto për një vit janë përllogaritur në masën 6,5 miliardë. Pyetja është a mendoni se do trefishohen bastexhinjtë?” Po ashtu, ai tha se 95 për qind të vlerës totale të basteve e lozin të paligjshmit dhe projektligji nuk sqaron se si do të futen në sistemin e ligjshëm.
“Po, unë mund të kuptoj se një njeri mund të shkojë në tryezën e lojërave të fatit – shkruante i madhi Honoré de Balzac,tek Lëkura e gomarit të egër, kur sheh se gjithçka që qëndron midis tij dhe vdekjes është kurora e tij e fundit e lavdisë para saj ” Të jetë kështu dhe për qeverinë?…
Jeta është si një kumar që askush nuk mund ta fitojë. Në fund, të gjithë përfundojnë duke vdekur. Në fund, të gjithë përfundojnë duke humbur. Kjo është veçanërisht për shkak se ka një fund, që njerëzit, gjatë një loje kumari të shkëlqejnë. Apo jo , Apo luan Edi këtu. Në një mjedis çmimesh në rritje, kultura e partisë dhe një mentalitet kumari të gjithë marrin përsipër. Njerëzit mendojnë se është e lehtë të fitosh para dhe se është argëtuese. Tregu i aksioneve është një kazino e madhe gjigante ku shanset janë në favor të kumarxhinjve. Sa më shumë të luani, aq më shumë fitoni. Megjithatë, faktet janë pikërisht të kundërta Njerëzve u pëlqen të rrezikojnë qindarkat për të fituar dollarë.
Impulsi i lojërave të fatit madje i paraprin njerëzimit: Një shumëllojshmëri kafshësh, nga bletët tek primatët, përqafojnë rrezikun për një shans për shpërblim. Një studim i Universitetit Duke i vitit 2005 zbuloi se majmunët makakë preferonin të ndiqnin një objektiv “më të rrezikshëm”, i cili u jepte sasi të ndryshme lëngje, sesa një “të sigurt”, që jepte gjithmonë të njëjtën gjë – atyre u pëlqente bixhozi.
Si të ndaloni një të varur nga bixhozi të mos luaj kumar? Vini një bast. Shqiptarët nuk do të refuzojnë. Dhe kjo është kjo çka ai po bën Rama , pa meme kësaj here. A nuk ka vënë ai sa herë bast për zgjedhje të fituara
“Nuk është çudi që shumica e atyre që erdhën në fushat e arit në kërkim të pasurisë në Perëndim të Amerikës u kthyen në shtëpi duarbosh. Drejtimi i një shtëpie kumari ishte mënyra më e lehtë për të nxjerrë ar. Në një shkrim për qytetin e mëkatit Las Vegasin shkruhej:
“Kam parë burra të fitojnë dhe i kam parë ata të humbasin. Ata po luanin një kazino të drejtë. Asgjë nuk ju ngarkua. Shtëpia mori përqindjen e saj të vogël dhe ajo u pasurua. Kështu paratë e bëra nga vjedhjet dhe rrëmbimet me armë dhe kontrabanda e drogës dhe kurvëria u investuan siç duhet në një qytet të tërë të ri që qëndronte si një monument i marrëzisë njerëzore, një qytet bum në shtetin me popullsinë më të rrallë dhe njerëzit më të dendur në vend.”
Ndaj turistët që po shtohen pse të mos u japim këtë kënaqësi . “Në një qytet ku gjithçka që ndodh aty mbetet aty”, që do quhet Las Ramas.(ndryshe të Dy Ramat).
by s p

Nga Frank Shkreli
110-vite më parë, me 1 tetor, 1913 është botuar numri i parë i revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, me editorin e parë, të Madhin At Gjergj Fishta. “…E kemi quejtë ketë të Përkohëshmen tonë: “Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër agim të qytetnisë së Shqipënisë”, ka shkruar Fishta. “E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, që edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut, ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”. (Hylli i Dritës) I. 1913, 4-8). (At Gjergj Fishta).
Historia e revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, ç’prej numrit të parë, është një pasqyrim, shpesh i lavdishëm, por edhe më shumë tragjik, i historisë së Shqiptarëve, sidomos, i historisë së shekullit të kaluar e deri më sot.
Në parathënjen e veprës së studiuesit Willy Kamsi me titull, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944, Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008”), thuhet se revista françeskane, “Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës kanë qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè nji plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuen jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe mbarë Kombin.
Sipas studiuesit Kamsi, bazuar në veprimtarinë botuese shumëvjeçare duhen hedhë në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtê flet mjaft qartë revista me shkrimet që përmban, “por më shumë për të pasqyruar shkaqet që sollën dý herë perulimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme.”
Trí janë periudhat në të cilat zhvilloi veprimtarinë e vet botuese Hylli i Dritës, sipas studiuesit Kamsi. Periudha e parë (1913-14), të cilën revista diskutonte aftësinë e shqiptarëve për të organizuar shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huaj dhe marrëdhëniet mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë dhe probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen ato — kanë qellimin kryesor për të filluar, moralisht e në mënyrë vepruese — nji mënyrë të ré për të kuptuar më mirë marrëdhëniet mes individit e shtetit, në mes shoqërisë e shtetit.
Sipas autorit Kamsi, në revistën “Hylli i Dritës”, gjatë gjithë verpimtarisë së saj nuk mungonte, ndër të tjera subjekte, as polemika e fortë dhe e mprehtë e At Gjergj Fishtës. “Jashtëzakonisht e rëndësishme dhe fort informuese është rubrika kushtuar lajmeve të mbrendshme e të jashtme që, të paraqitura prej drejtorit të saj Át Gjergj Fishta, pasqyrojshin qendrimin ndaj politikës ndërkombtare, të mbajtur prej ambjenteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etënve Françeskanë, të cilët patën një meritim të qartë në këtë drejtim.”
Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës”, botuar më 1 tetor 1913, nuk pati jetë të gjatë. Është ndërprerë menjëherë nga Fuqitë e huaja në atë kohë në Shkodër, sepse revista doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, të cilat ishin, seriozisht, të kërcënuara një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe para fillimit të Luftës së parë Botërore. Kjo masë shkaktoi një reagim të ashpër të drejtorit të kësaj reviste, At Gjergj Fishta,i cili ndonse nuk e nënshkruen shkrimin e botuar, është e qartë, sipas Kamsi-t se Fishta është autori i tij. Prej titullit e kemi të qartë gjithashtu edhe përmbajtjen e artikullit: “Nji komedí e pandershme e shekullit XX”, shkruan autori Willy Kamsi në parathënjen e librit të tij, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944 — Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008). Siç është rasti me shumë nga shkrimet e At Gjergj Fishtës, edhe ky shkrim, duke u lexuar 110-vjet më vonë, është aq aktual me zhvillimet e sotme politike ndërkombëtare ndaj shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në trojet e veta.
Në periudhën e dytë të botimit të “Hyllit të Dritës” — nga viti 1921 deri 1924 — periudha më demokratike e historisë shqiptare, sipas Kamsit, pau zhvillimin e një veprimi të gjallë në dobí të forcave më të shëndosha të Kombit shqiptar. “Kujdes parësor ka qenë me e mprojtë shtetin e rilindur shqiptar prej të këqijave të jashtme e sidomos të mbrendshme…Ndryshe prej periudhës së parë vehet oroe drejtimi kah nji përgatitje demokratike e qytetarit. Theksohen subjekte sikurse ndër të tjera, rilindja e individit si njisí më vete e përbërse e shoqërisë, duke theksuar, njëkohësisht, se cili ishte ideali i Shqiptarit. Një vend të veçantë në revistën Hylli i Dritës kanë zënë shkrimet në mbështetje të masave për ruajtjen e traditave si dhe vlerësimi i së kaluarës për të përmirësuar të tashmen, shkruan Kamsi.
Në qershorin e 1924-s nji revolucion demokratik, i udhëhequn prej Fan S. Nolit, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Mbas gjashtë muajsh të qeverisjes demokratike, me kthimin në pushtet të forcave regresive të mbështetura nga jashtë, detyrimisht, u desht të pezullohej botimi, duke pritë kohë më të mira, pasi kjo revistë kishte mbajtur, me shumë vendosmëri, anën e demokracisë, është shprehur Willy Kamsi.
“Periudha e tretë (1930-1944), sipas autorit Kamsi, pau përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, tue e çue “Hyllin” në nji nivel të tillë sa me pasë pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombtare por edhe ndërkombtare. Jo më kot ndër bashkëpuntorët e tij mbahen me të tjerë emra të njohur si Prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller”, e të tjerë si këta, shkruan studiuesi Willy Kamsi.
Në kronologjinë e tij kushtuar “Hyllit të Dritës, Kamsi shkruan se revista françeskane, me “Komunizmin qe përballuar, papushim, duke venë në dukje gjithë kalbësirën e mbrendshme që gjëndet në tê, e të së cilës kemi qenë dëshmitarë pasi kemi jetuar atë njëmendësí. Prandej, nuk janë pak artikujt që i kundërvihen asaj propagandë në Shqipëní me synimin që të ndriçohej opinioni publik, i mashtruem prej reflektimit mashtrues të nji mirëqenjeje të rrejshme”. Por jo vetëm kundër komunizmit! Revista e Françeskanëve shqiptarë, sipas Kamsit, në artikujt e saj dënonte edhe nazizmin. Më 1938 pushtimi i Austrisë, i ashtuquajturi “Anschluss” nga ana e Gjermanisë naziste, shkaktoi reagimin e Gjon Kamsit me nji dënim të shprehun me artikullin “Austria ndrroi jetë”, njëra ndër protestat e pakëta, në mos e vetmja, në shtypin shqiptar të asaj kohe, thekson ai.
Viti 1944 solli heshtjen e gjatë dhe vdekjen për revistën dhe botuesit e saj. Një nga aktet e para të qeverisë komuniste të Shqipërisë mbyllja e “Hyllit të Dritës” si, “përfaqësuese e reaksionit” anti-komunist. Ky vendim u pasua me dënimin me vdekje e burgje të gjata të shumë prej drejtuesve të saj, ajkës së Kombit, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti, e të tjerë, si dhe vjedhja dhe shkatërrimi i qëllim trashëgimisë së saj arkivore, nga shteti komunist I Enver Hoxhës. Për fat të keq të revistës Hylli i Dritës, të Françeskanëve shqiptarë por dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, revista e njohur në historinë e gazetarisë së Shqipërisë u mbyllë nga regjimi anti-kombëtar komunist i Enver Hoxhës kur ky erdhi në fuqi me mbështetjen e armiqëve sllavë të Kombit shqiptar — nji humbje kjo e pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare, humbje që âsht e vështirë të ndreqet sot, është shprehur studiuesi Kamsi në vlerësimin e tij.
Më në fund, pas shembjes së Murit të Berlinit, erdhi koha e ringjalljes së Shqipërisë dhe në vitin 1993, shkruan ai, me nismën e françeskanit Át Zef Pllumi, filloi rishtas botimi i revistë, “Hylli i Dritës”. Ndërkaq, mendohej se kohët e këqia kishin kaluar, por, jo, nuk ishte ashtu. “Erdhi 1997-a, vjeti i grushtit të shtetit komunist, që përgjaku e shkatërroi shtetin shqiptar. Kështu për të katërtën herë pushoi së botuari “Hylli”, që kaq i kishte dhënë ringjalljes së Kombit pas pushtimit turk”, vlerëson autori Kamsi.
Kamsi, përfundon kronologjinë e revistës “Hylli i Dritës”, duke shkruar se, “Në vitin 2006 — në vitin e 26 të jetës së vet — për të pestën herë kemi ringjalljen e kësaj reviste. U ringjall prej hinit të vet, sikurse Phoenix-i mitik dhe e bani këtë mbas 93 vjetësh, me gjith ndeshtrashat që e kanë përcjellë në jetën e vet, tue ndjekë të njajtin program dhe tue synue që nëpërmjet fesë, kulturës dhe dijes me i dhanë nji trajtë shpirtnore njeriut shqiptar, tue qenë me të vërtetë Votër kulture shqiptare”.
Shënim: Citimet janë marrë nga parathënja e veprës së studjuesit Willy Kamsi me titull, “Hylli i Dritës” 1913-1944. Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008.
Sot, me 1 tetor 2023, kujtojmë pra 110-vjetorin (e të vitit 1913), kur doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës” – një pasqyrë kjo e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj, françeskanët shqiptarë, me në krye At Gjergj Fishtën, por edhe jo-françeskanë — duke shkruar me laps dhe duke flijuar jetën deri në derdhjen heroike të gjakut të tyre, gjithmonë në mbrojtje të lirisë e demokracisë, të vlerave kulturore, kombëtare dhe shpirtërore të popullit e të Atdheut të vet.
Frank Shkreli