• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

“Nderim mësuesve të kombit tonë”

March 30, 2024 by s p

Mësuesja nga Gjilani i Kosovës zonja Nazmije Xhaferi (Hasani) zhvilloi një vizitë të përzemërt në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u prit nga kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, sekretari Dr. Pashko Camaj, zv.arkëtari z.Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Mësuesja Nazmije Xhaferi (Hasani) ka kontribuar 42 vite në sistemin arsimor të Kosovës duke edukuar gjeneratat e kombit tonë. Nazmije Xhaferi (Hasani)

u lind në fshatin Pogragjë te Gjilanit, më 04.01.1952. Që nga viti 1974, filloi të punojë si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe, fillimisht në Qendrën për Arsimin e Mesëm të Orientuar, pastaj në SHMB “Arbëria”, respektivisht në SHM te Agrobiznesit dhe Teknologjisë, në Gjilan, ku punoi deri në pensionim (2017). Deri më tani ka botuar 5 përmbledhje me poezi: “Shtrengoma doren si gjyshja nënë”, “Prushi i votrës së vjetër”, “Kështjellë ëndrrash”, “Na sill verën dhuratë”, dhe “Vallja e ringjalljes”. Për kontributin e saj të çmuar arsimor në Kosovë, Federata Vatra e vlerësoi me një certifikatë mirënjohje në shenjë respekti e nderimi për dedikimin e punën e shkëlqyer për mbi katër dekada.

Filed Under: Vatra

LE RADICAL (1926) / “FRANCA DUHET TË ANGAZHOHET MË SHUMË NË SHQIPËRI…” — INTERVISTA NË HOTELIN MOLIÈRE (PARIS) ME IMZOT VISARION XHUVANI, ISH-SENATOR, ISH-DEPUTET DHE ISH-DREJTOR I GAZETËS “SKËNDERBEU”

March 30, 2024 by s p


Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Visarion Xhuvani (1890 – 1965) — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Mars 2024

“Le Radical” ka botuar, të mërkurën e 3 marsit 1926, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive me Imzot Visarion Xhuvanin në Paris mbi angazhimin asokohe të Francës në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Çështjet ballkanike

Franca në Shqipëri 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Imzot Visarion Xhuvani, peshkop, ish-senator, ish-deputet dhe ish-drejtor i gazetës “Skënderbeu”, i cili gjendet aktualisht në Paris, na priti në rrugën Molière, në hotelin Molière, ku po qëndron dhe ndaj pyetjeve tona bëri deklaratat në vijim mbi situatën në vendin e tij :

“Për nga pozita e saj gjeografike dhe toka e pasur, Shqipëria ka qenë gjithmonë një qendër tërheqëse për shtetet fqinje.

Nën dominimin turk, ajo ishte në një farë mënyre fushëbeteja e konkurrencës reciproke austro-italiane.

Që kur kemi ekzistuar si komb i pavarur, vendi ynë ka luftuar me vështirësitë që çdo shtet i ri duhet të kapërcejë në fillimet e tij, për të konsoliduar ekzistencën e tij. Duan të na ndihmojnë dhe na ndihmojnë, por patriotët e vërtetë shqiptarë ndjejnë njëfarë shqetësimi duke vënë re mungesën e Francës që ne e duam dhe pjesëmarrja e së cilës do të ishte garancia më e mirë për sigurinë e ekzistencës sonë si një komb vërtet i pavarur. E shihni, një kompani angleze ka koncesionin ekskluziv për shfrytëzimin e naftës tek ne. Për sa i përket Bankës Kombëtare të Shqipërisë, ajo është formuar, në pjesën më të madhe, me kapital të kompanive italiane, i cili ka përparësi për çdo angazhim industrial dhe të punëve publike në vend. Oficerët italianë kujdesen për organizimin dhe stërvitjen e ushtrisë, ndërsa anglezët për xhandarmërinë.

Megjithatë, do të kishim dashur shumë që oficerët francezë të ishin instruktorë për ushtrinë dhe xhandarmërinë tonë. Ata janë gjithashtu në Poloni, Çekosllovaki dhe vende të tjera. Do të dëshironim gjithashtu ta shihnim Francën më aktive në jetën ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë. Vendi im do të fitonte shumë dhe po ashtu edhe Franca. Duke marrë pjesë në punët e vendit tim, Franca do t’i shërbente jo vetëm interesave të saj dhe të Shqipërisë, por edhe kauzës së paqes në Ballkan.

Kapitali francez do të gjente një investim të shkëlqyeshëm në Shqipëri, ku ka shumë gjëra për të bërë: të ndërtojë rrugë, hekurudha, të zhvillojë portet, pa përmendur shfrytëzimin e pasurisë minerale dhe pyjore.

Askush nuk mund të parashikojë me siguri se konfliktet mes popujve nuk do të ndodhin më kurrë. Kjo është arsyeja pse do të ishte në interesin e Francës që të interesohej më shumë për punët e vendit tim.

Mjafton të kujtojmë ngjarjet e luftës për të kuptuar rëndësinë e pozitës gjeografike të Shqipërisë dhe rolin që mund të luante në një ngjarje të tillë.

Organizimi i brendshëm po konsolidohet; Çështjet fetare janë krejtësisht të përjashtuara nga jeta politike dhe nuk ngrenë ndonjë divergjencë mes shqiptarëve katolikë, myslimanë dhe ortodoksë, të cilët janë mbi të gjitha shqiptarë dhe synojnë të jetojnë si vëllezër në shtetin e tyre kombëtar dhe të pavarur. Organizimi fetar i myslimanëve dhe katolikëve është mjaft i mirë. Fatkeqësisht, organizimi i kishës autoqefale shqiptare lë ende shumë për të dëshiruar. Por, shpresojmë që edhe ajo të zgjidhet për nder të ortodoksisë kombëtare shqiptare.

Përfaqësuesi francez në Shqipëri me aktivitetin e tij ka fituar vërtet të gjitha simpatitë dhe vlerësimin e shqiptarëve. Por, besoj se ai do të kishte sukses edhe më mirë në interesin e përbashkët të dy vendeve, nëse do të kishte të njëjtët tituj dhe atribute diplomatike si kolegët e tij nga kombet e mëdha dhe të vogla mike dhe aleate të Francës, të cilët përfaqësohen atje nga ministra të plotfuqishëm.

Pas zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme me popujt fqinjë, shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në paqe me ta dhe të bashkëpunojnë sinqerisht në konsolidimin e gjendjes së punëve në Ballkan në përputhje me parimin “Ballkani për popujt e Ballkanit”.”

Filed Under: Kulture

Çaste shprese e ankthi – një përjetim personal

March 29, 2024 by s p

Nga dr. Sadik Elshani/

24 Mars 1999, fillimi i fundit të vuajtjeve të Kosovës dhe lindjes së nje epoke të re në liri.

Më 24 mars të vitit 1999 forcat e NATO-s filluan bombardimet kundër ushtrisë serbe në Kosovë dhe pikave e objekteve strategjike ushtarake në Serbi. Serbia e kishte nbushur kupën duke kryer krimet më të tmerrshmë që nga Lufta e Dytë Botërore në shumicën e teritorit të ish-Jugosllavisë e që kulmuan me krime makabre e pastrim etnik ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Është shkruar mjaft për këto ngjarje gjatë kësaj periudhe vuajtjesh e sakrificash mbinjerëzore, prandaj, nuk ka nevojë që të përsëriten në këtë shkrim të shkurtër. Por, po sjell ca përjetime personale, edhe pse isha me mijëra kilometra larg vendit të ngjarjes ku po kryheshin krime të tmerrshme, po ndodhenin masakra, trgjedi, drama njerëzore midis jetës e vdekjes.
Si të gjithë shqiptarët anembanë botës, edhe une i prita këto bombardime me shumë entuziazëm dhe me besimin se NATO do ta kryente punën deri në fund, deri në mundjen e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës. Kthim prapa më nuk kishte dhe as tërheqje të NATO-s pa e përfunduar misionin që më në fund e kishin ndërmarrë. Natën vonë shkova në shtrat pasi i kisha përcjellur në TV aksionet e para të bombardimeve të NATOS-s. Aty kah ora 5 e mëngjesit telefoni cingëroi, u zgjova menjëherë. Ishte vëllau im, Shaipi, nga Zvicra. Fjalët e mia të para ishin se kishin filluar bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe, por ai menjëherë ma ktheu se gjendja në Suharekë/Therandë ishte kaotike, forcat paramilitare serbe i kishin filluar represaljet ndaj popullsisë së pafajshme e të pambrojtur shqiptare. Më tregoi se vëllezërit Haliti e Sedati i kishin telefonuar se rreziku po u kanosej edhe atyre dhe ndoshta ajo ishte edhe biseda e fundit në mes tyre. U ndieva shumë i pafuqishëm e i trishtuar nga ato fjalë. Biseduam edhe pak dhe shprehëm mendimin, dyshimin nëse udhëheqja e NATO-s dhe shteteve përendimore e dinin se çka po ndodhte me popullsinë civile në ato çaste.
Isha me mijëra kilometra larg e i pafuqishëm, pa kurrëfarë mundësie për të bërë diçka konkrete për të ndihmuar, për ta ndryshuar gjendjen. Megjithatë, u mundova që të bëja diçka në mënyrë të tërthortë: mora telefonin dhe u mundova që të kontaktoja me Shtëpinë e Bardhë për t’i njoftuar se çka po ndodhte në Kosovë, me idenë që ata ta kontaktonin Millosheviqin dhe t’i kërkonin që t’i ndalnin krimet ndaj popullsisë shqiptare. Përndryshe, atë do ta mbanin përgjegjës dhe një ditë do të përgjigjet për ato krime. Telefoni cingërontë, por askush nuk lajmërohej. Pastaj u mundova ta kontaktoja rrjetin televiziv, CNN. Telefoni cingëronte, por edhe aty askush nuk lajmërohej. Këto përpjekje i vazhdova për një kohë të gjatë, por pa sukses. Aty diku rreth orës 9 të mëngjesit e kontaktova zyrën e Senatorit Arlen Spekter (1930 – 2012), atëherë senator i rëndësishëm nga shteti i Pennsylvanias. Zonjës që e mori telefonin i tregova se përse po e thërrisja, me pak fjalë ia përshkrova gjendjen që më kishte treguar vëllay dhe i kërkova që Senatori ta kontaktonte Shtëpinë e Bardhë, për të bërë diçka për të ndaluar masakrat që po ndodhnin dhe që do të ndodhnin në ditët në vijim. Tani nuk e di nëse senatori e kishte kontaktuar Shtëpinë e Bardhë apo jo, por në ato çaste mua vendi – vend nuk më zihej, edhe nga larg mundohesha të bëja diçka, ndoshta të pamundur, por që duhej provuar. Si në gjithë Kosovën edhe në Suharekë/Therandë kanë ndodhur, tragjedi, masakra, krime të tmerrshme. Më 26 mars janë vrarë 21 anëtarë të pafajshëm të familjes së ngushtë Berisha dhe mbi 25 fqinj të tyre: gra, burra, adoleshentë e fëmijë të mitur. Për këtë ngjarje kanë shkruar shumë gazeta shqiptare e botërore, janë bërë dokumentarë të shumtë. Një artikull i gjatë është botuar në qershor të vitit 1999 në revistën javore prestigjioze amerikane, Neësëeek. Aty në mënyrë të detajuar është përshkruar sesi ka ndodhur kjo masakër dhe kush e ka kryer atë. Në lagjen tonë në Suharekë/Therandë që ndodhet rrëzë malit në periferi të qytetit, ishin tubuar edhe shumë familje të tjera, të cilat së bashku me familjen tonë më vonë ishin larguar nga aty, fillimisht duke bredhur nëpër fshatrat përreth nën plumbat e armikut. Vëllau ynë i vogël, Sedati, një ekspert i shkëlqyer i elektronikës, kishte arritur që ta merrte me vete telefonin dhe lidhjen telefonike. Ai telefon ishte lidhja e vetme me botën e jashtme për ata qindra bashkëqytetarë që i kishin braktisur me dhunë shtëpitë e tyre.Më vonë familjarët kishin arritur, me njëqind mundime, që të kalonin në Shqipëri, Por, dy vëllezërit, Haliti e Sedati, me disa nipër e të tjerë kurrësesi nuk kishin pranuar që ta lëshonin vendin. Edhe ata kishin bredhur nëpër bjeshkë e disa fshatra përreth, pa ushqime, pa siguri. Por, kur gjendja ishte qetësuar pak ata ishin kthyer në shtëpi, me kokë në torbë, siç thotë një fjalë e jona. Pasi kishin përjetuar shumë çaste ankthi e pasigurie, edhe ata më vonë e kishin shfrytëzuar rastin për t’u larguar [ër në Shqipëri, ku ishin bashkuar me anëtarët e tjerë të familjes. Secili njeri, secila familje që i ka përjetuar ato ditë të vështira ka për të treguar drama familjare, ngjarje të tmerrshme, tragjedi.
Në atë kohë unë ndodhesha në Lubbock të Texasit ku punoja si postdoktorant në Texas Tech Universitë, por atë ditë që filluan bombardimet e NATO=s ndodhesha në Philadelphia për ta vizituar familjen. Ne kishim vendosur që nga Texasi të zhvendoseshim në Philadelphia. Për shkak të shkollës së fëmijve, bashkëshortja dhe fëmijët kishin ardhur më herët, ndërsa unë pak më vonë, sepse isha në përfundimin e sipër të disa projekteve shkencore. Me t’u kthyer në Lubbock i dhashë një intervistë kanalit televiziv, 6abc, ku i njoftova për ato që po ndodhnin në Kosovë. Po ashtu, i dhashë një intervistë edhe gazetës universitare, “The University Daily”. Gazetari-student i kishte dhënë një titulli të qëlluar artikullit: “Close to home” (“Afër shtëpisë”). Pra, edhe mijëra kilometrave larg këtyre ngjarjeve të tmerrshme, në mesin e tyre ishte dikush që kishte familje atje, që po i perjetonte ato ngjarje me shumë ankth e pasiguri – ngjarje që kishin ndikim në gjendjen e tij shpirtërore. Ishin këto intervista edhe për ta bërë më të ndjeshme, më të afërt çështjen e Kosovës, për të siguruar përkrahjen e gjërë të popullit dhe zyrtarëve amerikanë: Administratës e Kongresit.
24 Marsi i vitit 1999 ishte dita qe shënoi fillimin e mbarimit të terrorit shekullor serb në Kosovë, ishte dita e ringjalljes së shpresës për liri. Le të jetë kjo një ditë falenderimi, mirënjohjeje e reflktimi – të mos i zhgënjejmë miqtë tanë, të mos e zhgënjejmë popullin tonë. Populli ynë mjaft ka vuajtur ndër shekuj, të dimë si ta gëzojmë lirinë tonë e të bëjmë përpjkje të vazhdueshmë që Kosova të bëhet një vend i lulëzuar e demokratik. Pavarësia e Kosovës është fryt i përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave të pandërprera të brezave të tërë të shqiptarëve dhe ndihmës vendimtare të aleatëve tanë përendimorë.

Filed Under: Reportazh

ISHULLI I SAZANIT KURTHI APO SHPETIMTARI I TURIZMIT SHQIPTAR? 

March 29, 2024 by s p

Dr. Selman Meziu/

Një tjetër “dhuratë” po i troket popullit trim, bujar vlonjat me qytetin e stërlashtë ulur kamb kryq pranë brigjeve kaltroshe të Adriatikut. Ajo tanimë nuk vjen as nga krahu lindor dhe as ai prendimor. Por as edhe ëndrrimtar e pushtues nga ana jugore. Ato nuk arritën ta mbanin përgjithmonë veçse  në orakullin e disa shekujve. Kuptohet vetëvetiu asnjë kapitalist shqiptar (edhe pse të rinj) nuk kanë marrë guximin të cekin, tokën e egër, por të bekuar, ishullin Sazani dhe gadishullin Karburun. Jo se nuk kanë para, por sepse ai ishte “Park kombëtar” dhe më parë ishte baze detare për mbrojtjen e qytetit të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Por ja që, nga larg na vjen dhandrri i ish presidentit Roland Trump që quhet Jored Kushner e atrofizon ‘’Parkun Kombëtar” kryeministrin, Kuvendin Popullor me synimin që të lulëzoi jo vetëm atë ishull të ‘“shkretë” por edhe lagunën e Zvërnecit, me tha detin për qark e ndërtuar vilëza.  Qëllimi ynë është të japim mendimin tonë si specialist pyjesh dhe si i mendojmë zgjidhjet në fushën e mjedisit e ekologjisë.

               Një  grimcë nga historia

     Shqipëria është rrudhosur shumë në kapërcyellin e kohërave. Për rrjedhojë edhe numuri i ishujve shumë e më shumë. Kuptohet nga fqinji i jugut, na u grabitën. Edhe pse në lashtësi na thirrnin barbar. Për të thelluar njohjen, shkëputëm një pjesëz nga historia e tij: ‘’I njohur që në antikitet (shek VI. p.e.s.) me emrin Sason, pas një periudhe të gjatë  nën sundimin e Venedikut, në shekullin e XV u pushtua nga Osmanët. Në fillim të shekullit të XIX bashkë me ishujt Jonian të Greqisë  u pushtua nga Anglia e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë. Kjo gjatë luftës ballkanike (1912) vendosi trupat  me  qëllim që  t’i bllokonte daljen në det qeverisë shqiptare të Vlorës, por u detyrua të tërhiqej më 1913 pas vendimeve të Konferencës së Ambsadorëve.,, (Fj. Encikl.  F. 949. Tirane 1985)

           Le të hedhim edhe disa llamba dritësimi  me disa fakte kryesore, të shtrira në kohë e hapsirë, që bëjne pjesë në  historinë e ishullit të vetëm,  Sazani. Ky nuk i mbeti shqipërisë të cunguar me vendimin  e dates 13 Korrik 1913. Konferenca e Ambasadorëve në   kryeqytetin  Britanik, Londër, mori vendimin ogurzi, coptues e grabitës, duke ia lanun Vlorën dhe  Sazanin shtetit Grek.  

     Pastaj ngjarjet u rrukullisën përsëri në disfavorin e ishullit,   sepse   në tetor të vitit 1914 ai  u  pushtua nga forcat ushtarake italianë. Mirëpor ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Populli i Vlorës më 18 janar 1918 së bashku me rrethinat, shpërtheu luftën çlirimtare e cila edhe  u plazmua në vargjet e kangës popullore:   ‘’Oxhum përmi italianë, Të marrëm Vlorë e Sazanë!,,

        Kurse sulmi i furishëm i Brigadës XII Sulmuese i UNÇSH më 15 tetor 1944 kundër forcave  nazi-fashiste për çlirimin jo vetëm të qytetit të Vlorës, për herë të parë pas 144 vitesh, i ishulli i Sazanit përqafoi brigjet  prendimore të Adriatikut pra Shqiperinë.

     Dhe në vazhdim pas 80 vjetëve del hapur në skenën historike,  më 17 mars 2024. Pikërisht në Mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Shqiptare, në të cilën  u tha se ishulli i Sazanit do t’i jepet një sipërmarrësi të madh amerikan, për të investuar atje një projekt të madh elitar turistik. (A. Gashi, D. Goxhaj, ‘’Ishulli Sazanit dhe politika shqiptare.,, (21.03.2024)

  Ky ishull edhe pse i vogël me relieve malore  ka historitë e tij të shumta. Ne do të cekim paksa disa prej tyre, për të ditur gjallërine qe ka patur, veprimtarinë historike dhe ekonomike të njerëzve dhe lidhjet me brigjet e Vlorës. Dhe ja lexojm edhe për të shuar kureshtjen.   

     “Qysh në regjistrimet osmane 1431  e kohë më parë, në marrëdhëniet tregtare e kancelarike, në ishullin e Sazanit ngre krye një vendbanim i veçantë me emrin Sebep. Ky vendbanim përmendet edhe nga kronikani turk Abu Ali Evrenozi, rreth vitit 1658, si dhe në kohën e zotërimit të Pashait të Janinës Ali Pashë Tepelena. Fshati Sebep në ishullin e Sazanit, në vitin 1780 zotëronte rreth 47 shtëpi, si dhe Kishën e Shën Kollit.,, (B. Gaçe, ‘’Rilin.e Vlorës-I.Abdullahu.,, f.11-12. Toena 2009)

    Ndërsa fundi i tij është mjaft i hidhur. ‘’Fshati Sebep u shkatërrua nga Ali Pashë Tepelena në vitin 1811 dhe banorët u shpërndanë pas një qëndrese që zgjati prej rreth një viti.,, (Xh. Petoshati, ‘’(Fsh.Sebep i Sazanit dhe lidhjet e tij me Dukatin.,, fb. 25.03.2024)

   Shkrimet e shumta të historianëve e shkruesve të huaj për Sazanin si ishull  në lëmrat e gjeografisë e historisë janë të shumta që nga italianët, austriakët,  anglezët, francezët etj. Edhe pse kemi shumë prej tyre nuk do të ndalemi. Ky është  një shkrim me tjetër drejtim sherbimi e njohje.

              Pozicioni gjeografik dhe pasuritë e tij

     I vetmi ishull që kemi ne shqiptarët me tokën tonë mbetur sa një mindil.  Sazani shtrihet në jugperëndim të qytetit të Vlorës. Kurse ndodhet në veriperëndim të  ujdhesës së Karburunit. Në dukje nga larg,   ngjason me një bllok shkëmbor, me sipërfaqe 5.5 km2 ,   me vijë bregdetare të gjatë 15 km. Duhet ditur se cila është largësia me e vogël me  relievet që kufizojn Vlorën me ishullin e Sazanit. Ajo është 17 km.  Dhe ja se si mund të shprehemi se, nga shkëmbi i Gallovecit  në ujdhesën e Karburintit deri te masivi shkambor i anës jugore i ishullit të mësipërm kemi një largësi vetëm 4. 8 km. Kjo ngushticë quhet Mezokanal. 

        Ai nga larg duket si një mal ose kodër shkembore, poqe se e studiojm me imtësi releivet e tij  kemi valëzime,  peisazhe herë të trishtueshme herë të habitshme. Lartësia e tij kulmore arrin ne  342 m  që përban majen në veri. Ndërsa përball  kësaj nga jugu ngrihet maja  me latësi 331 m.  Më tej po në jug të ishullit kulmojn dy maja të tjera me lartësitë  më të ulta, njëra 228 m.  dhe tjetra  307 m.  Tani le t’ua lemë gjeografëve  se si e përshkruajn atë: ‘’Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës, ku lugina e përroit të Xhehenemit dhe ajo e përroit të Shënkollës, që nisen nga qafa e Vidhave duke rrjedhur në drejtim të kundërt, e ndajn ishullin në  dy pjesë, në atë veriore më të lart dhe mejen pjesës jugore më të ulët.,, (Akad.Shk. R.SH. Geigr.fiz. e Shq. F.414, Tr. 1991)   

          Le të saktësojm më tej toponimet dhe funksionet e këtyre relieveve, për të njohur ma me hollësi këtë  ishull  që Shqipëria  ‘’ e ka të vetëm,   dhe për mall.,, Gjiri i Shënkollës  ndodhet në krahun  lindor të ishullit  ku gjendet skela e vetme dhe vendbanimi i ishullit.  Duhet të vemë në dukje se kemi gjirin e Xhehenemit një gji shumë i thellë dhe i gjerë. Ndërsa ai  i Japarakut gjendet në derjtimin jugor  dhe i vetmi plazh zallor që emërtohet  plazhi Zallor i Admiralit.

      Relievet janë të përbëra nga shkembinj gëlqeror të cilat janë të pranishme në krahun prendimor të ishullit. Ato bien  vertikalisht mbi det dhe ja: ’’Faleza  e Sazanit, gjendet në perëndim të ishullit te Sazanit në formën thepiseje, që bie direkt në det duke formuar një folezë aktive me gjatësi disa qindra metra e lartësi 100-120 m. Në mure ka çarje, zgavrime,  guva e ndoshta edhe shpella karstike.,, (P. Qiriazi, ‘’Trashg. Naty. E Shqip.,, f.254. Tiranë 2020)   Në relievet me shkëmbinj gëlqeror  që janë në krahun prendimor, majat janë të rrrumbullakta mirëpror fatkeqësisht shpatet janë të pjerrëta.  Çuditërisht janë të veshura me mbulesën e gjelbërt të shkurreve mesdhetare  të perbëra nga përralli, fidhësi, bezga, shqopa, xina, shëndet liga, me vegjetacion të dobët, me kurora shtrirëse për tokë, shëndrruar në shkurre zvarritëse.

    Ndërsa një grumbull me pisha të egra ndodhet ne varrezat e ish fshatit Sebep. Të cilat ruajn ende formën e nje pylli, por që sigurish ështe i shenjt. Një peisazh me përmbajtje historike dhe vlera ekologjike.

   Ndërsa  situata paraqitet krejtësisht e ndryshme në relievet me toka mergelo-argjilore të cilat shtrihen ne pjesën lindore të ishullit. Ato ‘’…janë mjaft të buta, dhe të shkatërruar nga erozioni ujor e proceset e shpatit, dhe sidomos rrëshqitjet që fillojn nga  pjesa e sipërme e zbresin deri në det.,, (Akad.Shk. R.SH. Geigr. fiz. e Shq. F.415¸Tr. 1991)  Bimësia shume e rrallë. peisazhe  të aksidentuara për rrjedhoj të shëmtuara,  sigurisht për t’u indinjuar dhe ardhur keq.   

        Dhe ja situata klimatike: Ishulli paraqitet me klimë mesdhetare, shumë të butë, mesatarja vjetor 15 ° C,  mesatarja e janarit  10 ° C,  e gushtit 25 ° C. sasia vjetore e rreshjve  715 mm. Dhe ja përfundimet që nxjerr Prof Perikli Qiriazi mbi ndikimet e klimës në zhvillimin e bimësisë të ishullit: ‘’Klima e butë mesdhetare dallohet për reshje të pakta  deri në 715 mm/vit dhe era të fuqishme, që kanë ndikuar në formën e kurorës së drurëve të pakët dhe zhvillimin e bimësisë  së shkurreve, gati rrafsh me tokën (zvarritëse S. M).,,(P. Qiriazi, Gjeog. fiz. e shq,, f. 508. Tir. 2019)  Një ndikim të fuqishem  mbi zhvillimin e keq mjaft të dobët, vegjetativ, me kurora të përkulura, mjaft të çrregullta, janë ndikimet e erërave të forta e që fryejn në vazhdimësi pa u ndalur, si  ato që vijnë nga perëndimi,  jugperëndimi, dhe nga veriu.

         Dhe ja disa drurë me rritje varfanjake, me biomas shumë të cunguar nga ato natyralet,  që rriten në vende të tjera me kushte stacionale më të përshtatshme. Ja cilet drurë janë, vidhi, ilqia, pisha e egër. Pishat rriten trup vogla ose të përkulura në drejtim të kundërt të fryrjes së erërave.  Rriten kështu plotë deformime kurorash e trupi. Në forma të tilla vegjetojn  deri në lartesine  70-100 m. lartësi, pastaj  vazhdojn të rriten, të vegjetojn vetëm disa lloje barërash. 

   Mendime , ide, zgjidhje

     Një investim i tillë në bregdetin shqiptar ka randësi të madhe në zhvillimin ekonomik, shoqëror edhe njohjen e kulturave të ndërsjellta nëpermjet pushuesve e vizitorëve. Edhe shëtitësit me kohë zgjatje të ndryshme, kudo në Shqipëri, që nga bjeshkët e Namuna  e deri në Karburun, Butrint, Konispol, Shishtave në malin ma të lart Korabin janë prurje me vektor pozitiviteti. Mirëpor për të gjithë këto shëtitës, vizitor, pushues duhen krijuar kushte të rehatshme në kuptimin e plote të shprehejes, pushime të kulturuara. Krijimi i  të tilla  mjediseve  kërkon investim, kujdesje të njëpasnjëshme, teknologji të kohës, kulturë në shërbeime, sjellje plotë edukatë dhe larmi veprimtarishë të shumta e të gjithëfarshme.

    Dalim te tema që po trajtojm. Vallë, Ishulli i Sazani, laguna Zvërneci, Palasa a mund t’iu krijohen kushte të tilla këtyre bujtësve, vizitorëve?  Gjithashtu investimet, a do të japin rezultatet e pritshme në, hapjen e vendeve të reja punërash, në rritjen e mirëqenies materiale e kënaqësi shpirtërore per qytetin dhe rrrethinat e Vlorës?   Realizimii të cilave varen kryesisht  jo vetem nga sasia në dollar ose në   euro e investimeve, por dhe nga qëllimi final i investitorit.

      Kjo arrihet kur qeveria me institucionet e saja përkatëse t’i vihet punës me studime të thella mbi projektin e parqitur, qëllimin e tij, mundësitë e realizimit. Dhe së fundi ndikimi i tij i drejt përdrejt ose jo mbi zhvillimin e ekonomiko shoqëror të bashkësive të popullsisë, perqark këtyre investimeve. Pjesmarrja e tyre në mirëmbajtje, sherbimet në vila, trsasportin etj.

           Rëndesi të madhe në investimet që kërkohet të kryhen  ka ruajta me fanatizëm e peisazheve natyrore gjatë ndërtimeve, dhe pas saj. Gjë e cila Qeveritë Rama janë treguar krejtësisht të pa kujdesshme, sepse kanë masakruar kudo këto, duke i parë  jo si tërheqese, lakmuese të vizitorëve, pushuesëve, por si mjedise natyrore ku ligjet, rregullat, kontrollet, parashikemet që në projekte kane lenë gjurmë të thella, mjeruese, shkretuese e të pa kulturshme. Te gjitha këto shprehin jo vetëm mos vlerësim të këtyre arkitekturave të peisazheve por përkundrazi rrënimin e tyre. Pasuria e peisazheve gjeografike duhet të jetë në plan të pare, për t’u ruajtur zbukuruar, duke ju përshtatur natyrës e kulturës së shoqërise ku ajo jeton, sepse ato janë pasuri e patundshme e një populli gjithmone në sherbim të tij 

    Piksynimi i parë i Qeverisë Rama 3 që i ka ardhur mjaft për shtat investimi i Jored Kushner dhe Rikard Grenell  duhet  të  jetë krijimi i qendrave të qytezave,(resorte siç shprehen sot politikanët me fjalë të huaja gjoja moderne sipas tyre) me hotele, me një shesh qëndror, me disa pallate modeste, me kafe, ëmbëltore, restorante, kinema, ndërtesa e komunës etj. Kurse në ishullin e Sazanit  edhe me një muze,  ku të pasqyrohet historia e tij detare, mbrojtëse,  pushtuesve të ndryshëm.  Më pas le te ndërtohen, vilezat private nga investitorët e sipër shkruar.

          Këto investime në ishullin e Sazanit, Zvërnec. Kep Merli dhe Palasa edhe mund të kryhen kur toka të jepet  si pronë  shtetërore e pa luejtshme, dhe paguarja  e taksave ndaj shtetit  nga investitorët të kryhet rregullisht. Këto lloje investimesh duhet t’i mendojm, shikojm me syrin e një jete qindra vjeçare, në projektim, zbatim dhe ruajtje, shërbesa për popullatën përqark etj,  dhe jo vetem për qellime  fitimesh kulmore të tyre.   Gjithashtu duhet të ruajm me konservatorizëm, raportet e drejta midis peisazheve natyrore, atyre të ndërtuara, për çfarëdo qëllimi dhe në çfardo kohe të ndërtuara. Gjë të cilat Qeveritë Rama 1, 2, dhe 3 nuk i kanë ruajtur kurrë deri më sot këto raporte. Ato janë parë, projektuar, e zbatuar vetëm në favor të fitimeve kulmore, të oligarkëve  qoftë të vendit ose të huaj.   Gabime të tilla do t’iu kushtojn breznive të popullit shqiptar, ndërsa qeveritë ’’korrin,, lavditë, sukseset, arritjet dhe zhduken.  Që në fakt janë zero me xhufkë  kur të vlerësosh shkaterrimet e kryera në peisazhet natyrore ose raportet e ndërtimeve antike me ato moderne.

     Edhe pse projekti i ndërtesave ka pamje bunkerash, nuk duhet t’u trembemi. Veçse zbatuesit e projekteve duhet të ruajn gjithë çka të vjetër si produkte të njeriut apo  të natyrës.   Ishulli i Sazanit duhet të kryej edhe funksionin si muze i gjallë i veprimtarisë njerëzore dhe natyrës.  Kjo sepse këto vlera të mëdha  muzeale, kureshtëndjellëse, lakmuse për vizitorët, pushuesit  kthehen në burime të ardhurash financiare.

    Duhet të kemi parasysh se energjia elektrike mund të prodhohet lehtësisht me anë te elikave, vendosur në majat e kodrave të sipër përshkruara, ku sipas studiuesve gjeograf e të klimës fryjnë erëra të forta. Ndërsa uji i pijshëm mund të prodhohet nga uji i detit i marrë në thellësi të tij, duke u distiluar nga kripa (NaCl), gjë e cila nuk ju mungon vendeve të zhvilluara të mesdheut nga  ku duhet të sigurohet kjo teknologji.

    Lulishtet pranë, përqark vilave  duhet me pa dyshim të përdorin si material mbjellës  kryesisht, shkurrëza, shkurre e dru zbukurues, bimësinë natyrore të ishullit. Pa ngurim mund të sigurohen edhe të tilla, dhe çfar kultivojn  ishujt e banueshëm  të detit Mesdhe etj. Duke përdorur pa dyshim arkitekturën peisazhistike dhe llojet që kryejn funksinonin zbukurues. Kështu konservojm bimësinë natyrore dhe sjellin kënaqesi shpirtërore e estetike, pushuesve të  vilëzave.

       Jo më kot Ujdhesa e Karburunit dhe ishulli i Sazanit   me ‘’VKM, Nr.289, datë 28. 04. 2010 vendosi ‘’Shpalljen e ekosistemit natyoror detar pranë gadishullit të Karburunit dhe ishullit të Sazanit, Ndërsa me vonë ‘’Park Kombetar.,, VKM Nr. 444, datë 9.06.2010 e zvogëloi sipërfaqen e parkut në 12 427 ha.,, (P. Qiriazi,‘’Trashg. Naty. e Shqip.,, f. 253. Tiranë 2020).  Ngritja e këtyre xhevahirëve të natyrës të bregdetit të Vlorës, në shkallën më të lart si ‘’Park Kombëtar.,, kishte një randësi të madhe. Ndërsa hyrja  në fuqi e një ligji të ri, se mund të ndërhyhet me ndërtime ne Zonat e Mbrojtura dhe Parqet Kombëtare para një muaji, do të sjell shpërfytyrimin e tyre natyror. Qeveria dhe Kuvendi Popullor nuk u ndalën me gjithë kundërshtimet e opozitës, e shoqatave të shumta brenda vendit në vendosjen e këtij ligji ogurzi për natyrën e këtyre pas- urive të medha.  Qëllimi tyre tanima doli  sheshit e nën dritën e diellit.

     Tani lexuesi duhet të dije se clat ishin këto mjedise  që duheshin ruajtur edhe me këtë ndërhyrje të pa pëlqyeshme me ndërtime  etj. Për këto do të na ndihmoi Profesor P. Qiriazi me librin e tij ‘’Trashgimia natyrore e shqipërisë.,, Tirane 2020.  Në levizjet e anijve të ndryshme që do të lëvizin për trasport materialesh ndërtimi, udhëtarësh ose të tjera, duhet të  jenë mjaft të kufizuara, të mos hedhin mbeturina të çfardo lloji qofshin, në ujrat e  detit etj. Kjo, ja sepse.  Duhen mbrojtur  me rreptësi e disiplinë të hekurt pasuritë nën ujore si ‘’Barriera Koralore e Grykës së Djallit. Ёshtë habitat koralor, midis Sazanit e Karaburunit, në thellësinë rreth 10 m.,,(f. 255)

   Serioziteti në formulimin, vendosjen e zbatimin e ligjeve të forta për mbrojtjen, e pasurive natyrore ujore e nën ujore duhet t’iu parprije këtyre investimeve.  Gjithashtu kërkohet rregull, disiplinë e kontroll i vazhdueshëm nga bashkia, Vlorë që të ushtrohen, sapo të filloi puna ndërtimore e vazhdimisht, kudo në hapsirat  e tokës, shkëmbinjeve, pse jo në thellsi të detit. Ёshtë domozdoshmëri jetike që ujrat kurrë nuk dihet të ndoten me derdhje karburantesh, mbeturina të amballazheve të ushqimeve, veshëmbathje etj. Dhe ja pse: ‘’ Nëse keni fatin të zhyteni në  ujrat e kristalta të Jonit, përballesh me pamje fantastike të livadheve të blerta, ku lodrojn mijëra gjallesa detare shumë ngjyrëshe me forma e madhësi të ndryshme, ndërsa mbetjet e anijeve të vjetra të mbytyra, të ftojnë  të udhëtosh në histori që nga lashtësia e deri në kohët moderne.,, (f. 254)

   Edhe laguna e Zvërnecit, duhet të trajtohet, punohet me te njejtat rregulla e disiplinë sepse ajo është një rezervat i mijëra qenieve biologjike, të rralla qe jetojn në brigjet  e detit Mesdhe dhe  bijëve të tyre që lidhen me atë.

*                                   *

              *

       Investime të tilla edhe mund e duhet të jene të mirëpritura kudo në tokën shqiptare, për ta lulëzuar atë.  Dhe jo për ta shkretuar e mbuluar me shtatë miliard metro kub uji tokën pjellore te luginës së Drinit të Zi. Por kujdes  jo duke shkelur mbi të drejtat e pronësisë mbi tokën e pasuri të tjera të pa tundshme. Ato nuk  mund të ngrihen atje ku pasuria biologjike nga vizitat e  shëtitësve mund të sjell më shume të ardhura financiare siç jane Lagunat e Zvërnecit. Investitorët strategjiki nuk duhet të bëhen shkak e kthehen ne ‘’shembje,, ligjesh të me- parshme. Sepse kështu ato në emer të zhvillimit, kthehen në varrosës të natyrës dhe pasurive të tjera të ndertimeve të vjetra e të tjera që i shërbejn mbrojtjes se vendit mos sot nesër.

    Prandaj në keto nuk mund te vendos vetëm ‘’i madhi,, ‘’Kryetari,, ‘’babaxhani,, me disa të vegjë që i shkojn prapa, por duhet pyetur e dëgjuar mendimi i kundërt, opzita, shoqatat e ndryshme. Pastaj nëpërmjet takimeve e debateve me specialiste të fushave të ndryshme. Braktisja e nënvleftesimi i këtyre të fundit do të çoi në investime shkatrrrimtare dhe jo në dobi të pupullit të Vlorës në rastin tonë.

                                                          Dr. Selman Meziu

Filed Under: Ekonomi

A duhen të tërhiqen subjektet politike shqiptare nga kualicioni qeveritar në Mal të Zi?

March 29, 2024 by s p

Xheladin Zeneli/

Të Merkurën,me 27 Mars 2024 në Komisionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit për politikën dhe demokracinë, është aprovuar raporti i cili rekomandon dhe njëkohësisht i hap rrugën anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Raporti u votua me 31 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Në befasi të askujt, kundër këtij raporti votuan 2 përfaqësues të Serbisë, përfaqësuesi i Bosnjë e Hercegovinës dhe i Malit të Zi. Me vendimin e tyre, Serbia përmes Aleksander Vuçiqit dhe Bosnja e Hercegovina përmes presidentit të Republikës Serbe, Milorod Dodik, arritën të ndikojnë që edhe përfaqësuesi i Malit të Zi t’ju bashkangjitet vendimit të tyre kundër Kosovës.

Që nga formimi i qeverisë së re të Malit të Zi në Tetor të vitit 2023, qeveri kjo e dalur nga zgjedhjet parlamentare të muajit Qershor e të njëjtit vit, me të drejtë është folur shumë për elementet pro serbe dhe pro ruse që ishin bërë pjesë përbërëse e këtij pushteti.

Pjesë e koalicionit aktual të qeverisë së Malit të Zi janë edhe dy subjektet politike shqiptare: kualicioni “Forumi Shqiptar” dhe kualicioni “Aleanca Shqiptare”.

(Për hir të korrektësisë, vlen të përmendet këtu se Lidhja Demokratike në Mal të Zi, u tërhoq nga kualicioni qeverisës në momentin kur kryetar i Kuvendit u zgjodh Andrija Mandiq dhe që nga atëherë nuk është pjesë e kualicionit të partive shqiptare “Aleanca Shqiptare).

Ishin pra prezenca e këtyre elementeve pro-serbe me sentimentin anti-Kosovë që me rastin e formimit të qeverisë së re nxiti reagime dhe shqetësime në opinionin shqiptar lidhur me pjesëmarrjen e këtyre dy subjekteve politike shqiptare në këte qeveri.

Shqetësimet e atëhershme u dëshmuan si të vërteta me votimin e përfaqësuesit të Malit të Zi kundër raportit i cili i jep Kosovës dritën e gjelbërt në rrugën drejt anëtarësimin e saj në Këshillin e Europës, ditën e Mërkurë, me 27 Mars 2024.

Të mos përmendim këtu edhe vizitën që pak kohë më parë, Milorad Dodik i bëri kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, në Podgoricë.

Rikujtojmë se në marrëveshjen e kualicionit qeverisës, e arritur me rastin e formimit të qeverisë në Tetor të vitit të kaluar, pjesë e së cilës janë edhe dy subjeket e lartpërmenduara politike shqiptare në mes tjerash, thuhet:

”Qeveria do të mbetet e përkushtuar për harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e marra ndërkombëtarisht.

Kjo duhet të garantojë se Qeveria nuk do të marrë vendime që do të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës…”.

Shihet qartas që erdhi deri te cenimi i marrëveshjes paraprake në mes të subjekteve politike shqiptare të cilat ndajnë pushtetin me qeverinë aktuale lidhur me mos ndryshimin e politikës së jashtme të Malit të Zi, posaçërisht asaj në raport me Kosovën.

Vertetë që pati reagime deklarative nga disa përfaqësues shqiptarë lidhur me votën ‘kundër’ nga ana e përfaqësuesit të Malit të Zi ndaj hapjes së rrugës për Kosovën në Këshillin e Europës, por sa do të kenë efekt këto deklarata në rishqyrtimin e këtij vendimi skandaloz për Malin e Zi, mbetet të shihet.

Por, nga perspektiva e faktorit politik shqiptar mos respektimi i marrëveshjes duhet të jetë një kërcnim serioz i besimit të tyre ndaj kësaj qeverie.

Prandaj, unë mendoj se se nuk mjaftojnë vetëm deklaratat kritikuese të përfaqësuesve politik të shqiptarëve ndaj vendimit të përfaqësuesit të Malit të Zi kundër Kosovës, por ata duhen ta konsiderojnë edhe terheqjen nga koalicioni qeveritar me qëllim që t’ju dërgohet një mezash i qartë qeverisë së tanishme të këtij shteti se ata, pra subjektet dhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk do të tolerojnë të kenë kthim mrapa kur bëhet fjalë për çështjen e shtetësisë së Kosovës dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë të pengohet integrimi i Kosovës në organizatat euro-atlantike.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT